TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe prezantoi sot në Kuvend, projektligjin për strategjinë kombëtare kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.
Braçe tha se ky projektligj është proces që shënon etapë të re të ndërtimit të imunitetit demokratik të vendit tonë, përballë sfidave më të sofistikuara të shekullit siç janë ndërhyrjet e huaja keqdashëse dhe dezinformimi në hapësirën publike, institucionale dhe politike.
“Të gjithë jemi dëshmitarë që kërcënimet ndaj demokracive moderne nuk shfaqen më në forma klasike. Dezinformimi, manipulimi i informacionit publik, depërtimi i interesave të huaja në procese zgjedhore apo sektorë kritikë të ekonomisë kombëtare janë kthyer në mjete efektive të ndikimit politik dhe strategjik, pa kaluar në forma të drejtpërdrejta të dhunës apo agresionit ushtarak”, tha ai.
Deputeti socialist u shpreh se Shqipëria si një vend kandidat për anëtarësimin në BE dhe anëtare e NATO-s nuk është imune ndaj këtyre formave të reja të ndërhyrjes. Sipas Braçes, pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë, tranzicioni i gjatë institucional dhe linjëzimi i qëndrimeve të qeverisë së Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare me vendimet e BE dhe NATO-s, e bëjnë vendin tonë të ekspozuar ndaj rreziqeve që vijojnë të jenë të pranishme dhe të shtohen.
“Duke qenë të vetëdijshëm për këto dinamika, dhe nevojën për t’i adresuar ato, Kuvendi vendosi ngritjen e një komisioni të posaçëm me një mandat të qartë që të koordinojë dhe mbikëqyrë veprimet institucionale për të adresuar dezinformimin dhe ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike të vendit”, tha Braçe.
“Strategjia Kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit përfaqëson një qasje të re të domosdoshme të ndërtuar mbi një proces të thelluar institucional dhe politik të udhëhequr nga Komisioni Parlamentar që u ngrit me vendimin tuaj”, vijoi deputeti socialist.
Braçe u shpreh se krijimi i këtij komisioni, materializoi vullnet me një mesazh të qartë politik: lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse duhet të jetë prioritet kombëtar që kërkon vëmendje në Kuvendin e Shqipërisë.
“Metodologjia e ndjekur bazuar në parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirjes ka përfaqësuar një dimension të dialogut politik dhe institucional duke mundësuar jo vetëm identifikimin e problematikave, por edhe hartimin e rekomandimeve strategjike të qëndrueshme me sfidat edhe dinamikat e kohës”, theksoi ai.
“Përmes një analize të kujdesshme dhe modeleve funksionale është siguruar një qasje strategjike e qëndrueshme në përputhje me standardet e BE dhe ato euroatlantike. Përfshirja e një grupi të gjerë ekspertësh të këtij komisioni ka shtuar vlerën dhe cilësinë e procesit”, shtoi Braçe.
Braçe tha se ky grup pune i përbërë nga 22 funksionarë publik, përfaqësues të 18 institucioneve dhe 19 ekspertë të jashtëm, hartoi raportin analitik mbi ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin ku skanoi situatën aktuale lidhur me këto fenomene.
Deputeti socialist theksoi se “kjo analizë diktoi qartë nevojën për adaptimin e një qasjeje të integruar dhe të qëndrueshme mes institucioneve shqiptare dhe me çdo aktor dhe faktor të jetës publike për të garantuar që përgjigja ndaj kërcënimeve të jetë efektive dhe në kohë”.
“Strategjia parashikon ngritjen e një autoriteti rregullator dhe mbikëqyrës politikash të ngritura me ligj për koordinimin institucional, për monitorimin e planit të veprimit dhe harmonizimin me dokumentet e tjera të Republikës së Shqipërisë”, pohoi Braçe.
“Është më shumë se deklaratë politikash, është një vullnet i përbashkët demokratik i të drejtave themelore të qytetarëve dhe aspiratave integruese në një kohë kur dezinformimi nuk është vetëm një mjet propagandistik, por edhe një armë strategjike. Shqipëria nuk mund të jetë e papërgatitur. Ajo po i bashkohet aleancës demokratike duke afirmuar se transparenca dhe faktet do të mbrohen me të njëjtin seriozitet sa edhe kufijtë territorialë”, cilësoi Braçe.
/e.i/j.p/
The post Braçe: Qasje strategjike në luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.