Reading view

Partitë e reja, risia e 11 majit? Jo krejt ashtu!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ka një kolonë të tretë në tabelat që sondazhet e ndryshme paraelektorale tregojnë në mediat kryesore, rreth preferencës së votës të shqiptarëve në 11 maj. Është hapësira që po nisin të okupojnë ato që shihen si “partitë e reja”. Katër lëvizje politike, të grupuara në tre subjekte elektorale po marrin nga 10 deri në 15 përqind të preferencës së votës në sondazhet më të fundit.

Në pamje të parë është ky elementi dallues, e reja e këtyre zgjedhjeve. Por në fakt pas kësaj perdeje shpresëdhënëse qëndron një e vërtetë tjetër nga ajo që mundohen të shesin entuziastët e ndryshimit.

Po asistojme de facto në aktin e parë të shembjes së partitokracisë 34 vjeçare. Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve. Një rrënim që nuk po vjen i zhurmshëm dhe as me furtunë e stuhi. Aq më pak me alternativa që mbushin sheshet dhe trondisin nga themelet sistemin politik. Është një rënie brenda e çatisë, më shumë sesa shpërthim spektakolar i ngrehinës. Po vjen gradualisht në formën e venitjes pa kthim të një numri siglash historike dhe bjerrjes së besimit e mërzisë së publikut ndaj një elite që e ka bërë kohën e saj. Kjo dekadecë po vjen gjithashtu edhe përmes avancimit të ngadalshëm por të pandërprerë të hetimeve e dënimeve që po jepen ndaj zyrtarëve shtetërorë e partiakë të të gjitha niveleve. Është një proces që ka prekur deri tani vetëm një anë të panelit politik tradicional, atë të opozitës zyrtare PD-PL dhe aleatët e tyre më të vegjël.

Mbi këtë mall të mbetur pa zot po përpiqen të ndërtojnë suksesin e tyre të deritanishëm, edhe ky për t’u verifikuar në 11 maj, Lapaj, Shabani, Shehaj e Qori. Një dekadë e ca më parë Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu hynin në fushën e lojës pikërisht për të thyer monopolin trepartiak të mësipërm. Nuk ja dolën, ashtu siç nuk ja kishin dalë qysh në fillimet e pluralizmit një gjysëm dyzine partish e lëvizjesh me emra e fytyra shumë të njohura në politikën shqiptare.

Rregullisht në 30 vitet e fundit ka pasur tentativa për të thyer duopolin PS-PD në majën e politikës shqiptare. Kanë qenë tentativa jo rrallë serioze, të inicuara nga politikanë me përvojë dhe vullnet për ndryshim. Në jo pak raste kanë qenë edhe persona të papërlyer me korrupsion e krim. Por kanë të dështuar të gjithë, përveç Ilir Metës i cili arriti të depërtojë mes dy partive të mëdha me LSI në vitin 2004. Askush tjetër nuk ja ka dalë sepse partitë e mëdha ishin ende të forta, hijerënda dhe të paevitueshme.

E vërteta e asaj që po ndodh para syve tanë është se po shembet në heshtje një krah i shtëpisë politike shqiptare, ashtu siç e kemi njohur në mbi 20 vitet e fundit. Së pari ka rënë zhurmshëm ish-LSI, sot Partia e Lirisë. Partia dikur e çiftit Meta-Kryemadhi, forca politike që rregullisht bënte ose prishte maxhorancat, ka qenë një faktor serioz elektorale, aq sa në dekadën e shkuar arriti t’i afrohet kuotës së 20 deputetëve në zgjedhjet parlamentare. Edhe në votimet e fundit politike në vitin 2021 Monika Kryemadhi dhe më në distancë Ilir Meta nga zyra e Presidentit të Republikës, arritën të marrin 107 mijë vota ose 6.81 përqind të totalit të votës proporcionale. Vetëm sistemi elektoral e penalizoi LSI duke e lënë në kuotën e katër mandateve në Kuvend.

Sot kjo parti ndodhet praktikisht e paralizuar, me kryetarin Meta në izolim dhe çiftin të divorcuar zyrtarisht. Ka rënë shtylla që mbante në këmbë dhe justifikonte vetë egzistencën e partisë, ndërkohë që të mbeturit në parti nuk e kanë as stofin dhe as vullnetin e hekurt që dikur kishte Iliri me Monikën.

Një histori të ngjashme tkurrjeje, por për arsye të ndryshme, ka pësuar edhe vetë Partia Demokratike, bazuar në shifrat që nxjerrin sondazhet e javëve të fundit. Nëse në vitin 2021 Lulzim Basha arriti të marrë gati 40 përqind të votës proporcionale, sot pozita e partisë së drejtuar nga Berisha është dramatike. Rrahja publike në oborrin e PD në 8 janar 2022 e shumë prej atyre që sot janë krah për krah, ishte simptoma e parë serioze se kjo forcë politike po shkonte drejt humnerës. Rikthimi i Berishës në garën e vitit 2025 e bën edhe më të ndjeshme kotësinë dhe mungesën e perspektivës për partinë më të madhe të të djathtës shqiptare.

Katër vjet pas zgjedhjeve të vitit 2021, Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila liston 24 parti politike, përfshirë Partinë e Lirisë, kuotohet në sondazhet kryesore të vendit mes 33 dhe 37 përqind të proporcionalit kombëtar. Një rënie me më shumë se dhjetë pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, kohën kur Basha e Kryemadhi drejtonin opozitën shqiptare.

Aktualisht Partia Demokratike dikur e mbajtur nën fre nga Sali Berisha, ka “prodhuar” një mozaik siglash të dala prej saj ose parti ish-aleate, të cilat e shohin vetë Berishën si problemin kryesor të opozitës. Ka lënë pa zot rrugës edhe një mal me vota të zhgënjyera. Aq sa në zgjedhjet lokale të vitit 2023 kjo opozitë mori vetëm shtatë nga 61 bashkitë në garë!

E parë kështu, e vërteta e këtyre zgjedhjeve më shumë sesa tek fakti që tre a katër politikanë të rinj dolën dhe bënë për vete papritur 10 apo 15 përqind të votuesve, qëndron tek dizintegrimi i të djathtës historike zyrtare që e bëri të mundur këtë proces. Sepse së pari, që të jemi të realistë, një pjesë e fytyrave “të reja” nuk janë edhe aq të reja e së dyti, sepse më shumë sesa projekte politike, këto janë sfida personash që po kërkojnë të marrin mandatin vetjak parlamentar në 11 maj. Pa harruar pastaj faktin që po grinden e s’po lenë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.

Suksesi momental i këtyre partive të reja i dedikohet faktit që ndërsa njëri krah i elitës politike, PS dhe Rama, po i mbajnë të paprekura kuotat e tyre shifrore, krahu tjetër, ai i Berishës dhe Metës, po çedojnë një porcion të madh elektorati që e kishin deri në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

 

The post Partitë e reja, risia e 11 majit? Jo krejt ashtu! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Shqipëri-Kosovë, sherr për Ferrarin kur s’ke lek as për biçikletën

Nga Skënder Minxhozi/

 

E gjithë dallga e pisët e akuzave në rrjetet sociale mes Shqipërisë dhe Kosovës, që pasoi grushtin që dy banorë të Big Brother shkëmbyen mes tyre, zbuloi edhe një herë sesa lehtësisht e manipulueshme është atmosfera edhe kur flitet për dy pjesë të të njëjtit komb, me të njëjtën histori, prejardhje, gjuhë, kulturë e zakone. U evokua edhe një herë, pas atij grushti banal, të dënueshëm por totalisht të papërdorshëm në kontekstet që u vendos, se mes kosovarëve dhe shqiptarëve (të dyja palët shqiptarë, meqë ra fjala), nuk duhet të ketë bashkim, komunikim, vajtje-ardhje e të tjera si këto.

U risoll në skenë edhe një herë klisheja se “ne nuk jemi shqiptarë dhe me Shqipërinë nuk duam të bashkohemi”. U përdor fjala e fundit për një sherr brenda një spektakli i cili jeton dhe ushqehet me provokacionin, goditjet nën brez dhe manipulimin. U transplantua në jetën reale një copë televizioni me shije dhe nivel shumë të dyshimtë që s’mund të jetë kurrsesi barometri i marrëdhënieve dhe raporteve mes dy shtetesh që ndajnë në mes të njëjtin komb.

Teza e mosbashkimit me Shqipërinë noton si një njollë vajguri në ujin e pastër të ndjenjave e përjetimeve që prej 25 vitesh është arritur të ndërtohen mes shtetit amë Shqipërisë dhe shtetit më të ri në Evropë, Republikës së Kosovës. Është një bashkëjetesë e cila pas vitit 1999 ka kaluar gradualisht nga imagjinata, eposi, baladat e historia, tek rrjeta e dendur e raporteve konkrete mes dy shteteve, shoqërive e qindra mijë njerëzve që jetojnë në dy anët e kufirit politik dhe shkojnë e vijnë çdo ditë tek njëri-tjetri. Të atij kufiri i cili nuk ka penguar që mes Kosovës dhe Shqipërisë të ndërtohet një bashkëjetesë tashmë e ngushtë dhe që sheh nga e ardhmja.

Ka plot probleme mes dy shtetesh të varfëra, siç janë Kosova e Shqipëria. Politika po bën ende pak për t’i afruar dy anët e kufirit, mëritë politike gjithashtu, por njerëzit e thjeshtë me intuitën e tyre të hollë e kanë kuptuar se ky treg i madh shqipfolës që nis në Sarandë e mbaron në Mitrovicë, është fati i përbashkët që duhet ta përgatisim me durim për të ardhmen që e pret.

E pikërisht këtu, tek perspektiva e raportit të përbashkët mes dy vendeve duket se nis edhe spekulimi i shëmtuar me “mosbashkimin”! Të përbetohesh sot se për shkak të një grushti mes dy të rinjsh të hutuar nga qëndrimi i gjatë mbyllur, nuk e duam bashkimin me Shqipërinë, është një miopi e madhe sa një kala. Sa shqiptarë të Shqipërisë rrihen mes tyre çdo ditë në qytetet e fshatrat e këtij vendi? Sa shqiptarë të Kosovës bëjnë të njëjtën gjë në anën tjetër të kufirit? Pse duhet të ketë një grusht televiziv fuqinë e një verdikti kaq të madh e të rëndë?!

Në anën tjetër të përbetohesh sot, në vitin 2025, për bashkimin ose mosbashkimin e Shqipërisë me Kosovën, është një akt sa qesharak dhe naiv. Askund në horizontin e afërt të punëve që kanë mbi vete dy shtetet shqiptare në Ballkan, nuk parashihet perspektiva e afërt e bashkimit. Shqipëria është e ngërthyer në kthetrat e një tranzicionit të gjatë postkomunist, nga i cili nuk po arrin të dalë. Megjithë historinë e saj njëqind e më shumë vjeçare si shtet i pavarur, Shqipëria nuk është integruar akoma me pjesën tjetër të kontinentit evropian. Kjo e vendos Tiranën në një pozitë krejt të pavaforshme në raport me tema delikate si kjo e bashkimit me Kosovën. Partitë, shoqatat, mediat e opinioni publik mund të flirtojnë sa të duan me këtë ide që prek kufinjtë e një romantizmi që daton që nga Rilindja Kombëtare, por ky nuk ka qenë dhe nuk është një projekt i hedhur në letër për t’u zbatuar në të ardhmen e parashikueshme.

Aq më pak bashkimi kombëtar është një çeshtje konkrete dhe e parashikueshme në Kosovë. Aty ku po përpiqen të dalin nga qerthulli i njohjeve dhe instalimit në institucionet ndërkombëtare. Dialogu me Serbinë vijon të mbetet pezull, e kjo veç të tjerash e bën praktikisht të pamundur një akt të madh vetëvendosjeje siç është bashkimi me një shtet tjetër. Do ta pengonin qysh në hapin e parë jo vetëm Rusia, Kina e Serbia, por edhe ata që i njohim si partnerë e miq.

Të sherrosesh sot për mosbashkimin kombëtar është si ajo puna e dy të rinjve që ndalen në një stendë dyqani që shet makina dhe nisin e grinden për ngjyrën e Ferrarit të ekspozuar në vitrinë. Njëri e do të kuqe, tjetri të bardhë, ndërkohë që në xhepa s’kanë lek as për të blerë një biçikletë. Edhe ne sot grindemi për diçka që s’e dimë as se kur do të ndodhë, as sesi do të vijë e çfarë forme do të ketë. Dhe në këto rrethana gjëja më e mençur është të mbash gojën e të presësh. Bashkimi kombëtar, virtualisht “Ferrari” i të gjithë shqiptarëve, do të vazhdojë të qëndrojë në vitrinë edhe për shumë kohë. E kotë të sherrosemi për të, dëmtojmë vetëm veten!

Maisja e opinionit publik me deklarata e thirrje për “mosbashkim” që ushqejnë zjarrin e ndyrë të mërive mes dy pjesëve të të njëjtit komb për motive banale dhe vulgare, është një gjest i përbuzshëm dhe në thelb antikombëtar. Rrjeti social po kryen në këtë drejtim një mision tejet negativ e që nuk sjell asgjë të mirë. Parimi “ti më gjuajte me grusht, ndaj vendi im nuk duhet të bashkohet me tëndin” është një gjë pafundësisht e ulët, por që në trurin e mpirë të rrjeteve sociale kthehet shpesh në karburant për të ushqyer një armiqësi që s’ka kurrfarë logjike dhe dobie për shqiptarët. Në Shqipëri dhe në Kosovë.

The post Shqipëri-Kosovë, sherr për Ferrarin kur s’ke lek as për biçikletën first appeared on JavaNews.al.

  •  

E gjitha kjo është pak si shumë qesharake (dhe e padrejtë)!

Nga Skënder Minxhozi/

 

“Keni gjysmën e qeverisë në burg”, “Partia juaj doli kokë e këmbë hajdute dhe kriminele, me ju merret Spaku nga mëngjesi në darkë”, “keni krijuar grup parlamentar në burg”!

Të gjitha këto akuza dëgjohen aktualisht nga podiumet partiake të fushatës, studiot televizive apo selitë e partive opozitare. Janë një refren i zakonshëm që e shoqëron mazhorancën socialiste nga mëngjesi në darkë, në të gjitha format e rrethanat, në kohë me diell apo me shi. Është një kompleks faji i imponuar të cilin shumica socialiste e meriton pjesërisht pas 12 viteve në qeverisje, por që shkon në absurd kur atakohet nga një palë që është edhe më në hall se ajo vetë.

Rama po e merr të plotë koston e hetimeve që po bën ndaj qeverisjes së tij drejtësia e re. Dhe kjo është mëse e drejtë. Ndërkohë në anën tjetër kjo pozitë e pakëndshme e kryeministrit po shfrytëzohet në një mënyrë që duket sa e sforcuar, aq edhe groteske e pse jo qesharake.

Jemi në fushatë dhe gjithçka lejohet. Ose më saktë pothuajse gjithçka lejohet! Sepse kur në mesin garës ti i thua tjetrit i korruptuar e kriminel, ndërsa ke mbi vete hetime e procedime penale konkrete nga i njëjti institucion (Spak e GJKKO), atëhere fuqia e goditjes mpaket dhe fjala e humbet forcën goditëse.

Aktualisht tre krerët më të lartë të opozitës shqiptare Berisha-Meta-Mediu janë ose në burg, ose të pandehur e të hetuar nga SPAK e GJKKO. Kanë mbi vete akuza të rënda që në letër vlejnë shumë vite burgu. Janë të pandehur ndërsa kanë qenë 12 vjet në opozitë, larg firmave e vulave të pushtetit. Janë në këtë pozitë sepse qeverisja e tyre e dikurshme kishte jo veç korrupsion, por edhe derdhje gjaku njerëzish të pafajshëm. Të gjitha të pahetuara dhe të padënuara ende në themel nga drejtësia e re.

E duam Spakun nga ora nëntë deri në orën dymbëdhjetë, pastaj s’e duam më! E duam ditën, por e shajmë natën!E duam kur burgos socialistët por jo kur na ve prangat në duar ne! Kjo është logjika e opozitës që ja numëron hetimet e burgosjet socialistëve një nga një, por kur vjen puna tek zullumet e veta ngre zërin e bërtet se po i bien në qafë në mënyrë tendencioze. I njëjti institucion është edhe i mirë edhe i keq njëherësh! Dhe këtu nis problemi. Ose kështu ose ashtu, në dy karrige nuk mund të ulesh dot. Kalvari i hetimeve mbi klasën politike pranohet si i tërë, jo vende-vende e kur na leverdis.

Është qesharake të dëgjosh prej muajsh sesi Berisha numëron me një durim e kënaqësi maniakale episodet e akuzat korruptive ndaj Ramës e të tijëve, teksa fshin nga tavolina e bën shurdhmemecin për malin me akuza që ka mbi shpinë prej kohësh që s’mbahen mend. Akuzon dikë që nuk ndodhet nën hetim, kurse vetë paraqitet rregullisht në Spak si i pandehur. E gjitha kjo, pa hapur ende në themel petët e lakrorit për 21 janarin e shpërthimin e Gërdecit, apo 220 milion eurot e Rrugës së Kombit!

Opozita po e merr të mirëqenë se 12 vite qëndrimi larg pushtetit e kanë pastruar “me votë”, siç pretendojnë, kur ju kujton të shkuarën. Epo ja që ka faje e gabime që pastrohen me dalje në opozitë, ashtu siç ka faje të tjera që pastrohen vetëm në gjykatë. Askund tjetër. Gjaku i të vrarëve nuk lahet me votë, por me hetim e gjykim nga organet e drejtësisë. Lulzim Basha mund të bëjë shaka sa të dojë në rrjetet sociale me Ramën me batutën “7 herë 7 baraz 313”, sepse e nënkupton veten të imunizuar nga fakti që ka qenë ministër i linjës edhe kur është ndërtuar Rruga e Kombit, edhe kur janë vrarë Aleks Nika me shokë në 21 janar 2011. Kjo amnezi e shpifur e kjo sjellje qesharake vjen sepse vetë qëndrimi pasiv dhe pa gojë i drejtësisë së re jua ka lejuar këtë ngrefosje publike.

Një aspekt tjetër që buron nga një sjellje selektive që bëhet qesharake e joserioze në sytë e opinionit publik, është ajo që ka të bëjë me atë që po ndodh brënda kampit të drejtësisë së re në lidhje me trajtimit e standartet e dy proceseve hetimore ndaj dy figurave të larta politike të vendit: Sali Berishës dhe Erion Veliajt! Në fakt këtu më shumë se termi “qesharake” shkon fjala “e padrejtë”, pasi e tillë duket situata që rrethon sot disa prej hetimeve të drejtësisë së re.

Tek binomi Berisha-Veliaj paradoksi nuk qëndron në luftë fjalësh e deklaratash, apo në qëndrime politike për hir të interesave partiake. Paradoksi këtu është i ngulitur në trajtimin konkret procedural të të dyja rasteve nga sistemi i drejtësisë së re. Sali Berisha, i mbajtur dhjetë muaj në arrest shtëpie dhe Erion Veliaj i mbajtur në paraburgim pa akuzë por vetëm i hetuar. Dhe i izoluar në një mënyrë spartane dhe shumë më drastike se kryetari i opozitës.

Sali Berisha ka përjetuar vitin e shkuar një arrest shtëpiak nga ata që mund të konsiderohen si “taylor made”, pra i qepur sipas trupit të personit konkret. Ka mbajtur çdo natë një miting me përkrahësit që i vinin poshtë pallatit, ka dhënë intervista për media shqiptare e të huaja, ka pritur zyrtarë të partisë e të tjerë miq e shokë në shtëpi, ka drejtuar PD pa nxjerrë këmbë nga hapësira ku jeton dhe ka sharë e mallkuar çdo ditë Dumanin e gjithë të tjerët me çfarë i ka ardhur në gojë. Berisha ka shkelur me të dyja këmbët detyrimin për të mos komunikuar me të tretët ndërsa ishte i arrestuar.

Përballë kësaj mënyre tolerante trajtimi nga ana e Spak-GJKKO për ish-kryeministrin, qëndrojnë telefonatat “diversante” që Erion Veliaj ka bërë me avokatët e familjarët nga qelia ku mbahet i izoluar. Dhe që kanë prodhuar një agresivitet krejt irracional nga ana prokurorëve e gjyqtarëve që po e hetojnë dhe e mbajnë në paraburgim. Të nxjerra në media këto telefonata po zbardhen në çdo rresht a thua se janë mesazhe të kriptuara alienësh apo formula shkrimesh të shenjta. Po i mëshohet faktit se kryetari i bashkisë ka konsumuar një gjë të mynxyrshme: është përpjekur të vetëmbrohet me aq sa ja lejon perimetri i qelisë ku e kanë mbyllur. Dhe po e bën këtë duke përdorur telefonin!

Teksa Berisha e quante çdo ditë Spak grup të strukturuar kriminal nga arresti shtëpiak dhe i numëronte tre a katër emrat gjyqtares së GJKKO që kishte çeshtjen e tij, teksa botonte në rrjetin e tij social edhe familjarët e prokurorëve, me Veliajn ndryshon krejt puna. Ai privohet të takohet edhe me anëtarët e Kuvendit dhe çdo komunikim i konsiderohet si shkelje e gradës më të rëndë. E gjitha kjo sepse akuzohet se ka komunikuar me të tretët jashtë burgut dhe është përpjekur të ndërtojë një mbrojtje për veten e tij. Teksa Berisha e bërtiste pafajësinë e vet çdo natë me megafon nga kati i tetë, Veliaj është fajtor sepse e ka pëshpëritur atë me telefon nga qelia.

Ndërkohë kreu i opozitës lejohet që pas izolimit në shtëpi që të zbresë në fushatë, kurse Erion Veliaj merret nga fushata e dërgohet në burg, ku vijon të rrijë prej 10 shkurtit pa akuzë. Është i paraburgosur por jo i pandehur.

Këto situata kanë të bëjnë që të dyja me drejtësinë e re. E para e sheh të implikuar Spak dhe GJKKO pa dëshirën e tyre në një luftë politike ku i përbalturi akuzon atë që përballë se i është bërë pis xhaketa me baltë! Situata e dytë, gjithaq paradoksale e përfshin drejtësinë e re në vetë të parë, sepse ka të bëjë me nje sjellje e cila duket se fut ujë nga të gjitha anët. Njërit kalorës i lejohet të zbresë në garë “sepse ka edhe fushatën elektorale”, kurse tjetrin e plasin në burg duke i privuar lirinë në mënyra që të kujtojnë një tjetër kohë dhe sistem. Standartet e dyfishta të dy situatave e bëjnë iluzive dhe të padrejtë atë që percepton i hutuar publiku në shtëpi. Por mbi të gjitha bëjnë iluzive dhe të padrejtë kohën që jetojmë.

The post E gjitha kjo është pak si shumë qesharake (dhe e padrejtë)! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë “sherifi”

Nga Skënder Minxhozi/

Kjo fushatë elektorale ka prodhuar një zgjatim toksik të qëndrimeve që pasuan zgjedhjet e fundit amerikane nëntorin e shkuar. Opozita kryesore e udhëhequr nga Berisha i ka përtypur keq dhe me kundërshti deklaratat pozitive të Brukselit në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një ditë më parë kreu i opozitës deklaroi se Bashkimi Evropian aprovoi me heshtje krijimin e narkodiktaturës në Shqipëri. Është hera e parë që Berisha shprehet açik dhe kaq ashpër ndaj BE dhe kjo vjen vetëm pak orë pasi komisionerja e zgjerimit Marta Kos u shpreh se negociatat e BE me Tiranën do të mbyllen brenda vitit 2027. Një afat i pashpresuar për ne dhe një surprizë e mirëfilltë në planet e Unionit për zgjerim.

Në anën tjetër kryeministri Edi Rama e ka bërë pasaportën evropiane objektin bazë të fushatës së tij elektorale. Rama duket se e ka përzgjedhur integrimin si kalin e betejës për zgjedhjet e 11 majit, në një mjedis i cili prej dekadash ka konsumuar shumë retorikë evropiane, por që realisht ka qenë i bllokuar në një proces milimetrik avancimi drejt Brukselit.

Shqipëria ndodhet aktualisht në një korsi më të avancuar se vendet e Ballkanit Perëndimor, çka konsiderohej thjesht utopike vetëm një apo dy vite më parë! Ndryshimi i situatës gjeopolitike në Evropë dhe disa zhvillime pozitive në Shqipëri, si fillimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë apo edhe hapja e vendit dhe roli i tij stabilizues në Ballkan, kanë bërë që vendet anëtare të premtojnë qilimin e kuq drejt derës së anëtarësimit për shqiptarët në një të ardhme jo të largët. E cila sipas Ramës tashmë ka edhe një datë: brenda vitit 2030!

Kësisoj vendi ynë mund ta gjejë veten në pozitën surreale të anëtarësimit në Union për arsye kryesisht gjeopolitike që lidhen me luftën në Ukrainë dhe të stabilitetit rajonal ku Tirana ka qenë një aktor kyç.

Hymë në NATO në vitin 2009 pa ushtri, mund të hyjmë në Bashkimin Evropian edhe pa pasur një ekonomi dhe shtet ligjor të krahasueshëm me 27 vendet anëtare. Kjo është alkimia e çuditshme me të cilën po përballemi këto kohë në raport me evropianët dhe të cilën Edi Rama duket se kërkon ta kapë në ajër për të shkuar drejt një fitoreje të katërt rresht në zgjedhjet parlamentare.

Opozita, nga ana e saj e përjeton këtë proces në mes të fushatës, ashtu siç e ka përjetuar çdo opozitë shqiptare në kushte identike: si një kërcënim për shanset e saj të fitores në zgjedhje. Berisha e ndjen veten të tërhequr pa dashje në një subjekt i cili po imponohet me insistim nga Rama, duke anashkaluar debatin për korrupsionin dhe keqqeverisjen. Dhe në kushtet kur në media mungon tradicionalisht përballja dhe debati i drejtpërdrejtë i palëve, kjo lojë ping-pongu në distancë përcaktohet nga fuqia e secilës palë për të udhëhequr axhendën elektorale në shtyp dhe rrjetet sociale.

Rama ka kapur saktë në këtë fushatë atë që është lajmi më i rëndësishëm për shqiptarët. Dhe që konsiston në kthimin e procesit të integrimit evropian për dekada të tëra nga retorikë e propogandë gjysëm boshe, në një avancim konkret dhe të prekshëm që ofron më në fund një perspektivë të identifikueshme kohore hyrjeje në Bashkimin Evropian. Cilido politikan e shtetar që do të hynte në këto kushte në një fushatë elektorale, do të vepronte njëlloj si kryeministri shqiptar, aq më tepër që kjo përbën karrotën në një situatë ku shkopi përfaqësohet nga hetimet e shumta për drejtuesit politikë pranë tij.

Përtej fushatës zgjedhore, tema e integrimit po nis të tregojë një anë tjetër të saj: atë të detyrimeve dhe standarteve. Nëse 14 vjet më parë kur u liberalizuan vizat, ne e konceptonim Evropën më shumë si një hapësirë ku mund të shkoje pa mbajtur radhë të rruga e ambasadave, sot po ndeshemi gradualisht me detyrimet që rrjedhin nga afrimi me tregun dhe institucionet evropiane. Fermerët duhet të ofrojnë fruta e perime më cilësore, fasonët dhe prodhuesit e tjerë të industrive ushqimore apo edhe shërbimeve duhet të ngrenë standartin e punës dhe të produkteve finale. Shteti duhet të rishohë ligjet dhe aktet e tjera mbi të cilat funksionon, infrastrukturat, biznesin e vogël dhe të madh, arsimin dhe fushat e tjera të aktivitetit njerëzor të cilat tashmë po fillojnë të përballen me Europën e tabelave dhe rregulloreve.

Nëse e konsiderojmë në këtë prizëm, debati elektoral në lidhje me një pasaportë për momentin të ndërtuar grafikisht në kompjuter, duhet të fillojë të zgjerohet dhe të okupojë të gjithë hapësirën politike në vend. Integrimi po afrohet gradualisht si sfida më e vështirë e shtetndërtimit në historinë tonë të vjetër dhe të re, kurse politikanët e Tiranës shohin vetëm deri në 11 maj dhe sherrosen për një karton me yjet e Evropës mbi të.

Kompleksi i Berishës në lidhje me fushatën e Ramës me pasaportën evropiane nuk ka të bëjë vetëm me garën e majit. Ai ka të bëjë me faktin se ish-kryeministri vijon ta shohë veten jashtë çdo formati bashkëpunimi dhe komunikimi me perëndimorët. Amerika s’po i heq statusin non grata, Britania e Madhe gjithashtu, kurse evropianët mbajnë një komunikim të ngushtë dhe partneritet të plotë me Edi Ramën. Ky është halli real i Berishës në lidhje me BE, të cilin nuk e mbush dot as Doris Spak as disa ambasadorë periferikë në Tiranë të cilët e ftojnë dhe e begenisin. Madje-madje këtë hall nuk e kompensojnë dot as sherifët e Uashingtonit që nuk po duken apo rrufetë mbi Ramën nga Donald Trump që nuk po shfaqen askund në horizont.

Zgjedhjet do të vijnë e do të ikin. Ai që do mbetet është procesi i afrimit me BE, më seriozi e afatgjati për ne si shtet, megjithë efektet thellësisht transformuese që pritet të sjellë. Loja e vogël e zgjedhjeve do duket edhe një herë meskine dhe kalimtare, sepse qysh në krye të herës, në vitin e largët 1991 destinacioni ka qenë Evropa, jo kuajt e kësaj apo asaj gare elektorale. Në këtë pikë Berisha e ka të humbur sherrin me evropianët, ashtu siç e pati dhe e ka ende të humbur me amerikanët dhe britanikët.

The post Të gjuash me gur Evropën që të dëgjojë “sherifi” first appeared on JavaNews.al.

  •  

Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste ndjen dhimbje personale për Erion Veliajn, por theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Gjatë një takimi me kandidatët e qarkut të Durrësit për zgjedhjet e 11 majit, ai vuri në dukje se ishte PS ajo që hapi rrugën për reformën në drejtësi.

Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak. Këtu u vranë 4 veta mes bulevardit dhe s’u pyet njeri. U refuzua zbatimi i urdhrave të prokurorit. E kupton ku kemi qenë.”

Rama akuzoi opozitën se synon të dëmtojë SPAK-un, duke përmendur qëndrimet e saj për drejtësinë. “E kemi bërë ne. Si qenka kjo. E kemi bërë ne dhe nuk e bën dot askush tjetër. Ata e thonë copë, më 12 maj do shkrijmë SPAK”, tha ai.

Kryeministri gjithashtu ritheksoi se integrimi në BE është i domosdoshëm për të garantuar barazinë para ligjit. “Ne jemi për reformën në drejtësi, pavarësisht problematikave dhe lajthitjeve të herëpashershme, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë këtë shpatën që në histori e ka pas drejtësia, por në Shqipëri që nga 1912 e ka pasur qeveria”, u shpreh ai.

 

j.l./ dita

The post Rama: Për Veliajn kemi dhimbje personale, drejtësia duhet të bëjë punën e saj first appeared on JavaNews.al.

  •  

Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”!

Riarmatimi evropian shërben për të vazhduar luftën në Ukrainë, për të menaxhuar përçarjen me Shtetet e Bashkuara dhe për të konsoliduar industrinë evropiane të mbrojtjes.

Strategjia e Ursula von der Leyen është një lojë në rritje të vazhdueshme, e cila bëhet më e qartë në çdo hap që hidhet.

Dje ishte radha e Librit të Bardhë mbi Mbrojtjen, White Paper for European Defence Readiness 2030, ku Readiness do të thotë “gatishmëri”.

Pra, gati për vitin 2030, në një plan që synon t’i japë një shtysë të madhe industrisë evropiane të mbrojtjes, deri në pikën e integrimit të saj me atë ukrainase – e cila sot është kthyer në pikën kyçe të tregut të armëve.

Dokumenti u prezantua nga Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, polaku Andrius Kubilius, dhe nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas – përfaqësuesit më radikalë të strategjisë ushtarake kundër Rusisë.

Kubilius u përpoq gjithashtu t’i bënte një ofertë Italisë dhe qeverisë së saj, e cila është e lëkundur për planin e riarmatimit, duke lavdëruar gjigantin e industrisë së mbrojtjes, Leonardo, si një aktor vendimtar në mbrojtje dhe duke u kujtuar skeptikëve se ky riarmatim “do të krijojë vende pune”.

Libri i Bardhë përshkruan një projekt për forcimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, duke argumentuar se ky sektor ka qenë i “nënfinancuar” me kalimin e kohës dhe duke rikthyer gjithashtu “mitin” se shpenzimet ushtarake të Rusisë janë më të larta se ato të 27 vendeve të BE-së në kushte të barabarta të fuqisë blerëse.

Në fund të fundit, për të mbështetur idenë se “kemi nevojë për një bazë industriale të mbrojtjes më të fortë dhe më të qëndrueshme”, është e nevojshme të thuhet se sektori aktualisht është i dobët.

Plani i riarmatimit, tashmë i diskutuar në Komision dhe i miratuar nga Këshilli i BE-së, përbën shtyllën kryesore të Librit të Bardhë, me 800 miliardë euro burime financiare.

Këto fonde vijnë kryesisht nga zbutja e Paktit të Stabilitetit, gjë e cila do të lejojë një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes me të paktën 1.5% të PBB-së duke filluar nga fundi i prillit. Brenda kësaj pakete financiare përfshihet edhe instrumenti i ri financiar për mbështetjen e investimeve në mbrojtjen e shteteve anëtare, i quajtur Security and Action for Europe (SAFE), me një potencial prej 150 miliardë eurosh në formën e huave të garantuara nga buxheti evropian.

“Shtetet anëtare – thuhet në dokument – ftohen të rrisin me shpejtësi blerjet e përbashkëta në sektorin e mbrojtjes, në përputhje me objektivin e të paktën 40% të propozuar nga Strategjia Evropiane për Industrinë e Mbrojtjes (EDIS), gjithashtu nën mbikëqyrjen e instrumentit SAFE.”

Këto hua do të përdoren për “mbështetjen e industrisë evropiane të mbrojtjes” përmes “prokurimeve të përbashkëta”, të cilat duhet të përfshijnë të paktën dy vende – ku njëri prej tyre duhet të jetë një shtet anëtar i BE-së.

Shteti tjetër mund të jetë:

• Një tjetër shtet anëtar i BE-së,

• Një vend anëtar i EFTA-s (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë),

• Një vend anëtar i EEA-s (Zonës Ekonomike Evropiane),

• Ukraina.

(EFTA dhe EEA janë aleanca ekonomike më të gjera se BE-ja, që përfshijnë vende jashtë Unionit si Norvegjia, Islanda dhe Zvicra.)

Pra, asnjë përfshirje e Shteteve të Bashkuara. Përkundrazi, prokurimet e përbashkëta, veçanërisht për blerjen e “municioneve ose për lëvizshmërinë ushtarake”, duhet të përputhen me kërkesat e programit EDIRPA (Instrumenti Evropian për Prokurimin e Mbrojtjes).

Ky program “synon të inkurajojë shtetet anëtare të blejnë së bashku produkte mbrojtëse” dhe “të forcojë bazën teknologjike dhe industriale të mbrojtjes evropiane (EDTIP)”.

Partnerët shtesë që mund të integrohen në një plan prokurimi të përbashkët duhet:

• Të kenë një marrëveshje me BE-në, ose

• Të jenë vende kandidate për anëtarësim në BE, si Turqia.

Financimi dhe burimet

Pjesa tjetër e planit mbështetet në disa masa kryesore:

• Rritjen e investimeve në mbrojtje përmes buxhetit të BE-së.

• Rritjen e kapaciteteve të Bankës Evropiane të Investimeve për të mbështetur sektorin e mbrojtjes.

• Përfshirjen e kapitalit privat, veçanërisht përmes zhvillimit të Bashkimit të Kursimeve dhe Investimeve.

Kjo do të arrihet duke ndryshuar rregulloren SFDR (Sustainable Finance Disclosure Regulation), e cila përcakton rregullat mbi financat e qëndrueshme. Këto rregulla do të zbuten për të lejuar financimin e projekteve të mbrojtjes.

Plani i blerjeve të përbashkëta bazohet në shtatë fusha kryesore të investimeve në mbrojtje:

1. Mbrojtja ajrore dhe raketore

2. Sistemet e artilerisë

3. Municionet dhe raketat

4. Dronët dhe sistemet kundër dronëve

5. Lëvizshmëria ushtarake

6. Inteligjenca artificiale, lufta elektronike dhe kibernetike

7. Mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe e faktorëve strategjikë. (Bota.al)

The post Europa po armatoset me shpejtësi/ “Por s’do blejmë armë nga Donald Trump”! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Madhështorë dhe…në SPAK!

Nga Skënder Minxhozi/

E keni gjysmën e qeverisë në burg, u mbushën qelitë me zyrtarë të PS, jua mori Altin Dumani në pranga partinë. Këto batuta hokatare dhe të tjera të ngjashme me to i dëgjon rëndom në studiot televizive, podiumin e parlamentit dhe kudo tjetër ku opozita sulmon çdo ditë qeverinë. Ka të drejtë në ato që thotë sepse lista e zyrtarëve socialistë është bërë vërtetë e gjatë dhe emrat kanë nisur të jenë të rëndë.

Megjithatë, kur ndodhesh në klimë zgjedhjesh, një kohë kur gjithçka krahasohet, matet e peshohet në raport me atë që ke përballë, kjo fanfarë e gëzuar akrobatësh duket se nuk i mendon shumë fjalët para se t’i nxjerrë nga goja. Kur ju thua socialistëve, fjala vjen, që ju kanë futur në burg numrin dy të maxhorancës, duhet të ndalesh një çast e ta mendosh atë që po thua. Sepse replika që mund të të vijë nga karrigia përballë mund të të vendosë në vështirësi. “…Kurse ju keni në SPAK si të pandehur ose prapa hekurave të tre krerët e partive kryesore të opozitës së sotme, Berishën, Metën dhe Mediun”!

Arrestimi i Veliajt, përveçse ka bërë që Rama të hapë gojën kundër SPAK, e ka futur në një pozitë delikate edhe raportin e opozitës me drejtësinë e re. Në harkun e pak orëve, Sali Berisha kaloi nga kërcënimet e hapura për ta shkrirë SPAK pas 11 majit, në një qëndrim më të butë për korigjimin e asaj që nuk shkonte me Strukturën e Posaçme dhe deri në deklaratat e fundit këtë të hënë, kur tha se Rama i ka çuar fjalë për ta shpërndarë SPAK pas zgjedhjeve, porse ai nuk pranon!

Ky balet fjalësh pasqyron një vështirësi konkrete intepretimi dhe qasjeje që Berisha dhe të tjerët rrotull tij kanë me hetimet e fundit dhe sidomos me arrestimin e kreut të bashkisë Tiranë. Dëshira për t’u gëzuar dhe rrahur shuplakat nga kënaqësia, por edhe përdorimi elektoral i arrestimit në fjalë, përplasen brenda opozitës së sotme me hallin konkret që ka në lidhje me SPAK i gjithë lidershipi opozitar. Nuk dinë ç’të bëjnë me prangat në duart e zyrtarëve të maxhorancës, të gëzohen e të thonë ndonjë fjalë të mirë për prokurorët, apo të vazhdojnë t’i mallkojnë ata në emër të halleve të Doktorit, Ilirit dhe Fatmirit?!

Zgjatja e radhës së të hetuarve VIP në dyert e drejtësisë po e bën të paefektshme lojën dhe përdorimin politik lara-lara të SPAK dhe viktimave të tij. Nuk mund të jesh dakord me Dumanin “deri në ora tre” e të jesh kundër tij pas kësaj ore! Njëherësh nuk mund të fërkosh barkun dhe të tallesh me prangat e kundërshtarit, pa shikuar më parë duart e tua ku shndrijnë byzylykët e burgut. Madhështorë dhe në SPAK, e thënë ndryshe!

E të mendosh se jemi ende në suazën e hetimit dhe gjykimit të dosjeve që lidhen me akuzat për vjedhje. Nuk kemi ardhur akoma tek dosjet e vrasjeve politike, ato të hershmet ende të pazgjidhura, ku shteti zhduku provat dhe pengoi hetimet. Aty paneli i madhështorëve tkurret edhe më shumë sepse edhe akuzat janë më të rënda dhe më të kobshme. Megjithatë ngushëllimi për opozitën është që SPAK vijon të mendohet edhe gjashtë vjet pasi ka nisur nga puna, për të bërë drejtësi për vrasjet në fjalë. Gjumë të mbarë!

  •  

Ndahet nga jeta Andis Harasani, ish-deputet dhe zyrtar i lartë i PS

Andis Harasani, ish-drejtori i KESH dhe deputet i Partisë Socialiste për 2 legjislatura është ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundje të rëndë, prej së cilës kishte 2 vjet që vuante.

Lajmin e ka shpërndarë në rrjete sociale një mik i tij Agim Muco, i cili shkruan: “Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti.”

Andis Harasani, u largua nga politika në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe jetoi në SHBA, ku u zhvendos me familjen e tij. Megjithatë, nuk ju larguar jetës publike, duke qenë prezent në rrjete sociale si një kritik i ashpër i Ramës dhe PS-së.

  •  

Gazetari: SPAK përgjoi 15 ditë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ja arsyeja!

Më 30 Dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese legjitimoi hetimet bazuar në “Sky ECC”, duke rrëzuar kështu kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka. Edhe pse u mor ky vendim, Prokuroria e Posaçme ka përgjuar për 15 ditë anëtarët e kësaj gjykate. Kështu deklaroi sonte në “Opinion” gazetari Flamur Vezaj.

Sipas tij, me autorizim të prokurorit Klodian Braho, oficerët e policisë pranë SPAK kanë hetuar anëtarët e GJK. Por pse?

“Prokurori Klodian Braho i SPAK, ka vendosur që më datë 10 Shkurt, ka regjistruar procedimin penal me iniciativën e tij. Avokatë të Pëllumb Gjokës po tentojnë të ndërhyjnë në GJK. Në autorizimin që ka dhënë prokurori për nisjen e hetimeve, me miratimin e drejtuesit të SPAK, në shkresë thuhet që ka nisur hetimi kryesisht bazuar në sloganin e famshëm “mbi dyshime të arsyeshme”, por pa dhënë një argument specifik dhe pa ju referuar një rasti konkret. Me nisjen e hetimit më 10 Shkurt të këtij viti, ka autorizuar oficerët e policisë pranë SPAK-ut për të kryer një përgjim 15-ditor, nga data 10 Shkurt deri më 15.Thuhet që ka dyshime e informacione se këto persona po tentojnë të influencojnë për të favorizuar në vendimmarrje”, shpjegoi Vezaj.

Gazetari tha se “është e palogjikshme që një hetim të nisë për këtë arsye”, pasi ka raste që vendimet e një gjykate shkojnë deri në 90 ditë pa u zbardhur.

“Hetimi ka nisur pasi Gjykata Kushtetuese është shprehur. Me datë 30 Dhjetor është rrëzuar kërkesa e Gjokës, hetimi ka nisur më 10 Shkurt. Në arsyetim, Prokuroria thotë se duke qenë se brenda 30 ditëve nuk është zbardhur vendimi i GJK, ne dyshojmë që mund të ndërhyhet për të favorizuar të dyshuarit. Kjo është non sense. Prandaj autorizohet përgjimi ambiental, publik. Kryerja e përgjimit të subjektit të procedimit penal, shtetasi Gent Ibrahimi dhe subjekte të tjera të shoqëruar me vëzhgim, filmim dhe fotografim.”/KLAN/

  •  

Demalia: Rama ngriti 10 mijë flamuj në mes të Athinës, Berisha uli brekët!

Analisti Ilir Demalia i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTv foli për takimin e Sali Berishës me shqiptarët e Athinës, ndërsa krahason me takimin e kryeministrin Rama, në 2024-ën.

Demalia thotë se asnjë lider nuk e ka bërë atë që u bëri Rama, grekëve, që ngriti 10 mijë flamuj shqiptarë në mes të Athinës.

“Atë që i bëri Rama grekëve, nuk e ka bërë asnjë lider në historinë e Shqipërisë. I shkoi në mes të Athinës, ia plasi bombën midis Athinës.

Ngriti 10 mijë flamurë shqiptarë aty në atë pallat sporti. Berisha le të thotë ca të dojë. Ai nuk kishte asnjë flamur shqiptar në Greqi.

I hoqi dhe brekët, i uli në fund të këmbëve. Por turpi është i medias që merret me një njeri si Berisha”, thotë Demalia.

  •  

“Pati ndonjë deklaratë nga ambasada amerikane pasi unë fola për SPAK?”, Rama: Kriticizmi im do të vazhdojë!

Kryeministri Edi Rama, në komunikimin live me ndjekësit në Facebook, u shpreh se opozita e përdor luftën kundër korrupsionit si një “mjet” politik, pavarësisht se vetë është subjekt i drejtpërdrejtë i drejtësisë.

“Jemi përpara një fakti të thjeshtë, dua ata që insistojnë që këtu jemi të gjithë njësoj, janë të gjithe për burg. SPAK është një instittucion i krijuar nga vullneti politik i PS, SPAK e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika, Amerika nuk është më, i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK, shkonin, hynin e dilnin në mëngjes, nuk janë më, i ka tërhequr Amerika.

Keni dëgjuar ndonjë ambasadës amerikane për SPAK, për drejtësinë? Pati një deklaratë nga BE, unë ato që thashë i them prapë, bëhet fjalë për institucionet e reaj që kanë 5 vjet dhe kanë nevojë edhe për kriticizëm konstruktiv. Këneta është e përbetuar nëpëmjet gojës së bufit vet, që do e shkrijë SPAK.

Nëse do të isha dhe unë i interesuar, i trembur, i shqetësuar, kjo do ishte më e thjeshtë, një fishkëllime dhe a e di si vinte bufi? E sillte tmerri që ka nga SPAK. SPAK është aty dhe do të jetë aty me mbështetjen e kësaj fuqie, të PS. Populli shqiptar kërkon që SPAK të jetë aty, të fuqizojë veten. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Por duhet edhe profesionalizmi dhe integriteti.

  •  

Komisioni Xhafaj: Kemi përmbyllur draftin e analizës për tetë institucionet e sistemit të drejtësisë

Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Komisionit Anti-korrupsion, kryetari Fatmir Xhafaj ka deklaruar se tashmë ka një draft që është bërë për sistemin e drejtësisë, i cili pritet të hidhet për diskutim.

Sipas gazetares Greta Bullari, ekspertët kanë propozuar edhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar që do të monitorojë punën e institucioneve të drejtësisë.

“Kemi përfunduar në komponentin e tretë për analizën për sistemin e drejtësisë, për atë që kemi konsideruar konsolidimin e reformës në drejtësi. Kemi qarkulluar brenda nesh draftin e parë për të parë sugjerimet dhe më pas për të kaluar te diskutimi publik të këtij drafti së bashku me 8 anekset që janë tetë profilet institucionale për secilin nga institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë”, ka thënë Fatmir Xhafaj.

Ekspertët e pranishëm kanë propozuar ngritjen e një komisioni parlamentar për të monitoruar ecurinë e 8 insstitucioneve  të drejtësisë. Mbetet të shihet sesa kjo lëvizje lidhet me raportet aktuale të klasës politike me SPAK.

/abcnews.al

  •  

Kur Rama e Berisha lenë takim tek kangjellat e SPAK!

Nga Skënder Minxhozi/

 

I ranë nga rrugë të ndryshme por e panë veten të dy në të njëjtën pikë: te kangjellat e Prokurorisë së Posaçme. Të martën Edi Rama dhe Sali Berisha u shanë e u copëtuan në distancë siç bëjnë çdo ditë të kalendarit politik. Veçse që të dy, duke përdorur fjalë e terma në dukje të kundërt e kontradiktorë mes tyre, thanë diçka në lidhje me SPAK që shumëkujt ju duk si një sinonim përfekt i të njëjtit koncept. I pari, kryeministri, u shpreh në esencë se tani SPAK ka mbetur vetëm pa amerikanët dhe se e vetmja garanci për egzistencën e tij është PS dhe ai vetë. Në anën tjetër Berisha qe më i drejtpërdrejtë. Doktori premton shkrirjen e SPAK sapo të vijë në pushtet.

Janë dy qajse në dukje të ndryshme, por që në thelb i bashkon një element i rëndësishëm i përbashkët: statuquoja ku SPAK përgjon, heton dhe fut në burg cilindo sipas qejfit dhe interesit, duhet të marrë fund. Është një reagim paralel që distancohet vetëm së jashtmi si pozicionim ndaj drejtësisë së re, por që i unifikon qëndrimet kur vjen puna tek urgjenca për ndërhyrje. Rama tha se tani garancia jam unë (kupto, nëse nuk dua, unë jua heq garancinë), Berisha tha se unë jam fundi juaj. Ngjajnë si dy pika uji në faktin që janë në thelb dy kërcënime. Njëri i fshehur nën një guackë çokollate, tjetri i ngopur në tretësirë acidi!

Ky qëndrim i ashpër dhe gjithnjë e më konvergjent, e ka një arsye madhore. Me kalimin e javëve e muajve po përvijohet gjithnjë e më qartë se drejtësia e re po nxjerr në pah disa defekte të cilat bien ndesh jo vetëm me të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, por po krijojnë një situatë surreale ku e gjithë ngrehina e drejtësisë dhe pse jo edhe e shtetit, ka frikë nga një prokurori e cila ka pushtete dukshëm më të forta sesa sinoret kushtetuese që lejon një demokraci liberale.

Në vakumin e lënë nga tërheqja amerikane, e cila shërbente si mburojë e palëvizshme për drejtësinë e re, duket se do të ketë zëra në rritje kundër standartit ligjor që ofrohet në punën e organeve të saj kryesore. Në rresht të parë, të Prokurorisë së Posaçme, e cila ka krijuar në dy vitet e fundit një profil agresiv hetimi dhe vënieje para drejtësisë të disa figurave qëndrore politike, duke shfaqur njëherësh edhe defektet e deformimet për mënyrën sesi po heton. Në këtë botë të re, ku në Shtëpinë e Bardhë është ulur një president tejet alergjik ndaj termave “prokuror” e “gjykatës”, nuk është aspak e rastit që Rama i kujton Dumanit se ka mbetur vetëm, kurse Berisha betohet se do ta shkrijë SPAK, pasi ka shtrënguar duart me Chris Lacivitën.

Arrestime si ai i Erion Veliajt, por më parë edhe arresti shtëpiak i Berishës apo arrestimi i shëmtuar i Ilir Metës, po preokupojnë, krahas kënaqësisë jo gjithmonë të pastër e korrekte të një shumice që kërkon ndëshkim të politikanëve me çdo kusht, edhe një grupim të heshtur për momentin qytetarësh, të cilët shohin me shqetësim se kjo drejtësi mbi rreshtat dhe jashtë çdo kontrolli, po kthehet gradualisht në abuzivizëm dhe arbitraritet.

Ky shqetësim momentalisht është i shtypur e i kompleksuar nga ilariteti i klakerëve që duartrokasin sa herë që cirku i drejtësisë bën ndonjë viktimë, pa u merakosur asfare se të drejtat e atyre që hetohen, gjykohen apo burgosen, janë një e mirë e vyer publike që përcakton në fakt sesa e përsosur, cilësore dhe e kujdesshme është demokracia në një vend normal.

Të fusësh në burg një politikan të profilit të Veliajt, i cili nuk është i pandehur por vetëm i hetuar, është diçka që kërcet edhe për më fanatikun e SPAK. Ky trajtim nuk i duhet rezervuar askujt që nuk ka vrarë apo nuk ka kryer një vepër penale në kushte flagrance. Hetoje, gjykoje e dënoje nëse ja del, por s’ke pse e linçon publikisht duke e bërë dosjen hetimore pretencë për gjyqet televizive dhe “drejtësinë” e pisët të rrjetit social. Erion Veliaj dhe e shoqja tashmë janë dënuar në kuptimin më konkret të fjalës. Janë bërë preja e një turme që kërkon të kalben në burg megjithëse as SPAK s’i ka marrë ende të pandehur e as gjykata s’i ka shpallur ende fajtorë. Ky linçim publik e ka zanafillën tek mënyra sesi SPAK ka trajtuar dosjen në fjalë.

Në këtë sens, takimi virtual i Ramës dhe Berishës tek kangjellat e SPAK shënon jo vetëm sinjalin se mburoja atlantike ka rënë, por edhe se koha ka ardhur që të ketë një reflektim serioz për punën, funksionimin dhe të drejtat e kompetencat e drejtësisë së re. Bazuar në çfarë ka ndodhur në vitet që kanë kaluar nga ajo verë e nxehtë e 2016 kur 140 deputetë inicuan një kompakt reforme, ku sot shohim sesi një prokuror merr nën përgjim gjykatësin që merr ndonjë vendim që atij s’i pëlqen, e plot deformime të tjera që dëmtojnë më së pari vetë drejtësinë e re dhe imazhin e saj tek shqiptarët.

 

 

 

 

  •  

Ish-ministri i brendshëm i 21 janarit: Rama ka frikë se Veliaj e merr me vete, ndaj po sulmon SPAK-un

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë pohoi se kryeministri Rama ka frikë se kryebashkiaku i Tiranës Veliaj mund ta marrë me vete.

Sipas Bashës, sulmi dhe shantazhet që kreu i qeverisë ka nisur ndaj prokurorisë tregon pikërisht frikën e tij lidhur me atë që mund të ndodhë.

“Do thoja që me Ahmetajn Rama ka një histori më të vjetër sesa me Veliajn. Sigurisht është shumë i lidhur dhe me të, por lidhja me Veliajn besoj që është e qartë dhe frika e Ramës është pikërisht ajo që Veliaj dje pak a shumë e dha një shenjë që nuk do heshtë më. Pavarësisht se e kamufloi “nuk do të hesht për prokurorin” por s’ka çfarë të heshtë për prokurorin, se prokurorin e ka kundërshtar në gjykatë.

Ai është mesazh që i drejtohet Ramës dhe Rama ka 24 orë dhe do vazhdojë nesër që është hedhur në një sulm të ndërkryer kundër SPAK-ut, duke provuar se e para e punës të gjithë broçkullat që ka shitur këto kohë në mbështetje të SPAK nuk kanë qenë gjë tjetër veçse propagandë. Dhe së dyti, për fat të keq, duke u bërë së bashku me dinozaurët e vjetër të tranzicionit, duke u demaskuar para qytetarëve shqiptarë si armiqtë e vërtetë të Reformës në Drejtësi.

Padiskutim që Rama ka frikë se Veliaj mund ta marrë me vete. Ajo që më shqetëson në rradhë të parë dhe mbi të gjitha është presioni i hapur që kryeministri i vendit i bën SPAK-ut. Tonet kërcënuese që kanë ardhur në rritje, tregojnë që zoti ka një shqetësim të jashtëzakonshëm. Nuk e ka fshehur edhe për bashkëpunëtorë të tjerë, është përpjekur më së koti të distancohet”, tha Basha për Report TV.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë tha se mbështet pa rezerva SPAK-un në luftën kundër korrupsioni ndërsa shtoi se prokurorët kanë treguar se nuk janë më në xhepin e asnjë politikani.

Basha nënvizoi se sulmi ndaj SPAK-ut nuk vjen vetëm nga Rama, po edhe nga Berisha e Meta.

“Pra, është fat për shqiptarët që për Shqipërinë dhe për shqiptarët, për herë të parë kemi një grup prokurorësh të cilët jo vetëm nuk janë në xhepin e një politikani, apo një grupi politik. Sepse kemi pasur prokuror në xhepat e një politikani që janë përdorur kundër një politikani tjetër.Është arritje e madhe që për herë të parë kemi një strukturë të posaçme ku një pjesë e madhe, jo e vogël e individëve që përbëjnë këtë strukturë po demonstrojnë me vepra që janë të pandalshëm në luftën kundër korrupsionit. Që janë të pandikueshëm për të marrë anën tjetër të pyetjes që shtruat.

Ndërsa ana e drejtëpërdrejtë e asaj pyetje, përgjigja e drejtpërdrejtë e asaj, padiskutim zoti Rama tregon tashmë në rritje një nervozizëm të jashtëzakonshëm. Dhe tregon se kur vjen fjala tek interesi i tij përdor të njëjtën gjuhë, madje edhe më të egër ndaj SPAK, sesa zoti Berisha të cilin e ka sulmuar pikërisht për të njëjtën gjë. Gjuha e zotit Rama nuk i lë asgjë mangut gjuhës së zotit Berisha në sulmin që i bën SPAK. Pse? Për interes të shqiptarëve? Sigurisht që jo, për interes të tij” – shtoi Basha.

  •  

Një çerek milion vota që kanë futur në ankth Tiranën politike

Nga Skënder Minxhozi/

 

Nëse futesh në faqen e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, një shifër bie në sy para shumë të tjerave. Nga 1.1 milion shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, deri më tani, kur na ndan edhe një muaj nga afati i mbylljes së aplikimeve (4 marsi), masa e atyre që kanë aplikuar e ka kaluar kuotën e 140 mijë personave. Shifrat vijnë në përditësim dhe ky numër mund të jetë tejkaluar tashmë.

Prej tyre, 57% e aplikantëve, ose 86 mijë shqiptarë jashtë vendit, kanë tashmë në xhep të drejtën për të votuar në distancë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas ekspertëve të zgjedhjeve në Tiranë, pritet që shifra e atyre që do të marrin dritën jeshile për të votuar nga jashtë vendit, do të shkojë afër numrit magjik 200 mijë, ose edhe mund ta kalojë këtë barrierë të pamenduar kur nisi procesi. Sipas specialistëve, kjo shifër e madhe pjesëmarrjeje ka qenë thjesht e paparashikuar kur nisi procesi i regjistrimit 22 ditë më parë, në 11 janar. Ata shprehen se pritshmëria ishte për jo më shumë se 50-60 mijë votues të aprovuar deri në 4 mars, kur është afati i fundit i regjistrimit.

Një skenar elektoral me mbi 200 vota të reja prurje nga jashtë vendit, është i komplikuar për t’u analizuar sipas qarqeve dhe sipas shpërndarjes së 140 mandateve parlamentare. Databaza e KQZ na tregon se 27 mijë vota të ardhura nga diaspora deri tani në Tiranë, përbëjnë një premisë të mjaftueshme që vota e shqiptarëve jashtë vendit të jetë përcaktuese për ndarjen finale të 37 mandateve në kryeqytet. Në qarqet më të vogla, disa mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit do të jenë edhe më përcaktuese sesa në “kazanin” e madh elektoral të Tiranës. Në vitin 2021 në Berat fjala vjen, mandati i pestë për PS u nda me 77 vota. Dhjetë mijë votues nga diaspora janë regjistruar deri tani në qytetin e një mbi një dritareve, çka e fut në një realitet të ri shifror garën, të paktën në një pjesë të saj. Kjo pritet të ndodhë kudo ku votimet do të jenë të ekuilibruara, siç rasti i vitit 2021 në Berat.

Nuk është e rastit se kjo peshë e papritur që ka marrë vota e diasporës, ka zgjuar të gjitha strukturat e partive kryesore. Të gjithë krerët kryesorë të pozitës dhe opozitës, pa harruar partitë e reja, kanë lënë makinat e kanë marrë avionët. Ka një “mësymje” të vërtetë të politikës shqiptare në qendrat e mëdha urbane të Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë, për të joshur një votues i cili përbën parimisht një objekt të padeshifrueshëm për politikën e Tiranës në 11 maj.

Në këtë përballje të parë me votuesit nga diaspora, secila palë politike vjen me rezerva dhe mosbesim. Së pari vështirë se e kishin pritur kaq të shumtë në numër. Së dyti, ky grup votuesish del nga hija e influencës e partive të mëdha në Tiranë, të cilat janë mësuar që zgjedhësit t’i kenë fizikisht në Shqipëri. Qasja në distancë është në vetvete problematike. Për këtë arsye ndoshta edhe vota e emigracionit është shtyrë për 30 e kusur vite!

Që 200 mijë votues të mos jenë të influencueshëm me medotat klasike të joshjes, presionit apo edhe blerjes në 11 maj, kjo përbën një hije të errët tejet të rrezikshme në planet elektorale të partive politike.

Ky votues që vjen për herë të parë në zgjedhjet shqiptare, ka krijuar jetën e tij të pavarur në botë, një egzistencë e ndërtuar mbi punën dhe aftësinë e tij, e jo të influencueshme nga partitokracia e Tiranës. Më tej akoma, ky votues sheh dhe thith një tjetër ajër nga ai i zgjedhjeve shqiptare, aty ku jeton e punon.

Votuesit që jetojnë në vendet perëndimore janë të mësuar me përballjet e forta elektorale, rotacionet, krizat qeveritare dhe zgjedhjet e parakohshme apo edhe  referendumet.

Në anën tjetër, duke e parë nga larg atdheun e tyre, këta votues kanë një perceptim të zhveshur nga emocionet, propoganda apo influencat e tjera, ndaj asaj që ndodh në Shqipëri, mënyrës sesi qeveriset, sesi bëhet politikë, sesi shkon ekonomia dhe jeta në përgjithësi. Kësisoj, përtej grupimit të votuesve që vijojnë të jenë të atashuar pas preferencave partiake që kanë lënë pas, të tjerët janë të ftohtë dhe logjikë në mënyrën sesi votojnë.

Këtu nis e panjohura dhe problemi i madh i partive në Tiranë. Rama ka frikë se mos kjo masë tashmë jo e vogël votuesish i kthehet kundër duke i prishur planet e mandateve nëpër qarqe, Berisha i tutet konsumit të tij të tejskajshëm dhe dëshirës eventuale të diasporës për një ndërrim kuajsh në krye të opozitës 33 vjeçare, partitë e vogla i shohin këta zgjedhës si terrenin e tyre të natyrshëm por i tremben faktit që për shumë prej votuesve në Evropë apo Amerikën e Veriut ata mbeten të panjohur dhe në hije.

Shkurt, politika në Tiranë do të donte të kishte më pak pjesëmarrje nga shqiptarët jashtë vendit, pasi ata janë një koeficient që mund të prishë të gjithë ekuacionin në 11 maj. Dyndjet e politikanëve e zyrtarëve partiakë që këto ditë kanë zbarkuar në qendrat e mëdha të emigracionit shqiptar, janë lakmuesi i shqetësimit që ka ngjallur në Tiranën politike fryrja graduale e listës së zgjedhësve nga diaspora.

Megjithatë këto janë llogaritë të vogla e meskine në krahasim me aktin e dhënies zë dhe figurë të mbi një milion votuesve që deri dje shihnin e dëgjonin (pasi kishin sjellë në atdhe remitancat e majme), sesi ndahej pushteti në vendin e tyre, pa pasur mundësi të influenconin sadopak në procesin politik. Në 11 maj kjo heshtje nis e thyhet. Shqiptarët më në fund po fillojnë të flasin jo përgjysëm, jo vetëm si një pjesë, por si një e të tërë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

  •  

Ushtarët francezë në Groenlandë dhe politika e re e jashtme amerikane

Nga Skënder Minxhozi/

 

Presidenti i Panamasë Jose Raul Mulino iu përgjigj i ngrysur në Davos pyetjeve që i vinin nga të gjitha anët në lidhje me Kanalin e Panamasë dhe fatin e tij të ardhshëm. “Tregohuni seriozë” që përgjigja e tij për kërcënimet në distancë që vendi i tij ka marrë nga presidenti i ri amerikan Donald Trump për rikthimin e Kanalit nën zotërimin e Shteteve të Bashkuara. Më pas, në një postim të gjatë në rrjetin social Mulino deklaronte se “Kanali është dhe do të mbetet pronë e Panamasë”, duke shtuar se “asnjë shtet i botës nuk po ndërhyn në menaxhimin e tij”. Nënkuptonte Kinën.

Një shtet tjetër fqinj i Panamasë ndodhet aktualisht i përfshirë në një vorbull nacionalizmi e frike, në lidhje me kërcënimet që po i vijnë nga i njëjti burim: Uashingtoni. Meksika ka parë manifestime masive në qytetet e saj ditët e fundit, pasi krerët e shtetit replikuan në distancë me Presidentin Trump, në lidhje me kërcënimet e fundit për vendosjen e tarifave tregëtare dhe shpalljen e karteleve të drogës si organizata terroriste nga Uashingtoni. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum konfirmoi orët e fundit se mbi 4000 persona të deportuar nga autoritetet amerikane, kanë kapërcyer kufirin që ndan Meksikën me SHBA.

Një kapitull tjetër që tregon sesa të trazuara janë në këto momente raportet mes qeverisë Trump dhe vendeve latino-amerikane, përfshiu edhe Kolumbinë, ku presidenti socialist Gustavo Pedro ktheu fillimisht avionët ushtarakë amerikanë që sillnin mbrapsht emigrantët në Kolumbi. Më pas fituan “gringot”, për të përdorur një term historik.

Fillimi i operacionit masiv të deportimeve të emigrantëve të paligjshëm nga SHBA ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në marrëdhëniet tradicionalisht nevralgjike të Amerikës me vendet latine.

Në këtë vorbull disamilionëshe personash që pritet të përzihen nga shtëpitë, fabrikat e fushat ku punojnë prej vitesh në të gjithë territorin amerikan, janë mbivendosur edhe kërcënimet për aneksime shtetesh apo ndryshime emrash si në rastin e Gjirit të Meksikës. Nga Kanadaja e deri poshtë në Amerikën Latine, politika e re e jashtme e Donald Trump po kërkon të nxjerrë përfitime përmes strategjisë së tensionit dhe presionit mbi vendet fqinje.

Megjithatë Donald Trump nuk e ka harruar as Evropën, në skakierën e tij të diplomacisë së kaosit dhe luftës verbale. Ai pati një telefonatë të tensionuar me kryeministren e njërit prej vendeve më paqësorë dhe më “në rregull me letrat”, siç është Danimarka. Motivi i sherrit telefonik: dëshira e afishuar dhunshëm nga Trump për të aneksuar ishullin më të madh në botë, Groenlandën. Konflikti me Danimarkën, i dyti me një aleat perëndimor dhe anëtar të NATO-s, ka futur në mendime të gjithë kontinentin e vjetër.

Në 20 janar, kur mori detyrën e presidentit, Trump u kujdes të mos ftonte thuajse asnjë lider evropian, ndërkohë që në fjalimin e tij fjala “Evropë” nuk u artikulua asnjëherë. Në sallën e ceremonialit nga Evropa ndodheshin vetëm krerët e atyre forcave politike që e djathta dhe e majta klasike evropiane i konsideron sot si ekstremiste dhe ksenofobe. Edhe Von Der Leyen e pa ceremoninë televizor si 440 milion evropianë të tjerë!

I shoqëruar nga agresiviteti vulgar i Elon Musk, Presidenti Trump duket i fokusuar në misionin e acarimit të skajshëm të raporteve me vendet evropiane. Nuk është e rastit që kjo qasje në kufinjtë e armiqësisë të nxisë rrudhje buzësh dhe ngritje supesh kudo në këtë anë të Atlantikut.

Dhe çeshtja e Groenlandës duket lakmuesi më i sigurt i kësaj klime të re të prishur. Kjo sepse synimet për aneksim të një territori që menaxhohet nga shtet i vjetër anëtar i BE dhe NATO, shoqëruar me kërcënimet të përditshme për tarifa dhe luftë tregtare, realisht duhen parë si një akt (jo)zyrtar armiqësie ndaj një komuniteti shtetesh që deri dje ishin aleatët historikë dhe të palëvizshëm të SHBA në rang global.

Deklaratat e orëve të fundit të ministrit të jashtëm francez Jean-Noël Barrot pasqyrojnë frustrimin dhe mllefin e kancelarive kryesore evropiane për këtë kurs përplasjeje që po kërkon tani Uashingtoni me Evropën. “Nëse Danimarka bën thirrje për ndihmë, Franca do të jetë aty së bashku me vendet e tjera të Bashkimit Europian, të cilët kanë shprehur mbështetje shumë të fortë për Danimarkën gjatë një takimi të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së, me disa vende që konsiderojnë gjithashtu vendosjen e trupave në Groenlandë”, tha Barrot.

Donald Trump po kërkon të imponojë një rend të ri botëror, përmes filozofizë së nacionalizmit ekonomik dhe instalimit të një rrjeti interesash të cilat po zëvendësojnë dhunshëm, në harkun e disa ditëve nga marrja e detyrës prej tij, të gjitha piketat historike mbi të cilat është ndërtuar politika e jashtme e SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Jo më angazhim dhe qëndrim proaktiv ndaj vlerave e standarteve të demokracisë, jo më prezencë në konfliktet e luftrat ku Amerika ka qenë tradicionalisht protagoniste, jo më çek i bardhë në duart e ukrainasve, por shkelje syri dhe qëndrim pritës ndaj Rusisë. Lista e risive të trump drejt shmontimit të librit të trashë të diplomacisë së SHBA, është mjaft e gjatë.

Në anën tjetër, sa i përket evropianëve, Trump e di mirë se po luan me nervat e një koncerti shtetesh që sot ndjehen të lodhura e të përçara së brendshmi. Gjermania e Franca rrezikohen nga e djathta ekstreme, vendet e tjera gjithashtu flirtojnë me idenë e regjimeve të forta, shtetet joliberale të Lindjes si Polonia e Hungaria synojnë të përhapin modelin e tyre, kurse vende si Italia kërkojnë të qëndrojnë në dy karrige njëherësh. Edhe në ceremoninë e inaugurimit të Trump, edhe në vijën e parë të frontit  me Zelenskyn.

Kërcënimi për dërgimin e ushtarëve francezë/evropianë në Groenlandë, për të mbrojtur ishullin nga ameërikanët(!!!), shënon një nga habitë me të cilat po na mëson mandati i dytë presidencial i Donald Trump. Do të shohim të tjera surpriza në vazhdim. Mesa duket s’do na takojë të presim gjatë.

  •  

Rroftë Trump, poshtë Kushner!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Kjo është vetëm njëra dilemat e mëdha që turbullojnë këto orë PD e sotme dhe kryetarin e saj. Të tjera dilema, nëse duam të shtyhemi më tej, kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj SPAK (Berisha e quan Skap, Bardhi thotë se ka respekt), apo me futjen ose jo të Metës në listat e sigurta të kandidatëve në zgjedhje. Sa për thirrjet që vijnë për bashkim mes partive opozitare, këtu s’ka dilema: PD është dorëzuar tashmë. Nuk do bashkudhëtarë në kursin humbës që ka vendosur të ndjekë në 11 maj.

Kur kujtuan se hoqën qafe administratën “komuniste” të Joe Biden, në PD ka dalë një tjetër shkëmb i papritur nënujor: projekti enigmatik i ishullit të Sazanit i vajzës dhe dhëndërrit të Donald Trump! Një lloj rreziku nga ata që ngjajnë me një pazar apo shkëmbim influence të minutës së fundit, që nuk i dihen as përmasat e as pasojat. Pikërisht tani kur “demokratët e kuq” u shporrën nga Uashingtoni, del një projekt turistik i çiftit Xhared-Ivanka, nga ata që Edi Rama ka qejf t’i këqyrë nëpër makete e rendera, t’i shesë nëpër rrjete sociale dhe t’i propogandojë nëpër fjalime e statistika turistike, i cili prish të gjitha pritshmëritë.

Sulmi që Berisha i bëri projektit të Xhared Kushner në Sazan, duke thënë se ishte një akt trafikimi influence nga ana e Ramës, tregon pezmin që ka shkaktuar në PD kjo kthesë e mundshme në raportet me administratën e re amerikane. E cila në imagjinatën e demokratëve të Tiranës, duhej të vinte me kamzhik në dorë në derën e Edi Ramës, e jo me makete vilash e hotelesh.

Pas tre ditësh Donald Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Eshtë ngjarja ku Sali Berisha ka depozituar të fundmet shpresa për daljen nga kuadrati i hekurt i statusit non grata, megjithë përfitimet politike e elektorale që ky vendim do të sillte me vete. Projekti i Sazanit, i cili merr prej muajsh konfirmime nga media dhe aktorë seriozë në SHBA dhe Evropë, ka premisat që të krijojë një turbulencë të vogël në planet e kryetarit të opozitës për izolimin amerikan të kryeministrit nga fitimtarët e rinj të zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nuk ka zot që e gjen sot se çfarë influence mund të ketë një projekt si ky në qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj elitës tonë politike, ndaj kryeministrit dhe kreut të opozitës, por s’do të ishte fantashkencë që të parashikohej një rritje e vëmendjes së amerikanëve ndaj Shqipërisë, qoftë edhe prej faktit që ky do të ishte investimi më i rëndësishëm amerikan në vendin tonë (1,4 miliard USD), që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe siç dihet, amerikanët punojnë gjithmonë me qeveritë, jo me opozitat.

Momentit i inaugurimit të Presidentit Trump po afrohet së bashku me ripërtëritjen e zhurmës rreth projektit të Sazanit, si dhe dhënien ndaj kompanisë ndërtuese të statusit të investitorit strategjik nga qeveria shqiptare. Ky lëmsh rrethanash kontradiktore që po përkojnë në një mënyrë fatale si në një skenar filmi, natyrisht që krijon humore të skajshme në Tiranë, aty ku çdo zhvillim, çdo premisë, çdo firmë apo vulë, shihet si një zgjatim mistik i dorës amerikane, si një shenjë supreme e vullnetit të tyre, si një lëvizje poshtë tavolinës që ngre ose ul karriera politikanësh.

Prej muajsh projekti i Xhared Kushner merr bekime ose mallkime, sipas rastit, nga populli i hareshëm shqiptar i rrjeteve sociale. Një sfidë e vërtetë ka nisur në lidhje me efektin që do të ketë hoteli në ishull i çiftit Trump, për fatet e atyre që na qeverisin në Tiranë. Edhe në këtë pikë jemi ata që kemi qenë: shqiptarë të mirë dhe naivë që më së pari duhet të mendojmë sesa mirë i bën ekonomisë një projekt i tillë, sa turistë do të sjellë, cilat do të ishin përfitimet për të gjithë vendin etjetj.

Egocentrizmi e ka përjetësisht këtu shtëpinë. S’ka forcë në botë që të na bindë se të tjerët nuk janë duke menduar për ne gjatë gjithë kohës, pa na i ndarë sytë. Në një botë të madhe me tetë miliard njerëz brenda ky është një trill që të bën për të qeshur.

Ndaj kur qëllon që të njëjtët persona të thërrasin një herë “Rroftë Trump” e më pas “Poshtë Kushner”, ata që na dëgjojnë s’duhet të na marrin as seriozisht, e as me inat. Kujtojmë thjesht se ata që po shajmë apo lavdërojmë rrinë duke marrë shënim e analizuar çdo marrëzi tonën. Sëmundje e vjetër!

  •  

E kërkon tregu

Nga Ergys Mërtiri

Kur nëpër studio dikush flet mbi të këqijat e mediave, mbi banalitetin, programet e dobëta dhe shpesh vulgare që ato transmetojnë apo mbi efektin e tyre të dëmshëm për shoqërinë moderatorët justifikohen se këto programe shiten, i kërkon tregu.

Edhe kur kritikon muzikën vulgare të këngëtarëve që çajnë tregje, do dalin gjithmonë tufa “mendimtarësh praktikë” që të tregojnë fuqinë e tyre komerciale si vlerë absolute, supreme dhe të pakundërshtueshme.

Nëse një gjë shitet, nuk ka më rëndësi nëse bart apo jo vlera morale, njerëzore, estetike, artistike, profesionale etj. Atë e kërkon publiku, sovrani.

Mjaft që diçka të jetë e shitshme dhe ajo fiton automatikisht legjitimitet. Tregu është zëvendësuesi i çdo vlere dhe çdo kriteri mbi ofertën mediatike. Atij i nënshtrohet gjithçka, madje edhe vetë e vërteta. Të ekzistosh sot, do të thotë të jesh në treg.

Përndryshe, nën modelin e parimeve të empirizmit radikal që thonë se guri që bie në pyll ku askush nuk e dëgjon nuk bën zhurmë, vlerat nuk ekzistojnë jashtë shqisave të komercit.

Tregu është zoti i botës moderne të shkatërruar nga vlerat, është njësia matëse e gjithëçkaje: të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, të bukurës dhe të shëmtuarës…

Feja është konsumizmi dhe komrecialiteti është parimi kryesor që ndërton të gjithë ritualin e adhurimit të tregut. Në emër të tij, ithtarët e kësaj feje i kundërvihen çdo sistemi tjetër vleror duke shkatërruar çdo arritje të qytetërimit.

Në fakt, arsyeja përse ne i afrohemi tregut është vërtetë fitimi, por të fituarit nuk mund të jetë vlerë supreme e orientimit tonë në jetë.

Njeriu që arsyeton se media duhet të transmetojë gjithçka që ka audiencë, zbret në nivelin e atij që gjykon se gjithçka është e shitshme, përfshirë, nderin, virtytin, familjen apo vetë jetën.

Të ofrosh programe komerciale, të dëmshme për shoqërinë, me justifikimin se këtë e kërkon publiku, do të thotë të mos njohësh vlerë tjetër përveç fitimit. Me këtë arsyetim ecin edhe ata që shesin drogë apo bëjnë prostitucion e trafiqe. Edhe për to ka një treg që i kërkon.

Ti ofrosh publikut gjithçka që kërkon mund të jetë fitimprurëse, por nuk do të thotë se është e drejtë. Media nuk mund të punojë për shkatërrimin e vlerave, për çedukimin e të rinjve, për turbullimin e turmave me idenë se ato transmetojnë çfarë të tjerët kërkojnë. Kjo do të thotë të ushqehesh nga shkatërrimi. Ky është thjesht prostitucion dhe nuk ka rëndësi nëse shfaqet në formën e tutorit apo prostitutës.

Të fitosh, pa djersë, përmes rrugëve të lehta dhe të pandershme, nuk është dinjitoze. Nëse dikush e bën këtë, le të ulë kokën dhe të vazhdojë të ushqehet në llucën e vet, por të paktën mos të propagandojë legjitimimin e së keqes duke u munduar të na imponojë parimet e pusetës si virtyt publik.

  •  

Policia: Biznesmeni 56 vjeçar pa precedentë penalë, u qëllua brenda makinës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në rrugën “Myrte Zeneli,” pranë “Pallatit me Shigjeta”, mbrëmjen e sotme, teksa raportohet se një automjet me drejtues shtetasin Bujar Nasufi, 56 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar atij humbjen e jetës.

Grupi hetimor, i udhëhequr nga Prokuroria, ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për të sqaruar rrethanat, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të ngjarjes.

Policia ka ngritur pika kontrolli në zonë dhe po ushtron kontrolle të imtësishme për të ndalur përgjegjësit.

Më shumë detaje priten pas përfundimit të veprimeve hetimore paraprake.

 

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 12.01.2025, rreth orës 20:40, tek “Pallati me Shigjeta” në rrugën “Myrte Zeneli”, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti me drejtues shtetasin B.N, rreth 56 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë për kapjen e autorit.

Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim pas veprimeve hetimore paraprake.

  •  

Vritet 56-vjeçari në kryeqytet/ Viktima u qëllua me 6 plumba në makinën e tij

Një 56-vjeçar i identifikuar si shtetasi Bujar Nasufi është vrarë mbrëmjen e sotme me armë zjarri pranë Pallatit me Shigjeta në kryeqytet.

Sipas asaj që është raportuar deri më tani biznesmeni 56-vjeçar, i cili nuk ka precedentë të mëparshëm penalë, është qëlluar me 6 plumba, ndërsa besohet se ai ka qenë duke shkuar në banesën e tij, e cila ndodhet pranë vendit të ngjarjes.

Sakaq, besohet se veprimet e autorëve janë pikasur nga kamerat e sigurisë së zonës ku u krye vrasja, pasi aty pranë ndodhen një sërë biznesesh.

 

Deri më tani besohet se në vrasjen e 56-vjeçarit janë përfshirë dy persona, të cilët fillimisht i janë afruar makinës së viktimës dhe më pas mendohet se janë larguar drejt zonës së Selitës.

 

  •  
❌