Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët
TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Për herë të parë në Shqipëri, hartës së qendrave shëndetësore verore të hapura nga veriu në jug të vendit u shtohen edhe tri qendra shëndetësore të pozicionuara në zonat turistike me interes të lartë fetar dhe kulturor, si kisha e Shna Ndout në Laç, kalaja e Gjirokastrës dhe kalaja e Beratit.
Në kalanë e Beratit, qendra shëndetësore verore është pozicionuar në zemër të trashëgimisë kulturore, duke ofruar shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë kalanë gjatë verës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “që prej nisjes së sezonit, kjo qendër ka ofruar kujdes të pandërprerë për banorët dhe vizitorët, me mbi 800 vizita mjekësore të kryera deri më sot”.
“Në çdo qendër shëndetësore verore në vend, po garantohet shërbim i shpejtë, cilësor, pranë pushuesve vendas e të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre veror”, u shpreh Koçiu.
MSHMS edhe këtë vit ka marrë masa për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për pushuesit dhe turistët e huaj të cilët kanë zgjedhur për të kaluar pushimet në vendin tonë.
Gjatë sezonit turistik veror janë në funksion të plotë 36 qendra shëndetësore në të gjithë vendin, nga veriu në jug. Ato garantojnë shërbim mjekësor 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për të gjithë pushuesit, vendas apo të huaj.
/e.i//r.e/
The post Qendra shëndetësore verore në kalanë e Beratit, Koçiu: 800 vizita mjekësore për banorët dhe vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.