Po “shteron” rritja e kontribuuesve në sektorin privat, u shtuan vetëm 17 mijë më 2024
Ulja e popullsisë së vendit përtej të gjithë skenarëve, sidomos pas pandemisë po jep efekte zinxhir në të gjitha fushat, duke përfshirë edhe sistemin publik të pensioneve.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se numri i përgjithshëm i kontribuuesve është rritur me 16,939 persona në vitin 2024 në raport me 2023. Ky ritëm rritjeje është më i ngadaltë krahasuar me periudhat paraardhëse, p.sh., në vitin 2023 kishin 25,623 persona më shumë se me 2022. Gjithsesi nga viti 2020 në vitin 2024 rreth 55,5325 persona u shtuan në skemën e sigurimeve shoqërore, kryesisht nga rritja e numrit të kontribuuesve në zonat rurale.
Në vitin 2024 numri i fermerëve që paguan sigurime arritën në më shumë se 88 mijë, 13,415 persona ose me 17.7 për qind më shumë se në vitin 2023.
Nga ana tjetër të kontribuuesit në sektorin e privat që përfaqësojnë bizneset në zonat urbane u zgjeruan me vetëm 7,944 persona ose vetëm 1.5 për qind. Ky ishte ritmi më i ulët i rritjes së kontribuuesve në sektorin privat pas pandemisë (shiko grafikun e mëposhtëm).
Teksa kontribuuesit nga sektori publik u zgjeruan në të njëjtën periudhe me 1236 persona ose 0.7%.
Kontribuuesit që ndikojnë pozitivisht arkëtimet nga sigurimet janë rritur shumë pak vitin e kaluar, teksa rritja e fermerëve ka ndikim të kufizuar për shkak të vlerës së ulët të kontributit. Psh masa mujore e kontributit për të vetë- punësuarit ishte 9200 lekë në vitin 2024, ndërsa në bujqësi për zonat fushore ishte 3200 lekë në muaj, ndërsa në zonat malore 2450 lekë në muaj. Vitin e kaluar të ardhurat nga kontributet e fermerëve arritën në 3,2 miliardë lekë ose vetëm 2.3 % e të ardhurave të drejtpërdrejta nga kontributet totale.
Edhe pse ka pasur rritje të vetë- punësuarit në bujqësi, shuma e kontributeve që ata paguajnë është shpesh minimale, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave dhe skemave lehtësuese. Kjo rrit numrin e kontribuuesve, por jo qëndrueshmërinë financiare të skemës.
Ngadalësimi i kontribuuesve lidhet me dy faktorë themelore, i pari dhe më i rëndësishmi është reduktimi i popullsisë në moshe pune dhe i dyti informaliteti ende i lartë. Edhe pse numri i kontribuuesve është rritur, informaliteti mbetet i lartë, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, tregtia dhe shërbimet.
Shqipëria po përballet me një plakje të popullsisë dhe emigrim të vazhdueshëm të të rinjve, çka e vë në presion skemën aktuale të pensioneve. Në vitin 2025, popullsia në moshe pune ra në 1,504,570, persona që përfaqëson një tkurrje totale prej 38 mijë personash në një vit dhe mbi 444 mijë në krahasim me vitin 2012, më i miri me numrin më të lartë të regjistrua 1,979,908 persona. / B.Hoxha
The post Po “shteron” rritja e kontribuuesve në sektorin privat, u shtuan vetëm 17 mijë më 2024 appeared first on Revista Monitor.