Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

E gjeneruar kjo foto dorë për dorë e ambasadorit Gonzato me deputeten Luarasi

Pretendimi: Ky imazh tregon ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kapur për dore me deputeten socialiste Iris Luarasi

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————

Një imazh që duket se tregon ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kapur për dore me deputeten socialiste Iris Luarasi po qarkullon së fundmi në mediat dhe rrjetet sociale shqipfolëse.

Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Imazhi i mësipërm është gjeneruar nga një foto reale e postuar nga Luarasi në rrjetet e saj sociale.

Luarasi ka reaguar ndaj imazhit të gjeneruar në rrjetet e saj sociale duke e quajtur atë “rastin studimor më perfekt” të dezinformimit.

The post E gjeneruar kjo foto dorë për dorë e ambasadorit Gonzato me deputeten Luarasi appeared first on Faktoje.al.

I keqinterpretuar parashikimi i OBSh për rritjen e të prekurve nga kanceri

Pretendimi: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nga 9 milionë vdekje në vit nga kanceri në vitet 2019-2022 në të gjithë botën, sot arrijmë në 35 milionë vdekje në vit. Kjo rritje vjen si pasojë e administrimit të 17 miliardë vaksinave mRNA në popullsi

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) ka njoftuar se nga 9 milionë vdekje në vit nga kanceri në vitet 2019-2022 në të gjithë botën, sot arrijmë në 35 milionë vdekje në vit. Postimi që i atribuohet ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, nënkupton se kjo rritje e pazakontë është pasojë e injektimit të 17 miliardë vaksinave mRNA.

Lajmi i mësipërm duket se është keqkuptim i një raporti mbi gjendjen globale të kancerit të botuar në korrik 2026 nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), një agjenci e specializuar e OBSH.

Sipas raportit, 20.6 milionë njerëz morën një diagnozë kanceri në mbarë botën në vitin 2024. “Numri i diagnozave të reja të kancerit parashikohet të arrijë në 35 milionë në vit deri në vitin 2050,” shkruhet në përmbledhjen e raportit (faqja xiv).

Paragrafi i parë i përmbledhjes së raportit parashikon 35 milionë diagnoza të reja në vit deri në vitin 2050

Pra, ndryshe nga ç’pretendohet në postimin e mësipërm, raporti i OBSh nuk parashikon 35 milionë vdekje nga kanceri në vit sot, por 35 milionë diagnoza të reja kanceri në vit pas 25 vitesh.

Numri i diagnozave të kancerit dhe numri i vdekjeve nga kanceri, qartësisht, janë dy gjëra të ndryshme. Sipas raportit të OBSh, rreth 9.7 milionë vdekje në nivel global u vlerësuan si pasojë e kancerit në vitin 2024.

Nuk është e vërtetë se kjo rritje pritet të ndodhë “vetëm në vendet e zhvilluara pra aty ku u aplikuan vaksinat anti-Covid19.” Siç tregohet në grafikun e mëposhtëm, rritja e numrit të rasteve me kancer nga 2024 në 2050, parashikohet të jetë më e madhe në rajonin afrikan, një rritje me 125%. Rajonet e Amerikave dhe europiane pritet të kenë një rritje me 64.3% dhe 27.4%, përkatësisht.

Ndërsa raporti shpjegon gjerësisht se si kjo rritje e parashikuar është pjesërisht pasojë e plakjes së popullsisë, postimi ‘e hedh poshtë’ këtë shpjegim duke kujtuar se popullsia e plakur është pakësuar pas goditjes së rëndë që i dha pandemia e Covid-19 kësaj grupmoshe.

Ky argument do të qëndronte nëse do të kishim 35 milionë raste sot në krahasim me 9 milionë në 2019-2022. Megjithatë, siç shpjeguam, shifra 35 milonë raste parashikohet të arrihet deri në vitin 2050, pas 25 vitesh, kur një pjesë e mirë e popullsisë së sotme do të përfshihet tek popullsia e plakur, e rrezikuar veçanërisht nga kanceri.

Gjithë narrativa konspiracioniste e postimit bazohet në një gabim në leximin e raportit të OBSh.

Sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”

I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.

Studimet shkencore ose nuk kanë gjetur një lidhje mes vaksinimit në përgjithësi dhe rrezikut të limfomës, ose kanë vërejtur një ulje të këtij rreziku pas vaksinimit.

Një sërë studimesh kanë treguar se vaksinat anti-Covid gjenerojnë qeliza të bardha gjaku, të cilat janë kyç në ngritjen e imunitetit të trupit, specifike për Covid-19. Këto qeliza, të quajtura limfocite-T, ndihmojnë në organizimin e reagimit të sistemit imunitar dhe vrasin qelizat e infektuara me Covid-19. Limfocitet-T luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit kundër viruseve dhe baktereve si dhe kundër sëmundjeve si kanceri.

Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe një numër organizatash me fokus kancerin këshillojnë që pacientët me kancer të vaksinohen kundër Covid-19.

Prifti ka shpërndarë dhe më parë keqinformim lidhur me vaksinën anti-Covid. 

The post I keqinterpretuar parashikimi i OBSh për rritjen e të prekurve nga kanceri appeared first on Faktoje.al.

Të rreme hetimet për prindërit milionerë të presidentit Zelensky

Pretendimi: Zyra ukrainase e anti-korrupsionit hetoi depozita prej 11 milionë dollarësh të lidhura me prindërit e presidentit Volodymyr Zelensky

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————

Në fillim të korrikut 2026, në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se hetuesit e Byrosë Kombëtare ukrainase Kundër Korrupsionit (NABU) kanë shqyrtuar depozita me vlerë rreth 11 milionë dollarë, të lidhura me prindërit e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilat dyshohet se janë depozituar gjatë vitit 2025.

Postimet nuk përmendin mediat ukrainase që pretendohet se raportuan të parat për kërkimin e prindërve të presidentit ukrainas. Njësoj, nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë tjetër për të mbështetur këtë pretendim.

Megjithatë, nuk ka asnjë raportim mbi kontrollet ose ndalimin e Oleksandr dhe Rimma Zelensky në faqen zyrtare të internetit të Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit së Ukrainës (NABU), si dhe në faqet e agjencisë në rrjetet sociale X, Facebook dhe Telegram.

Më tej, NABU konfirmoi për kolegët e Gvara Media dhe AFP se informacioni në lidhje me kërkimet e supozuara të prindërve të Zelensky nuk ishte i vërtetë.

Prindërit e Zelensky, Oleksandr Semenovych (i lindur në vitin 1947) dhe Rymma Volodymyrivna (e lindur në vitin 1950), janë të dy me origjinë nga Kryvyi Rig dhe, sipas Volodymyr Zelensky, ende banojnë atje. Nuk është regjistruar publikisht asnjë procedurë korrupsioni kundër prindërve të presidentit. 

Debati i vetëm që përfshin publikisht familjen e presidentit ukrainas është ai në vitin 2020, kur Ministria e Arsimit i paraqiti qeverisë një projekt-dekret për t’i dhënë Oleksandr Zelensky një pension special “për merita të shquara në fushën e arsimit të lartë.” Pas protestave publike, iniciativa u tërhoq dhe vetë babai i presidentit deklaroi se nuk kishte nevojë për ndihmë. Në shtator 2023, Kabineti më në fund i dha Oleksandr Zelensky një pension special, së bashku me më shumë se 118 shkencëtarë të tjerë, këtë herë përmes një procedure qeveritare, në vend të një procedure presidenciale. Nuk ka informacion publik në lidhje me ndonjë pasuri ose pasuri të konsiderueshme që u përket prindërve të presidentit.

The post Të rreme hetimet për prindërit milionerë të presidentit Zelensky appeared first on Faktoje.al.

Kanye West nuk shfrytëzoi koncertin për të blerë shtëpi në Golem

Pretendimi: Reperi amerikan Kanye West ka blerë një apartament në Golem, Durrës

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————————————-

Në portalet shqipfolëse po qarkullon lajmi se reperi amerikan Kanye West ka blerë një apartament në Golem, Durrës. Ky lajm shoqërohet dhe me një imazh që duket se tregon reperin në ballkonin e një apartamenti me pamje nga bregdeti shqiptar.

Pretendimi qarkulloi pak ditë përpara koncertit të debatueshëm të Kanye West që u mbajt në Tiranë më 11 korrik 2026.

Koncerti i reperit amerikan në Tiranë ka qenë në qendër të diskutimeve publike pasi pak ditë para tij qeveria shqiptare shpenzoi 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për të mbështetur aktivitetin, edhe pse fillimisht kishte deklaruar se koncerti nuk do të financohej nga fondet publike.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi ishte postuar fillimisht në rrjete sociale nga një agjente imobiliare shqiptare.

TikTok, megjithëse jo në Instagram, postimi është etiketuar si i gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar të verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

The post Kanye West nuk shfrytëzoi koncertin për të blerë shtëpi në Golem appeared first on Faktoje.al.

Kufizimi i gërmimit në thellësi nuk provon se toka është e sheshtë

Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe njerëzit nuk kanë gërmuar më thellë se 12.3 km thellësi, megjithëse në shkollë na mësohet se njeriu ka shkuar në mbi 4000 milje thellësi

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————

Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Facebook nis me pohimin e habitshëm se “Toka është e sheshtë.” Më pas, dy protagonistet shpjegojnë se gropa më e thellë e gërmuar ndonjëherë nga njeriu është 12.3 km e thellë edhe pse, në shkollë, na ka mësuar se njeriu ka shkuar në mbi 4000 milje thellësi.

Ironikisht, teoritë shkencore për formën sferike dhe përbërjen e Tokës etiketohen si “spekulime” pa prova ndërsa modeli i kozmologjisë vedike ofrohet si i vërtetë, pa ndonjë provë, në videon që mbyllet duke porositur shikuesin se nëse do të dalë “jashtë matricës” duhet të ndjekin seancën e meditimit të drejtuar nga autorja e videos.

Është e vërtetë se gropa më e thellë e gërmuar nga njeriu, pusi super i thellë Kola, është rreth 12.3 km i thellë. Kjo nuk provon në asnjë mënyrë se Toka është e sheshtë.

Ndërkaq, shkenca nuk pretendon se njeriu ka arritur mbi 4000 milje ose rreth 6 mijë km në thellësi të Tokës. Ky duket se është një keqinterpretim i ‘rrezes’ së sferoidit të Tokës, e cila është përllogaritur nga rreth 3963 deri në 3950 milje.

Eratosteni mati rrezen e Tokës mbi 2200 vite më parë, rreth vitit 200 para erës sonë. Duke matur këndin në të cilin binte hija e një shkopi vertikal në mesditë në Aleksandri dhe më pas në Syrene dhe duke matur ndryshimin midis këtyre dy këndeve, ai më pas, bazuar në njohuritë e tij për distancën midis këtyre dy qyteteve, llogariti perimetrin e Tokës. Duke pjesëtuar perimetrin me dyfishin e π (3.1415…). Vlerësimet e gabimit të matjeve të Eratostenit variojnë nga 0.5% në 17%.

Njerëzit e kanë ditur që Toka është një sferë për më shumë se 2000 vjet. Grekët e lashtë matën hijet gjatë solsticeve verore dhe gjithashtu llogaritën perimetrin e Tokës. Që atëherë, shkencëtarët kanë zbuluar vetëm më shumë prova se kjo është e vërtetë, duke përfshirë shikimin e vetë Tokës nga hapësira.

“Zari Blu” shkrepur nga ekipi i Apollo 17 më 7 dhjetor 1972

Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.”

Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.

James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.

Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.

Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.

Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.

Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid. Forma e saj përcaktohet nga graviteti, i cili tërheq materien drejt qendrës dhe i jep trupave qiellorë formën karakteristike të rrumbullakët.

The post Kufizimi i gërmimit në thellësi nuk provon se toka është e sheshtë appeared first on Faktoje.al.

I pabazë ky paralajmërim i Trump ndaj Vuçiç për Kosovën

Pretendimi: Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar presidentin serb Vuçiç se përshkallëzimi ushtarak ndaj Kosovës do të sillte pasoja të rënda, duke përmendur edhe ndërhyrjen e NATO në 1999.

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një paralajmërim presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se çdo përshkallëzim ushtarak ndaj Kosovës do të sillte pasoja të rënda. Sipas pretendimeve, ai kishte përmendur edhe ndërhyrjen e NATO në vitin 1999 si kujtesë e reagimit ndërkombëtar ndaj konfliktit në Kosovë.

Megjithatë, postimet nuk ofrojnë ndonjë provë, burim apo referencë për këtë deklaratë. Nuk tregohet se kur dhe ku Trump ka bërë deklaratën e pretenduar.

Nga një kërkim me fjalë kyçe, Faktoje nuk arriti të gjejë ndonjë burim të besueshëm për deklaratën e pretenduar.

Megjithatë, ajo vjen pas Dialogut Strategjik mes ShBA dhe Serbisë, që u mbajt në Washington DC më 17 korrik 2026 mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm serb Marko Djuric.

deklaratën e përbashkët pas këtij takimi nuk përmendet Kosova. Megjithatë, në një deklaratë për mediat, Djuric tha se kishe transmetuar “përshëndetje nga njerëzit nga Kosova dhe Metohia, të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje.”

Ndërkaq, në shtator 2025, ShBA pezulloi pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën. Sipas njoftimit të botuar në faqen e ambasadës amerikane në Prishtinë, kjo erdhi “për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të qeverisë së përkohshme që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.”

Këto pretendime me gjasa e kanë origjinën në disa video që duket se tregojnë Trump duke paralajmëruar Vuçiç në mënyrën e përshkruar. Megjithatë, siç kanë shpjeguar kolegët kosovarë të Hibrid, videot në fjalë nuk janë reale, por të gjeneruara me AI.

The post I pabazë ky paralajmërim i Trump ndaj Vuçiç për Kosovën appeared first on Faktoje.al.

Ligji për investimet strategjike është ende në fuqi

Gjatë Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE më 14 korrik 2026, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të shfuqizojë ligjin e investimeve strategjike, njërin prej ligjeve në qendër të pakënaqësisë që ka shtyrë shqiptarët të protestojnë në kryeqytet për mbi 50 ditë radhazi, krahas ligjit për zonat e mbrojtura për të cilin Rama nuk e pranoi fjalën “shfuqizim”

Megjithatë, deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu kishte deklaruar në një program televiziv se ky ligj ishte shfuqizuar tashmë, që në Qershor.

E ndërsa kryeministri Edi  Rama tha se qeveria po punonte ngushtësisht me Komisionin për çfarë do ta zëvendësojë ligjin, Vengu deklaroi më 13 korrik se Ligji për Investimet Strategjike nuk është më në fuqi.

“Protestuesit thonë: ligji për investimet strategjike. Pak kush thotë që nuk është më në fuqi ai ligj. Ka skaduar. Nuk prodhon më efekte,” tha Vengu për Euronews Albania. “Ai ligj nuk rinovohet siç është bërë zakonisht vit pas viti. Ai nuk prodhon efekte sot. Ai nuk është më në fuqi.” 

Pyetur se deri kur e ka ligji afatin e fuqisë, Vengu u përgjigj se e kishte deri në Qershor 2026.

Specifikisht, Vengu i referohet ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë,” i cili synonte nxitjen dhe tërheqjen e investimeve strategjike, në sektorë kyç të ekonomisë, nëpërmjet procedurave favorizuese, lehtësuese apo përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve.

Statusi i investitorit strategjik i jepej projekteve në energji, transport, turizëm, bujqësi, apo  zona me përparesi zhvillimin, që investonte 30 milionë euro, apo 50 milionë euro për projekte me procedurë të veçantë. 

Statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë” e përfitonin edhe projektet në sektorë të tjerë me kusht që vlera e investimit të ishte 100 milionë euro. 

Miratuar më 28 maj 2015, ligji fillimisht parashikonte si afat përfundimi 31 dhjetorin 2018. Neni 36 përcaktonte ditën e fundit të vitit 2018 si afatin përfundimtar për paraqitjen e kërkesave për të përfituar statusin e investitorit strategijk.

Megjithatë, duke filluar nga viti 2018, afati është shtyrë disa herë, me argumentin se Ministria e Financave synon të hartojë një ligj të ri. Në fillim me propozimin e Këshillit të Ministrave, e më pas me nismën e deputetëve të PS, afati është shtyrë gjashtë herë.

Eksperti  i  ekonomisë Zef Preçi dhe  gazetarja Ola Xama kanë shpjeguar më parë për Faktoje se shtyrjet e njëpasnjëshme nuk janë shoqëruar me transparencë, monitorime apo vërtetime se si ligji ka ndikuar vërtet në ekonomi.

Më së fundmi, afati i ligjit është shtyrë deri në fund të Dhjetorit 2026.

Më 30 janar 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 8/2025 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 55/2015, ‘Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar.” Neni 9 i këtij ligji zëvendëson togfjalëshin “data 31 dhjetor 2024” me togfjalëshin “data 31 dhjetor 2026” në nenin 36 të ligjit nr. 55/2015.

Në fakt, neni 36 i versionit të përditësuar të ligjit nr. 55/2015 që shfaqet në faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, parashikon si afat përfundimi 31 dhjetorin 2026.

Kështu, nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, deklaratën e deputetit socialist Pirro Vengu e vlerësojmë si të pavërtetë.

The post Ligji për investimet strategjike është ende në fuqi appeared first on Faktoje.al.

Jo serioz raporti se proteina e vaksinës Pfizer qëndron aktive në trup pas 3.6 vitesh

Pretendimi: Vaksina mRNA e Pfizer kundër Covid-19 vazhdon të prodhojë proteinën thumb në gjak 3.6 vite pas administrimit.

Verdikti: E paprovuar

——————————————————————-

Në rrethet konspiracioniste vijojnë të përsëriten narrativa kundër vaksinës së Covid-19 edhe disa vite pas përfundimit të pandemisë. Së fundmi, edhe në rrjetet shqipfolëse, po qarkullon një video ku dikush i identifikuar si Dr. Peter McCullough pretendon se, në njërin nga pacientët e tij, vaksina mRNA e Pfizer kundër Covid-19 vazhdon të prodhojë proteinën “thumb” në gjak 3.6 vite pas administrimit.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo ide për të mbështetur këtë pretendim.

Megjithatë, Faktoje gjeti se postimi me gjasa i referohet një raporti rasti të botuar në qershor 2026 në revistën Medical Research Archives ku McCullough është njëri nga autorët. Një pjesë e autorëve të mbetur janë të punësuar nga McCullough Foundation.

Sipas raportit, një burrë 55-vjeçar pati simptoma pas tre dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech anti-Covid me mRNA dhe iu nënshtrua testimeve të gjera afatgjata. Sipas autorëve, testimi identifikoi mRNA nga vaksina në ekzozome qarkulluese, proteina peplomere në plazmë/ekzome dhe inde të lëkurës, dhe elementë të ADN plazmidike në një biopsi të lëkurës më shumë se 3.5 vjet pas dozës së fundit. Ky është rasti i vetëm mbi të cilin është ndërtuar raporti i publikuar.

Në 2022, Bordi Amerikan i Mjekësisë së Brendshme rekomandoi heqjen e licensës së kardiologut Peter McCullough, pas pretendimeve të tij të rreme mbi vaksinimin anti-Covid.

McCullough ende rekomandon trajtimin e pacientëve me COVID-19 me Hidroksilklorinë dhe Ivermectin, edhe pse të dyja janë treguar se nuk funksionojnë kundër sëmundjes. Ai gjithashtu promovon dhe shet produkte të “detoksifikimit të proteinave peplomere” për njerëzit që janë vaksinuar, pavarësisht se nuk ka prova që njerëzit e vaksinuar kanë nevojë për ndonjë detoksifikim të tillë.

Revista ku është botuar raporti, Medical Research Archives, duket se ka besueshmëri të dobët. Një numër universitetesh dhe institucionesh kanë njoftuar pjesëtarët e tyre se ofertat që mund të marrin nga Medical Research Archives ose European Society of Medicine maskojnë atë që disa e konsiderojnë si një biznes mjaft grabitqar me tarifa të konsiderueshme botimi.

Sipas Shoqërisë Amerikane së Sëmundjeve Infektive (IDSA) proteinat peplomere të gjeneruara pas vaksinimit zgjasin për disa javë në trup. 

Nuk ka prova se proteinat peplomere riprodhohen vazhdimisht brenda qelizave njerëzore. 

Studime shkencore të deritanishme, konfirmojnë se kodi mRNA që udhëzon qelizat të krijojnë këto proteina çmontohet nga qeliza pak pasi proteina krijohet. mRNA është shumë delikate, një nga arsyet pse vaksinat mRNA duhet të ruhen me kujdes në temperatura shumë të ulëta.

Disa prova sugjerojnë se proteina peplomere e prodhuar gjatë infeksionit SARS-CoV-2 mund të jetë toksike për organe si zemra. Megjithatë, ky efekt nuk mund të ekstrapolohet drejtpërdrejt tek proteinat peplomere të provokuara nga vaksinat anti-Covid, të cilat janë të ndryshme nga ato të virusit dhe prodhohen në sasi shumë më të vogla. Në fakt, provat e disponueshme tregojnë se proteina peplomere e prodhuar përmes vaksinimit është përgjithësisht e sigurt.

Një përmbledhje e botuar në revistën shkencore The Lancet në korrik 2026 shqyrtoi provat mbi vaksinat mRNA dhe zbuloi se vaksinat e mRNA janë të sigurta dhe efektive, se efektet anësore serioze janë të rralla dhe se e njëjta platformë që po përdoret kundër Covid-19 tashmë po përshtatet për të luftuar kancerin. Ajo mbështetet në prova laboratorike, prova klinike dhe të dhëna reale nga miliarda doza të administruara në dhjetëra vende.

The post Jo serioz raporti se proteina e vaksinës Pfizer qëndron aktive në trup pas 3.6 vitesh appeared first on Faktoje.al.

Çiljeta Xhilaga nuk u dekorua nga presidenti si “Mjeshtre e madhe”

Pretendimi: Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka dekoruar artisten Çiljeta Xhilaga me titullin Mjeshtre e Madhe e Punës

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekoruar artisten Çiljeta Xhilaga me titullin Mjeshtre e Madhe e Punës.

Pretendimi shoqërohet edhe me një imazh të etiketuar si i gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI). 

Megjithatë, si imazhi, edhe pretendimi është i rremë.

Nga një kërkim në faqen zyrtare të Presidencës, nuk figuron se këngëtarja ka marrë ndonjë dekoratë nga ky institucion.

Lajmi i dekorimit të saj u përgënjeshtrua edhe nga vetë këngëtarja në rrjetet e saj sociale, në një replikë të ashpër ndaj kantautorit Gjergj Leka. Ky i fundit kishte reaguar publikisht më herët duke e marrë për të vërtetë lajmin e dekorimit.

Titulli “Mjeshtre e Madhe e Punës” teknikisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Titulli “Mjeshtër i madh” është një dekoratë që u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara.

Më herët këtë muaj, Faktoje përgënjeshtroi një pretendim të ngjashëm mbi dekorimin e reperit amerikan Kanye West me titullin Nderi i Kombit.

The post Çiljeta Xhilaga nuk u dekorua nga presidenti si “Mjeshtre e madhe” appeared first on Faktoje.al.

FIFA nuk ndëshkoi në arbitrim Egjiptin për shkak të mbështetjes së Gazës

Pretendimi: Ekipi i futbollit të Egjiptit u dënua në Kampionatin Botëror 2026 për fjalët e trajnerit të tyre në mbështetje të Palestinës

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————————-

Një postim që ka marrë mbi një mijë pëlqime në Facebook pretendon se ekipi kombëtar egjiptian i futbollit u dënua gjatë Botërorit 2026 për mbështetjen që trajneri i tyre kishte shprehur ndaj Palestinës.

Megjithatë, ky pretendim nuk i referohet ndonjë njoftimi apo vendimi zyrtar.

Ndeshja e Kupës së Botës midis Egjiptit dhe Argjentinës u luajt më 7 korrik 2026, kur Egjipti humbi. Pas disa kundërshtimeve të vendimeve të gjyqtarëve të ndeshjes, dy minuta pas fillimit të kohës shtesë, trajneri i egjiptianëve, Hossam Hassan ngriti krahët lart në formë “X” për të sinjalizuar abuzime raciste. Pas ndeshjes, Hassan tha se skuadra e tij ishte viktimë e një grupi futbollistik që favorizonte Messin dhe Argjentinën.

Pas ndeshjes, Shoqata Egjiptiane e Futbollit (EFA) u ankua për atë që e perceptoi si arbitrim të padrejtë gjatë ndeshjes.

“Mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ekipit kombëtar egjiptian nuk është një çështje që mund të injorohet, minimizohet ose trajtohet si dytësore”, tha EFA në një deklaratë. “Është një përgjegjësi që e mbajmë me bindje dhe vendosmëri të plotë.”

Megjithatë, në asnjë pjesë të deklaratës së tyre, EFA nuk tha apo nënkuptoi se arbitrimi i padrejtë ishte si pasojë e mbështetjes së trajnerit të Egjiptit ndaj Palestinës.

Shefi i arbitrimit të FIFA, Pierluigi Collina tha se, ndërsa diskutimi konstruktiv rreth vendimeve do të jetë gjithmonë pjesë e futbollit, “akuzat e pabaza nuk kanë vend në sportin tonë.”

Më herët, më 6 korrik, trajneri Hassan, bëri thirrje për mbështetje për palestinezët gjatë një konference zyrtare për shtyp të FIFA. 

“Nëse një person kudo në botë nuk ndien keqardhje për popullin palestinez, atëherë ai ka humbur një pjesë të njerëzimit të tij”, u tha ai gazetarëve pasi njëri e kishte pyetur për valëvitjen e flamurit palestinez pasi Egjipti eliminoi Australinë në Dallas më 3 korrik.

“Ajo që doli nga unë ishte thjesht një reagim njerëzor. Përpara se të jem arab, mysliman, i krishterë apo ndonjë gjë tjetër, unë jam një qenie njerëzore. Përmes futbollit – fuqisë së butë të botës – dua të dërgoj një mesazh: ju lutem lëreni popullin palestinez të jetojë. U kërkoj atletëve dhe gazetarëve kudo që të ndihmojnë në përhapjen e këtij mesazhi. Kur njerëzit flasin për të drejtat e njeriut, të drejtat e kafshëve dhe drejtësinë, ne duhet të flasim edhe për civilët palestinezë,” shtoi Hassan.

Më 3 korrik, Hassan valëviti një flamur palestinez në fushë pas fitores së ekipit të tij ndaj Australisë, duke thënë se po ua kushtonte atë si egjiptianëve, ashtu edhe palestinezëve.

Pyetur në lidhje me këtë veprim dhe nëse ai do të sillte ndonjë masë apo ndëshkim për trajnerin, FIFA tha se flamuri palestinez lejohet të shfaqej në Kupën e Botës. 

“Flamujt që përfaqësojnë të 211 Shoqatat Anëtare të FIFA-s lejohen në turnetë e FIFA-s dhe mbështetësit janë të mirëpritur t’i shfaqin ato në përputhje me rregulloret e stadiumit dhe Kodin e Sjelljes së Stadiumit të FIFA-s”, tha organi drejtues për Associated Press në një deklaratë. Shoqata e Futbollit të Palestinës është një nga organizatat anëtare të FIFA.

The post FIFA nuk ndëshkoi në arbitrim Egjiptin për shkak të mbështetjes së Gazës appeared first on Faktoje.al.

Regjistrimi i një patente për kontrollin e motit nuk provon dyshimet ndaj HAARP

Pretendimi: Patenta amerikane numër 4686605 për kontrollin e klimës është themeli i sistemit HAARP.

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po flitet për një patentë të “kontrollit të klimës”, e identifikuar si patenta amerikane numër 4686605, që është zbatuar si themeli i sistemit famëkeq HAARP.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime nuk ofrohet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi i mësipërm i referohet një patentë të vërtetë të regjistruar në ShBA, por që nuk lidhet drejtpërdrejt me sistemin e HAARP, një shënjestër e preferuar për teoritë konspirative. 

Në vend të kësaj, ajo tregon një shpikje tjetër të përshkruar si një “metodë dhe aparat për ndryshimin e një rajoni në atmosferën, jonosferën dhe/ose magnetosferën e Tokës.” Eastlund, shpikësi, pohon se modifikimi i motit është i realizueshëm duke krijuar re atmosferike që funksionojnë si lente ose pajisje fokusimi. Megjithatë, nuk ka prova që kjo teknologji është përdorur ndonjëherë nga HAARP, pasi patenta ka skaduar. 

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.

HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

The post Regjistrimi i një patente për kontrollin e motit nuk provon dyshimet ndaj HAARP appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky takim i von der Leyen me pedofilin Epstein

Pretendimi: Ky imazh tregon presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen me trafikantin dhe pedofilin amerikan Jeffrey Epstein

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen me trafikantin dhe pedofilin amerikan Jeffrey Epstein.

Imazhi shoqërohet me pretendimin se “von der Leyen përmendet disa herë në dokumentet dhe provat e publikuara,” lidhur me hetimin e trafikantit Epstein dhe “ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e njerëzve brenda rrethit të ngushtë të organizatës.”

Megjithëse dosjet janë publike, postimi i mësipërm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë nga to që të mbështesë pretendimin.

Imazhi i mësipërm nuk gjendet në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë në lidhje me Epstein. Emri i von der Leyen shfaqet në dokumente, por referencat janë artikuj gazetash rreth punës së saj si ministre gjermane, rol që ajo mbajti nga 2003 deri në vitin 2019, dhe si presidente e Komisionit Evropian. Lexuesit mund të shfletojnë vetë emailet e Epstein këtu.

Kjo sepse ai nuk është i vërtetë, por është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI).

Një analizë e kryer me SynthID Detector, një mjet i Google për identifikimin e përmbajtjes së gjeneruar artificialisht me inteligjencën e vet artificiale, zbuloi se imazhi është i gjeneruar me Google AI.

Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

The post I gjeneruar ky takim i von der Leyen me pedofilin Epstein appeared first on Faktoje.al.

Bashkimi Europian nuk dënon me 5 vite burg këdo që ndan lajme ruse

Pretendimi: Në Bashkimin Europian, ata që ndajnë përmbajtje të medias ruse Russia Today, edhe nëse ato janë të vërteta, dënohen me 3 muaj deri në 5 vjet burg

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se Bashkimi Europian do të dënojë me 3 muaj deri në 5 vjet burg ata që ndajnë përmbajtje të medias ruse Russia Today, edhe nëse ato janë të vërteta.

Postimi nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë për të mbështetur pretendimin, por duket se ai është frymëzuar nga një vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjED) të 2 korrikut 2026.

Gjykata vendosi se njerëzit që drejtojnë faqe interneti falas të financuara nga donacionet mund të kualifikohen si “operatorë” sipas sanksioneve të BE ndaj Rusisë, edhe nëse nuk janë transmetues tradicionalë mediatikë.

Sipas vendimit të GjED, një gjykatë gjermane mund t’i trajtojë tre persona të akuzuar për ripostimin e videove nga Russia Today Germany në faqen e internetit Traugott Ickeroth si “operatorë” sipas rregullave të BE mbi sanksionet kundër Rusisë, edhe pse faqja e internetit është e aksesueshme lirisht dhe nuk drejtohet nga një transmetues tradicional.

Prokurorët gjermanë akuzojnë tre persona se kanë postuar video nga Russia Today Germany katër herë në vitin 2023 nëpërmjet blogut Live-Ticker të faqes së internetit. Sipas ligjit gjerman, shkelja e ndalimit të transmetimit të BE mund të rezultojë në dënime me burg nga 3 muaj deri në 5 vjet. Të dhënat e gjykatës tregojnë se dy prej të akuzuarve morën mbi 60 mijë euro donacione mes prillit 2022 dhe gushtit 2023.

Postimit të mësipërm i mungon ky kontekst dhe ai pretendon në mënyrë të gabuar se në BE çdokush që ndan përmbajtje të RT automatikisht kryen një krim dhe dënohet me 3 muaj deri në 5 vite burg.

Gjykata vendosi që sanksionet e BE vlejnë edhe për faqet e internetit falas të financuara nga donacionet, jo vetëm për mediat komerciale. Megjithatë, vendimi nuk paraqet një vepër të re penale, as nuk do të thotë që çdo qytetar që ndan një përmbajtje në një bisedë private ose në profilin e tij do të përfundojë automatikisht në burg.

Që nga marsi 2022, BE ka vendosur sanksione që pezullojnë transmetimin dhe shpërndarjen e Russia Today dhe Sputnik, duke argumentuar se ato janë media të kontrolluara nga Kremlini që përdoren për propagandë dhe dezinformim në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës. 

Me vendimin e fundit, GjED sqaroi vetëm se termi “operator” mund të përfshijë edhe personat që e bëjnë përmbajtjen të disponueshme publikisht përmes një faqeje interneti, pavarësisht nëse e bëjnë këtë për fitim apo jo. Nëse dikush do të ndëshkohet në të vërtetë varet nga legjislacioni kombëtar dhe rrethanat specifike të rastit.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk përcakton një dënim me burg. Ai thjesht interpreton se si duhet të zbatohen sanksionet europiane. Nëse do të ketë procedura penale dhe çfarë sanksioni do të pasojë është një çështje që rregullohet nga ligjet e secilit shtet anëtar dhe vlerësohet nga gjykatat kombëtare.

The post Bashkimi Europian nuk dënon me 5 vite burg këdo që ndan lajme ruse appeared first on Faktoje.al.

Adrenokromi nuk është përgjegjës për zhdukjen e 800 mijë fëmijëve në ShBA

Pretendimi: 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në Amerikë sepse përdoren për të nxjerrë adrenokromin qe përdorin elitat për të ruajtur rininë e tyre

Verdikti: E paprovuar

——————————————————

Teoritë konspirative rreth adrenokromit, drogën e pretenduar të “elitave” që përftohet nga gjaku i fëmijëve dhe përdoret nga personat e famshëm dhe të pushtetshëm për të ruajtur rininë vijojnë të qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.

Postimi i mësipërm pretendon, në një tekst të gjatë, e me gjasa të gjeneruar nga programe të inteligjencës artificiale, se 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në Amerikë sepse përdoren për të nxjerrë adrenokromin qe përdorin elitat për të ruajtur rininë e tyre.

Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime të pazakonta nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi shoqërohet me një video që duket se tregon këngëtaren Lady Gaga që përshkruan se si ajo rrëmben fëmijë dhe i pi gjakun, dhe më pas përfundon duke thënë: “Asaj i pëlqen shumë të gjuajë.”

Në fakt, video e mësipërme duket se është një video promocionale për serialin American Horror Story: Hotel, i cili është transmetuar për herë të parë në 2015. Në serialin horror, Lady Gaga luan rolin e Konteshës Elizabeth, pronarja e Hotel Cortez dhe një vampire që ruan bukurinë e saj duke pirë gjak njeriu. Në videon promocionale, Lady Gaga dukshëm po flet për personazhin që ajo luan në serial, jo për jetën e saj reale.

Pretendimi se 800 mijë fëmijë zhduken çdo vit në ShBA është i pavërtetë. Sipas Sistemit Kombëtar amerikan të Personave të Zhdukur dhe të Paidentifikuar, “në çdo kohë të caktuar, deri në 90,000 persona mund të raportohen të zhdukur në Shtetet e Bashkuara, me mbi 500,000 të raportuar çdo vit.”

Megjithëse nuk përcaktohet se sa fëmijë raportohen të zhdukur në ShBA çdo vit, ky numër nuk ka si të jetë 800 mijë, kur numri i përgjithshëm i personave të zhdukur çdo vit, fëmijë dhe të rritur, nuk e kalon 500 mijë.

Narrativa e trafikimit të fëmijëve për t’u nxjerrë adrenokromin që përdoret nga elitat për të zgjatur jetën dhe rininë e tyre u shfaq për herë të parë në 2017 në ShBA, si pjesë e teorisë konspirative QAnon. Kjo teori përshkruan presidentin amerikan Donald Trump si një hero i vetëm që po luftonte një kabal elitash që ishin pedofilë dhe vrasës fëmijësh. QAnon premtonte se këta komplotistë do të ekspozoheshin dhe ndëshkoheshin së shpejti në një “stuhi” që po vinte.

Një variant i hershëm i kësaj teorie konspiracioni, Pizzagate, pretendon se pjesëtarët e Partisë Demokrate të ShBA dhe disa restorante amerikanë ishin të përfshirë në një ring trafikimi fëmijësh dhe pedofilie. Ndikuar nga kjo teori, në 4 dhjetor 2016, një burrë nga North Carolina shkoi në picerinë Comet Ping Pong dhe shtiu me armë.

Sa i përket adrenokromit, kjo substancë prodhohet nga oksidimi i adrenalinës. Ajo është studiuar në vitet 1950-70, por sot nuk ka asnjë përdorim mjekësor. 

Adrenalina prodhohet në gjëndrat mbiveshkore, oksidantët e të cilave (monoaminat) qarkullojnë në gjak. Meqenëse adrenokromi ekziston si pjesë e metabolizmit të adrenalinës, duke qenë një neurotransmetues, trupi e oksidon atë me shpejtësi. Pasi këta lajmëtarë kimikë oksidohen, ata humbasin funksionin e tyre.

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) nuk e ka aprovuar përdorimin e adrenokromit. Mbi të gjitha, nëse një kabal elitash do ta donte gjithsesi këtë substancë të deklaruar të padobishme nga shkenca, nuk do t’i duhej të rrëmbenin fëmijë nëpër tunele nëntokësore për ta përftuar atë. Adrenokromi mund të krijohet në laborator, madje mund të blihet në internet lehtësisht. Kompania kanadeze Toronto Research Chemicals shet 25 mg adrenokrom për 126 dollarë amerikanë, ndërsa laboratori Astatech Inc. ofron të njëjtën sasi për 464 dollarë amerikanë.

The post Adrenokromi nuk është përgjegjës për zhdukjen e 800 mijë fëmijëve në ShBA appeared first on Faktoje.al.

E pabazë vrasja e senatorit Graham nga rusët gjatë vizitës në Ukrainë

Pretendimi: Senatori amerikan Lindsey Graham u vra nga bombardimet ruse që goditën hotelin e tij dhe fabrikën e dronëve që vizitoi ai në Ukrainë

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————

Pas njoftimit të vdekjes së papritur të senatorit amerikan Lindsey Graham, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se ai u vra nga bombardimet ruse që goditën hotelin e tij dhe fabrikën e dronëve që vizitoi në Ukrainë.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.

Graham vizitoi një nga fabrikat e prodhimit të dronëve Skyfall në Ukrainë më 11 korrik 2026. Ai vdiq atë mbrëmje pasi u kthye në SHBA.

Sipas gjetjeve paraprake nga mjeku ligjor i Distriktit të Kolumbias, shkaku i vdekjes së Graham ishte një “disektim i aortës”, tha zyra e senatorit. Disektim i aortës është çarje në arterien kryesore që mbart gjak nga zemra. Gjetjet treguan se kjo erdhi si shkak i sëmundjes kardiovaskulare arteriosklerotike.

Sa i përket fabrikës Skyfall që vizitoi Graham, as Rusia nuk pretendoi se e shkatërroi atë.

Të paktën dy postime nga Ministria e Mbrojtjes ruse në Telegram midis 11 korrikut 2026 dhe 13 korrikut 2026 përmendin sulme ndaj fabrikave të prodhimit të dronëve.

Postimi i parë lexonte: “Mbrëmë, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse kryen sulme në grup duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi, me bazë tokësore dhe ajrore, dhe mjete ajrore pa pilot. Si rezultat, ndërmarrjet e industrisë ushtarake ukrainase në Kiev, të përfshira në prodhimin dhe ruajtjen e mjeteve ajrore pa pilot me rreze të gjatë veprimi dhe të mesme veprimi, u dëmtuan.”

Postimi i dytë përmendi dy objekte specifike, por Ministria Ruse e Mbrojtjes nuk tha që ndonjëra prej tyre ishte e lidhur me Skyfall.

As autoritetet ukrainase nuk e kanë identifikuar publikisht objektin Skyfall të vizituar nga Graham si një nga vendet e goditura në sulmin rus.

Raportimet nga 11 korriku 2026, në LiveUAmaps, një faqe interneti që monitoron aktivitetin në hartat gjeografike online, veçanërisht të vendeve me konflikte të armatosura, nuk e listonin goditjen e pretenduar mbi fabrikën e dronëve Skyfall që vizitoi Graham, apo hotelin e tij.

Pretendimi se Graham u vra nga bombardimet ruse që goditën fabrikën e dronëve që vizitoi në Ukrainë dhe hotelin e tij mbetet i paprovuar.

The post E pabazë vrasja e senatorit Graham nga rusët gjatë vizitës në Ukrainë appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht suksesit të Shqipërisë turistike, Messi nuk po viziton Vlorën

Pretendimi: Kjo video tregon futbollistin argjentinas Lionel Messi në Vlorë, Shqipëri

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon futbollistin argjentinas Lionel Messi gjatë një vizite në Vlorë.

Lexuesi duhet të jetë menjëherë skeptik për vërtetësinë e këtij pretendimi, duke marrë parasysh se Messi në këtë kohë është duke marrë pjesë në kampionatin e shumëtelevizuar botëror të futbollit në kontinentin amerikan.

Megjithatë, video është e vërtetë. Por ajo nuk është xhiruar në Vlorë këtë verë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet qarkullojnë në rrjet prej gati dy vitesh.

Sipas një artikulli të botuar më 21 gusht 2024 në revistën spanjolle Hola, video tregon futbollistin dhe gruan e tij, Antonela Roccuzzo, duke darkuar në Miami, Florida në ShBA, ku çifti ishte vendosur që kur Messi iu bashkua klubit Inter Miami në 2023.

The post Pavarësisht suksesit të Shqipërisë turistike, Messi nuk po viziton Vlorën appeared first on Faktoje.al.

Këto trazira në Paris asnjë lidhje me humbjen e Marokut në Botërorin 2026

Pretendimi: Këto pamje tregojnë trazirat në Paris, pas humbjes së Marokut ndaj Francës në Kupën e Botës më 9 korrik 2026

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————–

Pamje kaotike po qarkullojnë në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se tregojnë “tensione dhe incidente” në Paris pasi Maroku u eliminua në Botëror nga Franca më 9 korrik 2026. Postimet në rrjet pretendojnë se “një pjesë e tifozëve me origjinë marokene u përfshinë në trazira në disa zona të kryeqytetit francez.”

Lexuesi duhet të nisë të dyshojë mbi vërtetësinë e këtij pretendimi me të parë se personat në video duken të veshur me rroba dimri, pamje që nuk përkon me temperaturat e verës në Paris, të cilat më 9 korrik arritën 30 gradë celsius.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se, në fakt, asnjëra nga këto video nuk tregon Parisin më 9 korrik 2026.

Video e parë, në të cilën disa automjete mund të shihen të përmbysura në rrugë duke u djegur, është botuar fillimisht në X/Twitter më 24 dhjetor 2022.

Ndërsa video e dytë, që tregon një turmë duke vandalizuar një stacion transporti publik, është botuar fillimisht në Facebook dhe X/Twitter më 24 dhjetor 2022.

Në atë kohë, mediat raportuan se pamjet tregonin dhunën pas një sulmi që ndodhi më 23 dhjetor 2022 pranë Qendrës Kulturore Kurde në Paris. Sipas raportimeve, sulmi me të shtëna pranë Qendrës vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë. Sulmuesi u identifikua si një burrë 69-vjeçar i quajtur William Mallet, i cili pranoi se u motivua nga racizmi kundër kurdëve. Përleshjet e dhunshme shpërthyen në Paris menjëherë pas incidentit si pasojë e zemërimit ndaj shërbimeve franceze të sigurisë, të cilët u kritikuan se kishin bërë shumë pak për të parandaluar sulmin.

Video e tretë qarkullon në rrjet që nga 30 maji 2026, mbi një muaj përpara ndeshjes mes Francës dhe Marokut më 9 korrik.

Sipas përshkrimeve me të cilat shoqëroheshin pamjet, video tregonte trazirat në Paris pasi klubit vendas i futbollit, Paris Saint-Germaine, fitoi Ligën e Kampioneve më 30 maj 2026.

Si pasojë e incidenteve të dhunshme të regjistruara në Francë pas fitores në Ligën e Kampionëve thuajse 900 persona u ndaluan nga policia nga 1 qershori 2026. 178 oficerë policie dhe roje u plagosën për shkak të “sulmeve sistematike dhe hedhjes së predhave.”

Çfarë është e sigurt është se asnjëra prej këtyre videove nuk tregon trazirat në Paris pas humbjes së Marokut në Botërorin 2026. 

The post Këto trazira në Paris asnjë lidhje me humbjen e Marokut në Botërorin 2026 appeared first on Faktoje.al.

I rremë ky dekorim i reperit Kanye West me titullin “Nderi i Kombit‘

Pretendimi: Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka dekoruar reperin amerikan Kanye West me titullin “Nderi i Kombit‘

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekoruar reperin amerikan Kanye West me titullin “Nderi i Kombit‘. Pretendimi shoqërohet edhe me një imazh që duket se tregon momentin e dekorimit.

Pretendimi qarkullon përpara koncertit të debatueshwm tw Kanye West, planifikuar të mbahet në Tiranë më 11 korrik 2026.

Koncerti i reperit amerikan në Tiranë ka qenë në qendër të diskutimeve publike pasi pak ditë para tij qeveria shqiptare shpenzoi 400 milionë lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për të mbështetur aktivitetin, edhe pse fillimisht kishte deklaruar se koncerti nuk do të financohej nga fondet publike.

Pavarwsisht kwsaj mbwshtetjeje financiare publike, lajmi se reperi amerikan është dekoruar me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikws është i pavërtetë.

Nga një kërkim në faqen zyrtare të Presidencës, nuk figuron se Kanye West ka marrë ndonjë dekoratë nga ky institucion.

Imazhi që po qarkullon në rrjet është lehtwsisht i dallueshwm se wshtw gjeneruar me programe kompjuterike me inteligjencë artificiale (AI). 

Tregues fillestar është dekorata që mbajnë në duar dy personazhet në të. Ajo nuk i përngjan aspak dekoratës së Urdhërit Nderi i Kombit.

Dekorata e gjeneruar (lart) dhe dekorata e vërtetë “Urdhëri Nderi i Kombit” (poshtë)

Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar të verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

The post I rremë ky dekorim i reperit Kanye West me titullin “Nderi i Kombit‘ appeared first on Faktoje.al.

Deputetja neomalësore nuk po kërkon rikthimin në grupin e PS

Pretendimi: Deputetja shqiptare Marjana Koçeku është penduar për largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe po bën tentativa për t’u rikthyer

Verdikti: E paprovuar

————————————————————————–

Më 5 korrik, në rrjetet sociale shqiptare, nisiqarkullonte masivisht pretendimi se deputetja Marjana Koçeku është penduar për largimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe po bën tentativa për t’u rikthyer.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një artikull të botuar në portalin Prapaskena më 5 korrik, i cili është ndarë në mënyrë të koordinuar me të njëjtin titull në dhjetra portale të ndryshme. 

Megjithatë, artikulli në fjalë nuk sjell asnjë provë për pretendimet që ngre. Ai referohet vetëm “burimeve” të paspecifikuara dhe anonime, për të tjerrur një skenar të koklavitur, sipas së cilit, deputetja Koçeku ka deklaruar se ishte nxitur të braktiste grupin parlamentar të PS nga deputetët socialistë Elisa Spiropali dhe Ditmir Bushati. Këta dy të fundit, pretendohet se donin të bëheshin kryeministër të qeverisë teknike, nëse protestat që mbahen në Tiranë prej 40 ditësh do të detyrojnë Edi Ramën të jepte dorëheqjen.

Kujtojmë se Marjana Koçeku hyri në parlament në vitin 2025 në moshën 24 vjeçare. Më 14 qershor 2026, 15 ditë pas nisjes së protestave masive anti-qeveritare në Tiranë, ajo u deklarua si deputete e pavarur në rrjetet e saj sociale. 

Gati një muaj më vonë, deklaratat e saj publike nuk duket se sugjerojnë ndonjë pendesë për ketë vendim.

Duke folur për largimin e saj nga grupi i PS, Koçeku tha më 8 korrik për Euractiv: “Nuk mund t’i përkas më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mjedisin, por po bën politika që e prishin atë.”

“[Kryeministri Rama] më paralajmëroi se do të mbetem vetëm dhe se nuk do të më besojë askush pas këtij akti, as njerëzit e mi të maleve prej nga vij. Unë ia kam konfirmuar dhe vazhdoj t’ua konfirmoj të gjithë atyre që besojnë te kryeministri se unë nuk do të mbetem vetëm. Jam mësuar të jem e pavarur, është pjesë e karakterit tim dhe nuk tërhiqem,” tha Koçeku për një intervistë të gjatë më 9 korrik në Euronews Albania. “Nuk ka kthim pas në këtë vendim.”

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Interesante e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Gazeta Online e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Tematika e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Online24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Portali24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Aktualiteti.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Pika.al e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja Portali 24 e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 13 korrik 2026 faqja ALB BANIA e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

The post Deputetja neomalësore nuk po kërkon rikthimin në grupin e PS appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për lidhjen e gjakut të princit William me Rothschild

Pretendimi: Princi William i Britanisë së Madhe është i biri i Jacob Rothschild

Verdikti: E paprovuar

—————————————————————-

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon sërish pretendimi i pazakontë se qeveria polake ka deklaruar se ka prova që princi William është në të vërtetë fëmija i bankierit britanik Jacob Rothschild.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk sjell asnjë provë, burim apo referencë për të mbështetur pretendimin e tij të jashtëzakonshëm.

Faktoje gjeti se ky pretendim i jashtëzakonshëm e ka burimin në një artikull në gjuhën angleze, botuar më 5 mars 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Burimi, të cilit i referohet artikulli i The People’s Voice, është Benjamin Fulford, “një gazetar dhe hulumtues amerikan” sipas portalit.

Përveç paragrafit të parë, artikulli vijon duke riprodhuar një artikull të publikuar në faqen personale të Benjamin Fulford, i cili përshkruhet në këtë faqe si gazetar kanadez, jo amerikan.

Artikulli i Fulford nis me një narrativë të pakuptueshme konspiracioniste ku përshkruhet një duel mes organizatash dhe shoqërish sekrete që kontrollojnë botën. Skuadra e ‘të mirëve’ duket se po fiton, sipas Fulford, sepse një sërë “Satanistësh kryesorë” janë ‘eleminuar’ kohët e fundit. Shembuj të këtyre ‘eleminimeve’ përfshijnë kancerin e mbretit Charles, operimin abdominal të princeshës Kate, dhe vdekjen e bankierit Jacob Rothschild.

Sa i përket atësisë së princit William artikulli pretendon se “duke qenë se të gjitha këto ndodhën kur u lajmërua vdekja e Jacob Rothschild, kjo nënkupton se ai ishte mbreti it vërtetë i Anglisë. Ne jemi informuar gjithashtu nga inteligjenca polake se Princi William është në të vërtetë i biri i Jacob Rothschild.” 

As artikulli origjinal i Fulford, atëherë, nuk jep ndonjë provë apo burim të besueshëm për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Kështu, pretendimi se princi William është i biri i bankierit Jacob Rothschild mbetet i paprovuar.

The post Asnjë bazë për lidhjen e gjakut të princit William me Rothschild appeared first on Faktoje.al.

❌