Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Berati, qytet me shpirt

“Ka qytete që kanë shpirt: janë pikërisht ata që kanë një të kaluar. Nga kjo pikëpamje, qytetet u ngjasojnë njerëzve.” – “Qytete dhe fantazma”, Jovan Duçiq

Ka qytete që i sheh dhe të duken thjesht si grumbull gurësh, rrugësh dhe ndërtesash. Pastaj ka të tjera që, sapo i shkel, ndien se diçka e padukshme të përfshin: një frymë, një kujtesë, një prani që nuk shpjegohet me arkitekturë apo me histori të shkruar në libra. Këto janë qytetet me shpirt. Duçiq thotë se ato janë pikërisht qytetet që kanë një të kaluar, dhe, si njerëzit, bartin plagët, gëzimet, kujtimet dhe legjendat e tyre.

Berati është një nga këto qytete. Ai nuk është vetëm një vendbanim i lashtë i ngritur mbi kodra, por një organizëm i gjallë, ku çdo gur, çdo shkallë guri, çdo dritare e drunjtë, çdo kryq apo çdo minare ka diçka për të treguar. Teksa ngrihesh në mëngjes, e sheh qytetin teksa zgjohet ngadalë nga një ëndërr shekullore. Shtëpitë e bardha, të ngjeshura si të mbështetura tek njëra-tjetra për ngrohtësi, i ngjajnë njerëzve që pëshpërisin me njëri-tjetrin.

Shpirti i Beratit është i ndërtuar mbi shtresa kohe. Aty gjenden gjurmët ilire, gjurmët romake, muret bizantine, minaret osmane dhe shenjat e pakta të hebrenjve që gjetën strehë këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore. Secila periudhë ka lënë shenjat e veta, çka e bëjnë qyretin jo vetëm një shtresëzim kulturash, por edhe ëndrrash dhe kujtimesh.

Në rrugicat e kalldrëmta, këmbët të çojnë pa e kuptuar drejt lagjeve muzeale. Nga aty, shikimi shtrihet mbi çatitë me tjegulla të kuqe dhe mbi lumin që ndan qytetin mëdysh. Është një pamje që të kujton se shpirti i një qyteti nuk është vetëm tek ajo që duket, por edhe tek ajo që nuk shihet – tek fjalët e munguara, tek heshtjet e brezave, tek legjendat e rrëfyera.

Ashtu si njerëzit, Berati ka plagët e tij. Ka kaluar pushtime, shkatërrime, ndryshime të mëdha politike e shoqërore. Por, si çdo njeri me shpirt të fortë, ai i ka përballuar dhe i ka shndërruar në histori. Kjo e bën të ndryshëm nga qytetet pa kujtesë, që rriten shpejt, por nuk mbajnë dot rrënjë.

Në fund, kur e lë pas, Berati nuk mbetet thjesht një vend i bukur që ke vizituar. Ai të ndjek, të shfaqet në kujtesë si një fytyrë e njohur, me të cilën ndan një sekret. Dhe ky është testamenti më i fortë i shpirtit të tij, se, njësoj si njeriu, ka diçka brenda që nuk vdes kurrë. (NAMIR LAPARDHAJA) m.p.

Crystal Palace mposht Liverpool-in dhe fiton Community Shield

Crystal Palace ka fituar Community Shield, duke mposhtur në finale Liverpool-in, nga pika e bardhë e penalltive 3-2, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 2-2.

Crystal Palace fitoi FA Cup sezonin e kaluar ku mundi në finale Man. City, ndërsa Liverpool është kampioni në fuqi i Premier League. Ekipi i drejtuar nga Arne Slot e nisi finalen në mënyrë të shkëlqyer duke kaluar në avantazh vetëm pas 5 minutash lojë. Dy blerjet e bujshme të kësaj vere, Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike, kombinuan në mënyrë perfekte mes tyre dhe sulmuesi i ardhur nga Eintracht Frankfurt për 95 milionë euro në total, dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën e 15-të, kapiteni Van Dijk pengon brenda zonës Ismaila Sarr, arbitri jep penallti. I zakonshmi Jean-Philippe Mateta tregohet i saktë nga 11-metrat dhe barazon shifrat përkohësisht.

Në minutën e 20-të, blerja tjetër e kësaj vere, Jeremie Frimpong shënon një gol aspak të zakonshëm, pasi topi i nisur për krosim, përfundon në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-2 për të kuqtë.

Në minutën e 77-të, Ismaila Sarr do të përfitonte nga një mungesë vëmendjeje e mbrojtjes së Liverpool dhe sidomos kapitenit Van Dijk dhe barazoi shifrat 2-2. Koha e rregullt u mbyll në barazim. Ekipet iu drejtuan “ruletës ruse”, aty ku ekipi i drejtuar nga Oliver Gasner u tregua më i saktë, duke fituar me shifrat 3-2.

Për të kuqtë gabuan, Salah, Mac Allister dhe Harvey Elliott. Salah goditi jashtë, ndërsa goditjet e Mac Allister dhe Elliott u pritën nga Dean Henderson. m.p.

Kush është Mefail Shkodra, u mori jetën 3 personave në Gjilan

Mefail Shkodra, i akuzuar si autori i vrasjes së trefishtë në Gjilan, është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në qershor të vitit të kaluar, ai u vu në pranga bashkë me të birin.

“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro“, thuhej në njoftimin e 21 qershorit 2024 të Policisë së Kosovës.

Shkodra dyshohet se sot rreth 12:32 në rrugën “Ibrahim Rugova”, qëlloi për vdekje një burrë së bashku me të birin dhe dhëndrin dhe la të plagosur një tjetër. Paraprakisht dyshohet se ‘fajdet’ ishin shkaku, megjithatë pritet zbardhja e ngjarjes nga grupi hetimor.

Premtimi i bujshëm që Perez i ka bërë Modric, pas transferimit te Milan

Pas një dekade suksesi të jashtëzakonshëme me Real Madridin, mesfushori kroat Luka Modric u largua këtë verë si lojtar i lirë dhe u transferua te Milan. Pavarësisht largimit të tij, lidhjet e Modric me klubin madrilen mbeten të forta.

Sipas disa mediave spanjolle, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i hapur për të mirëpritur rikthimin e Modric, por këtë herë në një rol të ri, jo më si lojtar. Sipas “Defensa Central”, Modric i ka treguar Perez-it dëshirën e tij për të filluar karrierën si trajner në të ardhmen e afërt.

Presidenti i “Los Blancos” u përgjigj pozitivisht, duke i premtuar Modric-it se dyert e Real Madridit do të jenë gjithmonë të hapura për të që të fillojë udhëtimin e tij në akademinë e të rinjve, duke ndjekur gjurmët e legjendave të klubit si Raul Gonzalez, Guti, Zinedine Zidane dhe trajneri aktual Xabi Alonso.

Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer me madrilenët, Modric luajti 842 ndeshje në të gjitha garat, shënoi 89 gola dhe dha 140 asiste, duke kontribuar drejtpërdrejt në 229 gola. Ai mbetet një nga lojtarët më ikonikë dhe më të dekoruar në historinë e Real Madridit, me 28 trofe të fituar dhe gëzon respektin maksimal nga të gjithë tifozët. m.p.

Breshëri plumbash mes dy automjeteve në Tetovë, një i vdekur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Tetovë.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shkëmbimi me armë zjarri mes dy automjeteve në kryqëzimin e rrugës “Ilinden” me rrugën “Bllagoja Toska”. m.p.

Kurseu 800,000 euro, por u pendua: Është tragjike…

Një burrë japonez kaloi mbi dy dekada duke jetuar në kushte ekstreme për të arritur lirinë financiare, por një zhvlerësim i fortë i jenit ia shkatërroi ëndrrën. Historia e tij është bërë virale në Azi, duke ndezur debate mbi koston e jetës së kursyer në mënyrë ekstreme.

Në moshën 25-vjeçare, ai nisi punën në një kompani me stabilitet, por me orare rraskapitëse. Me rreth 29 mijë euro në vit, vendosi të kursente çdo qindarkë, duke jetuar në një dhomë kompanie për vetëm 175 euro në muaj, pa ngrohje e ajër të kondicionuar, dhe duke ngrënë darka minimale – shpesh vetëm turshi, oriz dhe perime të kripura.

Për 20 vite e 10 muaj, ai jetoi me idenë: “Do të tërhiqem patjetër nga puna”, duke iu përkushtuar vetëm kursimeve. Në janar 2025, arriti objektivin: 135 milionë jenë, afro 785 mijë euro. Por gëzimi zgjati pak. Në mesin e vitit, jeni pësoi një rënie të ndjeshme, duke i ulur ndjeshëm vlerën e kursimeve. “Pse kam punuar gjithë këto vite? Është e kotë, është tragjike”, shkroi ai.

Sot, në moshën 45-vjeçare, jeton më rehat se më parë, por me pasiguri për të ardhmen. Nuk dëshiron të kthehet në punë, por as nuk mund të rikthehet në stilin e jetesës së dikurshme. Ekspertët e shohin historinë e tij si një paralajmërim për rreziqet e kursimit ekstrem pa diversifikim investimesh. Ai vetë e pranon: “Nuk pendohem për objektivin, por për faktin që nuk shijova rrugën drejt tij.” m.p.

Vrau 3 persona në Gjilan, autori ka foto me Osmanin dhe Kurtin

Mefail Shkodra, i dyshuar për vrasjen e dy personave sot në Gjilan, është shapllur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Policia e Gjilanit po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta kapur atë, duke publikuar fotografinë e tij me autorizim të Prokurorisë.

Mirëpo, në mediat e Kosovës përveç fotos të publikuar nga autoritetet po qarkullon edhe një fotografi e tij me krerët më të lartë të shtetit, si kryeministrin në detyrë, Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani. m.p.

“Te Bayern po kaloja në depresion, shpëtova nga Liverpool”

“Nëse ne nuk do të ishim duke jetuar me të në Mynih, do të binte në depresion”. Kështu janë shprehur prindërit e mesfushorit Gravernberch, duke iu referuar periudhës kur djali i tyre luajti te Bayern.

Vetë holandezi ka shprehur keqardhjen e tij për muajt më të vështirë të jetës së tij.

“Kam vuajtur shumë mendërisht. Nagelsmann më linte tri ndeshje radhazi pa luajtur asnjë sekondë. Thjesht shihja ndeshjet dhe ndihesha keq. Fituam titullin, por nuk ndihesha kampion, sepse nuk kisha bërë asgjë. Ka qenë periudha më e vështirë në jetën time, por pata fatin që kisha pranë prindërit. Transferimi te Liverpool më shpëtoi nga depresioni”. m.p.

Havzi Nela, poeti përkujtohet ekzekutimi nga regjimi! “Jeton si simbol i lirisë”

Ishte mëngjesi i 10 gushtit 1988, kur poeti Havzi Nela u var publikisht në sheshin “Agjencia” në Kukës, një ngjarje që tronditi vendin dhe mbetet një nga momentet më të rënda të diktaturës.

Sot, 37 vjet ekzekutimit të tij, ai përkujtohet pranë bustit të ngritur në nder të figurës së tij në Kukës, ku përfaqësues të Partisë Demokratike të Kukësit, familjarë dhe ish-të përndjekur politikë vendosën kurora me lule.

Në fjalën e saj, bashkëshortja Lavdie Nela kujtoi qëndrueshmërinë e poetit, ndërsa vërejti se ai ka dhënë shpirtin me kokën lart.

“Diktatura komuniste e pashpirt nuk mendoi për jetën e poetit, se ai e donte lirinë. Sot pas 37 vitesh drejtësia nuk ka thënë fjalën e saj as për poetin, as për vuajtjet e mia. Havziu nuk u përkul kurrë, as para litarit, as para diktaturës. Ai vdiq si poet, por jeton si simbol i lirisë”,- tha ajo.

Deputeti Klevis Balliu theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe dënimit të komunizmit, ndërsa kryetari i PD-së lokale, Rraman Demaj, e quajti Nelën “një nga simbolet më të forta të rezistencës antikomuniste”.

“PD është sot në mbështetje më shumë se kurrë të çdo luftëtari të lirisë, i cili nuk ka prej kujt të frymëzohet më shumë se nga Havzi Nela. Ai nuk e step asnjë sekondë nga ajo që ndiente si gjëja më hyjnore në botë, që ishte liria”,- tha Balliu.

Ceremonia përkujtimore përfundoi me një minutë heshtje dhe vendosjen e luleve në nder të poetit të lirisë. m.p.

Turizmi, sa kushtojnë dhomat e hoteleve nga jugu në veri

Hyrjet e të huajve në vend janë raportuar në rritje, ndonëse të dobët, gjatë pjesës së parë të këtij viti, por strukturat hoteliere dhe operatorët turistikë shprehen se kjo nuk po reflektohet në bregdet. Sipas tyre, profili i turistit që po viziton Shqipërinë nuk është ai që kërkon plazhet dhe detin me ditë të tëra, por ai që kërkon të marrë maksimumin me kosto sa më të ulët dhe të eksplorojë sa më shumë.

Në javën e parë të korrikut, panorama u bë më e qartë dhe mungesa në plazhe, të cilat mbusheshin plot vetëm në fundjava, solli një ulje zinxhir të çmimeve të hoteleve, si dhe fushata agresive sponsorizimi në rrjete sociale. Nga Saranda në Ksamil, Vlorë dhe Himarë çmimet u rishikuan me rënie 10-25%. Borshi dhe Qeparoi ishin të vetmit në rritje për shkak të kërkesës, teksa Durrësi dhe Golemi mbeten rajoni me raportin më të mirë çmim/shërbim. Velipoja dhe Shëngjini, që po mbajnë turizmin patriotik, mbeten ende ekonomike me lëvizje të lehta në segmentin e hoteleve të shtrenjta.

Ema dhe bashkëshorti i saj kanë zgjedhur çdo vit Ksamilin për të pushuar. Plazhi aty është më i përshtatshëm për familjet me fëmijë. Çmimet e kripura i kishin detyruar që qëndrimet tre vitet e fundit t’i kishin të shkurtra, por këtë vit, mes dilemave, nisën sërish kërkimin për një apartament në fund të qershorit.

Çuditërisht, opsionet ishin të shumta dhe me çmime ekonomike, madje me çmimin e një apartamenti tani mund të gjente një hotel cilësor.

Kërkimet për pushimet e gushtit vijuan deri në fund të korrikut dhe çmimet ishin sërish të leverdishme, por edhe disponueshmëria e lartë, diçka aspak e zakonshme për këtë periudhë.

Në fund, një javë pushime në fillim të gushtit, një hotel me standardin tre yje mund ta gjesh edhe për 550 euro, kurse vila dhe apartamente mund të gjesh shumë më lirë edhe nëse rezervimin e bën sot për nesër.

Operatorët turistikë thonë se janë dy arsyet që po diktojnë çmimet e hoteleve në bregdet gjatë këtij viti.

Së pari, hyrja në treg e strukturave të reja hoteliere dhe apartamenteve me qira afatshkurtër; së dyti, profili i turistit që po viziton Shqipërinë.

Shenjat e para të një sezoni veror ndryshe nga tre të fundit u dhanë në maj dhe qershor, kur rezervimet individuale për Vlorën dhe Sarandën ishin më të ulëta se një vit më parë.

Qartësisht, situata u pa në javën e parë të korrikut, kur pavarësisht se në atë që njihet si pik, të vetmet që kishin një fluks turistik ishin fundjavat.

Kjo duket se bëri që hotelet të reflektonin dhe të aplikonin ulje të lehta çmimesh dhe njëkohësisht të bëheshin më agresive me reklamat në rrjete sociale nëpërmjet fushatave të sponsorizuara.

“Monitor” edhe këtë vit bisedoi me operatorë turistikë, struktura hoteliere si dhe krahasoi të dhënat në platformat e Booking dhe Airbnb për të parë çmimet këtë sezon, duke marrë çmimet mesatare më të ulëta dhe më të larta për një strukturë akomoduese të regjistruar formalisht dhe të kategorizuar.

Referencë merret dhoma dyshe për një natë në periudhën 15 korrik – 20 gusht.

Çmimet nuk janë tregues i nivelit më të ulët të mundshëm, por i një mesatareje të kombinuar të çmimeve më të lira që jepen nga tregu dhe platformat online dhe kjo vlen edhe për referencën mesatare të lartë.

Kush i uli çmimet e hoteleve, si po ndikon Kosova, diaspora dhe të huajt

Në përgjithësi, Jugu i vendit ka pasur një sezon veror më të vakët këtë vit. Strukturat hoteliere dhe operatorët turistikë thonë se kjo lidhet me disa faktorë.

Së pari po mungon shtesa e mesme e Kosovës, e cila ishte e gatshme të paguante pak më shumë dhe zgjidhte Jugun.

Këta të fundit, falë liberalizimit të vizave, por edhe zhvlerësimit që Euro ka pësuar përballë Lekut, kanë zgjedhur të eksplorojnë destinacione të reja.

Së dyti, shtresa e mesme në vend, e cila edhe ajo parapëlqente Jugun, ka pasur tendencën për të zgjedhur destinacione ekonomike në vende të tjera, të cilat kanë qenë mjaft agresive në konkurrencë.

Së treti, turisti i huaj që po viziton Shqipërinë nuk është ai që pëlqen pushimet pasive pranë detit dhe rërës.

Janë turistë europianë, kureshtarë, që e kanë parë Shqipërinë të reklamuar si një vend të lirë, që ofron shumë dhe për këtë arsye duan të marrin maksimumin me një kosto sa më të ulët.

Ndaj turistët e huaj nuk janë ata që masivisht i gjen te shezlonet, por në rrugët e qyteteve, në vendet me natyrë, në gjire me pak njerëz, në plazhe publikë, në parqe, kala e muze.

Pikërisht nga këto tre zhvillime, hotelet këtë vit nuk patën fluksin tipik të tre viteve të fundit dhe pikërisht kjo nxiti reflektim të strukturave që sipas operatorëve turistikë aplikuan një rishikim mesatar mes 5-25% të çmimeve.

Bëhet fjalë për strukturat me çmime mesatare dhe të larta dhe kryesisht të vendosura në pjesën e Jugut të vendit nga Vlora e në vazhdim.

Ndërkohë Durrësi ka vijuar të mbetet vendi më i frekuentuar nga turizmi i rërës dhe detit. Arsyet janë disa.

Së pari, si efekt i tipologjisë së bregdetit dhe strukturave akomoduese; së dyti, nga një raport më i mirë çmim/shërbim; dhe së treti, nga segmenti i turistëve të organizuar që kanë qenë me kontrata të parablera që vitin e shkuar.

Pjesa më veriore e vendit vijon të mbetet me çmime ekonomike, edhe pse fillimi i aktivitetit të disa strukturave të reja akomoduese që ofrojnë standard më të lartë shërbimi ka shtrenjtuar mesataren e sipërme të hoteleve.

Bregdeti i Shëngjinit dhe Velipojës kanë pasur këtë verë pjesën kryesore të atij që njihet si turizëm patriotik, që ka të bëjë më shumë me Kosovën.

Golemi dhe Durrësi i rezistojnë lëkundjes së verës, çmimet më ekonomike në vend

Durrësi dhe Golemi mbeten dy rajonet me raportin më të mirë çmim/shërbim.

Pavarësisht se për strukturat me kapacitet akomodues të konsiderueshëm, fokus kanë qenë nënshkrimi i kontratave me garanci për turizmin e organizuar kryesisht polakë, çekë, spanjollë në Gjirin e Lalëzit, turizmi individual është, edhe në këtë rast, ai që mban peshën kryesore.

Investimi në apartamente të dyta, vila me shumë dhoma për t’i kthyer në hotele apo edhe struktura hoteliere me kapacitet më të kufizuar, ka rritur ndjeshëm mundësinë për akomodim.

Operatorët turistikë thonë se ajo që po vihet re këtë verë është një ulje e çmimeve të mesatares së poshtme brenda sezonit, që ka të bëjë më shumë me tërheqjen e turistit nga Kosova, i cili po zgjedh gjithmonë e më shumë Veriun e vendit.

Ky rishikim korrigjon disi edhe humbjen nga zhvlerësimi që ka pësuar Euro përballë Lekut, ku bizneset kanë marrë përsipër që të heqin dorë nga marzhi i tyre i fitimit vetëm për t’u bërë tërheqës.

Kryesisht bëhet fjalë për hostele dhe vila me shumë apartamente që e kanë bërë që mesatarja e çmimeve minimale të nisë nga 35 euro nata për një dhomë dyshe.

Krahasuar me një vit më parë, mesatarja e çmimit të ulët ka pësuar ulje me 12.5%.

Ndërkohë strukturat e mëdha kanë shtuar opsionin “të gjitha të përfshira” duke qëndruar në mesataren e sipërme të çmimeve për 200 euro nata ndërsa ata që ofrojnë vetëm mëngjes, në një mesatare 180 euro, çka i përgjigjet një uljeje me 5% të çmimit.

Ksamili dhe Saranda reflektojnë njëkohësisht, ulin çmimet në korrik me 10-25%

Ksamili dhe Saranda që në vite të ndryshme u bënë kartolina turistike e Shqipërisë për verën zgjodhën që dy vitet e fundit t’i fokusonin shitjet te platformat online.

Tërheqja e turistëve individualë nga tregjet europiane u pa si një mundësi më e mirë sesa angazhimi me një turizëm të organizuar që ka qenë gjithmonë i modës për këtë rajon.

Precedenti i një viti më parë kur çmimet u rritën para sezonit dhe ulja e rezervimeve bëri që ky vit të niste me çmime të njëjta si sezonin e kaluar, por mungesa e fluksit ka bërë që në 10-ditëshin e parë të korrikut, çmimet të rishikoheshin sidomos në platformat online.

Operatorët turistikë të këtij rajoni pohojnë se për Sarandën, çmimi mesatar i poshtëm për një dhomë dyshe në një hotel është ulur në 50 euro, me një ulje me 17% në raport me një vit më parë, ndërsa mesatarja e sipërme është ulur me 25%.

Ksamili, nga ana tjetër, ka rishikuar me një ulje që luhatet në nivelet 12% për mesataren e sipërme të një dhome dyshe hoteli për rezervimet e gushtit, ndërkohë që mesatarja poshtme është ulur në 12%.

Edhe në këtë rast, për të dy rajonet, përveç një sezoni më të zbehtë në det nga ana e turistëve që po vizitojnë Shqipërinë, ndikim ka pasur edhe hyrja apo formalizimi i më shumë apartamenteve me qira ditore në treg, si dhe disa hotele të reja.

Kërkesa shtrenjton Borshin e Qeparoin, tregu rregullon Vlorën, Himara çmime më të mira

Një vit më parë, në Jug, Borshi ishte zona më ekonomike e bregdetit, të paktën në listën e fshatrave që nisin nga Palasa, Dhërmiu, Jali, apo Qeparoi.

Vija bregdetare e shtrirë dhe tipologjia që kanë bizneset së bashku me çmimet e bënë këtë rajon të preferuarin e familjarëve, por jo vetëm në vitin 2024.

Kjo ishte dhe arsyeja pse në fillim të sezonit, Borshi u piketua si një destinacion me rezervime të reja nga familjarët që donin të shmangnin Sarandën, Ksamilin.

Rritja e kërkesës, ende pa nisur rezervimet, duket se rriti automatikisht edhe çmimet, të cilat këtë shënuar rritje.

Kështu mesatarja e poshtme e çmimeve u rrit me 8%, ku një dhomë dyshe për një natë kushtonte 70 euro në një strukturë hoteliere nga 65 euro që ishte një vit më parë.

Ndërkohë që mesatarja e sipërme mbeti e pandryshuar. Qeparoi është një tjetër fshat që ka pasur rritje kërkese, por ndërkohë numri i subjekteve akomoduese mbetet i kufizuar.

Kjo ka bërë që edhe ky rajon të ketë rritje me 25% të atyre që konsiderohen si struktura me çmime të lira dhe 16% për ato që janë struktura me çmime mesatare të shtrenjta.

Dhërmiu, nga ana tjetër, ka mbetur thuajse njëlloj si vitin e shkuar me një ulje të lehtë në mesataren e poshtme të çmimeve, prej vetëm 5 eurosh.

Kjo qëndrueshmëri në të njëjtat nivele, lidhet me tipologjinë që ka fshati dhe mënyrën sesi është zhvilluar, ku hotelet vijojnë të mbeten në numër të kufizuar dhe kapaciteti është aktualisht i vendosur më shumë në banesa të përshtatura si hotele.

Krejt e kundërta ka ndodhur me Himarën. Kjo e fundit, edhe pse ka pasur një preferencë më të lartë të të huajve që e duan për jetën e natës, ambientin familjar dhe plazhet publike, sërish ka reflektuar me ulje çmimesh.

Operatorët turistikë vlerësojnë se në këtë rast kemi të bëjmë me një rregullim të tregut, ku formalizimi në njërën anë dhe konsolidimi i strukturave ekzistuese kanë bërë që tregu të reflektojë në bazë të këtyre zhvillimeve.

Në Himarë ka një ulje me 25% të mesatares së poshtme të çmimeve dhe një ulje me 10% të mesatares së sipërme.

E njëjta gjë duket se ka ndodhur me Vlorën, ku strukturat e reja që kanë hyrë në treg vitet e fundit e kanë bërë konkurrencën më agresive, si dhe kanë vendosur një qasje më realiste të çmimeve.

Në Vlorë, çmimet e mesatares së poshtme u ulën me 20%, ndërsa mesatarja e sipërme ka pësuar përgjysmim.

Kjo më së shumti lidhet me faktin që në mesataren e sipërme, në platforma shiteshin vetëm variantet luksoze dhe suitat, ndërkohë që tashmë mundësia për dhoma standarde dyshe është rritur.

Shëngjini dhe Velipoja rrisin çmimet “për luksin”, por jo për pushuesit ekonomikë

Të huajt në Veri parapëlqejnë të vizitojnë destinacionet malore me natyrë dhe aventurë. Plazhi mbetet pak i frekuentuar duke e bërë atë më së shumti një epiqendër të vendasve dhe shqiptarëve të Kosovës që duan çmime më të mira ofrojnë rajonet, qoftë në akomodim edhe në konsum bar-restorant.

Por duket se investimet në struktura të reja akomoduese, që kanë rritur segmentin cilësor, janë shoqëruar me rishikimin e çmimeve mesatare të larta.

Kështu sipas të dhënave, çmimet në mesataren e poshtme kanë pësuar rënie me 10% në Velipojë, ku një dhomë standarde dyshe mund të gjendet për 40 euro, teksa kanë rritur me afërsisht 5% çmimet mesatare të sipërme.

Në Shëngjin, nga ana tjetër, çmimi minimal i poshtëm ka mbetur njësoj me 45 euro nata për një dhomë dyshe në një strukturë akomoduese, teksa çmimi mesatar i sipërm është rritur me mbi 15% por duke shtuar këtu opsionin e darkës.

Pa këtë opsion, çmimet mbeten të njëjta si një vit më parë, 120 euro/nata. (MONITOR) m.p.

“Po çlodh kockat e mia para se të shkoj 30”, Dua Lipa pushon në Shqipëri

Vera e ka gjetur sërish në Shqipëri këngëtaren me famë ndërkombëtare Dua Lipa.

Pas festivalit Sunny Hill në Kosovë, Dua Lipa sëbashku me partnerin e saj Calum Turner dhe familjen e Këngëtares, u nisën drejt jugut të Shqiëprisë.

Për të disatin vit radhazi Dua zgjedhe jugun e Shqipërisë, në një nga vilat dhe zonat më luksoze në vend, të kalojë disa ditë pushime. m.p.

Çopjat në SPAK, çfarë vendosi GJKKO për të akuzuarit

Të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK për goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian, dolën këtë të dielë para Gjykatës së Posaçme.

Në kuadër të këtij operacioni, në dy raste të ndryshme, janë sekuestruar gjithsej 28 ton kokainë ndërsa rrjeti kriminal u zbulua pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet SKY dhe EncroChat.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) konfirmoi masat e sigurisë për personat e arrestuar, pjesë e organizatës kriminale të njohur si grupi i Çopjave, ku vetëm në një rast u sekuestruan 17 ton kokainë.

Sipas vendimit të GJKKO, nga 10 personat e ndaluar, 7 prej tyre mbeten në burg:

Ervis Çela

Albin Çela alias Defrim Çela

Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani

Renato Musaku

Gert Çerma

Marenglen Kamami

Elidon Çela

1 është lënë në arrest shtëpiak:

Riza Çela

2 janë lënë në detyrim paraqitjeje:

Kujtim Gjyla

Ditjon Pepa

Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Bani më datë 10 gusht 2025. Prokuroria e Posaçme dhe policia gjyqësore janë ngarkuar me ekzekutimin e vendimit, ndërsa palët kanë të drejtë ankimi brenda pesë ditëve. m.p.

Haxhiu: Dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.

“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.

“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo. m.p.

Kombëtarja rikthehet më 4 shtator, zbulohet kundërshtari në miqësore

Kombëtarja do të rikthehet sërish në fushë më 4 shtator, duke nisur angazhimet e muajit me një ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit. Kjo do të jetë përballja e parë në histori mes këtyre dy përfaqësueseve.

Një takim miqësor mes Shqipërisë dhe Gjibraltarit ishte planifikuar që në vitin 2020 në stadiumin “Elbasan Arena”, por që nuk u zhvillua për shkak të masave kufizuese të pandemisë COVID-19, që e bënë të pamundur organizimin e ndeshjes dhe udhëtimin e ekipeve.

Takimi i 4 shtatorit do të zhvillohet në stadiumin “Europa Point” në Gjibraltar, në orën 18:00.

Pas kësaj sfide, kuqezinjtë do të kthehen në Tiranë për ndeshjen e dytë të muajit, atë ndaj Letonisë, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Ndeshja kundër Letonisë është e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. m.p.

Kryeministri Rama: Ndërtimet pa leje nuk do t’i gëzoni

Komentet e qytetarëve në mediat e tij sociale nxitën kreun e qeverisë që të linte mënjanë pushimet dhe të sqaronte se çfarë po ndodh me aksionin e lirimit të hapësirave publike.

Teksa pranoi edhe përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë në lejimin e ngritjes së godinave pa leje, Rama bëri me dije se puna e nisur këtë verë për lirimin e hapësirave publike nuk është një aksion, por një reformë e thellë që pritet të zgjatë gjatë gjithë mandatit të katërt.

“Rilindja urbane 2.0 është program që do të vazhdojë 4 vjet dhe ky proces do të jetë konstant. Nuk është aksion apo sulm veror. Dhe ata që thonë se pse nuk e lije dot për në dimër, jo nuk e linim dot në dimër”, tha Rama.

Çdo ndërtim i ri, pohoi numri një i qeverisë, do të bëhet në bazë të një rregulloreje të qartë dhe paralajmëroi se çdo metër pa leje do të shkojë në favor të shtetit.

“Një metër katror të paligjshëm duhet ta dijë se nuk do ta gëzojë dot. Ose do ta marrë shteti, ose do të bjerë në tokë godina”, shtoi ai.

Reformim premtoi edhe për strukturat e inspektorateve ndërtimore në bashki, ku pohoi se çdo drejtor aktual nuk do të jetë më në detyrë.

“IMT e bashkive do të reformohen, do të ndryshojë struktura. Dhe kush ka drejtuar IMT nuk do të jetë më drejtor IMT dhe kjo po ndodh. Nuk janë për t’u futur të gjithë në një thes, por gjëja që është më e rëndësishme është që burgu është një adresë ku përcillet robi me prova e fakte, nga drejtësia dhe jo nga FB e qeveria”, tha kreu i qeverisë. m.p.

Barcelona i ndërhyn Bayernit në merkato, i merr yllin gjerman?

Barcelona është e interesuar për sulmuesin gjerman Nick Woltemade nga Stuttgart si pasardhës i Robert Lewandowskit.

Trajneri Hansi Flick e pëlqen shumë lojtarin dhe e konsideron një përforcim të madh për fazën sulmuese. Stuttgarti kërkon 65 milionë euro për transferimin e tij, çka paraqet një pengesë për marrëveshjen.

Bayern ka bërë dy oferta për Woltemaden këtë verë, por të dyja janë refuzuar nga Stuttgarti. Woltemade ka tërhequr vëmendjen me paraqitje mbresëlënëse në sezonin e kaluar.

Ai shënoi 17 gola dhe dha 3 asistime në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë. Interesimi për të është rritur nga disa prej klubeve më të mëdha evropiane. m.p.

Gjermani, nëse të Gjelbrit lëvizin drejt qendrës, mund të bëhen sërish të fortë

Katër vite më parë, partia ishte më e popullarizuara në vend – por ndarjet e vjetra e kanë përçarë atë. Tani është momenti i duhur për një fillim të ri.

Katja Hoyer

Partia e Gjelbër gjermane, Die Grünen, dikur ishte për zili nga lëvizjet simotra në gjithë Evropën. Në pranverën e vitit 2021 ishte partia më e popullarizuar në vend, me një përqindje të parashikuar të votës afër 30%. Madje shtypi ndërkombëtar filloi të pyeste nëse kancelari i ardhshëm do të ishte nga të Gjelbrit. Katër vite më vonë, partia është në krizë: e përçarë, jashtë pushtetit dhe stagnon me pak mbi 10% në sondazhe, pasi humbi 33 ulëse në zgjedhjet federale të shkurtit. Partia tani po kërkon rrugën për t’u kthyer në rrymën kryesore – dhe ky është momenti i fundit për ta bërë një gjë të tillë, duke pasur parasysh dobësimin e shpejtë të qendrës politike gjermane.

Një nga problemet kryesore të të Gjelbërve është personeli. Në kulmin e saj më 2021, partia kishte dy figura udhëheqëse: Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, të cilët shiheshin gjerësisht si pragmatistë – një parakusht për qeverisje efektive në sistemin gjerman të kompromisit. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, Baerbock u bë ministre e jashtme në koalicionin “semafor” të Olaf Scholz me SPD-në dhe liberalët, ndërsa Habeck zëvendëskancelar dhe ministër i ekonomisë dhe klimës.

Pas shpërbërjes së atij koalicioni, të Gjelbrit humbën një milion vota dhe ranë në vendin e katërt në zgjedhjet e këtij viti. Figura kyçe po largohen masivisht. Habeck do të transferohet në Danimarkë; Baerbock tani është presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, e gjithë kryesia e krahut rinor të partisë dha dorëheqjen nga partia. Në teori, kjo duhej të ishte një mundësi për një rifillim.

Partia zgjodhi një dyshe të re drejtuese – Franziska Brantner, 45 vjeçe, dhe Felix Banaszak, 35 vjeç – si dhe drejtues të rinj të Rinisë së Gjelbër: aktivistin për klimën Jakob Blasel dhe të vetëquajturën “radikale e majtë” Jette Nietzard. Por, në vend që të sillte një rifillim, kjo përbërje ka nxjerrë në pah ndarjet e thella të brendshme. Që nga lindja e saj nga lëvizjet antinukleare, mjedisore dhe paqësore të viteve 1980, tek të Gjelbrit ka ekzistuar një përçarje mes pragmatistëve (Realos) dhe fundamentalistëve (Fundis).

Këto ndarje ideologjike të vjetra janë rikthyer me forcë dhe ndjekin ndarje breznore. Mund të dëgjoje thuajse një psherëtimë kolektive lehtësimi në krye të partisë kur Nietzard njoftoi se nuk do të kandidojë sërish për drejtimin e Rinisë së Gjelbër këtë vjeshtë. Ajo ka larguar në mënyrë të përsëritur votuesit centristë që të Gjelbrit përpiqen t’i fitojnë, duke u shfaqur me rroba me mbishkrime si “ACAB” (anti-policia) dhe slogane antikapitaliste si “Hani të pasurit”. Muajin e kaluar ajo pyeti nëse rezistenca ndaj një koalicioni të mundshëm me të djathtën ekstreme AfD duhet të jetë “intelektuale apo ndoshta me armë”.

Këto pozicione mund të ndahen nga të tjerë në të majtën gjermane, por ajo hapësirë tashmë është e zënë nga Die Linke, që kohët e fundit ka fituar mbështetje për qëndrimet e saj më të ashpra kundër së djathtës. Njerëzit që janë kaq larg në të majtë, si Nietzard, ka më shumë gjasë të votojnë për Die Linke sesa për të Gjelbrit. Të dyja partitë tani janë afër në sondazhe, me 10–12% secila.

Udhëheqja e re e të Gjelbërve është e vendosur të zgjidhë këtë personalitet të dyfishtë dhe të gjejë rrugën drejt qendrës – dhe drejt pushtetit. Banaszak dëshiron të dallojë partinë e tij qartazi nga e majta radikale. Ai tha për shtypin gjerman se “nuk ishte sekret” që ai dhe Nietzard “kishin zakonisht opinione të ndryshme”. Me largimin e saj, udhëheqësia e re shpreson të rikthejë dominimin e Realos-ve. Në këtë drejtim, ata po përdorin pushimet verore parlamentare për të vizituar zona të Gjermanisë ku “atmosfera është e ndezur”, siç e përshkruan fushata e tyre – veçanërisht bastionet e klasës punëtore në rajonin industrial të Ruhr-it dhe Gjermaninë Lindore.

Fillimisht, të dy u tallën për këtë nismë, sidomos kur Banaszak u fotografua duke u ulur në dyshemenë e trenit, edhe pse politikanët gjermanë mund të përdorin lirshëm klasën e parë. Por nëse kjo vizitë ndihmon në afrim me realitetet politike të Gjermanisë, mund të jetë më shumë sesa një truk publicitar. Gjatë një vizite në Thuringia, një bastion i AfD-së në ish-Gjermaninë Lindore, Banaszak dëgjoi nga djali adoleshent i një kryetari bashkie nga të Gjelbrit se “njerëzit këtu i shohin të Gjelbrit si aktivistë radikalë për klimën”, por nëse shohin që politikanët e Gjelbër sjellin përmirësime – si ringjallja e një fshati, riparimi i rrugëve – atëherë reputacioni i tyre mund të rikthehet.

Në qytetin industrial të Gjermanisë Perëndimore, Duisburg, Brantner u pyet nëse të Gjelbrit humbën votuesit e rinj meshkuj sepse nuk ofruan një vend pozitiv për ta. Sa herë që përmendej koncepti i maskulinitetit, sipas saj, ai i paraprihej nga fjala “toksi(k)”. Kjo vetëkritikë është e re dhe e rëndësishme. Strategjia e AfD-së për të ardhur në pushtet është polarizimi i politikës, në stilin e Trumpit. Të Gjelbrit do t’i ndihmonin në këtë drejtim nëse lëvizin më tej në të majtë, duke braktisur terrenin qendror që AfD përpiqet ta shkatërrojë.

Ka hapësirë për një parti të Gjelbër në qendër të skenës politike gjermane. Ata mund të bëhen forca kryesore e qendrës së majtë nëse luajnë mirë kartat e tyre, duke forcuar kështu politikën e moderuar në tërësi. Një pjesë e këtij potenciali qëndron në aftësinë për të bashkëpunuar me konservatorët. Shteti jugor i Baden-Württemberg është udhëhequr nga i Gjelbri Winfried Kretschmann që nga viti 2011, dhe ai është i popullarizuar edhe tek votuesit konservatorë, duke udhëhequr një koalicion me CDU-në e qendrës së djathtë – një model që mund të funksionojë edhe në nivel federal.

Dëshironi apo jo, në shoqërinë gjermane ekziston një shumicë konservatore që kërkon përfaqësim politik. CDU-ja është zotuar të mos bashkëpunojë kurrë me AfD-në, por kjo e lidh atë me një SPD gjithnjë e më jopopullore. Shtimi i një opsioni CDU–Të Gjelbrit në gamën politike do të forconte qendrën – dhe me të, një demokraci që është nën sulm. Pa përmendur faktin që do të rikthente çështjet mjedisore në një kulturë politike që duket se i ka lënë mënjanë.

Nëse drejtuesit e rinj të të Gjelbërve do të arrijnë ta marrin me vete një parti kaq të përçarë në rrugën e progresizmit pragmatik, mbetet për t’u parë. Por duhet të përpiqen – jo vetëm për të mirën e partisë së tyre, por për të mirën e demokracisë gjermane.

Katja Hoyer është historiane dhe gazetare gjermano-britanike. Libri i saj më i fundit është Beyond the Wall: East Germany, 1949–1990.

“The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Babë e bir u vranë në Gjilan, kush i ekzekutoi argjendarët?

Babë e bir, Selami Hasani dhe Edmond Hasani janë dy personat që humbën jetën mesditën e së dielës në qytetin e Gjilanit në Kosovë, si pasojë e të shtënave me armë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Ibrahim Rugova”, ku viktimat u qëlluan për vdekje në ambientet e jashtme të një kafeneje.

Mediat kosovare raportojnë se Selami dhe Edmond Hasani, të cilët janë argjendarë të njohur në Gjilan, teksa shkak për krimin mendohet të ketë qenë përfshirja e tyre në fajde.

Në mesin e të plagosurve është dhëndri i viktimave, Bujar Hoxha, i cili aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka identifikuar Mefail Shkodrën si autorin e këtij krimi, i cili ndodhet në arrati, ndërkohë që është arrestuar djali i tij që mendohet se ka qenë i përfshirë në ngjarje./e.t

Apple dhe Samsung bashkojnë forcat, Sony bie “nga liga”

Apple dhe Samsung njoftuan një bashkëpunim për të prodhuar sensorë të avancuar kamerash për modelet e ardhshme të iPhone.

Teknologjia e re do të zhvillohet në një fabrikë në Teksas, gjë që zgjeron më tej prodhimin e Apple në SHBA.

Sipas Engadget, Apple planifikon të përdorë këta sensorë në serinë iPhone 18, dhe teknologjia pas tyre përfshin një sensor imazhi CMOS me tre shtresa që mundëson performancë më të mirë të kamerës dhe konsum më efikas të energjisë.

Prodhimi amerikan si një veprim strategjik

Ky bashkëpunim është pjesë e strategjisë më të gjerë të Apple për të forcuar prodhimin e çipave në SHBA, për të shmangur tarifat për importet nga Azia dhe për të rritur kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit.

Kompania njoftoi së fundmi një investim shtesë prej 100 miliardë dollarësh si pjesë e “Programit Amerikan të Prodhimit”, duke i çuar investimet totale në SHBA në 600 miliardë dollarë.

Samsung do të përdorë një teknologji krejtësisht të re prodhimi çipesh në Teksas, të cilën nuk e ka përdorur me asnjë partner më parë, gjë që tregon ambiciet e larta të të dy kompanive në këtë projekt.

A po humb Sony ekskluzivitetin?

Deri më tani, Sony ka qenë furnizuesi kryesor i Apple kur bëhet fjalë për sensorët e kamerave, por ky bashkëpunim i ri me Samsung mund ta ndryshojë këtë dinamikë.

Një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim është fakti se Sony nuk ka kapacitet prodhimi në SHBA, gjë që e bën atë të prekshme ndaj barrierave të mundshme tregtare në të ardhmen.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, iPhone 18 mund të jetë modeli i parë me sensorë të zhvilluar dhe prodhuar në Shtetet e Bashkuara, gjë që do të theksonte më tej angazhimin e Apple ndaj prodhimit vendas./e.t

Si funksionon funksioni i ri Repost në Instagram?

Me siguri e keni vënë re opsionin e ri Repost në Instagram, që ndodhet në të njëjtin rresht ku janë butonat Like dhe Share poshtë postimeve. Si bëhet repostimi, ku mund ta shihni dhe si ta çaktivizoni nëse nuk ju nevojitet?

Opsioni Repost këtu funksionon njësoj si në aplikacionet e tjera – mund të ripostoni postimet tuaja të preferuara dhe të shihni çfarë kanë ripostuar miqtë tuaj.

Për të ripostuar një foto ose një Reels, mjafton të klikoni në ikonën me dy shigjeta që formojnë një rreth, poshtë postimit. Gjithashtu mund të shtoni një mesazh në ripostimin tuaj duke shkruar tekstin në flluskën e vogël që shfaqet në ekran dhe duke shtypur Ruaj (Save). Nëse e keni ripostuar diçka gabimisht, ose nëse ndërroni mendje, mund ta anuloni lehtësisht duke shtypur sërish ikonën e Repost.

Ripostimet tuaja do të shfaqen në një skedë të veçantë në profilin tuaj, që ndodhet midis skedave Reels dhe Fotot ku jeni etiketuar (Tagged photos). Ato do të jenë gjithmonë të atribuuara autorit origjinal, edhe kur shfaqen në profilin tuaj.

Mund të ripostoni pothuajse çdo gjë në Instagram, për sa kohë që postimi vjen nga një llogari publike. Nuk mund të ripostoni përmbajtje nga llogaritë private.

Kur ripostoni diçka, ajo do t’u rekomandohet miqve dhe ndjekësve tuaj në fidin e tyre. Kjo do të thotë se kur të tjerët ripostojnë diçka, ajo mund të shfaqet edhe në ‘feed’ tuaj.

Si të çaktivizoni funksionin Repost?

Mund të parandaloni të tjerët të ripostojnë përmbajtjen tuaj, por nuk mund ta hiqni krejtësisht funksionin Repost. Ripostimet e të tjerëve do të vazhdojnë të shfaqen në fidin tuaj.

Për të çaktivizuar mundësinë që të tjerët të ripostojnë fotot dhe Reels-et tuaja, ndiqni këto hapa:

Zgjidhni foton e profilit tuaj në këndin e poshtëm djathtas.

Klikoni në Menu në këndin e sipërm djathtas.

Shtypni Sharing (Ndarja).

Çaktivizoni opsionin Allow reposts (Lejo ripostimin). /e.t

❌