Bazuar në marrëveshjen bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), është zhvilluar një trajnim i përbashkët në fushën e zhytjes.
Kompania e Kërkim-Shpëtimit e Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) mori pjesë në këtë trajnim, i cili u zhvillua në Qendrën e Zhytjes në Pashaliman të Vlorës, në Republikën e Shqipërisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, qëllimi i këtij trajnimi ishte ruajtja, zhvillimi dhe avancimi i njohurive profesionale në zhytje në kushte të ndryshme operative, si dhe shkëmbimi i përvojës ndërmjet pjesëtarëve të të dyja forcave ushtarake.
FSK thekson se ky aktivitet i përbashkët dëshmon për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri në fushën ushtarake dhe përkushtimin për ngritjen e kapaciteteve specialistike në operacione ujore, sipas standardeve ndërkombëtare.
Njësiti për Reagim të Shpejtë i Kryeqytetit ka ndërhyrë të enjten rreth orës 14:30 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ku ka ndaluar një veturë të dyshuar.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.
I dyshuari, një mashkull 35-vjeçar me inicialet E.S., është shoqëruar menjëherë për në stacionin policor. Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës në njoftimin e saj zyrtar ka riafirmuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe identifikimin e veprave penale që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
BERLIN, 28 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë me Estoninë dhe Danimarkën, në kushtet e veprimeve agresive të Rusisë në rajonin e detit Baltik.
“Siguria e rajonit të Baltikut është edhe siguria jonë në Gjermani”, tha politikani konservator gjatë vizitave të tij të para zyrtare në vendet partnere të BE-së dhe NATO-s, Estoni dhe Danimarkë.
Ai planifikon të takohet me homologun e tij Margus Tsahkna në kryeqytetin estonez, Tallinn, si dhe me presidentin Alar Karis.
Pasdite, janë parashikuar takime në Kopenhagë me ministrin e Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, dhe me ministren për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Nga Danimarka, Wadephul do të udhëtojë drejt qytetit francez Toulon, ku nesër do të marrë pjesë në këshillin ministror franko-gjerman.
Ai vlerësoi se Estonia dhe shtetet baltike kishin paralajmëruar herët për rreziqet reale dhe se BE-ja dhe NATO-ja sot përfitojnë nga parashikimi dhe ekspertiza e tyre.
“Ne duam ta thellojmë më tej këtë bashkëpunim”, u shpreh Wadephul.
“Forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike në Detin e Veriut dhe Baltik është një tjetër prioritet që Danimarka po shtyn përpara gjatë presidencës së saj në Bashkimin Evropian”, tha ai./ /Ad.Ab./
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për njëmbëdhjetë vepra penale të vjedhjes së rëndë në qytetin e Pejës, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari ka vepruar në bashkëpunim me një person tjetër, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Vjedhjet janë kryer gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, në shtëpi dhe lokale të ndryshme, ku janë marrë para dhe sende të ndryshme.
“Kёto vjedhje tё rёnda janё kryer nё shtëpi dhe lokale tё ndryshme nё qytetin e Pejёs, ku nga tё dyshuarit janё vjedhur para dhe sende tё ndryshme.
Pas intervistimit i dyshuari nga hetuesit, nё prezencën e avokatit mbrojtës, me urdhёr tё prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё, ndërsa i dyshuari tjetёr momentalisht ёshtё nё arrati, mirëpo ёshtё i njohur pёr Policinё.”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.
Një lajm i rëndë ka ardhur nga Skenderaj, ku një ish-gjyqtar ka humbur jetën në rrethana të dyshimta.
Burime të Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se sot, më 28 gusht rreth orës 10:30, është raportuar se Avdullah Mecini, nga fshati Klinë e Mesme, dyshohet se ka kryer vetëvrasje me litar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e tij.
Mecini kishte shërbyer si gjyqtar në Gjykatën Komunale të Skenderajt dhe ishte i njohur në komunitet për punën e tij.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
Një skenë e pazakontë është regjistruar të mërkurën pasdite në Prizren, ku një 28-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi sulmoi fizikisht zyrtarët policorë.
Burime të Gazetës Sinjali brenda hetimeve bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 18:30, në rrugën “Adem Jashari”, kur patrulla policore ndaloi T.Ç, 28 vjeç, dhe e gjobiti për kundërvajtje.
Por, në vend që ta pranojë masën, i riu e shqeu gjobën para policëve dhe iu afrua me sjellje arrogante, duke i sulmuar fizikisht. Si pasojë, dy policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Pavarësisht rezistencës, zyrtarët arritën ta fusin nën kontroll dhe ta shoqërojnë në zyrat e hetimeve rajonale. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij pritet të ngrihet padi për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Hetimet për rastin po vazhdojnë nga organet kompetente në Prizren.
Përleshja e dhunshme e mbrëmshme në lokalin “Noya” në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë ka përfunduar me lëndime të rënda dhe ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Egzon Hajrizi, rreth 32-vjeçar është personi i vetëm i arrestuar në vendngjarje, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë kanë arritur të largohen dhe ndodhen në arrati.
Gjatë konfliktit, punonjësi i sigurimit N.H., ka pësuar thyerje të nofullës dhe është duke marrë tretman në QKUK, ndërsa kolegu i tij L.F., rreth 43-vjeçar, është trajtuar për lëndime më të lehta dhe ka dhënë deklaratë para hetuesve.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari Hajrizi është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve të tjerë që morën pjesë në incident.
Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në lokalin “Noya” në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, ku një mosmarrëveshje mes klientëve dhe sigurimit përfundoi në përleshje të dhunshme.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti është regjistruar më 27 gusht 2025, rreth orës 23:30, kur katër persona të dyshuar kanë tentuar të hyjnë me forcë në lokal. Në ato momente ka shpërthyer një konflikt fizik me sigurimin, që rezultoi me pasoja serioze.
Gjatë përleshjes, punonjësit e sigurimit kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa njëri ka përfunduar me nofull të thyer. Po ashtu, qytetari edhe një qytetar është lënduar dhe ka marrë tretman mjekësor në QKUK.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke identifikuar njërin prej të dyshuarve, i cili është ndaluar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Tre persona të tjerë të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe janë shpallur në kërkim.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë.
Një rast i rëndë dhune në familje është raportuar në Hajvali, ku një grua dhe dy vajzat e saj kanë deklaruar se po përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëjetuesi i tyre.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 27 gusht 2025, në Stacionin Policor Jugu, për një ngjarje që kishte ndodhur më 27 qershor 2025, në rrugën “Gjilani” – Hajvali.
Ankuesja M.B., reth 56-vjeçare ka deklaruar se jeton me dy vajzat, H.B., rreth 17-vjeçare dhe E.B., rreth 26-vjeçare, si dhe me bashkëjetuesin J.S., rreth 65-vjeçar, i cili sipas saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike në vazhdimësi.
Ajo ka pohuar se Sajovic përdorte ndaj tyre edhe fjalë ofenduese e kërcënuese, duke krijuar gjendje të rëndë psikologjike në familje. Për këtë arsye, ajo dhe vajzat e saj kanë kërkuar urdhër mbrojtës dhe shmangie të çdo kontakti me të.
Edhe Hana Beiqi dhe Elsa Beiqi kanë dhënë deklarata të ngjashme, duke konfirmuar dhunën e ushtruar. Megjithatë, sipas Policisë, nuk është arritur të sigurohet prania e Janez Sajovic, pasi ai për momentin nuk gjendet në Kosovë.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhuna në familje”, ndërsa procedurat ligjore për urdhër mbrojtës pritet të vijojnë.
Një zjarr i madh ka shpërthyer dje paradite në Hajvali të Prishtinës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në një autoservis dhe një plantacion me pemë.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 27 gusht 2025, rreth orës 11:40, në rrugën “Gjilani – Hajvali”, ku i dyshuari Muhamet Pira, rreth 37-vjeçar, teksa po prente pjesë metalike me prerëse, shkaktoi shkëndija që ndezën barin e thatë dhe për pak minuta flakët morën përmasa të mëdha.
Në vendngjarje ndërhyri Brigada e Zjarrfikësve, e cila arriti të lokalizojë zjarrin, por deri atëherë ishin shkaktuar dëme serioze.
Pronari i autoservisit “Burimi”, B.A., rreth 45-vjeçar, ka deklaruar se disa vetura të parkuara janë djegur, ndërsa nuk dihet ende shuma e saktë e dëmit. Ndërkohë, A.A.,, rreth 58-vjeçar ka raportuar se flakët kanë përfshirë edhe një plantacion me dardha, duke shkaktuar humbje rreth 12 mijë euro.
I dyshuari, i cili është shok me pronarin, është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe ka deklaruar se zjarrin e kishte shkaktuar aksidentalisht.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe eksperti i zjarrit dhe zyrtarë të Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave të Komunës së Prishtinës. Me vendim të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë në Kosovë përballen me kërcënime serioze gjatë ushtrimit të detyrës. Shpeshherë, qytetarët e pakënaqur e kalojnë kufirin e sjelljes së ligjshme, duke u bërë kërcënim për sigurinë e zyrtarëve dhe vetë funksionimin e rendit dhe ligjit.
Një ngjarje e tillë është raportuar dje në Prishtinë, ku një e re ka telefonuar linjën emergjente 192 dhe ka kanosur zyrtarët policorë.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 27 gusht 2025, rreth orës 13:00, kur D. I, rreth 22-vjeçare, ka bërë thirrjen kërcënuese.
Policia ka siguruar praninë e saj në Stacionin Policor Veri-Prishtinë dhe, me autorizim të Prokurorit, ka kryer një bastisje në shtëpinë e saj në rrugën “Bajram Bahtiri”, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
E dyshuara është intervistuar, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje. Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, është vendosur që rasti të iniciohet si “Kanosje”, ndërsa e dyshuara është dërguar për kontroll në Psikiatri.
Një ngjarje e rëndë është shënuar dje në Fushë Kosovë, ku një grua e moshuar dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i katërt i një objekti.
Sipas informacioneve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 27 gusht, rreth orës 13:00, në rrugën “Hajrullah Zymi”, pas objektit “Euro-Sore”, tek kompleksi “Al-Fest”.
Viktima është identifikuar si Feti Halimi, rreth 81-vjeçare, e cila fillimisht është transportuar në QKUK në gjendje të rëndë dhe në gjendje kome.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 18:50 është konfirmuar vdekja e saj. Me vendim të Prokurorisë, rasti i iniciuar fillimisht si “Vetëvrasje në tentativë” është rikualifikuar në “Vetëvrasje”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Një shtetase serbe nga Mitrovica me inicialet A.M., së bashku me të dashurin e saj kroat, pjesëtar i KFOR-it në Kosovë, janë arrestuar pasi në telefonat e tyre janë gjetur dëshmi që lidhen me spiunazh në dëm të Kosovës, në favor të inteligjencës serbe.
Raportet tregojnë se informacionet e mbledhura dyshohet të jenë kaluar tek Lista Serbe, e cila më pas i ka dorëzuar institucionet e sigurisë së Serbisë.
Ky zhvillim ka ngjallur shqetësim të madh për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Eksperti i sigurisë, Agim Musiu, ka ngritur pyetje kritike për autoritetet kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë:
A ka prokurori në Kosovë që vepron para se lajmi të bëhet publik ndërkombëtarisht?
A duhet ndërkombëtarët të dënojnë Listën Serbe për rolin e saj, apo kjo parti, që sipas Musiut përbëhet nga terroristë dhe spiunë, do të vazhdojë ta mbajë peng Kosovën dhe partnerët perëndimorë?
Apo A.M., me përvojën e saj si spiun dhe lidhjet e dyshimta, posedon edhe fakte të turpshme për ndërkombëtarët?
Sipas Musiut, ky rast tregon rrezikun që përfaqëson veprimtaria e fshehtë e individëve dhe grupeve të lidhura me inteligjencën e shteteve të huaja, duke hedhur hije mbi sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
Çfarë u raportua për rastin e spiunazhit?
Sipas raportimeve, piloti në të kaluarën kishte kaluar filtrat e sigurisë në autoritetet kroate.
RTL ka shkruar se Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Kryeministrit kanë qenë në dijeni për rastin tash e një kohë.
Gruaja serbe nga Mitrovica e Veriut ishte prezantuar si punonjëse e një organizate gjermane. Ajo dyshohet se kishte marrë informata nga ushtari kroat lidhur me lëvizjet e KFOR-it dhe se ato i ka përcjellë në Serbi.
Të dy u arrestuan në fund të korrikut. Të mërkurën u raportua se të dy janë marrë në pyetje nga Prokuroria. Akuzohen për katër vepra penale.
E mediumi kroat “index.hr” ka shkruar se ushtari ka mohuar fajin dhe ka thënë se dikush po përpiqet ta kurthojë. Siç ka thënë ai para autoriteteve, “edhe e dahsura e tij ka qenë viktimë”.
Siç ka shkruar ky medium, gruaja nga Kosova kishte udhëtuar shpesh drejt Kroacisë.
Ndërkaq “vecernji.hr” ka shkruar se serbja ka pasur lidhje edhe me organizata të tjera ndërkombëtare, përfshirë ato të sigurisë.
Serbja e dyshuar për spiunazh
Konkretisht, sociologia A.M., partnerja e pilotit kroat, ishte e lidhur me organizatat ndërkombëtare në Kosovë, si EULEX dhe UNMIK.
A.M., punoi gjithashtu për Misionin e Bashkimit Evropian për Vendosjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, detyra e të cilit është të ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe policinë dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit (EULEX) dhe Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNIMIK).
Dyshohet se ajo kishte lidhje të ngushta me shumë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, të cilët, sipas burimeve, dyshohet se i kishte shantazhuar.
AM, shtojnë burimet, shoqëroi drejtorin e organizatës joqeveritare Aktiv Miodrag Miliçeviq dhe ish-anëtarin e ekipit menaxhues përgjegjës për krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Igor Kallamar, në disa udhëtime.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në Kroaci.
“Është problem serioz i sigurisë. Do të shohim çka do të nxjerrin hetimet”, ka thënë Arsne Bauk, shef i Komisionit për Mbrojtje në Parlamentin e Kroacisë.
“Në kohëra të tilla, ne kemi një qëllim, të gjithë, pavarësisht nga cila parti jemi. Kemi një qëllim, që është siguria e të gjithë qytetarëve tanë, e të gjitha misioneve që i kemi”, ka thënë Sandra Bençiq, deputete në këtë komision.
Shqetësuese i ka vlerësuar raportimet për spiun potencial në Forcën Ajrore Kroate edhe deputeti Igor Peternel.
Ai ka thënë se kjo bën që situata e sigurisë në Kroaci “të jetë shumë në dyshim”, transmeton Telegrafi.
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po ndërmarrin hapa konkretë për të jetësuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, të formalizuar pesë muaj më parë me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët më 18 mars në Tiranë.
Tani, vendet po kalojnë në një fazë tjetër, duke ndërtuar një aleancë më të fortë dhe më të qëndrueshme në fushën e sigurisë.
Ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve po angazhohen që blerja e parë e armatimit të jetë ajo e kapaciteteve mbrojtëse, përmes një marrëveshjeje të koordinuar për armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës kanë konfirmuar për RTK-në se një takim i tillë trelateral tashmë veçse është mbajtur.
“Është mbajtur takimi i përbashkët për hartimin e aktiviteteve trelaterale në kuadër të marrëveshjes, ku përfshihet edhe çështja e blerjeve të përbashkëta bazuar në kërkesat e forcave të secilit shtet. Me të përfunduar ky plan do të nënshkruhet nga secili shtet për të vazhduar më pas tutje”, konfirmoi Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes.
Lidhur me këtë, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë se kjo marrëveshje është tejet e mirë, duke treguar për rëndësinë e blerjes së përbashkët të armatimit.
“Kur blejnë tre shtete për njëherë, është kostoja shumë më e vogël, liferimi është shumë më i lehtë, dhe çdo prodhues i çdo armatimi ushtarak do të jetë më joshës për t’i furnizuar përnjëherë. Kur e kanë betimin edhe të NATO-s edhe të Uashingtonit, atëherë normal që prodhuesit do të jenë shumë të lumtur dhe shumë ekspeditivë në liferimin e armatimeve shumë më shpejt dhe shumë më mirë”, tha Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK-së.
Duke u nisur nga rëndësia strategjike e partneritetit me SHBA-në për sigurinë dhe zhvillimin e Forcës së Kosovës, ish-koloneli i FSK-së konsideron se aleanca me SHBA-në është jetike për të ardhmen e ushtrisë.
“Krerët që e udhëheqin shtetin, cilido qoftë ai, duhet paraprakisht të kenë interesin kombëtar dhe nacional të vendit, sidomos në kuptim të mbrojtjes, sepse nëse nuk ke fuqi mbrojtëse, ti fare s’ki asgjë. Ushtria është ajo që ta mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe rendin kushtetues të saj, dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse jemi në partneritet të fuqishëm me SHBA-në,” tha Afrim Veseli, ish-kolonel në FSK.
Ndërkohë, në kuadër të blerjeve dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, para dy javësh në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë është bërë dorëzim-pranimi i kontingjentit të dytë prej 50 autoblindave të blera nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për FSK-në.
Një armë zjarri është gjetur dhe sekuestruar sot gjatë një aksioni policor në fshatin Pozheran të Vitisë.
Sinjali mëson se rreth orës 14:00, njësia e hetimeve, e asistuar nga patrulla policore e nënstacionit Pozheran, ka realizuar një urdhër-kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, ndaj të dyshuarit Fatmir Zeqir Zuka rreth 48-vjeçar.
Gjatë kontrollit në dhomën e gjumit të tij është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë zjarri e tipit “Crvena Zastava”, prodhim jugosllav, pa numër serik të identifikueshëm. Arma mbahej në shtëpi pa leje.
I dyshuari është intervistuar në Stacionin Policor Viti në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një incident me zjarr është raportuar sot paradite në Hajvali të Prishtinës.
Sinjali mëson se rreth orës 11:40 në autoservisin “Burimi” ka shpërthyer zjarr, pasi gjatë prerjes me një mjet pune (brusalic), një mekanik ka shkaktuar shkëndija që fillimisht kanë përfshirë barin përreth dhe më pas një veturë të parkuar, e cila është djegur.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe hetuesit e Stacionit Policor Jugu, të cilët kanë bërë shuarjen dhe sigurimin e vendit.
Dëshmitari i rastit, B.A rreth 45-vjeçar, ka deklaruar se ngjarja ndodhi gjatë punimeve të mekanikut, ndërsa i dyshuari Muhamet Pira rreth 37-vjeçar pritet të intervistohet nga policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet për këtë incident janë duke vazhduar.
Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mëngjes në Vushtrri, ku një konflikt mes punëtorëve të dy kompanive private ka përfunduar me therje me thikë.
Sinjali mëson se incidenti ndodhi në rrugën “Hamdi Gashi”, në hapësirën e banesave të bardha, që po rinovohen nga kompani të kontraktuara nga Komuna e Vushtrrisë.
Gjatë punimeve, punëtorët u përfshinë në një konflikt fizik, ku u përdorën mjete të forta dhe një thikë. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar.
I dyshuari Miran Sahiti rreth 22-vjeçar dyshohet se ka therur me thikë Sherif Latifin rreth 22-vjeçar dhe Veli Hysenin rreth 22-vjeçar, duke u shkaktuar lëndime, ndërsa vetë ka marrë gjithashtu plagë nga të dy të dyshuarit e tjerë. Ai është transferuar nga Spitali i Mitrovicës në QKUK-Prishtinë, ku gjendja e tij është e rëndë sipas mjekëve.
Policia, hetuesit dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar gjurmë gjaku dhe kanë sekuestruar thikën e përdorur në rast.
Pas intervistimit të të dyshuarve dhe dëshmitarëve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Sherif Latifi është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy të tjerët janë liruar dhe rasti do të procedohet në mënyrë të rregullt.
Pasditen e sotme rreth orës 15:00 ka pasur të shtëna me armë në Obiliq.
Lajmin për Gazeta Sinjali e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Ajo ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar.
“Sot rreth orës 15:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Rasim Hashani” në Obiliq. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.
Një incident i dhunshëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vushtrri, ku një mosmarrëveshje mes punëtorëve ka përfunduar me therje me thikë.
Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hamdi Gashi”, në hapësirën e banesave të bardha që po rinovohen nga kompani private të kontraktuara nga Komuna e Vushtrrisë.
Gjatë punimeve, mes punëtorëve të dy kompanive ka shpërthyer një konflikt fizik, ku janë përdorur mjete të forta dhe një thikë. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar.
Dy prej të dyshuarve, Sherif Latifi rreth 22-vjeçar dhe Veli Hyseni rreth 22-vjeçar, pas tretmanit mjekësor në Emergjencën e Vushtrrisë, janë intervistuar nga njësia e hetimeve. Ndërkaq, i dyshuari tjetër, Miran Sahiti rreth 22-vjeçar, ka marrë lëndime më të rënda dhe pas trajtimit fillestar në Spitalin e Mitrovicës, është transferuar në QKUK-Prishtinë, ku gjendja e tij raportohet si e rëndë.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë vërejtur gjurmë gjaku dhe kanë sekuestruar thikën që dyshohet se është përdorur në rast.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor” dhe hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Ferizaj, ku një burrë ka humbur jetën në mënyrë tragjike.
Sinjali mëson se mëngjesin e 27 gushtit, rreth orës 09:30, në rrugën “Sadik Bega”, tek ndërtesat e kompleksit “D-Nuhaj”, është gjetur i vdekur Bekim Kamberi rreth 58-vjeçar. Ai u gjet pa shenja jete në hapësirën e ashensorit, në bodrumin e ndërtesës, me lëndime të rënda trupore.
Sipas hetimeve fillestare dhe dëshmive të familjarëve, bashkëshortja e tij kishte mbetur e bllokuar në ashensor, pasi ishte ndalur rryma elektrike. Viktima kishte tentuar ta ndihmonte duke hapur derën, por dyshohet se ra nga kati i tretë ose i katërt, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e policisë, hetuesit rajonalë, forenzika dhe prokurori i krimeve të rënda, i cili ka urdhëruar që trupi të dërgohet për obduksion.
Hetimet rreth rrethanave të plota të kësaj tragjedie janë duke vazhduar.