Dy muaj e gjysmë pas festivalit “Keinemusik”, zona jugore e Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë po pastrohet nga zhavorri.
Rreth 1.7 ha tokë u mbushën me inerte nga kompani të kontraktuara nga artisti Rigels Rajku – njohur me nofkën Noizy, – i cili ishte organizator i festivalit të 31 majit.
Sipas lejes së bashkisë, pastrimi duhej të ishte mbyllur më 8 qershor, por realisht nisi fundjavën e shkuar. Zyrtarisht nuk ka një afat për rikthimin e zonës në gjendjen e mëparshme teksa mjedisorët dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për keqmenaxhimin e kësaj zone të gjelbër të qytetit.
Qytetarë raportuan për makineri të rënda që po lëviznin gjatë fundjavës në zonën e parkut pranë “Unazës së Madhe”. Citizens ishte në terren nga ku dëshmoi për praninë e një ekskavatori privat, i cili nuk mbante logo të bashkisë apo Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR).
Punonjësi nuk pranoi të tregonte emrin e kompanisë. Ai tha se kishte tre ditë që ishte angazhuar për të lëvizur inertet, sipas një udhëzimi nga një inxhinier, të cilin tha se e kishte parë vetëm një ditë në zonë.
Udhëzimi ishte që të gërmonte deri në shtresën e fundit të zhavorrit. Ai tha se nuk kishte dijeni se ku do të dërgoheshin inertet.
Heqja e zhavorrit u konfirmua edhe nga APR, e cila i tha Citizens.al se po i vëzhgonte punimet. Për këtë ajo nisi dy foto me email. Megjithatë APR nuk tha se kush ishte kompania private që po punonte me makineri të rënda brenda parkut, apo se ku do të vendosen inertet.
Citizens.al raportoi në qershor për vonesat në pastrimin e zonës. Rasti ngjalli debate mbi mënyrën e menaxhimit të hapësirave publike nga aktivitetet private si dhe faktit se Parku i Madh i Liqenit Artificial nuk mbrohet me ligj me një status të caktuar mjedisor.
Teksa ndodhet me pushime në jug të vendit, Edi Rama, i veshur me të shkurtra, ka dalë ditën e sotme para kamerës së telefonit, “live” në rrjetet sociale për të bërë propagandë për lirimin e hapësirave publike. Rama deklaroi se po përgatit një rregullore kombëtare që sipas tij do të vendosë qartë kufijtë dhe do […]
Kryeministri Edi Rama tha në një lidhje live me ndjekësit në rrjetet sociale se fushata e nisur për hapësirat publike nuk është një sulm ndaj sipërmarrjes, por synim për t’i kthyer njerëzve hapësirat e përbashkëta që iu takojnë.
Ai theksoi se qeveria po përgatit një rregullore që do të vendosë qartë hapësirat e lirisë për njësitë tregtare pa kapërcyer hapësirat publike dhe këtu do hyjë në punë teknologjia.
“Unë jam deputet i Tiranës, kam bërë fushatë dhe ka konstatuar gjëra, kam parë gjëra, dhe krahas transformimit të Tiranës kam parë këtë; ngufatjet e hapësirës së Tiranës dhe për këtë arsye kam angazhuar gjithë deputetët për t’u rikthyer te njerëzit dhe janë konstatuar 1800 pika që duhen çliruar. Nuk bëhet fjalë për ndërtime pa leje, mur, llaç, tulla bëhet fjalë për ndërtime të çmontueshme dhe ka një mirëkuptim të madh, ka edhe raste kur nuk ndodh në mënyrë vullnetare. Nuk është një sulm ndaj sipërmarrësve. Po përgatisim një rregullore që do të vendosë qartë hapësirat e lirisë, do ketë hapësirë edhe për njësitë tregtare, por pa kapërcyer hapësirën publike. Teknologjia do na ndihmojë në këtë fazë.
Siç ka pasur lëvizje në bashki do ketë shtrirje të kësaj vale në strukturat e kontrollit të territorit, duke nisur nga IMT te policitë bashkiake”, tha Rama./euronews/
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj i shoqëruar nga drejtori i Policisë Bashkiake, Elona Lalaj dhe drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi, këtë të enjte inspektuan zonën e njësisë 9 në kryeqytetit për të parë ecurinë e aksionit për lirimin e hapësirave publike. Nënkryetari Sulaj tha se Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha sipërfaqet publike të cilat janë…
Në një intervistë për BIRN, ekonomisti Arben Malaj tha se aksioni më shumë mediatik sesa konkret i qeverisë shqiptare ndaj bizneseve të vogla të parregulluara do të ketë efekt të kundërt për ekonominë shqiptare. Të dielën, Edi Rama postoi një video në profilin e tij në Facebook duke treguar një tarracë kafeneje që po çmontohej […]
Nga Ilir Kalemaj Vala e aksionit më urdhër nga lart dhe zbatim nga poshtë, që ka përfshirë nga dorëheqjet e detyruara deri te prishja në sezon e çdolloj investimi të kryer me leje dhe paguar taksë lokale, ka shkaktuar përkundër pritshmërive pak revoltë dhe kjo e kufizuar në komunitete të caktuara. Po të shkojmë më […]
Një i ri nga Korça ka goditur me gurë ambientet e jashtme të Bashkisë së Korçës. Sipas burimeve të policisë, i riu është përdorues i lëndëve narkotike. Ai ka hyrë LIVE në TikTok, ku me një fjalor të rëndë ka ofenduar kryeministrin Rama, i inatosur për prishjet e strukturave në hapësirat publike në lagjen nr. […]
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar se ditën e djeshme më 31 korrik, ka përfunduar afati për lirimin e hapësirave pranë rrugëve kombëtare sipas distancave të përcaktuara me ligj.
Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se aksioni nuk është “kundër tendave”, siç është përfolur në media, por një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe zbatimin rigoroz të ligjit për mbrojtjen e territorit.
“Çka po ndodh sot në territorin e Shqipërisë, nuk është një aksion kundër tendave, ashtu siç thuhet, është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë. Është një reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as tendat, as oborret e përbashkëta të pallateve të zaptuara e të kthyera në parkingje dhe as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e vendburimeve shqiptare, pavarësisht mohimit qesharak të ekzistencës së tyre apo mbrojtjes akoma më qesharake nga segmente të paguara për të goditur të mirën publike.“, tha Balluku.
Ministrja përgëzoi gjithashtu bizneset në aksin Gjirokastër-Levan, ku gjatë inspektimeve nuk u konstatuan shkelje, dhe theksoi se nga ky moment IKMT, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave ligjore pranë rrugëve kombëtare.
“Dje, në 31 korrik, ka qenë afati i fundit për lirimin e hapësirave pranë akseve kombëtare, duke respektuar distancat e përcaktuara në ligj. Një fushatë këshillimore është kryer nga ARRSH dhe IKMT për 8 ditë, duke pasur edhe raste konkrete të bashkëpunimit të subjekteve me trupat tona në terren. Mjafton t’ju tregoj një rast në aksin rrugor Kombinat-Plepa, ku subjekti ka ndërmarrë tërheqjen dhe respektimin e distancës nga trupi i aksit kombëtar, si dhe sistemimin estetik të zonës ku operon. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur kudo.
Gjithashtu, gjej rastin të përgëzoj të gjithë ato subjekte që operojnë në aksin nga Gjirokastra në Levan, pasi kam qenë së bashku për një inspektim atje me inxhinierët e ARRSH-së dhe inspektorët e IKMT-së dhe nuk kemi evidentuar asnjë shkelje në këtë territor. Bëjmë me dije se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare.”, tha zv.kryeministrja.
Balluku gjatë fjalës së saj, falenderoi dhe qytetarët për këtë bashkëpunim që e konsideron “të shkëlqyer” gjatë gjithë kësaj periudhe dhe i inkurajon ata të vijojnë denoncimet, madje, në vazhdim edhe përmes një platforme të dedikuar, platforma ‘Hapësira ime’ që është njoftuar sot dhe nga Kryeministri, Edi Rama.
Në fund Balluku dha dhe një mesazh urimi për pushimet: “Ju uroj një verë të qetë e pushimet mbara dhe ju sigurojmë se të gjitha institucionet janë në krye të detyrës në çdo skaj të vendit për të garantuar cilësisht shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumë të huaj që ndodhen këtë sezon në vendin tonë.”
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka dhënë sërish një mendim për aksionin e hapësirave publike. Për të po goditen kioska dhe aktivitete të vogla, kurse për të ndërtesat nga klientët e pushtetit nuk preken. Për të Shqipëria në BE kërkon institucione të barabarta për të gjithë, reforma të thella dhe jo show televiziv. ”Aksioni i qeverisë nuk është për zbatim të ligjit, por për të mbuluar gabimet dhe…
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka një mesazh publik në lidhje me aksionin për lirimin e hapësirave publike. Dje ishte afati i fundit për largimin në mënyrë vullnetare nga hapësirat publike pranë akseve kombëtare, ndaj edhe Balluku thotë se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia, do të ndërmarrin masa konkrete për respektimin e distancave nga…
Këtë të enjte 31 Korrik 2025, është afati i fundit që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i ka lënë bizneseve për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme, përgjatë akseve kombëtare.
Pas këtij afati, parashikohen ndëshkime për të gjitha subjektet të cilat kanë refuzuar zbatimin e këtij vendimi.
Një ditë më parë, zv. kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici dhe drejtori i ARRSH, Gentian Gjyli ishin në aksin rrugor Kamëz-Laç, ku inspektuan ecurinë e aksionit, duke përsëritur edhe një herë thirrjen drejtuar bizneseve që të tregohen bashkëpunues në këtë nismë.
Balluku paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerim për asnjë subjekt, duke theksuar se siguria rrugore mbetet një prioritet i vazhdueshëm.
“Kemi informuar një javë më parë, i kemi bërë thirrje të gjithë bizneseve dhe subjekteve që ndodhen në zonat e akseve kombëtare për të marrë masa dhe për të liruar hapësirat, duke qenë se janë shkelur në shumë raste, sidomos në rastin e varrezave të automjeteve, aty ku rrinë automjete të cilat tregtohen për pjesë këmbimi apo edhe për arsye të tjera që sipas një akti normativ të vitit 2011 duhet të qëndrojë 1 kilometër larg rrugës kombëtare”, tha Balluku.
Edhe kryeministri Edi Rama, ka përsëritur thirrjen për lirimin vullnetar të hapësirave, duke theksuar se pas datës 31 korrik, çdo shkelje do të pasohet me penalizime.
“31 Korriku afati i fundit për lirimin vullnetarisht të hapësira nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen”, u shpreh Rama.
TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani njoftoi se lulishtja pranë sheshit “Harry Truman”, pas Muzeut Historik Kombëtar, i është rikthyer komunitetit pas ndërhyrjes së ndërmarrë nga strukturat përgjegjëse.
Pas lirimit të hapësirës janë mbjellë pemë dhe janë vendosur stola për të pushuar.
“Një hapësirë e re për të gjithë! Kjo lulishte e vogël ndodhet tek Rruga “Ded Gjo Luli”, pranë sheshit “Harry Truman”, pas Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Mbushëm me dhe, mbollëm pemë, ullinj dhe shkurre dekorative. Mbollëm bar të ri dhe vendosëm edhe stola për të pushuar”, shkruan Ristani.
Sipas Ristanit, kjo hapësirë publike më parë ishte zaptuar nga lokalet, ndërsa tani është rikthyer për komunitetin si një vend i gjelbër, i qetë dhe i hapur për të gjithë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me lavazhet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme brenda zonave të banuara.
Ai ka paralajmëruar se nuk do të lejohet më pastrimi i automjeteve nëpër trotuare, duke e cilësuar këtë si një shkelje me pasoja mjedisore.
“Asnjë lavazh nuk do të qëndrojë mes lagjeve për të larë makinat nëpër trotuare, prandaj kush i ka t’i heqë vetë që të mos paguajë edhe gjobën e krimit mjedisor”, ka shkruar kryeministri Rama në Facebook./abcnews.al
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
Në Tiranë po vijon lirimi i hapësirave publike. Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, vijoi sot aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga pergola, pedana dhe instalacione të ndryshme. Po ashtu ftohen të gjitha subjektet të lirojnë vullnetarisht hapësirat dhe…
TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, po vazhdon në të gjithë vendin, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në bregdet. Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike është në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, foto të fenomenit të zaptimit të hapësirës së një plazhi publik te Gjiri i Lalëzit, ndërsa kreu i qeverisë ngre pyetjen: “A ia vlen të humbasësh gjithë këta shezlongë e çadra për të sfiduar shtetin?!”.
Rama tha se “në Lalëz këta e gdhinë si zaptues me qindra çadra dhe e ngrysën si të përzënë me duar në xhepa”.
Kreu i qeverisë theksoi se “kthesa e këtij viti me plazhet publike është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit, e cila është e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e disa tregtarëve”.
Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.
TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se zaptimi i hapësirave publike është një fenomen i papranueshëm që kthehet në një pamundësi për komunitetin për të pasur një jetë normale.
Në komunikimin e drejtpërdrejtë sot në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri foli sërish për aksionin e lirimit të hapësirave publike në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke adresuar edhe komentet dhe pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me kohën e zgjedhur për këtë ndërhyrje.
Një qytetar shkruan se pse nuk u prit që ky aksion të bëhet pas verës, sepse turistët mendojnë se ka rënë “bomba”.
Rama tha se teoria e turistëve është një teori që nuk ka asnjë lloj vlere.
“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë hap pas hap të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë ku 70 % parimisht se mund të jetë 65%, 75% do jetë për qytetarët dhe tjetra për bizneset. Është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë, sepse ne jemi vend mesdhetar dhe është bukur për jetën e qytetit që të ketë shërbime jashtë. Por, nga ana tjetër ajo që është e shëmtuar dhe e patolerueshme është që këto shërbime të kthehen në zaptime, në presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën normale të jetës”, tha Rama.
Kryeministri tha se nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat, por sipas Ramës, sot jemi në kushtet e një mobilizimi për t’i dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në kryeqytet dhe qytete e mëdha të vënë re gjatë gjithë fushatës për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, vazove, luleve, ngrehinave metalike, pergolatave siç i quajnë në Vlorë.
“Unë shpresoj që të jenë marrë taksat për çdo metër katror të zaptuar që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë, por nuk besoj të jenë mbledhur të gjitha për fat të keq”, vijoi ai.
Një tjetër komentues shkruan në platformat sociale se “duhet ngritur një shtet që funksionon dhe jo një ushtri socialiste.
“Nëse ka një gjë që ne e kemi bërë dhe ne jemi krenarë që kemi shmangur bërjen e një ushtrie socialiste, se po të mos e kishim bërë ndryshe me të gjitha të metat e veta, me të gjitha boshllëqet e veta nuk do ishim sot në kushtet kur negociojmë për anëtarësimin me BE-në dhe një nga pikat tona më të forta është transformimi i administratës publike”, pohoi Rama.
“Unë nuk kam asnjë arsye të mendoj që sot në vitin 2025 të ndërtohet pa leje. Nuk ngelen ata pa asnjë të ardhur, ku unë dhe ne jemi këtu të mendojmë për 99% të shqiptarëve, që nuk ndërtojnë pa leje, por kërkojnë fundin e këtij fenomeni”, u shpreh Kryeministri.
Këtë të hënë, kryeministri Edi Rama, doli në nj video live në “Facebook”, në rubrikë ‘Sy më Sy’ ku iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve, lidhur me aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Rama u pyet nga komentuesit se pse po e bën pikërisht tani në sezonin e turistëve këtë aksion, që mund të dëmtojnë sipas tyre imazhin e Shqipërisë.
Rama tha se diçka e tillë është “teori kot pa asnjë lloj vlere”.
Pyetjet: Po hiqni xhamat dhe po lini karriget, ku janë hapësirat? Pse nuk e bëtë pas verës?
Rama: Nuk do shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë hap pas hapi të krijojmë një vijë të padukshme por të pranuar nga të gjithë ku 70% parimisht e trotuarit ku njerëzit do të ecin të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% për shërbimet, bizneset, është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë. Por nga ana tjetër është e shëmtuar që këto shërbime të kthehen në zaptime në presion dhe pamundësi për komunitetin… Teoria e turistëve është teori kot që nuk ka asnjë lloj vlere. Kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim? Jemi në kushtet e një mobilizimi.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel një foto që tregon lirimin e hapësirave publike të zëna më parë nga ndërtimet pa leje, duke e cilësuar këtë si një “çlirim të madh” për komunitetin dhe për këmbësorët.
Kryeministri paralajmëron gjithashtu se të gjitha ndërtimet pa leje që zënë hapësirat publike do të largohen, pavarësisht rezistencës. Ai thekson se edhe ato objekte që ende nuk janë shembur do të prishen, ndërsa ndërtuesit që nuk bashkëpunojnë do të përballen me gjoba të kripura.
“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptua”, ka shkruar kryeministri Rama.
Kryeministri Edi Rama e quajti “rikthim te qytetarët” aksionin e nisur këtë javë për lirimin e hapësirave publike. Por në Tiranë, terreni tregon një realitet tjetër, ku kantieret e ndërtimit janë përjashtime.
Citizens verifikoi se realisht zaptimi i hapësirave publike nuk kryhet vetëm nga baret apo restorantet, por edhe nga kantieret e ndërtimit.
Aksione me shtrirje selektive
Qeveria dhe bashkitë e vendit, sikurse dhe Bashkia Tiranë, kanë ndërmarrë aksione kundër zaptimit të hapësirave publike. Përgjithësisht, synimi është pastrimi i qytetit nga strukturat informale të bizneseve të vogla.
Ndërkohë, ndërtime shumëkatëshe të shtrira në gjithë kryeqytetin kanë zgjeruar kantieret e tyre në trotuare e madje dhe në rrugë.
Shembuj konkretë të zaptimit të hapësirave publike nga kantieret e ndërtimeve janë:
Qendra e Tiranës ku dallojnë:
kulla e Hotel InterContinental: ka marrë trotuarin dhe një korsi makine.
kompleksi “Book Building” pranë Sahatit ka pushtuar segmente të rrugës “28 Nëntori” dhe “Abdi Toptani”.
Zona e ish-“Ekspozitës Shqipëria Sot” ku dallojnë:
Kulla “Green Tower” në bulevardin “Gjergj Fishta” ka zënë të gjithë trotuarin.
Te rruga “Islam Alla” ndërtimet kanë zënë një segment të rrugës.
Pazari i Ri:
Në rrugicën “Riza Jasa” ndërtimet kanë kufizuar lëvizjen e banorëve dhe turistëve.
Në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” kantieri i Bazaar Gate u ka ngushtuar rrugën e banorëve.
Rruga “Xhanfize Keko”:
Kulla “Filigree Tower” ka uzurpuar një korsi të plotë rruge, duke ndikuar ndjeshëm në trafik.
Qasja selektive ndaj zaptimeve ekspozon një standard të dyfishtë institucional. Ndërkohë që bizneset e vogla ndëshkohen dhe linçohen publikisht, ndërtimet e mëdha tolerohen në heshtje.
Kjo përzgjedhje e qëllimshme hedh dyshime për favore politike apo interesa të mëdha ekonomike. Zaptimi i trotuareve nga kullat nuk shihet si problem, ndryshe nga zaptimi nga një kioskë apo tavolinë.
Kjo politikë e njëanshme përkeqëson jetën urbane dhe rrit pasigurinë për qytetarët. Rikthimi i hapësirës publike te qytetarët duhet të jetë gjithëpërfshirës.
Nëse misioni është sinqerisht urban dhe qytetar, ai duhet të përfshijë edhe kantieret e ndërtimeve dhe jo vetëm karriget, apo çadrat e bareve dhe restoranteve.
Përndryshe, aksioni kthehet në propagandë që prek më të dobëtit dhe kursen më të fortët.