Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Kush mban përgjegjësi?”/ Lirimi i hapësirave publike, flet Këshilltari i PD: Detyrë e bashkive, jo e Kryeministrit

11 July 2025 at 15:24

I ftuar në një studio televizive, Teliti deklaroi se lirimi i hapësirave publike është një detyrë normale e bashkisë dhe jo një veprim që duhet të vijë nga vetë kryeministri.

Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike dhe njëherazi nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka reaguar për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjektet private.

Dorjan Teliti:

“E kemi kërkuar me insistim në Këshillin Bashkiak që hapësirat publike të lirohen nga pushtimi i bizneseve dhe të përdoren në shërbim të qytetarëve. Kemi kërkuar vazhdimisht dokumentacionin mbi lejet e dhëna nga bashkia, por nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje. Sot që po realizohet ky aksion, është mirë që po ndodh, por është thjesht puna normale e një institucioni vendor,” tha Teliti.

Ai vuri në dukje se mungesa e transparencës dhe mosveprimi ndër vite e ngre pyetjen: “Për muajt dhe vitet ku nuk kemi jetuar me këtë standard, kush mban përgjegjësi?”

Sa i takon ndërhyrjeve në Theth për shembjen e ndërtimeve pa leje, Teliti ngriti dyshime mbi qëllimet e qeverisë, duke përmendur përkimin e këtij aksioni me nisjen e aplikimeve për të ashtuquajturën “Paketë të Maleve”, një program për zhvillimin turistik të zonave malore.

“Nesër hapen aplikimet për Paketën e Maleve, dhe lind pyetja nëse ky aksion në Theth është i motivuar vetëm nga ligjshmëria apo edhe nga interesat që lidhen me këto zhvillime të reja. Sot po shemben ndërtime pa leje, nesër do të shohim kush do të përfitojë të drejtën për të ndërtuar në ato territore.”

The post “Kush mban përgjegjësi?”/ Lirimi i hapësirave publike, flet Këshilltari i PD: Detyrë e bashkive, jo e Kryeministrit appeared first on Sot News | Lajme.

SPAK aksion në Shkodër/ Lëshohen 13 urdhër-arreste, mes tyre edhe zyrtarë policie

By: V K
11 July 2025 at 12:51

SPAK ka zhvilluar aksion në Shkodër, ku janë lëshuar 13 urdhër-arreste, mes tyre edhe zyrtarë policie. Vendimi mësohet se lidhet me operacionin “Ura”.

Mësohet se grupi kriminal trafikonte drogë nga Amerika Latine.

Burimet bëjnë me dije se 8 persona janë arrestuar ndërsa 5 të tjerë janë në kërkim. Grupi kriminal dyshohet se trafikonte drogë nga Amerika Latine në mes të të arrestuarve edhe zyrtarë policie.

Akuza edhe për ushtrim ndikimi të paligjshëm. SPAK pritet të sjellë njoftim për shtyp në lidhje me këtë çështje. Burime bëjnë me dije se janë disa raste te trafikimit të drogës nga 850-1000 kilogram.

Aksioni ka nisur në orën 5 të mëngjesit, në kërkim zyrtari i policisë Erjon Dani. Urdhrat janë firmosur nga prokurori Adnan Xholi.

Ish-zyrtari Dani ka ushtruar detyrën edhe ne komisariatin 3 në tiranë por ka disa kohë qe është larguar nga policia. Goditja ka ardhur pas zbërthimit të komunikimeve në SKY ECC.

The post SPAK aksion në Shkodër/ Lëshohen 13 urdhër-arreste, mes tyre edhe zyrtarë policie appeared first on Albeu.com.

‘Plazh i lirë’/ Zaptuan hapësirat publike policia ‘nuk fal’, nis aksionin për lirimin e tyre

10 July 2025 at 13:52

Policia e Kavajës në bashkëpunim me atë bashkiake ka vijuar në zonën e Golemit aksionin për lirimin e hapësirave publike.

Njoftimi i policisë:

Zhvillohen kontrolle në zbatim të planit operacional të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në territorin e Golemit.

Nga kontrollet u konstatuan disa hapësira në rrugë, të cilat ishin përshtatur për ambiente me qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente. Qytetarët që i kishin zënë këto hapësira, i liruan ato, me mirëkuptim.

 

The post ‘Plazh i lirë’/ Zaptuan hapësirat publike policia ‘nuk fal’, nis aksionin për lirimin e tyre appeared first on Sot News | Lajme.

Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Në Tiranë vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga sipërmarrje që kanë vendosur tavolina, karrige, tenda apo elementë të tjerë që pengojnë qarkullimin e këmbësorëve në trotuare.

Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin, edhe në Tiranë po hiqen tavolinat, karriget apo tendat nga trotuaret, të cilat cenonin sigurinë dhe ecjen e qytetarëve dhe këmbësorëve.

Deputeti i zgjedhur i PS në Tiranë Taulant Balla, njëherazi ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, i shoqëruar dhe nga deputetja e zgjedhur në Tiranë e Partisë Socialiste Olta Xhaçka, u njohën nga afër me problematikat që lidhen me hapësirat e përbashkëta dhe shërbimet publike në njësinë nr. 2.

Balla u shpreh se “do të dëgjojmë qytetarët cep më cep, në respekt të plotë të 19 mandateve historike në Tiranë, e të cilat duhet t’i konsiderojmë një borxh të jashtëzakonshëm për t’u shlyer, në radhë të parë duke mos shkëputur lidhjet me komunitetet, po duke dëgjuar e punuar më shumë me njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit e zakonshëm”.

Balla tha se duhen bërë njoftimet që qytetarët të marrin masat për të hequr vetë objektet që kanë vendosur në hapësirat publike.

Ministri theksoi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vazhdojë pa ndërprerje, për të garantuar akses për të gjithë qytetarët.

Ai tha se “hapësirat publike mes pallateve janë pronë e përbashkët e banorëve dhe nuk mund të privatizohen nga askush, pavarësisht se kush ka qenë pronari i dikurshëm i tokës”.

Gjatë inspektimit, Balla denoncoi vendosjen e gardheve, ndarjen me xhama apo strukturat pa leje që kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke paralajmëruar prishjen e tyre.

Ai u ndal edhe te pastrimi dhe mirëmbajtja e këtyre hapësirave, duke kërkuar kujdes të shtuar nga institucionet përgjegjëse. “Hapësirat e përbashkëta duhet të jenë të pastra dhe të sigurta për të gjithë: për nënat me fëmijë, për fëmijët dhe për të moshuarit. Nuk mund të kthehen në vende grumbullimi mbeturinash apo të pengohen nga parkime pa rregull”, theksoi ai.

Në përfundim të inspektimit, Balla deklaroi se ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë që synon kthimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.

Ai u bëri apel qytetarëve të mbajnë pastër ambientet ku jetojnë, si dhe u shpreh pro gjobitjes së atyre që nuk zbatojnë ligjin.

Ndërsa Xhaçka tha se “në të gjithë njësinë do të futemi në lagje për të parë problematikat që kanë qytetarët në raport me hapësirat dhe investimet më prioritare në ambientet ku ata jetojnë”.

Në disa qytete të vendit po zhvillohet një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

1 nga 3

/k.s//a.f//r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, Balla: Dëgjojmë qytetarët cep më cep appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Paligjshmëria nuk ndalet me aksione”/ Ultimatumi i Kryeministrit për hapësirat publike, flet analisti: Shteti të…

9 July 2025 at 12:46

Aksion për të cilin Kikia u shpreh se po bëhet për të krijuar lajme pasi me mbylljen e sesionit parlamentar stina e verës konsiderohet si e varfër. Analisti Mentor Kikia ka folur në një intervistë televizive në lidhje me aksionin e bashkive për lirimin e hapësirave publike pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama.

Më tej Kikia shprehet se lirimi i këtyre hapësirave që po mbysin qytetet nuk mund të bëhet me aksione, por falë një pune të përditshme dhe sipas tij ndërhyrja në sezon është e pajustifikuar.

Duke iu referuar ndërhyrjes së policisë në Theth, Kikia deklaron se prishja e objekteve përveçse ka një kosto, nga ana tjetër pasojat në mjedis janë të parikuperueshme.

Mentor Kikia:

“Zakonisht vera është një stinë e varfër për lajme, sidomos me mbylljen e Parlamentit. Për të paktën prej 5 ditësh është në treg lajmi i ultimatumit apo nisjes së një operacioni të Policisë së Rendit dhe bashkiakes në disa qytete, për lirimin e hapësirave publike. Aksioni nisi në Vlorë, në një qytet që kishte ankesa të shumta. Pamë disa angazhime të kryeministrit Rama në disa rrugica të qytetit, kishte tenda e me radhë. Aksioni i nisur në Vlorë nuk mbeti aty, edhe pse Vlora ishte fillesa. U shoqërua me ndërhyrjet e kryeministrit në atë që e quajti vetëpastrim i administratave të bashkive. Me gjasë nuk do të përfundojë me kaq.

Qytetet kanë nevojë për frymëmarrje, ndërhyrja duhet të jetë edhe më drastike. Kanë ngushtuar në mënyrë dramatike hapësirën e qytetarit. Hapësirat publike mungojnë. Nuk e di se sa ky operacion do të çojë realisht në lirimin e hapësirave publike. Nuk duhet të ndalohet vetëm me heqjen e tendave dhe karrigeve, duhet liruar hapësira. Shteti nuk duhet të funksionojë me aksione, është përgjegjës për zbatimin e ligjit verë dhe dimër, para dhe pas zgjidhjeve. Një operator duhet ta dijë që nuk mund ta vendosë karrigen dhe tavolinën në trotuar. Për 35 vite kemi funksionuar vetëm me fushatë. Nëse nuk funksionojmë me ligje do të ngrihen sërish karriget dhe tavolinat.

Ndërhyrja në sezon e pajustifikuar. Ajo që ndodh në Theth lidhet me gjithë territorin e vendit, ata njerëz jetojnë në tokat e tyre, por nuk janë pajisur me certifikatë, që duhet ta japë shteti. Pasoja në mjedis nuk rikuperohet. Nga investimet e paligjshme që shkatërrohen nga shteti pas mbetet kostoja financiare. Shteti të gjejë mënyrën e bashkëpunimit me individin që të mos i shpenzojë paratë në diçka të paligjshme”.

The post “Paligjshmëria nuk ndalet me aksione”/ Ultimatumi i Kryeministrit për hapësirat publike, flet analisti: Shteti të… appeared first on Sot News | Lajme.

Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kërkojnë ndalimin e aksionit

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Në ditën e tretë të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kanë bllokuar urën hyrëse për në fshat.

Ata kanë kërkuar ndalimin e aksionit dhe uljen në tryezë me përfaqësues të qeverisë.

Pjesë e protestës ishte dhe deputetja e Partisë Demokratike, Gerta Bardeli. Ajo kërkoi nga policia që të respektohet e drejta kushtetuese e banorëve për të protestuar.  “Asnjë shtyrje! Me banorët s’keni punë, kanë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Ata janë në truallin e tyre”, tha Bardeli.

Përplasjet mes policisë dhe banorëve kanë vijuar rreth 1 orë, teksa më tej banorët kanë hapur rrugën për në fshat.

Prej tre ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Thethin.

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë ultimatum bashkive që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara pa leje nga bizneset.

Ky aksion po zhvillohet edhe në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë si dhe në qytete të tjera të vendit.

/gj.m//a.f/

 

The post Prishja e ndërtimeve pa leje në Theth, banorët kërkojnë ndalimin e aksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndreu: Çlirim hapësirave publike në plazh, sekuestrime e gjoba

TIRANË, 7 korrik/ATSH/ Bashkia e Lezhës po zhvillon një aksion për çlirimin e hapësirave publike në plazhet që ndodhen në vijën bregdetare të kësaj bashkie.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau në rrjetet sociale momente nga ky aksion.

“Superaksion sot me çlirimim e devijacioneve të papërgjegjshme,  të zënies së hapësirave publike dhe çmimeve të larta të parkingjeve dhe abuzimeve të tjera”, theksoi Ndreu.

Ndreu u shpreh se u vendosën sekuestrime, gjoba dhe tërheqje vëmendje për abuzuesit.

Kryebashkiaku Ndreu theksoi se nuk ka asnjë kompromis me askënd.

“Ju lutem denonconi nëse parkingu jepet më shumë se 200 lekë dhe çadrat në zonat publike më shumë se 500 në Ranë të hedhun, 400 në qendër Shëngjin-Kune, 300 në Tale”, tha Ndreu.

Kryebashkiaku Ndreu tha se “nuk përgjigjemi për rastet e kontaktit me stacionet hoteliere, të cilët kanë çmim më të lartë, bëhet fjalë për plazhet publike që janë të qarta”.

 

/k.s/j.p/

The post Ndreu: Çlirim hapësirave publike në plazh, sekuestrime e gjoba appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksion i madh kundër lojërave të fatit në Kosovë, arrestohen 34 persona

By: Ardit
7 July 2025 at 15:22

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë policor në funksion të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm në rajonin e Prishtinës. Sipas policisë, janë arrestuar 34 persona, të dyshuar për përfshirje direkte në këto aktivitete të paligjshme. Nga ta, 8 janë […]

The post Aksion i madh kundër lojërave të fatit në Kosovë, arrestohen 34 persona appeared first on BoldNews.al.

Sezoni turistik, aksion pastrimi në Vlorë

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Në qytetin e Vlorës ka nisur që në orët e para të mëngjesit, aksioni i pastrimit me punonjësit e bashkisë, të shpërndarë në disa zona të qytetit kryesisht tek Pylli i Sodës.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau në rrjetet sociale momente nga ky aksion për pastrimin e qytetit bregdetar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të mbajnë pastër ambientet ku jetojnë.

Në një prononcim për mediet Dredha tha se “e gjithë administrata e bashkisë dhe drejtoritë në varësi të institucioneve qendrore kanë dalë të gjithë në terren duke u shpërndarë në zona të caktuara të qytetit që kemi parë si më problematike, duke bërë një aksion pastrimi, por edhe për të dhënë një shembull që duhet të vazhdojë kjo gjë”.

“Nuk është se e kemi bërë sot apo s’e kemi bërë më përpara. I bëjmë thirrje të gjithë komunitetit, që të jenë të vëmendshëm se ku hedhin mbetjet, ku e kanë vendet dhe duke zbatuar oraret sa i përket bizneseve në Vlorë. Duhet të jenë të kujdesshëm se kemi dërguar fletëthirrje në çdo biznes që të respektojnë orarin kur nxjerrin mbetjet. Na e bëjnë punën më të thjeshtë ne dhe e mbajmë qytetin më të pastër”, tha Dredha duke shtuar se mjedisi është gjithçka që na përket të gjithëve, jo vetëm bashkisë.

Kryebashkiaku Dredha u shpreh se shpresojmë këtë punë ta zgjerojmë dhe ta mbajmë në këtë ritëm gjatë sezonit.

“Vlora meriton të jetë gati siç ka qenë gjithmonë por edhe e pastër siç duhet për të gjithë ata që vijnë me pushime. Nuk u kujtuam sot apo dje, por vjen edhe një moment që niveli i asaj që kërkon Vlora si një destinacion turistik, do të këto lloj ndërhyrjesh. Nuk ka pasur ndonjëherë pushim për punonjësit e administratës, thjesht duhet një ndërgjegjësim më i madh që ta shikojnë me syrin e turistit, e atij që i dhemb qyteti dhe në këtë mënyrë ofrojmë diçka më cilësore sa i përket mirëmbajtjes së qytetit”, theksoi Dredha.

Kryetari i bashkisë së Vlorës foli edhe për aksionin për lirimin e hapësirave publike.

“Është bërë një thirrje, kemi dashur të marrim vëmendje që ndoshta për vite me radhë, duke evituar edhe pjesën e ligjit, por të gjithë e përqafuan këtë aksion dhe për këtë nuk ka kthim pas. Të gjithë do të fillojnë të çlirojnë ata pjesë që janë të zëna, dhe aty ku do të ketë rezistencë do të ndërhyjë forca e ligjit, IMT, dhe bashkia që ne të kemi në vazhdim një qytet ashtu siç duam”, tha Dredha.

Ditët e fundit në qytetin e Vlorës po zhvillohet gjithashtu aksioni, pjesë e nismës kombëtare, për lirimin e hapësirave publike.

“Vendet e zaptuara ndër vite, pa kriter, duhet dhe do t’iu kthehen qytetarëve”, tha Dredha.

Aksioni i pastrimit është shtrirë në zona të ndryshme të qytetit, për t’i ofruar qytetarëve dhe turistëve një mjedis më të pastër.

/k.s/j.p/

The post Sezoni turistik, aksion pastrimi në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lexojeni për zbavitje/ Rama i shqetësuar për hapësirat e zëna publike në Tiranë

By: user 5
5 July 2025 at 14:49

Edi Rama ka postuar disa foto nga zona e 21 Dhjetorit në kryeqytet ku hapësirat publike janë zaptuar në mënyra të ndryshme. Kryeministri paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që ka guxuar të zaptoje hapësirat e qytetarëve. Ironia qëndron në faktin se kjo është një tjetër shfaqje teatrale. Njeriu që betonizoi Tiranën, Edi Rama dhe pas tij Erion Veliaj, tani po preokuptohet për zënien e hapësirave publike. Lexojeni për zbavitje.

“Situatë klasike “toke të xanun” në Tiranë, tek 21 Dhjetori – kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale për shkatërrim të pronës publike, cënim të shëndetit e sigurisë fizike së qytetarëve dhe me radhë… Koha për t’u bërë bashkë që të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon!”-shkruan Rama.

The post Lexojeni për zbavitje/ Rama i shqetësuar për hapësirat e zëna publike në Tiranë appeared first on Lapsi.al.

Aksioni te “Bankers”/ Prokuroria njoftim zyrtar: Nuk ka paguar tatimet prej 20 vitesh, ka shkaktuar miliona euro dëm

3 July 2025 at 12:32

Prokuroria e Fierit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar një ditë më parë në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier. Prokuroria bën me dije se ka lëshuar 14 masa sigurie për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Nga këto masa sigurie janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre ndaj personave drejtues të kësaj kompanie, mes tyre administratori aktual i shoqërisë, Hongping Xiao dhe ish-administratori, Leonidha Çobo. Ndërkohë në kërkim janë 5 shtetas të huaj.

Gjithashtu bëhët me dije se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, prej 20 vitesh nuk ka paguar tatime, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Po ashtu nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

The post Aksioni te “Bankers”/ Prokuroria njoftim zyrtar: Nuk ka paguar tatimet prej 20 vitesh, ka shkaktuar miliona euro dëm appeared first on Sot News | Lajme.

Aksion në Tiranë/ Ndjekja me pasojë aksidentin, manovrat në rrugë që sollën panik tek qytetarët këmbësor (FOTO)

2 July 2025 at 18:18

Gjatë ndjekjes, drejtuesi i mjetit ka kryer manovra për t’i shpëtuar efektivëve, duke shkaktuar panik tek qytetarët. Gjatë ndjekjes janë dëmtuar edhe katër automjete.

Një ndjekje spektakolare policore është zhvilluar mesditën e sotme në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, duke përfunduar në rrugën “Andon Zako Çajupi” në zonën e Bllokut. Policia kishte dyshime se në një automjet luksoz tip Audi Q8 ndodhej një person i armatosur.

Pasi është neutralizuar situata, policia ka bërë të mundur arrestimin e një personi dhe ka sekuestruar një armë zjarri. Hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe identitetin e personit të ndaluar.

 

The post Aksion në Tiranë/ Ndjekja me pasojë aksidentin, manovrat në rrugë që sollën panik tek qytetarët këmbësor (FOTO) appeared first on Sot News | Lajme.

Rama: Agroturizmi “Te Agai” në Gjinar, sjell mikpritjen shqiptare dhe bukuritë që të fal natyra

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Në Gjinar të Elbasanit, pranë malit të Bukanikut, aty ku natyra dhe ajri i pastër janë pjesë e përditshmërisë së banorëve të zonës, agroturizmi “Te Agai” është kthyer në një atraksion për vendasit, por edhe për turistët e huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të këtij investimi, ndërsa tha se “1270 metra mbi nivelin e detit, në një nga zonat më piktoreske të Gjinarit, agroturizmi “Te AGAI” sjell së bashku gatimet tradicionale të Elbasanit, mikpritjen shqiptare dhe bukuritë që të fal natyra”.

Agroturizmi “Te Agai” është një “udhëtim” që filloi me një ide të thjeshtë, ndarjen e bukurisë së jetës malore shqiptare me të tjerët. Ajri i pastër, ushqimet e gatuara në shtëpi dhe traditat shqiptare, kjo mënyrë jetese e poseduesve të kësaj hapësire u kthye në një sipërmarrje të mirëfilltë që ka marrë vëmendjen e pushuesve vendas, por edhe ata të huaj.

Agroturizmi “Te Agai” është një investim që është kryer në tokën e familjarëve, për t’u kthyer në një destinacion ku lidhja mes natyrës, kulturës dhe kulinarisë bëhet absolute, në mes të maleve në Gjinar të Elbasanit.

Përmes mikpritjes, ushqimit tradicional dhe aktiviteteve tërheqëse në natyrë, te agroturizëm “Te Agai” krijohet një hapësirë ​​ku mysafirët mund të ndihen si në shtëpi, të zbulojnë diçka të re dhe të largohen me kujtime të paharrueshme.

Qeveria, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, mund të përfitoni financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve.

/e.i/a.f/

The post Rama: Agroturizmi “Te Agai” në Gjinar, sjell mikpritjen shqiptare dhe bukuritë që të fal natyra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“The Telegraph” artikull për liqenin e Shkodrës, Beci: Potencial për turizmin natyror dhe kulturor

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Një ndër mediat më të njohura britanike, “The Telegraph”, i ka kushtuar një artikull liqenit të Shkodrës, duke e cilësuar një prej perlave të fshehura të Evropës Jugore dhe një thesar natyror dhe kulturor që ndan Shqipërinë me Malin e Zi.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ndau një pasazh nga artikulli i prestigjozes britanike që shkruan se “Liqeni më i madh i Evropës Jugore dhe një rezervat natyror i mbrojtur… male karstike mbresëlënëse, ishuj, manastire, xhami historike dhe laguna të fshehura”.

“Liqeni i Shkodrës, i njohur për biodiversitetin, bukuritë e rralla dhe vlerat kulturore, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare. Ky vlerësim është një tjetër dëshmi se Shkodra ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit natyror dhe kulturor”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.

Liqeni i Shkodrës është më i madhi në gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai cilësohet si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit.

Ky liqen është gjithashtu një nga zonat më të pasura në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë. Në Censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë për vitin 2025, Liqeni i Shkodrës u rendit në vendin e dytë me 23 899 individë, për numrin e specieve.

Media britanike “Telegraph”: Shqipëria kryeson listën e 10 vendeve më të mira evropiane për pushime në plazh

/e.i/a.f/

The post “The Telegraph” artikull për liqenin e Shkodrës, Beci: Potencial për turizmin natyror dhe kulturor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga kalaja e Bashtovës: Thesar i rilindur

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Kalaja e Bashtovës, e ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër atraksion që po merr vëmendjen e vendasve, por edhe turistëve të huaj.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje të kalasë së Bashtovës, ndërsa e ka etiketuar atë si “një thesar i rilindur”.

Kalaja e Bashtovës po merr jetë të re, jo vetëm si një monument historik, por si një hapësirë funksionale dhe dinamike për komunitetin dhe vizitorët.

Përmes projektit EU4CULTURE të financuar nga Bashkimi Evropian, është përfunduar restaurimi i plotë i kalasë, ndërkohë që po finalizohet ndërtimi i një qendre moderne për vizitorët.

Kjo qendër do të shërbejë si pikë informacioni me ambiente të përshtatshme për aktivitete sociale, kulturore, artistike dhe edukative.

Synimi kryesor është rijetëzimi i kalasë, duke e shndërruar atë në një pol të rëndësishëm turistik dhe kulturor për zonën.

Hapësira e saj unike dhe karakteri historik do të mundësojnë organizimin e koncerteve, ekspozitave, aktiviteteve edukative për të rinjtë, eventeve tematikë dhe shumë të tjera, duke e kthyer kalanë në një qendër të gjallë të jetës kulturore dhe turistike në zemër të Shqipërisë.

/e.i/j.p/

The post Rama ndan pamje nga kalaja e Bashtovës: Thesar i rilindur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohen çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje/ Aksion me ‘dorë të rëndë’ nga policia për plazhet publike

20 June 2025 at 14:41

Task Forca e ngritur nga Bashkia e Lezhës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë bashkiake dhe asaj të Policisë së Shtetit, kanë ndërhyrë në disa zona, duke bërë sekustrimin e pajisjeve të vendosura pa autorizim. Çdo rast i konstatuar do të ndëshkohet me sekuestrim të menjëhershëm dhe masa administrative sipas akteve në fuqi për menaxhimin e hapësirave turistike.

Dhjetëra çadra dhe shezlongë janë sekuestruar nga hapësirat publike të plazheve në Shëngjin dhe Ranën e Hedhun, si pjesë e një aksioni intensiv për çlirimin e vijës bregdetare nga zaptimet e paligjshme.

Konkretisht, në Ranën e Hedhun janë sekuestruar 50 çadra dhe 100 shezlongë, ndërsa në Shëngjin janë sekuestruar 5 çadra dhe 10 shezlongë që kishin zënë hapësira publike në kundërshtim me rregullat.

Autoritetet lokale bëjnë të ditur se aksionet do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror, me zero tolerancë për ata që cënojnë të drejtën e pushuesve për të shijuar plazhin pa pengesa dhe pagesa abuzive.

The post Sekuestrohen çadra dhe shezlongë të vendosura pa leje/ Aksion me ‘dorë të rëndë’ nga policia për plazhet publike appeared first on Sot News | Lajme.

Dyshime për parcela droge, aksion “blic” në malësinë e Krujës

By: user7
16 June 2025 at 11:50

Policia e Krujës dhe forcat e drejtorisë së Policisë Tiranë po zhvillojnë një aksion “blic” në malësinë e zonës. Mësohet se aksioni po zhvillohet nën dyshimet e në fshatërat e zonës ndodhen parcela të mbjella me lëndë narkotike.

Disa ditë më parë, në një aksion të ngjashëm në malësinë e Krujës u asgjësuan lëndë narkotike.

The post Dyshime për parcela droge, aksion “blic” në malësinë e Krujës appeared first on Lapsi.al.

Dyshime për parcela me drogë/ Policia, aksion në fshatrat e malësisë së Krujës

16 June 2025 at 11:19

Forcat e policise se komisariatit te Krujes te mbeshtetura nga forcat e drejtorise se Tiranes, kane nisur nje tjeter aksion blic ne fshatrat e malesise se Krujes. Vetem pak dite me pare nje aksion i tille ne fshatin Mafsheq, jane asgjesuar lende narkotike.

Serish dyshohet se ndodhen parcela te mbjella me lende narkotike, ndaj aksioni i policise do te perqendrohet ne zonat e dyshuara.

The post Dyshime për parcela me drogë/ Policia, aksion në fshatrat e malësisë së Krujës appeared first on Sot News | Lajme.

Aksioni i Policisë së Kosovës, arrestohet nëna e Ghetto Geasy

By: user7
12 June 2025 at 12:31

Një aksion i zhvilluar sot nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë edhe Florije Kelmendi Selimin, nënën e reperit të njohur kosovar, Ghetto Geasy.

Ajo, së bashku me dy zyrtare të tjera të kësaj ministrie, po hetohet nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar aksionin, duke bërë të ditur se hetimet po zhvillohen me autorizim të Prokurorisë kompetente dhe përfshijnë disa persona të dyshuar.

“Sapo të përfundojnë procedurat hetimore, do të mund të bëhen publike më shumë informacione”, deklaroi Kelani.

Hetimet po zhvillohen në kuadër të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në institucionet publike.

The post Aksioni i Policisë së Kosovës, arrestohet nëna e Ghetto Geasy appeared first on Lapsi.al.

Task-forcë për sezonin turistik në Shkodër, Rrustemi: Asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cenohet

TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Në Bashkinë Shkodër është ngritur një task-forcë ndërinstitucionale mes disa drejtorive, me fokus mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Sipas bashkisë Shkodër, “janë marrë masa për menaxhimin e hapësirave publike, hapësirave të gjelbra, zonës pedonale dhe për ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për çdo pushues që zgjedh Velipojën për pushimet verore”.

Drejtori i Policisë Bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi tha se gjatë këtyre ditëve gjatë inspektimit të zonave të plazhit janë konstatuar disa raste abuzimi me kontratat të subjekteve të ndryshme, si edhe uzurpim i hapësirave publike të dedikuara për plazhet publike.

“Sot me Policinë e Shtetit vendosëm që të lirojmë të gjithë vijën bregdetare në Velipojë, nga çdo çadër, shezlong apo objekt provizor, i cili është vendosur pa lejen përkatëse”, tha Rrustemi në nisje të aksionit të ndërmarrë nga Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policinë e Shtetit.

Drejtuesi i Policisë Bashkiake Shkodër, Saimir Rrustemi pohoi faktin se “asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cenohet nga operatorët privatë”.

Velipoja është një ndër destinacionet më të frekuentuara të veriut të Shqipërisë gjatë sezonit veror. Tashmë me përfundimin e rrugës Shëngjin-Velipojë pritet që interesi i turistëve për këtë zonë të rritet akoma më shumë.

/e.i/a.f/

The post Task-forcë për sezonin turistik në Shkodër, Rrustemi: Asnjë hapësirë publike në plazhin e Velipojës nuk do të cenohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌