Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Një vit burg kush djeg flamurin amerikan! Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar të hënën një urdhër ekzekutiv duke urdhëruar sistemin gjyqësor që t’i ndëshkojë ata që djegin apo përdhosin flamurin amerikan

“Nëse digjni një flamur, ju do të burgoseni për një vit, pa mundësi për të dalë më herët”, ka thënë Trump teksa e ka nënshkruar urdhrin në Zyrën Ovale.

Urdhri udhëzon gjyqtarët që t’i ndëshkojnë njerëzit që shkelin ligjet për përdhosjen e flamurit dhe të ngrejnë padi për të sqaruar fushëveprimin e Amendamentit të Parë lidhur me këtë çështje.

Ai, gjithashtu, ka kërkuar që shkelësve t’iu pezullohen vizat, lejet e qëndrimit dhe procedurat e naturalizimit.

“Flamuri amerikan është simbol i jetës tonë kombëtare, i cili duhet t’i bashkojë dhe përfaqësojë të gjithë amerikanët”, është thënë në urdhër.

“Përdhosja është vepër shumë ofenduese dhe provokative. Është deklaratë përbuzjeje, armiqësie dhe dhune kundër kombit tonë”, është thënë mes tjerash në dokument.

Administrata Trump ka thënë se në vendimin e Gjykatës Supreme për Amendamentin e Parë nuk mbrohen veprimet sikurse përdhosja e flamurit amerikan.

Mirëpo, Gjykata Supreme ka thënë më 1989 se djegia, apo shkatërrimi i flamurit kombëtar, mbrohet si e drejtë e shprehjes së lirë.

Aksident me vdekje në Vorë, automjeti përplas këmbësorin

Një aksident me vdekje ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne në Vorë.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:30, në dalje të Vorës, automjeti me drejtues shtetasin J. T., rreth 53 vjeç, ka përplasur këmbësorin shtetasin K. L., rreth 66 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Trump kritikon Zelenskyn: Merr miliona dollarë sa herë largohet nga Shtëpia e Bardhë

Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 1,279-të, ndërkohë që zhvillimet diplomatike dhe sulmet vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.

Mediat shkruajnë se Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka folur përsëri me Vladimir Putinin, duke e përshkruar bisedën si “të mirë”: “Patëm një bisedë të mirë, të gjitha bisedat tona janë të mira.”

Trump gjithashtu akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e quajtur: “Një shitës i shkëlqyer: sa herë që largohej nga Shtëpia e Bardhë, merrte me vete miliona dollarë.”

Duke folur për ndihmën financiare amerikane, Trump theksoi: “Ne nuk shpenzojmë më asnjë para për Ukrainën. Ne merremi me NATO-n, jo me Ukrainën.”

Ai shtoi se SHBA-të do të jenë të pranishme për çështjet e sigurisë, por nuk diskutuan garanci specifike për Kievin.

Trump gjithashtu komentoi për një mundësi takimi mes Putinit dhe Zelenskyt: “Putini nuk dëshiron të takohet me Zelenskyn sepse nuk e pëlqen. Nëse unë do të kisha qenë president, kjo luftë nuk do të kishte ndodhur kurrë.”

Ulja e shpenzimeve të buxhetit, Kryeministri francez kërkon mocion besimi

Kryeministri francez, François Bayrou, do të kërkojë votëbesim në parlament më 8 shtator për planet e tij për pastrimin e financave publike të Francës.

Lëvizja e Bayrou do të tregojë nëse ai ka mbështetje të mjaftueshme në një parlament të fragmentarizuar për të realizuar planin e tij prej 44 miliardë eurosh (51.5 miliardë dollarë), ndërsa përpiqet të zbusë deficitin buxhetor që arriti në 5.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e kaluar, pothuajse dy herë më shumë se kufiri zyrtar i BE-së prej 3 përqind.

Nëse ai humbet votën e besimit, qeveria e Bayrou, që është në pakicë, do të rrëzohet. Të dy partitë e majta ekstreme, La France Insoumise dhe e djathta ekstreme Rassemblement National kanë njoftuar se do të përdorin këtë votë për të përpjekur të rrëzojnë qeverinë qendrore.

Votat e ligjvënësve socialistë do të jenë vendimtare për fatin e Bayrou, sepse nëse ata bashkohen me partitë e tjera të majta dhe të djathta ekstreme për të votuar kundër qeverisë, do të ketë mjaft vota për ta rrëzuar atë.

Kryeministri Bayrou nuk ka një shumicë në Dhomën e Ulët të Parlamentit dhe mocioni i besimit që ka kërkuar thekson brishtësinë e pozicionit të tij.

“Po, është e rrezikshme, por është akoma më e rrezikshme të mos bësh asgjë,” tha Bayrou në një konferencë shtypi, duke iu referuar rrezikut të madh që, sipas tij, ka vendi për shkak të borxhit të madh.

Në mes të korrikut, Bayrou paraqiti propozimet për buxhetin e vitit 2026, duke thënë se donte të reduktonte numrin e festave publike në Francë si pjesë e një përpjekje për të luftuar atë që ai e quajti “mallkimin” e borxhit të vendit. Pas viteve të shpenzimeve të tepruara, Franca është nën presion për të kontrolluar deficitin e saj publik dhe për të ulur borxhin e madh, siç kërkohet nga rregullat e BE-së.

Vota e besimit do të zhvillohet vetëm dy ditë para protestave të planifikuara, të cilat janë thirrur përmes rrjeteve sociale dhe mbështetur nga partitë e majta dhe disa sindikata.

Zjarri në Vlorë/ Kryebashkiaku: Presim ndihmë nga forcat e armatosura

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha u shpreh se zjarri në Pishë Poro është në një gjatësi 2-3 km.

Sipas tij, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Sot është operuar nga ajri dhe nga toka me katër helikopterë dhe 34 forca zjarrfikëse, të pyjores dhe presim të nisim prapë herët në mëngjes në orën 5:30 me ndihma shtesë nga forcat e armatosura ku priten të vijnë mbi 40 forca të armatosura”, tha Dredha.

Spanja në alarm nga xhihadistët, 95 të arrestuar në 8 muaj

Në Spanjë po vihet re një përshkallëzim i vërtetë në luftën kundër terrorizmit xhihadist. Shifrat janë alarmante. Vetëm gjatë tetë muajve të parë të vitit, janë arrestuar 95 persona për lidhje të dyshuara me terrorizmin. Ajo që shqetëson më tepër është rritja e rasteve të të rinjve, shpesh adoleshentë, që radikalizohen, kryesisht përmes internetit.

Pjesa më e madhe e të ndaluarve, në rreth 50 operacione të kryera që nga fillimi i vitit, janë arrestuar brenda territorit spanjoll. një e treta vetëm në Katalonjë, ndërsa pjesa tjetër është ndaluar jashtë vendit në bashkëpunim me policitë e shteteve të tjera, sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Brendshme.

Ky fenomen po ndiqet me vëmendje të shtuar nga shërbimet e inteligjencës dhe antiterrorizmit, sidomos për shkak të rritjes së numrit të të rinjve të përfshirë. Ekspertët e lidhin këtë prirje me radikalizimin në internet, i cili është shtuar pas pandemisë, me përhapjen e përmbajtjeve ekstremiste në rrjetet sociale të përdorura nga të rinjtë.

Operacionet janë zhvilluar në 12 nga 17 komunitetet autonome të Spanjës dhe në qytetin autonom Melilla, në Marok. Në to janë përfshirë edhe katër gra, përfshirë dy motra të arrestuara në Madrid, të cilat drejtonin një lloj “akademie xhihadiste” online për indoktrinimin e grave myslimane.

Studimi/ Valët e të nxehtit po na plakin më shpejt se duhani apo alkooli

Një studim i ri thotë se ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit po e përshpejton procesin e plakjes te njerëzi, me pasoja që mund të jenë të krahasueshme me dëmet që shkaktojnë pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, dieta e dobët apo mungesa e aktivitetit fizik.

Sipas shkencëtarëve, temperaturat ekstreme, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të krizës klimatike, mund të shkaktojnë dëme afatgjata në shëndetin e miliarda njerëzve në mbarë botën.

Derisa ishte tashmë e ditur se valët e të nxehtit shkaktojnë rritje të menjëhershme të vdekjeve të parakohshme, siç ishte rasti me thuajse 600 vdekje të lidhura me një valë të nxehti në Angli, kjo është një nga analizat e para që shqyrton ndikimin afatgjatë.

Në një studim që përfshiu 25,000 persona në Tajvan për 15 vite, studiuesit krahasuan ekspozimin e tyre ndaj valëve të të nxehtit me moshën biologjike, një tregues i shëndetit të përgjithshëm.

U zbulua se moshimi biologjik rritej me rreth 9 ditë për ata që përjetonin 4 ditë më shumë me temperatura ekstreme brenda një periudhe dyvjeçare. Ndërkohë, punëtorët të cilët kalojnë më shumë kohë jashtë kishin një rritje të moshës biologjike prej 33 ditësh.

Shkencëtarët theksojnë se, edhe pse këto shifra mund të duken të vogla, ato mbulojnë vetëm një periudhë dyvjeçare. Ndikimi gjatë gjithë jetës mund të jetë shumë më i madh. Rritja e moshës biologjike është gjithashtu një tregues i fortë i rrezikut për vdekshmëri të hershme.

“Ekspozimi ndaj valëve të të nxehtit në periudha të gjata mund të ketë pasoja shumë më të rënda se sa kemi raportuar,” tha Dr. Cui Guo nga Universiteti i Hong Kongut, që drejtoi kërkimin. “Dhe për shkak se këto valë janë gjithnjë e më të shpeshta dhe zgjasin më shumë, ndikimet në shëndet mund të përkeqësohen edhe më tej.”

Profesori Paul Beggs nga Universiteti Macquarie në Australi shtoi: “Të gjithë kemi përjetuar valë të nxehti dhe kemi menduar se ia kemi hedhur pa pasoja – por ky studim tregon se këto valë në fakt ndikojnë në mënyrën se si plaket trupi ynë.”

Ai gjithashtu përmendi një zbulim tjetër tronditës nga viti 2024, ku u gjet se ekspozimi ndaj të nxehtit në fëmijëri dëmton zhvillimin e trurit. Të dyja gjetjet tregojnë se nxehtësia ekstreme mund të ndikojë negativisht në çdo moshë dhe ndikimi mund të jetë i përhershëm.

Studimi u botua në revistën Nature Climate Change dhe mat përmes analizave mjekësore të ndryshme  si tensioni i gjakut, niveli i kolesterolit, inflamacioni, funksionet e mushkërive, mëlçisë dhe veshkave për të përcaktuar moshën biologjike të individëve.

Valët e të nxehtit nuk janë thjesht të pakëndshme por ato mund të jenë plakje e padukshme që po na ndodh të gjithëve, dita-ditës.

Njësitë e Gardës Kombëtare fillojnë të mbajnë armë në Washington

Disa njësi të Gardës Kombëtare që patrullojnë në Washington kanë filluar të mbajnë armë në një intensifikim të vendosjes ushtarake të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në kryeqytetin e SHBA-së.

Anëtarë të Gardës Kombëtare të Karolinës së Jugut u panë atje me pistoleta në këllëf të dielën, shkruajnë mediat e huaja. Zhvillimi vjen pasi Trump vendosi qindra trupa në qytetin e qeverisur nga demokratët si pjesë e asaj që ai e quajti një goditje kundër krimit.

Fillimisht, presidenti i SHBA-së thirri 800 anëtarë të Gardës Kombëtare të Distriktit të Kolumbias, përpara se gjashtë shtete të udhëhequra nga republikanët të dërgonin më shumë trupa në kryeqytet.

Javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth lëshoi një direktivë që urdhëronte Gardën Kombëtare të fillonte të mbante armë ndërsa ishte në patrullim në kryeqytet.

Disa njësi tani janë të armatosura me pistoleta dhe të tjera me pushkë, sipas një zyrtari të departamentit të mbrojtjes i cili foli në kushte anonimiteti. Mendohet se ata që punojnë në administratë ose transport ka të ngjarë të mbeten të paarmatosur.

Një deklaratë nga grupi i përbashkët i punës që kontrollon policimin në Washington tha se patrullat filluan të mbanin armë të dielën. Sipas tij, përdorimi i armëve nga ana e tyre duhet të jetë “një mjet i fundit dhe vetëm në përgjigje të një kërcënimi të menjëhershëm me vdekje ose lëndim serioz trupor”. Trump vendosi mijëra trupa në Uashington dy javë më parë, duke shkaktuar protesta sporadike nga banorët vendas.

Ai po shqyrton zgjerimin e vendosjeve në qytete të tjera të udhëhequra nga Demokratët, si Baltimore, Çikago dhe Nju Jork.

“Mendoj se Çikago do të jetë i radhës”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten, duke shtuar se Nju Jorku mund të ndjekë më pas. Komentet e tij kanë shkaktuar reagime të forta nga udhëheqësit demokratë në të dy shtetet.

Zjarret në vend, 4 vatra ende aktive

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen:

  1. Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës
  2. Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe
  3. Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës.
  4. Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
  5. Në Lagjen 18, Rajoni Nr.1, bashkia Korçë.
  6. Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr.1, bashkia Tiranë.

Trump pas sulmit izraelit në spitalin në Gaza: Duhet t’i japim fund këtij makthi

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk ishte i kënaqur me sulmin izraelit gjatë natës ndaj një spitali në Gaza.

Sipas mediave të huaja, Trump mes të tjerash tha se nuk ishte më herët në dijeni të këtij sulmi.

“Nuk jam i kënaqur me këtë. Nuk dua ta shoh”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Në të njëjtën kohë, duhet t’i japim fund atij…makthi”, shtoi më tej Trump.

Siç kemi raportuar sot, të paktën 20 persona janë vrarë në një sulm ndaj Spitalit Nasser – përfshirë pesë gazetarë.

Ky është episodi më i fundit në një luftë që ka qenë një nga konfliktet më vdekjeprurëse për gazetarët.

Ndahet nga jeta legjenda e portës së Tiranës

Futbolli shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej figurave të tij më emblematike. Bujar Tafaj, ish-portieri i Tiranës dhe një nga emrat më të respektuar të viteve ’60–’70, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Tafaj ka qenë pjesë e një brezi të artë të bardhebluve, me të cilët ka fituar tri herë titullin kampion të Shqipërisë. Me paraqitjet e tij të sigurta dhe vendimtare, ai ka kontribuar në mënyrë të pazëvendësueshme në sukseset e klubit të kryeqytetit, duke fituar respektin e bashkëlojtarëve dhe tifozëve.

Përveç Tiranës, Bujar Tafaj ka mbrojtur edhe portën e Pogradecit, duke lënë gjurmë edhe jashtë Tiranës dhe dëshmuar cilësitë e tij në nivele të ndryshme të futbollit shqiptar.

Me ndarjen e tij nga jeta, futbolli ynë humb jo vetëm një ish-lojtar të shquar, por edhe një simbol të përkushtimit dhe pasionit për sportin. Kujtimi i Bujar Tafajt do të mbetet i gjallë në historinë e futbollit shqiptar dhe në zemrat e sportdashësve.

Sulmet izraelite në spitalet në Gaza, Turqia: Një tjetër krim lufte

Zyra e komunikimit presidencial e Turqisë e quajti sulmin e sotëm izraelit në Spitalin Nasser në Gaza, “një sulm ndaj lirisë së shtypit dhe një tjetër krim lufte”.

Sipas mediave të huaja, të paktën 20 persona kanë vdekur në sulm, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, përfshirë pesë të tjerë të lidhur me agjenci si Reuters, AP dhe Al Jazeera.

“Izraeli, i cili vazhdon mizoritë e tij pa marrë parasysh asnjë parim humanitar apo ligjor, është nën iluzionin se mund të parandalojë zbulimin e së vërtetës përmes sulmeve të tij sistematike ndaj gazetarëve”, tha Burhanettin Duran, kreu i drejtorisë së komunikimit, në një postim në mediat sociale.

Duran shtoi: “Është e nevojshme që të gjithë ata që kanë ndërgjegje, bashkësia ndërkombëtare dhe organizatat, të ngrenë zërin më fort dhe ta ndalojnë këtë gjenocid, i cili do të shkruhet si një faqe e errët në historinë njerëzore, sa më shpejt të jetë e mundur.”

Pa babanë që i vrau nënën, flet vajza: Ai e tërhoqi nga flokët dhe e goditi me thikë

Vrasja brenda familjes shqiptare në Volos të Greqisë ka tronditur mbarë opinionin publik në shtetin fqinj, por dhe në vendin tonë.

Vajza 18-vjeçare e çiftit Nakoleci ka folur për televizionin grek Mega duke treguar të gjithë dinamikën.

Ajo shprehet se ishte dëshmitare e të gjithë krimit dhe pa se si i ati vrau me thikë nënën e saj.

18-vjeçarja thotë se nuk do që ta shikojë më të atin.pande

Vajza: U grindën sepse babai im ishte shumë xheloz.

Pyetje: Nuk janë grindur më parë?

Vajza: Janë grindur por jo kështu. Ishim mirë. Kohët e fundit kishte filluar punën. Punonte normalisht, ishte normal. Nuk bërtiste, nuk pinte, asgjë nga këto. Thjesht filloi nga xhelozia dhe për këtë arsye e bëri.

Pyetje: Ishe aty?

Vajza: Po. Nëna ime bërtiste ‘ndihmë ndihmë’, ai veproi shpejt dhe iku. Pashë gjithçka, edhe kur ai e goditi me thikë dhe ajo po bërtiste, edhe kur e tërhoqi nga flokët dhe e hodhi përtokë. Ata ishin në dhomë, po bërtisnin. Nuk i kushtova shumë vëmendje, po flija. Pastaj mami filloi të thoshte ‘Do të më vrasësh’? Pastaj filloi të vraponte. Ishim unë dhe vëllai im, ai është 13 vjeç. Nuk di çfarë të them. Ishte e papritur. Nuk di çfarë të mendoj. U grindën për këtë dhe mami i tha ‘më mirë të ndahemi’. Ai iku njëherë për dy ditë, nuk e nxorri jashtë mami, iku vetë dhe pastaj u kthye dy ditë më vonë dhe na thoshte më vjen, por ne e besuam. Nuk dua ta shoh më.

Pyetje: A kishte tentuar ndonjëherë vetëvrasjen?

Vajza: Po një herë, këtë vit në fakt. Për të njëjtën arsye.

Pyetje: A ja mori celularin mamit për të kontrolluar mesazhet?

Vajza: Po, po.

40-vjeçari Pandeli Nakoleci e goditi me thikë në kraharor bashkëshorten e tij Marjola Nakoleci, pas sherrit për xhelozinë. Sipas tij, ajo e tradhtonte dhe një fëmijë që kishte humbur nuk ishte i tij, por i një burri tjetër.

Rreth 22 mijë të huaj në Shqipëri, 54% kanë si arsye punësimin

Afro 22 mijë shtetas të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar dhe punuar.

Referuar të dhënave të INSTAT, në vendin tonë në vitin 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri është rritur me 2.2%, krahasuar me një vit më parë.

54.3% e të huajve me leje qëndrimi kanë arsye kryesore punësimin, e ndjekur nga bashkimi familjar me 24.5%. arsye të tjera me 16.3%, studimi me 4% dhe qëllime humanitare me 0.9%.

E ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri dominojnë nga shtetasit e Kosovës, Italisë dhe Turqisë, rritje të kërkesave për t’u pajisur me leje në vendin tonë vijnë edhe Azia, Amerika dhe Afrika.

Trend ky që reflektohet edhe në tregun e punës në Shqipëri, ku mbulohen shërbime të ndryshme me krahun e punës të shtetasve të huaj.

Krahasuar me vitin 2023, shtetasit nga Amerika dhe Afrika kanë shënuar rritje me 23.4%, ndërsa ata nga Azia rritje me 20%. Ajo që bie në sy është fakti se kërkesat për leje qëndrimi po rriten në vendin tonë.

Afro 62% e të huajve forcë pune në Shqipëri janë meshkuj, kundrejt 38% që janë femra.

Tajfuni i fuqishëm godet Vietnamin, 600 mijë persona të evakuuar

Një tajfun i fuqishëm goditi provincat bregdetare të Vietnamit, duke sjellë erëra të forta dhe reshje të dendura shiu që rrëzuan pemë dhe shkatërruan çatitë e shtëpive.

Shkollat dhe aeroportet janë mbyllur, ndërsa rreth 600 mijë njerëz janë urdhëruar të evakuohen nga banesat e tyre përpara se tajfuni Kajiki të mbërrinte në provincën bregdetare Ha Tinh, pasditen e së hënës.

Një banor i evakuuar nga provinca Nghe An tregoi se uji përmbyti gjithçka përreth, duke e përshkuar situatën si tmerrshme.

Ky tajfun vjen një vit pas tajfunit Yagi, stuhisë më të fuqishme që ka goditur Vietnamin në 30 vitet e fundit, e cila shkaktoi 300 viktima në këtë vend.

Qendra meteorologjike e Vietnamit ka paralajmëruar për rrezik përmbytjesh të menjëhershme dhe rrëshqitjesh dheu, ndërsa 400 komuna në gjashtë provinca janë vënë në alarm.

Trump: Televizioneve ABC dhe NBC duhet t’i hiqen licensat, janë të njëanshme

Presidenti amerikan Donald Trump ka sulmuar televizionet ABC dhe NBC, duke i quajtur ato të njëanshme dhe një kërcënim për demokracinë. Presidenti deklaroi se këtyre televizioneve duhet që t’i hiqen licencat.

“Ato duhet t’i humbasin licencat për mbulimin jo të saktë që kanë bërë. Gazetaria e shtrembër nuk duhet të shpërblehet, duhet të ndërpritet’, tha ai.

Kjo nuk është hera e parë që Trump sulmon mediat televizive ose kërcënon t’u heqë licencat.

Vitin e kaluar, Trump zgjidhi një padi për shpifje kundër ABC për 15 milionë dollarë, dhe ai ishte i famshëm për prezantimin e emisionit “The Apprentice” në NBC përpara se të hynte në botën e politikës./Foxnews

Vetoja e presidentit polak kërcënon qasjen e Ukrainës në Starlink

Qasja e Ukrainës në shërbimin e internetit satelitor Starlink, mund të bllokohet për shkak të vetos së presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki në një projektligj për ndihmë për refugjatët, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri polak të hënën, teksa konflikti mes Qeverisë dhe kreut të shtetit sa shkon e thellohet.

Polonia e paguan shërbimin e Starlinkut për Ukrainën, duke mundësuar shtrirjen e internetit në këtë shtet dhe në zonat ku janë të pociozionuara forcat ushtarake ukrainase, të cilat luftojnë pushtuesit rusë.

Presidenti polak, Nawrocki i ka vënë veton projektligjit për vazhdim të ndihmës financiare për refugjatët ukrainas dhe i ka bërë të ditura planet për t’ua kufizuar atyre qasjen në kujdes shëndetësor dhe përfitime për fëmijë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri polak, Krzystof Gawkowski, ka thënë se legjislacioni përfshin edhe bazën ligjore për ofrim të Starlinkut në Ukrainë.

“Këtu merr fund interneti nga Starlinku të cilin e paguan Polonia për Ukrainën, teksa përballet me luftë”, ka shkruar ai në X – dikur Twitter.

Një zëdhënës i Gawkowskit ka thënë se vetoja e Nawrockit nënkupton se prej 1 tetorit nuk do të ketë bazë ligjore për t’i kryer pagesat për Starlink.

Zëdhënësi i Nawrockit i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se baza ligjore për Starlinkun mund të rikthehet nëse parlamenti e miraton një projektligj të propozuar nga presidenti deri në fund të muajit.

Polonia është njëra prej mbështetëseve më të mëdha të Ukrainës, prej nisjes së pushtimit rus më 2022.

Si Qeveria e qendrës, e kryeministrit, Donald Tusk, ashtu edhe Nawrocki, nacionalist konservator, pajtohen për nevojën e ofrimit të ndihmës për Ukrainën që t’i bëjë ballë pushtimit rus, ndonëse disa polakë janë me dy mendje nëse duhet ofruar ndihmë për 1.5 milion ukrainasit që tani jetojnë në Poloni.

Nawrocki ka bërë fushatë këtë vit me bindjen se “polakët duhet të jenë prioritet” dhe ka kërkuar që të kufizohen të drejtat e të huajve në Poloni.

“Nuk e kam ndryshuar mendimin dhe synoj përmbushjen e obligimeve të mia, dhe besoj që ndihma duhet t’iu ofrohet vetëm ukrainasve që bëjnë përpjekje për të punuar në Poloni, dhe e njëjta gjë vlen edhe për kujdes shëndetësor”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk ka reaguar ndaj këtij vendimi.

Refugjatët ukrainas në Poloni kanë të drejtë t’i marrin 219 dollarë për një fëmijë, nëse fëmijët shkojnë në shkollat polake.

Edhe vendet tjera të Bashkimit Evropian kanë propozuar së fundmi zvogëlimin e përfitimeve për ukrainasit.

Në Poloni, presidenti mund t’i propozojë projektligjet dhe të përdorë veton ndaj legjislacioneve qeveritare.

Ngjashëm, edhe Qeveria mund t’i bllokojë propozimet e presidentit./ REL

Zbulohet plantacioni më i madh i marijuanës në Mal të Zi, dy të arrestuar

Policia ka zbuluar plantacionin më të madh të marijuanës në Mal të Zi deri më tani, me afërsisht 13,100 fidanë, në Tërnovo pranë Tivarit.

Thuhet se plantacioni i marijuanës u gjet dhe u neutralizua si pjesë e operacionit kompleks “Trnovo” dhe se dy të dyshuar nga Bari dhe Zeta u arrestuan në operacion.

Sipas njoftimit për media, plantacioni ishte i pajisur me sisteme ujitjeje, kultivimi dhe sigurie fizike e teknike, gjë që tregon një nivel të lartë organizimi, ka shkruar MINA.

“Si pjesë e këtij operacioni, me të mbërritur në vendngjarje, u arrestuan ZM (40) nga Zeta dhe DP (65) nga Tivari”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Njoftimi për media i policisë shton se po ndërmerren aktivitete të mëtejshme për të identifikuar dhe përpunuar personat e lidhur me kultivimin, prodhimin dhe shpërndarjen e mëtejshme të marijuanës.

Afrika në shënjestër të Kremlinit, zbulohet grupi mercenar nën kontrollin e Putinit

Grupi famëkeq rus i mercenarëve Wagner, i njohur për kryengritjen e dështuar kundër Moskës dhe akuzuar për abuzime të rënda ndaj civilëve në Afrikë, po tërhiqet nga kontinenti, duke ia lënë vendin një force të re paramilitare: Africa Corps.

Ekspertët thonë se ky është një “riemërtim strategjik” i Rusisë, e cila kërkon të ruajë ndikimin në Afrikë por këtë herë nën kontroll të drejtpërdrejtë shtetëror.

Ndryshe nga Wagner, Africa Corps operon nën Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe përfshin komandantë elitë nga ushtria ruse, por gjithashtu ka rekrutuar edhe ish-luftëtarë të Wagner.

Forca e re është tashmë aktive në disa shtete të Sahelit, si Mali, Nigeri dhe Burkina Faso, ku po zhvillon operacione të përbashkëta me ushtritë vendase kundër grupeve rebele dhe islamiste.

Në Republikën e Afrikës Qendrore – ku Wagner ka qenë dominues prej vitit 2018, veçanërisht pas largimit të trupave franceze – autoritetet janë sinjalizuar nga Moska që të zëvendësojnë mercenarët me Africa Corps.

Ky tranzicion pason vdekjen e liderit të Wagner, Yevgeny Prigozhin, në gusht 2023, vetëm dy muaj pas rebelimit të tij kundër udhëheqjes ushtarake ruse. Me imazhin e Wagner të njollosur, Kremlini kërkon të “institucionalizojë” praninë e tij ushtarake në Afrikë, duke shmangur rrezikun ligjor dhe reputacional që sollën abuzimet e raportuara të mercenarëve.

Megjithatë, ndikimi i Wagner në kontinent mbetet i diskutueshëm. Organizata akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut, përfshirë ekzekutime jashtëgjyqësore, ndërsa në Mali dhe CAR është kritikuar se ka përfituar nga burime minerare në këmbim të shërbimeve ushtarake. BE dhe OKB kanë kërkuar hetime të pavarura për krimet e supozuara.

Sipas analistëve, ndryshimi i emrit nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të metodave. “Mund të jetë vetëm një përpjekje e Moskës për të mbajtur të paprekur funksionet e Wagner, por nën një etiketë më të pranueshme ndërkombëtarisht”, shprehet Héni Nsaibia nga ACLED.

Ndërkohë, situata e sigurisë në Sahel vazhdon të përkeqësohet. OKB paralajmëron se aktiviteti terrorist është rritur në shkallë, sofistikim dhe bashkëpunim me krimin e organizuar transnacional, ndërsa qeveritë vendase nuk kanë kapacitet për ta përballuar të vetme këtë krizë.

Mbart disa viruse, mushkonja tigër po përhapet me shpejtësi në Europën Veriore

Që nga shfaqja e saj e parë në Shqipëri në vitin 1979, mushkonja aziatike tigër (Aedes albopictus) është përhapur më tej në veri, duke arritur në Evropën Qendrore. Insekti, i cili ka qenë prej kohësh i pranishëm në vendin tonë, mbart disa viruse që mund të transmetohen te njerëzit dhe shkaktojnë sëmundje të tilla si Zika, chikungunya dhe dengue.

Një studim i botuar së fundmi në “Global Change Biology” sugjeron se temperaturat në rritje po përshpejtojnë përhapjen e saj më në veri dhe se brenda dhjetë vjetësh mushkonja tigër mund të arrijë në Francën veriore dhe prej andej në Londër.

Për të arritur në përfundimet e tyre, studiuesit përdorën modele klimatike dhe mjedisore për të monitoruar zgjerimin e A. albopictus në të gjithë Evropën. Rezultatet tregojnë se në 18 vjet, mushkonja ka trefishuar shkallën e zgjerimit të saj në Francë, nga një lëvizje vjetore prej afërsisht 6.5 km në vitin 2006 në afërsisht 13 km në vitin 2024.

Ky zgjerim i papritur ka të ngjarë të jetë për shkak të kushteve më të favorshme klimatike në zonat më veriore, ku temperaturat po bëhen më të buta. Përveç Evropës Jugore, e cila ka qenë prej kohësh një habitat ideal për këtë insekt, brenda pak vitesh mund ta shohim edhe mushkonjën tigër në qytete si Strasburgu, Vjena, Londra dhe Frankfurti.

Sipas studiuesve, shpërthimet e fundit të dengues në Evropë mund të jenë tregues i një trendi më të gjerë. Rastet janë rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, nga pak mbi 500,000 në vitin 2000 në 14.6 milionë në vitin 2024. Ky zbulim është në përputhje me rezultatet e një studimi tjetër të publikuar majin e kaluar, i cili analizoi 35 vjet shpërthime të dengues dhe chikungunya dhe gjeti një rritje të konsiderueshme të shpërthimeve evropiane, të nxitura nga përhapja e mushkonjës tigër në Kontinentin e Vjetër.

❌