Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ylli katalanas refuzoi 100 milionë euro nga Arabia Saudite

Pini Zahavi, agjenti i Robert Lewandowski-t ka zbuluar ofertën e bujshme që ka refuzuar lojtari i tij vetëm për të qëndruar te Barcelona, duke treguar kështu besnikërinë pa kushte të polakut.

“Mund të tregoj se një vit më parë ai mori një ofertë nga Arabia Saudite, që i ofronte 100 milionë euro për sezon. E thkesoj, për sezon! Dhe ai nuk pranoi të shkonte. Ai donte të garonte për tituj të rëndësishëm. Ai donte të garonte për La Ligën dhe Ligën e Kampionëve me Barcelonën”, tha Zahavi.

“Lewandoëwki interesohet shumë për vendin ku jeton. Dhe është i kënaqur që jeton në Barcelonë dhe luan për këtë ekip. Përveç kësaj, klubet saudite janë të mbingarkuara me lojtarë dhe mezi dinë çfarë të bëjnë me ta. Ka një kufi në numrin e lojtarëve të huaj, dhe kjo i kufizon shumë opsionet, por Lewandowski nuk donte të shkonte në Arabinë Saudite. Ai mund ta kishte bërë, por nuk donte. Synimi i tij vazhdon të jetë që të fitojë çdo trofe të mundshëm me Barcelonën.”, shtoi agjenti i polakut. m.p.

Mjeshtri i Madh Bujar Asqeriu feston 69 vjetorin

Sot, aktori i madh dhe një ndër njerëzit më të vyer të skenës shqiptare, Bujar Asqeriu feston ditëlindjen.

Në këtë 13 dhjetor, Mjeshtri i Madh dhe Nderi i Kombit mbush plot 69 vite jetë. Me një karrierë mbi 50-vjeçare, aktori ka me dhjetëra role shumë të suksesshme në teatër dhe kinematografi.

Në kinema ai ka shkëlqyer me kryerolin e tij, atë të Avni Rustemit si dhe me dhjetëra role të tjera. Me zërin e mrekullueshëm dhe me paraqitjen e tij skenike Asqeriu ka shkëlqyer me trupën e Teatrit Kombëtar edhe në skenën e teatrit Globe në Londër, ku luhen veprat e Shekspirit.

Gjatë gjithë jetës së tij artistike ai është karakterizuar jo vetëm nga talenti, por edhe nga puna, serioziteti, përkushtimi ndaj çdo roli.

Bujar Asqeriu nuk është vetëm një artist, një ikonë në Panteonin e skenës shqiptare, por edhe një intelektual dhe qytetar i devotshëm, që artin, talentin, fjalën, mendimin dhe angazhimin e tij e vuri në shërbim të Shqipërisë.

Bujar Asqeriu lindi më 13 gusht 1956 në Vlorë, dhe mbahet mend për shumë role të spikatura në ekran. Ai diplomua si aktor nga Akademia e Arteve në Tiranë dhe për plot 15 vite të jetës së tij ishte aktor i Teatrit “Petro Marko” të Vlorës.

Ndërsa për rolet më të famshme në botën e filmin, nuk mund të lëmë pa përmendur personazhin Telo në filmin “Njeriu i mire”, i vitit 1982 dhe Avni Rustemit në filmin “Një emër midis njerëzve” 1983, për të cilët ka fituar Medalionin e Festivaleve të Filmit përkatësisht në vitet 1983 dhe 1985. m.p.

Alizoti ironizon Ramën: Kryeministri s’i ndërpret pushimet

Deputeti demokrat, Tomorr Alizoti, ka komentuar në studion e Syri Tv situatën problematike të zjarreve në vendin tonë. Alizoti theksoi se Shqipëria vijon të mbetet një vend primitiv ku zjarri shuhet ende me thupra ndërsa nuk la pa akuzuar edhe Edi Ramën.

Alizoti u shpreh se kreu i qeverisë nuk i ka ndërprerë për asnjë ditë pushimet e tij në jug të vendit teksa Shqipëria po digjet nga flakët dhe situata ka dalë jashtë kontrollit.

“Shqipëria fatkeqësisht vazhdon të mbetet një vend shumë primitiv. Nëse je në Tiranë, në studiot e bukura dhe shikon këta njerëzit miliarder dhe të duket sikur je diku tjetër dhe kur shkon atje, shikon mosekzistencën e shtetit apo një vend totalisht mesjetar.

Fikja e zjarreve me ato thuprat, nuk ndodhin në asnjë vend. Shikon një kryeministër që ka qejf të bëjë si njeri modern, i modës, sikur hap ekspozita me ngjyrë, pa ngjyrë është e drejta e tij.

Nuk e gjykoj si njeri, nuk ja lejoj vetes, por e gjykoj si zyrtar të vendit, si drejtuesin e vendit. Kur Shqipëria, atje, disa makina ushtarake, dhe pse ata përpiqen, me një moskordinim total dhe në fshatra që janë pa rrugë dhe ato pjesë të rrugës që janë bërë në kohën e PD-së.

Zjarri që ka djegur shtëpi, tymi që ndihet në qendër të Gramshit, i cili është kancerogjen. Dhe i pari i vendit del me syze me ngjyrë për të treguar se mbështet. Nuk ka nevojë për mbështetje. Ai është në mandatin e 4-të. Të gjithë e dinë se, në verë në Shqipëri është vapë dhe ka zjarre.

Nuk ka vend të botës që zyrtarë, nënpunës shteti të fikin zjarrin me thupra. Kështu mund ta kenë fikur para qindra vitesh.”-tha Alizoti. m.p.

Pas zjarreve, Greqia tani përballet me një tërmet

Sikur të mos mjaftonin zjarret shkatërrimtare, Greqia është përballur mbrëmjen e së mërkurës dhe me një tërmet të fortë.

Sipas të dhënave nga EMSC, tërmeti me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter goditi brigjet e Nisyros. Epiqendra e tërmetit ndodhej 38 kilometra në jugperëndim të ishullit.

Deri tani sipas mediave greke nuk raportohet për të lënduar apo objekte të dëmtuara. m.p.

“Tornado” godet shqiptarin në Itali, i gjenden të fshehura 700 mijë euro

Një shtetas shqiptar është vënë në qendër të një hetimi të thelluar nga autoritetet italiane, si pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Guardia di Finanza e Breshias ka sekuestruar mbi 700 mijë euro cash, pasuri të paluajtshme, aksione kompanish dhe llogari bankare të lidhura me të.

Operacioni, i koduar “Tornado”, është rezultat i një hetimi të gjatë dhe të detajuar të koordinuar nga Drejtoria Antimafia. Gjatë këtij hetimi janë analizuar flukset bankare, janë kryer verifikime të aseteve, janë përdorur të dhënat nga bazat ndërkombëtare dhe janë përgjuar qindra telefonata për të zbuluar rrjetin e transaksioneve të dyshimta ndërmjet Italisë dhe vendeve të tjera. m.p.

Grabitën vilën e Brad Pitt, arrestohen katër të miturit

Policia e Los Angelesit ka arrestuar katër persona të dyshuar për thyerjen dhe grabitjen e shtëpisë së aktorit të famshëm, Brad Pitt. Autoritetet dyshojnë se ata janë të përfshirë në një seri vjedhjesh që kanë ndodhur në të gjithë Los Angelesin.

Shefi i policisë së Los Angelosit, Jim McDonnell, tha se të arrestuarit janë pjesë e një grup që po kryente vjedhje në shtëpitë e “banorëve të ndryshëm të profilit të lartë” në të gjithë qytetin, duke shtuar se “disa nga vjedhjet përfshinin shtëpitë e aktorëve dhe atletëve profesionistë”.

McDonnell nuk e përmendi emrin e Pitt, por tha se çështja filloi nga një hetim për vjedhje më 25 qershor të një banori në bllokun 2300 të North Edgemont Drive, që korrespondon me datën dhe vendndodhjen e grabitjes në shtëpinë e aktorit.

Gjatë operacionit u arrestuan katër të rinj të moshës 16–18 vjeç dhe u sekuestruan “shumë sende të vjedhura”. Të dyshuarit dyshohet se janë të dokumentuar ose të lidhur me një bandë kriminale.

Shtëpia e Pitt raportohet se është grabitur ndërsa aktori ndodhej në një turne promovues për filmin e tij më të fundit. m.p.

Përse SHBA po kalon defiçitin më të madh në histori?

Edhe pse të ardhurat nga doganat janë katërfishuar për shkak të tarifave të reja, shpenzimet rekord për përfitime sociale, kujdes shëndetësor dhe interesin e borxhit çuan në deficitin mujor më të madh në historinë e SHBA-së.

Deficiti federal i SHBA-së u rrit në 291 miliardë dollarë (rreth 248 miliardë euro) në korrik, duke shënuar një rritje prej 19% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe një nga rritjet më të mëdha në vitet e fundit, sipas të dhënave të Departamentit të Thesarit.

Kjo është shuma më e madhe e shpenzuar ndonjëherë në muajin korrik, megjithëse disa muaj të tjerë veçanërisht gjatë kulmit të ndihmave financiare për COVID-19 kanë pasur shpenzime edhe më të larta në total.

Edhe pse vendi po fiton më shumë nga tarifat të ardhurat doganore u katërfishuan, duke kaluar nga rreth 7.1 miliardë dollarë (6.06 miliardë euro) në korrik 2024 në rreth 27.7 miliardë dollarë (23.7 miliardë euro) këtë vit kjo nuk mjaftoi për të kompensuar rritjen e mprehtë të shpenzimeve.

Pse po rritet deficiti federal i SHBA-së?

Shpenzimet u rritën për shkak të:

Çeqeve më të mëdha të Sigurimeve Shoqërore,
Kostove të shtuara për Medicare dhe Medicaid,
Pagesave më të larta të interesit për borxhin kombëtar,
si dhe rritjes së shpenzimeve për mbrojtje, arsim dhe kujdes shëndetësor, duke e çuar deficitin e korrikut në nivel rekord.
Kjo shifër e korrikut vjen pas një periudhe të paqëndrueshme të bilanceve mujore të qeverisë federale, e ndikuar pjesërisht nga tarifat e reja të importit dhe veçantitë e kalendarit fiskal.

Në maj, deficiti u ngushtua në 316 miliardë dollarë (269.8 miliardë euro), ose 219 miliardë dollarë (187 miliardë euro) kur rregullohet për ndryshime në kohën e pagesave, pasi të ardhurat nga tarifat e reja doganore sollën një përfitim të hershëm. Në qershor, fillimisht u duk se kishte një suficit të rrallë, por kjo ishte kryesisht iluzion kur rregullohet për pagesat e zhvendosura, muaji në të vërtetë regjistroi një deficit prej 71 miliardë dollarësh (60.6 miliardë euro).

Kthimi i korrikut në një mungesë të thellë financiare nxjerr në pah një realitet më të gjerë fiskal, edhe pse tarifat kanë sjellë dhjetëra miliarda në arkën e Thesarit muajt e fundit, ato nuk kanë ndryshuar çekuilibrin struktural mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Shpenzimet vazhdojnë të tejkalojnë të ardhurat, edhe pse të ardhurat nga doganat janë të forta.

Përveç suficitit të përkohshëm të qershorit, mungesa buxhetore e qeverisë mbetet e konsiderueshme, me rritjen e përkohshme të të ardhurave nga tarifat që nuk mund të frenojë ndikimin e rritjes së qëndrueshme dhe të gjerë të shpenzimeve. Siç tregojnë të dhënat e Thesarit, edhe muajt me të ardhura rekord nga doganat kanë bërë pak për të ngadalësuar ritmin e “të kuqes” buxhetore. m.p.

Pirro Vengu: Po blejmë dy avionë për zjarret

Nga Delvina, ku situata me zjarret është ende e rrezikshme, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se Shqipëria është duke blerë dy avionë që në të ardhme të ketë mundësi të përballojë më mirë situata të ngjashme.

Vengu vlerësoi Mekanizmin Evropian, që këtë herë ka sjellë avionë dhe helikopterë për të ndihmuar Shqipërinë edhe kur në vende e tyre ka pasur problematike të ngjashme.

“Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara për zjarret. Më vjen mirë që jemi të integruar në Mekanizmin Evropian. Kjo vihet re edhe kur janë vendet e tjera në flakë kanë ardhur dhe na kanë ndihmuar. Avionët janë duke u blerë. Ata duhet të prodhohen, është një proces që kërkon kohë. I keni shifrat në buxhet, nuk kemi bërë disbursime pasi nuk kemi lidhur kontratë”, tha Vengu.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha falënderoi policinë e shtetit për punën heroike, teksa shtoi se vijojnë hetimet për të çuar përpara drejtësisë të gjithë personat që kanë ndezur zjarre qëllimisht.

“Koordinimi i strukturave ka qenë i mirë. Ne kemi arritur të stabilizojmë rreth 90% të zjarreve. Jemi këtu për të shprehur gatishmërinë. Policia e Shtetit po heton këto ngjarje. Të gjithë personat që kanë vënë zjarre do të dalin përpara drejtësisë. Janë 12 persona të arrestuar dhe mbi 100 të proceduar. Policia është e dedikuar. E rëndësishme është të kemi një reagim të shpejt. Është rritur zjarrvënia e qëllimshme këtë vit”, tha Hoxha. m.p.

Bayern blen yllin nga Premier League, kushton 60 mln euro

Pasi transferoi Luis Diaz për 70 milionë euro nga Liverpool, Bayern duket se do të bëjë një tjetër goditje të bujshme po në Premier League. “L’Equipe” raporton se klubi bavarez po punon për transferimin e Christopher Nkunku nga Chelsea. Francezi ka përfunduar jashtë planeve të Enzo Maresca-s për sezonin e ri, ndaj po kërkon një ekip tjetër.

Nkunku mbërriti te Chelsea me pritshmëri të larta pasi shkëlqeu në Bundesligë me Leipzig, por dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë e kanë penguar atë të tregojë nivelin që pritej prej tij. Kujtojmë se Chelsea pagoi 80 milionë euro për kartonin e francezit te Leipzig, janarin e vitit 2023.

Në anën tjetër, Bayern e sheh Nkunku si zëvendësuesin ideal të Kinglsey Coman, i cili pritet të transferohet përfundimisht në Arabinë Saudite, për një shifër mes 30-40 milionë euro. Në këtë situatë, profili i Nkunku-s përputhet në mënyrë të përkryer me atë që kërkon Vincent Kompany: shpejtësi, aftësi dribluese, mbi të gjitha, shkathtësi për të luajtur në pozicione të ndryshme sulmuese. Francezi mund të luajë si anësor, mesfushor sulmues apo edhe sulmues i mirëfilltë, duke i dhënë vlerë të shtuar një skuadre që synon të mbrojë titullin kampion në Bundesligë dhe të synojë suksesin në Europë. m.p.

Kjo është mosha kur truri juaj fillon të plaket

Plakja nuk është një proces i lehtë, ajo kërkon pranim, përgatitje dhe përshtatje.

Sipas një studimi të ri nga Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), shkencëtarët kanë përcaktuar saktësisht moshën kur truri ynë fillon të dobësohet më shpejt; dhe pasi dobësimi i njohurive të lidhura me moshën ndjek një progres specifik, të kuptuarit e këtij procesi mund të të ndihmojë të kesh pak ndikim mbi të.

“Të kuptosh faktorët kryesorë që shkaktojnë plakjen e trurit është thelbësore për parandalimin dhe trajtimin efektiv të sëmundjeve neurodegjenerative,” thuhet në studim.

Plakja e trurit zakonisht nis kur hyjmë në moshë të mesme, rreth moshës 40 vjeç.

Hulumtime të mëparshme kanë treguar se rrjetet e trurit kalojnë ndryshime të rëndësishme duke nisur nga fundi i të 40-ave, gjë që mund të shkaktojë efekte që destabilizojnë dhe çorganizojnë funksionet e trurit, thuhet në studim.

Si rrjedhojë, zgjedhjet tona të jetesës në moshë të mesme janë shumë të rëndësishme midis moshave 40 dhe 60 vjeç.

Po ashtu, nëse zakonet e jetesës nuk janë ato që dëshiron, mosha 40-60 vjeç është kritike për ndërhyrje.

Për më tepër, periudha e stresit metabolik, domethënë një balancë e prishur e homeostazës, zgjat zakonisht nga mosha 40 deri në 59 vjeç, duke e bërë këtë periudhë thelbësore për ndërhyrje në moshë të mesme, nëse nevojitet.

Duke përdorur katër grupe të dhënash nga Mayo Clinic Study of Aging, studiuesit identifikuan tri pika kryesore tranzicioni në plakje: në 43.7 vjeç, kur nis destabilizimi metabolik; në 66.7 vjeç, kur ndodh destabilizimi më i shpejtë; dhe në 89.7 vjeç, kur destabilizimi arrin një pikë kulmore.

Rezistenca ndaj insulinës gjithashtu mund të luajë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si zhvillohen këto pika tranzicioni dhe në rritjen e destabilizimit; nëse ke probleme me insulinën, është mirë të kontrollosh dhe menaxhosh simptomat ndërsa plakesh.

Në fund të fundit, stresi metabolik është shkaktari kryesor i dobësimit njohës të lidhur me moshën.

Ai mund të shkaktohet nga shumë zakone të jetesës, mungesa e lëndëve ushqyese, mungesa e aktivitetit fizik dhe stresi kronik janë vetëm disa nga faktorët kryesorë që përcaktojnë se si do të shfaqet stresi metabolik.

Ndërsa plakemi, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për atë që hamë, si trajtojmë trupin tonë dhe si menaxhojmë stresin në jetën tonë.

Sepse, edhe pse plakja është një pjesë e pashmangshme e jetës, zgjedhjet e shëndetshme të jetesës mund ta bëjnë këtë proces më të përballueshëm. m.p.

Tension mbi detin Baltik, dy avionë italianë ndjekin avionin rus

Për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, dy avionë italianë F-35 u ngritën në qiell nga një bazë ajrore në Estoni në përgjigje të avionëve rusë si pjesë e misionit të patrullimit ajror të NATO-s.

Ngritja e dy avionëve italianë u zhvillua si pjesë e një misioni patrullimi ajror të NATO-s. Objektivi ishte identifikimi i një avioni Antonov An-12 me radar të fikur dhe pa plan fluturimi gjatë rrugës për në enklavën ruse të Kaliningradit, mbi ujërat ndërkombëtare në Detin Baltik.

Komanda Ajrore e NATO-s njoftoi se “Task Forca Ajrore Italiane, një detashment i Krahut të 32-të në Bazën Ajrore Ämari, ishte në gatishmëri të shpejtë 24/7” për të tilla situata.

Po ashtu në deklaratë thuhet se F-35 italianë kanë demonstruar angazhimin e Aleancës për të mbrojtur hapësirën ajrore të NATO-s. m.p.

Policia nuk njeh Leonardo DiCaprion në Ibiza

Aktori amerikan Leonardo DiCaprio u përball me një moment të sikletshëm në Ibiza teksa policia nuk e njohu dhe e ndaloi për një kontroll.

50-vjeçar, i cili zakonisht e fsheh fytyrën me maska dhe kapele, u shfaq në një festë private me tekila, por nuk i shpëtoi një inspektimi që ndodh për të gjithë të ftuarit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Leonardo DiCaprio shihet duke pritur radhën e tij për t’u kontrolluar, teksa shoqërohej nga partnerja e tij, modelja 27-vjeçare Vittoria Ceretti.

jë burim i brendshëm i tha ekskluzivisht “Page Six” se urdhri ishte që të kontrolloheshin që të gjithë dhe se aktori nuk bënte përjashtim.

“Çdo person u kontrollua dhe u identifikua”, tha burimi.

DiCaprio e ka zgjedhur Ibizën si destinacionin e tij të pushimeve verore disa herë vitet e fundit. Ai dhe e dashura e tij u fotografuan së fundmi në jahtin e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez. m.p.

Ministria e Mbrojtjes thirrje banorëve: Evakuohuni!

Prej ditësh Shqipëria po përballet me një situatë të pazakontë të zjarreve. Sipas raportimeve të fundit, 37 vatra zjarri janë aktive ku situata në disa zona është emergjente. Në Delvinë dëmet nga zjarri kanë përfshirë disa banesa dhe sipërfaqe toke.

Po në qarkun e Vlorës, në bashkinë Finiq, kryesisht disa fshatra ka patur një situatë të rënduar të përhapjes së flakëve. Ndërkohë në Qarkun Gjirokastër, në drejtim të fshatit Dhuvjan dhe fshatrat Lugar e Frashtan, vatra e cila erdhi nga bashkia e Finiqit u hap në dy fronte në majën e Leftokaresë.

Nuk kanë munguar dhe dëmet në kafshë, ku në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, janë djegur dy stalla bagëtish, 1 lopë, 2 viça dhe 1 kalë.

Probleme edhe në qarkun e Beratit ku në fshatin Vokopolë, bashkia Poliçan, si pasojë e një shkëndije nga shkëputja e linjës së tensionit është aktivizuar një vatër zjarri, ku si pasojë e zjarrit u dogjën 6 banesa, nga të cilat 3 të pabanuara. Po në këtë qark në fshatin Orizaj, bashkia Skrapar janë djegur rreth 100 hektarë me shkurre, ullinj dhe pemë frutore.

Situatë të rënduar ka patur edhe në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë ku vatra e zjarrit ngelet problematike për shkak të pranisë së municioneve, të cilët shpërthejnë herë par here. Përhapja e vatrave të zjarrit ka përfshirë të gjithë vendit, e konkretisht në qarkun e Vlorës, Dibrës, Beratit, Tiranës, Gjirokastrës, Elbasanit, Shkodrës, Kukësit, Korçës dhe Lezhës. m.p.

Takimi i Alaskës, Zelensky: Putin po luan blofin

Ka përfunduar telefonata midis kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump dhe liderëve të Europës. Në përfundim të saj, Kancelari gjerman, Friedreich Merz ka bërë me dije se një armëpushim është i nevojshëm që në fillim, pas të cilit mund të arrihet një marrëveshje kornizë.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e sheh takimin e ardhshëm midis Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaska si një shkëmbim në të cilin “mund të merren vendime të rëndësishme”.

Reagim ka pasur edhe nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. “Objektivi i parë i Trump në takimin me Putinin është të bëjë thirrje për armëpushim”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron pas videokonferencës.

Duke folur në Fort Brègancon pas bisedimeve, Macron shtoi se iniciativa “mbështetet” nga Franca. Presidenti francez theksoi gjithashtu se “shkëmbimi i territoreve” duhet të diskutohet me Kievin.

Sakaq, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë me dije gjatë konferencës me kancelarin gjerman, se Putin po bën bllof dhe se po përpiqet të ushtrojë presion para takimit në Alaskë.

“I thashë Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe të gjithë kolegëve tanë evropianë se Putini po bën blof, se po përpiqet të ushtrojë presion para takimit në Alaskë përgjatë gjithë frontit ukrainas, se Rusia po përpiqet të tregojë se mund të pushtojë të gjithë Ukrainën. Sigurisht, kjo është dëshira e tyre. Ne duhet të përgatisim një format trepalësh për bisedën. Duhet të ketë një armëpushim, së pari, duhet të ketë garanci sigurie vërtet të besueshme. Sot, meqë ra fjala, Presidenti Trump foli për mbështetjen e kësaj dhe për gatishmërinë e Amerikës për të marrë pjesë. Gjithashtu, midis parimeve të dakordësuara, Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje mbi perspektivat evropiane dhe të NATO-s të Ukrainës”, tha Zelenskyy. m.p.

Rashford rrëfen emocionet e para te Barça: Sfida ime e madhe

Marcus Rashford (27 vjeç) dëshiron të përfitojë sa më shumë nga huazimi te Barcelona për ta rilindur karrierën e tij, pas disa viteve të vështira. Sulmuesi anglez u shpreh kështu në episodin e ri të podcast-it të bashkëkombësve të tij, Gary Lineker, Micah Richards dhe Alan Shearer, “The Rest Is Football”: “Është një përvojë e re për mua dhe po e shijoj. Këtu gjithçka është shumë intensive, ndryshe nga futbolli anglez.

Është e vështirë për t’u shpjeguar, por përgatitja parasezonale ka qenë e lodhshme. Ndiheshim shumë të lodhur pas stërvitjeve, edhe koha e nxehtë ndikoi pak. Nuk është e vështirë në aspektin e vrapimit, por më shumë në ushtrimet e posedimit dhe të qëndrimit konstant me topin. Është më e komplikuar nga ky këndvështrim në terma intensiteti. Po pres me padurim që të fillojë sezoni dhe të luaj kundër ekipeve të reja”.

Lineker i tregoi Rashford-it një video të klasave të tij të spanjishtes nga koha kur ishte futbollist i Barcelonës. Sulmuesi u shpreh se “dëshiron të jetë konstant” në mësimin e gjuhës për ta lehtësuar adaptimin në skuadër. Numri i ri ‘14’ blaugrana gjithashtu pranoi se ishte “i emocionuar” për të nisur sfidën e të luajturit te Barça dhe theksoi se përvoja e huazimit tek Aston Villa mund ta ndihmojë të përshtatet, pas gjithë jetës së kaluar në “Old Trafford”:

“Te Barcelona ka lojtarë si Frenkie (De Jong) apo Jules (Koundé), që flasin shumë mirë anglisht dhe janë këtu prej vitesh. Në fushë është më e lehtë se sa mendoja. Futbolli ka një gjuhë unike, nëse kuptohesh në fushë, është e lehtë të komunikosh”.

Lineker e pyeti Rashford për shokët e tij të skuadrës dhe cilësinë e tyre në stërvitje: “Të gjithë janë shumë të talentuar, por më ka habitur shumë ajo që bëjnë në fushë, luajnë futboll në ritmin e tyre. Është mënyra si janë zhvilluar, është diçka ndryshe. Shikon dikë si Pedri, 22 ose 23 vjeç. Është shumë i ri, por tashmë ka përvojë të madhe duke luajtur në një nga klubet më të mëdha të botës, në ndeshjet më të mëdha”.

Përsa iu përket objektivave të tij, Rashford tha: “Natyrisht dua një sezon të mirë individual. Megjithatë, nëse duhet të zgjedh midis aspektit personal dhe fitimit të trofeve me Barcelonën, zgjedh të dytën”. m.p.

Shtëpia e Bardhë kërcënon të pastrehët me burgim

Me urdhër të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, trupat e Gardës Kombëtare kanë zënë pozicione në Uashington. Sipas Pentagonit, Trump ka mobilizuar gjithsej rreth 800 trupa të Gardës Kombëtare. Trump e justifikoi vendosjen me një “emergjencë” të supozuar sigurie në Uashington.

Megjithatë, kryetarja e bashkisë Muriel Bowser theksoi se krimi është në nivelin më të ulët në 30 vjet.
Përveç kësaj, Trump e ka vënë policinë e Uashingtonit nën kontrollin e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe ka mobilizuar agjentë të FBI-së në kryeqytet. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se rreth 850 oficerë ofruan siguri gjatë natës së të martës dhe arrestuan 23 persona.

Akuzat varionin nga vepra të rënda penale si vrasja ose posedimi i paligjshëm i një arme zjarri deri te vepra më të lehta penale si shmangia e pagesës së tarifës ose drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit.

“Ky është vetëm fillimi”, tha Leavitt. Muajin e ardhshëm, administrata Trump do të ndjekë “çdo kriminel të dhunshëm” në Uashington. Trump tha të hënën se dëshiron të mbrojë kryeqytetin e SHBA-së nga “krimi, gjakderdhja, kaosi, mjerimi dhe më keq”. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth i tha Fox News se vendosja e Gardës Kombëtare mund të zgjasë me javë ose muaj, varësisht nga vullneti i Trump. Me ndihmën e një dekreti emergjence, presidenti gjithashtu mund ta vendosë policinë lokale nën kontrollin e qeverisë për 30 ditë.

Shtëpia e Bardhë po i kërcënon njerëzit e pastrehë në Uashington me burgim. Ata që preken duhet të çohen në strehimore për të pastrehët për të marrë ndihmë me varësinë ose sëmundjet mendore nëse është e nevojshme, tha zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp. m.p.

Fermeri përdhunoi për dy dekada gruan dhe vajzën e mitur

Një ngjarje tronditëse raportohet se ka ndodhur në Zelandën e Re. Një fermer qumështi po përballet me çështjen në të cilën akuzohet për përdhunimin e gruas dhe vajzës së tij të mitur (thjeshtër), për dy dekada. Gjithashtu ai akuzohet edhe për ‘zoofili’, kryerjen e marrëdhënieve seksuale me lopë dhe viça.

Akuzat pretendojnë se i pandehuri i tha gruas së tij se kishte kryer marrëdhënie seksuale me lopë dhe e detyroi atë që të shikonte.

Autori, sipas Daily Mail, është në gjyq në Gjykatën e Distriktit Whangārei, me gjithsej 38 akuza për abuzim seksual, përfshirë 15 për përdhunim, një për marrëdhënie seksuale me lopë dhe një për akte të pahijshme me viça.

Vajza e tij dëshmoi se abuzimi filloi kur ajo ishte nën 10 vjeçe dhe vazhdoi pothuajse çdo natë për dhjetë vitet e ardhshme. Ajo vlerëson se pati gati 300 përdhunime. Sipas prokurores Geraldine Kelly, vajza u lehtësua kur njerku i saj bëri një vazektomi, pasi ajo kishte frikë se do të mbetej shtatzënë para se të mbushte 12 vjeçe.

Ai tha se besonte se përdhunimi nuk ekziston, duke pretenduar se “të gjitha gratë përfundimisht dorëzohen dhe e shijojnë atë”.

Avokati i fermerit i quajti akuzat për dhunë seksuale ndaj kafshëve “absurde”.

Trump e kërcënon Moskën me pasoja para takimit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një “takim i dytë i shpejtë” me Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn ka të ngjarë të pasojë samitin dypalësh të së premtes në Alaska, në rast se ai rezulton konstruktiv.

Duke folur në Qendrën Kennedy në Uashington dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Donald Trump tha se takimi i parë me Putinin do të jetë kryesisht “për të parë se ku jemi dhe çfarë po bëjmë”.

“Nëse takimi shkon mirë”, tha ai, atëherë do të ketë një takim të dytë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “dhe mua, nëse ata duan që unë të jem atje”.

Presidenti amerikan sqaroi, megjithatë, se ky takim i dytë nuk është i garantuar. “Mund të mos ketë një takim të dytë, sepse nëse gjykoj se nuk është e përshtatshme ta zhvillojmë, sepse nuk mora përgjigjet që duhej, atëherë nuk do ta zhvillojmë”, vuri në dukje ai.

Gjatë konferencës për shtyp, Donald Trump u pyet nëse Rusia do të përballej me pasoja në rast se Vladimir Putin nuk do të pranonte të ndalonte luftën në Ukrainë pas takimit të tyre në Alaska. “Po, do të ketë. Do të ketë pasoja”, u përgjigj në mënyrë kategorike presidenti amerikan.

Kur u pyet nëse këto pasoja do të përfshinin sanksione apo tarifa, Trump u kufizua duke thënë: “Nuk kam pse ta them këtë, do të ketë pasoja shumë serioze”.

Trump foli gjithashtu për videokonferencën e sotme me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë, duke e përshkruar atë si “shumë të mirë”. “Do t’i jepja një notë 10”, tha ai.

Këto deklarata të tij vijnë në një kohë veçanërisht kritike, pasi pritjet ndërkombëtare për një armëpushim në Ukrainë mbeten të larta, por pasiguria rreth rezultatit të takimit në Alaska është po aq intensive. m.p.

Vuçiç: S’do kandidoj më për President! Nuk jam diktator

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar së fundmi se nuk ka ndërmend të kandidojë sërish për të njëjtin post. Vuçiç u shpreh se mandati i tij do të përfundojë për një vit e gjysmë ndërsa shtoi se ai nuk është një diktator siç e paraqesin. Vuçiç e quan veten një veteran politik.

“Karrierën time si president do ta përfundoj për një vit e gjysmë. Unë jam një veteran politik dhe nuk mund të kandidoj më për president, dhe as që më shkon ndër mend të ndryshoj Kushtetutën për ta bërë këtë. Nuk jam diktator, siç më paraqesin zakonisht në mediat austriake.”-tha ai.

Presidenti i Serbisë nuk dha një datë të saktë për zgjedhjet ndërsa theksoi se do të shpallen përpara afatit të parashikuar me ligj. Aleksandër Vuçiç deklaroi se kjo është në kompetencë të institucioneve shtetërore.

“Do të ndihmoj dikë dhe do të luftoj që ata që mendoj se mund ta çojnë Serbinë përpara të kenë sukses në zgjedhje, këtë do ta bëj patjetër. Nga cilat pozita, kjo nuk është temë tani, dhe as nuk mund ta them.”-deklaroi ai. m.p.

Tirana regjistroi ditën më të nxehtë në histori!

Tirana ka regjistruar të hënën ditën më të nxehtë në histori, gjithashtu edhe dita më e nxehtë e Gushtit deri tani.

Të hënën më 11 gusht 2025, termometri shënoi temperaturën 43.6 gradë Celsius.

Edhe në Durrës u shënua temperaturë e lartë, 42.4 gradë Celsius.

Për shkak të këtyre temperaturave jo tipike për vendin tonë, por që janë rrymat e nxehta afrikane, Shqipëria po digjet nga zjarret anembanë vendit prej disa ditësh, ku situata më alarmante është në jug.

Nga zjarret në vendin tonë është regjistruar një viktimë, në zonën e Gramshit, të martën. m.p.

❌