Reading view

“Mortja e disa personave si Dick Marty është shpëtim, ai futi helmin mashtrues antishqiptar”

Ylli Manjani ka reaguar për debatin e fundit, mbi Gjykatën Speciale dhe protestat pro UÇK-së.

“Mortja e disa personave është shpëtim për të gjallët.

Një nga këto raste, nga i cili veçanërisht bota shqiptare ka shpëtuar me vdekjen e tij, është Dick Marty.

Asnjëri nga 9 rrathët e ferrit të Dantes nuk e nxë. Duhet shpikur një rreth extra.

Një ngatërrestar, dallaveraxhi, zhumues e mashtrues në dëm të shqiptarëve si ai nuk kishim parë këto vitet e fundit, në kohë paqe kuptohet.

Ai futi helmin mashtrues antishqiptar në axhendat perëndimore. Këto të fundit imponuan gjykata të tipit Nüremberg.

Në fakt, Gjykata Speciale që iu imponua Kosovës është më e keqe se  Nurembergu, sepse ky i fundit dënoi hitlerianët, jo hebrenjtë…

Gjykata Speciale është fatkeqsi institucionale mbi dhé. Një forum plot me Dick Martsa, që  janë të karikuar me mllef antishqiptar. Një gjykatë që s’ka lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Me të vërtetën jo e jo.

Ndoshta Kosova duhet ta abrogojë atë ligj që çon qytetarët e saj në skrutinitet anti shqiptar.

Padyshin Republika e Shqipërisë duhet të bëjë më shumë që të delegjitimojë sa me shpejt atë proçes antinjerëzor e antikonventë. I gjithë shteti shqiptar duhet të vihet në lëvizje. Të gjithë politikanët që kanë lobistë personalë, le t’i përdorin për këtë rast se i bëjnë shërbim kombit.

Kjo nuk është çështje pëlqyeshmërie apo jo për personat që janë nën akuza aty, por është çështje dinjiteti kombëtar.

Po jam për protestën e sotme dhe për protesta pa ndalim deri në triumf të llogjikës, të të drejtës, të vërtetës”, shkruan Manjani.

The post “Mortja e disa personave si Dick Marty është shpëtim, ai futi helmin mashtrues antishqiptar” first appeared on JavaNews.al.

  •  

Në Hagë ndodhet Kosova, jo Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexhepi

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ata që duan të fshihen pas gishtit, në lidhje me procesin disavjeçar që po mbahet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të lirë ta bëjnë këtë edhe nesër kur në Tiranë do të mbahet një protestë mbarëkombëtare ndaj kësaj tragjikomedie që po luhet nga Dhomat Speciale të Kosovës. Fundja është vetëm një zgjatim i një lufte të pistë politike që e ka mbajtur në ngërç Kosovën edhe para këtij procesi. Vetëm se në këtë rast, me kalimin e viteve, ky është tashmë një konflikt politik me një faturë të kripur jo për të akuzuarit, por për të gjithë popullin e Kosovës. Madje edhe për vetë projektin e Kosovës shtet i pavarur, demokratik e multietnik.

Hashim Thaçi dhe tre ish-zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit e të UÇK, përfaqësues të një epoke heroike për Kosovën, ndodhen sot përballë një procesi të montuar i cili po përbalt prej vitesh të gjithë Kosovën. Paraqet të shkuarën e saj të dhimbshme si një aferë trafiqesh njerëzore, shbën luftën e saj në krah të Perëndimit duke e paraqitur si një histori të pisët lufte civile me vrasje pas shpine brenda llojit dhe me abuzime të cilat si padashje, si rastësisht dhe ashtu spontanisht na afrojnë ne shqiptarëve me sojin më të keq të kriminelëve të luftës së ish-Jugosllavisë, që ka kaluar nëpër kalvarin ndëshkimor të Hagës.

Kosova është ulur sot me duart e një grupi të frustruar e të kompleksuar ndërkombëtarësh në të njëjtën karrige ku dikur rrinte Millosheviçi. Hiç më pak se kaq. Është e ulur aty edhe me duart dhe mendjen e mbrapshtë të një numri shqiptarësh, të cilët urrejtjen politike e personale e vendosin mbi çdo kalkulim tjetër shumë më sublim dhe afatgjatë që lidhet me imazhin, prestigjin dhe vetëdijen e Kosovës së re të pasluftës. Eshtë bashkuar në një baltosja ndërshqiptare me interesat dhe mendjet antishqiptare.

Pas luftës së vitit 1999, në Perëndim nisi një proces i gjatë, i cili vijon ende, për të shbërë historinë dhe rikthyer pas e ridimensionuar fushatën më të madhe humanitare të pasluftës së Dytë Botërore – atë të goditjes së regjimit kriminal serb që shfarosi, shpërnguli dhe dhunoi qindra mijë shqiptarë. Prej kohësh që tashmë s’mbahen mend Serbisë aktuale, e cila drejtohet në postet më të larta institucionale nga zgjatimet e dikurshme të Sllobodan Millosheviçit, i falet gjithçka, i jepen mundësi pas mundësish, i ofrohet me insistim një vend në tryezën e klubit perëndimor paçka se flirton hapur e në mënyrë të përsëritur me të gjithë ata që Perëndimi i konsideron si armiqtë e tij kryesorë. Aleate e Rusisë e Kinës, por edhe e mikluara e Evropës e Amerikës. Një alkimi që mund t’i tolerohet vetëm Beogradit.

Ndaj Serbisë ka një trajtim indulgjent e dorëlëshuar, teksa zëra gjithnjë e më insistues e shohin fushatën e NATO-s mbi Serbi si një “luftë kundër një populli kristian”. I fundit që e bëri këtë koment racist ishte djali i presidentit Trump, Don Junior gjatë një vizite në Beograd.

Në të njëjtin drejtim shtyjnë sot dhe një pjesë shqiptarësh që urrejnë UÇK, PDK dhe të gjitha siglat e tjera të cilat në një mënyrë a një tjetër e lidhin memorien kolektive me luftën e vitit 1999. Në një tjetër kontekst kjo do të ishte një luftë e ulët politike të cilën do ta zgjidhte vota e radhës. Por kjo që ndodh me Gjykatën Speciale të Hagës nuk zgjidhet me zgjedhjet e radhës. Kjo është një damkë e cila po u zyrtarizua, do ta regjistrojë përjetësisht lidershipin kosovar në listën e zezë të Mlladiçëve dhe Karaxhiçëve, sipas parimit “kanë kryer edhe shqiptarët krime, jo vetëm serbët, boshnjakët e kroatët”!

Pak ditë më parë një përfaqësuese e Vetëvendosjes bënte sherr me të gjithë të ftuarit në një studio debati në Tiranë, duke mbrojtur idenë se në Hagë nuk ndodhet Kosova, por individët Thaçi, Selimi, Krasniqi e Veseli. Nuk ka qasje më naive, keqdashëse e dritëshkurtër. Janë po ata që e lenë sot Kosovën pa qeveri, vetëm sepse vendosin arrogancën politike mbi interesin e vendit.

Në Hagë ndodhet Kosova, jo Thaçi e të tjerët. Po u sanksionua fajësia e tyre për krime të cilat kanë brenda shëmtinë e raporteve të Dick Martit për shtëpinë e verdhë apo për akuza që synojnë ta transformojnë luftën e UÇK në një konflikt civil bandash, dëmtohet jo vetëm e shkuara, por edhe ardhmja e Kosovës, ashtu siç e njohim sot. Ata që kanë futur në tharkun e gjykimit krerët e luftës së Kosovës kërkojnë ta fusin edhe këtë pjesë të Ballkanit në listën gri të krimeve e abuzimeve të luftës shfarosëse në ish-Jugosllavi. Ky është një projekt ndëshkimor për mbarë një popull, jo për katër burra që janë simboli i atij momenti kur Kosova formësoi pavarësinë e vet. Kush kujton se i shpëton kësaj të vërtete të thjeshtë, po gënjen veten. Dhe ata që e ndjekin.

The post Në Hagë ndodhet Kosova, jo Hashimi, Kadriu, Jakupi dhe Rexhepi first appeared on JavaNews.al.

  •  

Arsyet pse Berisha zgjodhi Florian Binajn dhe jo Ermal Hasimjan

Nga Ergys Mërtiri

Për mua Florian Binaj është një djalë i mirë dhe i respektuar, një aktivist që mundohet të bëjë diçka për këtë vend. Por ai nuk është politikan dhe nuk ka mundësi të prodhojë dot as model e as ndonjë korrent politik. Pikërisht prandaj Berisha përzgjodhi atë, sepse nuk ka asnjë mundësi të krijojë ndonjë reaksion që mund ta eklipsojë sadopak.

Ermal Hasimja përkundrazi, është njeri që e njeh mirë politikën, ka parime, ka integritet dhe ka potencialin të prodhojë gravitacion. Ermali vjen në politikë, jo thjesht për një garë, por për të krijuar një rrugë të cilën ai do ta bashkëndajë me shumë të tjerë si ai.

Pikërisht prandaj Berisha nuk e do, sepse ai nuk pranon që dikush tjetër të ecë në rrugën e vet jashtë kontrollit të tij. Çdo rrugë që ka sadopak të ardhme e shqetëson në rrugën e tij pa krye e pa kthim.

Sigurisht, në kushtet ku është opozita, as Binaj e as Hasimja nuk do të fitojnë dot. Por Hasimja kish mundësi të ofrojë një vizion politik ndryshe dhe një korrent të ri në shkretëtirën e opozites. Ai po hynte në garë për ti dhënë jetë një projekti që do të vijonte edhe pas saj. Pikërisht kjo e penalizoi.

Berisha ka arritur në një nivel ku nuk ka më mundësi të bëjë sakopak mirë. I kërcënuar nga çdo grimce pavarësie, i zhytur në pervertimin e vet politik, ai është i detyruar të shkatërrojë çdo mundësi që i jepet opozitës për tu çliruar nga gërmadha ku ndodhet.

Berisha mbetet tashmë faktor regresiv që, jo vetëm nuk ngrihet dot për të mundur Edi Ramën, por pengon dhe shkatërron gjithçka tjetër që shfaq sadopak potencial për ta rivalizuar atë.

The post Arsyet pse Berisha zgjodhi Florian Binajn dhe jo Ermal Hasimjan first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kandidati që i bën të ndjehen mirë të gjithë

Nga Skënder Minxhozi/

 

Florian Binaj është një aktor i shkëlqyer humori. Ka bërë për të qeshur e ka argëtuar mijëra njerëz në dekadat kur mori pjesë në spektaklet e humorit. Ka bërë shumë më pak njerëz gjithsesi që të reflektojnë e të futen në mendime më vonë, kur ka dashur të flasë seriozisht dhe kur është munduar t’i japë një drejtim ndryshe karrierës së tij artistike. Ja që sot e gjejmë në një moment kulmor të kësaj karriere që është munduar të ndërtojë në vitet e fundit: si përfaqësues i opozitës në krye të një fushatë komplekse si ajo për bashkinë e Tiranës.

Kandidimi i Binajt si i pavarur, por i mbështetur nga PD e partia e Adriatik Lapajt, është jo vetëm një surprizë, jo vetëm një heqje dorë de facto nga gara e opozitës kryesore, jo vetëm një akt i improvizuar, por edhe një korsi e minutës së fundit e cila si çdo zgjedhje e minutës së fundit, është shpesh e destinuar të mos ketë sukses. Ra emri serioz i Ermal Hasimes, apo ai i Haçkajt dhe Çepanit. U gjet një kandidaturë me preokupimin e vetëm të të qenit sa më larg partive. Me shpresën se do të joshë elektoratin gri, por edhe më e rëndësishme se kjo, me synimin që në rast humbjeje, disfata të mos i faturohet PD dhe Berishës.

Florian Binaj vjen në këtë garë pa asnjë eksperiencë administrative apo menaxhimi. Ai është një artist i aftë por asgjë nuk na thotë dhe nuk na bën të besojmë së është gjithashtu një drejtues i aftë. Ka të gjithë ngarkesën antiqeveritare në qëndrimet e tij, e cila e bën të pranueshëm politikisht nga partitë që e mbështesin, por një hapësirë e madhe e komplekse si Tirana kërkon shumë më tepër sesa dëshira e mirë e aktivizmi për të qenë kundër qeverisë. Binaj nuk ka mbajtur kurrë në jetën e tij një post menaxhues me aq sa njihet cv-ja e tij, por ka qenë aktor në një spektakël humori, ka drejtuar një emision televiziv investigativ dhe ka interpretuar në një film.

Kushdo që është mërzitur me të njëjtën qeverisje prej 12 vitesh dhe e tejkalon me lehtësi detyrimin për të pasur në krye të punëve njerëz me eksperiencë, kjo e Binajt është një kandidaturë e pranueshme dhe pozitive. Në harenë që shkakton artikulimi i emrit të tij, në thyerjen që përbën kjo përzgjedhje nga praktika tradicionale ku për bashkinë Tiranë kanë kandiduar ndër vite emra si Rama, Basha e Veliaj, Florian Binaj ngjan si një shkulm i freskët ajri në një dhomë me ajër të ndenjur.

Por nuk është ar gjithçka shkëlqen. Puna e kryebashkiakut të Tiranës, me listën e gjatë të halleve e problemeve që ka ky qytet, ka shumë pak lidhje me marrjen lehtë e me hare naive të ofrimit të nje emri për të qeverisur një milion banorë.

Gjithsesi është e tepërt të analizosh në detaje një përzgjedhje që s’ka të bëjë shumë me bashkinë, sesa me sistemimin e halleve brenda opozitës. Ky kandidim ka pak të bëjë me substancën e garës dhe me sfidat konkrete të garimit për Tiranën. Binaj është një kandidat që i bën të gjithë të ndjehen mirë. Absolutisht të gjithë, përfshirë edhe Edi Ramën të cilit do t’i duhet të luftojë me sozinë e tij artistike deri në 9 nëntor. I bën të ndjehen mirë, fjala vjen, si një shoqëri gazmore njerëzish në një sallë varieteje humori në një fundjavë tiranase!

Bën të ndjehen mirë demokratët si fillim. Një garë vjeshtore si kjo e kryeqytetit, kaq pranë disfatës së thellë të 11 majit, është një gropë thithëse që mund ta bëjë edhe më komplekse gjendjen gri ku ndodhet sot PD. Nëse Binaj humbet zgjedhjet përballë Manastirliut, nuk do të ketë humbur formalisht asnjë zyrtar apo partiak i Partisë Demokratike, por një i pavarur të cilin partia e mbështeti nga jashtë. Kandidimi i të pavarurve ka qenë shumë miklues për Berishën, në një fushatë që ai vetë e ka paralajmëruar si të trukuar ende pa filluar, nga qeveria.

Paradoksalisht Binaj bën të ndjehen mirë bashkë me demokratët, edhe ata që ndodhen përballë, socialistët. Të cilët kanë nisur prej kohe fushatën dhe që kanë disa javë që godasin publikisht pavendosmërinë e opozitës për të gjetur një emër përballë ish-ministres së PS. Do të jetë e thjeshtë për ata që këtë dilemë ta shfrytëzojnë edhe gjatë fushatës, sidomos kur vallen që duhej ta hiqte Berisha, në fakt e hoqi Lapaj dhe partitë e reja opozitare me emrin e imponuar të Binajt.

Në fund fare, i kënaqur nga kandidimi duhet të jetë vetë Floriani. Përtej çdo ironie, ai është në të drejtën e tij legjitime për të ndjekur një kauzë publike dhe për t’u vetëofruar për një sfidë të madhe. Sfidë më të madhe se bashkia Tiranë nuk ka, pavarësisht rezultatit. Pasi për të kjo garë vlen të ndiqet më shumë nën sloganin olimpik “e rëndësishme është të marrësh pjesë”, sesa nën logot partiake dhe detyrimi për fitoren e bashkisë. E ku ka më mirë sesa një përballje ku nuk ke detyrimin të fitosh, por thjesht të zbresësh në fushën e lojës?!

The post Kandidati që i bën të ndjehen mirë të gjithë first appeared on JavaNews.al.

  •  

Berisha na tregoi se ai di, po nuk do

Nga Ergys Mërtiri

Kandidatura e Ermal Hasimes për Bashkinë e Tiranës i jep vlerë dhe kuptim kësaj gare e cila, në të kundërt, do ishte një tragjikomedi për opozitën.

Ermali na jep një motiv për të votuar në kushtet kur nuk kemi kujt t’ia japim votën. Mbetet vetëm që opozita, nëse i ka mbetur dy gram fytyrë e moral, ta mbështesë. Në gjendjen katastrofike ku është nuk ka vend për të bërë si e vështirë.

Pranimi i Berishës për të mbështetur kandidatë të pavarur tregon pikë së pari atë që ia kemi thënë e stërthënë prej vitesh me radhë: Nevojën e opozitës për tu reformuar e për të prodhuar një fytyrë të re.

Berisha tregoi me këtë që ai e di shumë mirë se me çfarë figurash fitohet. Ai e di shumë mirë se me njerëz të lodhur si ata që mbushi listat e mbyllura për deputetë pak muaj më parë nuk vihet në pushtet.

Ai e di shumë mirë që për të fituar duhet prodhuar një fytyrë e re me njerëz të rinj, krejt ndryshe nga profili i servilëve qesharakë, arrogantë e histerikë që mbushin eskortën e tij në Parlament. Berisha tregoi me këtë se ai di, po nuk do.

E tani, në kushtet kur rrezikon të dalë me një rezultat shumë herë më katastrofë se ai i 11 majit, është i detyruar të bëjë diçka për të menaxhuar sadopak realitetin e hidhur.

Së dyti, vjen një moment që teatri, i shndërruar prej kohësh në estradë, ku i shkalafituri vjell zjarr duke u betuar se po e shkatërron Ramën, po e bën atë të dridhet e struket nga frika e revolucionit, vendoset përballë realitetit të rreptë e të pamëshirshëm ku ai del se ka frikë të hyjë në zgjedhje, ndërsa nuk gjen dot as një kandidat për të qenë.

Tani Berisha shtiret sikur gjithçka po e bën për hir të bashkimit të opozitës, pikërisht për bashkimin me ata të cilët pak muaj më parë i akuzonte si shërbëtorë të Ramës, të cilëve ua futi pas krahëve me një kod elektoral kundër tyre, të miratuar në bashkëpunim me Ramën, të cilit i dha rreth 10 mandate qyl.

Realiteti po bëhet dhe do bëhet gjithmonë e më i qartë. Është ai realitet të cilin unë e kam treguar 4 vjet më parë kur kam thënë që marrja e PD-së prej Berishës do ta defaktorizojë atë plotësisht si opozitë duke e tkurrur në një minorancë të pafuqishme, të reduktuar në një garnizon militantësh në luftë imagjinare me gjithë botën.

The post Berisha na tregoi se ai di, po nuk do first appeared on JavaNews.al.

  •  

Dyfaqësia e përjetshme: Nuk njohim zgjedhjet, por marrim mandatet!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Po e humbim mesa duket edhe një rast tjetër për të treguar si shtet se i njohim dhe i zbatojmë rregullat e zgjedhjeve dhe kodet “kalorsiake” që lidhen me to. Ato kode që thonë fjala vjen se humbësi duhet të njohë rezultatin dhe të urojë fituesin, ose që pala humbëse të bëjë analizën e atyre faktorëve e rrethanave që e çuan në humbje. Ose më tej akoma, (mos o Zot!) kodin e mbajtjes përgjegjësi për humbjen, duke u larguar nga timoni i partisë. Aq më tepër kur e ke shkruar në statut diçka të tillë!

Asgjë e tillë nuk ndodhi këtë verë, pasi u shfaq i qartë rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Partia Demokratike mori njërën ndër humbjet më përcëlluese të historisë së saj 34 vjeçare. Gjatë gjithë verës, në vend të analizës së shkaqeve që çuan në rezultatet katastrofike elektorale, Berisha dhe lista e ngushtë e besnikëve që flasin për inerci sa herë që ai jua kërkon diçka të tillë, vijuan të përpiqen në angazhimin sizifian për të bindur shqiptarët se ata fituan, por jua vodhën fitoren.

Sot Berisha, teksa përgatitet të paraqitet në derën e Kuvendit bashkë me 49 deputetë të tjerë për të marrë mandatet, deklaroi se opozita nuk do t’i njohë kurrë zgjedhjet. Një qëndrim klasik i tij sa herë që ka humbur zgjedhjet. Nuk ka njohur rezultatin, por ka zënë vendet në kuadratin e opozitës. Histori e vjetër tre dekada e gjysëm, e cila tregon se të gjithë ata që flasin për rinovim të partisë, hapje të saj, ndryshim krerësh lokalë e drejtuesish qarqesh, duhet të shohin më së pari nga zyra e numrit një. Aty ku merr formë lidershipi, ku caktohen piketat, aleancat, aty ku hartohen listat e kandidatëve dhe shefat e çdo lloji e ngjyre. Të atyre që humbën në 11 maj pasi kishin marrë bekimin e kryetarit.

Dyfaqësia, ambiguiteti, eklektizmi, qëndrimi në dy karrige, frazat me dy kuptime, mësalla me dy faqe – kjo është njëra ndër sëmundjet e lashta të elitës partiake në Shqipëri, e cila me kalimin e viteve është shndërruar në një shkollë të vërtetë politike ku janë farkëtuar shumë karriera aparatçikësh të të gjitha formave e peshave.

Ajo që Berisha thotë nuk i bën kuptim as një fëmije, por është krejt e pranueshme e normale në një mjedis ku të gjithë i shkelin syrin njëri-tjetrit teksa dëgjojnë nonsensin e mosnjohjes së zgjedhjeve por të pranimit të mandateve parlamentare. “E mo dhe ju e dini si është Doktori, ai jep sinjalin djathtas dhe timonin e pret majtas”, të thonë më pas, si kanë hequr kostumin partiak dhe kanë veshur atë të qytetarit të zakonshëm që marazin ndaj njëshit e shet vetëm nën zë si mall ekzotik kafenesh.

Për kalendarin politik të Shqipërisë, jetën e saj institucionale dhe shtetërore, silogjizmi veror i opozitës nuk ka asnjë peshë dhe rol. Rama qesh i kënaqur pas syzeve të tij të kuqe teksa dëgjon kërcënimin steril të Berishës, ndërsa në dorë mban letër e laps për qeverinë e re. Në anën tjetër në PD e kanë pranuar prej kohësh atë që ndodhi në zgjedhje dhe e kanë lënë vetëm Doktorin që të luajë piruetën finale të mbylljes së telekomedisë së zgjedhjeve të 11 majit. Duhet një dalje në çdo akt skenik. Një të tillë po luan Berisha.

50 burra e gra përgatiten të hyjnë në Kuvend për të katërtën herë si deputetë opozitarë. Ky është i vetmi lajm. Mosnjohja e zgjedhjeve është si një vazo e vjetër që mbahet për ekspozim në një dhomë me dritare të mbyllura ku prej 12 vitesh nuk hyn as dielli, as ajri..

The post Dyfaqësia e përjetshme: Nuk njohim zgjedhjet, por marrim mandatet! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Trump do vetëdorëzimin e Ukrainës, jo paqen e negociuar me Putinin

Nga Skënder Minxhozi/

 

Kur deklaronte se do t’i jepte fund konfliktit Rusi-Ukrainë pa hyrë ende në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ishte besimplotë dhe serioz. Nuk besonte vetëm tek aftësitë e tij “speciale” për negociata dhe marrëveshje (vite më parë ishte autor i librit “Arti i marrëveshjes”), por besonte dhe vazhdon të besojë se me formulën që ka ndërmend t’i propozojë këto orë presidentit Zelensky dhe liderëve evropianë në Zyrën Ovale, lufta mund të mbarojë sa hap e mbyll sytë.

Ajo që po filtron këto orë të ethshme rreth këtij takimi, përshkruhet si një kërkesë ultimative për Ukrainën, më shumë sesa si një ofertë apo propozim kompromisi. Jep Krimenë dhe territoret e tjera të pushtuara, angazhohu qartë dhe me shkrim se nuk do të hysh kurrë në Nato dhe kjo do të sjellë paqen me Rusinë. Ky është de facto pozicioni ruso-amerikan pas bisedimeve të Alaskës, ku Trump e spostoi SHBA drejt pozicionit rus, duke i hapur udhë Vladirim Putin në të gjitha kërkesat. Pa harruar të shtohet se i ofroi edhe një vitrinë unikale që të shpaloste fitoren e tij të lehtë mbi mikpritësin amerikan që duartrokiste një palë pushtuese teksa afrohej mbi tapetin e kuq!

Për t’ju kthyer kërkesës së Trump për falimentimin me shkrim të Perëndimit përballë Rusisë, kjo ka qenë qysh në krye të herës karta e tij nën mëngë. Një kartë drejt paqes së imponuar që do ta çonte Trump, veç të tjerash, edhe drejt çmimit Nobel për paqen, që do ta ngopte egon e tij të madhe sa Alaska e ftohtë.

E vërteta pas perdeve është se Donald Trump u afrua në podiumin e negociatave më delikate të karrierës së tij si President i SHBA, mbi karron e udhëheqësit që po bën lëmsh botën, në vend që ta udhëheqë dhe ta bashkojë. atë. Ai u ul në tryezë përballë Putin teksa kishte muaj që armiqësohej me evropianë, kanadezë, indianë, japonezë e kinezë për shkak të luftës tregëtare të tarifave, ndërkohë që i duhej dhe ende i duhet dialogu e mundësisht dakordësimi e bashkëpunimi me këta faktorë për të zgjidhur një konflikt që prek sot të gjitha marrëdhëniet ndërkombëtare, paqen e sigurinë globale. Kur Trump i duhet një front diplomatik sa më i gjerë përballë Rusisë që njeh vetëm gjuhën e luftës, ai zgjodhi të hedhë në erë të gjitha piketat gjeopolitike të 80 viteve të fundit e të shkojë në takim me historinë në Alaskë, fillikat i vetëm dhe i demotivuar për të arritur diçka më të mirë sesa vetëdorëzimi para Putin.

Paradoksi mes tezës “Amerika e para” në njërën anë dhe ndërmjetësimit e lobimit në stil të vjetër për konfliktin ukrainas në anën tjetër, përcakton dritaren e ngushtuar të manovrës dhe duart e lidhura ku Trump ndodhet sot. Trump aspiron një Amerikë të mbyllur e në luftë ekonomike e tregëtare me reston e botës, por pretendon njëherësh pozitën e shtetit më të fuqishëm që mban në këmbë mbi 700 baza ushtarake dhe vijon të kërkojë një rol parësor në punët e globit. Të dyja bashkë këto trende nuk mund të bashkëjetojnë pasi janë në kurs përplasjeje të vazhdueshëm.

Ka qenë e pritshme që Vladimir Putin do të udhëtonte në Alaskë për shou dhe jo për kompromis, sepse nuk i duhet një i tillë. I duhet thjesht të presë që Trump t’i ulet në gjunjë, siç ju ul, duke u tërhequr nga kushti për paqe të menjëhershme apo nga takimi shumëpalësh që premtonte para se të merrte avionin presidencial për në Alaskë.

Donald Trump dështoi në lidhje me Ukrainën, por çka është më e rëndë ai çedoi totalisht përballë pozicionit rus, duke e bërë të tijin atë. E kjo është një sjellje amatore dhe kapitulluese në sytë e opinionit publik botëror. I cili prej vitesh flirton me idenë se ylli i dominimit amerikan në botë është në rënie. Alaska tregoi pikërisht këtë!

Ndaj nuk është e rastit që ai përgatitet t’i kërkojë sot Zelenskit, Macronit e të tjerëve që të pranojnë pikë për pikë atë që kërkon Moska. Nuk ka pasur vullnetin dhe energjitë për të arritur diçka më shumë, nuk beson realisht se Ukraina është sulmuar e po vuan pa të drejtë, më keq akoma nuk mendon se pushtuesit duhen dënuar, por se duhen dëgjuar e duartrokitur ndonjëherë.

Me një qëndrim të tillë është e habitshme pse e ka shtyrë kaq gjatë vendimin për Ukrainën. Mund ta kishte bërë vërtetë këtë lloj kompromisi të njëanshëm ende pa hyrë në Shtëpinë e Bardhë. “Nuk fitojmë dot përballë Rusisë”? T’i japim çfarë kërkon dhe mbaron puna! “Nuk ja dalim dot Putinit”? Ta duartrokasim e të vazhdojmë më tej! Shumëkujt kjo mund t’i duket  shëmtuar, por në këtë nivel lidershipi ndodhet sot demokracia më e madhe e botës.

The post Trump do vetëdorëzimin e Ukrainës, jo paqen e negociuar me Putinin first appeared on JavaNews.al.

  •  

“Pabuksa” – Racizmi i shqiptarëve kundër turistëve

Nga Ergys Mërtiri

Racizmi kundër turistëve është fenomeni më i fundit i shfaqur tek shqiptarët. Ankohen se turistët po na prishin qetësinë publike, se kanë pretendime dhe mbi të gjitha, e kursejnë paranë dhe nuk shpenzojnë shumë.

Ne vërtetë duam turizëm, por duam turistë model, që nuk dehen, nuk bëjnë zhurmë, nuk kërkojnë standarde, nuk bëjnë çiçin nëpër lulishte (nëse ka mbetur ndonjë në këtë vend) dhe mbi të gjitha, që e derdhin paranë lumë.

Gjithandej sheh njerëz që shfryjnë kundër turistëve duke i quajtur pabuksë, pisanjosë, tekanjosë etj. Dhe këto i ankesa i shprehin banorë nga vendi i turizmit që uzurpon hapësirat publike, ndalon termusin dhe ta fut në faturë, vend që, për më tepër, nuk ofron asgjë përveç natyrës, që ia ka fal Zoti.

Kërkohet turizëm elitar në një vend që ende nuk ofron as shërbime, as infrastrukturë, as standard, madje në shumë raste as një minimum edukate qytetare apo fije njerëzillëku!

Një infeksion mendor shumë i përhapur tek shqiptari i sotëm, shfaq prirjen idiote për të pretenduar që tjetri të të mbulojë me para, pa llogaritur fare se çfarë ofron ti vetë.

Ky infeksion buron nga kultura e të fortit dhe mentaliteti kompleksiv i vetëdijes së pronarit që nuk ngrihet dot në nivelin e sipërmarrësit në shërbime.

Më shumë sesa të fitojë, pronari ka hall të demonstrojë fuqinë e vet, karakterin e vetë kompleksiv lidhur me pronën dhe pushtetin. Ai nuk shërben, por sundon në investimin e vet. Klienti këtu nuk është mbret si kudo, por një bujtës që dëshmon madhështinë e pronës dhe investimit të tij.

Kjo më kujton kur kam qenë në gjimnaz, kur pronarët e lokaleve ankoheshin shpesh se iu zinim tavolinat duke marrë vetëm kafe.

Prestigji i pronarit ndjehej i cënuar nga çmimi i ulët i faturës që klienti paguan për shkak të produktit jo të shtrenjtë që konsumon.

Ai do të ishte i vlerësuar vetëm kur klienti prorsit pije të shtrenjta dhe paguan një faturë të majme. Respekti për investimin përcaktohet nga shifra e faturës që klienti paguan.

Ky realitet në fakt vjen më shumë për shkak se klasa e investitorëve në këtë vend, vjen vetë nga një e kaluar pabuksësh.

Ky vend ka bërë me lekë shumë druvarë e banditë, që tashmë janë futur në sektorin e shërbimeve pas një kariere të suksesshme në fushën e grabitjes, krimit dhe korrupsionit.

Për këtë arsye një pjesë e mirë e sipërmarrësve në këtë fushë, reflekton kulturën e rrugës, të cilën e përcjell në turizëm, pasi e kanë të vështirë të bëhen njerëz.

Koret e komentuesve në rrjete sociale që shoqërojnë stereotipizimet ndaj turistëve janë shpesh përforcues të këtij fenomeni nga ajo kategori shqiptarësh që reflekton pikërisht kulturën e të fortit.

The post “Pabuksa” – Racizmi i shqiptarëve kundër turistëve first appeared on JavaNews.al.

  •  

Takimi Trump-Putin, asnjë marrëveshje për Kievin. Trump: “Progres i madh, do të flas me NATO-n dhe Zelensky-n.” Putin: “Evropa nuk duhet të pengojë paqen.”

AFP ose licencuesit

Asnjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Donald Trump e pranoi këtë pas takimit të tij me Vladimir Putinin në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson në Anchorage . Edhe pse udhëheqësi rus la të kuptohej se ata kishin arritur “një mirëkuptim”, asnjëri prej tyre nuk dha detaje specifike mbi përmbajtjen e diskutimeve të tyre.

“Nuk ka marrëveshje derisa të ketë një marrëveshje”, tha presidenti amerikan, duke vënë në dukje se, megjithëse takimi ishte “shumë produktiv” dhe të dy udhëheqësit ranë dakord për “shumë” pika, ende ka “disa çështje të mëdha” mbi të cilat mbeten dallime midis dy palëve.

Putin foli për bisedime “konstruktive” të bazuara në “respekt të ndërsjellë”, por nuk bëri lëshime. Për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, tha ai, është e nevojshme të adresohen “shkaqet rrënjësore” të tij dhe të rivendoset një “ekuilibër i drejtë sigurie në Evropë dhe në botë”. Së fundmi, shtoi ai, shpresonte që Kievi dhe Evropa “nuk do të pengonin” përpjekjet për paqe.

Gazetarëve nuk iu dha mundësia të bënin pyetje. Të dy udhëheqësit u kufizuan vetëm në dhënien e deklaratave, pas të cilave Putin e ftoi Trumpin në Rusi për një samit të mundshëm të radhës. “Herën tjetër në Moskë”, tha ai në anglisht. “Është interesante, mund të ndodhë”, u përgjigj presidenti i SHBA-së.

Samiti, i cili zgjati afërsisht dy orë e 45 minuta, filloi me një shtrëngim duarsh mbi një qilim të kuq, një buzëqeshje dhe një udhëtim me limuzinën presidenciale, “Bisha “, drejt ndërtesës së samitit. Ishte një pritje jashtëzakonisht e ngrohtë për një kundërshtar të SHBA-së, përgjegjës për nisjen e luftës më të madhe në Evropë që nga viti 1945.

Ndërsa përshëndetën njëri-tjetrin në pistën e bazës ushtarake amerikane, Putin buzëqeshi dhe tregoi me gisht nga qielli , ku fluturonin mbi kokë avionë B-2 dhe F-22, avionë ushtarakë të projektuar për t’iu kundërvënë Rusisë gjatë Luftës së Ftohtë. “President Putin, a do të ndaloni së vrari civilë?” pyetën gazetarët gjatë fotos rituale të mbërritjes. Udhëheqësi rus vuri dorën në vesh, sikur të tregonte se nuk mund t’i dëgjonte. As Putin dhe as Trump nuk iu përgjigjën pyetjeve të mëtejshme nga gazetarët, ndërsa fotografët bënë më shumë foto në dhomën e përgatitur për samitin.

 

The post Takimi Trump-Putin, asnjë marrëveshje për Kievin. Trump: “Progres i madh, do të flas me NATO-n dhe Zelensky-n.” Putin: “Evropa nuk duhet të pengojë paqen.” first appeared on JavaNews.al.

  •  

AGSH: Bllokimi i News24 e gazetarëve të Panorama e Balkanweb, veprim alarmant

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë është i alarmuar për ngjarjen ku Policia ka Bllokuar zyrat e News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Ky veprim i alarmant përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ndërhyrja e policisë, pengojnë drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është një akt i papranueshëm dhe përbën presion të hapur mbi median e lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon nga institucionet shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion, të garantojnë aksesin e gazetarëve në ambientet e punës dhe të respektojnë standardet demokratike për lirinë e medias.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe të reagojnë publikisht.

I bëjmë thirrje institucioneve që çdo konflikt me televizionet private të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë.

The post AGSH: Bllokimi i News24 e gazetarëve të Panorama e Balkanweb, veprim alarmant first appeared on JavaNews.al.

  •  

Policia rrethon zyrat e televizionit “News 24”, ndërpritet energjia dhe nuk lejohet hyrja e gazetarëve

Policia e Shtetit ka rrethuar News24 në orët e para të mëngjesit.

Sipas burimeve, bëhet e ditur se një gjë e tillë ka ardhur pa paralajmërim, ndërkohë që Policia kërkon lirimin e ambienteve ku aktualisht ndodhen redaksitë News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Në krye të uniformave blu është Ardi Veliu, si drejtues i shoqërisë “KAYO”, i cili është shprehur se godina i përket kompanisë së prodhimit të armëve.

Policia nuk lejon futjen e gazetarëve në ambientet e redaksisë, duke i privuar nga ushtrimi i punës së tyre dhe cenuar drejtpërdrejt lirinë e medias.

Veprimet arbitrare kanë vijuar me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, çka paralizon aktivitetin normal të mediave.

The post Policia rrethon zyrat e televizionit “News 24”, ndërpritet energjia dhe nuk lejohet hyrja e gazetarëve first appeared on JavaNews.al.

  •  

A do të bëhet relevante Evropa? Do të vazhdojë Zelensky gjatë në pushtet?

Intervistë me Ambasadorin Zef Mazi

 

Pyetje: Dëshiroj të flasim shkurt për disa aspekte të situatës gjeostrategjike. Shumë zhvillime po ndodhin. Si e shihni gjendjen aktuale të luftës në Ukrainë, edhe në kontekstin e planit të Presidentit Trump me ultimatumin 50-ditor ndaj Rusisë?

 

Përgjigje: Situata gjeopolitike në Evropë dhe në botë është në ndryshim të shpejtë dhe të paparashikueshëm. Zhvillimet e fundit të luftimeve në Ukrainë dhe politika e Presidentit Trump, kuptoj se konfirmojnë “vogëlsinë” e Evropës dhe parëndësinë në rritje të saj, pavarësisht sesi dhe sa fort ajo po lufton të paraqesë të kundërtën. Politika aktuale amerikane kundrejt Rusisë, Ukrainës dhe rolit të Evropës flet për paaftësi në Perëndim për të kuptuar mirë dhe për të pranuar, rrënjët, arsyet dhe realitetet e konfliktit. Ajo flet edhe për paaftësi për të parashikuar sa do të mund të zgjasë qeveria e Zelensky-t. Duket se ecet paralel me margjinalizimin ekonomik të Evropës. Këto kanë implikime të rëndësishme strategjike.

 

Trumpi ka kërcënuar Rusinë me ultimatum, si dhe Kinën dhe Brazilin. Ai i ka premtuar Ukrainës 17 sisteme të mbrojtjes me raketa Patriot. Ai ultimatum duket pa përmbajtje. Tani ultimatumi është ulur nga 50 në 10-12 ditë! Një imagjinatë më shumë fluturake e momentit. Ose do të dështojë ose, për të mos thënë se dështoi, do të gjendet një deus ex machina, një mënyrë ose një tjetër, që të ndryshohet, ose shtyhet, ose harrohet. Ai ka bërë thirrje që Evropa të blejë armë amerikane për të financuar luftën kundër Rusisë, ka kërcënuar me sanksione të tjera Kinën, Indinë dhe Brazilin që të mos blejnë naftë ruse për të parandaluar Rusinë të financojë luftën. Duket jorealiste, joefektive. Lidhur me dërgimin e sistemeve Patriot, ushtarakë me përvojë vënë në dyshim nëse ekziston kapaciteti për t’i dërguar Ukrainës 17 bateri të sistemit Patriot! Sistemet që u janë premtuar një vendi evropian mësohet se nuk arrijnë para 2026, kohë e gjatë. Ndërkohë Ukraina po shkatërrohet për hir të ambicjeve dhe objektivave të të tjerëve që e kanë bindur atë se mund te fitojë ndaj Rusisë. Lufta vazhdon pa arritur dicka substanciale, pa ndryshuar trajektoren e saj, pavarësisht ndihmave financiare dhe ushtarake.

 

Rusia është e qartë ka superioritet ushtarak. Ukraina ka vendosmëri, shpirt luftarak, qëndrueshmëri, vende-vende ndërmerr mjaft veprime të efektshme luftarake, ndërkohë që raportohet se ka mangësi të mëdha forcash ushtarake të trajnuara dhe të gatshme për luftë. Mjafton të shohësh vetëm një shifër prodhimi për të kuptuar se për çfarë raportesh bëhet fjalë: sipas raportimeve, mësohet se Rusia prodhon dhe fut në veprim rreth 1 mijë dronë në ditë. Kjo shifër kapërcen ndjeshëm të gjitha kapacitetet e Perëndimit për të furnizuar Ukrainën me dronë. Lufta në Ukrainë ka dështuar me të gjithë që janë përfshirë. Duket se presioni me vazhdimin e dërgesave të armatimeve dhe sanksionet e mëtejshme janë thjesht për konsum politik. Realisht nuk shoh si mund të sjellin përfitim strategjik.

 

Kërcënimi me sanksione ndaj vendeve që bëjnë tregti me Rusinë duket joefektiv. Do apo nuk do, është realitet i njohur se Rusia duket se është adaptuar me sanksionet tashmë prej 3 vitesh dhe nuk i bën më përshtypje. Kina, India dhe Brazili, shtylla në BRICS, nuk janë të gatshme të braktisin marrëdhëniet e tyre tregtare me Rusinë.

 

Synimi ndaj Rusisë, vecanërisht i flamurtarëve britanikë është mjaft i vjetër – të rrethohet Rusia në tërë periferinë e saj, nga balltikët, në Detin e Zi, në Euro-Azi, në Kaukaz me Azerbajxhanin që e nxisin të përplaset me Iranin, në Lindjen e Largme, kudo përreth kundër saj të krijohen pika presioni dhe tensioni për të izoluar dhe dobësuar Rusinë.

 

Kina jo vetëm nuk luajti fare vendi dhe qëndroi në mbështetje të Rusisë kur delegacioni i Unionit Evropian, kryesuar nga Presidenti i Këshillit, Antonio Kosta, në përbërje ishte edhe Ursula von der Leyen vizitoi Kinen. Xi Jinping raportohet se përgjysmoi kohën e caktuar për takimin. Kina ka premtuar dyfishim të mbështetjes për Rusinë. Ajo mban mirë parasysh dhe llogarit se konflikti në Ukrainë mund të ndikojë edhe ndaj interesave të saj ndaj Tajvanit. Brazili ka thënë: “Nëse nuk doni të bëni tregti me ne, ne nuk do të bëjmë tregti me ju”. India zor se do ta vinte në kandar dhe të sakrifikonte sovranitetin e saj me paparashikueshmërinë e politikave perëndimore.

 

Në prill 2025 Trump tha se do t’i vendoste sanksione të forta Kinës. Brenda 90 ditëve i hoqi pasi Kina iu përgjigj duke bllokuar eksportin e elementëve të rrallë (si Skandiumi, Ceriumi, Itriumi, Lantanumi) dhe atyre magnetikë që dëmtuan rëndë industrinë automobilistike amerikane. Kjo flet se Amerika nuk ka më levë presioni ndaj Kinës, këto sanksione vetëm dëmtojnë Perëndimin.

 

Pyetje: Përmendët edhe sesa do mund të qëndrojë qeveria e Zelenskyt. Diçka më konkrete?

 

Përgjigje: Hamendësoj se po punohet për ta larguar presidentin Zelensky. Sipas një raporti të gazetarit të famshëm investigativ amerikan, Seymour Hersh, Amerika po bën plan ta zëvendësojë Zelenskyn me një drejtues të ri për t’i hapur rrugën një armëpushimi edhe pa kushte, që Rusia nuk e pranon, dhe negociatave me Rusinë.

 

Nuk mund të përjashtohet edhe se ultimatumi kaq ditor mund të përdoret për ndryshimin e qeverisë. Rusët nuk do të ulen të bëjnë paqe me të. Ndoshta do të duhet një drejtim i ri që të pranonte kushtet tashmë e ashpërsuara dhe të diktuara nga Rusia. Mundësia e sjelljes në post të Zaluzhnit, ish-komandantit të forcave të armatosura ukrainase, prej afro dy vitesh ambasador i Ukrainës në Londër, zor se do të ishte i pranueshëm nga perspektiva dhe këndvështrimi rus, sepse ai është i lidhur me elemente ultranacionaliste dhe të ekstremit të djathtë. Nuk mund të kuptohet sot për sot se si do të jetë e ardhmja e Ukrainës.

 

Pyetje: Për t’iu kthyer Evropës, ka thënie të thekshme nga tre drejtuesit e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë. Shihni se mund të ketë efekt ajo që thonë ata?

 

Përgjigje: Evropa është ekonomikisht dhe ushtarakisht irelevante dhe e paaftë të adresojë sfidat e gjithëanëshme që paraqet konflikti në Ukrainë. Ndërsa bëhen përpjekje, ndonëse të vakta, ndoshta më intensive nëpërmjet kanaleve të tjera midis Amerikës dhe Rusisë, Macron, Starmer dhe Merz tingëllojnë luftënxitës të mëdhenj, deri në papërgjegjshmëri, që po i çojnë vendet e tyre drejt një sfilitje ekonomiko-shoqërore-ushtarake. Në këtë prizëm, nëse Gjermania dërrmohet, Evropa bie, ekonomia kolapson sepse është dërrmuar motori i saj. Tani qarkullojnë edhe fjalë se po mendohet për të prerë programet sociale për të bërë financime të papërgjegjshme ushtarake. A shihet ku po shkohet?!

 

Është habi sesi vendet evropiane, që kanë vuajtur nga pushtimi i tmerrshëm 80 vjet më parë, nuk protestojnë kundër kësaj retorike. Shoh përshkallëzim mjaft të rrezikshëm, dëgjohen edhe plane të NATO-s për të futur trupa në Kaliningrad, sipas gjeneralit amerikan Kris Donohue (ndoshta me dijeninë e qendrës derisa askush deri tani nuk e ka kundërshtuar atë deklaratë). Kaliningradi është territor i Federatës Ruse, një nga bazat e mëdha ruse midis Polonisë dhe Lituanisë, në Detin Balltik, vendosur që në marrëveshjen e Potsdamit. Kjo do të përbënte sulm ekzistencial kundër Rusisë dhe integritetit territorial të saj. Kjo mund të ndezë konflikt bërthamor. Luhet me zjarrin. A nuk shihet se bëhet fjalë për tmerr!?

 

Deklarata Veriore, me të cilën Franca dhe Britania e Madhe kërkojnë të zgjerojnë mbulimin bërthamor mbi Evropë, tingëllon jo e përgjegjshme, pavarësisht nga situata apo dobësia ushtarake evropiane. Unë nuk di se ka tregues të qartë që të provojnë se popullsitë në vendet e Evropës i kanë burimet dhe motivimin për luftë. Edhe ideja e “rekrutimit” duket si patentë për dështim; lufta moderne kërkon luftëtarë, ushtarë dhe vullnetarë tepër të mirëtrajnuar që sot duket se mungojnë. Rusofobia e skajshme në elitat evropiane të BE dhe roli negativ i mediave si bashkëfajtore, rreziku rus, rreziku rus, sulmi rus ndaj Evropës, etj., e ka bërë të pamundur të bëhen biseda serioze substanciale kudo në Evropë. Ky është realiteti i trishtë.

 

Dikur Evropa ka qenë qendra e forcës, sot ajo ka margjinalizuar veten duke ndjekur politika luftënxitëse dhe keqmenaxhim ekonomik. Evropa nuk mund të sjellë diçka substanciale në tryezë, nuk ka krenari kombëtare por një elitë politike globaliste, woke, që gjithnjë e më shumë i ka kthyer institucionet evropiane në autoritariste dhe jo aq demokratike sa thuhet.

 

Muajt e ardhshëm do të duket nëse strategjitë do të duhen adoptuar që të mund t’i përgjigjen realitetit duke i dhënë fund konfrontimit, duke u takuar, duke dëgjuar mendimet, arsyetimet, shqetësimet e njëri-tjetrit direkt. Ndryshe do të ecet si sonambul drejt buzës së greminës. Kur të mbarojë lufta, ajo duhet të mbarojë një herë e përgjithmonë. Duket se jetohet me fantazinë e vetëkrijuar. Situata Perëndim-Rusi është aq e rrezikshme sa fare lehtë mund të cojë në konfrontim të madh bërthamor që do na prekë të gjithëve në një Luftë të tretë Botërore që duket se ka filluar. Nuk duket se ka mbetur sadopak sens morali tek elitat politike! Bëhet fjalë për një carje dhe ndryshim të thellë. Nuk mund të vizatohet me ngjyra të bukura pamja dhe situata aktuale gjeostrategjike!

The post A do të bëhet relevante Evropa? Do të vazhdojë Zelensky gjatë në pushtet? first appeared on JavaNews.al.

  •  

Fanfarë kushërinjsh si alternativë e politikës së vjetër

Nga Skënder Minxhozi/

 

U nisën të ndryshojnë Shqipërinë, nuk ndryshuan dot as listat që kishin hartuar vetë. Kriza tashmë shumë publike brenda aleancës elektorale mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, ka shënuar metaforën më të shëmtuar të viteve të fundit për brezin e ri të politikanëve që aspirojnë të largojnë me votë nga skena Edi Ramën dhe Sali Berishën. Pasi ju thanë shqiptarëve se do të merrnin mandate për një minorancë bllokuese në Kuvend, ata de facto mbetën të kapeshin pas një mandati të vetëm në Tiranë, teksa dy parti të tjera të të njëjtit vokacion, pra të reja, morën nga një deputet njëlloj si ata.

Ky dështim u pasua nga një krizë e cila po materializohet në një sherr publik aspak të këndshëm dhe dinjitoz mes dy politikanëve të rinj të cilët na lodhën duke na treguar sesa të ndryshëm janë nga të vjetrit që sherrosen prej tre dekadash. Sapo shifrat nuk prodhuan rezultatin e pritur koalicioni në fjalë u transformua në një kafene lagjeje ku mund të thuash çfarë banaliteti të të vijë nëpër mend. Përfshirë edhe lakimi i shëmtuar i emrave të dajave, tezeve e të afërmve të tjerë që vetë Lapaj e Shabani i filtruan nëpër lista duke shpresuar se asnjëri prej tyre s’e ka të zhvilluar sensin e protagonizmit për t’u zënë rrugën pas zgjedhjeve të 11 majit!

U duk qysh në krye të herës para dhe gjatë zgjedhjeve se këto parti fshihnin dhe vazhdojnë të fshehin nën petkun e të qenit “të reja”, një tendencë merkantizmi politik i cili pasqyrohej tek kërcënimet për bllokim parlamenti, për vajtje në zgjedhje të parakohshme brenda 20 ditësh etj. E gjitha kjo ngjante gjatë fushatës më shumë si një apel për rritje pazari sesa si një kërcënim logjik dhe i bazuar mbi një skemë të qartë që do të çonte në fundin e partitokracisë 35 vjeçare.

Lapaj premtonte gjithçka, kërcënonte gjithkënd, angazhohej për çfarë t’i dilte para, a thua se do të merrte nja 80 deputetë e mund të bënte si të donte. Dikur Ilir Meta përhapte fjalë në kohë zgjedhjesh se i kishte në xhep 45 mandate, ndërkohë që merrte rregullisht një fraksion të tyre. Dhe e bënte këtë vetëm për të rritur pazarin me Berishën ose Ramën, sipas rastit. I tillë u soll edhe Lapaj në fushatë, me shpresën se do të bënte për vete një masë të madhe njerëzish duke premtuar bllokim të sistemit dhe frikësim të partive të mëdha, e duke rritur kështu peshën e vet politike.

Sot ne e dimë se ky operacion elektoral që do të trondiste zgjedhjet e 11 majit, doli një fyçkë pranverore. Për më tepër, bashkë me Shabanin ai ju fut një sherri të shëmtuar publik për mandatin e vetëm parlamentar që arritën të marrin. Imagjinoni të kishin në tryezë për të ndarë portofole ministrish, poste inspektoriatesh, doganash e tenderash!

Platforma politike e aleancës Lapaj-Shabani dhe më gjerësisht imazhi i saj bazoheshin tek kultivimi i një morali dhe një praktike të ndryshme politike nga ai i elitës së vjetër 35 vjeçare. Por ky premtim që bëhej me zë të lartë në podiume e salla brenda e jashtë vendit, kishte në themel të tij një mashtrim procedural të Kodit Elektoral përmes kandidimit të figurave anonime në listat e mbyllura që do t’i hapnin rrugë me dorëheqje garës në listën e hapur.

Sado dinjitoz në qëllimet e tij dhe i diktuar nga rrethanat që të duket ky trukim listash, është ai që ja hoqi cipën e “të resë” projektit në fjalë. Së pari në listat e mbyllura doli një kandidat që s’e mbajti fjalën, më vonë kjo solli destabilizimin e të gjithë listës dhe në fund plasi lufta aspak parimore dhe e bukur mes vetë krerëve të koalicionit. Produkti final i një koalicioni që do të ndryshonte Shqipërinë rezultoi të ishte ai i krijimit të një fanfare dajash e kushërinjsh që u bënë më protagonistë sesa vetë të zotët e koalicionit. Mësim i hidhur për ata që premtojnë të sjellin ndryshimin dhe indentifikohen gjatë rrugës me statu quonë e të vjetërve ende pa hyrë në ujë e pa mësuar notin e politikës.

The post Fanfarë kushërinjsh si alternativë e politikës së vjetër first appeared on JavaNews.al.

  •  

Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës)

Nga Skënder Minxhozi/

Në vazhdën e zgjedhjeve relativisht të qeta të 11 majit, sipas standartit shqiptar të zgjedhjeve, një temë e mbajti ndoshta më shumë se të tjerat të tendosur debatin postelektoral për shumë ditë. Ishte “heshtja që fliste” e ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me rezultatin, fitimtarët dhe humbësit. Më saktë, heshtja e autoriteteve amerikane që nuk po dërdonin ende mesazhet e rastit për rezultatin e votimeve dhe mënyrën sesi u zhvilluan ato. Një mesazh i tillë i prerë dhe i paapelueshëm ka qenë tradicionalisht këto 34 vite gongu i mbarimit të garës zgjedhore në vendin tonë.

Gjerësisht qëndrimi amerikan është pranuar si standarti i vlerësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Aq sa pala humbëse e ka pasur përherë të vështirë ta hedhë poshtë ose ta anashkalojë atë, ashtu si edhe pala fituese është kujdesur me fjalët dhe reagimet kur deklarata nga Uashingtoni kishte vërejtje apo tërheqje veshi.

Ky vit do të jetë i ndryshëm. Ashtu si shumë e shumë gjëra kanë qenë të ndryshme pas 20 janarit për të gjithë globin, kur në Zyrën Ovale hyri për herë të dytë Donald Trump. Nuk mërzitet vetëm Berisha me heshtjen amerikane, mërziten edhe evropianët me aleatin e madh që vendos tarifa, mërziten të dyja hemisferat dhe mbi 170 shtete që jetojnë në to për modifikimet e politikës së jashtme amerikane. SHBA ka premtuar të ndryshojë politikën e saj të jashtme, duke ribërë piketat historike të diplomacisë së saj që e shtynin të ishte kudo dhe të fliste, e disa herë të vendoste, për gjithçka.

Pa i hyrë thellë këtij procesi që pritet të jetë i gjatë dhe tejet kompleks, media amerikane njoftoi së fundi se administrata Trump ka marrë vendimin për të hequr dorë nga linja ndërhyrëse në proceset elektorale në botë, duke marrë një pozicion asnjanës dhe protokollar. “Departamenti i Shtetit do të ndërhyjë në zgjedhjet e huaja vetëm kur të ketë një interes të qartë dhe të fuqishëm për SHBA-në, duke u fokusuar në rëndësinë strategjike dhe jo në përhapjen e vlerave demokratike”, shkruan networku i madh Fox News.

Dhe një provë të vogël të këtij e patëm edhe ne shqiptarët që në 11 maj, në këtë cep të Evropës. Ndërsa administrata Biden ishte e kudondodhur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve me deklarata e qëndrime disa herë edhe urgjente e kritike, ambasada e SHBA në Tiranë qëndroi gjatë në heshtje teksa rezultati i zgjedhjeve merrte formë. Aq sa, duke e vënë përballë këtë qëndrim të pazakontë me shifrat e zhurmshme të socialistëve, opozita nuk vonoi të krijonte një re tymi sa i përket asaj që e quajti “pakënaqësi amerikane në lidhje me zgjedhjet shqiptare”. “E shihni që s’i kanë uruar, prisni kur t’i heqin vizën. Është çeshtje orësh” – sa e sa orë televizive, shkrime dhe komente e analiza janë derdhur në eterin shqiptar si variacion i këtij kumti pas 11 majit, çka ishte de facto e fundit komardare shpëtimi që i mbeti Sali Berishës përballë 83 mandateve të Edi Ramës.

Prognoza e opozitës për pakënaqësinë amerikane rezulton e pavërtetë, teksa lexon shkrimin e Fox News. SHBA kërkon të ndryshojë kursin e diplomacisë së saj misionare, duke u fokusuar tek një pozicion pragmatist dhe në përputhje të ngushtë me interesat  e saj strategjike. Jo më përhapje e demokracisë në çdo cep të globit si në kohën e republikanëve të G.W.Bush, as edhe një predikim i përbotshëm vlerash apo lista porosish ndaj një morie shtetesh, si çka ndodhur me administratat e Obamës apo Biden. Kjo linjë duket se ka marrë fund, në këmbim të një pozicionimi më të ftohtë e më pak paternalist në këto tema.

Tërheqje apo një riformatim i protagonizmit të shtuar të dekadave të fundit, kjo është diçka që do të marrë formë në muajt dhe vitet e ardhshme. Një gjë ama është e sigurt qysh në krye të herës: Donald Trump ka alergji nga leksionet demokratike kur vjen puna tek zgjedhjet. Shumëkush kujton sesi kontestimi që ai i bëri humbjes përballë Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, degjeneroi në sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janar 2021 ku pati të vrarë dhe të lënduar. Tema e zgjedhjeve është për Trump një nerv i zbuluar dhe me shumë gjasë pozicioni i ri i Departamentit të Shtetit e reflekton edhe në kursin e vet diplomatik këtë rrethanë konkrete që lidhet me Amerikën e pas vitit 2021.

Një tjetër temë irrituese për Presidentin Trump është ajo e drejtësisë. Edhe në këtë aspekt qëndrimi amerikan në lidhje me drejtësinë shqiptare ka reflektuar gradualisht  dhe indirekt humorin e prishur të presidentit Trump me gjykatat e prokurorët e SHBA, të cilët hodhën mbi të një mal prej mbi 90 akuzash para zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Heshtja e amerikanëve gjatë muajve të fundit ndaj SPAK dhe përgjithësisht ndaj reformës në drejtësi, ka “folur” në mënyrë mjaft elokuente pa e hapur gojën. Jo më deklarime në mbështetje të drejtësisë së re shqiptare, jo më takime e foto protokollare me përfaqësues të saj, por thjesht një pajtim në heshtje me qëndrimet evropiane në lidhje me këtë temë. Ka rënë në sy muajt e fundit fjala vjen, që takimet e diplomatëve amerikanë me krerë të drejtësisë së re janë kryer në ambasadat britanike ose evropiane, por jo në ambasadën amerikane siç ndodhte rëndom.

Është logjike të mendohet se kjo ftohje e Uashingtonit ndaj këtij projekti të financuar me para amerikane dhe të mbështetur fort qysh në ditët e para pas vitit 2015, ka të bëjë me një qëndrim të ndryshuar të administratës Trump ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Të cilin vetë Donald Trump e ka akuzuar si një repart inkuizitor që godet në mënyrë selektive dhe tendencioze kundërshtarët politikë.

Këto modifikime të politikës amerikane ndaj Shqipërisë shënojnë një kthesë që do të prodhojë efektet e saj në skenën shqiptare. Për mirë ose për keq kjo mbetet të shihet. Ne duhet të fillojmë ta mësojmë veten se nuk do të kemi më mbi krye arbitrin e përjetshëm amerikan, që na thotë çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Kjo është një mundësi për të krijuar pjekurinë dhe pavarësinë tonë, ashtu siç mund të jetë edhe një rrethanë që do ta përkeqësojë, të paktën në hapat e parë, situatën në lidhje me zbatimin e ligjit, standartet demokratike dhe soliditetin e shtetit. Megjithatë për amerikanët kjo tashmë ka pak rëndësi. Ata kanë përqafuar platformën “America First” (Amerika më e para) dhe kjo nënkupton heqjen dorë nga shumë prej spaletave që kanë mbajtur në skenën botërore. Kemi hyrë në një botë të re bashkë me shumë të tjerë rrotull nesh, apo edhe në cepat më të largëta të globit. Duhet të mësojmë të notojmë vetë!

The post Tërheqja amerikane nga punët e brendshme të Shqipërisë (dhe të botës) first appeared on JavaNews.al.

  •  

Një shtet i përjetshëm aksionistësh*

Nga Skënder Minxhozi

* Këto kohë të nxehta vere qeveria ka shpallur në mes të sezonit plot me turistë një aksion kombëtar për çlirimin e hapësirave publike në rrugët e trotuaret e qyteteve kryesore të vendit. Përveç faktit se një fenomen negativ luftohet kur ende s’ka hedhur rrënjë, e jo të shkulet kur është ulur këmbëkryq mes nesh, aksioni i radhës në mes të sezonit po shkakton jo pak stres e amulli në sezonin turistik me qindra mijë njerëz në plazhe, qendra urbane, monumente historike e bukuri natyrore. Ky shkrim është shkruar në fillim të vitit 2018, pra shtatë vjet më parë. Çuditërisht (ose aspak çuditërisht, varet) ai tingëllon aktual dhe sikur është shkruar vetëm pak orë më parë. Jo për meritë të autorit, por për faktin e thjeshtë se kalimi i viteve ndryshon shumëçka mbi këtë vend, por jo sjelljen njerëzore. “Nga aksionet vijmë, drejt aksioneve shkojmë” thoshte dikur shprehja e vjetër në komunizëm!

 

Jo shtet aksionerësh, por aksionistësh. Të dyja do të ishin nocione të dyshimta e të dëmshme për vendin e shqiptarëve. Dhe nuk është fare e thënë që të mos jemi duke jetuar edhe nocionin e parë, atë të aksionerëve, padyshim më hileqar e të rrezikshëm se të dytin. Gjithsesi, prej kohësh që s’mbahen mend, është në modë që qeveritë dhe zyrtarët të flasin për aksione e nisma, të cilat në fakt mund të përkthehen brenda gjuhës shqipe, me fjalën mëse normale e të zakonshme “punë”.

Kemi pra qeveri që nuk punojnë, por që bëjnë aksione. Si dikur, kur ndërtonim hekurudhat, rrugët, plantacionet me aksione. Por ajo ishte një kohë tjetër, me të tjera standarte dhe kritere. Thënë ndryshe, sot nuk kemi qeveri që rrinë në krye të detyrës gjithë vitin, gjithë mandatin apo gjatë gjithë kohës së njohur botërisht si “orar pune”, por me hope, me fushata. Pikërisht, me aksione!

Një aksion për ujin, një tjetër për mbledhjen e taksave të prapambetura, një tjetër për faturat e papaguara të energjisë, për verifikimin  e cilësisë së karburanteve, ndërtimeve, ujit të pijshëm, ajrit. Me një fjalë, një nismë e kufizuar në kohë, gjatë të cilës shteti na premton se do të bëjë atë që do të duhet ta bënte çdo ditë: qeverisjen e vendit.

Kjo logjikë prodhon ca situata vërtet të habitshme, disa herë komike. Kështu, në rast se je një biznes që nuk u jep faturat tatimore klientëve, kij kujdes se qeveria ka njoftuar se nga data “x”, inspektorët e saj do të dalin në terren dhe do të bëjnë namin. Me fjalën “nam” duhet të kuptojmë se shteti do të kryejë funksionin e tij bazë: të imponojë respektimin e ligjit. Qeverisja pra, shihet si përjashtim, si gjë e jashtëzakonshme, që vjen e shkon me dallgë, jo si normalitet dhe përditshmëri.

Në rast se për dreq je një evazor taksash, apo një privat që ke vjedhur me tel energji në shtyllën pranë shtëpuisë, apo ke ngulur një tub të improvizuar në tubacionin që i jep ujë gjithë qytetit – nëse jeni në një nga këto situata, duhet të bëni kujdes se për secilën nga këto shkelje do të ketë një ditë një aksion të qeverisë. E po ju kapi lapsi, ka shumë gjasa që të përfundoni në ndonjë kronikë lajmesh, duke u detyruar të tregoni faturën e gjobës, apo (larg qoftë!), prangat që sapo t’i ka vënë polici, i cili sheh plot krenari drejt objektivit të kameras.

Sipas kësaj mënyre të të bërit shtet, në sytë e një shtetari shqiptar vendi duhet qeverisur me faza. Ka një fazë qetësie, kur shumëçka është e lejueshme, ku uji nuk paguhet, ku faturat tatimore fshihen nën banaqe, ku energjia shihet si malli i askujt, ku zyrtarët qëndrorë apo lokalë marrin lek nën dorë, në vend që të imponojnë ligjin dhe rregullin. Ka pastaj një fazë tjetër, që është ajo e “aksionit”, ku shteti turret me gjithë taboret që ka në dispozicion, për të bërë atë që nuk bëri një, dy apo tre vjet të shkuara.

Ky koncept është mjaft i përhapur mes politikanëve shqiptarë. Dhe hileja qëndron jo vetëm tek fakti i mosdëshirës/mosdijes për punë, apo i abuzimit me detyrën duke mbyllur një sy para shkeljes së ligjit. Hileja qëndron gjithashtu edhe tek imazhi publik që një qeverisje krijon tek qytetarët e saj kur vepron në këtë mënyrë: një fushatë e shpallur me gërma të mëdha, transmetime direkte televizive, me fjalë të mëdha e me përbetime se do të bëhet nami, krijon më shumë impakt tek njeriu i thjeshtë. Tek teleshikuesi apo tek frekuentuesi i rrjeteve sociale, më saktë, i cili sheh kryeministrin dhe ministrat që betohen se do të bëjnë namin, e thotë me vete “shiko sa mirë, këta punojnë, jo llafe”!

Koncepti i aksioneve është një veçori klasike e tranzicionit shqiptar. Qeveri të dobëta, me autoritet dhe shtrirje të dyshimtë në territor, kapen pas kësaj hileje, për të treguar muskujt në një periudhë të shkurtër kohore. E mundësisht, për të korrur duartrokitjet e publikut të pamësuar me respektimin e ligjit dhe të rregullave.

Ka ardhur koha që shteti të pushojë se qeni një gjenerator që prodhon energji me raste, e që më pas e le gjithë pallatin pa drita për javë të tëra. Aksionet për ujin, taksat apo manipulatorët e gjithçkaje që shitet e blihet, duhet të kenë frikë jo vetëm nga data “x” në datën “y”. Shteti i aksioneve është një shtet i përkohshëm. Dhe i si i tillë, i rrejshëm dhe i paefektshëm.

Javanews, 14 janar 2018

The post Një shtet i përjetshëm aksionistësh* first appeared on JavaNews.al.

  •  

Tragjike/ Ylli i Liverpulit vdes në një aksident me makinë, ishte martuar 10 ditë më parë

Diogo Jota , sulmuesi 28-vjeçar i Liverpoolit dhe ekipit kombëtar portugez, vdiq tragjikisht këtë mëngjes në një aksident me makinë në provincën e Zamorës, Spanjë. Incidenti ndodhi në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë Palacios de Sanabria.

Jota po udhëtonte me vëllanë e tij André, 26 vjeç, gjithashtu futbollist, kur makina në të cilën ndodheshin doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. Flakët përfshiu automjetin dhe u përhapën në bimësinë përreth. Shërbimet e emergjencës, të njoftuara nga disa dëshmitarë, nuk mundën të bënin asgjë.

Lajmi, i raportuar nga Marca , ka tronditur botën e futbollit, e cila po mban zi për vdekjen e parakohshme të talentit portugez. Jota ishter martuar vetem dhjete dite me pare.

The post Tragjike/ Ylli i Liverpulit vdes në një aksident me makinë, ishte martuar 10 ditë më parë first appeared on JavaNews.al.

  •  

Debati Rama-Farage si pasqyrë e botës së re ku kemi hyrë

Nga Skënder Minxhozi/

Nigel Farage është një personazh i njohur në Britaninë e Madhe dhe jashtë saj. Është njeriu që ka marrë përsipër meritën (damkën, nëse shihen sondazhet e sotme), për avancimin bashkë me Boris Johnson të fushatës së famshme të Brexit në verën e vitit 2016. Thënë ndryshe daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pas referendumit të shpallur nga kryeministri i kohës David Cameron.

Prej disa ditësh Nigel Farage, kryetar i një partie politike të ekstremit të djathtë ka nisur një debat në distancë me kryeministrin Rama në lidhje me kriminalitetin shqiptar në Britani. “Merr kriminelët e tu” është mesazhi bazë i Farage, i cili tingëllon në sinkron të plotë me frymën ksenofobe e raciste që të djathtat evropiane po ndjekin këto kohë nën shembullim e administratës së Donald Trump, që ka nisur prej muajsh një gjueti emigrantësh në rrugët e qytetet e SHBA. Në thelb ajo që derdh Farage në mesazhet e tij për Ramën është një pjesë e helmit përjashtues në rang planetar që ka pushtuar kryesisht hemisferën veriore pas zgjedhjeve amerikane. Jemi futur në një botë të re dhe duhet bashkëjetuar me të!

Debati Rama-Farage është vetëm njëri ndër shumë e shumë episodet ku qindra mijë shqiptarë që punojnë sa shpirti jua di në lloj-lloj punësh të rënda, që çojnë përpara familjet e tyre me sakrifica të pafundme, shkollojnë fëmijët, që hapin biznese e paguajnë taksa – i gjithë ky komunitet njerëzor, vijon të vuajnë imazhin e trafikantit, kriminelit apo shkelësit të ligjit me pasaportë shqiptare. A thua se kombësitë e tjera janë engjëj! A thua se dhe vetë britanikët nuk janë de facto porositësit dhe konsumuesit më të parë të drogës e veseve të tjera për të cilat tregohen me gisht të ardhurit!

Britania e Madhe po përjeton sot një debat të brendshëm në lidhje me emigracionin, që sillet prej vitesh në rreth vicioz. Dalja nga Bashkimi Evropian nuk e zgjidhi problemin e infiltrimeve të refugjatëve klandestinë dhe as integrimin e tyre në shoqërinë britanike. Nuk përmirësoi as ekonominë e situatën sociale, çka krijon frustrim dhe shtyn drejt tezave të personazheve si Farage. Në këtë amulli politike stagmatizimi i një komuniteti si ai shqiptar ka qenë prej kohësh në axhendën e disa politikanëve e mediave. Megjithatë realieti është kokëfortë. Masa milionëshe e emigrantëve nga India, Pakistani, Bangladeshi, Lindja e Mesme apo Evropa Lindore së bashku me problematikat që ajo ka krijuar ndër vite, nuk mund të mbulohen me “shoshën” modeste të shqiptarëve. Jemi shumë pak për të qenë koka e turkut në një fuqi 60 milionëshe.

Nigel Farage është rasti klasik i populistit që po përpiqet të ndërtojë rikthimin e tij politik në skenën politike britanike, pas zhgënjimit masiv që ka shkaktuar Brexit, të cilin ai e glorifikoi dhe pasi po sheh se konservatorët në krizë, sfera më e afërt politike me idetë e tij, janë tashmë një basen votash ku ai mund të marrë përkrahje dhe konsensus. Ky është edhe thelbi i debatit të tij me Ramën: të fitojë pikë në lojën politike kombëtare.

Vetëm pak vite më parë Shqipëria doli vendi me më pak grabitje në Evropë, një shifër që habiti shumëkënd. Asnjë çudi në fakt. Ky është një realitet i cili lidhet me sjelljen tonë, me atë që jemi dhe bëjmë, përjashtuar rastet speficike nga të cilat nuk është i imunizuar asnjë vend. Britania e Madhe më e para, ashtu si çdo vend i madh perëndimor.

Kur statistikat flasin, e vërteta del në shesh. Kur elita drejtuese e një vendi si Britania e Madhe kërkon të bëjë propogandë e luftë politike me emigracionin, e vërteta fshihet, përdridhet dhe manipulohet. Ky është rasti kur shifrat fryhen, statistikat fillojnë e fusin ujë, teksa populistët e tipit Farage nisin e kërkojnë kokat e turkut për paaftësinë e tyre për të ofruar zgjidhje për krizat e brendshme.

Tirana dhe qytetet e tjera të Shqipërisë janë një vend shumë më i sigurt se Londra apo Liverpuli e kjo pasiguri në ato qendra të mëdha urbane natyrisht s’i detyrohet shqiptarëve të dhunshëm aty. S’mund të jemi engjëj në vendin tonë dhe kriminelë e vrasës nëpër botë. Nuk shkon as me logjikë e as me fakte. Më e saktë është të thuhet siç nuk ka pyll pa derra, po ashtu nuk ka komunitete emigrantësh pa kriminelë e trafikantë. Puna është se këta të dytët bëjnë rregullisht më shumë zhurmë e bien në sy ku e ku më fort sesa qindra mijë të tjerët që ulin kokën e mundohen të përballin jetën e vështirë të emigrantit.

Do dalë përherë një Farage që të na e fryjë këtë lloj propogande spekuluese, e cila zhduket ngadalë dhe me shumë vështirësi nga trutë e opinionit publik. Siç ka ndodhur me “italianët janë mafiozë”, “francezët arrogantë” apo me “hebrenjtë hileqarë” etj etj. Janë klishe të cilat fatkeqësisht vetëm koha do i shërojë dhe kura zakonisht në këto raste është e ngadaltë. S’po përmendim klishetë për britanikët sepse lista do të ishte shumë e gjatë dhe jo fort e bukur!

 

 

The post Debati Rama-Farage si pasqyrë e botës së re ku kemi hyrë first appeared on JavaNews.al.

  •  

Reuters/ Ja sesi Trump shantazhoi prokurorët izraelitë që të heqin dorë nga akuzat ndaj Kryeministrit Netanyahu

 Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të shtunën sulmoi prokurorët në Izrael lidhur me gjyqin për korrupsion me të cilin është përballur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se Uashingtoni, pasi i ka dhënë ndihmë Izraelit me vlerë miliarda dollarë, nuk do ta “durojë këtë”.
Netanyahu u padit në vitin 2019 në Izrael për akuzat e ryshfetit, mashtrimit dhe shkeljes së besimit – të cilat ai i mohon të gjitha. Gjyqi filloi në vitin 2020 dhe përfshin tre çështje penale.
Të premten, gjykata hodhi poshtë një kërkesë të avokatëve të Netanyahut për të shtyrë dëshminë e tij për dy javët e ardhshme për shkak të çështjeve diplomatike dhe të sigurisë pas konfliktit 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit këtë muaj.
Ai pritet të dalë në bankën e të akuzuarve të hënën për t’u marrë në pyetje.
“Është ÇMENDURI të bësh atë që prokurorët jashtë kontrollit po i bëjnë Bibi Netanyahut”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke pohuar se procesi gjyqësor do të ndërhynte në aftësinë e Netanyahut për të zhvilluar bisedime me grupin militant palestinez Hamas dhe Iranin.
Një zëdhënës i prokurorisë izraelite nuk pranoi të komentojë mbi postimin e Trump. Netanyahu në X e ripostoi postimin e Trump dhe shtoi: “Faleminderit përsëri, @realDonaldTrump. Së bashku, do ta bëjmë Lindjen e Mesme përsëri të Madhe!”
Postimi i dytë i Trump gjatë pak ditëve, duke mbrojtur Netanyahun dhe duke bërë thirrje për anulimin e gjyqit, shkoi një hap më tej duke e lidhur veprimin ligjor të Izraelit me ndihmën e SHBA-së.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzojnë miliarda dollarë në vit, shumë më tepër se çdo komb tjetër, duke mbrojtur dhe mbështetur Izraelin. Ne nuk do ta durojmë këtë”, tha Trump.
Netanyahu “tani për tani” ishte në proces të negociatave për një marrëveshje me Hamasin, tha Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme. Të premten, presidenti republikan u tha gazetarëve se besonte se një armëpushim ishte afër .
Hamasi ka thënë se është i gatshëm të lirojë pengjet e mbetura në Gaza sipas çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Izraeli thotë se mund ta përfundojë atë vetëm nëse Hamasi çarmatoset dhe shpërbëhet. Hamasi refuzon të dorëzojë armët.
Interesi për zgjidhjen e konfliktit në Gaza është rritur pas bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit .

Raportimi nga Ryan Patrick Jones dhe Mike Stone; Raportimi shtesë nga Maayan Lubell në Jerusalem; Redaktimi nga Humeyra Pamuk, Sandra Maler, Chizu Nomiyama dhe Kim Coghill

The post Reuters/ Ja sesi Trump shantazhoi prokurorët izraelitë që të heqin dorë nga akuzat ndaj Kryeministrit Netanyahu first appeared on JavaNews.al.

  •  

Neni Basha, kur Doktori përjetëson paraardhësin

Nga Skënder Minxhozi/

Doni t’i gjeni një përcaktim të shkurtër dhe përmbledhës asaj që po ndodh në Partinë Demokratike pas 11 majit?! Mjafton të shqiptoni togëfjalëshin “neni Basha” dhe i keni thënë të gjitha. Nuk ka nevojë as për analiza, refleksione, kalkulime a tjerrje të këtij lloji. Shihni si u soll kreu i partisë në momentin që u vu përballë shifrave zgjedhore dhe do të kuptoni gjithçka. Do të kuptoni përse partia po hesht teksa u tkurr me 250 mijë vota krahasuar me katër vite më parë. Do të kuptoni përse Berisha dhe të tjerët që tashmë janë emëruar deputetë janë kaq të qetë dhe bëjnë një luftë imagjinare sa për sy e faqe me kutitë e votimit sa për të kaluar vapën.

Do të kuptoni përse stanjacioni e jo rotacioni apo rinovimi i elitës drejtuese janë alfa dhe omega e Partisë Demokratike qyshse përzunë me hunj e shkallë zjarrëfikësish nga selia kryetarin humbës tre vjet të shkuara. Do të kuptoni më në fund përse Edi Rama ka luksin të mos lerë mbledhje a konferencë (apo edhe dasëm) pa marrë pjesë në Evropë e SHBA, duke lënë në Tiranë shqytarët e vet që të merren me folklorin elektoral të opozitës.

E keqja e epokës teknologjike që jetojmë është se asgjë që thuhet publikisht nuk zhduket më. Google dhe gjigandët e tjerë të botës dixhitale kanë shpikur madje “të drejtën e harresës” si mjet për t’i hequr nga qarkullimi disa ngjarje e lajme të vjetra. Por ja që deklaratat e Berishës në momentin kur PD miratonte nenin e largimit të kryetarit në statutin e ri, janë ende në rrjet. Ai deklaronte, fjala vjen, në 1 dhjetor 2021 se “kryetari do të largohet, nëse humb zgjedhjet, pa asnjë diskutim. Ky nen do quhet “Neni Basha”! Duke e shoqëruar propozimin me lëvizjen karakteristike të dorës kur dëshëron të garantojë ata që ka përpara, Doktori mundi t’i shkëpusë disa duartrokitje e fishkëllima entuziaste militantëve të mbledhur në sallë, por siç ka ndodhur rëndom me garancitë e tij publike, ato kanë qenë fjalë të shkruara në akull.

Mund t’i shohë kushdo dhe të provojë sesa pak përputhen këto fjalë sot me qëndrimin në zyrë të Sali Berishës. Mund të shohë fjala vjen edhe atë që deklaronte Gazmend Bardhi tre vjet më parë e ta krahasojë me atë që thotë këro orë në favor të qëndrimit të Berishës edhe pasi mbeti 33 mandate prapa Edi Ramës në zgjedhje.

“Neni Basha” është sot totemi i vërtetë që mban në këmbë PD-në e sotme, filozofinë e saj të vijimësisë dhe të kultit të individit. Sikur të mos kishte një nen të posaçëm për shkarkimin e kryetarit të PD, nuk do të dinim si ta përkufizonim shpejt e me pak fjalë refuzimin e tij për të ikur nga detyra. Neni në fjalë nuk parasheh sesa të vështira kanë qenë zgjedhjet për partinë, sesa hajdute ishte pala tjetër dhe sesa “rrethana” specifike u bënë pengesë për fitoren e garës elektorale. Ky nen, sipas ngulmimit dhe batutave ironike që Berisha përdorte në momentin që aprovohej uninamisht dhe duke mallkuar “Lul bravën”, nuk duhej të linte asnjë shteg për justifikime. Të tillë e donte Berisha dhe të tjerët asokohe. Rigoroz, të prerë dhe të paapelueshëm. Ironia e 11 majit provoi se guri i hedhur lart në atë moment, ra shpejt mbi kokat e propozuesve të nenit. Koha dhe graviteti fitojnë gjithnjë, thonë ligjet e fizikës.

A ka nder më të madh për Lulzim Bashën sesa të krijosh një dispozitë staturore me emrin e tij e cila parasheh shkarkim automatik në rast humbjeje të zgjedhjeve, e më pas kur kjo rrethanë të paraqitet, ti ta refuzosh atë publikisht dhe me insistim! Basha arriti një rezultat elektoral në kufinjtë e komikes, por për një gjë duhet të jetë i kënaqur: ata që e larguan e kanë kthyer në simbolin e papërgjegjshmërisë së tyre. Me siguri do të jetë duke fërkuar barkun nga kënaqësia që nga 12 maji. E dënuan me një nen të cilin nuk po e zbatojnë ata vetë të parët…

 

The post Neni Basha, kur Doktori përjetëson paraardhësin first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kutitë u hapën, pushime të mbara!

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ashtu siç pritej saga e hapjes së kutive dëshmoi edhe një herë tjetër, nëse ka qenë nevoja për diçka të tillë, se zgjedhjet shqiptare rezultojnë të ndershme e pa probleme kur ato verifikohen brenda trajektores së ditës së votimit dhe periudhës së numërimit të votave. Qindra kuti janë hapur tashmë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ato kanë zbuluar një listë problemesh teknike, kurthesh të vogla komisionerësh, bërryla kandidatësh apo thjesht pakujdesi, të cilat deri tani nuk kanë lëvizur nga vendi as edhe njërin prej 33 mandateve që Rama ka avantazh mbi Berishën. Madje as mandatin milimetrik të Zegjinesë! As Ilir Alimehmeti nuk ja mori dot vendin Jorida Tabakut e as partitë e reja nuk shtuan dot asnjë mandat tjetër. Rinumërimi i la shifrat aty ku i gjeti, me përjashtim të pak qindra votave që kanë lëvizur më shumë brenda listave të të njëjtës forcë politike, sesa mes pozitës dhe opozitës.

Ajo që shpaloset sa herë rihapen kutitë në proceset elektorale shqiptare, po konfirmohet edhe këtë radhë. Madje për ironi të fatit, kur janë rinumëruar 50 përqind e kutive të Tiranës partia më e favorizuar padrejtësisht me vota është PD. Në 606 kuti të rinumëruara demokratët kanë marrë padrejtësisht 309 vota, kurse PS 223 vota. Ata që bërtasin se janë vjedhur, rezultojnë se ju kanë marrë vota të tjerëve!

Që rinumërimi ishte një stuhi në gotën e ujit kjo pritej. Sepse zgjedhjet tona kanë kohë që kanë marrë një dozë të madhe vëmendjeje dhe verifikimi në procesin e votimit dhe numërimit të votës. Tregtia e vockël e votave mes komisionerëve e kandidatëve nëpër tryezat e numërimit është e vetmja lojë që po zbulohet gradualisht duke na dhënë të kuptojmë edhe një herë sesa i madh është hendeku mes asaj që dëgjojmë nga podiumet e politikës dhe studiot televizive, me atë që ka ndodhur realisht në terren me mbi 5200 kutitë e votimit në 11 maj.

Masakra elektorale që priste Sali Berisha rezultoi ashtu siç pritej, një flluskë sapuni. Shqipëria e varfër nuk ka trena shqiptarë, e jo më të ketë trena bullgarë, siç thotë opozita.

Vendi ynë i drejtohet kësisoj edhe një herë më tepër pas një sage elektorale, një vere të nxehtë të mbushur me lajme pushimesh, me turma turistësh nëpër plazhe dhe rrugët, fshatrat e qytetet dhe me gosipin e tekave të vipave që ndërrojnë kostumet e banjos, të dashurat apo destinacionet ekzotike. Sherri i zgjedhjeve vjen e tretet si vesa para diellit, sapo stina e nxehtë instalohet fuqiplotë dhe topit shqisat politike të miliona shqiptarëve.

Për pak ditë politika shqiptare do të heqë spinën dhe do t’i drejtohet plazhit. Ky do të jetë edhe akti i fundit dramës së sforcuar zgjedhore, ku më në fund Ilirian Celibashi do të ketë mundësinë të hedhë firmën finale mbi rezultatin e 11 majit. Është një procedurë disamujore që përsëritet e me të cilën jemi mësuar tashmë, madje e kemi bërë edhe Kosovën të sillet si ne me zgjedhjet me kalimin e viteve.

Me hapjen e kutive opozita mori edhe nje tjetër bumerang në fytyrë. Pas rinumërimit të votave kudo nëpër Shqipëri teorema e masakrës elektorale është sot edhe më e dobët e anemike.

Jemi përballë rastit klasik kur një palë humbëse e përdor kontestimin e rezultatit si melhem për plagët e marra në kutitë e votimit. Pas rinumërimit në kuti nuk po gjendet shkaku i humbjes, por alibia e saj. Berisha po e shtyn me mjeshtëri karrocën e humbësit drejt pushimeve verore, ndërkohë që lufta e tij me kutitë po bie qysh tani në plan të dytë, përballë luftës tjetër, asaj të vërtetës mes Iranit dhe Izraelit. Shqiptarët po dëshmojnë se janë më të interesuar për raketat mbi Tel Aviv e Teheran, sesa për dramat psiko-sociale Alimehmeti-Tabaku apo Xhaçka-Gjylameti.

Ndodhemi në një pikë të sezonit politik, atë post-zgjedhor, ku Sali Berisha “takon” Lulzim Bashën. Në sensin që të dy janë gjetur përballë realitetit të ftohtë identik të shifrave elektorale që i ka nxjerrë humbës, duke u përpjekur të justifikohen me lloj-lloj piruetash përballë shqiptarëve. Siç pritej, edhe hapja e kutive nuk ndihmoi. Megjithatë do të ndihmojnë pushimet verore dhe plazhi, “melhemi” i zakonshëm i opozitës në 12 vitet e fundit.

The post Kutitë u hapën, pushime të mbara! first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌