Joan Laporta dëshiron që Barcelona të përballet me top ekipin në Ligën e Kampionëve
Presidenti i FC Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur vlerësimin e tij për Paris Saint-Germain gjatë një interviste për prezantuesen e CNN World Sport, Amanda Davies, duke deklaruar se të dy klubet ofruan futbollin më të mirë në botë sezonin e kaluar.
“Të gjithë ata që e duan futbollin, mendojnë se PSG dhe FC Barcelona ofruan futbollin më të mirë në botë” – u shpreh Laporta.
Ai u shpreh i zhgënjyer që dy skuadrat nuk u përballën në finalen e Ligës së Kampionëve 2024/25 apo në Kupën e Botës për Klube, duke e quajtur këtë një mundësi të humbur.
“Është për të ardhur keq që nuk patëm mundësinë të përballeshim në finale, as në Ligën e Kampionëve dhe as në Kupën e Botës për Klube”, shtoi ai.
Komentet e Laportës pasqyrojnë respektin e ndërsjellë mes dy gjigantëve evropianë, të cilët arritën deri në gjysmëfinalet e Championsit, me PSG-në që në fund e fitoi trofeun.
Laporta gjithashtu përgëzoi presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, për formatin e ri të Ligës së Kampionëve, duke e cilësuar atë si një përmirësim për garën më prestigjioze të klubeve në Evropë.
Ai shprehu optimizëm për një përballje të mundshme me PSG-në këtë sezon, duke thënë: “Shpresoj të përballemi me ta në Ligën e Kampionëve”.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur të dyja ekipet po përgatiten për sezonin e ri 2025/26 – Barcelona nën drejtimin e Hansi Flick, ndërsa PSG vazhdon projektin ambicioz me Luis Enrique në krye.
Laporta nuk i kurseu lavdërimet edhe për skuadrën aktuale të Barcelonës, ku spikasin yje të rinj si Lamine Yamal, si dhe afrimet e bujshme si Roony Bardghji dhe Marcus Rashford, të cilët pritet të jenë shtylla kyçe në objektivat e klubit për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/
The post Joan Laporta dëshiron që Barcelona të përballet me top ekipin në Ligën e Kampionëve appeared first on Telegrafi.