Reading view

Euro do ndryshojë dizajn! BQE publikon modelet e reja të kartëmonedhave, qytetarët ftohen të votojnë

Pasi Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka publikuar propozimet e përzgjedhura për dizajnin e serisë së ardhshme të kartëmonedhave euro është hapur konsultimi publik, ku qytetarët në të gjithë Evropën do të japin mendimet e tyre deri më 21 shtator 2026.

Propozimet e përzgjedhura janë rezultat i një konkursi dizajni në nivel të Bashkimit Evropian, ku u paraqitën më shumë se 1,200 aplikime nga dizajnerë grafikë. Kartëmonedhat aktuale euro do të vazhdojnë të ruajnë vlerën e tyre dhe do të qarkullojnë paralelisht me serinë e re. Ky do të jetë ridizajnimi i parë i plotë i kartëmonedhave euro që prej futjes së tyre në qarkullim në vitin 2002.

Ndër propozimet e përzgjedhura përfshihen figura të njohura historike dhe kulturore, si Maria Sklodoëska Curie, e vetmja shkencëtare që ka fituar çmimin Nobel si në fizikë ashtu edhe në kimi, kompozitori Ludwig van Beethoven dhe artisti Leonardo da Vinci. Një tjetër seri propozimesh, fokusohet te natyra dhe përfshin figura të shpendëve, mes tyre bituminozin dhe lejlekun e bardhë, sipas BQE-së.

Përmes këtij ndryshimi, Banka Qendrore Evropiane synon gjithashtu të rrisë qëndrueshmërinë e kartëmonedhave dhe të ulë ndikimin e tyre në mjedis. Gjatë kësaj të shtune, është prezantuar ky koleksion në Kosovë, ku Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në konsultimin publik të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) për përzgjedhjen e dizajnit të ri të serisë së kartëmonedhave euro.

Ai theksoi se kjo nismë ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi euro është valuta zyrtare e vendit.

“Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e eurozonës, rruga jonë drejt integrimit evropian po mbështetet nga reforma të rëndësishme, përfshirë modernizimin e sistemit të pagesave dhe avancimin e procesit të integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA)”, ka thënë Ismaili.

Pjesëmarrja në konsultimin publik nuk është vetëm një mundësi për të shprehur preferencën për dizajnin e ri të kartëmonedhave euro, por edhe për të forcuar njohuritë dhe edukimin financiar.

Qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në konsultimin publik të BQE-së mund ta bëjnë këtë përmes një linku të publikuar.

  •  

Ura, mes historisë dhe Kohës së Mbretit

Nga Auron Tare

Tashmë nuk ka mbetur asnjë dyshim se çfarë ka ndodhur në Kanionin e Langaricës. Nuk ishte një investim turistik, siç u quajt nëpër konferenca shtypi e kronika Televizioni. Ishte një krim. Një krim kundër natyrës dhe, njëkohësisht, kundër kulturës.

Në emër të zhvillimit u urbanizua një nga oazet më të rralla të jugut shqiptar. Lumi i Langaricës u shkel nga mjetet e rënda, që nxorën gurët për prita. Hapësirat e gjelbra u mbuluan me beton dhe u pagëzuan “parkingje”. Vaskat e ujërave termale, që natyra i kishte gdhendur me durimin e mijëvjeçarëve, u rindërtuan prej betoni, sikur bukuria e tyre të ishte një faj që duhej korrigjuar.

Gjithçka u bë nën hijen e ligjit famëkeq të vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura. Me një hua prej 2.5 milionë eurosh nga Banka Botërore, Ministria e Turizmit arriti të kryejë atë që pak kush do ta kishte menduar të mundur, ta “përmirësojë” natyrën duke e shkatërruar. Nuk kuptoi, ose nuk deshi të kuptonte, se vizitori nuk udhëton qindra kilometra për të parë betonin shqiptar. Beton gjen kudo. Në Langaricë shkonte për të parë atë që betoni nuk mund ta krijojë kurrë, natyrën.

Por sot nuk dua të ndalem te ky kapitull. Për të kam shkruar edhe më parë.
Sot dua të flas për një krim tjetër, më të heshtur, por jo më pak të rëndë. Një krim që mban vulën e Ministrisë së Kulturës.

Viktima është Ura e Kadiut.
Një urë mesjetare, e ndërtuar me atë zgjuarsi të heshtur që mjeshtrat e dikurshëm e kishin më shumë në duar sesa në diploma. Ajo lidhte luginën e Vjosës me fshatrat e Shqerisë dhe përcillte karvanët drejt tregjeve të Ballkanit. Nuk ishte vetëm një urë. Ishte një copë historie e gdhendur në gur.

Njëra këmbë e saj mbështetej mbi një formacion shkëmbor natyror, të zgjedhur me një intuitë inxhinierike që koha e provoi të pagabueshme. Për shekuj me radhë lumi u fry, dimrat erdhën e ikën, perandori u ngritën e ranë, por ura mbeti në këmbë.
Deri sa erdhi koha e Mbretit tonë.

Askush nuk e di me saktësi se cili institucion mban përgjegjësi për monumentet. Ka drejtori, institute, agjenci e komitete. Vetëm specialistë ka gjithnjë e më pak. Restauratorët e vërtetë janë larguar ose janë larguar me kujdes, duke ua lënë vendin njerëzve që e njohin më mirë procedurën e tenderit sesa historinë e gurit.
Dhe kështu me bekimin institucional, trashëgimia kulturore u bë pronë e kompanive të ndërtimit. Monumenti nuk studiohet me, por fitohet me tender. Historia nuk restaurohet sipas kritereve shkencore por ajo faturohet.
Ndërhyrja në Urën e Kadiut është shembulli më i qartë i kësaj filozofie. Formacioni shkëmbor që mbante urën u prish me eskavator dhe vendin e tij e zuri betoni. Nuk është çështje shijeje, siç mund të mendojë ndonjë burokrat. Është çështje inxhinierike.

Kam pyetur restauratorë dhe inxhinierë të brezit të vjetër. Asnjëri nuk merr përsipër të parashikojë se si do të sillet Ura kur ujërat e dimrit të godasin themelet e reja prej betoni. Si do të bashkëjetojnë gurët shekullorë me një material që nuk ka qenë kurrë pjesë e kësaj strukture? Askush nuk ka një përgjigje të sigurt.
Por puna nuk mbaron këtu.

Mbi urë vazhdojnë ndërhyrje që po fshijnë gjurmët e kohës, sikur koha të ishte një njollë që duhet pastruar. Po zhduken edhe nderhyrjet e mëparshme, te cilat ishin bërë tashmë pjesë e historisë së monumentit. Sepse një monument nuk është vetëm dita kur u ndërtua, është edhe gjithçka që i ka ndodhur gjatë jetës së tij.

Këtu qëndron keqkuptimi ynë më i madh me trashëgiminë. Ne nuk dimë ta ruajmë të vjetrën, dimë vetëm ta zëvendësojmë me një kopje të re.

Dhe kështu, pa zhurmë ne Shqiperine tone te dashur po vendoset një doktrinë e re e restaurimit shqiptar, monumenti duhet të duket sikur sapo ka dalë nga kantieri. Historia duhet të pastrohet bashkë me myshkun. Shekujt duhen fshirë me llaç. Historia duhet rindertuar.
Që nesër, kur vizitori të ndalet para Urës së Kadiut e jo vetëm asaj, duhet të lexojë se ky “Monument u Ndërtua në kohën e Mbretit”.

  •  

E rëndë në Pogradec, ra në kontakt me rrymën elektrike humb jetën elektricisti

Një ngjarje e rëndë është regjistruar e sot në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku një elektricist ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Sipas informacioneve paraprake, viktima, A.Beqiri, rreth 60 vjeç, dyshohet se ishte duke ndërhyrë për të riparuar një linjë elektrike që kishte pësuar defekt, kur ka rënë në kontakt me rrymën dhe ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj ngjarjeje. Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit.

  •  

“Iku për të lypur!”/ Apeli i nënës nga Elbasani: Më ndihmoni të gjej djalin, i zhdukur prej 2 javësh

Nëna e një 12-vjeçari nga Elbasani ka bërë një apel prekës për ndihmë, pasi me djalin e saj Arjanito, ka humbur kontaktet prej gati dy javësh.

Sipas rrëfimit të saj, i mituri është larguar nga banesa në datën 15 korrik. Dy ditë më vonë, më 17 korrik, familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

Deri më tani, nëna shprehet se nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e djalit. Nga hetimet paraprake të kryera nga policia dhe bazuar edhe në deklarimin e vëllait të të miturit, dyshohet se Arjanito është larguar për të lypur, një veprim që sipas familjarëve, e ka bërë edhe herë të tjera. Megjithatë, vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.

Burime bëjnë me dije se Policia ka bërë shpalljen në kërkim të 12-vjeçarit dhe vijon punën intensive për lokalizimin dhe gjetjen e tij, duke verifikuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që Arjanito largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Këtë herë, sipas saj, situata është shumë më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt dhe pa asnjë të dhënë konkrete. Sipas dëshmisë së saj, natën kur u largua, 12-vjeçari ndodhej në banesë dhe përfitoi nga momenti kur familjarët ishin në gjumë për t’u larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni. Në përpjekje për të gjetur të birin, nëna thotë se ka marrë disa informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në qytetin e Durrësit. Për këtë arsye, ajo është nisur vetë drejt këtij qyteti, me shpresën se do të arrijë ta gjejë.

Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Arjaniton ose disponojnë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë menjëherë në numrin +355 69 395 4449 ose të njoftojnë strukturat më të afërta të Policisë së Shtetit. Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për gjetjen e 12-vjeçarit dhe rikthimin e tij pranë familjes.

  •  

Sulm në Paradën e Berlinit, makina futet mes turmës! Humb jetën një grua, 16 të plagosur

Një grua ka humbur jetën dhe 16 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi një automjet u fut mes turmës gjatë një aktiviteti të Paradës së Krenarisë (Pride) në Berlin, sipas autoriteteve gjermane.

Ngjarja ndodhi pak para orës 22:00 me orën lokale, në parkun Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut, ku ishin mbledhur pjesëmarrës dhe vizitorë të aktivitetit.

Policia ka identifikuar një person të dyshuar, i cili, sipas hetimeve paraprake, ka lidhje me islamizmin. Megjithatë, deri më tani nuk është kryer asnjë arrestim.

Në kryeqytetin gjerman është ndërmarrë një operacion i gjerë kërkimi. Autoritetet kanë publikuar fotografinë e të dyshuarit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.

Brenda perimetrit të sigurisë është gjetur edhe një automjet i bardhë, i cili dyshohet se është përdorur në sulm. Hetuesit po punojnë për të përcaktuar motivet dhe rrethanat e ngjarjes.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “akt të tmerrshëm” dhe premtoi se autoritetet do të zhvillojnë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, reagoi pas incidentit, duke deklaruar se bëhet fjalë për “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur”. Hetimet vijojnë, ndërsa policia mbetet në gatishmëri të lartë në zonën ku ndodhi sulmi.

  •  

Zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin, shkak u bë një vajzë

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me plagosjen e 22-vjeçarit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar, 25 korrik, në Gjorm të Kurbinit.

Sipas burimeve, policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes. Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta, të lidhura me një vajzë.

Burimet bëjnë me dije se autori i dyshuar dhe 22-vjeçari Veron Pasha fillimisht janë përfshirë në një konflikt fizik, ndërsa më pas është përdorur edhe arma e zjarrit. Si pasojë, i riu ka mbetur i plagosur me një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

  •  

Aksident i trefishtë në aksin Peqin-Elbasan, lëndohen dy persona

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 09:10 të mëngjesit të kësaj të diele në aksin kombëtar Peqin-Elbasan, në afërsi të fshatit Gjocaj, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime të lehta, por fatmirësisht pa pasoja fatale.

Sipas burimeve nga vendngjarja, në aksident janë përfshirë tri automjete, dy prej të cilave kanë pësuar dëmtime të pjesshme. Përplasja ka ndodhur në një nga rrugët hyrëse që lidhen me aksin e rrugës kombëtare, në zonën rurale pranë qytetit të Peqinit.

Si pasojë e aksidentit, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme, ndërsa gjendja e tyre nuk paraqitet shqetësuese.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë Rrugore mbërritën në vendngjarje, duke bërë të mundur normalizimin në kohë rekord të qarkullimit të automjeteve, pavarësisht fluksit të lartë të mjeteve në këtë aks rrugor.

Ky është aksidenti i tretë që regjistrohet në pak ditë në këtë segment pranë Gjocajt, duke rikthyer në vëmendje nevojën për rritjen e masave të sigurisë rrugore dhe kujdesin maksimal nga drejtuesit e mjeteve.

  •  

Prenga përlotet pas humbjes, i kërkon falje shqiptarëve! Joshua feston me flamur kuqezi (VIDEO)

Ishte ndeshja e jetës për Kristian Prengën, por ish-kampioni i botës Anthony Joshua rezultoi ‘kockë e fortë’ për shqiptarin. Në eventin kryesor të mbrëmjes së boksit në Xhedah të Arabisë Saudite Prenga u mposht me nokaut në raundin e dytë nga anglezi edhe pse e nisi shumë mirë raundin e parë.

35-vjeçari shqiptar, përkundër të gjithë pritshmërive, e nisi furishëm përballjen e peshave të rënda. Prenga në raundin e parë e hodhi dy herë në tapet Anthony Joshua-n edhe pse asnjë nga goditjet nuk ishte e pastër. Më pas gjithçka ndryshoi pas instruksioneve që Joshua mori në pushimin e raundit të parë nga ekipi i tij ukrainas.

Në raundin e dytë ishte komplet një histori tjetër. Pas disa goditjeve të forta Prenga mbeti në një cep ku në vijim mori një breshëri grushtesh të pastra, që e hodhën nokaut. Gjyqtari duke parë gjendjen e Prengës mbylli ndeshjen, duke vulosur fitoren e Joshua-s. Për Prengën kjo ishte ndeshja e jetës, pasi do ti hapte rrugën drejt ekselencës së boksit dhe për këtë arsye u pa me lot në sy në fund të duelit. Madje ai i kërkoi edhe falje shqiptarëve që ishin në Xhedah për ta parë nga afër aksionin.

Ndërkohë edhe 36-vjeçarin britanik ishte një ndeshje kritike, pasi për herë të fundit kishte fituar në 2023. Më pas kishte ardhur një humbje dhe ndër të tjera aksidenti i frikshëm në fund të 2025 në Nigeri ku dy shokët e tij humbën jetën, teksa udhëtonin në të njëjtën makinë.

Pas fitores kundër Prengës Joshua u pa i përlotur, ndërsa refuzoi të fliste për ta, duke thënë vetëm se ‘ishin vëllezërit e mij’. Pas shpalljes fitues Joshua tregoi respekt, duke takuar fillimisht Prengën, më pas nënën e shqiptarit dhe të gjithë stafin e tij. Joshua vlerësoi Prengën duke deklaruar se ‘është një djalë shumë i fortë, i shpejtë, por që e pengoi mungesa e eksperiencës’. Për më tepër ai festoi edhe me flamurin shqiptar.

Joshua nuk humbi kohë dhe thumboi një tjetër ish-numër 1 të botës së boksit si Tyson Fury. Dy anglezët, falë fitoreve respektive, siguruan duelin e madh që pritet të zhvillohet në muajin nëntor dhe që pritet me padurim nga admiruesit e boksit. Ndeshja është konsideruar si më fitimprurërsja ndonjëherë pasi të dy boksierët si Joshua ashtu edhe Fury do të marrin nga 100 milionë paund secili.

  •  

Situata jashtë kontrollit nga zjarret, më shumë se 300 mijë persona largohen nga Franca dhe Spanja

Franca dhe Spanja nuk po gjejnë qetësi si pasojë e zjarreve të mëdha. Zjarrfikësit po përpiqen të përmbajnë zjarret në jugperëndim të Francës, ndërsa erërat e forta I shtyjnë flakët drejt qytetit të Bordeaux. Zyrtarët flasin për një situatë jashtë kontrollit.

Më shumë se 300,000 njerëz në Francë dhe Spanjë kanë ikur nga zjarret që kanë shpërthyer prej ditësh, pasi erërat dhe temperaturat e larta pengojnë përpjekjet për t’i mbajtur ato nën kontroll.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një ndryshim në kushtet e motit i ka ndihmuar zjarrfikësit jashtë Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pranoi se kishte “kohë të ndërlikuara përpara”. Ndërkohë, autoritetet në València konfirmuan vdekjen e një personi.

Burri, që besohet të jetë rreth të 70-ave, u gjet i vdekur në makinën e tij nga zjarrfikësit ndërsa shuanin një zjarr në përroin Salt de l’Aigua në Manises, sipas raporteve të mediave lokale.

Në Francë, 55,000 të tjerë u urdhëruan të evakuoheshin vonë të shtunën, duke e çuar totalin në rreth 250,000 njerëz në rajonet jugperëndimore të rajoneve Gironde dhe Landes.

Kapiteni i zjarrfikësve Nicolas Braz i tha agjencisë së lajmeve AFP se zjarri kishte krijuar “erërat e veta – të kompletuara me vorbulla”, duke shtuar se ishte “i çrregullt dhe i papërballueshëm”. Pritet të jetë një tjetër “natë e vështirë”, tha ai.

Franca ka mobilizuar ushtrinë e saj për të ndihmuar në reagim dhe përforcime shtesë nga ushtria janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit duke pastruar shkurret dhe duke krijuar zona zjarri.

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të “rindërtojë” dhe qeveria e tij do të “jetë aty për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Era fryu tym drejt qytetit të Bordeaux të shtunën dhe njerëzit raportuan një erë të athët në ajër.

Një turist që iku nga një zjarr i madh që po afrohej pranë Bordeaux me familjen e tij e përshkroi shkallën e flakëve si “të frikshme”.

Spencer Randall i tha BBC-së se familja e tij u evakuua në orët e para të së shtunës në një zonë 100 milje në lindje, por ata “ende mund të nuhasin zjarret nga këtu”. “Është një erë mjaft e fortë që shpërndan flakët, thjesht tmerruese”, tha ai. Macron do të zhvillojë një takim urgjent me ministrat, ndërsa rreth 30 zjarre kanë përfshirë vendin – një situatë që qeveria e quajti krejtësisht të pashembullt.

  •  

SHBA ndal sulmet ndaj Iranit, NYT: Trump u tërhoq nga frika se po pakësoheshin raketat Patriot

Për herë të parë pas 13 ditësh bombardimesh të pandërprera, Shtetet e Bashkuara nuk kanë kryer sulme të reja ndaj Iranit. Pauza, e cila vazhdon prej dy netësh, ka ngritur pikëpyetje nëse Uashingtoni po përpiqet të shmangë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.

Sipas New York Times, presidenti Donald Trump ka lënë mënjanë, të paktën për momentin, planet për një ofensivë më të gjerë ushtarake. Gazeta amerikane, duke cituar burime të informuara, shkruan se gjatë një mbledhjeje në Shtëpinë e Bardhë, drejtuesit ushtarakë paralajmëruan se një valë e re sulmesh mund të pakësonte në mënyrë të rrezikshme rezervat amerikane të raketave Patriot dhe municioneve të mbrojtjes ajrore në rajon.

Sipas CNN, edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Dan Caine, kanë shprehur rezerva për një ofensivë të re. Ata kanë paralajmëruar se konflikti mund të zgjerohej në gjithë rajonin dhe se SHBA rrezikon të konsumojë një pjesë të madhe të kapaciteteve të saj ushtarake. Nuk është ende e qartë nëse këto shqetësime bindën Trump të ndalonte përkohësisht sulmet dhe sa do të zgjasë kjo pauzë.

Nga ana tjetër, Teherani nuk e sheh situatën si të qetë. Ushtria iraniane ka paralajmëruar se lufta mund të zgjerohet nëse SHBA dëgjon kërkesat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të vazhduar bombardimet. Sipas zëdhënësit të ushtrisë iraniane, çdo sulm i ri ajror mund ta përhapë konfliktin përtej kufijve aktualë.

Edhe Garda Revolucionare iraniane ka ashpërsuar tonet. Ajo ka paralajmëruar se çdo shtet që mbështet ushtarakisht SHBA-në, përfshirë Britaninë e Madhe apo vende të Gjirit Persik, mund të konsiderohet objektiv legjitim. Po ashtu, Irani pretendon se gjatë javëve të fundit ka vrarë mbi 200 ushtarë amerikanë dhe ka shkatërruar 11 avionë dhe helikopterë ushtarakë amerikanë, pretendime që nuk janë konfirmuar nga SHBA.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se bllokada detare ndaj Iranit mbetet në fuqi. Sipas saj, deri më 25 korrik janë devijuar 12 anije tregtare që tentonin të kalonin bllokadën, dy janë nxjerrë jashtë funksionit pasi nuk iu bindën urdhrave dhe dy të tjera janë kontrolluar nga forcat amerikane.

Në të njëjtën kohë, Irani ka bërë të ditur se nuk ka ndryshime në rregullat e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse bisedimet me Omanin për sigurinë detare vazhdojnë. Hormuzi mbetet një nga pikat më të ndjeshme të krizës, pasi përmes tij kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës.

Përveç përballjes SHBA-Iran, tensionet vazhdojnë edhe në territoret palestineze. Agjencia palestineze Wafa raportoi se kolonë izraelitë i vunë flakën një xhamie në ndërtim dhe një banese pranë Nablusit, ndërsa në mure u shkruan slogane kundër arabëve.

Pavarësisht pauzës së përkohshme në bombardimet amerikane, shenjat tregojnë se konflikti është larg përfundimit. Uashingtoni vazhdon të lërë të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, por paralajmëron se do të reagojë nëse Irani ndërmerr veprime të reja në Ngushticën e Hormuzit ose kundër aleatëve amerikanë. Nga ana tjetër, Teherani këmbëngul se çdo sulm i ri mund ta zgjerojë luftën në të gjithë rajonin, duke mbajtur Lindjen e Mesme në një gjendje tensioni të lartë.

  •  

Zbulim i rrallë në Llogara, speleologët gjejnë një shpellë 70 metra të thellë me eshtra kafshësh të egra (FOTO)

Një ekspeditë speleologjike në shpellën “Sterra e Kujunxhiut”, brenda Parkut Kombëtar të Llogarasë, ka zbuluar një zgavër me thellësi rreth 70 metra, pothuajse tërësisht vertikale.

Sipas eksploruesve, në fund të shpellës është gjetur një grumbull i madh gurësh, i cili dyshohet se ka bllokuar vazhdimin e galerisë.

Gjatë eksplorimit është konstatuar edhe prania e një numri të madh eshtrash kafshësh të egra, mes tyre të derrit të egër, drerit, ujkut, dhelprës dhe specieve të tjera.

Sipas grupit të ekspeditës, zbulimi pritet të nxisë eksplorime dhe studime të mëtejshme, me qëllim përcaktimin nëse shpella ka vazhdim, si edhe dokumentimin e vlerave të saj natyrore dhe speleologjike.

  •  

Anthony Joshua fiton me vuajtje me Kristian Prengën, shqiptari e rrëzon dy herë në tapet

Anthony Joshua kaloi me sukses provën e fundit me shqiptarin Kristian Prenga përpara supersfidës së shumëpritur me Tyson Fury në muajin nëntor, por jo pa vuajtje. Ndonëse fitoi, boksieri britanik u rrëzua dy herë në tapet në raundin e parë nga Prenga, duke qenë shumë pranë një humbjeje shokuese.

Joshua arriti të përmbyste gjithçka me një nokaut të fuqishëm në raundin e dytë. Goditja vendimtare e la Prengën të shtrirë në tapet, i kapur mes litarëve të ringut, duke i dhënë fitoren ish-kampionit të botës dhe duke shmangur një poshtërim që do të rrezikonte edhe duelin e shumëpritur me Tyson Fury.

Pas tre minutave të para të ndeshjes, përballja e planifikuar me Fury dukej se ishte në prag të dështimit. Joshua, megjithatë, reagoi me vendosmëri dhe arriti të rikthehej, duke shpëtuar jo vetëm këtë sfidë, por edhe vazhdimësinë e karrierës së tij. Kjo ishte ndeshja e parë e Joshua që prej aksidentit automobilistik të dhjetorit të kaluar, ku humbën jetën dy nga miqtë e tij më të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif Ayodele.

Për këtë duel, britaniku ishte përgatitur me Oleksandr Usyk dhe ekipin e tij, duke synuar të përfitonte nga eksperienca e ish-rivalit të tij. Vetëm 20 sekonda pas sfidës, Prenga e befasoi me një goditje të fortë “uppercut” me të djathtën, që e rrëzoi menjëherë në tapet. Joshua u ngrit i tronditur dhe, në mesin e raundit, vazhdonte të kishte vështirësi në ekuilibër. Rreth 30 sekonda para fundit të raundit të parë, shqiptari e rrëzoi sërish, duke e vendosur shumë pranë humbjes.

Por Joshua reagoi në fund të raundit dhe hyri në të dytin me një tjetër ritëm. Ai e vuri menjëherë në vështirësi Prengën, i cili nisi të tërhiqej pas goditjeve të britanikut. Pak çaste më vonë, Joshua e mbylli ndeshjen me një nokaut spektakolar, duke siguruar fitoren dhe duke mbajtur gjallë supersfidën e shumëpritur ndaj Tyson Fury.

  •  

Aksident i rëndë në aksin Vlorë-Llogara, humb jetën drejtuesi i mjetit, 4 të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”.

Një automjet tip furgon, me drejtues shtetasin S. R., 22 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, shtetasi I. H., 52 vjeç. Drejtuesi i mjetit dhe 3 pasagjerët e tjerë janë transportuar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

  •  

Shtresa e mesme më e prekur nga kriza, ish-ministri i Financave: Politika duhet të krijojë kushte për rritjen e të ardhurave

Çdo krizë ekonomike lë gjurmë, por jo mbi të gjithë në të njëjtën masë. Rritja e çmimeve, inflacioni dhe kostot më të larta të jetesës rëndojnë më shumë mbi familjet me të ardhura të ulëta dhe po ushtrojnë presion edhe mbi shtresën e mesme, e cila në Shqipëri mbetet ende e brishtë.

Ndërsa diferenca mes atyre që kanë më shumë dhe atyre që kanë më pak vijon të zgjerohet, ekspertët paralajmërojnë se tkurrja e shtresës së mesme mund të ketë pasoja afatgjata për ekonominë.

Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave dhe akademik, shprehet për A2: “Në periudha krize, goditjen më të madhe e merr shtresa e mesme, sepse të ardhurat e saj nuk rriten me të njëjtin ritëm me çmimet. Kur fuqia blerëse bie, familjet detyrohen të kufizojnë konsumin, të shtyjnë investimet dhe të ulin kursimet, duke u bërë më të ekspozuara ndaj çdo luhatjeje ekonomike”.

Sipas ish-ministrit të Financave, mbrojtja e kësaj shtrese kërkon politika që shkojnë përtej masave afatshkurtra. Rritja e produktivitetit, nxitja e punësimit cilësor dhe lehtësimi i barrës fiskale për familjet me të ardhura të mesme janë disa prej instrumenteve që mund të frenojnë tkurrjen e saj.

“Duhet të krijohen kushte që njerëzit të rrisin të ardhurat përmes punës dhe jo vetëm të kompensohen për rritjen e çmimeve. Investimi në arsim, inovacion, sipërmarrje dhe vende pune me vlerë të shtuar është mënyra më e qëndrueshme për të forcuar shtresën e mesme”, tha Angjeli.

Rëndësia e saj, sipas Angjelit, nuk lidhet vetëm me mirëqenien e familjeve, por edhe me zhvillimin ekonomik të vendit. Një shtresë e mesme e fortë nxit konsumin, investimet dhe stabilitetin social, ndërsa dobësimi i saj rrezikon të ngadalësojë ritmet e zhvillimit.

“Në të gjitha ekonomitë e zhvilluara, shtresa e mesme konsiderohet shtylla kryesore e zhvillimit. Ajo gjeneron konsum, paguan taksa, investon në arsim dhe në biznes. Sa më e gjerë dhe më e qëndrueshme të jetë kjo shtresë, aq më e fortë bëhet ekonomia dhe aq më të vogla janë pabarazitë sociale”, theksoi Angjeli.

Edhe pse nuk ka një përkufizim unik për shtresën e mesme, në Shqipëri ajo identifikohet zakonisht me familjet që sigurojnë të ardhura të qëndrueshme nga profesione si mjekë, juristë, inxhinierë, pedagogë, specialistë të teknologjisë apo sipërmarrës të vegjël e të mesëm. Pikërisht kjo kategori po përballet gjithnjë e më shumë me sfidën e ruajtjes së standardit të jetesës në një periudhë me kosto në rritje.

  •  

“Dua mandatin e katërt si president”, Trump zbulon synimet për zgjedhjet e ardhshme në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi me tone humoristike se synon të kandidojë për një mandat të katërt në Shtëpinë e Bardhë, gjatë fjalimit të tij në Galanë e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Duke veshur një kapele të kuqe me mbishkrimin “Trump 2028”, ai tha se do të bëjë një njoftim zyrtar, megjithëse Kushtetuta amerikane nuk e lejon një kandidim të tillë.

“Ngaqë më interesoni ju dhe dua të ruaj shikueshmërinë tuaj, kam kënaqësinë të njoftoj synimin tim për të kandiduar për një mandat të katërt si president i Shteteve të Bashkuara. Do ta bëj. Në fakt, mendoj se sapo e bëra”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura dhe duartrokitje nga të pranishmit.

Presidenti përsëriti gjithashtu pretendimin e tij të kahershëm se kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat ai vazhdon t’i cilësojë si të manipuluara, pavarësisht se rezultati u certifikua dhe nuk ka prova që mbështesin pretendimin për manipulim në shkallë të gjerë.

Në fjalimin e tij, Trump u ndal edhe te sulmi me armë ndaj tij në muajin prill, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i përgjigjen dhunës politike me më shumë dhunë.

“Në Amerikë nuk i zgjidhim mosmarrëveshjet me plumba, por me debat të hapur dhe të gjallë,” u shpreh ai, duke falënderuar agjentët e Shërbimit Sekret për reagimin e tyre gjatë incidentit.

Mbrëmja u karakterizua edhe nga batuta ndaj figurave të politikës dhe medias amerikane. Trump kritikoi ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden, si edhe disa emra të Partisë Demokratike që përmenden si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028. Ai ironizoi gjithashtu gazetarët Kaitlan Collins dhe Jake Tapper të CNN-së, si dhe moderatorët Jimmy Kimmel dhe Jimmy Fallon.

Në një tjetër moment të fjalimit, Trump foli për negociatat me Iranin, duke deklaruar se Teherani kërkon një marrëveshje me Uashingtonin, por përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Irani të zotërojë armë bërthamore.

Pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj mediave, Trump përfundoi fjalimin duke deklaruar se beson te liria e shtypit.

“Pavarësisht të gjitha telasheve që më shkaktoni, shpresoj ta dini se besoj në lirinë e shtypit më shumë se kushdo tjetër në këtë sallë,” tha ai, duke marrë duartrokitje nga pjesëmarrësit.

Sipas Amendamentit të 22-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, një president nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë në këtë detyrë. Për këtë arsye, deklarata e Trump për një mandat të katërt u interpretua gjerësisht si një batutë politike dhe jo si një njoftim formal për kandidim.

  •  

Ministri Hoxha: Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit, BE të mbajë premtimin

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se besueshmëria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian varet jo vetëm nga reformat e vendeve kandidate, por edhe nga gatishmëria e BE-së për të respektuar angazhimet e saj.

Në një intervistë për RTL Today, Hoxha tha se Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat e anëtarësimit, pasi ka hapur të gjashtë grup-kapitujt brenda 13 muajve dhe ka kaluar vlerësimin e ndërmjetëm për grup-kapitullin “Themeloret”.

“Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm”, tha Hoxha, duke theksuar se progresi i vendit është rezultat i punës së vazhdueshme.

Ministri pranoi se Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara në fusha si lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtësisë, liria e medias dhe mbrojtja e mjedisit.

“Negociatat kanë të bëjnë me hendekun – ku jemi sot, ku duhet të arrijmë dhe si do ta mbyllim atë”, u shpreh ai.

Hoxha këmbënguli se procesi duhet të mbetet i bazuar në meritë, por theksoi se ky parim duhet të vlejë për të dyja palët.

“Procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Ne marrim angazhime dhe bëjmë reformat, por Bashkimi Evropian duhet të mbajë edhe ai pjesën e vet të marrëveshjes”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, një vend kandidat që përmbush kushtet e vendosura duhet të lejohet të ecë përpara në proces, pasi çdo vonesë e pajustifikuar dëmton besimin e qytetarëve dhe e bën më të vështirë mbështetjen për reformat.

“Mos humbni asnjë çast, asnjë minutë, asnjë orë. Punoni, punoni, punoni”, ishte mesazhi i tij për administratën shqiptare.

Hoxha u shpreh gjithashtu në favor të integrimit gradual të vendeve kandidate në strukturat evropiane edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Ai theksoi se Shqipëria është tashmë plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.

“Gjithçka që diskutojnë ata bëhet edhe e jona. Atëherë pse të mos jemi të pranishëm si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë mendime, të mësojmë dhe të përgatitemi”, tha ai.

Duke folur për orientimin strategjik të Shqipërisë, Hoxha theksoi se zgjedhja evropiane nuk është e pjesshme.

“Kur bën një zgjedhje, siç kemi bërë ne për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, nuk është si një meny. Ne marrim të gjithë paketën”, deklaroi ministri.

Në fund të intervistës, ai e cilësoi integrimin evropian si projektin më të rëndësishëm për vendin.

“Për ne është vijë jetike. Është vendimtare. Është i vetmi projekt. Ky është e ardhmja jonë”, u shpreh Hoxha.

  •  

Do të lidhë Dukagjinin me Kurorën e Alpeve Shqiptare, Rama publikon pamjet: Gati kantieri i rrugës Shalë–Tropojë

Kantieri për ndërtimin e rrugës Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit, është gati në pritje të nisjes së punimeve për aksin që shënon hap të rëndësishëm për lidhjen e zonës së Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri, duke e cilësuar projektin si një investim strategjik që do të lidhë Shalën me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës.

Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

  •  

“Jetë e dyfishtë” dhe shumë sekrete, ja cila është shenja më misterioze e horoskopit

Sipas astrologjisë, disa njerëz njihen për aftësinë e tyre për t’u përshtatur shpejt me situata dhe persona të ndryshëm. Ndër shenjat e Zodiakut, Binjakët shpesh përmenden si ata që kanë shumë “fytyra” dhe që jo gjithmonë e tregojnë menjëherë anën e tyre të vërtetë.

Kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me fshehje apo mashtrim, por me natyrën e tyre të ndryshueshme dhe aftësinë për të përshtatur sjelljen sipas rrethanave.

Binjakët, mjeshtra të përshtatjes

Astrologët i përshkruajnë Binjakët si një shenjë shumë kurioze dhe dinamike. Ata mund të jenë të qetë dhe seriozë në një moment, ndërsa pak më vonë të shfaqen energjikë, spontanë dhe të gatshëm për aventura.

Kjo ndryshueshmëri shpesh krijon përshtypjen se kanë disa anë të ndryshme të personalitetit dhe se është e vështirë të kuptosh plotësisht se çfarë mendojnë apo ndiejnë.

Tërhiqen nga përvojat e reja

Binjakët njihen për dëshirën për të provuar gjëra të reja, për të njohur njerëz të ndryshëm dhe për të dalë nga rutina. Për këtë arsye, jeta e tyre shpesh është e mbushur me ndryshime, interesa të shumta dhe ambiente të ndryshme shoqërore.

Kjo mënyrë jetese mund t’u duket të tjerëve sikur ata luajnë role të ndryshme, por sipas astrologjisë bëhet fjalë më shumë për fleksibilitet dhe përshtatshmëri.

Sekreti i tyre është ndryshueshmëria

Termi “jetë e dyfishtë” përdoret shpesh kur flitet për Binjakët, por astrologët e lidhin më shumë me aftësinë e tyre për të shfaqur pjesë të ndryshme të karakterit. Ata mund të përshtaten lehtësisht në një diskutim serioz profesional, por edhe në një ambient të relaksuar shoqëror.

Pikërisht kjo natyrë e paparashikueshme i bën Binjakët një nga shenjat më interesante të Zodiakut, sipas astrologëve, pasi shpesh lënë përshtypjen se gjithmonë kanë një anë tjetër për të zbuluar.

  •  

Pas filmit ‘The Odyssey’, Greqia kërkon që Mali Olimp të shpallet trashëgimi botërore nga UNESCO

Autoritetet greke kanë intensifikuar përpjekjet për të siguruar që Mali Olimp, maja më e lartë e vendit me 2,918 metra mbi nivelin e detit, të marrë statusin e trashëgimisë botërore nga UNESCO.

I përshkruar nga Homeri si “selia e të pavdekshmëve”, Olimpi është i mbushur me mite, histori dhe bukuri natyrore.

Kryetari i bashkisë Dion-Olimp, Evangelos Geroliolios, kujtoi ngjitjen e tij të parë dekada më parë.

“Nuk e kam harruar kurrë atë ndjesi unike atje lart në fronin e Zeusit. Është një vend i jashtëzakonshëm, i shkrirë nga miti, bukuria dhe pesha e historisë.”

Komiteti i Trashëgimisë Botërore pritet të diskutojë nominimin e Greqisë në sesionin e tij të 48-të në Busan, Koreja e Jugut, ndërsa vendimi final pritet më 29 korrik.

Greqia e ka propozuar për herë të parë përfshirjen e malit në listë në vitin 2014, duke theksuar rëndësinë kulturore dhe mjedisore të tij.

Mali Olimp u shpall pyll kombëtar që në vitin 1938, ndërsa në vitin 1981 UNESCO e njohu si rezervë biosfere.

Në vitin 2021, një dekret presidencial e shpalli park kombëtar, duke forcuar mbrojtjen e tij.

Popullariteti i malit është rritur ndjeshëm vitet e fundit, me rreth 500,000 vizitorë të regjistruar vetëm vitin e kaluar.

Ky interes është shtuar edhe pas publikimit të filmit “Odisea” të Christopher Nolan, i frymëzuar nga epopeja e Homerit dhe i xhiruar pjesërisht në Greqi.

Megjithatë, rritja e turizmit sjell rreziqe. Dimitris Pappas, zëvendësdrejtor i agjencisë së menaxhimit të parkut kombëtar, paralajmëroi se kërcënimi më i madh për zonën janë zjarret në pyje të përkeqësuara nga ndryshimet klimatike.

“Ato mund të shmangen me fonde shtesë për masa mbrojtëse, pastrimin e shtigjeve dhe ndërtimin e strehimoreve,” tha ai.

Përveç rëndësisë mitologjike, Olimpi ka edhe vlera fetare. Në një nga majat më të ulëta është zbuluar një vend i shenjtë në ajër të hapur, i përmendur nga Plutarku në shekullin e dytë pas Krishtit, ku kryheshin flijime për Zeusin. Mali është gjithashtu shtëpia e faltores më të lartë në botën ortodokse, me manastire bizantine dhe vende adhurimi të shpërndara në majat e tij.

Turistët e huaj e kanë cilësuar statusin e trashëgimisë botërore si të merituar dhe të vonuar. “Nuk është thjesht një ide e mirë, është ideja më e mirë,” tha Lenka Hotmarova, vizitore nga Republika Çeke.

Megjithatë, organet këshillimore të UNESCO-s kanë kërkuar detaje të mëtejshme, duke sugjeruar që nominimi t’i kthehet Greqisë për plotësim. Kjo ka shtuar shqetësimet për balancën mes turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Kapaciteti mbajtës i Olimpit ka arritur limitin e tij,” tha Geroliolios. “Përcaktimi si vend i trashëgimisë botërore do të vendoste përgjegjësi më të madhe për ne, por edhe nëse nuk ia dalim, nuk ka kohë për të humbur. Duhet të merren masa të mëtejshme mbrojtëse.”

  •  

Shqipëria fillon përgatitjet ligjore për adoptimin e euros, eksperti: Do krijojë mundësi të reja për ekonominë

Euro do të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kjo parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është hedhur për konsultim publik dhe, për herë të parë, përfshin një kapitull të posaçëm që rregullon kalimin nga leku te euro.

Ekonomisti Gentian Beqiri vlerëson se adoptimi i euros dhe anëtarësimi në eurozonë do të sjellin një sërë përfitimesh për ekonominë shqiptare.

“Pavarësisht se ne nuk jemi pjesë, por Euro është pjesë e ekonomisë dhe ndërkohë ne nuk kemi përfitimet e të qenurit në eurozonë që të kemi nivel shumë të ulët të interesave bankare. Nuk kemi rrezikun e kursit të këmbimit. Kursi i këmbimit është shumë i luhatshëm dhe i paparashikueshëm. Ka kosto për të këmbyer monedhën. Pra, bërja pjesë e euros i eliminon këto.”

Sipas ekspertit, anëtarësimi në eurozonë dhe përfshirja e Shqipërisë në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore do të krijojnë mundësi të reja për ekonominë dhe do të forcojnë stabilitetin financiar të vendit.

“Kur je pjesë e një ekonomie më të madhe, një ekonomi e vogël si Shqipëria bëhet pjesë e një sigurie dhe një standardi më të lartë se sa kemi aktualisht. Bërja pjesë do të thotë që ne të përfitojmë, duke pasur edhe një pjesë të vogël përqindje të caktuar në bazë të shërbimeve që do të kemi si pasojë e fitimit. Pra, ka patjetër shumë e shumë anë pozitive.”

Ndërkohë, një tjetër efekt i rëndësishëm i anëtarësimit në eurozonë lidhet me një ndarje më të qartë të përgjegjësive në hartimin dhe zbatimin e politikës monetare.

“Deri në këtë moment ne kemi parë shumë ndërhyrje, pra nuk e kemi të ndarë me thikë rolin e qeverisë, të politikës dhe rolin e Bankës së Shqipërisë. Si pasojë e kësaj, këto do të jenë shumë të qarta.”

Projektligji është tashmë në konsultim publik dhe përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Ai parashikon gjithashtu rritjen e kapitalit të Bankës së Shqipërisë nga 2.5 në 6 miliardë lekë, si dhe rritjen e Rezervës së Përgjithshme nga 12.5 në 30 miliardë lekë.

  •  
❌