Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nuk ka pezullim të punës së AKU-së

By: FAKTOJE
18 July 2025 at 17:00

Esmeralda Topi

Këtë fillim korriku, teksa fusha e mbetjeve në Elbasan digjej dhe tymi helmues u shpërnda përtej zonës urbane, vëmendja publike papritmas u devijua diku tjetër.

Kryeministri Edi Rama, në një tryezë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, lëshoi një deklaratë të fortë kundër Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), duke e quajtur një institucion që “më shumë bën dëm sesa mirë”

Me tone ultimative, ai i kërkoi ministres së Bujqësisë pezullimin e plotë të institucionit. “Ministre, duhet nxjerrë urdhri i pezullimit të AKU-së, totalisht. Nuk duhet më të dalin dhe të shkojnë askund”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë pati efekt të menjëhershëm mediatik. Brenda pak orësh, portale të shumta u mbushën me tituj bombastikë: “Shkrihet AKU-ja”, “Rama pezullon AKU-në”, “AKU merr fund”.

Ndërsa opinioni publik shfrytëzonte rrjetet sociale për të diskutuar mbi inspektorët e AKU-së dhe “shpërbërjen” e autoritetit, flakët në Elbasan vazhdonin të përhapeshin mbi një nga fushat më problematike të trajtimit të mbetjeve në vend, pa asnjë reagim nga autoritetet shtetërore në terren.  

Çfarë ndodhi me AKU-në?

Pavarësisht ultimatumit të kryeministrit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk është pezulluar, as ‘shkrirë’, dhe as mbyllur. Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është pezullimi i inspektimeve të paplanifikuara si dhe ngritja e një komisioni vlerësimi për trupën inspektuese. Funksionet themelore të AKU-së, përfshirë inspektimet e planifikuara dhe miratuara, vijojnë të ushtrohen sipas planit operacional.

Pas një kërkese për informacion nga Faktoje.al, Ministria e Bujqësisë sqaroi se ky vendim është marrë si përgjigje ndaj një rritjeje të ndjeshme të ankesave nga subjektet e inspektuara, për sjellje joetike të inspektorëve dhe mungesën e transparencës në inspektime. Paralelisht, kjo masë lidhet me përgatitjet për zbatimin e Ligjit të ri për Inspektimet (nr. 99/2024).

Ligji i ri parashikon ristrukturimin e tri institucioneve ekzistuese; AKU, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA) dhe Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), duke i bashkuar funksionet e tyre inspektuese në një strukturë të vetme qendrore.

Në kuadër të kësaj reforme, është ngritur një grup pune me ekspertizë të jashtme nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, që do të merret me vlerësimin e trupës aktuale të inspektorëve dhe përzgjedhjen e kuadrove të rinj, në përputhje me standardet profesionale dhe kërkesat e ligjit të ri.

Ekspertët

Qeveria flet për një “ndryshim rrënjësor”, por çfarë thonë zërat që e njohin nga brenda sistemin? Prof. Abdyl Sinani, nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, nuk e fsheh zhgënjimin.

“Kohët e fundit ka rënë si institucion. Nuk është ndjekur si duhet. Një nga arsyet kryesore është se i kanë dhënë përparësi agronomit dhe veterinerit, duke lënë mënjanë teknologun kimist”, argumenton ai për Faktoje.al

Por për Ilir Pilkun, ekspert i integrimit europian dhe politikave të bujqësisë, “tronditja” e AKU-së është më shumë se debat profesional, është një kërcënim institucional.

“Nuk mund të mbyllet një institucion që është pjesë e Kapitullit 12 të integrimit me BE-në, kur janë investuar miliona euro të taksapaguesve europianë. Janë zbatuar dy projekte me rreth 12 milionë euro në një dekadë”

Pilku rendit qartë se çfarë duhet të ndodhë, përtej fasadës së një reforme:

  • Shkarkim i drejtuesve jo-profesionistë në qendër dhe rrethe;
  • Testim i plotë profesional dhe çmontim i ndërhyrjes politike;
  • Përfshirje e ekspertëve realë në proces — dhe këtu del në pah një tjetër boshllëk që nuk mund të anashkalohet:

“Si ka mundësi që në komisionin e ngritur nga Ministria e Bujqësisë nuk ka asnjë ekspert të teknologjisë ushqimore, as profesorë të standardeve ushqimore, laboratorëve apo kimisë? Ndërkohë që UBT ka Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore, me figura si Kapllan Sulaj, Anila Kopali dhe Valbona Paluka, që do ishin aset për çdo reformë serioze”, pyet ai.

Kritika e tretë, por jo më pak e fortë, vjen nga Esmeralda Gjollesha, eksperte me përvojë në sektorin e sigurisë ushqimore.

“Prej më shumë se një dekade, AKU ka qenë institucioni që duhet të garantonte sigurinë ushqimore në Shqipëri. Por në vitet e fundit, ka dështuar sistematikisht, skandalet me mish të kontaminuar, fruta me pesticide të ndaluara, ushqime me origjinë të pasigurt janë bërë normë”, vë në dukje Gjollesha.

Sipas saj, ligji i miratuar në shtator të 2024 që parashikon bashkimin e tre institucioneve është reagim ndaj një situate që ka dalë jashtë kontrollit.

“Reforma duhet të sjellë një autoritet të pavarur, me bazë shkencore, me laboratorë të certifikuar dhe pa varësi politike. Kontrolli i ushqimit nuk nis në doganë dhe nuk mbaron në treg. Duhet të ndjekësh produktin nga ferma deri në tavolinën e konsumatorit”, përfundon Esmeralda Gjollesha.

Siguria ushqimore ishte një nga kapitujt me vlerësimin më negative të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë. Nga progres i limituar në fushën e sigurisë ushqimore vitin e kaluar vendi rezultoi se nuk ka bërë ‘asnjë progres’ në këtë drejtim. Ndonëse qeveria vit pas viti e shpall si prioritet, buxheti dhe investimet për sigurinë ushqimore nuk arrijnë të mbulojnë nevojat e tregut. 

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama ndaj ministrisë së Bujqësisë për të nxjerrë urdhër pezullimi total për AKU-në, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Nuk ka pezullim të punës së AKU-së appeared first on Faktoje.al.

Legalizimet, 46 bashki në vend numëro

11 July 2025 at 15:58

Verën e kaluar, kryeministri Edi Rama u la tre muaj kryebashkiakëve për të ngritur zyra të posaçme legalizimesh në çdo bashki. Ai kërkoi përshpejtim të procesit me stafe të dedikuara që do të ishin në ndihmë të qytetarëve. Një vit më vonë, në një mbledhje të ngjashme, rezultoi se 46 bashki ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.

Esmeralda Topi

Që prej qershorit të shkuar, bashkitë kanë marrë zyrtarisht një rol të ri për t’i dhënë shtysë procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Vendimi i qeverisë përcakton rregullat e bashkëpunimit mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke u dhënë palëve rol koordinues në funksion të përmbylljes së legalizimeve.

Bashkitë kanë detyrim ngritjen e zyrave të posaçme me staf të dedikuar, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Kadastrën. 

“…Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama, verën e kaluar gjatë një takimi me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Procesi që duhet të niste zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohej nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, pasi palët kanë detyrimin për t’i raportuar çdo muaj.

Fakt

46 bashki ende nuk kanë caktuar staf të dedikuar, e as kanë ngritur zyra të posaçme për legalizimet, një detyrim që duhej të ishte përmbushur një vit më parë. 

Në një mbledhje të zhvilluar një vit më pas, me të njëjtët aktorë institucionalë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri një përmbledhje të ecurisë. Ai tha se të gjitha bashkitë kanë nënshkruar marrëveshjen me ASHK-në, por vetëm 14 prej tyre kanë firmosur aneksin që përcakton tipologjinë e bashkëpunimit. Ndërkohë, Malësia e Madhe nuk figuron tek harta e bashkëpunimit të bashkive me ASHK-në.

“Kemi një seri bashkish që akoma nuk kanë aneks. Dhe ato që s’kanë aneks, janë tipikisht edhe ato që nuk kanë caktuar staf për këtë çështje”, deklaroi Mazniku. 

Ecuria e dobët e këtij procesi u faktua fundvitin e kaluar nga një hulumtim i Faktoje.al. Të dhënat e siguruara përmes ligjit “Për të drejtën e informimit” vërtetuan ecurinë e dobët të procesit. Deri në tetor të 2024, 16 bashki nuk kishin nënshkruar as marrëveshjen e bashkëpunimit me ASHK-në, siç kërkon VKM-ja. 

Burimi: ASHK

Legalizimet, roli i bashkive me rëndësi

Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive e sheh me rëndësi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimeve. “Është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë që të kenë rol në këtë proces. Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron interesi për ta përshpejtuar procesin”, thotë ai.

Haxhimali shton se veç rolit koordinues bashkitë duhet të ushtrojnë presion edhe tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Agjencia e Kadastrës ka monopolin për certifikimin final, për çdo rast që mendojnë se dosja është korrekte dhe zvarrijet janë të pajustifikuara”, shprehet ai.

Ligji parashikon dhjetorin e vitit 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimeve do të udhëhiqej nga bashkitë, me një staf të dedikuar deri në muajin shtator 2024 e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Legalizimet, 46 bashki në vend numëro appeared first on Faktoje.al.

Treni Tiranë–Durrës shtyn nisjen për në 2026

25 June 2025 at 17:00

Hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas vijon të jetë kantier ndërtimi prej katër vitesh, ende larg përfundimit. Pavarësisht premtimeve, deri tani është përfunduar vetëm 86% e veprës. Punimet për stacionet sapo kanë nisur dhe elektrifikimi ende nuk ka kontratë. Me këto ritme, treni elektrik pritet të nis operimin në fund të 2026.

Esmeralda Topi

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, projekt i nisur katër vite më parë, vijon të jetë kantier ndërtimi. Pavarësisht premtimevenjëpasnjëshme nga zyrtarë të lartë, afatet për përfundimin e veprës hekurudhore janë tejkaluar disa herë.

Treni elektrik që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe Rinasin ende nuk është gati për udhëtarët. Linja hekurudhore që planifikohej të ishte gati brenda verës së vitit 2023, është me të paktën tre vite vonesë.

Afati i ri sipas ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku është pranvera e vitit të ardhshëm. “Të gjithë komponentët së bashku do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026 duke na dhënë kështu mundësinë e fillimit të një transporti totalisht të ri, transportit modern të hekurudhës”, deklaroi Balluku, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Fakt

Informacionet zyrtare të Hekurudhës Shqiptare tregojnë se edhe ky afat do të shkelet. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al Hekurudha Shqiptare pohon se deri më tani janë realizuar 86% e punimeve duke përfshirë këtu dhe ndërtimin e trasesë së re prej 5 km në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Këto punime pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti, me një vonesë të konsiderueshme nga afatet e mëparshme.

Paralelisht me këto punime, këtë qershor, ka nisur puna në terren në një tjetër komponent kyç të projektit, siç është ndërtimi i godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimi i shesheve përreth. Godinat e stacioneve të vjetra po shemben për t’i hapur rrugën ndërtimit të stacioneve të reja. Sipas kontratës, këto punime planifikohen të mbyllen në mesin e vitit 2026.

Një tjetër pikë strategjike e projektit është stacioni fundor i linjës pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Stacioni do të ndërtohet përballë Forcave të Armatosura Ajrore, por deri tani është realizuar vetëm ndërtimi i trasesë së re hekurudhore që çon drejt zonës së aeroportit. Ndërtimi aktual i vetë stacionit nuk ka nisur ende.

Po ashtu, një nga pjesët më kritike të projektit, elektrifikimi i linjës, nuk ka nisur. Tenderi ndërkombëtar për këtë kontratë pritet të hapet në fund të këtij viti, ç’ka nënkupton se punimet për elektrifikimin mund të fillojnë duke nisur nga viti i ardhshëm.

Kur do udhëtojmë me trenin e ri?

Në përfundim, operimi i shumëpritur i trenit elektrik Tiranë- Durrës-Rinas, parashikohet të nisë jo më herët se fundviti i 2026.

Sipas planifikimeve zyrtare, Hekurudha Shqiptare parashikon se në fund të vitit 2026, të tria kontratat që përfshijnë trasenë, godinat dhe elektrifikimin do të jenë përfunduar, duke i hapur rrugën për operimin e trenit më shpejtësi 120 km në orë.

Treni elektrik pritet të shkurtojë në 22 minuta distancën mes Tiranës dhe Durrësit. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe një kredi e marrë nga qeveria shqiptare pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Fillimisht, kosto e projektit ishte parashikuar 69,6 milionë euro, por deri më tani, fatura e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas ka shkuar deri në 110 milionë euro.

Rrjeti hekurudhor në Shqipëri

Në Shqipëri, gjatësia e rrjetit hekurudhor llogaritet 253 km, por në shfrytëzim janë vetëm katër linja hekurudhore, të cilat përfshijnë edhe transportin e mallrave.

  • Kufi – Gjorm 93 km
  • Durrës – Elbasan 76 km
  • Rrogozhinë – Fier 49 km
  • Fier – Vlorë 35 km

Hekurudha shqiptare dikur ishte një nga mjetet kryesore të transportit për qytetarët, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit komunist, kur alternativat e lëvizjes ishin të kufizuara. Me ardhjen e demokracisë, rrjeti hekurudhor filloi të degradohej për shkak të mungesës së investimeve, keqmenaxhimit dhe konkurrencës në rritje nga transporti rrugor. Ajo që dikur ishte një linjë funksionale dhe e përdorur gjerësisht, sot ka mbetur një relike në rrënoja. Këtë panoramë degradimi e pasqyrojnë qartë të dhënat zyrtare të INSTAT. Nga afro 190 mijë pasagjerë që udhëtuan me tren në vitin 2015, në vitin 2024 u regjistruan vetëm 7,740, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, numri i udhëtarëve me tren ka rënë në vetëm 577 pasagjerë. Në më pak se një dekadë, numri i pasagjerëve me tren ka rënë me mbi 95%.

Burimi: INSTAT

Përfundim

Me ritmet aktuale dhe vonesat në të tre komponentët e projektit, linja hekurudhore Tiranë- Durrës- Rinas pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Ndaj, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku se të gjithë komponentët e kësaj linje do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Treni Tiranë–Durrës shtyn nisjen për në 2026 appeared first on Faktoje.al.

Me pasaportë europiane, por pa fonde IPARD për bujqësinë

15 May 2025 at 12:00

Esmeralda Topi

Dy vite më parë, teksa Shqipëria priste të niste programin e mbështetjes në bujqësi IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian pezulloi fondet, bazuar në dyshimet për korrupsion.

Qeveria ka dy vite që përpiqet ta minimizojë këtë masë ekstreme ndaj Shqipërisë. Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama u përpoq të zbusë perceptimin publik për çështjen, duke e paraqitur si një problem teknik dhe jo si pasojë e korrupsionit të mundshëm.

“Komisioni Evropian ka një strukturë auditimi të fondeve ka gjetur disa parregullsi dhe ka kërkuar që ne të adresojmë parregullsitë nga pikëpamja sistemike. Dhe ne po bëjmë ekzaktësisht këtë gjë”, tha Rama gjatë një interviste televizive.

Fakt

E vërteta është se, Komisioni Evropian ka ngritur dyshime serioze për keqpërdorim fondesh dhe jo thjesht “parregullsi teknike” Për këtë arsye, në korrik të 2023 KE ndaloi përkohësisht financimin deri në rikthimin e besimit tek funksionimi i strukturave shqiptare që menaxhojnë fondet.

Në një letër drejtuar qeverisë shqiptare asokohe, Brukseli informonte mbi mangësitë serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri.

Madje, në një reagim të posaçëm për Faktoje, Komisioni Evropian konfirmoi asokohe se vendimi për Shqipërinë ishte i paprecedentë.

Prej asaj kohe, autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojnë në mënyrë që vendi të rifitojë fondet e ndërprera për bujqësinë shqiptare.

Qeveria shqiptare duhet të vërtetojë ndër të tjera se respekton parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, transparencës dhe mosdiskriminimit, si dhe të garantojë mbrojtje të interesave financiare të BE-së, duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare që mundësojnë parandalimin, identifikimin, raportimin dhe korrigjimin e parregullsive për mashtrim.

IPARD ‘oksigjen’ për bujqësinë

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian.

Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, që u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, vendi ynë përfitoi mbi 71 milionë euro.

Por prej dy vitesh bujqësisë shqiptare i janë ndërprerë pagesat për IPARD II dhe njëkohësisht janë ‘ngrirë’ fondet prej 146 milionë euro për programin IPARD III. Kjo çështje ka ngritur shqetësim mes aktorëve të fushës, të cilët kërkojnë veprim të shpejtë nga institucionet për zhbllokimin e fondeve dhe rritjen e mbështetjes për sektorin.

“Fondet IPARD ishin i vetmi burim oksigjeni për bujqësinë shqiptare, pasi mbështetja buxhetore është e papërfillshme. Institucionet duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në mënyrë që Komisioni Evropian të çel këto fonde sërish dhe sa më parë”, thotë Eduard Sharka, kryetar i Shoqatës së Fermerëve.

“Do të duhet që fondet kombëtare të cilat fillojnë të jenë të aksesueshme në fillim të vitit t’i bëhet një rishikim në bazë të nevojave reale që ka ky sektor, nëse do të duam që ai të jetë ende një sektor prioritar”, shton ekspertja për ccështjet e bujqësisë Esmeralda Ballesha.

Krahas mungesës së fondeve IPARD, sektori bujqësor në Shqipëri po përballet edhe me pasojat e rënda të emigrimit masiv dhe politikave të mbrapshta fiskale. Në fund të vitit të kaluar, të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave faktuan krizën në bujqësi.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, prodhimi bujqësor në Shqipëri u tkurr me 2,7 % në terma vjetorë.

Përfundim

Deklarata e kryeministrit Edi Rama, se Komisioni Evropian ka gjetur “vetëm parregullsi” dhe jo probleme të natyrës korruptive, është e pavërtetë. Dokumentet dhe vendimet zyrtare të Komisionit Evropian tregojnë se vendimi për pezullimin e fondeve IPARD është marrë për arsye të thella sistemike dhe dyshime për korrupsion, jo vetëm për mangësi teknike.

The post Me pasaportë europiane, por pa fonde IPARD për bujqësinë appeared first on Faktoje.al.

Premtime pa afat, rikonstruksionet e shkollave në Elbasan që nuk po nisin  

14 May 2025 at 19:00

Në periudhë fushate, Kryetari i Bashkisë, Elbasan, Gledjan Llatja, ka risjellë në rrjetet sociale premtimet për rikonstruksionin e tre shkollave, duke publikuar projekte 3D pa dhënë detaje për financimin, afatet apo fazat e punimeve. Një prej tyre është shkolla “Naim Frashëri”. Rikonstruksioni i shkollës ishte premtuar nga ai edhe në zgjedhjet lokale 2023, por fondet e miratuara u rialokuan dhe investimi nuk nisi, duke lënë 730 nxënës në një godinë të amortizuar me mësim në dy turne.

Premtim i ricikluar

Llatja, në një tjetër periudhë zgjedhore (2025), risjell premtimin.  

“Shkolla Naim Frashëri do të jetë një nga kantierët e hapur, pjesë e investimeve për transformimin e infrastrukturës arsimore duke iu nënshtruar një rikonstruksioni total”, shkruan ai në Facebook.  

Postimi shoqërohet me projektin 3D pa detaje konkrete se nga do të vijnë fondet, afatet kur fillon dhe mbarojnë punimet.

Shkollat

Premtime të ngjashme janë përsëritur për dy shkolla të tjera, shoqëruar me mungesë transparence duke ngritur për pasojë dyshime se komunikime të tilla shërbejnë për qëllime elektorale.

“Një tjetër ëndërr po bëhet realitet në zemër të Elbasanit”, e nis kryetari i Bashkisë Gledjan Llatja postimin e tij për shkollën “Dhaskal Todri”.

Për “transformim të shumëpritur”, Llatja flet edhe për shkollën “Shushica” por nuk jep afate kohore për nisjen e punimeve, burimet financiare apo detaje mbi përfitimet reale.

Projektet 3D

Projektet për tre shkollat paraqiten si sukses i garantuar pa ofruar të dhëna konkrete mbi të cilat mund të kërkohet llogaridhënie në vijim.

Në një postim më të hershëm 17 prill 2025, kryetari i bashkisë Elbasan publikoi premtimin për ndërtimin e plot 12 shkollave brenda 4 vjetëve.

Rezultatet paraprake tregojnë se PS-ja ka fituar 10 mandate në Elbasan ndërsa PD-ASHM 4 mandate.

The post Premtime pa afat, rikonstruksionet e shkollave në Elbasan që nuk po nisin   appeared first on Faktoje.al.

Fluturim elektoral me destinacion Vlorën

8 May 2025 at 14:18

Skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye këtë prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por “aleanca fantastike” me Aeroportin e Mynihut, e trumbetuar që në nisje të punimeve, përfundoi përpara se aeroporti të fillonte operimin. Sot, Mynihu nuk është më pjesë e projektit dhe, siç konfirmon vetë aeroporti për Faktoje.al, kontrata nuk do të rinovohet.

Esmeralda Topi

Një javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 një avion i linjës ‘Air Albania’ zbriti në Kukës për të inaguruar aeroportin ndërkombëtar ‘ZAYED – Flatrat e Veriut’. Katër vite më vonë, një skenar i ngjashëm u përsërit në Vlorë. Pista e aeroportit të ri ndërkombëtar u inagurua me fluturimin e parë certifikues tre ditë përpara zgjedhjeve. 

‘ Vlora do të jetë një aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht një aeroport turistik , tha kryeministri Edi Rama. 

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e sheh përurimin e aeroportit të Vlorës si një tjetër rast të përdorimit të projekteve publike për përfitime elektorale. 

“Në Shqipëri po ndërtohet një aeroport i ri dhe natyrisht, përurimi ndodh para zgjedhjeve,” thotë ai me ironi, duke shtuar se ndonëse vetë aeroporti mund të jetë një lajm pozitiv, mënyra si po promovohet e kthen atë në një shembull tipik të spekulimit dhe keqpërdorimit elektoral. 

Aeroporti i Vlorës ndodhet në fshatin Akërni, pranë lagunës piktoreske të Nartës. Puna për ndërtimin e tij nisi më 28 nëntor 2021. 

“Sot jemi këtu me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë”, deklaronte Rama gjatë ceremonisë inaguruese të punimeve. 

Mirëpo sot, Rama nuk e përmendi këtë aleancë që deri para pak muajsh e çmonte aq shumë.

Fakt

Ndryshe nga sa deklaronte kryeministri, aleanca ‘fantastike’ për të ardhmen e aeroportit me aeroportin e Mynihut, përfundoi përpara se ky aeroport të niste operimin. Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al Munich International Airport thekson se nuk ka negociata të mëtejshme për rolin e tyre si këshillues në aeroportin e Vlorës. 

Kontrata 2 vjeçare midis Munich Airport International (MAI) – një degë e Flughafen München GmbH – dhe Aeroportit të Vlorës është përmbushur plotësisht në fund të muajit prill. 

“Nuk ka plane që MAI apo Flughafen München GmbH të operojnë Aeroportin e Vlorës dhe, siç u përmend më herët, kontrata aktuale e konsulencës përfundon në fund të prillit 2025”, pohoi për Faktoje.al Robert Ëilhelm, koordinator për marrëdhëniet me mediat pranë Flughafen München GmbH

“MAI nuk ka pasur asnjë ndikim apo fuqi vendimmarrëse në lidhje me planifikimin dhe përzgjedhjen e vendndodhjes së aeroportit të ri”, sqaron më tej Ëilhelm. 

Prej fillimit, organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare e kundërshtuan projektin. Sipas aktivistëve mjedisorë, aeroporti rrezikon vazhdimësinë e specieve në peizazhin e mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale. Këto paralajmërime ranë në vesh të shurdhër në Shqipëri, por jo në Gjermani. 

Më 23 tetor 2024, pranë Bashkisë së Mynihut u dorëzua një peticion i firmosur nga rreth 500 gjermanë, aktivistë dhe ekspertë mjedisorë, që kërkonin ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri. Disa muaj më vonë, aerporti i Mynihut u tërhoq nga projekti. 

Mynihu si ‘mjet’ propagandistik

Aleksandër Trajçe, drejtuesi ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), ngre shqetësimin se përfshirja e pretenduar e aeroportit të Mynihut në projektin e aeroportit të Vlorës ka shërbyer që në fillim si një mjet propagandistik, për të krijuar iluzionin e një partneriteti të fuqishëm ndërkombëtar dhe për të fshehur mungesën e transparencës si dhe ndikimin real negativ në mjedis. 

“Tani që kontrata me Mynihun ka përfunduar dhe nuk po rinovohet, kjo “aleancë” nuk po përmendet më nga qeveria duke treguar qartë se nuk ka pasur asnjë qëndrueshmëri apo vullnet afatgjatë në këtë bashkëpunim dhe se gjithçka ishte stisur për të justifikuar një projekt kryekëput jo-transparent dhe shkatërrimtar për mjedisin”, argumenton ai.

Sipas Trajçes, projekti i aeroportit nuk përfaqëson një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, por një ndërhyrje shkatërruese që rrezikon të zhdukë një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut – deltën e Vjosës. 

“Ky nuk është një vend bosh që pret betonin,” – thekson ai – “por një thesar natyror me vlera të jashtëzakonshme që duhet mbrojtur për të ardhmen tonë të përbashkët.”

Përfundim 

Deklarata e kryeministrit Edi Rama për një “aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit të Vlorës” me Aeroportin e Mynihut rezulton e pavërtetë. Bashkëpunimi me Munich Airport International ishte i kufizuar në një kontratë dyvjeçare konsulence, pa ndikim vendimmarrës apo përfshirje në operim, dhe përfundoi përpara se aeroporti të niste funksionimin. 

The post Fluturim elektoral me destinacion Vlorën appeared first on Faktoje.al.

“450 Shkolla të Reja?” – Kur llogaritë elektorale nuk dalin

16 April 2025 at 14:00

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi në nisje të fushatës elektorale se qeveria e tij ka ndërtuar 450 shkolla.

“Ne kemi ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës që sot hyjnë dhe dalin në shkolla që nuk kanë asgjë mangut, jo të gjitha shkollave në Bashkimin Europian, por shkollave më të mira në Bashkimin Europian”,  deklaroi kryeministri gjatë një prezantimi publik.

Në vështrim të parë, ky pohim krijon përshtypjen e një transformimi rrënjësor të infrastrukturës arsimore publike. Por siç ndodh shpesh me shifrat, ato kanë nevojë për një themel të fortë. Kur Faktoje kërkoi informacion nga Ministria e Arsimit për të konfirmuar deklaratën e Kryeministrit, tabloja që doli ishte dukshëm më pak “e çimentuar”.

Çfarë tregojnë të dhënat

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit në vitin 2013, numri total i institucioneve publike të arsimit parauniversitar ishte 1,741. Në vitin 2023, ky numër kishte rënë në 1,378. Kjo do të thotë një ulje prej 363 shkollash në dhjetë vitet e fundit. Pra, jo një rritje dhe sigurisht jo ndërtim i 450 shkollave të reja.

Sa i përket universiteteve publike, ato kanë mbetur pikërisht po aq sa më parë: 15. As një më shumë, as një më pak. Arsimi i lartë, duket, nuk ka qenë në axhendën e ndërtimit.

Është e rëndësishme të shpjegojmë se kur qeveria thotë “shkolla të ndërtuara”, në rastin më të mirë nënkupton shkolla që janë shembur dhe rindërtuar nga e para. Në rastin më të keq flet për suvatime muresh dhe sistemime oborresh apo palestrash.

Sipas të dhënave të marra nga Ministria e Arsimit dhe të përpunuara nga Faktoje, nga viti 2014 deri në 2024, janë rindërtuar ose zgjeruar 43 shkolla. Rreth 3 në vit, një ritëm që të kujton më shumë riparimet sezonale sesa një revolucion arsimor.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe janë bërë ndërhyrje të ndryshme në 245 shkolla të tjera, që përfshijnë punime të brendshme, rikonstruksione fasadash, etj. Nga këto, 68 përfshijnë edhe fusha sportive ose palestra. Në 43 shkolla, është ndërhyrë vetëm në fusha sportive.

Në total, nëse i llogarisim të gjitha ndërhyrjet, qoftë edhe ato që prekin vetëm oborret apo palestrat, shifra shkon në 331. Këtu vlen të theksohet se një pjesë e mirë e ndërhyrjeve janë kryer në të njëjtat shkolla, pra 331 janë ndërhyrjet në shkolla, jo 331 shkolla të ndryshme ku janë kryer punime.

Në lojë hyn edhe Programi i Rindërtimit, i nisur pas tërmetit të vitit 2019. Në kuadër të tij janë rindërtuar apo rehabilituar 125 shkolla, por 43 prej tyre janë ndërtuar nga BE përmes programit EU4Schools dhe vetëm 82 nga vetë qeveria shqiptare.

E vetmja mënyrë për të arritur shifrën 450 që dha kryeministi është nëse marrim me bujari maksimale çdo ndërhyrje si dëshmi të “ndërtimit të shkollave”, gjë që zhvesh propagandën elektorale të kryeministrit.

Po nxënësit?

Një tjetër fakt që zbulohet nga shifrat e Ministrisë së Arsimit është se numri i nxënësve është në rënie të lirë.

Në arsimin bazë dhe atë të mesëm të lartë të përgjithshëm, nga 501,693 nxënës në vitin shkollor 2013–2014, në vitin 2022–2023 pati vetëm 267,275 nxënës. Thuajse është përgjysmuar numri i nxënësve në 10 vjet.

Përfundim

Çfarë përfaqëson, atëherë, shifra 450? Më shumë një slogan, një numër që tingëllon bukur në podium, por jo një realitet të dokumentuar, as një arritje të mbështetur në fakte.

Si përfundim, deklarata e Kryeministrit duket se enkas ngatërron mirëmbajtjen me ndërtimin, domosdoshmërinë me iniciativën, shpresën me betonin.

Në mandatin e katërt, këtij gjerdani do t’i shtohen edhe 200 shkolla të reja”, premtoi kryeministri Rama në vijim të deklaratës. Kjo mbetet për t’u parë, por nisur nga të dhënat e vetë Ministrisë së Arsimit, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se qeveria e tij ka ndërtuar 450 shkolla do ta kategorizojmë si të pavërtetë.

The post “450 Shkolla të Reja?” – Kur llogaritë elektorale nuk dalin appeared first on Faktoje.al.

Nga “parimet” tek interesi, si ndryshoi qëndrim Dashnor Sula

20 March 2025 at 15:00

Të ndërrosh mendje është njerëzore. Por mbajtja e qëndrimeve morale ndaj të tjerëve për diçka që më pas e bëjmë vetë tregon mungesë koherence.

Për deputetin e Partisë Demokratike, Dashnor Sula, e tillë rezultoi situata që po shënon fundin e mandatit të tij përfaqësues në Parlamentin e Shqipërisë.

Pasi u vendos në listën e hapur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, Sula u revoltua dhe nisi të “gëlltisë” të gjitha akuzat që disa muaj më parë ia kishte drejtuar një tjetër ish deputeti demokrat, Arbi Agalliut.

Në një debat televiziv, Sula i hakërrehej Agalliut se pse kishte krijuar një parti të re me Enkelejd Alibeajn, duke i akuzuar se me ndarjen nga Partia Demokratike 6 muaj përpara zgjedhjeve po ndihmonin Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.

“Kjo është thikë pas shpine”, ngriti zërin Sula në tetor 2024 duke i kujtuar Agalliut se mandatin e deputetit e kishte me votat e opozitës dhe siglën e Partisë Demokratike.

Do ishte shumë më e ndershme që pas 2025-ës, nëse Sali Berisha dhe opozita nuk fitojnë, të thoje brenda strukturave një, dy, tre gjëra. Por të ikësh tani dhe ti çosh oksigjen PS-së kjo është thikë pas shpine dhe tradhti ndaj çdo demokrati dhe unë nuk e bëj këtë gjë” – Dashnor Sula, tetor 2024.

Por në fakt pikërisht këtë bëri. Pasi mësoi se ishte vendosur në listën e hapur të kandidatëve për deputet edhe pse ishte më i votuari në qarkun e Elbasanit nga anëtarësia e Partisë Demokratike në primare, Sula jo vetëm nuk priti përfundimin e zgjedhjeve 2025, por as nuk zgjodhi që betejën ta bënte “brenda strukturave”, siç predikonte pesë muaj më parë.

Dola i pari në qarkun e Elbasanit dhe kjo nuk u mor parasysh nga zoti Berisha. Tani unë nuk mund të lejoj të përdhunohem” – deklaroi Sula i revoltuar përpara gazetarëve kur njoftoi largimin nga Partia Demokratike.

Këtë e bëri edhe pse në tetor deklaronte se për të nuk ishte fare e rëndësishme nëse ishte apo jo në listat e kandidatëve dhe se parimi i tij ishte që problemet të rregullohen nga brenda partisë.

Dhe nuk ka rëndësi fare jam apo nuk jam në zgjedhjet e 2025-ës, do të luftoj pro opozitës. Ky është dallimi im mor zotëri. Ky është parimi” – Dashnor Sula, tetor 2024.

Sipas deklaratave të Sulës pesë muaj më parë, kreu i PD-së ka numrin më të madh të votave të elektoratit të djathtë dhe se demokratët e tjerë duhet të bashkojnë votat e tyre me ato të Berishës për të larguar qeverinë e Edi Ramës.

“Unë kam llogjikën dhe arsyen që aty ku është shumica [Berisha], të çoj dhe unë një dorë që të bëhemi akoma më shumë dhe jo ti heq pjesë asaj shumice. Kjo është diferenca ime. Dhe lufta jonë duhet të jetë kjo që ndaj individëve që kanë kultin e individit duhet të luftojmë brenda Partisë Demokratike. Kjo është e gjithë qasja që unë kam”, shprehej Sula.

Por sot ai jo vetëm që u tërhoq plotësisht nga gara nën siglën e Partisë Demokratike, por nisi edhe të heqë paralele mes Edi Ramës dhe Sali Berishës kur i quajti të dy politikanët “tumore që mbajnë peng politikën”

Nisur nga përballja e qëndrimeve të vetë deputetit Dashnor Sula, deklaratën e tij se qasja e tij është që betejat t’i bëj brenda partisë dhe strukturave të PD-së dhe se do të luftojë fuqishëm që PD të vijë në pushtet, do e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Nga “parimet” tek interesi, si ndryshoi qëndrim Dashnor Sula appeared first on Faktoje.al.

TikTok në Shqipëri nuk u mbyll për 8 javë

21 February 2025 at 14:33

Në dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi se TikTok do të ndalohej në Shqipëri brenda 6-8 javësh. Ai e argumentoi këtë vendim me shqetësimet për përmbajtjet e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, edhe pas kalimit të afatit të dhënë, platforma vazhdon të funksionojë normalisht. Në një takim me studentët më 28 janar 2025, Rama sqaroi se qeveria është në dialog me TikTok dhe pret propozime nga kompania për të adresuar këto shqetësime. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se Shqipëria kryeson në rajon për nivelin e gjuhës së urrejtjes në platformat sociale, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e agresivitetit dhe presionin social te të rinjtë.

Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale TikTok do të mbyllej brenda 6-8 javëve në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, kjo masë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që dyshohet se kishte si pikënisje një postim në TikTok.

“Do të na duhen 6-8 javë, për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë TikTok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok e Kinës”, deklaroi kryeministri Rama më 21 dhjetor 2024.  

Më 30 dhjetor 2024, Rama foli sërish në lidhje me mbylljen e kësaj platforme sociale, duke theksuar: “Kemi një situatë që ju e njihni lidhur në TikTok. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar, është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6 deri në 8 javë, sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë”

Mirëpo, kur ka kaluar më shumë se 8 javë nga ky zotim i kryeministrit, platforma sociale TikTok vazhdon të jetë funksionale në vendin tonë.

Në një kërkim në këtë rrjet social shihet se çdo gjë funksionon normalisht, ku përdoruesit kanë mundësi të postojnë dhe të komentojnë në përmbajtje të ndryshme. Pra, aktualisht nuk është vënë në zbatim ndalimi i kësaj platforme në Shqipëri.

Postime të ndryshme të shpërndara në TikTok

Gjatë një podcast-i me studentët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit më 28 janar 2025, Rama nuk dha më afate për mbylljen e kësaj platforme, por u shpreh se janë në pritje të propozimeve nga TikTok.

“Mendoj se për momentin nuk kemi një zgjidhje tjetër. Jemi në dialog me TikTok, kemi parashtruar shqetësimet tona. E mira është që ata nuk kanë qenë refraktarë ndaj këtyre shqetësimeve. Dhe kemi rënë dakord në një kohë të arsyeshme kur ata të jenë gati, do të na paraqesin disa propozime për t’i adresuar këto shqetësime”, tha Rama.

Mbyllja e TikTok në Shqipëri dhe reagimi i kompanisë

Pas njoftimit të kryeministrit Rama për mbylljen e TikTok reagoi edhe kompania më 22 dhjetor 2024. Ata kërkuan sqarime urgjente nga qeveria shqiptare duke shtuar se: “Nuk kishin gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishin llogari në TikTok dhe raportime të shumta kanë konfirmuar se në fakt videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok”

Ndërsa, më 22 janar 2025, kreu i qeverisë zhvilloi një takim në Davos me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut për Europën. Ai ritheksoi nevojën për ta mbyllur sa më parë platformën TikTok.

“Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, shkroi Rama në Facebook.

Në reagime të dhëna më herët për Faktoje.al, ekspertët kanë theksuar se Shqipëria është vendi i parë në rajon për gjuhën e urrejtjes.

“Me fillimin e përdorimit të TikTok është rritur ndjeshëm niveli i agresivitetit, duke parë edhe një garë, ku të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj vizibilitetit, një lloj kompeticioni në rrethet miqësore të adoleshentëve dhe të rinjve se personat që kanë më shumë vizibilitet janë më shumë të pëlqyeshëm dhe kjo çon në imitimin e personave që kanë vizibilitet,” deklaroi kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Mirgit Vata.

The post TikTok në Shqipëri nuk u mbyll për 8 javë appeared first on Faktoje.al.

A mjaftojnë 8 pika në Tiranë për tërheqjen e aboneve nga pensionistët?

17 February 2025 at 15:03

Që prej 1 janarit 2025, pensionistët e Tiranës udhëtojnë falas në transportin urban, duke përfituar “Abonenë e Pensionistit”. Megjithatë, procesi i tërheqjes së kësaj aboneje është shoqëruar me radhë të gjata dhe shqetësime për shpërndarjen e saj. Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se janë shtuar pikat e shpërndarjes, përfaqësues të Shoqatës së Transportit Urban thonë se nuk ka ndryshime në numrin e tyre. Në kryeqytet janë aktualisht 8 pika për shpërndarjen e aboneve për pensionistët. Përfaqësues nga shoqatat e Transportit argumentojnë se pikat janë të mjaftueshme, teksa bëjnë të ditur se kanë kërkuar që abonetë për pensionistët të prodhohen më herët, për të shmangur radhët.

Më 3 shkurt, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj foli sërish në lidhje me abonetë e pensionistëve. Në fjalën e mbajtur gjatë inaugurimit të godinave në Qytetin Studenti, Veliaj pranoi se ka radhë të gjata të të moshuarve, duke theksuar se janë shtuar pikat për tërheqjen e aboneve.

“Janë mbi 30 mijë pensionistë që tashmë e kanë tërhequr abonenë. Janë të tjerë që i shoh përditë në radhë dhe dua t’i qetësoj, ka abone për të gjithë. Nuk ka nevojë të shkojmë të gjithë në 7 të mëngjesit, jemi të hapur deri në 7 të darkës. Kemi shtuar pikat për këtë muaj dhe më vjen mirë që në total për çdo pensionist është 192 mijë lekë në vit kontributi me abonenë falas”, deklaroi Veliaj.

Por, si është aktualisht situata?

Faktoje pyeti në disa pika të shpërndarjes së aboneve për pensionistët mbi fluksin në këto kioska. Në kioskën pas 15 katëshit në qendër të Tiranës, shitësit ngritën shqetësimin për radhët e gjata që krijohen nga pensionistët për të marrë abonenë.

“Ditët e para ka shumë radhë, në të gjitha pikat. Është e pamundur të gjesh një pikë të lirë, Imagjinoje, të bësh 850 vetë brenda ditës, nuk është e lehtë. Abonetë vijnë zakonisht në fund të muajit dhe ne i shpërndajmë”, tregon një prej shitësve në këtë pikë.

Shitësit në kioskën pranë “Ushtarit të Panjohur” thonë se ata dhe pikat e tjera shpërndajnë abonetë çdo fund dhe fillim muaji, nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës.

“Ne funksionojmë nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të darkës. Në të gjitha këto pika mund të merren abonetë nga pensionistët”, bëjnë të ditur shitësit në këtë kioskë.

Dashnor Memaj nga Shoqata e Transportit Urban i tha Faktoje.al se deri më tani nuk janë shtuar pika të reja për shpërndarjen e aboneve për pensionistët.

“Janë diku te 8 pika për shpërndarjen e aboneve, nuk janë shtuar të reja”, argumenton Memaj.

Pikat ku shpërndahen abonetë

Pajisja me abone pensionisti bëhet në këto 8 pika në Tiranë:

Kioska tek Biblioteka Kombëtare, rruga “Luigj Gurakuqi”;

Kioska pranë Inxhinierisë së Ndërtimit, rruga “Muhamed Gjollesha”;

Kioska tek Stacioni i Trenit”, rruga “Reshit Petrela”;

Kioska tek 15 Kateshi, rruga “Urani Pano”;

Kioska tek Brryli, bulevardi “Zan d’Ark”;

Kioska pranë shkollës “Sabaudin Gabrani”;

Kioska pranë rrugës “Llazi Miho” tek stacioni i linjës nr.15 Kombinat-Kinostudio;

Kioska pranë rrugës ”Hoxha Tahsim” tek Kubi.

Kostandin Foni, nga Shoqata e Transportit Publik Tiranë tha për Faktoje.al se kioskat për shpërndarjen e aboneve për pensionistët janë të mjaftueshme, por duhet që të ketë një shpërndarje të të moshuarve.

“Radhët krijohen, sepse pensionistët dalin në mëngjes herët. Gjithashtu, radhët krijohen sepse shkojnë familjarë për të tërhequr abonenë për pensionistë dhe kjo nuk lejohet. Përfituesit e Abonesë së Pensionistit duhet që të paraqiten personalisht për tërheqjen e abonesë, pranë pikës së shpërndarjes, ku të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe foto.

Ne kemi kërkuar që abonetë për pensionistët të prodhohen më herët sesa abonetë e tjera. Abone ka plot, prodhohen më shumë sesa kërkesa dhe abonetë në këto pika qëndrojnë 10-14 ditë, që pensionistët t’i tërheqin kur të duan”, sqaron Foni.

Për pensionistët, tërheqja e aboneve çdo muaj është sfiduese, ndaj kërkojnë që të paktën të paraqiten njëherë në 6 muaj.

“Minimumi, aboneja duhet të jetë 6-mujore ose 1-vjeçare. Në çdo 6 muaj deklarohemi në bankë ku marrim pensionin. Presim 4 orë për të marrë atë abone, shpresojmë që do të ndreqet si problem”, thotë Qemali, pensionist.

Faktoje.al i është drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës për të mësuar ku janë shtuar pikat e reja të tërheqjes së aboneve për pensionistët, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë.

Në një verifikim të kryer më herët, Faktoje.al ka vërejtur radhë të gjata të të moshuarve për të marrë abonentë.

Nga 1 janari 2025, pensionistët e Tiranës udhëtojnë falas në linjat e transportit urban në kryeqytet. Për të përfituar ‘abonenë e pensionistit’, të moshuarit duhet të paraqiten pranë njësisë administrative për të bërë regjistrimin. Më pas, qytetarët e regjistruar në portalin e përfitimit të ‘Abonesë së Pensionistit’ duhet të paraqiten çdo fund muaji për të përfituar abonenë e pensionistit për muajin pasardhës në pikat përkatëse të shpërndarjes. Ata duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe foto.  

The post A mjaftojnë 8 pika në Tiranë për tërheqjen e aboneve nga pensionistët? appeared first on Faktoje.al.

Kompania SHELL drejt largimit nga Shqipëria

14 February 2025 at 10:05

Në 2023, qeveria premtoi se nafta e zbuluar në Shpirag do të sillte një epokë të re ekonomike për Shqipërinë. Por realiteti rezultoi ndryshe: SHELL po largohet dhe Fondi Sovran mbeti një ëndërr. Testimet e gjigandit holandez në Shpirag rezultuan zhgënjyese.

Esmeralda Topi

Verën e vitit 2023, kryeministri Edi Rama në krah të ministres së energjisë Belinda Balluku, lajmëroi shqiptarët se gjigandi holandez SHELL kishte zbuluar naftë të cilësisë së lartë në Shpirag.

“Nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite” deklaroi kryeministri asokohe.

Rama dhe Balluku thanë gjithashtu se qeveria kishte nisur punën për krijimin e një Fondi Sovran sipas modelit norvegjez.

“Përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet, do të impaktojë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë padiskutim, do të impaktojë, nuk diskutohet, sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe do të impaktojë mirëqenien e fëmijëve tanë në radhë të parë sepse ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj.”, premtonte kryeministri Rama.

Por deklarata të tilla, ekspertët e fushës, i cilësojnë të tepruara.

“Fondi sovran ide e mirë, por i tepruar. Në atë fazë që ishte projekti nuk mund të bësh të tilla parashikime. Shpiragu është një projekt i vështirë nga shumë pikëpamje. Nga ajo teknike, është shumë i shtrenjtë sepse është thellë dhe shumë i komplikuar sepse gjeologjia është e atillë. Shkëmbi është i tillë që nuk t’i japin parametrat optimal për një vendburim i cili do të na çonte tek fondi sovran.”, argumenton Kastriot Bejtaj, inxhinier me eksperiencë më shumë se 35 vjeçare në aktivitetin e hidrokarbureve në Shqipëri.

Gushti i 2023 nuk ishte hera e parë dhe as e fundit që Rama dhe Balluku të flisnin për zbulime të rëndësishme nafte dhe gazi nga kompania SHELL në Shqipëri. Prej vitit 2013, Rama është nxituar të bëjë deklarata të bujshme në emër të kompanisë. Nga ana tjetër, njoftimi i vetëm zyrtar nga ana e SHELL mbi ecurinë e testimeve në Shpirag daton më 23 maj të 2019. 

‘Testimet e para të Shell Upstream Albania B.V. (Shell) në pusin vlerësues Shpirag-4 në afërsi të Beratit, konfirmojnë potencialin e prurjeve të një zbulimi të rëndësishëm nafte të lehtë.’– shkruhej në njoftimin që konfirmonte potencial zbulimi të rëndësishëm të naftës në afërsi të Beratit.

SHELL drejt largimit  

Pak muaj pas ëndrrave me fond sovran dhe naftës së cilësisë premium, mediat raportuan se testet paraprake të kompanisë në Shpirag kishin rezultuar zhgënjyese. Po ashtu edhe verifikimet në terren konfirmonin se veprimtaria kërkimore e naftës dhe gazit në Shpirag kishte ndaluar.

Shpirag, 24 tetor 2024

Megjithatë, qeveria vijonte propogandën mbi Shpiragun- nga naftë e cilësisë së Arabisë, tek ajo e Teksasit.

“Cilësia e asaj nafte tashmë e analizuar nga ekspertët e SHELL është e njëjtë me brendin e Arabisë Saudite dhe atij të Teksasit që janë dy cilësitë më të larta në industrinë nxjerrëse sërish për shkak të komplikacioneve që kemi pasur atje me gjeologjinë shtytëse të malit të Shpiragut rezultatet janë vonuar.”, pretendonte Balluku gjatë raportimit të buxhetit 2025.  

Ndonëse SHELL vijon të mos ndajë komente zyrtare lidhur me Shpiragun, burimet i thanë Faktoje.al se muaji mars do të vulosë largimin e kompanisë nga Shqipëria.

Edhe në pasqyrat financiare të vitit 2023 që janë publikuar këtë vit, SHELL pranon se testimet në Shpirag përfunduan me një rezultat që këshillon kundër vazhdimit të vlerësimit.

“Në fillim të vitit 2024, testet në Shpirag -5 përfunduan me një rezultat që këshillon kundër vazhdimit të vlerësimit” – shkruhet në raportin e ecurisë së veprimtarisë së SHELL.

Inxhinier Bejtaj nuk e konsideron dështim Shpiragun.

“SHELL priste që volumet për secilin pus të ishin X kur ato rezultuan 3 herë më pak.”. shpjegon ai.

“Atje është vërtetuar prezanca e hidrokarbureve. SHELL ka këtë qëndrim për këtë objekt sepse nuk përmbush pritshmëritë e standardeve të SHELL në drejtim të prodhimit të parashikuar. Mbështetur në këto tregues paraprakë, kompanisë nuk i intereson zhvillimi atje. Sepse investimi që ai bën mund t’i rikthehet për një kohë të gjatë që del jashtë skenarit të tij optimist.”, përfundon inxhinieri.

Nga ana tjetër, kompania holandeze ka vendosur të tërhiqet edhe nga një tjetër bllok kërkimesh- blloku 4 që ndodhet në jug të vendit.

“Bazuar në vlerësimin/vendimin e marrë nga drejtuesit, nuk ka synim për të vazhduar aktivitetin e tij të biznesit për një të ardhme të parashikueshme. Drejtuesit vlerëson se likuidimi i degës do të fillojë përgjatë vitit 2025”, argumentohet në pasqyrat financiare të kompanisë.

Çfarë ndodh pas largimit të SHELL?

Faktoje ju drejtuar Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, mbi fatin e Shpiragut pas largimit të SHELL. Por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.

Ekspertët thonë se kur SHELL të largohet, kompania duhet të dorëzojë marrëveshjen hidrokarbure dhe gjithçka ka bërë në Shpirag pranë AKBN-së.

“Sipas këtyre premisave SHELL i bie te largohet. Të largohet dhe të shtrëngojë duart me autoritetet shqiptare dhe palët të ndahen paqësisht. SHELL dorëzon marrëveshjen dhe dorëzon pranë AKBN-së gjithçka ka bërë atje. Dhe këto i merr shteti shqiptar i cili mund të rihapë përsëri garën.”, thotë inxhinier Kastriot Bejtaj.

Historia e Shell në Shqipëri nis në vitin 1994 me marrjen e blloqeve B dhe F. Shell përfundoi kërkimet sizmike, por nuk arriti të shpojë puse për shkak të shpërthimit të trazirës civile në 1997 që e detyroi kompaninë ta zgjidhte kontratën me ndarje prodhimi. Shell u rikthye në Shqipëri në shkurt të 2012 ku filloi punimet në dy blloqe ekzistuese të kërkimit në tokë, në Shpirag (Blloku 2-3) në zotërim të kompanisë Petromanas dhe mori të drejtën e shfrytëzimit të këtij Blloku në vitin 2016. Më pas, kompania nënshkroi kontratë edhe për bllokun 4 në jug të vendit.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në Shpirag ishte zbuluar naftë e cilësisë premium, do ta kategorizojmë të pavërtetë.

The post Kompania SHELL drejt largimit nga Shqipëria appeared first on Faktoje.al.

Rama premton prokurime me AI por BE kërkon ekspertizë njerëzore

5 February 2025 at 17:00

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në mandatin e tij të katërt do të përdorë Inteligjencën Artificiale për prokurime publike, me qëllim anashkalimin e dorës së njeriut dhe nevojës për të trajnuar stafin që të arrijë standard europian në këtë fushë. Por një përgjigje e Komisionit Europian për Faktoje tregon se shtetet kandidate për anëtarësim pritet të ndërtojnë njohuri dhe ekspertizë në këtë fushë dhe jo t’a “shkarkojnë” përgjegjësinë tek Inteligjenca Artificiale.

Jona Plumbi

Akuza për shkelje të barazisë në tendera është një nga më të përsëriturat nga Prokuroria e Posaçme SPAK ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe vendorë. Njëkohësisht, pas skandalit të koncesioneve për inceneratorin e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, diskutimet për korrupsion qeveritar në proceset e prokurimeve janë në qendër të vëmendjes prej shumë kohe.

Duket se për të luftuar pikërisht këtë perceptim të korrupsionit të zyrtarëve në ministri dhe bashki duke keqpërdorur paratë e buxhetit të shtetit përmes prokurimeve korruptive, kryeministri Edi Rama njoftoi një “armë” të re, që sipas tij pamundëson korrupsionin në prokurime publike.

“[Ajo] që po bëjmë dhe që lidhet me një fazë të re të luftës kundër korrupsionit dhe përpjekjes për të rritur transparencën është një model inovativ me Inteligjencë Artificiale për të realizuar prokurimet publike. Me modelin e AI që po ndërtojmë unë besoj që në mandatin tonë të katërt, ne do të jemi vendi i parë që do të realizojë prokurime me 90% të procesit pa njeriun”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Është Inteligjenca Artificiale ajo që sipas Ramës, duke eleminuar “dorën” njerëzore në proceset e prokurimeve do të mundësojë drejtësi të një standardi europian. Kjo – theksoi kryeministri – do të evitojë edhe bezdinë e panevojshme që stafi i tij të trajnohet, të edukohet dhe të ndërtojë ekspertizë të nivelit europian.

“[AI do mundësojë] nivel objektiviteti dhe transparence që është i pakonkurrueshëm dot nga çfarëdolloj komisioni prokurimesh. Se ndryshe procesi do duhej të shkonte, sensibilizo, trajno, eduko, prit që shqiptarët të bëhen gjermanë e kshu me rradhë. Ndërkohë që në kushtet e sotme nuk është e nevojshme jo vetëm të bëhemi, por as të duam që të bëhemi si gjermanët,”  – Kryeministri Edi Rama.

Por Bashkimi Europian duket se ka një tjetër mendim për këtë.

Nisur nga rëndësia që ka procesi i përafrimit të ligjeve dhe ndërtimit të ekspertizës në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Faktoje u interesua pranë unionit për të kuptuar deri në çfarë pike mundet Inteligjenca Artificiale të zëvendësojë njeriun për prokurime publike për vendet anëtare të BE-së.

Bashkimi Europian tha për Faktoje se Inteligjenca Artificiale në fakt mundet vetëm të plotësojë njohurinë dhe ekspertizën që shtetet kandidate duhet të ndërtojnë dhe jo ta zëvendësojë atë.

“Ndërkohë që përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të mbështesë procesin e prokurimeve në hartimin e specifikimeve apo zbulimin e ofertave të dyshimta, aplikimi i Inteligjencës Artificiale mundet vetëm të plotësojë njohurinë dhe ekspertizën që shtetet kandidate duhet të ndërtojnë”

– Zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje

Zëdhënësi i KE shpjegon se si një vend kandidat si Shqipëria pritet që të përafrohet me legjislacionin e BE-së, përfshi edhe në fushën e Inteligjencës Artificiale (AI).

Akti për Inteligjencën Artificiale i BE-së parashikon një “qasje të klasifikuar” që bazohet tek rreziku dhe krijon një kuadër ligjor uniform dhe horizontal për AI. Qëllimi i saj është të mbrojë të drejtat themelore, të mundësojë sigurinë e përdoruesve dhe të krijojë besim në zhvillimin dhe miratimin e Inteligjencës Artificiale.

Ne do të inkurajonim Shqipërinë të sigurojë përafrimin e teknologjive të reja me Inteligjencë Artificiale me kriteret e Aktit për AI dhe qëndrojmë në gatishmëri për t’a mbështetur në këtë proces,” – thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian për Faktoje.

Ky reagim i Komisionit Europian i bën jehonë rezervave të shprehura tashmë nga Bashkimi Europian për deklaratat e kryeministrit Rama që njoftonte përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë europian përmes përdorimit të Inteligjencës Artificiale.

Nisur nga ky reagim i Komisionit Europian, deklaratën e kryeministrit Rama se për shkak të ndihmës nga Inteligjenca Artificiale nuk është më e nevojshme që zyrtarët të kenë ekspertizë europiane për prokurime publike, e konsiderojmë të pavërtetë.

The post Rama premton prokurime me AI por BE kërkon ekspertizë njerëzore appeared first on Faktoje.al.

Kantieri 15 vjeçar i unazës së madhe të Tiranës 

4 February 2025 at 12:00

Brenda janarit duhet të kishin përfunduar të gjitha hyrjet dhe daljet e unazës së madhe të Tiranës. Por vepra që u hap për qarkullim në fundvit vijon të jetë kantier. 

Esmeralda Topi 

Punimet për unazën e Tiranës kanë nisur në vitin 2010. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, vepra nuk është përfunduar. Por ky fakt nuk e pengoi qeverinë të vazhdonte traditën e ‘inaugurimeve’ të bujshme në vepra të papërfunduara prag zgjedhjesh. 

30 dhjetor u hap për qarkullim pjesa veriore e unazës së madhe të Tiranës-segmenti me 7 lote që plotëson rreth 29 kilometrat e gjithë perimetrit të veprës.

“Duke nisur nga sot, unaza është e gjitha e aksesueshme”, tha ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. “Kemi akoma disa momente, të cilat janë detaje të vogla siç e shikoni rampat apo gjithçka tjetër që mbaron brenda janarit”, shtoi më tej ajo

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranoi se vepra kishte punime të papërfunduara në rampat hyrëse dhe dalëse, ndonëse vepra u inaugurua me bujë. 

“Punime të papërfunduara janë kryesisht në rampat hyrëse dhe dalëse të saj”, tha ARRSH për Faktoje.al. 

Nyjet hyrëse dhe dalëse të unazës së madhe me zonën e Kinostudios, Babrrusë, Paskuqanit dhe Laprakës planifikoheshin të përfundonin brenda 30 ditëve. 

Fakt

Verifikimet tregojnë se deri më 28 janar pjesa veriore e unazës së madhe në nyjet hyrëse dhe dalëse të saj rezultoi kantier. Afati i dhënë publikisht sipas ekspertëve nuk mund të arrihet, teksa punimet do të vijojnë.  

Laprakë, 28 janar 2025

Një prej tyre është inxhinieri Artur Sulçe, i cili prej vitesh merret me mënyrën e projektimit dhe vlerësimit të rrugëve.  

“Këta i hapin para kohe për efekt elektoral, por vepra nuk shërben pa nyjet hyrëse dhe dalëse”, thotë Sulçe. 

Për inxhinierin hapja e veprës pa hyrje-daljet nuk i shërben qytetarëve.

“Është njësoj si të bësh një ujësjellës dhe të kesh ndërtuar vetëm depon e madhe, por s’ke shtruar tubat për shpërndarjen e ujit në çdo shtëpi”, argumenton ai. 

Unaza e ‘florinjtë’ 

Unaza e madhe e Tiranës është e gjatë rreth 29 kilometra. Kosto totale e saj përllogaritet mbi 491 milionë euro. Ajo është e ndarë në katër segmente: 

  • Unaza lindore; 134 milionë euro 
  • Unaza perëndimore; 64 milionë euro 
  • Unaza veriore; 170 milionë euro
  • Unaza jugore; 123 milionë euro

Segmenti më i shtrenjtë i veprës rezulton unaza e veriut që u hap me bujë në fundvit. Në të përfshihen 8,52 kilometrat nga ish-sheshi “Shqiponja” te mbikalimi i Shkozës. Ky segment është i ndarë në shtatë lote të cilat përllogariten me kosto mbi 170 milionë euro, duke zënë rreth 35% të faturës totale të veprës. 

Në këtë segment kosto për 1 kilometër llogaritet 20 milionë euro. 

BurimiL Ministria e Financave

Financimet nga buxheti i shtetit për këtë vepër do të vijojnë përtej vitit 2027. Në listën e parashikimeve buxhetore për investimet publike në vitet 2025-2027, Ministria e Financave planifikon 14 kontrata apo shtesa kontratash për unazën e Tiranës. 

Për dy vitet e ardhshme buxheti planifikon 8,8 milionë euro financime. Në 2027 janë të planifikuara 4,2 milionë euro dhe pas 2027 planifikohen 80 milionë euro financime për punime në këtë vepër. 

Financimet e unazës sipas buxhetit 

  • 2025        4 mln euro 
  • 2026     1,8 mln euro
  • 2027      4,2 mln euro
  • Përtej 2027    80 mln euro

Përfundim 

Nisur nga të dhënat e mbledhura dhe verifikimi i kryer, deklaratën e ministres së Infastrukturës Belinda Balluku se “rampat hyrëse dhe dalëse të unazës së madhe do të përfundonin brenda janarit” e kategorizojmë të pavërtetë. 

The post Kantieri 15 vjeçar i unazës së madhe të Tiranës  appeared first on Faktoje.al.

A do të ulet çmimi i energjisë për familjarët?

23 December 2024 at 15:00

Një muaj më parë, ministrja e energjisë Belinda Balluku tha se qeveria po sheh mundësinë e uljes së çmimit të energjisë për familjarët. Sipas saj, më 1 dhjetor të gjithë do të kishin informacionin e duhur mbi çmimin e ri të energjisë. Por, qeveria nuk ka bërë publike asnjë të dhënë lidhur me uljen e çmimit, teksa Enti Rregullator nuk ka ende vendim.

Esmeralda Topi

Gjatë seancës maratonë për miratimin në parim të buxhetit 2025, ministrja e energjisë Belinda Balluku tha se qeveria po sheh mundësinë e uljes së çmimit të energjisë për familjarët. Balluku zbuloi se mundësia e rishikimit të tarifës me ulje vitin e ardhshëm ishte porosi e kryeministrit.

 “Për sa i përket uljes së çmimit të energjisë, në 1 dhjetor do të keni të gjithë informacionin e duhur… Kam thënë që kryeministri ka lënë porosi që të shihet mundësia e uljes së çmimit të energjisë…”, deklaroi Balluku nga Kuvendi.

Fakt

Familjet shqiptare paguajnë 9.5 Lekë për çdo kilovat orë energji elektrike që konsumojnë. Ky çmim është fiksuar në vitin 2014 pasi u hoq tarifimi me dy fasha dhe prej një dekade ka mbetur i pandryshuar.

Për vitin e ardhshëm, Enti Rregullator i Energjisë nuk ka ende vendim. Kryetari i ERE-s Petrit Ahmeti thotë procesi është në fazë vlerësimi.

“Jemi në fazë vlerësimi dhe shumë shpejt do të dalim me një vendim.”, pohon Ahmeti për Faktoje.al. 

Referuar proceduarave të mëparshme, Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE-së, dorëzon një aplikim pranë ERE-s duke listuar tarifat e reja së bashku me treguesit ekonomikë. Pas kësaj, Bordi i Entit Rregullator mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE-së për të dalë me një vendim për çmimin.

Ish drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë Edurard Elezi thotë se këtë vit vendimmarrja është në shkelje të afateve.

“Procesi duhet të ishte kryer, pasi minimalisht duhet vendosur dy javë përpara mbylljes së vitit. Por asnjë nga institucionet nuk është transparente.”, argumenton ai.

Në pritje të vendimit, ekspertët e energjisë vlerësojnë se kompanitë kanë hapësira për të rishikuar me uljen çmimin e energjisë elektrike.

“Çmimi i energjisë duhet të ulet për të gjithë abonentet familjarë aq sa e ka Kosova. Në rast se qeveria e ul tarifën vetëm për pensionistët ky është tregues i qartë se ka qëllim fushatën elektorale dhe votat e tyre.”, pohon Azmer Duleviç.

Deri në fund të vitit 2023 abonentët familjarë përbëjnë 77.1 % të numrit total të klientëve të FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal). Konsumi i familjeve zë rreth 39.5% të konsumit total.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i bërë, deklaratën e ministres Balluku se ‘për uljen e çmimit të energjisë, në 1 dhjetor do të keni të gjithë informacionin e duhur…’ e kategorizojmë të pavërtetë.

The post A do të ulet çmimi i energjisë për familjarët? appeared first on Faktoje.al.

Tirana nuk ka 1 milionë banorë

5 December 2024 at 15:26

Këtë fillim muaji, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se kryeqyteti numëron 1 milionë qytetarë. Zyrtarisht, numri i popullsisë në Tiranë rezulton 598,176 banorë. Edhe si qark, Tirana numëron gjithsej 758, 513 banorë.

Esmeralda Topi

Më 2 dhjetor, Tirana veshi petkun e festave të fundvitit. Në sheshin Skëndërbej u ndezën dritat shumëngjyrëshe – një traditë e Bashkisë Tiranë që këtë vit u realizua më herët se zakonisht.

Gjatë ceremonisë festive, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i shoqëruar nga fëmijë dhe qytetarë, ndezi dritat e pesë pemëve të vendosura në qendër të qytetit.

“Sot Tirana ka 1 milionë qytetarë…”, deklaroi Veliaj gjatë fjalës së tij.

Fakt

Numri i popullsisë në Tiranë rezulton 598,176 banorë dhe jo 1 milionë siç deklaron Veliaj. Referuar të dhënave zyrtare të INSTAT, edhe si qark Tirana nuk e arrin shifrën e 1 milionë banorëve.

Burimi: INSTAT

Censin e fundit të popullsisë dhe banesave qarku i Tiranës rezulton me 758, 513 banorë gjithsej.

1/3 e popullsisë në Tiranë

Në Shqipëri jetojnë 2,4 milionë banorë. Rreth 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është përfundimi i INSTAT pas mbylljes së Censit për popullsinë dhe banesat 2023.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 31,6% e shqiptarëve të numëruar nga Censi 2023 jetojnë në qarkun e Tiranës. Qarku i dytë me përqindjen më të lartë të popullsisë është Fieri me rreth 10 përqind, ndjekur nga qarku i Elbasanit me 9,7 përqind ndaj popullsisë gjithsej. Qarqet me numrin më të ulët të popullsisë janë Kukësi dhe Gjirokastra.

Burimi : INSTAT

Dekadën e fundit, popullsia ka ardhur në rënie në të gjithë qarqet, me përjashtim të Tiranës. Në anën tjetër, popullsia e qarkut Tiranë është rritur me 1,2 përqind, më së shumti prej migracionit të brendshëm.

Përfundim

Mbështetur në të dhënat zyrtare të Cens-it 2023, deklaratën e kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se ‘kryeqyteti numëron 1 milionë qytetarë’, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Tirana nuk ka 1 milionë banorë appeared first on Faktoje.al.

Shqipëria pranohet zyrtarisht në SEPA

29 November 2024 at 16:00

Shqipëria u pranua në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) këtë nëntor. Vendimi i Këshillit Europian të Pagesave pritet të sjellë lehtësi në pagesat ndërkufitare në euro – me kosto të ulta dhe kohë më të shpejtë. Kryeministri Edi Rama tha se përfitimet nisin nga 1 janari 2025, por verifikimet tregojnë se vënia në zbatim e SEPA-s kërkon më shumë kohë.

Esmeralda Topi

Më 21 nëntor, Shqipëria u pranua në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA). Sistemi i pagesave të Bashkimit Evropian siguron pagesa në Euro me të njëjtën kosto dhe lehtësi si brenda një vendi, ashtu edhe midis vendeve të BE-së.

Puna për anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA ka nisur që prej vitit 2021. Por vendimi i Këshillit Europian të Pagesave u zyrtarizua pesë muaj pasi Shqipëria dërgoi aplikimin formal.

“Shqipëria, nën drejtimin e Bankës së Shqipërisë, është angazhuar në përpjekje të konsiderueshme për përfarimin e rregulloreve dhe sistemeve kombëtare të pagesave me standardet e Bashkimit Evropian, duke u bërë pjesë e grupit të parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohen zonës gjeografike SEPA, si parakusht për hyrjen në BE.”, shkruhet në njoftimin e Këshillit Evropian të Pagesave, më 21 nëntor.

Fakt

‘Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025.’- shkruante kryeministri Edi Rama, ditën kur Shqipëria zyrtarizoi anëtarësimin në SEPA.

Për ironi, reagimin e tij në rrjete sociale Rama e shoqëronte me njoftimin e Këshillit Evropian të Pagesave që ndante tjetër afat. Përfitimet nga SEPA do të nisin nga prilli i vitit të ardhshëm- bënte të ditur Këshilli Evropian i Pagesave.

“Aderimi i institucioneve financiare shqiptare në skemat e pagesave SEPA, sipas kalendarit të KEP-it, do të mundësohet duke nisur nga muaji prill 2025, ndërsa KEP-i do të komunikojë në një moment të dytë datën e gatishmërisë operacionale (ORD) për ofruesit e shërbimeve të pagesave (OShP) që operojnë në Shqipëri.”, sqaron Këshilli Evropian i Pagesave.

Profesor Elvin Meka, shton se përfitimet konkrete mund të kërkojnë edhe më shumë kohë.

“Kjo sepse varet nga gatishmëria teknike e çdo operatori. Duhen bërë investime dhe duhet ndërfaqe. Pra çështje teknike. Kush është gati në prill thjesht pret të hapet drita jeshile” – argumenton Meka.

Ofruesit e shërbimeve të pagesave në Shqipëri do të kenë mundësi të aderojnë në skemat e ndryshme të SEPA-s, pasi institucionet tregtare individuale të aderojnë në skemë si pjesë e një procesi të veçantë të menaxhuar nga Këshilli Evropian i Pagesave.

Ky hap çel udhën për lehtësimin e transfertave financiare në euro dhe uljen e kostos së këtyre transaksioneve midis Shqipërisë dhe anëtarëve të tjerë të SEPA-s.

Çfarë përfitojmë?

Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) është një shoqatë ndërkombëtare e pavarur, e përbërë nga 81 anëtarë që janë ofrues të shërbimeve të pagesave. Këshilli u krijua në vitin 2002 nga industria bankare evropiane për zhvillimin e instrumente evropiane për pagesat elektronike në euro. Sot në SEPA marrin pjesë rreth 4.000 banka dhe ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave.

Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA pritet të sjellë lehtësi në pagesat ndërkufitate në euro, me kosto më të ulta dhe kohë më të shpejtë.

“Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare. E thënë më thjesht, përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.”- deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se nëpërmjet SEPA-s, kostoja e pagesave ndërkufitare në Euro me vendet anëtare të skemës do të jetë minimalisht 5 herë më e ulët. 

“Sipas vlerësimeve tona paraprake, kursimi për ekonominë shqiptare mund të jetë të paktën 20 milionë euro në vitin e parë, për t’u rritur në mënyrë progresive në vijim. Njëkohësisht, ulet koha e kryerjes së pagesave dhe rritet konkurrenca nëpërmjet prezantimit të produkteve dhe shërbimeve moderne dhe të sigurta.” – argumentoi më tej Sejko.

Në të njëjtën linjë janë edhe ekspertë të njohur të tregjeve financiare.

“Përfitimet janë dy: transaksione të shpejta nga disa sekonda në brenda ditës dhe kosto shumë të ulta nga zero në pak euro”, shpjegon profesor Elvin Meka.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e kryeministrit Rama se ‘‘se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025’ e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Shqipëria pranohet zyrtarisht në SEPA appeared first on Faktoje.al.

Rindërtimi, mbi 1 miliardë euro nga buxheti

26 November 2024 at 15:00

5 vite pas tërmetit tragjik mijëra familje vijojnë të jenë pa çati mbi krye. Kryeministri zotohej se familjet e pastreha do të gëzonin banesat brenda 2020, por procesi nuk ka mbaruar. Buxheti ka dhënë mbi 1 miliardë euro për rindërtimin që pritet të mbyllet në 2026.

Esmeralda Topi

Pak orë pasi mijëra familje shqiptare u gjendën në udhëkryeq për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, kryeministri Edi Rama u zotua se të gjithë të pastrehët do të futeshin në banesat e reja brenda një viti.

“Brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti. Duhet të jenë të gjithë në kushte më të mira se ç’ishin para tërmetit.”premtoi Rama asokohe.  

Fakt

Pesë vite pas tërmetit tragjik mijëra familje vijojnë të pastreha. Procesi i rindërtimit nuk është mbyllur me afate të zvarritura vit pas viti. Vonesat në rindërtim sipas drejtuesit të Institutit të Bashkive janë diktuar nga disa faktorë.

“Procedurat e komplikuara administrative dhe burokracia kanë zgjatur kohën për aprovimin e projekteve dhe dhënien e fondeve. Koordinimi i pamjaftueshëm midis bashkive dhe qendrore shpesh ka çuar në vonesa. Përparësitë shpesh janë vendosur sipas kritereve që nuk janë të qarta, çka ka krijuar ndjenja të pabarazisë në komunitete. Kapacitetet e kufizuara teknike dhe financiare qe vijnë nga buxhet i pamjaftueshëm dhe larg pritshmërive.”, argumenton Haxhimali.

Afati i ri i dhënë zyrtarisht është fundi i vitit 2026. Por ekspertët thonë se procesi do të marrë më shumë kohë.

“Ky 5 vjetor le të jetë një kembanë zhurmuese për rishikimin e prioriteteve dhe forcimin e menaxhimit institucional. Gjithashtu të shërbejë si moment reflektimi dhe rishikimi për të përshpejtuar përmbushjen e detyrimeve ndaj qytetarëve të prekur.”, shprehet Haxhimali nga Instituti i Bashkive.

Barra e rindërtimit në buxhet

Të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se buxheti i shtetit ka mbajtur barrën kryesore të rindërtimit. Shpenzimet që nga krijimi i fondit të rindërtimit, deri në nëntor të këtij viti rezultojnë 126,4 miliardë lekë- mbi 1 miliardë euro.

Burimi: Ministria e Financave

Me aktin e fundit normativ, qeveria i shtoi buxhetit të këtij viti 2 miliardë lekë për financimin e punimeve të kryera për rindërtimin. Ndërsa në buxhetin e vitit të ardhshëm, fondi shtohet me 2 miliardë lekë të tjera.

Referuar të dhënave, barra financiare e taksapaguesve shqiptarë për rindërtimin ka qënë më e lartë në katër vitet e para. Por fondet edhe pse më të pakta do të vijojnë në buxhet të paktën deri në fund të 2026. Buxheti parashikon 2 miliardë lekë si fond për rindërtimin pas dy vitesh.

Paratë e donatorëve

Në konferencën e donatorëve për rindërtimin në Bruksel, Shqipërisë iu vunë në dispozicion 1,15 miliardë euro në formë grantesh dhe kredish të buta. 

Komuniteti ndërkombëtar ka angazhuar 1.15 miliardë euro për Shqipërinë, që është një shifër fenomenale, që do të plotësojë nevojat dhe unë jam shumë e emocionuar nga solidariteti i treguar nga komuniteti ndërkombëtar për Shqipërinë.”, shprehej asokohe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në krah të Kryeministrit Edi Rama në shkurt të 2020-s.

Nga fondi 1.15 miliardë euro, 750 milionë ishin kredi të buta. Huatë më interesa të ulta qeveria i shpërfilli duke ia lënë barrën e rindërtimit buxhetit të shtetit. 

dhënat e ministrisë së Financave tregojnë se nga viti 2020, e deri në prill të këtij viti, qeveria ka marrë 38 linja kredie nga institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare. Por asnjë prej tyre nuk lidhet me rindërtimin. 

Qeveria nuk e realizoi këtë, sepse s’kishte mundësi t‘i alokonte fonde oligarkëve dhe klientëve të saj, duke përfshirë dhe elemente të krimit të organizuar. Por përdori paratë e buxhetit që gjithsesi janë të pamjaftueshme.”, argumenton Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

Nën petkun e emergjencës, shumica e kontratave për rindërtimin u lidhën përmes procedurës së kufizuar dhe negociimit të drejtëpërdrejtë.

Nëse nuk respekton rregullat e shkruara, asnjë donator nuk të jep, sepse ata japin llogari përpara taksapaguesve. Kanë manuale dhe rregulla të shkruara dhe shkelja e tyre ngarkon me përgjegjësi cilindo që certifikon para që nuk shkojnë për destinacionin dhe mbi bazën e rregullave të përcaktuara për të cilat janë dhënë.’, thekson më tej Preçi. 

Përfundim 

Nisur nga informacionet e mbledhura premtimin e kryeministrit Edi Rama se ‘brenda vitit 2020 nuk duhet të ketë më diskutim për asnjë person që ka humbur shtëpinë nga tërmeti’ e kategorizojmë të pambajtur. 

#rindertim#termet#familje#qeveri#afate

The post Rindërtimi, mbi 1 miliardë euro nga buxheti appeared first on Faktoje.al.

Bonusi i pensionistëve në buxhetin e 2025-ës

22 November 2024 at 16:00

Gjatë diskutimeve maratonë për buxhetin e vitit 2025, kryetar i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha ndër të tjera se qeveria nuk parashikon bonus për pensionistët fundvitin e ardhshëm. Në fakt, në buxhetin e vitit 2025 qeveria parashikon 3,7 miliardë lekë si bonus për pensionistët.

Esmeralda Topi

Në fillim të javës, parlamenti miratoi pas një seance maratonë 48 orëshe dokumentin më të rëndësishëm të financave publike, buxhetin e shtetit për vitin 2025.

Diskutimet mes qeverisë dhe opozitës kishin një emerues të përbashkët, pensionistët. Si rrallë herë, PS dhe PD e përqendruan diskursin politik tek të moshuarit.

Kryeministri e nisi fjalën e tij në Kuvend me vendimin për rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët nga 5 mijë lekë në 10 -15 mijë lekë, duke nisur nga ky vit. Po ashtu, Rama premtoi një tjetër shpërblim për pensionistët vitin e ardhshëm- të cilin e pagëzoi me emrin ‘bonusi i pranverës’.

Këto vendime sipas opozitës kanë për qëllim votën e mbi 791 mijë pensionistëve në zgjedhjet parlamentare të 2025.

 “As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin që ka ardhur për 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025 sepse nuk ka ndërmend t’ia japi.”- deklaroi kryetar i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi gjatë fjalës në kuvend.

Fakt

Buxheti i 2025, nuk parashikon para për rritje pensionesh. Por ndryshe nga sa pretendon Bardhi, buxheti e parashikon fondin për bonusin dedikuar pensionistëve. Po ashtu edhe për indeksimin e pensioneve.

Referuar shifrave, fondi për shpërblimin e fundvitit është thuajse i njëjtë me atë të këtij viti. Në 2025 qeveria ka planifikuar 3,7 miliardë lekë në formën e bonusit, nga 3,6 të planifikuara këtë vit. Pra në planifikimet fillestare bonusi për pensionistët do të ishte 5 mijë lekë, sikurse ka qënë vitet e fundit.

Buxheti i shtetit 2025/ Burimi: Ministria e Financave

Vendimmarrja e re që parashikon dyfishimin apo trefishimin e shpërblimit e detyron qeverinë të rishikojë fondin prej 3,7 miliardë lekësh me rritje duke nisur nga ky muaj.

Edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm zëri i bonusit duhet të rishikohet në rritje në mënyrë që të përmbushet angazhimi për shpërblime nga 100 deri në 150 euro.

Po ashtu, buxheti 2025 duhet të ndryshojë për të reflektuar edhe paratë për bonusin e premtuar të pranverës- zë që nuk është i parashikuar në buxhetin 2025.

Bonusi ndër vite

Në Shqipëri jetojnë 791,257 pensionistë. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në dhjetë vite pensioni mesatar në qytet është rritur me 4,158 lekë dhe në fshat 3,586 lekë. Në dhjetë vitet e fundit qeveria ka shpërndarë çdo fundvit bonus nga 3 deri në 5 mijë lekë për pensionistët.

Pensioni mesatar urban

2013                14,076 lekë

2023                18,234 lekë

Pensioni mestar rural

2013                7,465 lekë

2023                11,051 lekë

Përfundim

Bazuar në të dhënat zyrtare të buxhetit për vitin 2025, deklaratën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi se ‘nuk parashikohet bonus për fundvitin e ardhshëm’ e kategorizojmë të pavërtetë.

#pension#bonus#buxhet#bardhi#pd

The post Bonusi i pensionistëve në buxhetin e 2025-ës appeared first on Faktoje.al.

Siguria ushqimore në Shqipëri prioritet në letra

15 November 2024 at 17:24

Në Shqipëri, siguria ushqimore shpallet si prioritet nga qeveria, por buxheti dhe investimet për sektorin nuk arrijnë të mbulojnë nevojat e tregut. Qytetarët ankohen për sigurinë ushqimore ndërkohë që Komisioni Evropian i kujtoi qeverisë mungesën e progresit të Shqipërisë në këtë drejtim.

Esmeralda Topi

Edhe vitin e ardhshëm bujqësia do të jetë sektori më pak i financuar nga buxheti i shtetit. Ndonëse vijon të japë kontribut të lartë në ekonomi, qeveria parashikon 14,6 miliardë lekë fonde për bujqësinë. E thënë ndryshe sektori do të përfitojë vetëm 4.8% më shumë se viti aktual.

Nga totali i shpenzimeve buxhetore për bujqësinë, pjesën e luanit e merr zhvillimi rural që mbështet prodhimet bujqësore. Më pas vjen menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes dhe zëri i tretë më i financuar në sektor shkon për sigurinë ushqimore.

Vitin e ardhshëm qeveria planifikon 2,5 miliardë lekë si fonde për sigurinë ushqimore- fushë që autoritetet e vlerësojnë prioritare.

“Siguria ushqimore është një nga priorietet kryesore të ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.”deklaroizëvendës ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin RuralArjan Jaupllari gjatë prezantimit të projekt buxhetit në komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese.

“Investimet në sigurinë ushqimore tashmë janë të dukshme dhe kanë garantuar sigurinë ushqimore për popullatën dhe konsumatorët shqiptarë.’, vijoi më tej ai.

A është vërtet prioriet siguria ushqimore? Me fjalë të thjeshta jo.

Fakt

Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit qeveria ka financuar gjithsej 10,4 miliardë lekë për sigurinë ushqimore. Vitin e ardhshëm buxheti i shtetit planifikon 2,6 miliardë lekë nga 1,6 miliardë lekë që janë dhënë për sigurinë ushqimore në vitin 2021. Për këtë periudhë rezulton se buxheti i dedikuar për sigurinë ushqimore është rritur me 1 miliardë lekë- por fondet për vitin e ardhshëm janë thuajse të njëjta me ato të vitit aktual.

Ky fond sipas ekspertëve të bujqësisë është shumë i ulet krahasuar me nevojat që ka tregu vendas.

“Mungesa prej 146 miliardë lekë nga skemat e IPARD e bëjnë më akute nevojën për fonde dhe investime. Pasi dhe pse fondet e IPA III dhe IPARD III shihen si fonde të cilat jepen për zhvillimin e sektorit agro në thelb të tyre ato kanë arritjen e sigurisë ushqimore në vendet që përfitojnë nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe social të zonave.”, vlerëson Esmeralda Ballesha eksperte për çështje të bujqësise.

Sipas saj, nevoja për investime në rritjen e sigurisë ushqimore nuk lidhet vetëm me sektorin privat, por edhe me instuctionet publike që mbikqyrin sigurinë ushqimore.

“Për të qënë konkurrues në rajon dhe për më tepër për të monitoruar konform standarteve produkte të cilat hyjnë në Bashkimin Europian, këto institucione kanë nevojë të kenë të njëjtat mjete, pajisje, e kapacitete të cilat kanë koston e tyre e cila deri më tani ka qënë e vështirë të mbulohet me fonde publike dhe me ndihmën e donatorëve të huaj.”- përfundon Ballesha.

Brukseli na ngel në klasë

Siguria ushqimore ishte një nga kapitujt me vlerësimin më negative të Komisionit Evropian në raportin e vitit 2024 për Shqipërinë.

Këtë vit, KE e cilëson edhe më shqetësuese çeshtjen e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve krahasuar me një vit më parë. Nga progres i limituar në fushën e sigurisë ushqimore këtë vit vendi rezulton se nuk ka bërë ‘asnjë progres’ në këtë drejtim.

Referuar raportit, “Shqipëria ka një nivel përgatitjeje politikash në fushën e sigurisë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Por, nuk është bërë progres gjatë periudhës raportuese. Nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të harmonizuar legjislacionin me ‘acquis’ të BE-së dhe t’a zbatojë atë. Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë politikën kombëtare sektoriale të sigurisë ushqimore”.

Komisioni Evropian nxjerr në pah faktin se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar dhe i kujton autoriteteve se duhet të përmbushin këto detyra:

“Shqipëria duhet të punojë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me ‘acquis’ të BE-së, veçanërisht për shëndetin e kafshëve dhe të bimëve, për kontrollet zyrtare, mirëqenien e kafshëve dhe me Rregulloret për Ligjin e Përgjithshëm të Ushqimit; Duhet të finalizojë plotësimin e personelit të shërbimit veterinar për të siguruar funksionimin e tij si dhe të forcojë kapacitetet për zbatimin e programeve të mbikëqyrjes dhe vaksinimit të kryesore sëmundjet infektive të kafshëve.”, pohon raporti i KE-së.

Lumë ankesash nga qytetarët

Hasan Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë për Faktoje.al se këtë vit ka marrë 3548 ankesa nga qytetarë të ndryshëm lidhur me sigurinë ushqimore.

“Ankesat me numrin më të lartë kanë ardhur nga zonat urbane në Tiranë si dhe nga Elbasani, Kruja, Fushë Kruja, Laçi, Shkodra, Fieri, Vlora, Saranda dhe Durrësi.”, tregon Stafa.

Mbi 70% e ankesave konsumatorët nga veriu në jug i Shqipërisë i kanë për cilësinë e ushqimeve.

“Ankesa për cilesinë e peshën e bukës, për mishin e nënproduktet e tij, etiketa të korrigjuara apo pa datën e skadencës e të tjera”, – pohon Stafa nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Përfundim

Nisur nga të dhënat e përpunuara dhe informacioni i mbledhur, deklaratën e zëvendës ministrit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Arjan Jaupllari, se siguria ushqimore është prioritet i Minirtisë do ta kategorizojmë të pavërtetë.

The post Siguria ushqimore në Shqipëri prioritet në letra appeared first on Faktoje.al.

Paga e Ramës nuk është sa 50 pensione, në muaj

14 November 2024 at 17:00

Më 12 tetor të këtij viti, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi përmes një konference online për mediat se kryeministri Edi Rama paguhet sa 50 pensionistë në muaj ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, merr rrogë sa 60 pensionistë në muaj. 

Deklarata e kryetarit te PD-se, Sali Berisha, me 12 tetor lidhur me hendekun e pagave dhe pensioneve

Konteksti

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në bazë të afateve të Kodit Zgjedhor, pritet të mbahen në periudhën 20 prill-11 maj 2025. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të ISSH në vend janë 791,257 pensionistë, indikacion ky që tregon se ata janë zë i konsiderueshëm në vota për zgjedhjet e 2025, edhe pse nuk ka të dhëna të detajuara publike, që tregojnë saktësisht përqindjen e tyre si grup votues specific. Ndaj dhe, krahasimi i çdo të dhëne me këtë shtresë vulnerabël në periudha para zgjedhore shërben si aksiomë e frytshme politike qoftë për njërën palë për të rezonuar shpejt dhe kuptueshëm kur bën opozitën e qeverisjes, e qoftë për palën tjetër në pushtet për të siguruar vota. Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata publike e ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha, më 12 Tetor.  

Në konferencën e tetorit me median, Berisha, duke folur për pagat, tha se, Shqipëria aktualisht ka hendekun më të lartë në Europë midis rrogave më të larta dhe atyre më të ulëta si dhe pensioneve

“Ky disproporcion i pamëshirë i kultit të pagesave super të larta të zyrtarëve ku presidenti merr një rrogë të barabartë me 60 pensionistë në muaj, ku kryeministri merr një rrogë të barabartë me 50 pensionistë në muaj, nuk mund të ekzistojë askund në një vend të lirë, ku të mirat, të ardhurat kthehen në mirësi për mbarë qytetarët”, u tha Berisha gazetarëve pëmes një komunikimi online nga shtëpia e tij.

Faktoje.al (me konsultimin paraprak edhe të një eksperti të ekonomisë) bëri një verifikim të deklaratës së Berishës duke krahasuar pagën mujore që merr kryeministri Edi Rama dhe shumën që paguhet Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, me pensionin mesatar mujor në zonat urbane dhe atë rurale

Të dhënat

Sot Presidenti i Republikës, Bajram Begaj paguhet 425 mijë lekë në muaj. Për të llogaritur se sa pensionistë marrin rrogën e Presidentit në muaj, Faktoje.al i është referuar krahasimit të pagës së kreut të shtetit me pensionin mesatar në zonat urbane dhe atij në zonat rurale. Pensioni mesatar mujor në zonat urbane është 18,234 lekë+ 748 lekë (më shumë) pas indeksimit me 4.1% nisur nga muaji tetor. Nga përllogaritjet rezulton se paga e Presidentit është sa 22 pensione mesatare në muaj. I njëjti krahasim edhe me pensionin mesatar në zonat rurale.  Në zonat rurale, pensioni mesatar mujor është 11,051 lekë+453 lekë indeksim (i aplikuar nga 1 tetori).

Referuar sa më sipër, rezulton se paga e Presidentit është sa 37 pensione mesatare në muaj.

Kryeministri Edi Rama merr pagë mujore bruto 393,125 lekë. Sot pensioni mesatar në zonat urbane është 18,982 lekë (bashkë me indeksimin e fundit)  

Duke krahasuar pagën e kryeministrit në një muaj me pensionin mesatar (18.982) na rezulton se Rama paguhet sa 20.7 pensione mesatare (urbane) në muaj.

E njëjta përllogaritje edhe me pensionin mesatar në zonat rurale. Paga nuk kalon shumën e 34 pensioneve mesatare në muaj.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i të dhënave na rezulton se deklarata e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, mbajtur më 12 tetor të këtij viti për pensionet është e pavërtetë.


The post Paga e Ramës nuk është sa 50 pensione, në muaj appeared first on Faktoje.al.

❌
❌