Vendimi i gjykatës: Popoviç dëbohet nga Kosova
PRISHTINË, 8 gusht/ATSH/Igor Popoviç është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe me masën plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës për një periudhë dyvjeçare, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2025 nga PSRK-ja , Igor Popoviç, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve etnike.
Në atë mënyrë që i njëjti me datën 18 korrik 2025, rreth orës 12:00 në Rahovec ka mbajtur një fjalim publik me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë të qytetarëve, ku mes tjerash ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, tha se i akuzuari Igor Popoviq, me është shpallur fajtor për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Sipas tij, gjykata, në përputhje me dispozitat penale dhe procedurale, e ka dënuar Popoviqin me 6 muaj burgim, dënim i cili, me pëlqimin e të akuzuarit, zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.
Krasniqi tha se gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, dëbimin e Popoviqit nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalimin e hyrjes së tij për një periudhë prej dy vitesh.
Mëngjesin e sotëm, më 8 gusht, Prokuroria Speciale i propozoi gjykatës që ndaj Popoviqit të shqiptohet i njëjtit dënim, sipas marrëveshjes, për veprën penale për të cilën akuzohet, gjashtë muaj burgim, i cili të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.
Sot, prokurorja e rastit, Fikrije Krasniqi-Zejnullahu i propozoi gjykatës që ndaj Popoviqit të shqiptohet edhe dënimi plotësues – dëbimi nga territori i Kosovës për një afat prej dy vitesh, për çka palët janë pajtuar.
Avokati i Popoviç, Millosh Delliviç tha se i qëndrojnë mbrapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale.
Kujtojmë se arrestimi i Popoviq ndodhi pas mbajtjes së një fjalimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai u shpreh kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria vlerësoi se përmes këtyre deklaratave, Popoviq ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, duke nxitur mosbesim dhe tensione ndëretnike, dhe duke rrezikuar bashkëjetesën në shoqërinë kosovare.
/kosovapress/
The post Vendimi i gjykatës: Popoviç dëbohet nga Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.