Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Taksat dhe tarifat vendore/ Lehtësira fiskale për gra kryefamiljare e pensionistë, zbardhet vendimi, procedura e përfitimit

By: V K
19 August 2025 at 11:09

Bashkia e Tiranës, ka miratuar një paketë të re ndryshimesh dhe shtesash në sistemin e taksave dhe tarifave vendore, duke sjellë lehtësira konkrete për kategori të caktuara të popullsisë dhe biznese.

Vendimi parashikon rregullime që synojnë të mbështesin shtresat më të ndjeshme të shoqërisë dhe të lehtësojnë barrën fiskale, për aktivitete të caktuara ekonomike e sociale.

Ndryshimet kryesore lidhen me taksa të përkohshme dhe tarifën e pastrimit, ku për herë të parë janë përfshirë përjashtime dhe ulje për kategori vulnerabil si: gratë kryefamiljare, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar.

Lehtësirat për gra kryefamiljare, përjashtimi i shoqatave të pensionistëve dhe të PAK, si dhe ulja e barrës për ndërtimet publike e bëjnë këtë vendim një hap drejt balancimit mes nevojës për financa dhe mbështetjes për shtresat në nevojë.

KATEGORITË PËRFITUESE

Një ndër pikat më të rëndësishme të vendimit është lehtësimi me 50% i taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore, si dhe i tarifës së pastrimit, për bizneset e krijuara nga gra kryefamiljare që kanë tre ose më shumë fëmijë.

Kjo masë, e cila do të zbatohet vetëm pas dorëzimit të certifikatës familjare dhe të ekstraktit tregtar të biznesit, shihet si një hap i drejtpërdrejtë në mbështetje të grave, të cilat mbajnë mbi supe përgjegjësinë e familjes dhe njëkohësisht përpiqen të mbajnë gjallë një aktivitet ekonomik.

Një tjetër kategori që përfiton është ajo e shoqatave të themeluara nga pensionistë ose persona me aftësi të kufizuara, të cilat përjashtohen plotësisht si nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, ashtu edhe nga tarifa e pastrimit Përfitimi do të formalizohet pas depozitimit pranë Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të vendimit gjyqësor të regjistrimit të shoqatës, së bashku me dokumentacionin që provon statusin e pensionistit ose të personit me aftësi të kufizuara.

NXITJA E INVESTIMEVE

Vendimi sjell gjithashtu, një ndryshim të rëndësishëm për ndërtimet me destinacion publik: taksa e ndikimit në infrastrukturë për objektet që do të kalojnë në pronësi shtetërore është përcaktuar në nivelin 2% të vlerës së investimit, një nivel më i ulët krahasuar me praktikat standarde për ndërtime të tjera.

Ky rregullim, synon të ulë kostot e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimin publik.

Ndryshimet prekin edhe mënyrën e pagesës së tarifës së pastrimit, duke përcaktuar afate të qarta për bizneset e regjistruara rishtazi dhe duke saktësuar kur nis detyrimi për kantieret e ndërtimit.

Po ashtu, është vendosur që çdo njoftim për taksapaguesit të kryhet jo vetëm me postë, por edhe elektronikisht, përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Ky vendim i Këshillit Bashkiak të Tiranës, shihet si pjesë e një politike fiskale më sociale dhe më gjithëpërfshirëse, e cila përpiqet të balancojë nevojën për të mbledhur të ardhura vendore me domosdoshmërinë për të mbështetur kategori që kanë më shumë nevojë.

Lehtësirat e ofruara për gra kryefamiljare, pensionistë dhe persona me aftësi të kufizuara, shënojnë një hap drejt barazisë sociale dhe ekonomike, ndërsa përjashtimi i shoqatave të tyre nga tarifat vendore mund të konsiderohet një mbështetje e drejtpërdrejtë për aktivitetin e tyre komunitar.

 

The post Taksat dhe tarifat vendore/ Lehtësira fiskale për gra kryefamiljare e pensionistë, zbardhet vendimi, procedura e përfitimit appeared first on Albeu.com.

Shqipëria me pensionet më të ulëta në Europë

By: Ela
4 August 2025 at 13:23

Shqipëria zë vendin e fundit mes 35 vendeve europiane sa i përket shpenzimeve për pensione për frymë, sipas të dhënave për vitin 2022. Me vetëm 1,600 euro për pensionist në vit, vendi mbetet shumë larg mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 16,100 euro. Edhe kur merret parasysh fuqia blerëse, diferenca mbetet e ndjeshme. […]

The post Shqipëria me pensionet më të ulëta në Europë appeared first on BoldNews.al.

Cilësia e jetës, në fshat e gëzojnë pensionin së paku 7.3 vite më shumë se në qytet

By: Ela
24 July 2025 at 08:52

Pensionistët në zonat rurale e gëzojnë pensionin së paku 7.3 vite më shumë se ata që jetojnë në qytet tregojnë të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Në nivel kombëtar, koha mesatare e gëzimit të pensionit arriti 22.4 vite në vitin 2024 me një rënie të lehtë me 4 muaj në krahasim me 2023-n. […]

The post Cilësia e jetës, në fshat e gëzojnë pensionin së paku 7.3 vite më shumë se në qytet appeared first on BoldNews.al.

Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet

By: user 8
11 July 2025 at 15:47

Qeveria shqiptare ka hedhur hapin e radhës drejt njohjes dhe vlerësimit të kontributit të qytetarëve, që kanë punuar ndër vite në institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet bujqësore të periudhës komuniste.

Me miratimin e rregullores së re “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025” me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kërkohet t’u jepet fund një herë e mirë padrejtësive të kahershme, duke rikthyer dinjitetin dhe të drejtën e mohuar për shumë individë, të cilët pavarësisht viteve të punës, kanë mbetur për dekada jashtë skemës së pensioneve. Në shumë raste, vitet e punës janë dokumentuar jo saktë, regjistrat gjenden të paplotë ose janë djegur gjatë trazirave të ‘97-ës. Ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative.

PËRFITUESIT

Në qendër të këtij vendimi janë ish-punonjësit e institucioneve shtetërore, të ish-ndërmarrjeve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-kooperativave bujqësore, të cilët për arsye të ndryshme, kryesisht të mungesës së dokumentacionit apo të parregullsive administrative gjatë viteve të tranzicionit, nuk kanë mundur të përfshihen në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe si rrjedhojë nuk kanë përfituar pensionin e pleqërisë, ose përfitime të tjera sociale.

Rregullorja përcakton qartë procedurat për njohjen e këtyre periudhave si vite sigurimi në sistemin e sigurimeve shoqërore. Ajo parashikon kritere të detajuara që duhet të plotësojnë kërkuesit, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar periudhën e punësimit dhe lidhjen e tyre me institucionet përkatëse. Në fokus është jo vetëm saktësia ligjore, por edhe lehtësimi i barrës dokumentare, duke pranuar edhe forma alternative të provës si deklarata noteriale, dëshmi nga dëshmitarë, certifikata familjare, vërtetime nga arkivat apo institucionet vendore. Një nga risitë e kësaj rregulloreje është mundësia që aplikimi të bëhet në mënyrë të thjeshtuar përmes platformës digjitale “e-Albania”, duke shmangur burokracitë dhe vonesat që për shumë vite kanë bllokuar qindra kërkesa në sistemin e sigurimeve.

Aplikuesit, pas dorëzimit të dokumenteve, do të shqyrtohen nga strukturat përkatëse të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të ketë detyrimin të japë vendimin përfundimtar për njohjen ose jo të periudhës së kërkuar. Përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj nisme janë individë që kanë qenë të angazhuar në punë gjatë periudhave të funksionimit të kooperativave bujqësore, ndërmarrjeve shtetërore industriale apo bujqësore, ku puna shpesh kryhej pa një kontratë të rregullt pune, por ishte pjesë e kontributit kolektiv dhe detyrimit qytetar të kohës. Në shumë raste, këta persona kanë punuar për vite me radhë në sistemin bujqësor apo industrial të organizuar nga shteti, por nuk kanë qenë të regjistruar si të siguruar, gjë që sot pengon përfitimin e pensionit.

RASTE PËRJASHTIMORE

Ndërkohë, rregullorja parashikon dhe kufizime të qarta për të shmangur abuzimet. Kështu, përjashtohen nga përfitimi personat që janë dënuar me vendim gjykate për vepra penale që nuk lidhen me bindjet politike, si dhe ata që nuk kanë pasur një lidhje të vërtetueshme me vendbanimin dhe vendpunimin gjatë periudhës për të cilën kërkojnë njohje. Ky akt nënligjor vjen si një plotësim i shumë kërkesave dhe shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, organizatat e pensionistëve dhe shoqëria civile ndër vite, duke qenë një nga hapësirat më të rëndësishme të rivlerësimit të kontributit historik të shtresave të neglizhuara në tranzicionin shqiptar.

Në thelb, ai sjell jo vetëm një përmirësim në mirëqenien ekonomike të mijëra familjeve, por edhe një formë e vonuar drejtësie sociale dhe respekti institucional për punën që është bërë në kushte të vështira dhe në periudha kur ndihmat sociale dhe siguria e punës ishin të kufizuara. Pritet që zbatimi i kësaj rregulloreje të sjellë një valë të re aplikimesh në muajt në vijim, me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, që ka marrë masa për të përballuar fluksin dhe për të ofruar asistencë teknike dhe ligjore për aplikantët në nevojë. Njëkohësisht, qytetarët që kanë çështje të hapura në gjykatë për të njëjtën periudhë, kanë të drejtë të kërkojnë rikthimin e dosjes për shqyrtim administrativ sipas rregullores së re, duke kursyer kohë dhe kosto procedurale.

Me këtë vendim, shteti shqiptar u kthen një borxh të gjatë moral dhe social qindra mijëra qytetarëve të tij – një shenjë që puna e bërë, edhe pse në rrethana të tjera politike e ekonomike, nuk harrohet dhe meriton të vlerësohet. Duhet nënvizuar se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Referuar deklaratave nga përfaqësuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitues do të jenë vetëm ata që dalin rishtazi në pension dhe jo të tjerë, të cilët e kanë kërkuar të drejtën e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore. Ndërkohë që edhe ata individë që janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor kanë të drejtë të shmangin këto procedura, pasi janë objekt përfitimi të ligjit.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA ZBATIMI I LIGJIT JANË:

Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën.
Aplikantë, të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi.
Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim.
Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.
NJIHEN VITET E PUNËS

Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.
Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore
/Panorama

The post Njohja e pensioneve para ’93: Kush përfiton dhe si aplikohet appeared first on Lapsi.al.

Shifrat përkeqësohen nga viti në vit! Shqipëria po plaket me ritme të shpejta

By: Ela
10 July 2025 at 08:57

Trendet demografike po përkeqësohen nga viti në vit, me rënie të fortë të popullsisë së re në moshe dhe rritje të numrit të pensionistëve. Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është […]

The post Shifrat përkeqësohen nga viti në vit! Shqipëria po plaket me ritme të shpejta appeared first on BoldNews.al.

52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n

By: Elva
2 July 2025 at 08:40

Në totalin e pensioneve të pleqërisë më shumë e gjysma e tyre, rreth 52 për qind, morën pagesa të pjesshme në vitin 2024 sipas të dhënave zyrtare më 2024. Kjo përqindje u zgjerua me tej nga niveli 49.7% në vitin 2023. Rritja e personave me pagesa të pjesshme tregon se gjithnjë e më shumë ata […]

The post 52% e pensionistëve nuk morën pension të plotë në 2024-n appeared first on BoldNews.al.

Denoncimi i pensionistëve: Na zhdukën çadrat dhe shezlongët nga plazhi publik në Kavajë

By: Ardit
30 June 2025 at 20:52

Një grup plazhistësh të moshuar, disa edhe me aftësi ndryshe, denoncuan në Tak Fak shkatërrimin e çadrave dhe shezlloneve që i kishin lënë një natë më parë në hapësirën e një plazhi publik, ku prej vitesh kalonin ditët e nxehta buzë detit. Plazhi, në njësinë administrative të Golemit, ishte “pastruar” nga pajisjet në pronësi të […]

The post Denoncimi i pensionistëve: Na zhdukën çadrat dhe shezlongët nga plazhi publik në Kavajë appeared first on BoldNews.al.

Njohja e viteve të punës gati për zbatim, ja sa do të përfitojnë pensionistët dhe si do të dokumentohet puna para ‘93

26 June 2025 at 09:24

Vetëm pak javë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit për njohjen e viteve të punës për të gjithë ata që kanë punuar në ish-kooperativa apo ndërmarrje shtetërore përpara viteve ‘93, qeveria ka gati listën e tyre.

Ky vendim është derivat i ligjit, ndërkohë që priten edhe udhëzime të tjera plotësuese mbi mënyrën se si do të zbatohet më tej. Deri vitin e kaluar, Instituti i Sigurimeve Shoqërore kishte një listë me vetëm 72 ish-kooperativa ku njiheshin vitet e punës, pasi dokumentacioni i tyre shpesh nuk gjendej ose ishte i cunguar. Tanimë, gama ndërmarrjeve shtetërore, bujqësore dhe ish-kooperativave është shumë më e gjerë, vendim falë të cilit do të mund të përfitojnë afro 30 mijë persona që dalin çdo vit në pension.

Mjafton një deklaratë nga personi që kërkon të dalë në pension që ka punuar për disa vite në një ish-kooperativë, ish-ndërmarrje bujqësore a shtetërore që t’i bashkëngjitet dosjes së dokumenteve të tjera që vitet e kërkuara të konsiderohen si vite pune. Kësisoj, ata nuk do të enden më gjyqeve për të kërkuar vitet e punës të padokumentuara, por do t’u njihen automatikisht. Edhe kjo procedurë, sado e lehtë në dukje, kërkon disa kushte që të vërtetojnë që personi ka punuar asokohe si: të ketë qenë banor i zonës pranë ndërmarrjes ku pretendon se ka punuar, të mos ketë qenë i dënuar dhe të ketë qenë në moshë dhe i aftë për punë në vitet që kërkon t’i njihen për efekt pensioni. Ky ligj eliminon burokracitë dhe shpenzimet, që mijëra qytetarë janë detyruar të përballojnë për të provuar vjetërsinë në punë.

Duke komentuar vendimin e djeshëm të qeverisë, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se objektivi kryesor i miratimit i listës së ish-ndërmarrjeve bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore është njohja e periudhave të punës deri në vitin 1992, sipas legjislacionit në fuqi. Gonxhja vuri në dukje se ligji do të lehtësojë njohjen e periudhave të sigurimit, duke zgjidhur problemet me dokumentacionin e vjetër dhe duke shmangur pengesat administrative. Kjo do të ndihmojë shumë qytetarë që nuk kanë arritur të plotësojnë periudhën minimale të sigurimit për përfitimin e pensionit, duke shmangur proceset gjyqësore të gjata dhe të shtrenjta.

“Miratimi i kësaj liste është një nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ISSH, për të garantuar të drejtat e punonjësve të dikurshëm dhe për të përmirësuar sistemin e pensioneve në vend”, – tha Gonxhja.

Këshilli i Ministrave miratoi listën e ishndërmarrjeve bujqësore, sipas vitit të krijimit të tyre dhe territorit të ushtrimit të aktivitetit. Kjo listë u miratua në mbështetje të ligjit “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ishkooperativat bujqësore, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”, – me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Me ndryshimet në fjalë, qytetarët që kanë punuar në institucionet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore, ato bujqësorë dhe kooperativat, mund të bëjnë deklaratë për njohjen e viteve të punës me kusht që gjatë periudhës së deklaruar, kërkuesi ka qenë me vendbanim në qytetin apo fshatin ku ka ushtruar veprimtarinë subjekti punëdhënës dhe nuk ka qenë duke vuajtur dënimin me heqje lirie.

Miratimi i ligjit mundëson njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha, do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social. Kushtet e përfitimit të pensionit të pleqërisë, sipas ligjit “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshojnë sipas gjinisë dhe për vitin 2024, mosha për përfitimin e pensionit të pleqërisë për burrat është 65 vjeç, për gratë është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa periudha minimale e sigurimit është e njëjtë për të dyja kategoritë, 15 vite.

Grumbullimi i dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, për këto ente ka problematika të konsiderueshme, si mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta, fletë të dëmtuara, mungesë dokumentacioni për subjekte të caktuara etj..

Për shkak të problematikave të tilla dhe kompetencave të kufizuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni. Kjo ka detyruar shumë qytetarë t’u drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.

Deri më datë 01.10.1993 – Në institucionet dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.

Deri më datë 17.10.1992 – Në ish-ndërmarrjet bujqësore.

Deri më datë 19.07.1991 – Në ish-kooperativat bujqësore.

The post Njohja e viteve të punës gati për zbatim, ja sa do të përfitojnë pensionistët dhe si do të dokumentohet puna para ‘93 appeared first on Sot News | Lajme.

Analiza: Fati i zgjedhjeve ishte në dorë të moshës së tretë

13 May 2025 at 08:11

Gati gjysma e elektoratit (47,7 %) figuron se jeton jashtë vendit, duke krijuar një hendek të madh midis listës zgjedhore formale dhe popullsisë rezidente që fak­tikisht merr shërbime publike. Nga njëra anë, Regjistri i Gjendjes Civile numëron 3,71 milion shtetas me të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare nga KQZ dhe nga ana tjetër censi 2023 ka […]

The post Analiza: Fati i zgjedhjeve ishte në dorë të moshës së tretë appeared first on BoldNews.al.

Balla: PS mbështetje konkrete për pensionistët

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Nga Njësia 8 në Tiranë, Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, vendosi në qendër të fjalës së tij dy çështje kyçe për qytetarët: rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mbështetja konkrete për pensionistët.

“Të martën foli komisionerja e BE-së, Marta Kos, e cila tha shumë qartë: ‘Shqipëria do të jetë vendi i 29-të anëtar i Bashkimit Europian në vitin 2029.’ Është një moment historik, sikurse është edhe një dritare e vogël aty që mund të mbyllet nëse ne përsërisim gabimet e së shkuarës. Kush janë gabimet e së shkuarës? Imagjinoni sikur një fraksion të çoni në atë imagjinatën tuaj, ta rikthesh Bufin jo 4 vjet, por 6 muaj. Do të kesh të njëjtën xhungël që iu desh Edi Ramës dhe Mimi Kodhelit në Bashkinë e Tiranës shumë punë për ta pastruar. Në ka diçka që i shkon për sinonim Partisë Socialiste është ‘Partia Socialiste e Shqipërisë bën shtet.’” u shpreh ai.

Një tjetër çështje për të cilën Balla ndaloi gjatë ishin pensionet, duke thënë se Partia Socialiste po jep për moshën e tretë më shumë se të gjitha qeveritë bashkë.

“Por mos harroni asnjëherë që kjo qeveri është qeveria që jep më shumë për pensionet se të gjitha qeveritë të marra bashkë. Më shumë se 250 milionë euro nga buxheti i shtetit, në kundërshtim dhe me rekomandimet e FMN-së, i jep qeveria jonë vit për vit për të mbushur sadopak. Nuk po fus këtu pjesën që jep si bonus. E dhamë dhe bonusin e pranverës. Do të na ecin gjërat mbarë. Do të kemi përsëri bonus këtë vit, sikurse është tanimë i vendosur dhe bonusi në fundvit. E pra, kjo është qeveria e Edi Ramës.”

Balla u shpreh se “ia kemi mbërritur ditës që Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Shqipëria jonë të jenë sot forca udhëheqëse në kohë të vështira për globin, ndërsa opozita mendon vetëm për konspiracione paszgjedhore për të përligjur disfatën e pritshme”.

“Shqipëria sot nuk mund të humbë dot asnjë minutë. Imagjinoni që me të mbyllur zgjedhjet të dielën e 11 majit, në datë 12 rezultatin. Tani e dini, në 12 pasdite, diku nga ora 7 pasdite, do dalë dhe bufi dhe do të thotë që kjo ishte grabitja më e madhe elektorale në këto 34 vite. Kemi bërë gati dosjen e madhe të fakteve me manipulimin e madh që ka bërë Edi Rama bashkë me Taulant Ballën në diasporë edhe me Mimi Kodhelin te Njësia 8 dhe do t’ia nisim këtë atyre. Po se kujt do ia nisë, nuk e di, sepse të premten, pas të dielës së 11 majit, do të jenë në Tiranë gjithë udhëheqësit e botës, të paktën të Europës demokratike. Edhe kështu që nuk ka kohë bota dhe Europa të merret me ta.”

Balla tha se nuk ka asnjë ofertë tjetër më të mirë se sa oferta e PS-së dhe, siç e thotë shpesh Edi Rama: “Ndoshta ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka.”

“Dhe këtu kam dhe porosinë e fundit që t’ua thoni disave nga ata që thonë: se ia kam pas dhënë PD-së, tani juve nuk ua jap. Hajt se po e çoj… Te kush do ta çojë? Te ata që ka pjellë Bufi, se nga Bufi kanë dalë edhe Shehaj, ky Luli po e po. Ai tjetri po dihet. Kështu që nuk ka tjetër këtu. Se e dëgjoj shpesh janë partitë e reja. Kush janë partitë e reja? Më thoni cila nga këto është parti e re? Cila është partia e re? Se partia e re është një parti që krijohet nga njerëz që realisht nuk kanë qenë më përpara në një aktivitet tjetër politik apo ndonjë forcë tjetër politike. Ajo është parti e re. Po ti, nëse dikur e nise në 2013 si kryetar i Forumit Rinor të Kreshnik Spahiut dhe sot na vjen dhe na thua që unë pas 12 vjetësh jam kryetar i partisë re?”

Balla u kërkoi qytetarëve që ta bëjnë natën ditë dhe të shkojnë derë më derë të Njësisë 8 dhe gjithë Tiranës dhe t’u flasin atyre hapur se është në të mirë të kryeqytetit e të Shqipërisë që Edi Rama dhe Partia Socialiste të vazhdojnë ta udhëheqin vendin në këtë moment historik për Shqipërinë.

/a.f/

The post Balla: PS mbështetje konkrete për pensionistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Premton rritje të pensioneve, ja si po gënjen Rama moshën e tretë

By: Ela
2 May 2025 at 22:52

Një nga përplasjet më të mëdha që kanë forcat politike në zgjedhjet që pritet të mbahen javën e ardhshme janë pensionet. Janë 590 mijë shqiptarë që kanë statusin e pensionistit dhe që marrin pension nga shteti, një numër jo i vogël ky sa i takon kontigjentit të votave. Sipas Institutit të Statistikave, pensioni mesatar për […]

The post Premton rritje të pensioneve, ja si po gënjen Rama moshën e tretë appeared first on BoldNews.al.

Merja: “Shqipëria Madhështore” do iu rikthejë pensionistëve dinjitetin

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Zëdhënësja e fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja u shpreh sot në një dalje për mediet se mijëra pensionistë shqiptarë janë tradhtuar dhe lënë në harresë nga kjo qeveri.

“Në një vend ku çmimet rriten çdo ditë dhe jeta bëhet gjithnjë e më e vështirë, pensionistët tanë jetojnë me pensione të turpshme që nuk mjaftojnë as për ilaçet, jo më për një jetesë të dinjitetshme”, u shpreh ajo.

Merja tha se prej vitesh ka premtime boshe për rritje të ndjeshme pensionesh, por ajo që marrin të moshuarit është vetëm varfëri, përçmim dhe mungesë vëmendjeje.

Sipas saj, Shqipëria Madhështore do iu rikthejë pensionistëve dinjitetin e munguar në këto 12 vite keqqeverisje.

“Çdo pensionist, me pension të plotë apo të pjesshëm, më të ulët se 200 euro në muaj, do të marrë 200 euro në muaj. Do të rriten pensionet me 20%. Çdo pensionist do të pajiset me Kartën e Konsumatorit, me të cilën do të përfitojë kthimin e TVSH-së që paguan për blerjet e ushqimeve bazë, energjisë elektrike, ujit dhe ilaçeve, duke përfituar rreth 450 euro në vit”, tha ajo.

Duke iu referuar programit të koalicionit, Merja shtoi se për  personat me aftësi të kufizuara që kanë nevojë, do të paguhet kujdestari dhe sigurimet e tij, si dhe do të garantohen nga shteti të gjitha mjetet sanitare dhe ndihmëse që u nevojiten.

Merja shtoi se çmimi i energjisë elektrike do të ulet në 7 lekë/këh, ndërsa do të fallen të gjitha gjobat për energjinë dhe ujin e pijshëm për pensionistët.

The post Merja: “Shqipëria Madhështore” do iu rikthejë pensionistëve dinjitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Gjirokastër: Objektivi ynë ambicioz, pensioni minimal 200 euro dhe ai mesatar 400 euro

22 April 2025 at 12:58

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se kryeobjektivi ambicioz i kësaj mazhorance është rritja e pensionit minimal në 200 euro dhe e pensionit mesatar në 400 euro.

Në një takim me pensionistët në Gjirokastër, Rama tha se bazuar në rritjen ekonomike janë përcaktuar edhe këto dy piketa.

Sipas tij, qeveria po bënë gjënë e duhur për të pasur një skemë të qëndrueshme pensionesh dhe deri tani rritja e kontributeve ka ardhur vazhdimisht në mënyrë të qëndrueshme.

“Kemi shtuar 300 mijë kontributorë të tjerë, sot nuk luhet me sigurimet si dikur që nuk i kërkonte njeri dhe kjo që të arrijmë të kemi një pension minimal 200 euro pavarësisht nëse ke apo nuk ke kontribute. Pensioni minimal do të jetë 200 euro dhe për të siguruarit duam të kemi një pension mesatar 400 euro”, tha Rama.

Sipas tij, këto janë dy objektivat e qeverisë dhe për këtë është marrë edhe ekspertizë ndërkombëtare.

“Ne i kemi rënë kësaj pune nga të katër anët. Kemi marrë ekspertizë nga të katër anët, nga institucionet si BB etj, morëm nga ekspertët e pavarur ndërkombëtar, këshilltarin që unë kam për ekonominë që ka qenë për 10 vjet drejtuesi i grupit ekonomik të Angela Merkel e kemi vënë edhe atë të na japë opinionin e tij, profesorin që drejton Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard po ashtu”, shtoi Rama.

Sipas tij, kjo që është përcaktuar si kryeobjektiv është ambicioz dhe nuk është i lehtë për ne por do të bëhet çmos që të arrihen.

“Këto që ju thonë të tjerët janë të gjitha rruga drejt humnerës. Ose se nuk e kanë problem rrugën drejt humnerës dhe ju e dini shumë mirë, ose se nuk dinë çfarë flasin, ta hajë kush ta hajë, se ne do t’i bëjmë pensionet kështu, të marrim një votë e të shkojmë në parlament”, tha Rama. /j.p/

1 nga 3

The post Rama në Gjirokastër: Objektivi ynë ambicioz, pensioni minimal 200 euro dhe ai mesatar 400 euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 165 milionë euro vetëm për dy bonuset e fundit të pensionistëve

22 April 2025 at 10:59

TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se nga dhjetori 2024 në shkurt të këtij viti qeveria ka ndarë 165 milionë euro vetëm për bonusin e pensionistëve.

Në një takim me pensionistët në Gjirokastër, Rama u shpreh se “ne kemi bërë një hap përtej indeksimeve të pensioneve që janë ligjore detyruese”.

Së pari, kryeministri theksoi se në dy raste qeveria ka bërë dy herë në vit indeksim, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve.

Por sipas tij, përtej indeksimeve, duke qenë se vendi është në fazën e rritjes të qëndrueshme të ekonomisë dhe ka të ardhura që tejkalojnë parashikimet kemi ndarë për pensionistët një bonus që është ai i fundvitit dhe ai i pranverës.

“Për të dyja bonuset bashkë, nga dhjetori në shkurt të këtij viti, ne faktikisht kemi ndarë 165 milionë euro vetëm për pensionistët nuk janë pak për shtetin shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë punë”, siguroi Rama. /j.p/

The post Rama: 165 milionë euro vetëm për dy bonuset e fundit të pensionistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha mbledh pensionistët/ Doktori: Unë ju kuptoj më mirë se Rama

By: xhir jeta
4 April 2025 at 15:28

Kjo e premte ishte dita e pensionistëve për Sali Berishën. Mblodhi disa bashkëmoshatarë të tij e u shpjegoi programin. Sipas doktorit, vetëm ai i kupton emocionalisht pensionistët, dhe jo Edi Rama të cilit i duhen dhe ca vite për të mbushur moshën.

“Ata sot janë pa diskutim shtresa më në nevojë që përballen me dhimbjet e përditshme dhe jo pak prej tyre, qajnë çdo ditë me lot të ftohta mjerimi” Unë premtoj sot se pensionistëve sqiptarë të gjitha padrejtësitë marrin fund brenda 3 muajsh. Vendosim minimumin 200 euro”

Doktori i ndau premtimet në disa kategori. Për pensionistët e punësuar, si vetja e tij, do u hiqen taksat. Për aventurierët e moshuar, udhëtime me gjysëm çmimi, kurse për të sëmurët,  analiza e ilaçe falas.

“Mora përsipër që pensionistët nuk do paguajnë sigurime apo taksa për pagën. U premtoj udhëtime me gjysmë çmimi në gjithë Shqipërinë. Do të zgjerohet rimbursimi i ilaçeve dhe analizat falas”

Një burim nga do i gjejë doktori paratë është administrata publike. Nuk zbuloi nëse do të rikthehet si në kohët e vjetra, me pushime nga puna apo zëvendësim të punonjësve me militantë të vet.

“Burimi tjetër, sot ka një administratë 230 mijë punonjës, jashtë çdo lloj proporcioni. Natyrisht e gjithë kjo është në kurriz të rrogëultëve dhe pensionistëve, dhe kjo merr fund”

Në takimin me moshatarët e tij, Berishës i mungoi kryepensionisti Jenishehri, aleati i i cili e braktisi “Shqipërinë Madhështore”. Në kohën kur doktori mbante takimin, ai është parë pak metra larg me një çantë të zezë dhe biçikletën e tij pink. Por Berisha e pranoi, se kjo është vetëm dita e tij, dhe kërkoi që të paktën të premten të mos merren si me Ramën apo dhe me Bashën.

“Ju lutem, fokusi vetëm tek program. Mos merremi as me zhapikë, zhaba, bretkosa. As me lulbravën që është në mission të diktuar”/abcnews.al

Kriteret përjashtuese të azileve shtetërore, skemat që lënë të pamundurit në mëshirë të fatit

By: Ela
2 April 2025 at 22:34

Zgjidhja për të moshuarit e vetmuar mbeten azilet, por në pamundësi për strehim në institucionet publike, azilet private janë të papërballueshme, përveç problematikave të sigurisë. Pagesat fillojnë nga 40 mijë deri në 100 mijë lekë në muaj, apo edhe më tepër. Çmimi përcaktohet jo vetëm në bazë të kushteve që ofrohen në azil, por edhe […]

The post Kriteret përjashtuese të azileve shtetërore, skemat që lënë të pamundurit në mëshirë të fatit appeared first on BoldNews.al.

Spitali, “shtëpia e dytë”/ 64 vjeçarja përballet prej vitesh me tumorin në gjak

By: Re Nato
23 March 2025 at 13:47

Çiftin pensionist Aleksandrën dhe Agim Brahushajn nga Lushnja, jeta në pleqëri i ka sprovuar më shumë se të tjerët.

Prej më shumë se 1 dekade, ata jetën e ndajnë mes spitaleve. Aleksandra, 64 vjeçarja para 10 vitesh u diagnostikua me sëmundjen e rëndë tumorale të gjakut, për të cilën kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale në shtyllën kurrizore.

Teksa vijon trajtimin mes spitaleve të Lushnjës dhe atyre në kryeqytet, Aleksandra thotë se gjendja është rënduar duke u prekur kështu edhe nga sëmundje të tjera, ndërsa Agimin e ka gjithnjë pranë vetes.

“Jam operuar, më kanë dal analizat shumë keq, po bëj 10 vite që marr këto ilaçe. Vuaj edhe nga veshkat e zemra.  Ndjej dhimbje trupi, dridhje gjunjësh, jam e këputur. Muaj për muaj bëjm analizat në Lushnje, njëherë në 6 muaj vijmw këtu.”

“Ka diagnozë të rëndë me tumor në shtyllën kurrizore. E ka të vështirë, sa vjen e rëndohet sëmundja. Vitet e para se kishte kaq të rëndë.”

Çdo muaj Aleksandra paraqitet në spitalin e Lushnjes për ecurin e semundjes, ndërsa një herë në 6 muaj duhet të vij në QSUT.

Agimi, bashkëshorti i saj është shoqëruesi më i mirë për të, edhe pse dhe vetë 67 vjeçari tregon se është prekur nga një sërë sëmundjesh.

“Unë vuaj nga zemra, koliti, stomaku, ja me ilaçe me vete rrij… ç’të bëjmë, shumë e vështirë.”

Çifti Brahushajn janë prindër të dy fëmijëve. Krahas problemeve shëndetësore, sfidë për ta mbetet edhe kujdesi ndaj djalit të tyre, i cili është  37 vjeç dhe me Aftësi të Kufizuar.

“Djalin e kemi të sëmurë me Aftësi të Kufizuar, prej 12 vitesh. Nuk punon dot. E ka problemin në kokë, nuk arsyeton dot. Unë i kam qëndruar afër gjithmonë si prindër, dhe rrin veç pas meje. Nuk është i aftë për asgjë. Jetojm vetëm me borxhe.”/abcnews.al

Tabaku: Programi i PD për pensionistët, zgjidhje konkrete

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale mbi situatën ekonomike të pensionistëve dhe punëtorët e ndershëm.

“Mbi 800 mijë pensionistë sot jetojnë në mëshirë të qeverisë”, deklaroi Tabaku, duke theksuar se rritja e pagave dhe pensioneve nuk mund të bëhet vetëm në prag të zgjedhjeve, por duhet të jetë një politikë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme për të garantuar dinjitetin e qytetarëve.

Si zgjidhje për këtë krizë, ajo prezantoi paketën e Partisë Demokratike, e cila pritet të vihet në zbatim pas 11 majit.

Pikat kryesore të kësaj pakete përfshijnë: vendosjen e minimumit jetik prej 200 euro, rritjen e pensionit mesatar në 400 euro dhe rritjen e pagës mesatare në 1200 euro.

“Zgjidhjet nuk vijnë brenda një dite, por me vullnet politik dhe me një vizion të qartë mund të vendosim interesin e qytetarëve në qendër dhe të ndërtojmë një ekonomi të drejtë dhe konkurruese”, përfundoi deputetja demokrate.

Partia Demokratike ka theksuar se ky plan nuk është thjesht një premtim elektoral, por një strategji e detajuar për të nxitur mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik në vend.

/a.f/r.e/

The post Tabaku: Programi i PD për pensionistët, zgjidhje konkrete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bonuset për pensionistët, paratë që mbledhim nga prodhimi dhe të ardhurat

25 February 2025 at 19:18

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se performanca e mirë e ekonomisë në vitet e fundit krijoi mundësinë për mbështetje më të madhe, me dy bonuse në vit për pensionistët.

Në takimin me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, Rama tha se është parashikuar që një fond prej mbi 60 milionë eurosh t’u shpërndahet pensionistëve përmes Bonusit të Pranverës.

“Si arrijmë ne të shkojmë nga një bonus për pensionistët që ishte 5 mijë lekë, në një bonus si ai që dhamë në fundvit, që në totalin e vet ishte 100 milionë euro. Po si mund të bëjmë ne dy bonuse njeri pas tjetrit. Ky i pranverës shkon mbi 60 milionë euro. Sepse na jep mundësinë ekonomia. Ne nuk presim lekë, janë paratë që mbledhim nga puna, prodhimi, të ardhurat”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se e dinte që këto bonuse nuk janë të mjaftueshme.

“A janë mjaftueshëm? Jo! Por ama janë më shumë në mënyrë domethënëse sesa ishin”, shtoi ai.

Ai theksoi se ka ende rrugë për të bërë.

“Dhe në këtë, në këtë rrugë janë shumë gjëra që, që janë arsyet për të gjithë ne e para për t’u ndjerë, mirë që me cilindo na del përpara, të ballafaqohemi të themi, po, po, dakord, kjo. Nuk është mirë, kjo nuk është mirë, kjo nuk është mirë, nuk diskutohet. Se po të ishin të gjitha mirë, ia linim dikujt tjetër të vazhdonte, po pikërisht, pse nuk janë mirë, ne jemi këtu për t’i bërë akoma mirë, por ama…”, u shpreh Rama

/r.e/

The post Rama: Bonuset për pensionistët, paratë që mbledhim nga prodhimi dhe të ardhurat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: “Bonusi i pranverës” për pensionistët në kundërshtim me Kodin Elektoral

21 February 2025 at 14:32

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e konsideroi sot “bonus elektoral”, “bonusin e pranverës” për pensionistët, i cili do të nisë të shpërndahet në 1 mars.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se, “Rama po blen vota me bonusin elektoral”.

“Edi Rama po spekulon në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kodin Elektoral, me Kushtetutën, me bonusin elektoral të pensionistëve. Ky është një akt i turpshëm, një akt i cili synon të blejë vota në fushatë, që nuk e bën asnjë shtetar në botë”, tha Berisha.

Berisha i siguroi pensionistët se përveç rritjes së pensioneve, çdo pensionist do të pajiset me kartën e konsumatorit me të cilën ai do të marrë 450 euro në vit.

“Nuk do jetë bonus, por do jetë rikthim i TVSH-së që ata paguajnë për çdo gjë që blejnë në jetën e tyre, duke filluar nga ilaçet, ushqimi, buka dhe çdo gjë tjetër. Po, do bëhet kjo, sepse nuk mund të tolerohet më tutje ky hendek i tmerrshëm që po e copëton shoqërinë shqiptare në këto përmasa, është tmerrësisht i frikshëm”, tha Berisha.

Ndaj, sipas tij, “fillimisht do të jetë karta e konsumatorit me 450 euro për çdo qytetar që merr minimumin jetik, për çdo pensionist dhe çdo person me rrogë të ulët dhe në vijim do të ulet çmimi i energjisë në 7 lekë për kilovat, nga 85 lekë”.

Sipas Berishës, “Rama po mashtron pensionistët, dhe gropën në fondin e Sigurimeve Shoqërore e ka krijuar qeveria e tij”.

“Sot pensionistët shqiptarë, të cilët 12 vite më parë merrnin pensionet më të larta se të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshi Rumaninë e Bullgarinë, janë katandisur me pensionet jo më të ulëta, por 2-3 herë më të ulëta sesa të vendeve të rajonit. Pensionistëve, të cilëve me ligj u takonte indeksimi, nuk iu është indeksuar as gjysma e inflacionit të këtyre viteve. Por ata kanë marrë edhe një tjetër goditje të fortë. Goditja tjetër e rëndë është se një pjesë e mirë e barnave janë hequr nga lista e rimbursimit, të domosdoshme për mjekimin e tyre të përditshëm”, shtoi Berisha.

Berisha tha se gropën më të madhe në fondin e Sigurimeve Shoqërore e krijon administrata shtetërore. “Janë këto që fundosin fondin e pensioneve dhe bëjnë të pamundur rritjen e pensioneve nga ky fond”, tha ai.

Duke folur për programin elektoral të PD-së, Berisha premtoi se brenda 3 muajve do të rriten me 20 për qind pensionet mbi 200 euro dhe do të vendoset minimumi jetik.

“Kjo ndërhyrje do të bëhet 3 muajt e parë të qeverisjes. Tre muajt e parë të qeverisjes do të vendoset minimumi jetik. Kjo nënkupton që 57 për qind të pensioneve, të cilat janë pensione jo të plota, por të pjesshme, dhe si të tilla nënkuptohet, janë nën 170 euro, që të gjitha kalojnë në minimumin jetik 200 euro. Pra, pësojnë një rritje nga 20 deri në 70 për qind si pensione. Pensionet mbi 200 euro rriten me 20 për qind”, tha ai.

Duke folur për takimin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama me punonjës të bashkisë në sheshin “Skënderbej”, Berisha tha se “po të kishte ndërmend Skapi të hetonte krimin elektoral, e prangoste Ramën mbrëmë në shesh, në miting”.

“Unë nuk mund të besoj në shpallje të një organi që fle mbi dosje të tmerrshme të krimit elektoral, evidente, zyrtare, të mbledhura në përputhje me procedurën ligjore, provat dhe faktet”, tha Berisha, ndërsa e konsideroi takimin e djeshëm “shkeljen më të rëndë të ligjit elektoral”.

/m.m/r.e/

The post Berisha: “Bonusi i pranverës” për pensionistët në kundërshtim me Kodin Elektoral appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌