TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në qytetin e Kuçovës.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, më 11 maj nuk mjafton një fitore aritmetike e PS, duhet një fitore e madhe popullore dhe politike.
“Me shumë besim, bindje dhe vendosmëri duhet të kuptoni dy gjëra: E para, nuk na mjafton një fitore aritmetike e PS, na duhet një fitore e madhe popullore dhe politike dhe prandaj nuk duhet lënë askush, nga mbështetësit dhe simpatizantët tanë, që të mendoj se ne e kemi fituar dhe të shkoj në plazh, apo të shkojë tek vjehrra në 11 maj. Jo, të votojë njëherë bashkë me vjehrrën, pastaj të shkojë në plazh, ose të shkojë të shijojë drekën e gatuar nga vjehrra”, tha Rama.
“Ju duhet të gjeni gjuhën për të komunikuar me ata qytetarë, bashkëfshatarë që nuk na votojnë ne historikisht dhe që i ka mbetur zemra tek PD. Atyre duhet t’u thoni se 11 maji është i ngjashëm me vitin 1992, kur edhe ata që nuk e donin PD, votuan PD, pasi ishte një moment takimi me historinë, për t’u ndarë nga e shkuara përfundimisht. E shkuara është e shkuara, e ardhmja është tani, e sotmja jonë. Dhe pak muaj më vonë, një shumicë dërrmuese votuan kundër PD. Ndërkohë që zgjedhja e 12 marsit ishte çështje e vendndodhjes strategjike të vendit tonë: në Evropë dhe pikë. Kështu është 11 maji, nuk duhet të humbim shansin e “derës së hapur” dhe mbylljen e negociatave në 2027”, u shpreh Rama.
Rama gjithashtu theksoi se, 56% e grave dhe vajzave në rang vendi mbështesin PS, ndërsa, shtoi ai, “në Kuçovë shkon 65%, shumë më tepër se burrat, a e kuptoni ju burrat?”.
Megjithatë, shtoi Rama, “edhe burrat këtu janë më shumë ata që na mbështesin, por nuk mjafton. Gratë të flasin me gratë demokrate, ta pleqërojnë këtë punë dhe të afrohen më shumë tek 5-a. Dhe nga ana tjetër, ata burra që janë mërzitur se kam thënë unë – unë flas politikisht politikisht – që gjysmat janë çyrykë, e hedhin votën në “kënetë”, e kanë mundësi në 11 maj ta tregojnë se nuk janë, por të votojnë për Shqipërinë në BE në Evropë. Është shumë e thjeshtë”.
Duke folur për drejtuesin politik të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit, Tomorr Alizotin Rama u shpreh se, “është një personazh këtu, një “Ludoviku”, kështu i them unë Alizotit, bërtiste se “do t’ju hamë të gjallë, do t’ju hamë të gjallë” – thoshte “Ludoviku”, çfarë quhet ky? Çyryk, si mund ta quash normal?!”.
“Ishte një tjetër që u thoshte: “Nën këtë qeveri të poshtër kanë ikur 1 milion lekë”, donte të thoshte “1 milion njerëz”. Ata janë 1-sha, por janë në atë sensin që po diskutojmë këtu, njëri më jashtë loje se tjetri, njëri më i lodhur se tjetri, njëri më i mbaruar se tjetri. Pinë ujë kënete dhe hedhin spërkla nga të katra anët”, tha Rama.
“Dalin pastaj sondazhet që thonë se fiton PS, këta thonë: ‘Epo populli është i sëmurë’. Sondazhet thonë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, këta thonë që populli është ‘i çmendur’”, theksoi Rama.
Por, shtoi Rama, “askush prej tyre, jo këtyre 1-shave që dalin në TV, s’duhet ta marrë personale, por është politike, kush e merr personale të vijë të votojë 5-n”.
“U mërzitën dhe për çështjen e vajzave socialiste, të kenë një test në 11 maj, nëse a janë mirë ata çunat, a e shohin mirë të ardhmen, dhe i thua që do vish me mua në BE, jo, thotë do iki në “kënetë”, vazhdo, mirupafshim…”, u shpreh Rama.
/r.e/a.f/
The post Rama: Më 11 maj nuk mjafton një fitore aritmetike e PS, duhet një fitore e madhe popullore dhe politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.