“Rruga me punime skandaloze”/ Erion Braçe ‘shpërthen’ ndaj firmës së Ervis Berberit
Një status i bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe në “Facebook”, i ka dhënë material Prokurorisë së Posaçme për ta bërë pjesë të dosjes hetimore ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, dhe grupit tjetër, për të cilën prokuroria kërkon t’i marrë nën akuzë.
Referuar një shkrese zyrtare, që “Ora News” e administron, thuhet se në videon e publikuar nga Erion Braçe prej 59 sekondash shfaq një tabelë me investitor “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me objekt: “Mirëmbajtje me performancë e segmenteve rrugore Fier Shegan – Divjakë, K/Rr. Nacionale – Grabian, Strum – Qafë Marinëz, 56.5 KM”, me vlerë 65,337,825 lekë pa TVSH, me kontraktor BOE “BE-IS” sh.p.k dhe “Ergi” sh.p.k, me mbikëqyrës punimesh “Net Group” sh.p.k”.
Gjatë videos, thotë SPAK-u, shfaqet vetëm tabela e mësipërme, si dhe dëgjohet një zë, në dukje si ai i deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shtetasit Erion Braçe, i cili shoqëron videon dhe është transkriptuar si më poshtë:
“Se më në fund gjeta dhe tabelën, që e kanë vënë diku këtu në Krutje të Poshtme, sa kalon kryqëzimin e Pushimit të Shoferit. Ja ku është tabela, kontrata e këtij është 65,337,825 lekë të reja pa tvsh, dhe kompanitë janë BOE “BEIS” sh.p.k “ERGI” sh.p.k, dhe këtij i mbaron kontrata në gusht të 2024. Mbikëqyrësi i punimeve, se më intereson shumë kjo, është “Net Group” sh.p.k. Nuk e di sa leke merr ky Net grupi, por po te m’i jepnin mua mund ta bëj dhe më mirë punën. Adresa e kontraktorit është në lagjen numër 1 të Kukësit, prandaj është rruga në këtë lloj derexheje, dhe prandaj kjo kontrata është në tilla nivele zbatimi”.
The post “Rruga me punime skandaloze”/ Erion Braçe ‘shpërthen’ ndaj firmës së Ervis Berberit appeared first on Sot News | Lajme.