Vërshimi i teksteve të gjeneruara nga IA-ja në Amazon duhet ta shqetësojë këdo që e vlerëson fjalën e shkruar.
Nga: Sean Thomas / the Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Fillimisht, një histori e vërtetë, e shkruar nga unë. Si i ri, në të njëzetat e mia, isha mjaft i krisur të botoja një roman. Mbase kam marrë njëzet refuzime. Në fillim të të tridhjetave, më në fund arrita të kisha një kontratë, por nuk shkoi gjithçka sipas planit.
Si çdo autor i ri, disi prisja që botës t’i binte të fikët nga admirimi për veprën time debutuese. Në realitet? Mora katër recensione, tri të vakëta, një të tmerrshme; përndryshe u përballa me heshtje të plotë.
Gjërat u përkeqësuan. Disa muaj më vonë, mora çekun tim të parë të honorarëve. Ky duhej të kishte qenë një çast i artë, një lloj shpengimi, por çeku ishte me zero paund e zero peni. Fjalë për fjalë: zero. Mendoj se kompjuteri i kompanisë nuk mund ta besonte se një shkrimtar mund të mos shiste asnjë kopje, prandaj më dërgoi gjithsesi një çek: për asgjë.
Ishte, për të thënë të paktën, një çast i hidhur, ndonëse i përshkuar nga tragjikomikja. Qesha me veten dhe e hodha çekun në kosh. Dhe, për fat të mirë, më vonë vazhdova të kisha bestsellerë numër një e kështu me radhë.
Por, ja ku vjen kthesa. Këto ditë nuk do të më duhej të kaloja nëpër të gjitha këto - shkrimin, refuzimet, kritikat dhe dështimet - dhe pyes veten nëse, në të ardhmen, dikush tjetër do të marrë mundimin. Pse? Sepse sot IA-ja [inteligjenca artificiale] do ta bëjë botimin për ju brenda pak orësh, pa shtruar asnjë pyetje. Për më tepër, ajo do ta bëjë gjithnjë e më shumë edhe shkrimin. Dhe, në një zhvillim aq surreal dhe aq ironik, sa do ta zbukuronte një roman shumë më mirë se romani im i parë, IA-të do ta bëjnë edhe leximin.
Tingëllon si çmenduri, por është krejtësisht e vërtetë.
Le të shqyrtojmë, së pari, botimin. Kushdo në botë që ka një llogari bankare mund të ngarkojë një dorëshkrim në Kindle Direct Publishing të Amazon-it - falas, pa bërë asnjë pyetje - dhe libri zakonisht del në shitje në mbarë botën brenda 72 orësh. Për vite me radhë kjo nxori vazhdimisht rreth 100 mijë libra të rinj elektronikë në muaj. Pastaj, në nëntor 2022, u lansua ChatGPT-ja dhe shifrat shpërthyen.
Nga fundi i vitit 2025, Amazon-i po pranonte më shumë se 300 mijë tituj të rinj në muaj dhe, në janar të këtij viti, Imke Reimers dhe Joel Waldfogel, dy ekonomistë amerikanë, përdorën një program për zbulimin e IA-së mbi një kampion jashtëzakonisht të madh prej tyre. Tani vlerësohet se tekstet e shkruara nga makina përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjithë librave të rinj që shfaqen në Amazon - në librarinë më të madhe në historinë e njerëzimit.
Shkallën e problemit mund ta kuptoni nga fakti se Amazon-i ka vendosur një rregull që ua ndalon “autorëve” të botojnë më shumë se 10 libra në javë, gjë që vërtet do të kishte prerë hovin e James Joyceit.
Pra, kush i shkruan këto tekste? Gjithnjë e më shumë - askush. Në Kejptaun, një producente romanesh romantike, e cila e quan veten Coral Hart, së fundmi “shkroi” një roman gjatë një bisede prej 45 minutash me video me një gazetare - Hart dha skicën, makina dha prozën. Ajo botoi më shumë se 200 libra të tillë gjatë vitit 2025, nën 21 pseudonime, duke shitur rreth 50 mijë kopje për një të ardhur me gjashtë shifra.
Ndërkohë në Merilend, Bill Johns, një pensionist i mërzitur 70-vjeçar, të cilin e zbuloi Kashmir Hill - gazetare e The New York Times-it - shpenzoi 20 dollarë për ChatGPT-në dhe, që atëherë, ka botuar 445 libra për hakerë, ura, pije alkoolike dhe Gjirin Çesapik, duke fituar atë që ai me hare e quan “para për të pirë në bar” (edhe pse bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme).
Metoda që ai përdor mësohet në mijëra udhëzime në TikTok: jepini njërit prej çetbotëve më të mirë - si Claude AI - skicën e kapitujve dhe përsëriteni derisa të përfundojë. Pastaj krijoni një kopertinë me një gjenerues imazhesh, si Midjourney, ngarkojeni me një klikim, caktojani çmimin 2,99 paundë dhe mblidheni honorarin tuaj prej 70 përqind. Kjo mund të bëhet mes mëngjesit dhe drekës.
Zhvillimi më i fundit fare, nga ana e shkrimit, janë botët që shkruajnë libra pothuajse pa asnjë ndërhyrje njerëzore. Një nga zhanret e tyre të parapëlqyera është “biografia e një personazhi të famshëm të dorës së dytë” - domethënë, shkrimi i historive të njerëzve me njëfarë fame, subjekte që gjenerojnë mjaftueshëm kërkime në internet sa t'ia vlejë të hulumtohen, por që nuk kanë një departament të fuqishëm ligjor për të kundërshtuar.
Shembull është Rory Cellan-Jones, ish-korrespondent i BBC-së për teknologjinë. Ai e gjeti në internet një biografi të sajuar për veten, një libër për ekzistencën e të cilit nuk kishte aspak dijeni. Pastaj, Amazon-i ia rekomandoi atij atë libër.
Dan Rather, gazetari amerikan i dalë në pension, u bekua gjithashtu me një biografi të shkruar nga një bot; i emocionuar, ai hyri në Facebook për ta promovuar. Rasti më fyes ishte kur autori dhe redaktori i The New York Times-it, Joseph Lelyveld, vdiq në vitin 2024, dhe u shfaqën insta-biografi të tij - njëra me titullin Përtej nënshkrimit: Zbërthimi i zemrës së Xhozef Leliveldit:Njeriu që e tymosi rrugën e tij nëpër histori. Lelyveldi nuk ishte një duhanpirës i njohur.
Gjërat bëhen edhe më të çmendura.
Kur Charlie Kirk u vra shtatorin e kaluar, librat për vrasjen u shfaqën brenda pak orësh; njëri premtonte hollësi për arrestimin e autorit të të shtënave - përpara se të ishte bërë ndonjë arrestim. Gjithçka ndodhi aq shpejt, saqë lexuesit dyshuan për komplot.
Këtu, në Britani, IA-ja ka prodhuar biografi të rreme e qesharake të politikanëve skocezë. Njëra u thoshte seriozisht lexuesve se John Swinney kishte lindur në Ohajo nga një nënë polake e quajtur Kazimiera; një tjetër shpjegonte se nëna e Nicola Sturgeonit kishte punuar si “rrjepëse lëkurash aty pranë” (IA-ja mund të krijojë prozë të çoroditur, në mënyrë pothuajse të këndshme).
Edhe më keq, librat e shkruar nga IA-ja mund të jenë krejtësisht të rrezikshëm. Gjatë pandemisë, mbledhja e kërpudhave u bë papritur popullore. Me kalimin e kohës, makinat e vunë re këtë dhe filluan të nxirrnin pa pushim udhëzues për mbledhjen e tyre - plot me gabime dhe lajthitje. Njëri këshillonte se një mënyrë e mirë për t'i dalluar kërpudhat e egra ishte t'i shijoje.
Dhe, këtu arrijmë te pjesa vërtet marramendëse: këta libra të rremë, gjithnjë e më shumë nuk kanë nevojë për lexues, sepse makinat i sigurojnë edhe ata. Pse? Dhe, si? Sepse Kindle Unlimited (shërbimi i abonimit të Amazon-it për libra elektronikë, që ju lejon të “huazoni” një numër të caktuar titujsh të përzgjedhur) i paguan autorët e tij gjoja njerëzorë nga një fond fiks mujor, sipas “faqeve të lexuara” - aktualisht pak më pak se gjysmë centi për faqe.
Kjo ka sjellë krijimin e “fermave të klikimeve” me lexues artificialë: sasi pajisjesh me llogari fantazmë të Amazon-it që “lexojnë” duke kthyer faqet me një shpejtësi çnjerëzore, duke zbrazur fondin e parave të destinuar për autorët prej mishi e gjaku.
Karakteri joreal i gjithë kësaj ia vlen të përsëritet. Askush nuk i shkruan këta libra. Askush nuk i lexon. Në asnjë çast teksti nuk kalon para syve të gjallë dhe, edhe nëse arrin ndonjëherë te mendja e një njeriu, ai njeri nuk do ta dijë nëse ndonjë njeri është ulur ndonjëherë për t'i shtypur fjalët që ai po lexon.
Mund ta shihni se ku po shkon kjo, dhe nuk është pamje e bukur. Një ditë më parë provova t'i kërkoja IA-së të shkruante një libër brenda një dite. Dhe, po, e bëri këtë pa asnjë vështirësi. Ashtu siç e prisja. Por, ajo që më shqetësoi ishte kjo: libri ishte, në fakt, goxha i mirë. Jo Doreza-22, jo Mjellmat e egre, jo Binjakët e akullit nga S. K. Tremayne, por ndoshta më i mirë se romani im i parë.
Me fjalë të tjera, autorët robotë po përmirësohen çdo ditë, dhe po vijnë për shkrimtarët e për lexuesit, dhe unë parashikoj se, në fund, ata do ta dominojnë pothuajse plotësisht letërsinë. Ata do të shkruajnë romane po aq të mira sa Uliksi; pastaj do të shkruajnë romane aq të mira saqë shumica e njerëzve nuk do ta kuptojnë se sa të mira janë (si Uliksin).
Ata do të bëjnë gjithashtu pjesën më të madhe të gazetarisë, biografisë, historisë, kërkimit shkencor - çfarëdo - sepse, do të jenë më të shpejtë, më të lirë, më zbavitës, më të zgjuar. Ajo që ndoshta do të mbijetojë është proza të cilën asnjë robot nuk mund ta shkruajë. Kujtime të vërteta, reportazhe nga zonat e luftës, gazetaria e udhëtimit. Gjëra të veçanta.
Ndoshta do të ketë një treg të vogël e të shtrenjtë për letërsi artistike me garancinë se është shkruar prej njerëzve - njësoj siç blejmë ndonjëherë qeramikë artizanale të punuar me dorë, por pjesën më të madhe të enëve tona e blejmë në Ikea. Të prodhuara nga makinat.
E gjithë kjo është disi melankolike - nëse i doni librat, shkrimin dhe gjithë këto. Nga ana tjetër, të rinjtë disi të vetëkënaqur, të cilët e marrin veten shumë seriozisht, në të ardhmen do t'i shpëtojnë poshtërimit të plotë të marrjes së çeqeve të honorarëve me zero paundë e zero peni. /Telegrafi/
Kafka thotë: gjithçka është e zezë. Joyce thotë: gjithçka është ngjyrë hiri. Modigliani thotë: gjithçka është qafë e gjatë dhe e hollë. Strindbergu thotë: gjithçka është një konflikt i përjetshëm midis burrit e gruas. Darwini thotë: gjithçka është lavdi fitimtarëve. Lawrence thotë: gjithçka është seks. Einsteini thotë: gjithçka është relative. Marxi thotë: gjithçka është para. Gorky thotë: gjithçka është luftë e klasës punëtore. Bretoni thotë: gjithçka është ëndërr. Aragoni thotë: gjithçka është Elsa. Hedayati thotë: gjithçka është fantazi. Moneti thotë: gjithçka është pambuk. Unë them: gjithçka është pengesë për të arritur te bukuria.
Udhëzimet ushqimore që ndryshojnë vazhdimisht nënkuptojnë se brezi Z ndjek përgjithmonë një objektiv që lëviz.
Nga: Lara Brown / The Telegraph Përkthimi: Telegraif.com
Shkenca e ka dhënë verdiktin. Kafeja është e mirë për ju. Të paktën kështu shprehet Shoqata Amerikane e Zemrës, e cila thotë se pirja e dy deri në katër filxhanëve kafe në ditë mund ta ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit, dështimit të zemrës dhe goditjes në tru.
Sa lajm i mirë. Për sa kohë që nuk u besoni studimeve që thonë se kafeina rrit tensionin e gjakut.
Dhe, sigurohuni ta pini vetëm në mëngjes - dhe, nëse vërtet doni ta optimizoni jetën tuaj, ekziston një studim i rastësishëm, një test i dyfishtë që zgjat 21 ditë dhe të cilin mund ta lexoni. Ai arrin në përfundimin se, ndonëse kafeja mund të jetë inflamatore, ajo është gjithashtu e mirë për mikrobiomën e zorrëve. Por, mbajeni mend: një filxhan kafe gjashtë orë para gjumit është po aq i keq sa gjysmë filxhani në kohën e gjumit. Mos e teproni.
Ose, mund të ndaleni dhe të pyesni veten nëse doni ta çoni jetën kështu. Sipërmarrësi i teknologjisë, Bryan Johnson, e bën këtë. Ai ka hartuar një plan si pjesë e misionit të tij “Mos vdis”. Ky regjim kërkon zgjimin në orën pesë të mëngjesit, pluhur proteinik, kreatinë, suplemente dhe terapi me valë goditëse, të gjitha para mëngjesit. Për të gjetur kohë për të gjitha këto, ai është në shtrat - i vetëm - që në orën 20:30.
Johnsoni mund të dëshmojë një ditë se është një mrekulli e shkencës moderne. Sigurisht që është tërheqëse të lexosh për të. Ose, atë mund ta godasë një autobus nesër. Dhe, atëherë ndoshta do t'i vinte keq që çdo ditë hante të njëjtat vakte nga enët e kompanisë Tupperware, që shmangte pushimet me diell dhe sheqerin e shtuar.
Dhe, kush mund të thotë se regjimi i tij është i duhuri? Nutricionistët na thanë për vite me radhë t'i shmangnim vezët nga frika e kolesterolit, derisa vendosën se ato ishin një dhuratë ushqimore.
Vera është e keqe për ju, përveçse mund të parandalojë kancerin. Çokollata është një superushqim, me kusht që të jetë organike - me 85 për qind kakao dhe të hani vetëm një copëz. Proteina është e mirë, por pluhuri proteinik është i përpunuar dhe duhet shmangur me çdo kusht.
Nutricionistët nuk bien dakord se çfarë është dhe çfarë nuk është e mirë për ju. Përfundimet e tyre duket se ndryshojnë çdo pesë vjet. Dhe, edhe nëse disi do ta ndiqnit “regjimin” e duhur, është pothuajse e pamundur t'u shmangeni rreziqeve për shëndetin e jetës moderne.
Mikroplastikat gjenden në ujin që pimë dhe në ambalazhet e ushqimeve. Ato mund të shkaktojnë probleme të fertilitetit dhe çrregullime neurologjike. Substancat perfluoroalkile dhe polifluoroalkile (kimikatet e përhershme) gjenden në enët tona të gatimit, në rrobat tona dhe në gjakun tonë. Kimikatet që çrregullojnë sistemin endokrin ndodhen në çdo faturë që prekni.
Vij nga brezi më i optimizuar për shëndetin. Pimë më pak se prindërit tanë. Mbajmë ora inteligjente, shkojmë në joga dhe e zëvendësojmë akulloren me kos të ngrirë. Tani ekziston një version me përmbajtje të lartë proteinash i Babybel-it, i çokollatës Mars dhe një lager artizanal me zero përqind alkool për ata që përpiqen të arrijnë objektivat e tyre të mirëqenies.
Por, asgjë nga këto nuk duket se po funksionon. Revista The Lancet Public Health ka zbuluar se normat e rasteve të 17 llojeve të kancerit po rriten me çdo brez. Sa më shumë ta “optimizojmë” veten, aq më pak të shëndetshëm duket se bëhemi.
Në vitin 2014, studiues nga Kolegji i Kolorados lidhën 164 njerëz me një aparat të rremë EEG dhe u dhanë një rezultat fiktiv të gjumit. Grupi të cilit i thanë se kishte fjetur mirë, shkëlqeu në testet njohëse, ndërsa grupi që mori një rezultat të dobët të gjumit hasi në vështirësi.
Por, performanca e tyre nuk kishte asnjë lidhje me sa të çlodhur ishin. Gjithçka ishte një efekt placebo. Tani mund të blini një unazë që monitoron gjumin tuaj REM ose, për disa mijëra paundë, një shtrat “inteligjent” që ofron ftohje dhe ngritje të personalizuara për të përmirësuar “gjendjen fizike të gjumit” tuaj. Por, a po ju bën e gjithë kjo më të mjerë, apo madje të sëmurë?
Më gëzon shumë kur dëgjoj se kafeja ka përfitime shëndetësore. Por, nuk do të pres leje nga shkencëtarët që ta shijoj. Dhe, nuk do të ndalem së piri atë kur të dalë studimi i radhës që pretendon se është e tmerrshme për ne. Jeta është më shumë sesa maksimizimi i shëndetit.
Siç na kujton Oscar Wilde - i cili kishte fare pak durim me viktorianët e zellshëm dhe, e imagjinoj, do të kishte edhe më pak durim me ithtarët e sotëm të mirëqenies: “Kënaqësia është e vetmja gjë për të cilën duhet jetuar; asgjë nuk plaket si lumturia”. /Telegrafi/
Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Richard Dadd ishte i mbyllur në spitale psikiatrike. Por, Akademia Mbretërore na fton ta shohim atë si diçka më shumë sesa thjesht një kureshtje.
Nga: Alastair Sooke / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Kanë kaluar më shumë se pesëdhjetë vjet që nga ekspozita e fundit e madhe kushtuar veprës së Richard Daddit, artistit të pazakontë viktorian që vrau babanë e vet kur ishte në të njëzetat dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës duke pikturuar në institucione psikiatrike. Ndër kompozicionet më të njohura të tij, që të japin përshtypjen e një gjëje psikodelike, është Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave (1855-1864), një tablo e ndërlikuar dhe thellësisht e çuditshme, e mbushur me krijesa mbinatyrore - secila me sa duket jo më e madhe se një fije bari. Me siguri është fryt i një mendjeje të trazuar nga ethet e trurit?
“Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave”Akademia Mbretërore e Arteve
Ekspozita Richard Dadd: Përtej çmendurisë, në Akademinë Mbretërore të Arteve, na fton ta rishohim figurën e tij - jo si një i çmendur që rastësisht pikturonte, por si një artist të dorës së parë që jetonte me një sëmundje mendore (ndoshta skizofreni) - disi si Vincent van Goghu. Edhe pse, bazuar në këtë ekspozitë, pikturat e tij të frymëzuara nga folklori mund të duken të errëta, si dhe të mbushura me figura e halucinacione, origjinaliteti i vizionit të tij e përforcon premisën e ekspozitës. Kjo ekspozitë mund të jetë e çuditshme, por është pa dyshim mbresëlënëse.
Pavarësisht historisë së tij mjekësore, do të ishte gabim të kategorizohej Daddi si një artist “autsajder”. Ai lindi në Kent më 1817, nëna i vdiq kur ishte fëmijë dhe, në moshën 19-vjeçare, hyri në Shkollën e Akademisë Mbretërore - një lëvizje që theksohet (jo çuditërisht, duke pasur parasysh vendin ku zhvillohet ekspozita) nga salla e parë disi e zbehtë e saj. Nëse arti i pjekur i Daddit duket teknikisht i përkryer dhe i mbështetur fort në historinë e artit - kam përshtypjen se një akuarel i çuditshëm i vitit 1852, që paraqet Robin Hudin, aludon te Harkëtarët (1769-70) e Sir Joshua Reynoldsit, që sot ndodhet në galerinë “Tate” - kjo ndodh sepse ai ishte jo vetëm i talentuar, por edhe i formuar profesionalisht.
“Robin Hudi” (1852)Akademia Mbretërore e Arteve
Pasi fitoi vlerësime për disa piktura të hershme me zanat, me tema nga Shekspiri - ndër to një që paraqet një Pak të shëndoshë, me pamje dashakeqe, ulur këmbëkryq mbi një kërpudhë poshtë një lulegishti që varet si një dush që pikon - Daddi u ftua, më 1842, të shoqëronte Thomas Phillipsin, një jurist dhe politikan uelsian, në një udhëtim rreth Mesdheut lindor. I mbingarkuar nga përshtypjet e këtij udhëtimi të madh, Daddi filloi të vuante prej iluzioneve. Pas kthimit në Londër, u bind se babai i tij ishte djalli dhe e vrau me thikë. Një vit më vonë u shtrua në Bethlem, ku qëndroi për dy dekada, përpara se të transferohej në spitalin Broadmour - ku më vonë do të vdiste nga tuberkulozi, në vitin 1886.
“Paki”Akademia Mbretërore e Arteve
Gjatë kohës që ishte pacient, qëndrimet mjekësore ndaj sëmundjeve mendore filluan të ndryshonin. Në vitin 1854, Daddi krijoi Agoninë - çmenduria e tërbuar, një akuarel që paraqet një pacient të prangosur, gjysmë të zhveshur dhe dukshëm të torturuar, i cili mban kokën me duar. Megjithatë, mjekët e Daddit dëshironin që shtrëngimi fizik të bëhej pjesë e së kaluarës. Ata e lejuan të vizatonte dhe të pikturonte sipas dëshirës, madje edhe e porositën të krijonte vepra; në Broadmour i siguruan edhe vegla zdrukthëtarie, që të ndërtonte vetë kornizat e tij karakteristike prej druri për pikturat (dy prej të cilave ekspozohen në Akademinë Mbretërore).
Pavarësisht izolimit të tij, Daddi ishte qartazi në një linjë me artin viktorian të kohës. Ashtu si artistët e tjerë të asaj periudhe, ai ishte i magjepsur nga kostumet, temat orientaliste dhe zanat. Në disa raste, stili i tij madje të lë të kuptosh se njihte pararafaelitët. Ashtu si ata, edhe vepra e Daddit u bë sërish e pëlqyer gjatë viteve ’60 të shekullit të kaluar, pasi në vitin 1963 Siegfried Sassoon ia dhuroi “Tate”-it pikturën Goditja mjeshtërore e druvarit të zanave.
Daddi duke pikturuar “Kontradiktën: Oberoni dhe Titania” (më poshtë), fotografuar nga Henry Hering, i cili dokumentoi pacientët në Spitalin Mbretëror të BethlemitAkademia Mbretërore e Arteve
“Kotradikta: Oberoni dhe Titania” (1854-1958)Akademia Mbretërore e Arteve
Megjithatë, qasja e Daddit ishte gjithashtu e veçantë - bie në sy fakti se personazhet në pikturat e tij rrallë ndërveprojnë me njëri-tjetrin - dhe gjallërohej nga një humor ironik. E përshkuar nga e kaltra e errët e plot ndjeshmëri, e kundërvënë me disa burime ndriçimi vezullues, mes tyre drita e yjeve dhe e hënës, Ndalesa e artistit në shkretëtirë (rreth vitit 1845) është një skenë e mrekullueshme nate, e realizuar me akuarel dhe guash, që paraqet një grup udhëtarësh, shumica të ulur pranë një zjarri kampi; ajo u rizbulua në emisionin e BBC-së, “Antiques Roadshow”, në vitin 1985.
“Ndalesa e artistit në shkretëtirë” (rreth vitit 1845)Akademia Mbretërore e Arteve
Në këtë pikturë, Daddi me sa duket tallet me mënyrën e tij natyraliste të pikturimit, duke bërë të duket - në mënyrë qesharake - sikur Hëna e plotë është gdhendur në një heshtë në plan të parë, si një marshmellou në një shkop. Është një lloj marifeti i piktorit që do t'i kishte pëlqyer René Magritteit: në fund të kësaj ekspozite, u tundova ta klasifikoja Daddin si një pararendës të surrealizmit. Kjo është gjithashtu karakteristike e frymës së mprehtë dhe ironike të veprës së tij, e cila përfshin një seri akuarelesh satirike të njohura si Pasione, që mund të vënë në lojë klasifikimin e sëmundjeve mendore të shekullit XIX. Sipas kuratorit të ekspozitës, Nicholas Tromans: “Richard Dadd është artisti i madh komik i shekullit XIX”.
Por, a është ai më shumë sesa një kuriozitet? Unë besoj se po. Arti ëndërrimtar i Daddit, që më vonë tërhoqi, ndër shumë të tjerë, Angela Carterin dhe Freddie Mercuryn, u jep formë atyre mendimeve të mjegullta, nganjëherë torturuese që banojnë në skajet e vetëdijes. Si rrjedhojë, ai mund të jetë i fuqishëm. Veprat e tij të vona, të krijuara nga viti 1864 në Broadmour - që paraqesin, për shembull, një çift vilash portokalli që duket sikur lëshojnë një ndriçim të çuditshëm në një peizazh të hapur - janë më pak të mbushura me elemente, më baritore dhe sjellin një ndjenjë lehtësimi. /Telegrafi/
Kur bie nata Sinjalet përforcohen në radio Të gjitha gjërat e çuditshme Vijnë e ikin si paralajmërime të hershme Ylli i detit i ngecur në breg s'ka ku të fshihet Ende pret baticën e madhe të Pashkëve Drejtimi nuk ka kuptim Madje nuk mund të zgjedhim një anë
Mora shtegun e vjetër Shpatin e zbrazët përtej ujërave Mbi shkëmbinjtë e lartë Bijtë dhe bijat po plakeshin Bota e molisur e nëntokës po triumfonte Valët e çelikut hidhnin metal drejt qiellit Dhe ndërsa gozhda u ngul në re Shiu ishte i ngrohtë dhe turmën e bëri qull
Zot po vjen përmbytja Do t'i themi lamtumirë mishit dhe gjakut Nëse detet heshtin sërish në mbettë kush i gjallë Do të jenë ata që për mbijetesë hoqën dorë nga ishulli i tyre Pini ëndërrimtarë - po shteroni
Kur përmbytja thërret Nuk ke shtëpi nuk ke mure Në përplasjen e bubullimës Je një mijë mendje brenda një vetëtime Mos ki frikë të qash për atë që sheh Aktorët janë larguar jemi vetëm ti dhe unë Dhe nëse thyhemi para agimit Ata do ta shfrytëzojnë atë që ishim dikur
Zot po vjen përmbytja Do t'i themi lamtumirë mishit dhe gjakut Nëse detet heshtin sërish në mbettë kush i gjallë Do të jenë ata që për mbijetesë hoqën dorë nga ishulli i tyre Pini ëndërrimtarë - po shteroni
Stresi dhe rraskapitja mendore nuk janë dukuri të reja - në Mesjetë ato ishin të përhapura. Dhe, urtësia e Mesjetës mbi mënyrën se si duhet përballuar rraskapitja vazhdon të tingëllojë çuditërisht e vërtetë edhe sot.
Simptomat, vërente Gjon Kasiani, ishin gjithmonë të njëjtat. Lodhje dhe mungesë shprese, dëshirë për të qenë kudo tjetër përveçse në punë dhe mjegullim i mendjes - “një lloj hutimi i paarsyeshëm i mendjes” që i linte bashkëpunëtorët e tij të ndiheshin dembelë e të padobishëm dhe të dëshironin “ngushëllimin e gjumit”.
Nëse ke vuajtur ndonjëherë nga rraskapitja, lodhja e skajshme ose depresioni, ndoshta të paktën disa prej këtyre ndjenjave të duken të njohura dhe mund të mendosh se këto vuajtje janë të veçanta për trysnitë e shekullit XXI. Por, Kasiani ka shkruar në shekullin V pas Krishtit dhe lexuesit të cilëve u drejtohej nuk ishin drejtorët e sotëm, por të krishterët e hershëm që ishin rraskapitur nga përpjekjet e tyre shpirtërore.
A mund të hedhin dritë rrëfimet e tilla mbi sëmundjen tonë bashkëkohore, madje edhe të sugjerojnë një kurë? Ky është argumenti i librit të ri të historianit Peter Jones, Ndihmë për vetveten nga Mesjeta: Një udhëtim në mendjen mesjetare [Self-Help from the Middle Ages: A Journey into the Medieval Mind], i cili ofron një vështrim tërheqës mbi mënyrat se si “priftërinjtë terapeutë” - termi i përdorur nga Jonesi - i udhëhiqnin besimtarët e tyre për t'i nxjerrë nga ankthi shpirtëror.
Në shekullin V, Gjon Kasiani ishte ndër mendimtarët e hershëm të krishterë që ishin “priftërinj terapeutë”(Alamy)
Hulumtimi i tij tregon se sa të zakonshme kanë qenë ndjenjat e rraskapitjes gjatë gjithë historisë - një pranim që vetë mund të sjellë ngushëllim për këdo që po përballet me një natë të errët të shpirtit. “Ka aq shumë urtësi në Mesjetë”, thotë Jonesi. Në fund të fundit, tashmë kemi parë një shumim librash të “filozofisë së stilit të jetës” që nxjerrin mësime nga veprat e stoikëve të lashtë - ndoshta ka ardhur koha të marrim një faqe edhe nga disa dorëshkrime mesjetare.
I humbur në Siberi
Jonesi u frymëzua ta shkruante librin pas krizës së tij personale - “dimrit më të ftohtë të jetës sime”. Për arsye që ende e ka të vështirë t'i shpjegojë, ai kishte pranuar detyrën e drejtuesit të Departamentit të Historisë në Universitetin e Tjumenit në Siberi. Temperaturat ishin aq të ulëta saqë humbiste çdo ndjesi në këmbë pasi kalonte vetëm 20 minuta jashtë. Ai përpiqej të mësonte gjuhën dhe i mungonte shumë familja e tij në Dublin. “Duhej të bëja kërkime dhe të planifikoja mësimet, të vazhdoja jetën time”, shkruan ai. “Por, nuk arrija ta bindja veten të bëja asgjë”.
Megjithatë, ndërsa nisi të hartonte një kurs të ri mbi Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse, ai filloi të gjente jehonën e pakënaqësisë së vet në rrëfimet mesjetare që po studionte. “E kupton se ata kalonin pikërisht të njëjtat gjëra që kalojmë edhe ne”, thotë ai. “Ndjenjat kanë qenë gjithmonë të njëjta dhe njerëzit kanë kaluar të njëjtat kriza”.
"Akedia" ose plogështia ishte një nga Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse - korniza mesjetare për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh njeri(Alamy)
Shtatë Mëkatet Vdekjeprurëse, shpjegon Jonesi, nuk përmenden në Bibël, por u formuluan prej mendimtarëve të hershëm të krishterë si Kasiani. Më pas ato u përpunuan nga Papa Gregori i Madh i cili - siç shkruan Jonesi në librin e tij - “mendonte se do të ishin mjeti i përsosur për të hartuar shqetësimet e mendjes”. Kjo kornizë për “renditjen dhe përpunimin e të gjitha mendimeve” përbëhej nga: krenaria, smira, zemërimi, plogështia, lakmia, grykësia dhe epshi.
Deri në shekullin XIII, ishin shfaqur një sërë doracakësh të njohur për t'i udhëzuar priftërinjtë terapeutë mbi mënyrat më të mira për të ndihmuar besimtarët e tyre që t'i kapërcenin këto probleme gjatë rrëfimit. “Kur i shqyrton këto materiale, pamja goxha i ngjan terapisë”, thotë Jonesi. Në vend që ta qortonin bashkësinë e besimtarëve, “ata nxisnin një bisedë mjaft depërtuese dhe me nuanca - që depërtonte nën sipërfaqe”.
Acedia - mungesë dashurie, një zbrazëti e shpirtit
Plogështia ishte ajo që përputhej më së miri me ndjenjat që Jonesi kishte përjetuar në Siberi. Sot këtë fjalë mund ta lidhim me dembelizmin ose përtacinë e qëllimshme, por autorët mesjetarë e pranonin zbrazëtinë emocionale që qëndronte në zemër të kësaj vuajtjeje. E njohur në atë kohë si akedia, ajo përfshinte “mungesën e dashurisë, paralizën e përkujdesjes, zbrazëtinë e shpirtit”, shkruan Jonesi. “Është gjendja kur të gjitha ato gjëra që dikur ta ndriçonin ditën tani të lënë të ftohtë dhe indiferent”.
Një gravurë e vitit 1612 që paraqet vesin e akedisë - sipas mendimtarëve mesjetarë ishte një vuajtje e shërueshme(Alamy)
Jonesi tregon se gjeti jehonë të madhe te një tekst i shekullit XIII, i njohur si MS 306 në Kolegjin e Trinisë në Dublin. Autori e përshkruan akedinë si “qëndrimi në mes të një lumi të rrëmbyeshëm, përballë një rryme që shkumëzon dhe më godet këmbët, por pa energji për të ecur përpara” - ndjenja mpirjeje të cilat Jonesi i njihte shumë mirë nga dimri i tij në Siberi.
Ndërkohë, shkrimet e “Arkipoetit” - një autori anonim nga Gjermania e shekullit XII - përshkruajnë zhgënjimet e mëdha që i sillte puna e tij si burokrat, me ankesa që mund t'i duken të njohura çdo drejtori të sotëm. “Poezitë e tij flisnin për punën e pandërprerë në një vend pune të kotë që atij i dukej i vogël dhe pa kuptim - duke dhënë gjithçka, ndërsa e konsumonte veten deri në fund”.
Jonesi nuk është aspak i vetmi historian që ka gjetur këto ngjashmëri midis vuajtjeve mesjetare dhe atyre moderne. Në librin e saj Rraskapitur [Exhausted], historiania e kulturës (dhe trajnuesja e drejtorëve), Anna Katharina Schaffner, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë midis akedisë së përshkruar nga të krishterët mesjetarë dhe rraskapitjes së ditëve tona, simptomat e së cilës përfshijnë prirjen për të ngrënë për ngushëllim dhe për t'u marrë me shpërqendrime të pakuptimta në vend të punës me kuptim.
“Është një rreth vicioz klasik: ata që vuajnë nga akedia bëhen gjithnjë e më pak të aftë për meditim dhe për të soditur gjëra të natyrës shpirtërore, ndërsa strategjitë e tyre të zgjedhura keq për të rifituar energjinë vetëm sa e përkeqësojnë gjendjen e tyre”, shkruan ajo. “Në këtë kuptim, ata janë njësoj si ne - njerëzit e rraskapitur të shekullit XXI, që merren me një mori veprimtarish zëvendësuese po aq joproduktive”.
Fusha me gjemba dhe male të forta
Po cilat ishin zgjidhjet? Autori i MS 306-it jep një aludim të tërthortë biblik. “Do apo nuk do, jebusejtë jetojnë brenda kufijve të tu”, shkroi ai. “Mund t'i nënshtroni, por nuk mund t'i shfarosni”. Jebusejtë, shpjegon Jonesi, ishin një fis i lashtë që dikur kishte pushtuar Jerusalemin dhe ishte e pamundur të dëboheshin. Në këtë mënyrë, autori po e këshillon dikë që vuan nga akedia të mësojë të jetojë me ndjenjat e veta, pa luftuar kundër tyre.
“Traktati mbi virtytet dhe veset” i William Peraldusit këshillon ata që vuajnë nga rraskapitja mendore që të gjejnë një qëllim më të lartë(British Library)
Traktati mbi virtytet dhe veset [Summa de Virtutibus et Vitiis] i William Peraldusit ka qasje të ngjashme. “Ai na thotë të kujtojmë se fusha që mbulohet me gjemba një ditë do të japë fryte”. Për ta riorientuar mënyrën tonë të të menduarit, Peraldusi sugjeronte të gjejmë një “mal të fortë” - një lloj qëllimi më të lartë që do të na ndihmojë t'i përballojmë kohët e vështira. “Ke nevojë për mbështetjen dhe forcën e dikujt që e do ose të diçkaje që do për t'ia dalë mbanë”, shpjegon Jonesi. “Nëse ke besim te gjërat që do, ato me kalimin e kohës do të kthehen përsëri te ti”.
Jonesi shqetësohet se në biseda, pa peshën e burimeve origjinale, “ato mund të tingëllojnë si klishe”, por përmbledhjet e tij të kujtojnë në mënyrë të habitshme trajtimet e sotme për rraskapitjen dhe problemet e tjera emocionale. Për shembull, Terapia e Pranimit dhe Përkushtimit na nxit t'i pranojmë emocionet tona pa u përpjekur t'i ndryshojmë ato. Krahas të mësuarit për të jetuar me këto emocione, këshillohemi të përcaktojmë vlerat tona personale dhe të ndërmarrim hapa me kuptim për të jetuar në përputhje me to. Shtoji kësaj disa metafora mesjetare për fushat me gjemba dhe malet e forta dhe përfundon me diçka shumë të afërt me këshillën që Peraldusi jepte 800 vjet më parë.
Ndoshta, më e rëndësishmja, këta mendimtarë mesjetarë na kujtojnë fuqinë e faljes së vetes - një tjetër temë që përsëritet vazhdimisht në psikoterapinë moderne.
Kasiani trajtoi në dorëshkrimet e tij simptomat e lodhjes, mungesës së shpresës, mjegullimit të mendjes dhe dëshirës për “ngushëllimin e gjumit”(Alamy)
Jonesi përmend shkrimet e Bernardit të Kiarevales nga shekulli XII - njërit prej bashkëthemeluesve të Kalorësve Templarë. “Ai e krahason jetën e mirë me vrapimin në një terren të ashpër dhe thotë se kushdo që vrapon mjaftueshëm gjatë do të rrëzohet ose do të pengohet”, shpjegon Jonesi. “Të gjithë do të kemi çastet tona të humbjes së plotë të drejtimit”.
Sipas tij, ngushëllim i madh është vetë pranimi se nuk je i vetëm në vuajtjen tënde; cilado qoftë vuajtja jote, njerëzit janë ndier kështu prej mijëra vjetësh. “Është ngushëlluese të ndiesh shoqërinë e njerëzve të historisë”, thotë ai. /Telegrafi/
Kur mbetesh vetëm, s’je tjetër veçse pasqyra e asaj çka ishe: një mëngjes i soditur nga ballkoni gjysmë i hapur, disa hapa harmonikë, por që nuk i ndjek kush, për të mos humbur aq gëzim sa ke; disa fjalë të rralla që të kanë rënduar më fort se koha; një shikim që si drita u mbyt ndër rrëmbat e tua; një udhëtim që s’do ta kishe përfunduar kurrë; shpirt i munguar i asaj çka të përkiste duke mbetur kaq i vetmuar.
Opinion nga: Don Feder / The Washington Times Përkthimi: Telegrafi.com
Si student konservator në vitet ’60 të shekullit XX, mendoja se lufta kundër komunizmit ishte mijëra milje larg në Azinë Juglindore, dhe 90 milje larg brigjeve [144.84 kilometra], në Kubë.
Kam gabuar.
Lufta e vërtetë ishte gjithmonë këtu, në bazat e së Majtës së Re, veçanërisht në universitete.
Tani ajo ka infektuar çdo aspekt të jetës amerikane dhe është në prag të marrjes nën kontroll të asaj që dikur ishte partia e presidentëve Truman dhe Kennedy.
Saktësia e gjuhës është thelbësore. Ne nuk po e luftojmë socializmin. Kjo është një luftë kundër komunizmit. Duhet të zgjohemi sa më shpejt përballë këtij realiteti, përpara se të bëhemi rusë, kinezë ose kubanë të shekullit XXI.
Mënyra për ta luftuar komunizmin amerikan është duke e ekspozuar dhe duke e shpjeguar atë.
Flisni për platformën e Socialistëve Demokratë të Amerikës [DSA], e cila sapo fitoi një numër të madh zgjedhjesh paraprake për Kongres në qarqe zgjedhore në Nju-Jork dhe Kolorado, ku fitimi i një zgjedhjeje paraprake demokrate është praktikisht i barabartë me zgjedhjen. Komunistët e DSA-së gjithashtu janë ose së shpejti do të jenë kryetarë bashkie në Nju-Jork, në Distriktin e Kolumbisë, Siatëll dhe Los Anxhelos.
Në janar, një kontingjent komunist do të shkojë drejt Kongresit, përfshirë Darializa Avila Chevalierin, një studente specializuese 32-vjeçare e cila fitoi nominimin demokrat në një qark zgjedhor të Nju-Jorkut me mbështetje të fortë për demokratët.
Znj. Chevalier dëshiron të shfuqizojë policinë dhe burgjet, “fjalë për fjalë të shembë kufirin”, të konfiskojë pronat me qira dhe të shtetëzojë korporatat. Në postime të mëparshme në rrjetet sociale, znj. Chevalier i quajti veprat e Vladimir Leninit dhe Josif Stalinit “diçka që patjetër duhen lexuar”.
Platforma e DSA-së kërkon zëvendësimin e Senatit, presidentit dhe Gjykatës së Lartë me “një ekzekutiv dhe një gjyqësor të zgjedhur nga Kongresi dhe të varur prej tij”.
Emigrantët e paligjshëm do të votojnë duke e forcuar më tej kontrollin komunist.
Në vend të ndarjes së pushteteve, pushteti do të përqendrohet në një organ të vetëm.
Ky është një recetë për sundimin e një partie të vetme. Kishte zgjedhje në Bashkimin Sovjetik dhe pikërisht atë lloj farse votimi do ta kishim edhe ne.
Duhet të zbulojmë se çfarë kanë bërë shokët e DSA-së në Kubë, Rusi, Korenë e Veriut dhe Kinën e Kuqe.
Në kohën e revolucionit të Castros në vitin 1959, Kuba ishte vendi më i zhvilluar në Amerikën Latine. Sot ka pak karburant dhe përjeton ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike. Plehrat grumbullohen në rrugë. Punëtorët kubanë marrin gjysmë libre mish pule dhe 10 deri në 12 vezë çdo dy javë. Punëtorë të botës, hani me zemër.
Havana thotë se, ndonëse do ta mirëpriste ndihmën, nuk do të bëjë kurrë kompromis me komunizmin.
Komunizmi, për vetë natyrën e tij, është ekspansionist. Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar pesë luftëra, përfshirë ato në Gjeorgji, Çeçeni dhe Ukrainë. Në luftën Rusi-Ukrainë, të dyja palët kanë pësuar më shumë se dy milionë viktima gjatë katër vjetëve e gjysmë. Ja çfarë janë luftërat pa fund.
Përveç përpjekjeve të z. Putin për ta rikrijuar perandorinë sovjetike, Kina po planifikon të pushtojë Tajvanin. Koreja e Veriut pret rastin për ta nisur ushtrinë e saj - të katërtën më të madhe në botë - drejt Jugut.
Duhet gjithashtu të shpjegojmë marrëdhënien simbiotike midis komunizmit dhe islamizmit - aleancën kuq-e-gjelbër. Këto ideologji bashkohen nga një urrejtje fanatike ndaj qytetërimit perëndimor. Znj. Chevalier është njëkohësisht marksiste dhe e konvertuar në Islam.
Nuk ka asnjë shtet apo parti komuniste që të mos i mbështesë të ashtuquajturit palestinezë. Reaktorët bërthamorë të Iranit u ndërtuan me ndihmën e Rusisë dhe Kinës.
Dija mund ta ndalë një revolucion. Të paktën amerikanët nuk mund të thonë se nuk u paralajmëruan.
Kur isha në Kubë në vitin 1998, u takova me Gustavo Arcos Bergnesin, i cili kishte luftuar në ushtrinë guerile të Fidel Castros. Kur Castro erdhi në pushtet, ai u shpërblye me postin e ambasadorit në Belgjikë. Kur pa tradhtinë ndaj atdheut të tij, Arcosi u zhgënjye, u thirr mbrapsht nga posti dhe përfundimisht u burgos për kundërshtimin e tij.
"A nuk e dije se Castro ishte komunist përpara se të vinte në pushtet"? - e pyeta. "Sigurisht që jo" - u përgjigj Arcosi. "Kur ishim me të në Sierra Maestra, ai mbante një kryq".
Udhëheqësit e DSA-së nuk shtiren si fetarë. Ata janë shumë më të hapur për qëllimet e tyre sesa ishte Castro përpara se të vinte në pushtet.
Kur e intervistova Arcosin, ai jetonte në një apartament me një dhomë, bashkë me papagallin e tij, Michael Jackson. "Zogu është më i lirë se unë", u ankua ai. Kjo është ajo që komisarët e ardhshëm të DSA-së kanë në mendje për ne pas revolucionit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Amerika e ndali përhapjen e komunizmit në Evropë dhe Azi. Nëse Amerika dështon, askush nuk do të mbetet për të na shpëtuar.
Luftojeni komunizmin tani - luftojeni me gjithçka që keni - ose blini një papagall. /Telegrafi/
Më shumë se gjysma e fuqisë punëtore globale tani raporton se po përjeton vështirësi financiare. Megjithatë, kur punëdhënësit përballen me probleme në frekuentimin e punës, me mungesë të stafit ose rënie të besueshmërisë, shpjegimi pothuajse gjithmonë drejtohet në të njëjtin drejtim: brezat më të rinj thjesht nuk duan të punojnë.
Pas gati dy dekadash duke drejtuar një kompani rekrutimi që punëson profesionistë me pagesë - për orë, me prani fizike në vendin e punës - besoj se e kemi diagnostikuar gabimisht problemin. Etika e punës në Amerikë nuk është zhdukur. Inflacioni e ka dobësuar strukturën e stimujve që dikur e bënte paraqitjen në punë të dukej si një rrugë drejt një gjëje më të madhe.
Kam një vend në rreshtin e parë për të parë një nga ndryshimet më të anashkaluara në tregun e sotëm të punës. Punët në të cilat rekrutoj, nga mësuesit zëvendësues deri te ndihmësit, nuk mund të kryhen në distancë, që do të thotë se besueshmëria nuk është thjesht e preferuar; ajo është themelore për vetë punën.
Vetëm pak vite më parë, mosparaqitja e një punonjësi në punë paraqiste një përjashtim. Sot, ajo është bërë sfidë e përsëritur. Një mësues zëvendësues, i caktuar për të mbikëqyrur një provim shtetëror në orën 7:00 të mëngjesit, mbërriti në orën 9:00 dhe pyeti: "A nuk është më mirë që erdha në orën 9:00 sesa të mos kisha ardhur fare"?
Do të ishte e lehtë ta shpërfillja atë shkëmbim fjalësh si gjykim të dobët të një punonjësi të vetëm. Nuk e bëj këtë. E shoh atë si simptomë të një tregu pune ku lidhja midis përpjekjes dhe shpërblimit është dobësuar. Kur pronësia e një shtëpie, siguria financiare dhe mobiliteti social në rritje duken gjithnjë e më të paarritshëm, përgjegjshmëria bëhet më e vështirë për t'u ruajtur - jo sepse standardet kanë ndryshuar, por sepse stimujt që qëndrojnë pas tyre kanë ndryshuar.
Për breza të tërë, njerëzit pranuan mëngjese të hershme, udhëtime të përditshme dhe punë kërkuese, sepse besonin se ato sakrifica krijonin një të ardhme më të mirë. Paga nënkuptonte më shumë sesa pagesën e faturave të këtij muaji. Përfaqësonte një përparim drejt blerjes së një shtëpie, zotërimit të një makine të mirë ose ndërtimit të një sigurie afatgjatë financiare\.
Sot, ai premtim duket gjithnjë e më i largët për shumë punëtorë që paguhen me orë.
Presionet financiare mbeten një nga shqetësimet më të mëdha që formësojnë këndvështrimin e punonjësve ndaj punës. Në të njëjtën kohë, përballimi i strehimit dominon diskutimet ekonomike në mbarë vendin, duke bërë që shumë punëtorë të vënë në dyshim nëse puna më e zellshme do ta ndryshojë vërtet të ardhmen e tyre financiare.
Ky dallim ka rëndësi, sepse etika e punës nuk ka ekzistuar kurrë në izolim. Ajo gjithmonë është formësuar nga stimujt. Kur njerëzit besojnë se përpjekja e tyre sjell përparim domethënës, pason përkushtimi. Kur kjo bindje fillon të zbehet, shpesh zbehet edhe motivimi.
Kjo nuk është mbrojtje për mungesat në punë apo për punonjës neglizhentë. Punëdhënësit kanë çdo të drejtë të presin përgjegjshmëri. Por, vetëm përgjegjshmëria nuk shpjegon pse shkollat, ofruesit e shërbimeve shëndetësore, shitësit me pakicë dhe bizneset e shërbimeve në mbarë vendin po raportojnë shumë nga të njëjtat sfida në sigurimin e personelit.
Nga këndvështrimi im, këto nuk janë incidente të izoluara. Ato janë shenja të hershme paralajmëruese të një tregu pune nën trysni gjithnjë e më të madhe ekonomike. Shkëputja bëhet edhe më e dukshme kur rekrutoj për poste ku përcaktohet qartë se puna kryhet në vendin e punës.
Një nga pyetjet e para që aplikantët bëjnë shpesh është: "A mund të kryhet kjo në distancë"?
E kuptoj pse pyesin. Puna në distancë dhe ajo hibride i ndryshuan në thelb pritshmëritë pas pandemisë. Shumë punëtorë tani e vlerësojnë fleksibilitetin po aq sa kompensimin, dhe për profesionet që bazohen në punën në zyrë, ky ndryshim ka plotësisht kuptim.
Por, shumë punë esenciale nuk mund të kryhen përmes një laptopi. Mësuesi nuk mund të mbikëqyrë klasën nga distanca. Kujdestari nuk mund t'i ofrojë mbështetje klientit të moshuar përmes Zoom-it. Ndihmësi nuk mund ta ndihmojë një fëmijë të mësojë nga një qytet tjetër.
Problemi nuk është se njerëzit duan fleksibilitet. Sfida është se pritshmëritë kanë evoluar më shpejt sesa shumë profesione thelbësore kanë mundur ndonjëherë. Kjo mospërputhje po bëhet një nga tensionet përcaktuese në tregun e sotëm të punës.
Gjithashtu mendoj se po shpenzojmë tepër kohë duke e kthyer këtë në një debat brezash.
Jam rritur nga dy prindër të brezit bejbi-bumer të cilët besonin se paraqitja në punë ishte thjesht pjesë e të qenit i rritur. Ai mentalitet formësoi mënyrën se si e shoh përgjegjësinë, por gjithashtu më kujton se çdo brez, në fund të fundit, formësohet nga realitetet ekonomike që trashëgon.
Por, sot, katër breza ndajnë të njëjtën fuqi punëtore. Kjo duhet të jetë një nga avantazhet tona më të mëdha konkurruese, duke u dhënë profesionistëve më të rinj mundësinë të mësojnë nga kolegët me përvojë, ndërsa sjellin idetë e tyre të reja.
Në vend të kësaj, e kemi reduktuar një çështje të ndërlikuar ekonomike në një diskutim për moshën. Kjo na bën të humbasim pamjen e përgjithshme. Njerëzit ende duan një qëllim. Më e rëndësishmja, duan të besojnë se puna e palodhshme do t'i çojë përpara. Gjithnjë e më shumë, shumë prej tyre nuk e besojnë më këtë.
Sfida është se shumë njerëz nuk besojnë se ato rezultate janë të arritshme me vendet e punës që janë në dispozicion. Nuk mund ta rindërtojmë besimin në punë duke u thënë gjithnjë njerëzve të punojnë më shumë, ndërsa shpërfillim kushtet ekonomike që formësojnë vendimet e tyre.
Ky nuk është argument partiak dhe as justifikim për uljen e standardeve. Bizneset kanë ende nevojë për punonjës të besueshëm, dhe punëtorët kanë ende përgjegjësinë t'u përmbahen angazhimeve të tyre. Por, nëse vazhdojmë ta trajtojmë rënien e etikës së punës si sëmundje, në vend që të pyesim se çfarë e shkaktoi atë, do të vazhdojmë ta diagnostikojmë gabim problemin.
Nga këndvështrimi im, brenda tregut të punës me pagesë për orë, shenjat paralajmëruese janë të pamundura të injorohen.
Nuk besoj se fuqia punëtore e humbi papritur etikën e saj të punës. Besoj se ajo po i përgjigjet një ekonomie ku, për shumë njerëz, paraqitja në punë nuk ndihet më si hapi i parë drejt pronësisë, stabilitetit apo mobilitetit social në rritje.
Derisa premtimi i mobilitetit social në rritje të fillojë të ndihet sërish i arritshëm, besoj se punëdhënësit do të vazhdojnë të përballen me të njëjtat vështirësi për sigurimin e personelit. Mund të vazhdojmë të fajësojmë një brez për gjendjen e fuqisë punëtore, ose mund të përballemi me realitetin ekonomik që po e riformëson atë. Nga këndvështrimi im, përgjigjja nuk është e vështirë për t'u parë. /Telegrafi/
Harrojini filantropët bujarë që hapnin dyert e tyre për shpirtrat më pak fatlumë; personazhet e pasur tani paraqiten pothuajse gjithmonë si moralisht të dyshimtë.
Nga: Emily Bearn / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Një nga personazhet më tërheqës në letërsinë angleze është pa dyshim z. Braunlou, beqari i pasur dhe zemërmirë që mishëronte moralin e krishterë tek Oliver Tuisti. Kur isha fëmijë, ëndërroja që ai të më nxirrte nga jeta ime dhe të më shtrinte për të fjetur në dhomën e gjerë të miqve në shtëpinë e tij të rehatshme në Londër.
Megjithatë, në letërsinë për fëmijë të shekullit XXI, figurat si Braunloui janë bërë jashtëzakonisht të rralla. Në vend të tyre, shkrimtarët po i paraqesin gjithnjë e më shumë njerëzit e pasur si moralisht të dyshimtë. Mesazhi mund të mos shkruhet me shkronja të mëdha, por kur një fëmijë e përthith atë mjaftueshëm shpesh, ai fillon të rezonojë.
Mjafton të marrim botimin e javës së kaluar të Vrasja në një natë vere [Murder on a Midsummer Night], romanit më të fundit për fëmijë nga Lucy Strange. Edhe pse ajo njihet më së shumti për letërsinë e saj historike, kësaj here historia zhvillohet në kohët bashkëkohore dhe po ashtu janë edhe supozimet mbi të cilat mbështetet: nuk derdhim lot për viktimën e vrasjes në histori, Magnus Kuperin, një njeri "shumë i pasur" që zotëron vreshta në Francë. "Gjithmonë një njeri i pa empati" është gjëja më pak fyese që dikush arrin të thotë për të.
Kuperi është një nga qindra antagonistët modernë të letërsisë, pasuria e të cilëve paraqitet si pjesë e provave kundër tyre. Në Shpëtimi i Rejvënvudit [The Rescue of Ravenwood, 2023] nga Natasha Farrant, një burrë me "ten portokalli" dhe një "SUV që shkëlqen" rezulton të jetë një zhvillues pronash që planifikon të presë një pemë shekullore për t'i hapur rrugë një parkingu. Në Hajnat e mirë [The Good Thieves, 2019] të Katherine Rundellit, personazhi negativ është Viktor Sorotori, një manjat që ka mashtruar një plak duke ia marrë shtëpinë. Lista vazhdon.
Jo shumë kohë më parë, lexuesit e rinj do të ishin falur po të kishin menduar se njerëzit me para ishin të aftë të silleshin mirë. Kur Arthur Ransome u ul të shkruante Dallëndyshet dhe amazonat [Swallows and Amazons, 1930], ndoshta nuk i shkoi ndër mend se familja Uoker ishte moralisht e paqartë thjesht për faktin se kishte shërbëtorë dhe varka me vela. Po kështu, në Kullat Malori [Malory Towers, 1946-1951] të Enid Blytonit, shumë vajza prej familjeve të pasura janë jashtëzakonisht të këndshme. (Guendolina e llastuar vjen nga një prej familjeve më pak të pasura të shkollës.) Ndërsa te Kali i vogël i bardhë [The Little White Horse, 1946] nga Elizabeth Goudge, Mari Meriuedhër rritet nën kujdestarinë e kushëririt të saj të dashur, Benxhaminit, në rezidencën Munakër Menor, në një histori që respekton përgjegjësitë dhe traditat pronarëve të tokave. Sot, për dallim, pasuria dhe privilegji kanë më pak gjasa të jenë moralisht neutrale.
Natyrisht, nuk janë risi personazhet e pasur negativë në letërsinë për fëmijë. Dickensi e sulmoi vazhdimisht lakminë e figurave si Skruxhi - dhe ekziston një traditë e kahershme letrare e maskarenjve lakmitarë. Te Luani, shtriga dhe dollapi [The Lion, the Witch and the Wardrobe, 1950], Shtriga e Bardhë zotëron pasuri dhe madhështi të jashtëzakonshme si Mbretëresha e Narnisë. C. S. Lewis e paraqet pasurinë e saj si pjesë të fuqisë joshëse të tiranisë. Ajo ka pasueset e saj te Kruela de Vil, personazhi përbindësh nga Njëqind e një dalmatinët [The Hundred and One Dalmatians, 1956] i Dodie Smithit, si dhe te disa nga krijimet më të neveritshme të Roald Dahlit, si Kryeshtriga e Madhe jashtëzakonisht e pasur te Shtrigat [The Witches, 1983] - një tjetër grua që kakaris, kësaj here e përcaktuar të shfarosë fëmijët. Te personazhet e tilla, pasuria është vetëm një nga disa elemente zbukuruese në portretin e një ligësie të ekzagjeruar.
Megjithatë, antagonistët e sotëm kanë më shumë gjasa të jenë biznesmenë sesa qenie fantastike. Zhvilluesi i pronave te Shpëtimi i Rejvënvudit i Natasha Farrantit, nuk është i interesuar për sundimin e botës; "krimi" i tij është dëshira për të shkatërruar, për përfitim, një habitat natyror. Ndërsa, Viktor Sorotori i Katherine Rundellit është një manjat i pamëshirshëm, pasuria e të cilit i mundëson të frikësojë ata që janë më pak fatlumë. Pra, nuk është për t'u habitur që legjenda e Robin Hudit ka marrë një ngjyrim dukshëm bashkëkohor - me tregimet e Michael Morpurgos dhe Rob Lloyd Jonesit që i shtohen një numri gjithnjë e më të madh të ritregimeve moderne. Në një version të fundit të ilustruar nga Bethan Woollvini - për fëmijë nga tre deri në gjashtë vjeç - Robin Huditi paraqitet si vajzë dhe lexuesi kënaqet duke e parë t'ia japë ndëshkimin e merituar Sherifit "lakmitar, të kalbur dhe të pasur".
Njeriu pyet veten se çfarë ndryshimesh do t'i kishte sugjeruar një bord redaktues Charles Dickensit, po ta kishte dorëzuar sot Oliver Tuistin te një botues. Braunlou, me shtëpinë e tij elegante në Londër dhe pasurinë e tij të pavarur, me siguri do të kishte ngjallur dyshime. Ndoshta Dickensit do t'i duhej t'i shtonte një lidhje familjare me tregtinë historike të skllevërve, ose një skemë të shmangies së taksave përmes parajsave fiskale - ose, të paktën, një plan për ta shndërruar shtëpinë në apartamente luksoze. /Telegrafi/
Pushkini vdiq që vrasësi të jetonte në rehati. Për gati dy shekuj, e vërteta është mbuluar me mite ...
Në historinë e letërsisë ruse ka dy kryekeqbërës. Njëri është personazh letrar, ndërsa tjetri është krejtësisht real. Dhe, nëse Salieri të paktën vuante nga brejtjet e ndërgjegjes në dramë, vrasësi i Pushkinit, Zhorzh Dantesi, duket se nuk u mundua aspak prej tyre. Për shumë vite e kemi përfytyruar si një francez të pashëm e të lëmuar, një aventurier mendjelehtë, që e shkatërroi gjeninë krejt rastësisht. Por, realiteti është shumë më i frikshëm dhe më i mbrapshtë.
Një nga sekretet më pikante që rrethojnë figurën e Dantesit ishte lidhja e tij me të dërguarin holandez, baronin Lui Hekern. Në vitin 1836, diplomati 42-vjeçar, i cili nuk ishte martuar kurrë, birësoi oficerin 24-vjeçar. Dhe, kjo, ndonëse babai biologjik i Zhorzhit ishte gjallë e shëndoshë.
Shoqëria e lartë e Peterburgut, që e kishte fort për zemër thashethemin, nxori menjëherë përfundimet e veta. Princi Trubeckoi shkruante hapur: “Nuk di si ta them: jetonte ai me Hekernin apo Hekerni me të ... Nga sa duket, në marrëdhëniet me Hekernin ai luante vetëm një rol pasiv”.
Kjo lidhje skandaloze i siguroi aventurierit të ri jo vetëm një mbiemër, por edhe hyrjen në shoqërinë e lartë, para dhe lidhje. Pikërisht Hekerni, “burri i rritur”, u dashurua me oficerin e pashëm dhe e bëri “birin e tij të adoptuar”, në mënyrë që ky të mund të shkëlqente në oborrin perandorak.
Ironia e fatit qëndron në faktin se vetë Pushkini, pa e ditur, përhapte për vrasësin e tij thashethemin më poshtërues për një burrë. Në ditarin e vet, poeti shkruante: “Unë isha i pari që mora vesh se Dantesi jepej pas mëkatit sodomit dhe, me kënaqësi të madhe, e bëra këtë lajm publik. Këtë e mora vesh nga vajzat e bordellos ku ai shkonte”.
Po, duke hedhur dritë mbi lidhjen e shthurur të francezit, vetë poeti, pa dashje, u shërbente atyre që po e shkatërronin, duke lënë të kuptohej, me nënkuptime pikante, natyra e vërtetë e marrëdhënies. Vetëm më vonë bashkëkohësit kuptuan se e gjithë kjo histori ishte veç maja e ajsbergut. Birësimi i Dantesit ishte kryer duke shkelur tri pika të legjislacionit francez. Hekerni kishte po aq nevojë për Dantesin, sa edhe Dantesi për të.
Në prag të vitit fatal 1837 shpërtheu skandali. Për ta mbyllur çështjen dhe për të larguar nga vetja dyshimet për lidhjen me gruan e Pushkinit, Dantesi bëri një veprim që të trondit me cinizmin e vet. Ai i kërkoi dorën Jekaterina Gonçarovës, motrës së madhe të Natalisë, gruas së poetit. Shpotitësit e salloneve mondane e quajtën menjëherë vajzën e gjorë “bishti i fshesës”, duke aluduar për pamjen e saj, që ishte larg idealeve të bukurisë.
Qëllimi i vërtetë i kësaj martese ishte i neveritshëm: duke u bërë zyrtarisht kunati i Pushkinit, Dantesi fitonte një arsye të ligjshme për të hyrë në shtëpinë e Gonçarovëve dhe për të vazhduar flirtin me Natalinë. Nëpër qytet nisën të qarkullonin zëra se martesa me “motrën e shëmtuar” ishte vetëm një mbulesë për lidhjen me bukuroshen më të madhe të Peterburgut. Pushkinit ia thoshin këtë thuajse hapur, dhe pikërisht ky tërbim, bashkë me ndjenjën e turpit publik, e shtynë drejt duelit fatal.
Por, fakti më tronditës për Dantesin gjendet përtej kufijve të kësaj drame: jeta e tij jashtëzakonisht e suksesshme pas vrasjes. Menjëherë pas duelit, baroni u çgradua dhe u dëbua. Sipas ligjeve ushtarake të kohës, atë e kërcënonte dënimi me vdekje, por u treguan të mëshirshëm me të. I trembur për vdekje, ai iku nga Rusia me aq ngut, sa arriti të përshkonte 800 versta në vetëm katër ditë.
Pasi u kthye në Francë, Dantesi bëri një karrierë të shkëlqyer politike. U bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, deputet, kryetar i qytetit të lindjes dhe mik i ngushtë i perandorit Napoleon III. Më 27 mars 1852 u emërua senator i përjetshëm i Perandorisë së Dytë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1870.
Për më tepër, ky njeri, që i kishte lyer duart me gjakun e një gjeniu, punoi si agjent i ambasadës ruse. Deri në vitet 1880, ai i përcillte Peterburgut informacione tejet të çmuara. Vitet e fundit të jetës i kaloi në kështjellën e familjes, i rrethuar nga fëmijët dhe nipërit, dhe vdiq në moshën 83-vjeçare.
Dantesi nuk ndiente kurrfarë faji. Deri në fund të jetës mburrej se pikërisht dëbimi për shkak të vrasjes i kishte mundësuar të bënte karrierë. Sipas nipit të tij, Lui Metmanit: “Gjyshi ishte krejtësisht i kënaqur me fatin e vet ... dhe thoshte jo rrallë se karrierën e tij të shkëlqyer politike ia detyronte vetëm largimit të detyruar nga Rusia për shkak të duelit”.
Ai mendonte se “dielli i poezisë ruse” kishte perënduar për t’i hapur udhë mirëqenies së tij personale. Gjeniu vdiq që vrasësi të jetonte në rehati. Për gati dy shekuj, e vërteta është mbuluar me mite, por një gjë mbetet e pandryshuar: përpara nesh nuk qëndronte një dashnor i zjarrtë, as një viktimë e rrethanave, por një aventurier gjakftohtë dhe llogaritës, biografia e të cilit është ende e aftë të tronditë. /“Russkaja semerka”/Përkthimi: ExLibris/
Vargu i gjatë i qytetarëve që mbush rrugët dhe sheshet e Tiranës më sjell ndër mend kortezhin e zymtë të romanit Funerali i pafundmë të Visar Zhitit. Një turmë ecën pas një arkivoli, por nuk arrin kurrë në varreza. Marshimi vazhdon çdo ditë pa një fund të dukshëm, askush nuk e di më se kur nisi, çfarë po varroset dhe kur duhet të përfundojë. Ajo që Zhiti e ndërtoi si sajim letrar dhe alegori të një shoqërie të robëruar nga e kaluara, sot duket pothuajse identike me realitetin shqiptar. Kortezhi i tij imagjinar ngjan me turmat që mbushin përsëri sheshet e Tiranës, duke protestuar kundër së njëjtës klasë politike, të njëjtave zhgënjime dhe të njëjtave plagë të pambyllura. Te Zhiti, funerali është trillim.
Në Shqipërinë e sotme, ai duket si kronikë e përditshme. Ndryshojnë vitet, qeveritë, pankartat, sloganet dhe fytyrat në podium; ndërrojnë emrat e dy-tre politikanëve, por kortezhi vazhdon. Populli ecën, proteston dhe kërkon ndryshim, ndërsa mbi supe mban ende arkivolin e një sistemi që shpesh shpallet i vdekur, por nuk varroset kurrë. Në roman, arkivoli është në krye të kortezhit, por pjesa më e madhe e turmës nuk arrin ta shohë. Ata që ndodhen në mes ose në fund vazhdojnë të ecin pas të tjerëve, duke besuar se përpara gjendet diçka që e justifikon marshimin. Arkivoli i padukshëm bëhet simbol i ideologjisë, i pushtetit dhe i një të kaluare të vdekur që vazhdon të komandojë të gjallët.
Në protestat e Tiranës, arkivoli simbolik mund të përmbajë besimin e humbur te politika. Brenda tij mund të jetë vota e vjedhur, drejtësia e vonuar, rinia që largohet nga vendi, pasuria publike e grabitur dhe shpresa e një populli që prej dekadash pret ndryshimin. Por, arkivoli mban brenda vetë sistemin politik shqiptar, i cili ndryshon pamje, ngjyra, slogane dhe udhëheqës, por vazhdon të mbahet mbi shpatullat e qytetarëve. Personazhet e Zhitit nuk paraqiten gjithmonë si individë të plotë. Ato shfaqen si maska, zëra dhe hije që humbasin identitetin brenda turmës.
Kortezhi ua largon vetminë, por njëkohësisht ua tret individualitetin. Njeriu nuk pyet më se ku po shkon; ai ecën sepse ecin të tjerët. Këtu lind edhe paralajmërimi për protestën politike. Një protestë nuk duhet të shndërrohet në një turmë që ecën verbërisht pas një arkivoli politik, sepse ecin të tjerët. Qytetari duhet të mbetet qytetar, jo thjesht numër në kortezh apo një algoritëm. Protestuesit nuk duhet të jenë vetëm pjesëmarrës në një funeral. Ata duhet të jenë edhe njerëzit që kanë dalë për t’i dhënë fund atij. Protestuesi duhet të dijë pse proteston, çfarë kërkon, si ta realizojë dhe çfarë do të vijë pas rrëzimit të së vjetrës. Në çastin kur qytetarët ndalojnë së ndjekuri verbërisht dhe fillojnë të kërkojnë ndryshimin, kortezhi nuk është më funeral. Ai kthehet në marshim të ndërgjegjes.
Në një fragment domethënës të romanit, Zhiti përmbys vetë kuptimin e funeralit: nuk janë më të gjallët që përcjellin të vdekurin, por duket sikur “të vdekurit përcillnin një të gjallë, pastaj një popull”. Ky imazh mund të lexohet edhe si metaforë e Shqipërisë së sotme. Hijet e së kaluarës, mënyrat e vjetra të sundimit, kultura e pandëshkueshmërisë dhe njerëzit politikisht të konsumuar vazhdojnë të përcaktojnë fatin e një populli të gjallë. Në vend që shoqëria të varrosë të kaluarën, e kaluara dalëngadalë po varros të ardhmen e shoqërisë shiptare. Ndoshta turma ende nuk dëshiron ta ulë arkivolin nga shpatullat.
Brenda tij nuk ndodhet vetëm politika e vjetër, por edhe udhëheqësit e vjetër, emrat me të cilët njerëzit janë mësuar të lidhen, të ndahen dhe të shpresojnë. Edhe kur i kundërshtojnë, vazhdojnë t’i mbajnë me vete, sepse ende nuk shohin një udhëheqës të ri, një figurë të besueshme apo një ide të re që mund ta drejtojë marshimin. Prandaj kortezhi vazhdon. Turma proteston kundër së vjetrës, por njëkohësisht ka frikë ta braktisë plotësisht atë. E njohura, sado e konsumuar, duket më pak e rrezikshme se boshllëku.
Arkivoli rëndon mbi shpatulla, por ulja e tij do të kërkonte jo vetëm refuzimin e udhëheqësve të vjetër, por edhe guximin për të ecur pa ta, derisa të lindë një alternativë e re. Kjo është ndoshta tragjedia më e madhe politike: populli e di se çfarë nuk dëshiron, por ende nuk e ka përcaktuar qartë atë që dëshiron. Dhe kështu, në mungesë të një fillimi të ri, vazhdon të shoqërojë të vjetrën në një funeral që nuk arrin kurrë te varri.
Pyetja që romani i Zhitit ia lë lexuesit mund t’i drejtohet edhe shoqërisë shqiptare: Kush është në arkivol dhe përse vazhdojmë ta mbajmë mbi supe? Aty mund të jetë një qeveri, një opozitë, një klasë e tërë politike apo një mentalitet i tërë shoqëror. Por përgjigjja nuk mjafton. Duhet edhe guximi për ta ulur arkivolin nga shpatullat, për ta varrosur atë që ka vdekur dhe për të mos lejuar që protestat e ardhshme të bëhen vetëm kapitulli tjetër i një funerali që nuk mbaron kurrë. Shqipëria duhet t’i japë fund këtij kortezhi. Ndoshta protesta e radhës duhet të jetë e fundit e këtij lloji, ku secili të marrë me vete nga një arkivol, një arkivol për veten e tij.
Në mos për të vdekur, të paktën për të varrosur frikën e vet, heshtjen, nënshtrimin dhe pajtimin me të keqen, për të varrosur atë pjesë të vetes që prej vitesh pranon të ecë pas të njëjtëve udhëheqës dhe të njëjtit sistem. Vetëm atëherë mund të marrë fund tranzicionifuneral i politikës shqiptare dhe pas tij të fillojë jeta. Sepse një popull fillon të jetojë vetëm kur pushon së mbajturi mbi supe të vdekurit e politikës së tij.
Vasily Grossman ishte romancier në formë të dobët fizike, i cili shkruante për një makineri propagande gjatë konfliktit më vdekjeprurës në histori. Disi, ai e riformësoi atë që mund të ishte raportim nga lufta.
Nga: Madeleine Wulfahrt / The New Yorker Përkthimi: Telegrafi.com
Vasily Grossman ishte një nga vëzhguesit më depërtues dhe më mendjekthjellët të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, por pikërisht shikimi i tij, në mënyrë ironike, pothuajse e pengoi të shkonte në vijën e frontit. Në kohën e pushtimit të Bashkimit Sovjetik nga Hitleri, Grossmani - i lindur si Iosif Solomonovich Grossman në vitin 1905, në Berdiçiv, një qytet me shumicë hebraike në Veri të Ukrainës së sotme - ishte i përjashtuar nga shërbimi ushtarak për shkak se ishte në mbipeshë, vuante nga astma dhe kishte miopi. I përcaktuar për të shkuar në front si korrespondent lufte, ai iu drejtua gjeneralmajorit David Ortenberg, redaktorit të gazetës ushtarake Ylli i kuq [Krasnaya Zvezda]. Ortenbergu, admirues i romanit të hershëm të Grossmanit, Stepan Kolçugini, i caktoi gradën e intendantit dhe e vuri nën kujdesin e një koloneli në pension, i cili e stërviti dhe e vuri në formë.
Ylli i kuq ishte një botim i pazakontë. Si ushtarakët, ashtu edhe publiku i gjerë e lexonin me etje, të dëshpëruar për të kuptuar luftën që po copëtonte utopinë e tyre të re. Kjo i dha Grossmanit një afërsi të pazakontë me lexuesit e tij, shumë prej të cilëve ishin njëkohësisht edhe subjektet e shkrimeve të tij. Reportazhet e tij, të mbledhura së fundmi në librin Nga vija e frontit [From the Front Line] - në përkthimin e Robert dhe Elizabeth Chandlerit - lexohen më shpesh si studime personazhesh sesa si raporte mbi strategjinë ushtarake. Por, Ylli i kuq ishte gjithashtu një organ propagande, gjë që nënkuptonte se korrespondentët e tij - përfshirë figurat e mëdha letrare si Andrei Platonov dhe Ilya Ehrenburg - i nënshtroheshin censurës së rreptë dhe nuk mund të denonconin angazhimin sovjetik të luftës. "Bota përkulet para heroizmit të Ushtrisë së Kuqe", shkroi Grossmani në një reportazh, duke lënë pa përmendur përdhunimet dhe brutalitetin që kishte parë ushtarët të kryenin. I mbërthyer mes ndershmërisë instinktive dhe kujdesit politik, Grossmani përsosi një stil që mbështetej më pak te retorika dhe më shumë te fuqia e dëshmisë.
Nga vija e frontit përfshin pjesën më të madhe të luftës, duke ndjekur Grossmanin nga Stalingradi në Treblinkë dhe, më pas, në Berlin. Çdo ndalesë e thellon portretizimin e tij josentimental të Frontit Lindor. "Shpirti i një ushtari të Ushtrisë së Kuqe", një reportazh nga Beteja e Stalingradit, e gjen frymën e ushtarit sovjetik te një qitës me pushkë kundërtank, i quajtur Gromov - ose, më saktë, te "mungesa e mirësisë në sytë e tij ngjyrë kafe në të gjelbër". Për Grossmanin, motivet e Gromovit nuk burojnë, siç mund të pritej, nga ndjenja e shoqërisë me bashkëluftëtarët apo nga detyra ndaj Bashkimit Sovjetik. "Atë që e kishte çuar në njësinë kundërtanke nuk ishte rastësia, por një ligj i brendshëm", shkruan Grossmani. Se cili është ai ligj, nuk na thuhet kurrë. Por, ne e shohim Grossmanin duke e kërkuar atë vazhdimisht në vështrimin e Gromovit: "Sfida e hapur në sytë e tij, mungesa e mëshirës ndaj dobësive njerëzore, vërejtjet e tij thumbuese për papërsosmëritë e jetës - të gjitha e bënin të qartë se ai ishte një njeri jashtëzakonisht i fortë, kokëfortë dhe pa kompromis". Grossmani sheh madje një lloj ngjashmërie mes Gromovit dhe armës së tij: "Cilësitë e saj ishin ato të shpirtit të tij të trazuar dhe" - edhe një herë - "të syve të tij të ashpër, ngjyrë kafe në të gjelbër".
Në përshkrimin e Grossmanit, Gromovi vështirë se është modeli i ushtarit ideal. Ai është një njeri egoist i cili gjallërohet vetëm përballë mundësisë së dhunës - dhe vetëm asaj dhune që bie drejtpërdrejt në fushën e tij të veprimit: pa tanke, nuk ka interes. "Predhat e mortajave gjermane çanin ajrin me një fërshëllimë gjarpëruese përpara se të shpërthenin jo shumë larg prapa tyre; më pas copëzat e predhave dhe plisat e dheut binin mbi tokë si daulle", shkruan Grossmani. "Me pak fjalë, kjo ishte ajo që njerëzit e quajnë 'ferr'. Dhe, në mes të këtij ferri, Gromovi ishte shtrirë në fund të hendekut të tij, kishte zgjatur këmbët dhe kishte filluar të dremiste”. Momentet e tilla shfaqin një qasje të guximshme personale ndaj gazetarisë së luftës, ku një përshkrim i sinqertë dhe i nuancuar i jetës së përditshme na tregon më shumë për luftën sesa çdo bilanc humbjesh apo fitimesh në fushën e betejës.
Natyrisht, sytë e Grossmanit ishin shumë më të ndjeshëm se ata të Gromovit. Në gjashtëdhjetë e një vjetët që nga vdekja e tij - dhe që nga ribotimi i Stalingradit dhe Jetës dhe fatit, dy romanet e tij monumentale mbi Luftën e Dytë Botërore - vepra e Grossmanit ka fituar një rëndësi pothuajse mitike. Fotografitë e tij në vijën e frontit janë bërë sinonim i një lloji të caktuar intelektuali disident sovjetik: me pallton e gjerë ushtarake si parzmore, një shtëllungë tymi që ngrihet mbi shapkën e tij prej gëzofi dhe shikimin e zbrazët pas syzeve me skelet metalik.
Ai dukej sikur kishte qenë gjithmonë i bekuar - ndoshta edhe i rënduar - me një perceptim përtej moshës së tij. Kur ishte adoleshent, pamja e tij serioze dhe disi e urtë i kishte sjellë nofkën Plakushi në shkollë. Fillimisht u arsimua si kimist dhe punoi si inxhinier kimik në Donbas. Gedda Surits, një gjeofizikane e cila u martua me mikun e tij të fëmijërisë, vuri re se Grossmani "dukej sikur i fshihte sytë e tij të mëdhenj pas syzeve të trasha". Surits pyeste veten nëse ai vështrim i veçantë buronte nga "qëndrimi i tij i vëmendshëm ndaj njerëzve", i cili "e bënte njëherazi vëzhgues të mprehtë, të interesuar dhe, megjithatë, disi të jashtëm, sikur po na shikonte nga njëfarë distance".
Pjesa më e madhe e shkrimeve të Grossmanit dëshmon këtë cilësi të të qenit brenda dhe jashtë, gjë që kuptohej nga fakti se ai ishte, si hebre nga Ukraina, pjesëtar i një pakice të dyfishtë në Bashkimin Sovjetik. I lindur në një familje laike rusishtfolëse, Grossmani nuk mori asnjë arsimim formal hebraik dhe nuk fliste as jidish - as hebraisht. (Ai fliste gjuhën e ukrainasve në të cilën ndonjëherë i drejtohej të atit me fjalën bat’ko.) Megjithatë, në moshë madhore zhvilloi një sistem besimi të përqendruar rreth asaj që rrëfimtari në Jeta dhe fati e quan "mirësi e pakuptimtë". Kjo i ngjan mësimit hebraik të njohur si tikkun olam - parimit të shërimit ose përmirësimit të botës. Rrëfimtari i Grossmanit e përshkruan atë si "mirësia personale e një individi ndaj një tjetri; një mirësjellje e vogël, e pamenduar; një mirësi pa dëshmitarë".
Mirësia e prozës së Grossmanit është, në një nivel, një kundërpërgjigje ndaj censurës së ashpër të makinerisë propagandistike të Stalinit. Megjithatë, shprehjen e saj më të fuqishme nuk e gjen te toni, por te vëmendja, tek ajo cilësi e cila "kur arrin shkallën më të lartë", Simone Weil e quante "e njëjta gjë me lutjen". Duke shmangur kritikat e drejtpërdrejta, reportazhet e Grossmanit ndërtojnë një epope lufte përmes miniaturave, duke zgjedhur subjektet me syrin e drejtuar nga misteri, pasiguria dhe karakteri i kompromentuar i burrave të cilët ai u inkurajua t'i paraqiste si heronj pa komplikime. "Kur lexon kujtimet e luftëtarëve francezë, britanikë apo amerikanë, të gjithë thonë se në luftë bëhen njerëz të tjerë", shkruan Grossmani në një reportazh. "Kjo nuk është ajo që kam parë këtu". Ushtarët e Grossmanit mund të mos jenë shembuj të përsosur trimërie, por ata portretizohen gjithmonë me një respekt të palëkundur dhe plot dhembshuri.
Raportimi mbi Holokaustin e vuri në provë vëmendjen e Grossmanit ndaj karakterit, duke zëvendësuar zonën gri të moralit sovjetik me autorë krimesh dhe viktima të pamohueshme. Pjesa qendrore e Nga vija e frontit është "Ferri i Treblinkës", një reportazh prej dyzet e pesë faqesh, i vitit 1944, që thuhet se u shpërnda gjatë gjyqeve të Nurembergut. Grossmani mbërriti në Treblinkë - e cila përbëhej nga kampe të veçanta pune dhe shfarosjeje - jo shumë kohë pasi gjermanët kishin vrarë pothuajse të gjithë të burgosurit e mbetur dhe ishin tërhequr. Në reportazhin e tij, ai përshkruan drejtuesit e kampit të punës: "I dimë emrat e anëtarëve të SS-it në kamp; i dimë karakteret dhe veçoritë e tyre. E dimë se drejtuesi i kampit ishte një gjermano-holandez i quajtur van Eupen, një vrasës i pangopur dhe pervers seksual me pasion për atllarë dhe kalërimin e shpejtë. Dimë për një të ri trupmadh të quajtur Stumpfe, i cili shpërthente në të qeshura të pakontrollueshme sa herë që vriste një të burgosur ose kur një i burgosur ekzekutohej në praninë e tij". Megjithëse Grossmani nuk ndalet te këta burra në të njëjtën mënyrë siç ndalet te bashkatdhetarët e tij, ai gjithsesi duket i bindur se struktura e jetës së tyre të brendshme - madje edhe natyra e hobive të tyre - na tregon diçka thelbësore për tmerret që kryen.
Grossmani është më novator në aspektin stilistik kur shkruan për fatin e hebrenjve të Ukrainës, ku, për të, vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Në "Ukraina pa hebrenj ", Grossmani - nëna e të cilit u vra në një masakër naziste në Berdiçiv - shkruan: "Kujtoni Shabatet në Ukrainë". Ai vazhdon, duke e përsëritur veten në mënyrë ritmike, si një drejtues kori që udhëheq lutjen në sinagogë: "Kujtoni pleqtë që ecnin me shalle lutjeje nën plepa në mbrëmjet e qeta të pranverës ... kujtoni fëmijët hebrenj që vraponin nëpër rrugët me pluhur, flokët e tyre kaçurrela dhe sytë e tyre të errët që shkëlqenin pranë flokëve të çelët dhe syve të çelët të fëmijëve ukrainas të së njëjtës moshë". Lutja e tij ngrihet dhe arrin kulmin: "Kujtoni se si të gjithë këta fëmijë përziheshin si lule të shpërndara bujarisht mbi tokën përkëdhelëse të Ukrainës". Edhe këtu, në mungesën fantazmë të njerëzve, është kujtimi i tyre, dhe jo dhuna që i vrau ajo që e shqetëson më shumë Grossmanin.
Pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, për Grossmanin u bë gjithnjë e më e vështirë t'i përmbahej linjës së Partisë Sovjetike. Romanet e tij, të cilat e paraqisnin atë që kishte vëzhguar në front, ishin më kritikë ndaj Stalinit dhe përpjekjes sovjetike të luftës. Por, ai nuk ishte plotësisht i imunizuar ndaj hipokrizive të qenësishme në paraqitjet ruse të konfliktit. Ai e lavdëron bashkëpunimin e ukrainasve dhe gjeorgjianëve të cilët luftonin së bashku për një kauzë të përbashkët sovjetike, megjithëse në atë kohë të gjithë ndodheshin nën pushtimin de facto rus. (Rusia ende pushton një të pestën e territorit të të dy vendeve.) Për përparimin sovjetik në Poloni, Grossmani thekson "shkallën e besimit dhe miqësisë që populli polak ndien ndaj Ushtrisë së Kuqe". Polakët, shumë prej të cilëve edhe sot i shohin sovjetikët si kriminelë në të njëjtin nivel me pushtuesit nazistë, ashiqare nuk ushqenin ndjenja të tilla.
Megjithatë, në vitin 2026, është e pamundur të lexosh reportazhet e Grossmanit pa ndier hijen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putini. Nga vija e frontit harton një topografi që edhe një herë është në gërmadha: kaq shumë nga qytetet ukrainase - prej të cilave raportoi Grossmani - janë bombarduar viteve të fundit, deri në atë pikë sa nuk njihen më. Në "Ukraina pa hebrenj", Grossmani paralajmëron: "Ne nuk mund të jetojmë më kështu, sepse jo vetëm Evropa, por gjithë njerëzimi tani qëndron në buzë të humnerës". Reportazhet e tij e bëjnë të qartë se kjo detyrë është po aq urgjente sot sa ishte atëherë - se krimet e së ardhmes mund të shmangen vetëm përmes qartësisë që ofron dëshmia. Ishte një detyrë të cilën Grossmani e përmbushi gjatë pushtimit nazist dhe në vitet më të errëta të shtypjes staliniste, shumë kohë pasi mjegulla e luftës ishte shpërndarë. /Telegrafi/
Këtë ese ia dedikoj profesorit tim të filozofisë dhe estetikës Alfred Uçi
Çdo shoqëri i ka trajtuar dhe organizuar shoqërisht dashurinë, seksualitetin dhe intimitetin sipas kodeve morale dhe pritshmëritë kulturore të saj. Ajo çfarë është konsideruar si një formë apo shprehje normale dhe e pranueshme e dëshirës, si një rol dhe sjellje e përshtatshme për burrat dhe gratë dhe si një marrëdhënie legjitime mes tyre nuk ka qenë kurrë e njëjtë në çdo vend e në çdo kohë dhe as ka mbetur e pandryshuar. Përkundrazi, pikëpamjet dhe qëndrimet mbi rolet gjinore, mbi intimitetin, seksualitetin dhe dashurinë kanë ndryshuar nga koha në kohë, në varësi të kushteve e faktorëve të tillë shoqërorë, si tipi i marrëdhënieve ekonomike, tradita, feja, struktura dhe organizimi i familjes, autoriteti politik, vlerat dhe normat morale e kulturore sunduese të shoqërisë etj. Po kështu, gjuha përmes së cilës njerëzit kanë shprehur e shprehin pasionet e tyre, dëshirat e lejuara dhe ato të shtypura e të fshehura, kufijtë e sjelljes dhe kuptimet simbolike që i atribuohen intimitetit janë rezultat i një zhvillimi të gjatë historik.
Ndryshimet e para të rëndësishme në fushën e erotizmit dhe të organizimit shoqëror të seksualitetit u shfaqën me shenjat e para të shembjes së feudalizmit, duke shënuar një shkëputje të thellë nga Mesjeta dhe morali i saj. Ky proces u ndikua sidomos nga fryma humaniste e asaj lëvizjeje të gjerë e të fuqishme letrare, artistike, kulturore, filozofike, morale e shkencore që filloi në shekullin e katërmbëdhjetë dhe u zhvillua përgjatë dy shekujve më pas dhe që njihet me emrin Rilindje Europiane. Rilindja shënoi një ndryshim të thellë në qëndrimet ndaj erosit, duke sjellë një kuptim të ri mbi intimitetin, lirinë individuale dhe seksualitetin, të cilat u vendosën në qendër të imagjinatës kulturore, të krijimtarisë artistike dhe të reflektimit filozofik.
Zhvillimet historike që lidhen me këtë epokë shënojnë një dukuri europiane, e cila, në forma e në përmasa të ndryshme, u shfaq pothuajse te të gjithë popujt e kontinentit. Edhe pse fillimisht Rilindja nisi në Firence dhe në disa qytete-shtete të tjera të Italisë së Veriut, ajo shumë shpejt u përhap në Francë, në Holandë, në Angli, në Spanjë e në pjesë të tjera të Europës. Përmbajtja dhe rëndësia historike e Rilindjes kanë qenë të tilla, sa ajo lëvizje u bë një mbështetje dhe një faktor i fuqishëm nxitës për tërë qytetërimin europian e atë botëror dhe, në një kuptim real të fjalës, pararendëse e modernitetit. Për të kuptuar ndryshimet e rëndësishme që solli Rilindja në fushën e intimitetit, erosit dhe organizimit shoqëror të seksualitetit, është e domosdoshme të shqyrtojmë në vija të përgjithshme kushtet e reja ekonomike e shoqërore që i bënë të mundura ato.
Analizën e këtyre kushteve unë e bëj në një studim tjetër, më të potë mbi këtë subjekt. Këtu, mjaftohem të them se ndryshimet e thella ekonomike që nisën ë në atë periudhë nuk mund të mos kishin një ndikim të madh në superstrukturën e shoqërisë - në institucionet e saj, në kulturën, idetë, mënyrën e jetesës dhe sjelljen e njerëzve, si dhe në marrëdhëniet gjinore brenda dhe jashtë familjes. Lufta e klasës së re tregtare dhe e borgjezisë që po lindte kundër rendit feudal u përgatit më parë në fushën e ideve.
Botëkuptimi dhe kultura teologjike i ishin përshtatur shoqërisë feudale, kushteve dhe mënyrës së saj të prodhimit e të këmbimit, ndërsa kushtet e reja ekonomike dhe pozita e borgjezisë, e cila kërkonte transformimin e të gjitha marrëdhënieve dhe institucioneve të vjetra shoqërore, bënin të domosdoshëm krijimin e një botëkuptimi të ri dhe të një kulture të re, në thelb antiteologjike dhe antifeudale. Në këtë kuadër, lufta e borgjezisë së atëhershme kundër feudalizmit dhe absolutizmit mesjetar do të drejtohej, në radhë të parë, kundër fesë dhe institucioneve të saj. Që të mund të sulmoheshin marrëdhëniet shoqërore ekzistuese, duhej t’u hiqej atyre aureola e shenjtërisë.
Zgjimi kulturor i Erosit
Duke filluar nga fundi i shekullit të 13-të dhe shekulli i 14-të, në Europë, kryesisht në radhët e elitës së arsimuar, lindi e po zhvillohej një kulturë e re me tipare tepër origjinale, e cila, e ushqyer me dijet klasike të grekëve e romakëve dhe e interesuar për ringjalljen e arteve dhe të kulturës së lashtë, i dha një goditje të rëndë botëkuptimit teologjik të Mesjetës. Kjo ishte periudha kur lindën dhe filluan të marrin formë idetë e para mbi dashurinë romantike.
Mendimtarët, shkrimtarët dhe artistët humanistë besonin se studimi i filozofisë, i letërsisë dhe artit klasik mund të ndihmonte rritjen e potencialeve të njeriut dhe ta bënte më të bukur e t’i jepte më shumë kuptim jetës së tij, duke ofruar modele urtësie, elokuence dhe virtytesh morale. Humanizmi nuk ngjalli një interes thjesht antikuar, por vuri në qendër të vëmendjes dinjitetin, racionalitetin dhe aftësitë krijuese të njeriut.
Rilindja nuk i rrëzoi autoritetin moral të Krishtërimit dhe as strukturat institucionale që kishin organizuar seksualitetin deri në atë kohë. Martesa mbeti kuadri kryesor brenda të cilit marrëdhëniet seksuale konsideroheshin të ligjshme, ndërsa normat patriarkale vazhduan të sundonin jetën familjare. Megjithatë, fryma kulturore e asaj epoke mundësoi një eksplorim dhe përjetim më të hapur e më të thellë të emocioneve njerëzore, të përvojës trupore dhe të lirisë personale sesa në mesjetë. Kjo hapje nuk nënkuptonte një refuzim të plotë të traditës, por një riorientim të vlerave morale e shoqërore, ku jeta e brendshme e individit mori një rëndësi të re.
Bashkëjetesa e traditës me ndryshimin si dhe tensioni mes normave të trashëguara dhe lirive të reja është thelbësore për të kuptuar rizgjimin e erosit dhe të interesimit për të gjatë periudhës së Rilindjes. Edhe pse autoriteti i fesë dhe institucionet e kohës mbetën të paprekura, rizbulimi i idealeve klasike dhe humanizmi stimuluan një vlerësim të ri të pasionit, intimitetit dhe trupit njerëzor duke i dhënë kulturës humaniste të Rilindjes një tipar të veçantë emancipues.
Edhe pse Rilindja nuk i hoqi kufizimet morale të shoqërisë mesjetare - dhe as nuk prodhoi ato marrëdhënie të individualizuara dhe atë liri që karakterizojnë jetën moderne - ajo ndryshoi thellësisht imagjinatën kulturore të europianëve mbi erosin. Rilindja ndihmoi që erosi të shndërrohej nga një subjekt tabu, në një subjekt hulumtimi dhe reflektimi filozofik, artistik dhe letrar.
Me Rilindjen dhe artin e saj dolën në pah bukuria dhe sensualiteti i trupit të njeriut dhe seksualiteti human, të cilët u bënë subjekte të letërsisë dhe artit. Në letërsi, në filozofi dhe në art, erosi u rizbulua me një kureshtje të paprecedent. Poetët, shkrimtarët dhe dramaturgët eksploruan dëshirën në të gjitha format e saj; piktorët dhe skulptorët u dhanë jetë me veprat e tyre bukurisë së formave trupore të njeriut; ndërsa filozofët reflektuan mbi natyrën e marrëdhënieve njerëzore, pasionet e shpirtit dhe kënaqësitë intime të tij. Dashuria u paraqit gjithnjë e më shumë jo thjesht si një ndjenjë individuale, por edhe si një forcë që motivon imagjinatën dhe krijimtarinë e njeriut.
Ky rizgjim i erosit përfaqësonte, në fakt, një revolucion kulturor në historinë e seksualitetit dhe të kulturës europiane. Ai solli një transformim i thellë në mënyrën se si shoqëria nisi ta kuptojë intimitetin, dëshirën dhe subjektivitetin njerëzor. Duke i vënë dashurinë dhe dëshirën në qendër të përvojës njerëzore, Rilindja shënoi nisjen e një procesi të gjatë historik, përmes të cilit shoqëritë perëndimore nisën të adoptojnë koncepte moderne të individualitetit, lirisë personale dhe dashurisë romantike.
Pararendësit e kësaj kulture dhe letërsie të re ishin tre italianë të mëdhenj - Dante Aligeri, Francesko Petrarka dhe Xhovani Bokaçio - poetë dhe shkrimtarë humanistë, kryeveprat e të cilëve, shumica të shkruara në italisht - jo më në latinisht - shënuan lindjen e së parës letërsi moderne dhe mbeten edhe sot modele të përkryera në fushën e letrave. Të tre këta shkrimtarë të mëdhenj ishin nga Firence, e cila, në atë kohë, përfaqësonte kryeqytetin kulturor të Rilindjes dhe qendrën kryesore të Humanizmit europian. Koha kur jetuan ata ishte vigjilja e një epoke që do të sillte ndryshime të jashtëzakonshme në kushtet e jetës njerëzore.
Letërsia dhe gjuha e re e dëshirës
Ndoshta askund tjetër transformimi kulturor i erosit gjatë Rilindjes nuk u shpreh më gjallërisht sesa në letërsi. Nëse arti i Rilindjes rizbuloi bukurinë e trupit, letërsia rizbuloi kompleksitetin e dëshirës njerëzore, duke e shndërruar dashurinë nga një alegori morale, në një përvojë njerëzore shumëdimensionale, ku ndërthureshin në mënyrë dinamike pasioni, inteligjenca dhe ndërveprimi shoqëror.
Deri atëherë, në letërsinë europiane dashuria trajtohej si një eksperiencë përtej jetës së zakonshme. Edhe pse kishte poetë që dëshirën seksuale e shihnin si pjesë jetike të dashurisë, shumë të tjerë e trajtonin atë si një emocion të kulluar vetëmohues dhe, të tjerë akoma, konsideronin si formën më të lartë e më fisnike të dashurisë “platonike”. Gradualisht, dashuria filloi të shihej jo më si një ideal shpirtëror i largët, por si një realitet i gjallë, i brishtë dhe shpesh ironik.
Një ndër veprat e para e më të rëndësishme, në të cilën u mishërua ky vizion i ri, ishte “Dekameroni” i Xhovani Bokaçios. Shkruar në mesin e shekullit të 14-të, menjëherë pas Murtajës së Zezë, kjo përmbledhje e vë erosin në qendër të saj. Vepra përfshin njëqind tregime të rrëfyera nga një grup të rinjsh - burra e gra - që tërhiqen në fshat për t’i shpëtuar Firences së rrënuar nga murtaja. Për dhjetë ditë radhazi, ata argëtohen duke treguar ndodhi, shumë prej të cilave kanë si subjekt dashurinë, intrigën erotike dhe qëndrimet ndaj konvencioneve shoqërore të kohës. Përmes humorit, ironisë dhe narrativës mjeshtërore, Bokaçio zbulo kënaqësitë dhe kontradiktat e seksualitetit njerëzor, duke ofruar një vizion të erosit që ishte njëkohësisht argëtues e thellësisht human.
Ajo çka e bën veprën e Bokaçios të jashtëzakonshme, është trajtimi i hapur e me humor i seksualitetit. Tregimet e “Dekameronit” flasin për njerëz të dashuruar që ndjekin pasionet e tyre, shpesh në kundërshtim me pritshmëritë e ngurta morale të shoqërisë së tyre. Personazhet e veprës janë klerikë hipokritë, burra xhelozë dhe kujdestarë shtypës, autoriteti i të cilëve vihet në lojë prej zgjuarsisë dhe aftësive të grave që kërkojnë dashuri dhe plotësimin e dëshirave të tyre. Vepra përfaqëson një kontrast të thellë me moralin hipokrit dhe kulturën mesjetare, duke ofruar një vizion pragmatik dhe argëtues mbi dëshirën dhe intimitetin.
Veçanërisht të spikatura në shumë prej rrëfimeve të “Dekameronit” janë personazhet femërore. Ato paraqiten si femra inteligjente, të afta t’i mashtrojnë e t’i mënjanojnë me zgjuarsi meshkujt që u bien në qafë, duke dëshmuar pavarësinë e tyre emocionale në mënyra që i sfidojnë stereotipat tradicionalë. Gratë e “Dekameronit” nuk janë thjesht objekte pasive të epshit mashkullor, por pjesëmarrëse aktive në lojën e intimitetit, duke dëshmuar se ato kanë po aq dëshira sa dhe burrat dhe se kanë në dorë të zgjedhin njëlloj si ata. Kjo vepër e Bokaçios solli një orientim të ri kulturor në letërsi, duke i bërë gratë, me inteligjencën, emocionet dhe dëshirat e tyre, pjesë të përvojës njerëzore të dashurisë.
Me “Dekameronin”, Bokaçio solli në letërsinë e Rilindjes një gjuhë të re për shprehjen e dëshirës erotike, e cila adresonte njëherësh kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore, ndërthurjen e pasionit me konvencionet shoqërore dhe aftësinë e individëve, veçanërisht të grave, për të qenë vetvetja në marrëdhëniet intime. Duke e vënë erosin në qendër të jetës kulturore, ky vizion i hapur e human mbi seksualitetin pasqyronte frymën e kureshtjes, të zbulimit e të krijimtarisë së vetë asaj periudhe. Nga ana tjetër, duke ndërthurur humorin, ironinë dhe realizmin, “Dekameroni” ndihmoi në riformulimin e imagjinatës letrare mbi intimitetin. Kjo vepër krijoi një hapësirë të re për shumë shkrimtarë të mëvonshëm që eksploruan intimitetin dhe dashurinë si një realitet njerëzor shumëdimensional, që mund të ishte fisnik por edhe argëtues, tragjik ose komik, por gjithmonë i lidhur ngushtë me individualitetin njerëzor. Për këto arsye, “Dekameroni” ishte një inovacion letrar dhe mund të konsiderohet si pararendëse e asaj letërsie të madhe të Rilindjes që mishëroi zgjimin kulturor të Europës dhe solli një kuptim të ri mbi erosin, si një pasion njerëzor, si një forcë që e çliron individin nga paragjykimet e nënshtrimi dhe e lartëson dinjitetin e njeriut.
Në një tjetër regjistër, por gjithsesi në dialog me Bokaçion, qëndron Petrarka, bashkëkohësi i tij, i cili shpesh konsiderohet si themeluesi i humanizmit europian. Sonatat e tij kushtuar Laurës mishërojnë një eros më introspektiv, ku pasioni tokësor ndërthuret me mallin shpirtëror. Në një prej sonatave më të njohura, Petrarka shkruan: “Pace non trovo, e non ho da far guerra; e temo, e spero; e ardo, e son un ghiaccio” (“Nuk gjej paqe, as nuk bëj luftë; kam frikë dhe shpresoj; digjem dhe jam akull”). Ky varg i famshëm shpalos konfliktin e brendshëm të dëshirës, ku ndjenja është njëkohësisht burim lumturie, por edhe burim vuajtjeje. Ndryshe nga narrativa argëtuese e komike e Bokaçios, poezia e Petrarkës e trajton emocionin individual si një subjekt të denjë për reflektim letrar, duke i bërë intimitetin dhe dashurinë pjesë të përvojës universale të njeriut. Në fakt, ashtu si Dante para tij, Petrarka e portretizoi gruan e dashuruar si burim frymëzimi dhe si simbol të përsosmërisë femërore.
Individi dhe liria
Rilindja nuk përfaqësonte vetëm një ringjallje të dijeve, të artit e të letërsisë klasike, por edhe një transformim të thellë në mënyrën e të kuptuarit të botës e të vetë individit. Tanimë njeriu nuk shihej më thjesht si një qenie pasive në një hierarki shoqërore të organizuar e të drejtuar nga providenca, por si një aktor autonom, i pajisur me arsye, me një jetë të brendshme emocionale e shpirtërore dhe aktiv. Kultura e re e Rilindjes kishte karakter laik. Ajo hoqi dorë gradualisht nga tradita fetare e deriatëhershme, që e kishte përqendruar të gjithë vëmendjen në dukuritë e mbinatyrshme dhe si burim të vetëm kishte Librin e Shenjtë dhe subjektet fetare. Rilindja ishte një hap drejt sekularizimit të shoqërisë europiane. Objekt i kulturës së saj, siç u pasqyrua kjo në letërsi, në art dhe në filozofi, u bënë natyra, individi njerëzor dhe nevojat e tij. Në fokus të kësaj kulture dhe të moralit të ri që u krijua bashkë me të u vu njeriu, me botën shpirtërore dhe me bukurinë fizike të tij, me interesat dhe marrëdhëniet e tij me natyrën, me shoqërinë dhe me vetveten. Rilindja shënoi rizbulimin e trupit njerëzor dhe të kënaqësive të tij.
Për shkak se fokusi i kësaj kulture të re u bë njeriu, ajo u quajt humaniste (nga latinishtja humanus - njerëzor). Njeriu u bë një individ shpirtëror dhe filloi ta shohë e ta kuptojë veten si të tillë, njëlloj si grekët, që e dalluan veten e tyre nga barbarët. Rilindja dhe Humanizmi ngritën lart arsyen njerëzore, vlerat dhe lirinë e individit, aftësitë e tij për kënaqësi fizike e shpirtërore, si dhe aftësitë e tij për përsosje të vazhdueshme. Në fakt, periudha e Rilindjes shënoi një ndarje nga kufizimet mesjetare të jetës në çdo aspekt - ekonomik, politik, artistik dhe erotik.
Ndër filozofët e parë humanistë që e artikuluan më qartë këtë vizion ishte Xhovani Piko dela Mirandola. Në veprën e tij të njohur Fjalimi mbi dinjitetin e njeriut, e konsideruar si “Manifesti i Rilindjes”, ai e përshkroi njeriun si një qenie të aftë në mënyrë unike për të krijuar fatin e vet. Ndryshe nga qeniet e tjera të gjalla, natyra e të cilave, sipas tij, ishte e përcaktuar nga një dizajn hyjnor, njeriu ka aftësinë dhe lirinë ta vendosë vetë fatin e tij përmes zgjedhjeve që bën dhe veprimeve të veta. Theksi që vihej tashmë tek individi kishte një rëndësi të madhe kulturore për kohën, sepse i orientoi interesimin, kërkimin dhe kreativitetin njerëzor te personaliteti individual dhe jeta emocionale e tij.
Ky vizion i ri humanist nuk u kufizua vetëm në arsyetime filozofike, në politikë e në art; ai u shtri edhe në sferën e privacisë, duke e ridimensionuar përvojën njerëzore mbi intimitetin dhe duke krijuar një kuptim të ri, më human mbi erosin. Deri atëherë, dashuria dhe seksualiteti shiheshin si shthurje morale dhe mëkat, ose si alegori shpirtërore; tanimë ato nisën të shihesh si shprehje jetike të individualitetit njerëzor, duke u bërë jo vetëm tema qendrore në letërsi, në filozofi dhe në artet pamore, por gjithnjë e më shumë edhe subjekte të kureshtjes njerëzore. Me pak fjalë, Rilindja rizbuloi kompleksitetin dhe bukurinë e dëshirave njerëzore dhe të trupit njerëzor, duke i zhvendosur ato nga periferia obskure e moralit mesjetar dhe e arsyetimeve teologjike, në qendër të vëmendjes dhe të jetës së njeriut dhe duke e bërë trupin e njeriut një objekt admirimi estetik.
Deri atëherë, kultura fetare mesjetare e kishte parë trupin me dyshim, si objekt tundimi dhe mëkati. Artistët e mëdhenj të Rilindjes, përkundrazi, rizbuluan idealin klasik të trupit njerëzor si një objekt bukurie, harmonie, vitaliteti dhe admirimi. Ky rivlerësim pasqyronte një ndryshim më të gjerë kulturor, duke bërë që përvoja shqisore dhe shprehja emocionale shiheshin tashmë gjithnjë e më shumë si aspekte legjitime të eksperiencës së jetuar njerëzore.
Piktorë si Sandro Botiçeli e pasqyruan elegancën sensuale të formës njerëzore në vepra si “Lindja e Venusit”. Paraqitja e hyjnisë që del nga deti evokon mitologjinë klasike, por edhe përfaqëson një vlerësim të ri estetik të trupit femëror. Në vend që figura e zhveshur e trupit të saj të shihej si simbol i mëkatit, Venusi i Botiçelit mishëron hirin, përmasën dhe harmoninë e trupit të femrës. Kjo vepër e tij ilustron më së miri mënyrën se si arti i Rilindjes e riktheu trupin në sferën e admirimit kulturor, duke i dhënë vendin e merituar bukurisë fizike brenda një kuadri mitologjik, alegorik dhe idealesh humaniste.
Po kështu, “Venusi i Urbinos” i Ticianos paraqet trupin femëror të zhveshur në një atmosferë intimiteti familjar. Kjo vepër gjithashtu e bën bukurinë erotike pjesë të botës reale e të marrëdhënieve të përditshme njerëzore. Figura e shtrirë, e realizuar me një realizëm dhe ndjeshmëri të lartë, shpreh një qasje të re artistike e kulturore që e çmon hapur sensualitetin njerëzor. Me këtë vepër, Ticiano nuk riprodhoi thjesht motivet klasike, por i riinterpretoi ato për një shoqëri që po bëhej gjithnjë e më gatshme t’i pranonte dëshirën dhe erosin si një tipar legjitim i natyrës njerëzore dhe që na japin kënaqësi estetike.
Skulptura gjithashtu luajti një rol vendimtar në këtë proces historik e kulturor rivlerësimi. “Davidi” i Mikelanxhelos e paraqiti trupin mashkullor si një monument të forcës, të dinjitetit e të potencialit njerëzor. Saktësia anatomike e trupit dhe përmasa monumentale e kësaj vepre të jashtëzakonshme mishërojnë bindjen e artistëve të Rilindjes se forma e trupit njerëzor ishte në vetvete një subjekt i denjë për admirim estetik. Trupi i zhveshur nuk ishte më një objekt turpi, por një simbol virtyti qytetar dhe madhështie njerëzore. Në një kuptim real të fjalës, me duart e tyre ata u dhanë formë vizuale ideve të reja të Rilindjes. Arti u bë kështu pasqyrë e filozofisë humaniste, duke i përkthyer idealet abstrakte të humanizmit, arsyes, shkencës dhe lirisë në imazhe të prekshme që e transformuan imagjinatën kulturore në të gjithë kontinentin.
Në Gjermani, një artist i shquar, si Albreht Dyrer, bashkoi në një idealet klasike me kërkimin shkencor, duke e konsideruar trupin e njeriut si një mrekulli të natyrës, por edhe si objekt studimi matematikor. Karakteristikë e artit të Rilindjes, siç u zhvillua ai në vendet e Europës Veriore, ishte se rizbulimi i trupit njerëzor u shpreh më pak përmes figurave nudo, të frymëzuara nga mitologjia, dhe më shumë përmes shprehjes intime të fytyrës, të gjesteve e të mjediseve familjare. Sidoqoftë, edhe në atë pjesë të kontinentit, impulsi themelor ishte i njëjtë - afirmimi i dinjiteti dhe vitalitetit të njeriut.
Nëse njeriu ishte një qenie autonome e dinjitoze, atëherë jeta e tij emocionale dhe erotike nuk mund të shihej më thjesht si burim tundimi apo si një mëkat moral. Ajo, përkundrazi, duhej parë si pjesë dhe shprehje e natyrës njerëzore dhe e aftësisë së njeriut për vetpërmbushje, për kënaqësi dhe lumturi. Me Bokaçion, Petrarkën dhe Pikonë letërsia dhe filozofia humaniste filluan të eksploronin temat e dashurisë e të përmbushjes personale me një intensitet të ri, duke i përfshirë dëshirën dhe erosin në kuadrin më të gjerë të krijimtarisë që ngrinte lart bukurinë dhe lirinë e njeriut.
Marsilio Fiçino, një tjetër filozof i shquar fjorentin, bashkëkohës i Pikosë, e zhvilloi më tej këtë perspektivë duke u mbështetur në traditën platonike. Në shkrimet e tij mbi dashurinë, Fiçino e interpretoi erosin si një forcë shpirtërore që jo vetëm i lidh njerëzit me njëri-tjetrin, por edhe i bashkon ata me bukurinë e kozmosit. Dashuria, sipas tij, nuk ishte thjesht një impuls fizik apo një çështje private, por edhe një energji dinamike që pasqyron harmoninë kozmike dhe e lartëson shpirtin e njeriut drejt formave më të larta të të kuptuarit të gjërave.
Fiçinos i atribuohet shprehja “dashuri platonike” (amore platonico), e cila u popullarizua kudo në Europën Perëndimore. Ky koncept pati një ndikim shumë të madh në letërsinë, filozofinë dhe, përgjithësisht, në historinë intelektuale të kontinentit. Ai u bë pjesë e debateve teologjike në Mesjetën e vonë dhe luajti një rol të rëndësishëm në etiketën e marrëdhënieve romantike gjatë Rilindjes, duke inspiruar shumë shkrimtarë, poetë, artistë dhe filozofë të asaj periudhe kudo në Europë, si Baldasar Kastilione, dhe atë traditë letrare të njohur si “Contra amorem”.
Rilindja transformoi edhe vetë ritualet shoqërore të shprehjes së pasionit e të dashurisë. Në oborret aristokratike të Europës nisën të shfaqen kode të reja qytetarie dhe kurorëzimi në martesë, që e lidhnin afeksionin romantik dhe dëshirën fizike me idealet e përsosjes intelektuale, me poezinë dhe vetëpërmbajtjen emocionale, siç përshkruhen ato në veprën e Kastiliones Libri i Oborrtarit.
Interpretimet e reja të dëshirës dhe erosit i dhanë kulturës së Rilindjes një gjuhë, përmes së cilës, dëshira dhe intimiteti mund të shiheshin njëherësh si tokësorë dhe si transcendentalë, si individuale dhe universale - me fjalë të tjera, jo si një dobësi morale, por si shprehje e aftësisë njerëzore për një jetë intime e dashurore në përputhje me natyrën dhe dëshirat e tij.
Ndikimi i Bokaçios dhe i Petrarkës u ndje fuqishëm te poetë të mëvonshëm të Rilindjes italiane, si Ludoviko Ariosto dhe Torkuato Taso. Ajo lëvizja kulturore dhe letrare që nisi në Itali me Danten, Bokaçion dhe Petrarkën u përhap dhe u zhvillua një dhe dy shekuj më vonë edhe përtej Italisë. Në Hollandë, Erazmi, njëri ndër humanistët më të shquar të Rilindjes, e vuri theksin te dinjiteti moral dhe intelektual i individit. Në veprën e tij kryesore, Lëvdimi i marrëzisë, ai ndërthuri dijen klasike me kritikën e mprehtë shoqërore, duke e nxitur me zgjuarsi dhe ironi lexuesin e kohës që të reflektonte mbi gjendjen njerëzore. Vepra e tij argumenton idenë se njeriu, përmes arsyes dhe reflektimit, mund ta krijonte vetë jetën e tij morale e shpirtërore.
Në Francë, Fransua Rabële, Mishel dë Montenj dhe, veçanërisht, Pier dë Ronsard dhe poetët e së ashtuquajturës Pléiade të shekullit të 16-të, huazuan modelin e Petrarkës për të krijuar mbi bazën e tij një lirizëm të ri, duke i bërë dëshirën dhe dashurinë tema të qenësishme në letërsinë e tyre kombëtare në gjuhën frënge.
Në Angli, Shekspiri e çoi përpara këtë traditë në komeditë e tij, ku dashuria paraqitet si forcë zgjuarsie, maskimi dhe negociimi shoqëror. Drama si, Shumë zhurmë për Asgjë dhe Nata e dymbëdhjetë, pasqyrojnë shpirtin argëtues të Bokaçios, duke i paraqitur gratë si inteligjente, të afta dhe duke u dhënë atyre një rol qendror në zhvillimin e komplotit romantik. Personazhet e dashuruar në veprat e Shekspirit, ashtu si dhe personazhet e Bokaçios, navigojnë mjeshtërisht e me humor në kufijtë e konvencioneve shoqërore të kohës duke krijuar një letërsi që e trajton dëshirën si argëtuese dhe thellësisht njerëzore. Komeditë e Shekspirit dëshmojnë se erosi mund të jetë një burim humori, por edhe një katalizator për reflektim më të thellë mbi identitetin dhe rendin shoqëror. Sonatat e tij të famshme dhe, në traditën e poezisë së Petrarkës, sonatat e Filip Sidnit, të botuara pas vdekjes së tij nën titullin Astrofeli dhe Stela, apo cikli i sonatave të Edmond Spenserit në vëllimin Amoretti, u kushtoheshn aspekteve shpirtërore të dashurisë.
Në Spanjë, Garsilaso de la Vega e përktheu dhe e përshtati traditën italiane duke e bërë sonetin një formë të re poetike kushtuar pasionin njerëzor. Pas tij, Servantesi, në kryeveprën e tij Don Kishoti, e trajtoi dashurinë me humor dhe me një ironi që të kujton Bokaçion, duke e vendosur erosin në një kontekst njëherësh satirik dhe realist. Ai parodizoi idealet kalorësiake të dashurisë oborrtare dhe, përmes përkushtimit absurd të protagonistit të veprës ndaj zonjës së imagjinuar Dulqina, nxjerr në pah hendekun mes fantazisë romantike dhe realitetit të jetuar. Dëshira bëhet kështu subjekt i kritikës komike, duke zbuluar rreziqet e iluzionit dhe marrëzinë e idealizimit të tepruar, por duke sugjeruar se edhe pasioni i gabuar pasqyron etjen njerëzore për kuptim dhe lidhje. Don Kishoti mund të thuhet se përfaqëson jo vetëm një vazhdimësi të gjuhës së Rilindjes mbi dëshirën, por edhe një transformim të saj. Nëse Bokaçio vuri në dukje zgjuarsinë dhe aftësinë për të krijuar e ruajtur marrëdhënie njerëzore, Servantesi nxori në pah ironinë dhe zhgënjimin.
Me këta poetë dhe shkrimtarë të njohur, gjuha e re e dëshirës që krijuan Bokaçio dhe Petrarka u bë një dukuri europiane, e cila, në mënyra të ndryshme, u huazua dhe u bë pjesë e traditës letrare kombëtare në shumë vende të kontinentit.
Humanizmi dhe zëri i grave
Me Rilindjen, gratë e klasës së lartë në Europë nisën të marrin një arsim më të mirë dhe, nën ndikimin e humanizmit, disa prej tyre, së bashku me shkrimtarë të kohës, krijuan vepra që synonin lartësimin e figurës femërore. Në këtë klimë, në shekullin e 15-të, në Francë nisi një debat i gjallë intelektual mbi natyrën, statusin, të drejtat e grave dhe rolin e tyre në shoqëri - “La Querelle des Femmes” - i cili u zgjerua edhe në Itali, në Gjermani, në Angli, në Hollandë e në Spanjë, dhe vijoi në të gjithë Europën për rreth katër shekuj.
Ai debat mund të thuhet se shënoi të parin episod të lëvizjes për barazinë gjinore në historinë europiane. Protagoniste të atij debati ishin kryesisht gra të arsimuara dhe shkrimtare si Kristin dë Pizan, Laura Çereta, Margerit de Navare dhe Moderata Fonte, të cilat i refuzuan hapur ideologjinë mesjetare dhe qëndrimet mizogjiniste ndaj grave, duke përhapur një frymë të re në kontinent.
Pjesë e atij debati në mbështetje të të drejtave të grave u bënë edhe shumë burra, figura të njohura, si André Tirahko në Francë, një jurist, politikan dhe humanist i njohur, i cili, duke trajtuar pozitën ligjore të pabarabartë të grave në martesë dhe në të drejtat pronësore e trashëgimore, i kontribuoi mjaft debatit në fjalë. Në Gjermani, Heinriç Kornelius Agripa, duke vënë në dukje dallimet mes seksit (si biologji) dhe gjinisë (si një konstrukt shoqëror) - një perspektivë mjaft moderne për kohën - argumentoi se gratë janë po aq të virtytshme, inteligjente e të barabarta në çdo gjë me burrat, në mos edhe superiore në krahasim me ta. Në Itali, shkrimtari humanist Bartolomeo Goxhio, në librin e tij Mbi meritat e grave, çmonte lart virtytet dhe dinjitetin e grave.
Përtej letërsisë, gra të emancipuara në atë kohë, edhe pse një dukuri e rrallë, luajtën rol të rëndësishëm në kulturën e Rilindjes. Isabela d’Este, si një patrone e arteve, dëshmoi se gratë mund të zhvillonin talentet e tyre artistike dhe të kishin zërin e tyre autoritar në jetën kulturore të shoqërisë. Vitoria Kolona, me sonatat e saj, mishëroi shpirtin rilindas të meditimit, ndërsa Veronika Franko pohoi dhe mbrojti me pasion dhuntitë intelektuale dhe pasionet erotike të grave dhe dinjitetin femëror në kushtet e një shoqërie që i kufizonte të gjitha këto. Figura të tilla, së bashku me debatin mbi gratë, i kontribuuan një ndryshimi gradual të imagjinatës morale, duke e bërë femrën gjithnjë e më të pranishme si një subjekt dëshire erotike dhe dinjiteti intelektual e moral.
Edhe pse strukturat patriarkale të shoqërisë mbetën të forta dhe gratë ishin ligjërisht, ekonomikisht e moralisht të nënshtruara, letërsia, filozofia dhe praktikat shoqërore të kohës krijuan një hapësirë publike të re, në të cilën autonomia, erotizmi dhe dinjiteti femëror tashmë mund të diskutoheshin. Kristine dë Pizan, me veprën Libri i Qytetit të Grave, ofroi një narrativë të fuqishme emancipuese kundër traditave mizogjiniste, duke argumentuar se pozita e nënshtruar e grave ishte jo produkt natyror, por rezultat i paragjykimeve shoqërore. Ky riorientim kulturor, natyrisht, nuk solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm në pozitën ekonomike e ligjore të grave, por mundësoi që gratë të imagjinoheshin tashmë si pjesëmarrëse aktive në jetën intelektuale e morale të shoqërisë.
Rilindja si prelud i emancipimit erotik
Rizbulimi letrar i dëshirës që filloi me “Dekameronin” e Bokaçios u shtri përtej tij. Duke e paraqitur dashurinë si një ndërveprim dinamik mes zgjuarsisë, pasionit dhe rrethanës, autorë të tjerë rilindas krijuan një gjuhë të re të intimitetit - një gjuhë që kremtonte agjencinë femërore dhe përqafonte kompleksitetin e emocioneve njerëzore. Nga sonetet e Petrarkës te kritikat e Erazmit, te komeditë e Shekspirit dhe kryevepra satirike e Cervantesit, kjo gjuhë formësoi imagjinatën kulturore të Europës, duke siguruar që erosi të vijonte evoluimin e tij në epokën e hershme moderne.
Nga një perspektivë më e gjerë historike, Rilindja mund të shihet si një fazë e hershme në procesin e gjatë që çoi përfundimisht në konceptet moderne të dashurisë romantike dhe të autonomisë personale. Ndryshimet e mëvonshme shoqërore - Reforma, Iluminizmi dhe ngritja e individualizmit modern - do i transformimin më tej organizimin shoqëror të seksualitetit dhe pozitën e grave. Megjithatë, Rilindja solli një ndryshim kulturor vendimtar: ajo vendosi përvojën njerëzore, krijimtarinë dhe jetën emocionale në qendër të eksporimit intelektual, duke bërë të mundura mënyra të reja për të imagjinuar marrëdhënien mes dashurisë, lirisë dhe individualitetit.
Historia e erosit në shoqërinë moderne nuk fillon me revolucionet seksuale të shekullit të 20-të, por me këtë zgjim kulturor, kur kultura europiane rizbuloi kompleksitetin e dëshirës njerëzore dhe eksploroi intimitetin përtej kanoneve të ngurta të moralit mesjetar. Duke kremtuar individualitetin, duke ringjallur idealet klasike të bukurisë dhe duke paraqitur dashurinë me realizëm dhe nuancë të paprecedentë, mendimtarët dhe artistët rilindas ofruan një mënyrë të re për kuptimin e intimiteti, të dëshira e të marrëdhënies mes burrit dhe gruas. Erotizmi argëtues i tregimeve të Boaçios, reflektimet filozofike të Fiçinos dhe idealet e rafinuara oborrtare të Kastiliones i çelën udhë një mjedis të ri kulturor, ku dashuria mund të imagjinohej më lirshëm dhe më njerëzisht.
Teoritë sociologjike dhe filozofike të mëvonshme ndihmojnë në ndriçimin e rëndësisë afatgjatë të këtyre zhvillimeve. Antony Gidens, për shembull, ka argumentuar se shoqëritë moderne gjithnjë e më shumë i organizojnë marrëdhëniet rreth komunikimit emocional dhe përmbushjes personale, duke përshkruar shfaqjen e “marrëdhënies së pastër”, të mbështetur nga kënaqësia e ndërsjellë dhe jo nga detyrimet e jashtme. Po kështu, Mishel Fuko vuri në dukje se shoqëritë moderne e transformuan seksualitetin në një dimension qendror të identitetit personal, duke transformuar mënyrën se si indivi i kupton dëshirat dhe vetveten. Vështruar nga kjo perspektivë, Rilindja shfaqet si një fazë e hershme në procesin e gjatë historik, përmes të cilit shoqëritë perëndimore gradualisht e riformuluan intimitetin. Këto zhvillime nuk krijuan menjëherë intimitetin modern, por hapën hapësirën kulturore ku idetë moderne mbi lirinë, individualitetin dhe jetën erotike mund të shfaqeshin e të zhvilloheshin më tej.
Në një plan të përgjithshëm mund të thuhet se ideali shoqëror i kulturës dhe i moralit të ri humanist ishte lartësimi i personalitetit njerëzor dhe mbrojtja e të drejtave të tij kundër privilegjeve feudale. Në këtë vështrim, është kuptimplotë vlerësimi që i ka bërë Engelsi Humanizmit të shekujve të 14-të dhe 15-të si “forma e parë e iluminizmit borgjez”. /Gazeta “Dita”/
Fjala dashuri Meriton shumë më tepër sesa një shkronjë të madhe Më shumë sesa një rimë të rëndomtë Me rimën budallaqe “gjithnji” Që është veç një pjesë e vockël e përjetësisë
Dashuria Meriton shumë më tepër sesa takimet e rastit midis asaj dhe teje Si të ishit fillikatë në botë Duke e sfilitur butësisht njëri-tjetrin
Dashuria është shumë më e gjerë Ajo meriton më shumë sesa ajo që ka ndodhur me të Ajo mori shkëmbimesh të vogla Midis njerëzish ku ti ndihesh në shoqëri të mirë Ai derivat i mynxyrshëm Kur e ashtuquajtura dashuri për të afërmin Shndërrohet në përdëllim të rremë Që shton pritjet për t’u kthyer prapë
Dashuria Meriton më shumë sesa ata mëshirë Që ngjall çdo dhimbje Para se ta mbyllë derën sërish
Dashuria Si një kalim midis dy brigjeve Ulja e saj e detyruar në tokë Kur gjithçka lahet mirë e mirë në ujë Ku gjithçka çlodhet
Inteligjenca satelitore në kohë reale po i bën goditjet e Ukrainës me dronë më vdekjeprurëse se kurrë.
Ky është një titull i fundit në Wall Street Journal. Artikulli shpjegonte se si imazhet satelitore komerciale po u dërgoheshin drejtpërdrejt forcave ukrainase, duke e shkurtuar ndjeshëm "ciklin nga sensori te goditja" [sensor-to-shoot cycle] dhe duke bërë të mundur që objektivat të zbuloheshin dhe të goditeshin brenda pak orësh - në vend të ditëve. "Të njëjtët satelitë që përdoren për të monitoruar peshkimin e paligjshëm dhe për të përditësuar Google Maps-in kanë gjetur një përdorim të ri dhe vdekjeprurës", thuhet në raport.
Për dekada me radhë, sfida me të cilën përballeshin shërbimet e sigurisë dhe inteligjencës ishte mbledhja e informacionit. Në orbitë kishte relativisht pak satelitë dhe sigurimi i imazheve ishte i kushtueshëm, ndërsa përpunimi i tyre ishte i vështirë. Ato duhej të transmetoheshin në Tokë, ku analizoheshin prej specialistëve, shqyrtoheshin prej shtabeve ushtarake dhe më pas shpërndaheshin te njësitë në terren.
Ky proces i jepte përparësi verifikimit dhe kontrollit - në vend të shpejtësisë - sepse gjerësia e brezit, fuqia kompjuterike dhe qasja në të dhënat satelitore ishin të kufizuara. Por, kjo tashmë ka ndryshuar plotësisht. Satelitët komercialë të vëzhgimit të Tokës, satelitët me radar me aperturë sintetike (SAR), si dhe platformat e tjera të sensorëve po gjenerojnë vëllime jashtëzakonisht të mëdha të dhënash. Pyetja tani nuk është më nëse mund të mbledhim informacion për atë që po ndodh në terren. Pyetja është nëse mund ta transmetojmë këtë informacion me shpejtësi, ta analizojmë menjëherë dhe të veprojmë mbi bazën e tij përpara se ai të humbasë vlerën ose të bëhet i vjetruar.
Modeli i vjetër i infrastrukturës së komunikimeve po e ka gjithnjë e më të vështirë të mbajë hapin me zhvillimet në sofistikimin e teknologjisë së sensorëve. Vlera e inteligjencës satelitore po përcaktohet gjithnjë e më pak nga sasia e të dhënave që zotëroni dhe gjithnjë e më shumë nga sasia e të dhënave që keni në dispozicion në kohën e duhur - me fjalë të tjera, nga shpejtësia me të cilën mund t'i shndërroni të dhënat e papërpunuara në informacion të zbatueshëm. Çdo teknologji që rrit kapacitetin e transmetimit të të dhënave, zvogëlon vonesën dhe mund të vazhdojë të funksionojë edhe në mjedise të kontestuara dhe të mbingarkuara - ndërkohë që hapësira po bëhet çdo ditë e më e mbushur dhe më e rrezikshme - po fiton rëndësi strategjike.
Komunikimet optike, për të dhënë një shembull, mund të transmetojnë sasi shumë më të mëdha të dhënash sesa komunikimet me radio, duke ulur njëkohësisht varësinë nga spektri i mbingarkuar dhe nga lidhjet me radiofrekuencë (RF) të cilat janë më të cenueshme ndaj ndërhyrjeve, përgjimeve dhe bllokimit elektronik.
Si edhe në shumë aspekte të tjera, Ukraina përbën një rast të dobishëm studimor.
Kompanitë komerciale që mbledhin, përpunojnë, analizojnë dhe shpërndajnë imazhe satelitore për të përmirësuar inteligjencën në fushën e betejës, tregojnë se kjo formë e inteligjencës nuk është më monopol i qeverive. Kjo i detyron qeveritë të rishqyrtojnë të gjithë qasjen e tyre ndaj mbledhjes së informacionit dhe arkitekturën mbi të cilën ajo mbështetet. Në veçanti, ato do të duhet të ndërtojnë sisteme të përshtatshme për një epokë në të cilën të dhënat janë të bollshme, ku një pjesë e madhe e tyre vjen nga burime jashtë shtetit, dhe ku transmetimi i shpejtë i tyre është më i dobishëm sesa grumbullimi i tyre brenda administratës qendrore.
Shpejtësia me të cilën mund të transmetohen të dhënat është e lidhur ngushtë me vlerën e tyre. Nëse merren në kohë, ato mund të jenë jashtëzakonisht të vlefshme. Nëse merren shumë vonë, mund të jenë të padobishme. Disa lloje të dhënash humbasin vlerën me çdo çast që kalon.
Kjo ka nxitur debate në qarqet e mbrojtjes dhe mes operatorëve komercialë lidhur me rastet kur shpejtësia duhet të ketë përparësi ndaj analizës njerëzore dhe kur analiza njerëzore duhet të ketë përparësi ndaj shpejtësisë. Për shembull, shpejtësia mund të ketë përparësi kur një satelit identifikon një lëshues raketash të lëvizshëm, vendndodhja e të cilit nuk do të jetë më e saktë nëse të dhënat mbërrijnë me vonesë. Nga ana tjetër, analiza mund të ketë përparësi kur imazhet duket se tregojnë një objektiv ushtarak me rëndësi në afërsi të civilëve. Në atë rast, veprimi i shpejtë mbi bazën e një identifikimi të gabuar mund të jetë më i dëmshëm sesa veprimi më i ngadaltë pas verifikimit nga njeriu.
Ekziston edhe një aspekt tjetër i gjithë kësaj: nëse kompanitë e teknologjisë hapësinore e dinë se të dhënat që mbledhin mund të transmetohen, përpunohen dhe analizohen shpejt, ato do të kenë më shumë gjasa të investojnë në zhvillimin e teknologjive që përdoren për mbledhjen e të dhënave. Në kushtet aktuale, ka pak kuptim nga pikëpamja komerciale ql të investohet shumë në përmirësimin e cilësisë së disa sensorëve, nëse të dhënat e mbledhura nuk do të transmetohen mjaftueshëm shpejt për të ruajtur vlerën e tyre. Investimi në segmentin tokësor - me fjalë të tjera, në teknologjitë që i bëjnë këto të dhëna të përdorshme - ka pasoja të rëndësishme për gjithçka në rrjedhën e sipërme të saj.
E ardhmja e inteligjencës ushtarake dhe satelitore nuk varet nga ai që mbledh më shumë të dhëna, madje as nga ai që mbledh të dhënat me cilësinë më të lartë, por nga ai që mund t'i transmetojë, përpunojë, analizojë dhe shpërndajë ato në mënyrë të sigurt dhe të besueshme te njerëzit që varen prej tyre për të marrë vendime.
Edhe pse është bërë klishe të thuhet se jetojmë në një kohë të rrezikshme, kjo mbetet e vërtetë. Dhe, pikërisht për këtë arsye, qeveritë që përqafojnë mënyra për t'i sjellë të dhënat në Tokë, shpejt dhe në mënyrë të sigurt - e më pas t'ua vënë ato në dispozicion njerëzve që kanë rëndësi - do të kenë një epërsi të jashtëzakonshme ndaj kundërshtarëve të tyre. /Telegrafi/
Pavarësisht pretendimeve të Anthropic-ut, Claude nuk ka më shumë gjasa të arrijë ndërgjegjen sesa një simulim i një sistemi meteorologjik ka gjasa të krijojë një uragan të vërtetë.
Nga: Anil Seth, profesor i neuroshkencës kognitive dhe kompjuterike në Universitetin e Saseksit / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Për shekuj me radhë, njerëzit kanë qenë të magjepsur nga mundësia e krijimit të qenieve artificiale sipas shëmbëlltyrës sonë. Nga zhvillimi i mendjeve sintetike dhe trupave artificialë që jo vetëm mendojnë, por edhe ndiejnë, duke qenë njëkohësisht inteligjentë dhe të ndërgjegjshëm. Për pjesën dërrmuese të kësaj periudhe, kjo mundësi dukej shumë e largët; një temë e letërsisë së fantashkencës dhe e filozofisë, jo diçka që i përkiste realitetit të së tashmes. Por, gjatë viteve të fundit, ngritja e shpejtë e IA-së [inteligjenca artificiale] - dhe veçanërisht e modeleve gjuhësore - ka ndryshuar gjithçka.
Javën e kaluar, kompania kryesuese e inteligjencës artificiale, Anthropic, publikoi një studim të ri mbi modelin e saj gjuhësor, Claude, në të cilin studiuesit pretenduan se kishin gjetur shenja të shfaqjes së ndërgjegjes brenda mekanizmave të tij të brendshëm. Ata nuk pohuan se Claude-i është vërtet i ndërgjegjshëm, në të njëjtën mënyrë si njerëzit, por gjetjet e tyre e forcuan ndjeshëm mundësinë që ndërgjegjja mund të lindë edhe në sistemet e IA-së.
Këto ditë ekziston një klimë gjithnjë e më e favorshme për këtë mënyrë të menduari. Richard Dawkins, biologu i njohur evolucionist, arriti së fundmi në përfundimin se Claude-i (ose Claudia, siç e quajti ai) duhet patjetër të jetë i ndërgjegjshëm, duke pasur parasysh nivelin e lartë të aftësive të tij biseduese.
Rëndësia e kësaj çështjeje është jashtëzakonisht e madhe. Nëse IA-ja është - ose mund të bëhet - e ndërgjegjshme, pasojat do të ishin tronditëse. Sistemet e ndërgjegjshme të IA-së mund të jenë të afta të vuajnë, gjë që do të krijonte një katastrofë të paprecedentë morale. Dhe, nëse një sistem i ndërtuar mbi silicin mund të ketë përjetime të ndërgjegjshme, atëherë ndoshta truri dhe trupi ynë biologjik, me gjithë cenet e tyre, së shpejti do të zëvendësohen prej makinave që nuk plaken dhe nuk vdesin kurrë. Madje, disa mendojnë se IA-të do të jenë pasardhësit tanë, duke e çuar flakën e ndërgjegjes shumë larg në të ardhmen dhe përtej galaktikës.
Në thelb, gjetjet e tyre duket se tregojnë se IA-ja po krijon në mënyrë spontane një hapësirë të brendshme për të “menduar” rreth asaj që po bën dhe për të organizuar informacionin përkatës, përpara se të vendosë se çfarë të thotë në të vërtetë në përgjigje të një kërkese të caktuar.
Pika thelbësore për studiuesit ishte se këto karakteristika janë të ngjashme me ato të identifikuara nga një prej teorive më të spikatura bashkëkohore të ndërgjegjes njerëzore: teoria e hapësirës globale të punës. Kjo teori u prezantua në vitet ‘80 të shekullit XX, nga shkencëtari kognitiv Bernard Baars, ndërsa u zhvillua më tej gjatë shumë vitesh nga neuroshkencëtari Stanislas Dehaene. Teoria propozon se përvojat e ndërgjegjshme ndodhin kur informacioni bëhet gjerësisht i qasshëm për pjesët e tjera të trurit.
A është “hapësira e punës” brenda Claude-it një provë bindëse për ndërgjegjen? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari duhet të përcaktojmë se çfarë është ndërgjegjja. Nuk ka konsensus për këtë, por një pikënisje e mirë vjen nga filozofi Thomas Nagel. Pesëdhjetë vjet më parë, në esenë e tij What Is It Like to Be a Bat? [Si është të jesh një lakuriq nate?], ai argumentoi se, për një organizëm të ndërgjegjshëm, “ekziston diçka që do të thotë të jesh ai organizëm”. Është përjetim të jesh unë, është përjetim të jesh ti dhe, me shumë gjasë, është përjetim të jesh qen ose elefant. Por, nuk është përjetim të jesh karrige, tavolinë apo një person nën anestezi të përgjithshme të thellë. Ndërgjegjja është çdo lloj përvoje, çfarëdo qoftë ajo: dhimbja e një dhëmbi, një therje xhelozie, kënaqësia e ngrënies së një akulloreje në një ditë të nxehtë.
Pasojë e rëndësishme e këtij përkufizimi është se ndërgjegjja është e ndryshme nga inteligjenca. Teksa ndërgjegjja ka të bëjë me të ndierit dhe të qenit, inteligjenca ka të bëjë me të vepruarit - me kryerjen e funksioneve të një lloji ose të një tjetri. Një gabim i zakonshëm që njerëzit bëjnë kur bëhet fjalë për IA-në është ngatërrimi i këtyre të dyjave - marrja e shenjave të inteligjencës si dëshmi të ndërgjegjes. Por, vetëm sepse ndërgjegjja dhe inteligjenca shkojnë së bashku te njerëzit, kjo nuk do të thotë se ato shkojnë së bashku në përgjithësi. Të supozosh se është kështu është një pasqyrim i psikologjisë sonë, jo një kuptim i natyrës së realitetit.
Kjo është një nga arsyet se pse studimi i ri i Anthropic-ut është i vlefshëm. Ai nuk mbështetet vetëm te paragjykimet tona psikologjike. Përkundrazi, ai shkon më thellë për të kërkuar shenja të procesimit të ndërgjegjshëm të informacionit - që mund të jenë të përbashkëta për njerëzit dhe makinat. Dhe, pretendon se ka gjetur disa të tilla.
E gjithë kjo është diçka tërheqëse, por ende ka shumë dallime midis Claude-it dhe teje e meje, si edhe arsye të forta për të menduar se këto dallime mbeten kritike. Së pari, gjetjet e Anthropic-ut nuk përmbushin plotësisht atë që teoria e hapësirës globale të punës zakonisht kërkon (për shembull, te Claude-i mungon aktiviteti rikthyes, një lloj i veçantë qarku të informacionit me rikthim të cilin e vërejmë në trurin e njeriut). Por, ekziston një dallim edhe më bazik: Claude-i është program kompjuterik që funksionon mbi silic, ndërsa ne (dhe kafshët e tjera të ndërgjegjshme) jemi qenie të gjalla. Truri ynë është i mishëruar në trupat tanë, të cilët janë të vendosur në botën që na rrethon.
Pse është i rëndësishëm ky dallim? Sepse vetë mundësia e ekzistencës së IA-së me ndërgjegje varet nga supozimi se ndërgjegjja është çështje llogaritjeje dhe se llogaritjet përgjegjëse për ndërgjegjen në ne mund të zbatohen po aq mirë edhe mbi silic - në sistemet e IA-së.
Por, sa më nga afër t'i studiojmë trutë e vërtetë, aq më e qartë bëhet se ata nuk janë thjesht kompjuterë të bërë prej mishi. Në rastin e trurit, ndryshe nga kompjuterët, nuk mund të ndahet qartë ajo që ai bën (softueri) nga ajo që ai është (hardueri). Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se mënyra se si funksionon truri nuk ka gjasa të jetë vetëm çështje llogaritjeje, pasi aftësia për të ndarë softuerin nga hardueri është bazike për mënyrën se si funksionojnë kompjuterët modernë.
Diku gjatë rrugës, duket se kemi harruar se kompjuteri është vetëm një metaforë për trurin. Një metaforë e fuqishme, pa dyshim, por gjithsesi një metaforë. Dhe, gjithmonë do të hasim vështirësi kur ngatërrojmë metaforën me vetë objektin që ajo përfaqëson - hartën me territorin.
Për mua, ajo që tregon studimi i ri i Anthropic-ut është se si trutë e gjallë ashtu edhe kompjuterët me bazë silici mund të arrijnë në zgjidhje të ngjashme kur përballen me probleme të ngjashme. Ashtu siç fluturimi është i mundur me krahë, ashtu edhe me motorë reaktivë, edhe truri i njeriut dhe modelet gjuhësore mund të gjejnë mënyra për të prodhuar pohime bindëse, qoftë me ndërgjegje (truri), qoftë pa të (modele gjuhësore). Por, përpunimi i informacionit që zhvillohet brenda Claude-it nuk ka më shumë gjasa të prodhojë ndërgjegje sesa një simulim i një sistemi meteorologjik ka gjasa të krijojë një uragan të vërtetë.
Sistemet e IA-së po bëhen çdo ditë e më të fuqishme. Por, nëse duam të kemi mundësinë më të mirë për të orientuar veten në këtë botë të re, duhet të kujtojmë se sa të ndryshëm jemi nga krijimet tona pothuajse magjike. Kur ua atribuojmë mendjet tona makinave, me kaq lehtësi, jo vetëm që i mbivlerësojmë ato, por edhe e nënvlerësojmë veten. /Telegrafi/
Rreth romanit “Sërish në Alpbah” të Halil Bashotës
Romani “Sërish në Alpbah” i Halil Bashotës është një vepër me frymë bashkëkohore evropiane, në të cilën përvoja personale, kujtesa historike, dashuria, identiteti dhe shqetësimet politike ndërthuren në një rrëfim të përmbajtur, refleksiv dhe emocionalisht të ngarkuar. I vendosur kryesisht në mjedisin ndërkombëtar të Alpbahut austriak, romani nuk kufizohet në paraqitjen e një historie dashurie apo në rindërtimin letrar të disa ngjarjeve të përjetuara. Ai synon të shqyrtojë njëkohësisht fatin e individit dhe të bashkësisë, marrëdhënien ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes, si dhe vendin e Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirën politike, kulturore dhe shpirtërore të Evropës.
Vetë titulli, “Sërish në Alpbah”, bart një kuptim që shkon përtej rikthimit fizik në një vend të njohur. Fjala “sërish” nënkupton kthimin në kujtesë, në një përvojë që nuk është përmbyllur, në ndjenja të mbetura pezull dhe në pyetje që koha nuk ka arritur t’i shuajë. Rikthimi në Alpbah është, rrjedhimisht, edhe një rikthim te vetvetja. Ai bëhet përpjekje për ta kuptuar të kaluarën, për t’i dhënë kuptim së tashmes dhe për ta imagjinuar të ardhmen nga një këndvështrim më i pjekur.
Midis përvojës autobiografike dhe imagjinatës letrare
Një nga veçoritë më të rëndësishme të romanit është ndërthurja e elementit autobiografik me atë fiksional. Halil Bashota ka doktoruar në Vjenë në fushën e letërsisë amerikane dhe ka marrë pjesë në takime e forume të zhvilluara në Alpbah, ku janë diskutuar çështje të politikës ndërkombëtare, të Evropës, të Ballkanit dhe të Kosovës. Kjo përvojë jetësore përbën një nga burimet themelore të botës së romanit.
Megjithatë, “Sërish në Alpbah” nuk është autobiografi në kuptimin e ngushtë të fjalës. Përvoja personale është përpunuar, riorganizuar dhe shndërruar përmes imagjinatës artistike. Autori nuk e riprodhon jetën mekanikisht, por e rikrijon atë nëpërmjet personazheve, situatave, dialogëve dhe simbolikës së hapësirës. Në këtë kuptim, romani mund të lexohet si një formë e autofiksionit, ku kufiri ndërmjet faktit dhe trillimit mbetet qëllimisht i hapur.
Personazhi i Stilit mbart disa karakteristika që mund të lidhen me përvojën intelektuale, akademike dhe ndërkombëtare të autorit. Mirëpo Stili nuk duhet identifikuar plotësisht me Halil Bashotën. Ai është një konstrukt letrar, një vetëdije narrative përmes së cilës përvoja e autorit fiton kuptime më të gjera. Në figurën e tij bashkohen intelektuali shqiptar, pjesëmarrësi në dialogun evropian, dëshmitari i historisë së afërt të Kosovës dhe njeriu që përpiqet të kuptojë jetën e vet emocionale.
Kjo distancë ndërmjet autorit dhe personazhit i jep romanit liri artistike. Përvoja individuale bëhet përfaqësuese e një brezi të tërë intelektualësh shqiptarë që kanë studiuar jashtë vendit, kanë hyrë në kontakt me kultura të ndryshme dhe janë përpjekur ta paraqesin Kosovën para botës jo vetëm përmes historisë së saj tragjike, por edhe përmes kulturës, dijes dhe argumentit.
Alpbahu si hapësirë reale dhe metaforike
Në roman, Alpbahu nuk është vetëm sfondi ku zhvillohen ngjarjet. Ai fiton peshën e një personazhi të veçantë. Është një hapësirë takimi ndërmjet njerëzve, kulturave, kujtimeve dhe ideve politike. Në të njëjtën kohë, ai është vend i dashurisë, i vetëzbulimit, i dilemave dhe i përballjes me të kaluarën.
Personazhet që mbërrijnë në Alpbah dalin përkohësisht nga mjediset e tyre të zakonshme dhe vendosen në një hapësirë ndërkombëtare ku identitetet kombëtare nuk zhduken, por vihen në dialog. Shqiptarë, austriakë, serbë, kroatë, boshnjakë, malazezë, polakë dhe pjesëmarrës nga vende të tjera takohen në salla konferencash, në hotele, në kafene dhe në biseda joformale. Në këto takime, Evropa nuk paraqitet si një nocion abstrakt institucional, por si bashkëjetesë e vështirë, por interesante dhe dramatike e kujtimeve dhe përvojave të ndryshme.
Kjo shfaqet qartë në takimin e Stilit me Majën, vajzën e re serbe, e cila përshkruhet si një njeri me “mentalitet shumë të përparuar” (fq.47), pa urrejtjen etnike që vazhdon t’i ndajë popujt e Ballkanit. Ajo e kritikon qasjen hegjemoniste të Beogradit dhe shoqërohet lirshëm me kolegët shqiptarë. Në këtë episod, marrëdhënia njerëzore bëhet një kundërpeshë ndaj paragjykimeve kolektive. Stili dhe Maja largohen nga simpoziumi për të pirë kafe, duke zgjedhur dialogun e drejtpërdrejtë në vend të fjalimeve formale.
Edhe tema e teknologjisë, e përmendur në bisedën e tyre, fiton një domethënie të veçantë. Kur Stili thotë se “ekspertët flasin për teknologjitë e reja, të cilat do të jenë të integruara në sisteme të ndryshme inteligjente” (fq. 47), romani krijon një lidhje ndërmjet së ardhmes teknologjike dhe një rajoni që ende përpiqet të çlirohet nga konfliktet e së kaluarës. Modernizimi teknik nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me përparim moral, kulturor dhe njerëzor.
Dashuria si njohje dhe sprovë njerëzore
Në qendër të romanit ndodhet edhe marrëdhënia ndërmjet Stilit dhe Matildës. Dashuria e tyre lind në një mjedis të panjohur, larg përditshmërisë së zakonshme dhe brenda një atmosfere ku takimet duken njëkohësisht të rastësishme dhe të paracaktuara. Megjithatë, dashuria në këtë roman nuk paraqitet si një strehë romantike që i zgjidh të gjitha problemet. Ajo është një sprovë e ndërsjellë, një mënyrë për ta parë dhe kuptuar tjetrin në thellësi.
Një gjest i vogël, si ai i Matildës që ia mbështet dorën Stilit gjatë diskutimit për traumën e Kosovës, bëhet më domethënës se një deklaratë e gjatë sentimentale. Kur Stili dëgjon për një dhimbje “që e ka bartur në lëkurë” (fq.94), Matilda e vëren ndryshimin e tij dhe, “pa e kuptuar, ia mbështeti dorën lehtë, një gjest i vogël, instinktiv, që thoshte pa fjalë se ai nuk ishte vetëm në atë çast” (fq. 94).
Ky është një nga momentet më të ndjeshme të romanit. Historia kolektive hyn në marrëdhënien intime, ndërsa dashuria bëhet aftësi për ta njohur dhe për ta mbajtur dhimbjen e tjetrit. Heshtja dhe prekja marrin funksionin e një gjuhe më të thellë se fjala. Nëpërmjet kësaj afërsie, romani tregon se dashuria e vërtetë nuk është harrim i së kaluarës, por gatishmëri për ta përballuar atë së bashku.
Kujtesa, arti dhe përballja me të kaluarën
Një nga shtresat më të realizuara të romanit është reflektimi mbi kujtesën historike dhe rolin e artit. Biseda ndërmjet Matildës dhe Veronikës për kulturën dhe kujtesën në Evropën Qendrore shndërrohet në një nga nyjat ideore të veprës.
Matilda pohon se shoqëritë shqiptare bartin një “kujtesë të mbingarkuar” (fq.75), ku “çdo ngjarje, çdo vit, çdo përvjetor na rikthen në dhimbjen e një kohe që s’duam ta harrojmë, por që s’dimë si ta jetojmë ndryshe”. (fq. 75). Kjo fjali prek një problem thelbësor të shoqërive që kanë kaluar luftëra dhe përplasje politike: si të ruhet kujtesa pa u burgosur prej saj dhe si të dëshmohet dhimbja pa e shndërruar atë në burim të një urrejtjeje të re.
Përgjigjja që ofron romani lidhet me artin, letërsinë dhe rrëfimin e ndershëm. Matilda shprehet: “Ne flasim për paqe, por çdo kujtesë është një plagë që ende pikon. Ndonjëherë kam përshtypjen se e vetmja mënyrë për ta shëruar është duke e treguar… me art, me letërsi, me ndershmëri.” (fq.75).
Këtu mund të gjendet edhe një lloj poetike e vetë romanit. “Sërish në Alpbah” është pikërisht një përpjekje për ta treguar përvojën: për ta kthyer kujtesën personale dhe kolektive në rrëfim, jo që dhimbja të zhduket, por që ajo të bëhet e komunikueshme dhe e përballueshme.
Veronika e përforcon këtë ide kur thotë se “arti është mënyra më e ndershme për të folur për të vërtetën”, sepse “politika tenton ta mbulojë realitetin, ndërsa arti e zhvesh, pa mëshirë, por edhe me dashuri” (fq. 77). Ky formulim përmbledh tensionin kryesor ndërmjet artit dhe politikës. Politika shpesh kërkon ta kontrollojë ose ta përshtatë të vërtetën, ndërsa arti synon ta zbulojë atë në gjithë ndërlikueshmërinë e saj.
Po aq domethënëse është edhe thënia: “Arti nuk shëron dhimbjen duke e zhdukur, por duke e bërë të durueshme.” (fq. 77).
Kjo ide e largon romanin nga optimizmi i lehtë. Arti nuk premton mrekulli dhe nuk e fshin traumën. Ai krijon një formë përmes së cilës njeriu mund ta njohë, ta ndajë dhe ta përballojë dhimbjen. Prandaj konstatimi se “pa art nuk ka Evropë, nuk ka kujtesë, nuk ka njeri” nuk është vetëm një deklaratë për rëndësinë e kulturës. Është pohim se një Evropë pa kujtesë kulturore dhe pa ndjeshmëri njerëzore do të mbetej vetëm një strukturë administrative.
Kosova në hapësirën evropiane
Dimensioni politik dhe diplomatik zë një vend të rëndësishëm në roman. Diskutimet për pavarësinë e Kosovës, ndërhyrjen e NATO-s, shtetndërtimin, bashkëjetesën ndëretnike dhe integrimin evropian i japin veprës një karakter dokumentar dhe historik.
Megjithatë, këto pjesë nuk funksionojnë vetëm si rikujtim i debateve të një periudhe të caktuar. Ato tregojnë se si një vend i vogël dhe një popull me përvojë të rëndë historike përpiqen ta artikulojnë të drejtën e tyre për liri dhe shtetësi në një forum ndërkombëtar.
Në diskutimin për organizimin e një mbrëmjeje shqiptare, personazhet shprehin dëshirën që Shqipëria dhe Kosova të paraqiten si më shumë se “lajme politike”. Kryeministri Çeku e përmbledh këtë ide me fjalët: “Kultura shpesh arrin aty ku politika nuk mundet.” (fq. 88).
Ndërsa Stili propozon një panel për historinë dhe kulturën shqiptare, në mënyrë që pjesëmarrësve t’u tregohet “se sa afër Evropës jemi edhe në mënyrën si mendojmë, e jo vetëm në hartë”. Kjo është një nga idetë qendrore të romanit. Përkatësia evropiane nuk përcaktohet vetëm nga gjeografia ose nga vendimet institucionale. Ajo dëshmohet përmes kulturës, mendimit kritik, respektit ndaj tjetrit dhe aftësisë për të marrë pjesë me dinjitet në dialogun ndërkombëtar.
Pohimi se “shtetësia nuk është vetëm shpallje. Është funksionim” (fq. 96) e zhvendos diskutimin nga simbolika e pavarësisë drejt përgjegjësisë institucionale. Shteti nuk ndërtohet vetëm me deklarata, por me sundim të ligjit, institucione efikase, luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Në të njëjtën frymë, paralajmërimi se “Kosova nuk duhet të bëhet projekt i ngrirë. Duhet të bëhet shtet funksional” (fq. 97) e vendos pavarësinë jo në fundin, por në fillimin e një procesi të gjatë politik, institucional, etik dhe moral.
Në këto skena, romani i afrohet herë pas here kronikës, esesë politike dhe dëshmisë historike. Dialogët bartin një dendësi të madhe idesh dhe personazhet shpesh bëhen zëdhënës të qëndrimeve të ndryshme politike. Por kjo prirje është në përputhje me natyrën e hapësirës ku zhvillohet rrëfimi: Alpbahu është forum idesh, vend ku jeta private dhe çështjet ndërkombëtare ndërthuren vazhdimisht.
Dialogu ndërkulturor dhe tejkalimi dhe kundërshtimi i urrejtjes
Romani nuk e paraqet Ballkanin vetëm si hapësirë konflikti. Përkundrazi, ai përpiqet të krijojë mundësinë e një gjuhe të re rajonale, të mbështetur në mirëkuptim, argument dhe pranimin e dhimbjes së tjetrit.
Kur Filipi thotë se “e vërteta s’del pa dhimbje” fq. 98) dhe se, nëse popujt e Ballkanit duan të jetojnë në Evropë, duhet “të mësojnë të pranojnë të vërtetat e njëri-tjetrit, edhe kur na dhembin”, romani formulon një etikë të bashkëjetesës. Pa pranimin e së vërtetës nuk mund të ketë pajtim të sinqertë. Por, ky pranim nuk kërkon që individët të heqin dorë nga kujtesa e tyre, kërkon që kujtesa të mos përdoret si armë kundër tjetrit.
Një mendim veçanërisht i goditur shprehet në fjalët e Filipit në vijim: “Ballkani nuk e ka luksin të jetojë me urrejtje të reja. Të gjitha kombet tona kanë kaluar nëpër të njëjtën derë. Ndryshon vetëm dhoma ku përfunduam.” (fq.100)
Metafora e derës dhe e dhomave është e fuqishme. Popujt e Ballkanit kanë kaluar përvoja të ngjashme të dhunës, shtypjes, copëtimit dhe krizës së identitetit, edhe pse secili ka përfunduar në rrethana të ndryshme historike. Njohja e kësaj afërsie nuk i barazon viktimat dhe përgjegjësitë, por mund të krijojë një bazë për mirëkuptim, paqe dhe solidaritet.
Stili, nga ana e tij, përpiqet ta ndërtojë argumentin për ndërhyrjen ndërkombëtare mbi raportin ndërmjet sovranitetit shtetëror dhe mbrojtjes së jetës njerëzore. Ai e bën të qartë se kundërshtimi i politikës kriminale nuk është kundërshtim i një populli. Kjo qasje e matur e dallon dialogun nga propaganda dhe e vendos forcën e argumentit mbi forcën e zemërimit.
Gjuha, dialogu dhe atmosfera psikologjike
Proza e Halil Bashotës është kryesisht e qartë, komunikuese dhe e orientuar drejt reflektimit. Rrëfimi zhvillohet përmes ndërthurjes së përshkrimit, dialogut dhe vëzhgimit psikologjik. Dialogët nuk shërbejnë vetëm për ta çuar përpara ngjarjen; ata zbulojnë botëkuptimet, kujtimet, konfliktet dhe aspiratat e personazheve.
Autori i kushton rëndësi edhe gjesteve të vogla: një shikimi, një buzëqeshjeje, mënyrës së mbajtjes së një gote, ndryshimit të fytyrës ose heshtjes që pason një deklaratë të rëndë. Pikërisht këto hollësi i japin rrëfimit ndjeshmëri dhe e pengojnë atë të shndërrohet tërësisht në debat idesh.
Në roman krijohet vazhdimisht një kontrast ndërmjet qetësisë së jashtme të Alpbahut dhe trazimit të brendshëm të personazheve. Peizazhi alpin, sallat e rregullta të konferencave dhe atmosfera elegante evropiane qëndrojnë përballë kujtimeve të luftës, humbjes, shpërnguljes dhe pasigurisë. Ky kontrast e shton tensionin emocional: historia e dhimbshme e Ballkanit diskutohet në një vend që duket i qetë dhe i mbrojtur nga tronditjet e saj.
Romani përmban gjithashtu një dimension polifonik. Personazhet vijnë nga vende dhe kultura të ndryshme, ndërsa secili sjell një mënyrë të veçantë të të parit të historisë. Përdorimi i herëpashershëm i anglishtes e përforcon atmosferën ndërkombëtare dhe realizmin e forumit. Gjuhët ndërthuren ashtu siç ndërthuren edhe identitetet, por shqipja mbetet qendra emocionale dhe narrative e veprës.
Një roman për rikthimin dhe përgjegjësinë
“Sërish në Alpbah” mund të lexohet si roman i dashurisë, i kujtesës, i diplomacisë kulturore dhe i formimit intelektual. Mbi të gjitha, ai është roman i rikthimit: rikthim në një vend, në një kohë, në një marrëdhënie dhe në një përvojë historike që vazhdon të kërkojë kuptim.
Vlera e veprës qëndron në aftësinë e saj për ta lidhur historinë personale me atë kolektive. Stili dhe Matilda nuk janë të shkëputur nga bota ku jetojnë. Dashuria, frika, malli dhe shpresa e tyre ndikohen nga historia e Kosovës, nga transformimet e Evropës dhe nga dilemat e një brezi që ka jetuar ndërmjet luftës dhe paqes, izolimit dhe hapjes, kujtesës traumatike dhe dëshirës për një fillim të ri.
Romani na kujton se identiteti nuk ndërtohet vetëm nga vendi prej nga vijmë, por edhe nga mënyra se si hyjmë në marrëdhënie me të tjerët. Evropa që paraqitet në këtë vepër nuk është një hapësirë e përfunduar dhe e pajtuar me vetveten. Ajo është një projekt i papërfunduar, i cili duhet të rindërtohet vazhdimisht përmes kujtesës, kulturës, dialogut dhe përgjegjësisë.
Për mua, që e kam njohur Halil Bashotën fillimisht si student dhe më pas si koleg, botimi i këtij romani përbën një dëshmi të çmuar të formimit të tij intelektual, krijues, artistik dhe letrar. Përvoja akademike, njohja e mjedisit vjenez dhe pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare nuk paraqiten në vepër si të dhëna të jashtme biografike, por janë shndërruar në materie letrare. Ato ushqejnë personazhet, dialogët, atmosferën dhe vizionin evropian të romanit.
Me “Sërish në Alpbah”, Halil Bashota ka krijuar një vepër që dëshmon se letërsia mund të jetë njëkohësisht intime dhe politike, autobiografike dhe fiksionale, kombëtare dhe evropiane. Romani nuk kërkon vetëm të tregojë se çfarë ka ndodhur. Ai pyet se si duhet ta kujtojmë atë që ka ndodhur, si mund të jetojmë me plagët e historisë dhe si mund ta ndërtojmë të ardhmen pa e mohuar të kaluarën.
Në këtë kuptim, rikthimi në Alpbah nuk është kthim pas. Është një ecje përpara përmes kujtesës. Është kthim te vendi ku individi e kupton më qartë veten, tjetrin dhe përgjegjësinë e tij ndaj botës. Pikërisht këtu qëndron një nga mesazhet më të qëndrueshme të romanit: e ardhmja nuk ndërtohet duke harruar, por duke e shndërruar kujtesën në mirëkuptim, kulturën në urë dhe fjalën në përgjegjësi.
Kemi kaluar një diktaturë pa e dokumentuar e gjykuar si duhet; sot jetojmë pasojat e saj dhe prodhojmë të reja.
Hannah Arendt, mendja që e bëri të dukshme mënyrën si e keqja bëhet e zakonshme, është filozofja që e ktheu të menduarit në akt moral. Ajo nuk ndjek gjurmën; ajo zbulon mekanizmin: si e keqja bëhet më e rrezikshme kur banalizohet, kur shfaqet si zakon, si procedurë, si diçka që nuk të trondit më. Ajo e pa çastin kur shoqëria pushon së menduari dhe krimi duket si normalitet, ndërsa e drejta humbet vlerë.
Simon Wiesenthal, njeriu që e ktheu kujtesën në drejtësi dhe drejtësinë në detyrë morale. Ai na mësoi se e keqja nuk mposhtet pa dokumentim dhe pa përgjegjësi. Për të, drejtësia ishte një proces i plotë: faktet duhen mbledhur, institucionet duhet të hetojnë, gjykatat të gjykojnë, fajtorët të dalin para ligjit. Pa këtë zinxhir - dokumentim → hetim → gjykim → përgjegjësi - e keqja përsëritet. Vetëm kështu viktimat nuk “vdesin dy herë”.
Arendt dhe Wiesenthal bashkohen te përgjegjësia morale e njeriut përballë së keqes. Nëse do të na shihnin sot, Arendt do të pyeste si e kemi normalizuar të keqen, ndërsa Wiesenthal do të pyeste pse mungon dokumentimi dhe përgjegjësia. Dhe, të dy bashkë do të na kujtonin se një shoqëri që nuk sqaron të shkuarën, e humb të tashmen dhe e mjegullon të ardhmen.
I. Kur e keqja bëhet zakon
Ka një çast kur e keqja nuk vjen më si kërcënim. Vjen si zakon. Si procedurë. Si diçka që nuk të trondit më.
Arendt e quajti këtë banalitetin e së keqes: momentin kur njerëzit ndalojnë së menduari dhe pranojnë çdo gjë që përsëritet mjaftueshëm. Në atë pikë, krimi nuk ka nevojë të fshihet, mjafton veç të duket normal.
Në Shqipëri, sot, shumë gjëra të rënda nuk duken të tilla pikërisht sepse janë bërë pjesë e përditshmërisë: shkelja e ligjit, shpërdorimi i pasurisë publike, dhuna institucionale. Nuk vijnë si furtunë, por si mjegull. Dhe, mjegulla është më e rrezikshme se stuhia: të humbet orientimin pa e kuptuar.
Por, Arendt të mëson vetëm të shohësh. Për të mbajtur përgjegjësi duhet Wiesenthal.
Ai e dinte se e keqja luftohet me fakt: me emër, me datë, me dokument. Krimi që nuk dokumentohet, përsëritet. Padrejtësia që nuk mbahet mend, rikthehet. Heshtja është forma më e butë e bashkëpunimit.
Në Shqipëri, sot, shumë gjëra ndodhin, por pak mbahen mend. E llapaçitin të vërtetën. Pak mbajnë përgjegjësi. Dhe kështu e keqja lëviz lirshëm, jo sepse është e fortë, por sepse askush nuk e ndjek.
Këtu takohen Arendt dhe Wiesenthal: njëri të thotë çfarë të shohësh, tjetri si ta mbash mend.
Njeriu i letrave mbetet dëshmitari i fundit. Jo gjykatës. Jo prokuror. Dëshmitar.
Dëshmitari nuk ka luksin e heshtjes. Ai thotë: “Kjo ndodhi. Këtu. Me këtë pasojë”. Dhe, kjo nuk vjen nga zemërimi, por nga kuptimi. Sepse kuptimi e bën të keqen të dukshme; zemërimi vetëm e shpërndan. Dhe kur vjen kuptimi, revolta nuk zhduket, merr formë.
II. Fabrika e mjegullës
Ka një formë të dytë të së keqes: ajo që nuk vjen përmes dhunës, përmes frikës, por përmes mjegullës, përmes lodhjes.
Në Shqipëri, fjalomania televizive e parlamentare, protestimi i personalizuar si mburojë i së keqes, janë kthyer në tym që mbulon gjithçka. Nuk është debat. Nuk është analizë. Është zëvendësim i mendimit me zhurmë. Një zhurmë që nuk kërkon të bindë, por të lodhë. Të lodhë aq shumë, sa njeriu të mos ketë më fuqi të pyesë: “Çfarë po ndodh vërtet?”, “A është krejt e jona apo edhe ndërhyrje mes nesh e të tjerëve që nuk na duan?” ...
Arendt do të thoshte se ky është momenti kur e vërteta humbet terrenin, jo sepse dikush e mohon, por sepse askush nuk ka më durim ta kërkojë. Kur çdo fakt kthehet në opinion, çdo opinion në akuzë, çdo akuzë në farsë.
Në këtë mjegull, e keqja nuk zhduket. Ajo shpërndahet. Bëhet e padukshme, jo se nuk ekziston, por sepse nuk ka më sy që ta shohin.
Pastaj vjen idolatria partiake: ajo besnikëri e verbër që nuk kërkon argument, por flamur. Në këtë terren, faktet nuk kanë më peshë. Ka vetëm “tanët” dhe “atyret”. Dhe, kur e vërteta ndahet në dy kampe, ajo pushon së qeni e vërtetë. Bëhet armë.
Wiesenthal do të thoshte se ky është çasti më i rrezikshëm: kur faktet zhduken jo vetëm fizikisht, por moralisht. Kur dokumentet humbasin, dosjet mbyllen, provat zhduken dhe gjithçka përfundon në një lumë akuzash pa emër, pa datë, pa përgjegjësi.
Në Shqipëri, sot, shumë krime nuk janë vetëm morale; janë juridike, ekonomike, shoqërore, mjedisore, institucionale. Por, mungon pikërisht ajo që Wiesenthal e kishte si mision: kush e bëri, kur, si, me ç’pasojë.
Në çdo shoqëri që kërkon të mbrojë veten nga e keqja, ekziston një zinxhir i domosdoshëm: dokumentim → hetim → gjykim → përgjegjësi.
Pa dokumentim, krimi tretet në mjegull. Pa hetim, dokumenti mbetet letër e vdekur. Pa gjykim, drejtësia mbetet teori. Pa përgjegjësi, çdo padrejtësi është e përsëritshme.
Ky zinxhir është ndryshkur në Shqipëri: pak dokumentim, pak hetim, pak gjykim, pothuajse aspak përgjegjësi. Në këtë boshllëk, mjegulla bëhet klimë.
Tani me SPAK-un diçka duket se po lëviz. Jo aq sa kërkon drejtësia, por mjaftueshëm për të treguar se zinxhiri mund të riparohet. Por, nuk mjafton një hallkë e vetme. E gjithë drejtësia duhet të shkundet dhe të bëjë detyrën e vet. Të gjitha hallkat e “kontrollbalancës” që ka çdo drejtori e institucion shtetëror, kanë detyrimin të veprojnë. Vetëm atëherë e keqja nuk ka më ku të fshihet.
Prandaj, kemi nevojë për qartësinë e Arendtit dhe këmbënguljen e Wiesenthalit