Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, organizoi sot një ngjarjeje të rëndësishme kulturore: përurimin e librave të autorëve shqiptarë të mërgatës.
BKK përmes rrjetit social “Facebook” ka njoftuar se kjo ngjarje forcon edhe më tepër lidhjet midis krijuesve në mërgatë dhe atyre në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin dhe ruajtjen e kulturës dhe letërsisë shqipe.
“Në një takim të ndarë me autorët, përfshirë Shqipe Bytyqin dhe Musa Jupollin, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, Blerina Rogova-Gaxha, theksoi: ‘Dyert e Bibliotekës do të jenë përherë të hapura për mërgatën tonë të jashtëzakonshme!”, thuhet në njoftim.
Po ashtu theksohet se në një takim në zyrë, Rogova-Gaxha ua dha dy vëllimet e librave “Kujtesa e Kosovës – rrëfime të 100 pleqve dhe plakave të Kosovës” dhe “Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, botime të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com
Në tetor të vitit 1964, vetëm tre vite para se të ndahej nga jeta, Dhimitër Pasko, i njohur më së shumti me emrin letrar Mitrush Kuteli, i drejtohet me një letër Kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehu. Në këtë letër, një nga prozatorët dhe kritikët më të spikatur të letërsisë shqipe shpreh lodhjen e tij fizike e mendore nga angazhimet e përditshme si përkthyes dhe kërkon një leje të posaçme krijimtarie.
Letra u shkrua në një moment të vështirë të jetës së tij, kur ai tashmë kishte kaluar përmes burgut dhe “rehabilitimit” politik në kohën e diktaturës. Në moshën 58-vjeçare, me një shëndet të rënduar dhe nën barrën e një pune të vazhdueshme, Kuteli kërkonte tri vite për t’u shkëputur nga përkthimet dhe për t’iu përkushtuar veprës së tij origjinale, transmeton KultPlus.
Ky dokument nuk është thjesht një kërkesë administrative, ai përfaqëson një dëshirë të thellë për të rifituar hapësirën e humbur krijuese, për të ruajtur identitetin e vet artistik dhe për të lënë pas një trashëgimi të vërtetë letrare. Në të ndjehet edhe zhgënjimi ndaj kufizimeve që regjimi i kohës i kishte imponuar, por edhe përpjekja e tij për të ruajtur dinjitetin dhe integritetin si intelektual.
Letra është një dëshmi e qartë e tensionit midis krijimtarisë së lirë dhe presioneve politike, por mbi të gjitha, është një pasqyrë e ndjenjës njerëzore për të mos e lënë talentin të zbehet në heshtje.
Letra e Mitrush Kutelit për Mehmet Shehun:
Shokut, Mehmet Shehut Kryetarit të Këshillit të Ministrave të R.P. të Shqipërisë Tiranë
Shoku Mehmet, Kam pothuaj dy muaj që kam pregatitur një kujtesë mbi punën time letrare dhe publicistike gjatë 40 vjetëve, mbi gjëndjen time familjare, ekonomike dhe shëndetësore, mbi përpjekjet dhe projektet e mija të sotme në letërsi. Në këtë kohë e kam hedhur e pritur me mendje kujt t’ja dërgoj, në dorë, këtë kujtesë dhe kam ngurruar. Sot po dal nga ky ngurrim dhe po ua dërgoj Juve. Mendimi që më shtyri të ndalem tek Ju është ky: “Shoku Mehmet, thashë, është i mbytur në punë të mëdha dhe të rëndë pa për të drejtuar anijen e shtetit, të popullit tonë, ndër stuhirat e vrazhda ndërkombëtare të ditëve tona, por në të njëjtën kohë është edhe shkrimtar. Pra do të më dëgjojë dhe kuptojë”. Kështu thashë, kështu po bëj: po ua dërgoj Juve “Kujtesën”.
Këtë shkresë u mundova ta përmbledh në faqe sa më të ngushta, po praseprara u zgjat, u derdh në njëzet faqe. S’kam ç’bëj: janë 40 vjet pune e luftë në fusha të ndryshme: letrare, publicistike, ekonomike. Është dhe aspirata që të mos mbetem një shkrimtar i një epoke të kaluar, po edhe i së sotmes. Në mendjen time gurgullojnë kaq dëshira dhe projekte, të cilat dua t’i hedh në letrë dhe s’mund. S’mund sepse shëndeti im është i keq dhe ato pak çaste më të kthjellta që më mbeten duhet t’ja kushtoj punës së ditës, përkthimit. Mirëpo ndjej që kjo punë, përkthimi, është shumë më pak e vlefshme dhe e dobishme se sa ajo që mund të bëja po t’ja kushtoja çasteve të mija të mira shkrimeve origjinale. Pra arrita shpejt atje ku më dhëmb dhëmbi: dua të kem nja 3 vjet të lirë, të mijat, që të përfundoj atë që kam filluar dhe mbase disa nga ato që kam mbrujtur në mendje. Këta 3 vjet i kërkoj në trajtën e një leje krijimtarie. Shumë? Nuk janë shumë, shoku Mehmet. Kam bërë dyzet vjet punë të çaprashitur në fusha të ndryshme, dua 3 vjet vetëm për letërsi. Po të bëj diçka të mirë? Po. Them kështu, ndon se jam i shkuar nga mosha (58 vjeç) dhe me një shëndet që nuk shkon mbroth. Shumë kolegë të tjerë të më rinj, me një veprimtari më të pakët e në caqe më të ngushta, kanë fituar prej kohe mundësinë t’i kushtohen vetëm shkrimit, si profesionistë. Unë nuk kërkoj një gjë të tillë. Ata vjetët e paktë që më kanë mbetur – them kështu se me bluajnë sëmundjet – kërkoj 3 vjet lirim nga puna e rëndomtë që të bëj diçka të parëndomtë.
Cila është garancia se do të bëj një punë të tillë? Ata 40 vjet punë të së kaluarës që, në s’thonë gjë tjetër shumë-shumë pozitive për vëndin tim, thonë të paktën se nuk e kam harxhuar kohën as me dëfrime, as me aspirata karjerizmi, por gjithnjë në punë. Po te lexoni me kujdes do të shihni se kështu është.
A do të bëhet Partia dhe Ju mecena im? Nuk di, por unë shpresoj dhe pres. Dhe duke shpresuar dhe pritur, vazhdoj të punoj – domosdo të punoj i çaprashitur në dy fusha: përkthim dhe krijim. Dhe shumë i lodhur.
Ju dërgoj të fala, Dhimitër Pasko (M. Kuteli) Tiranë, 20 tetor 1964./KultPlus.com
Romani “Ridënimi” i autorit Fatos Lubonja është përzgjedhur si kandidat për çmimin letrar “Angelus” 2025, një ndër çmimet më të rëndësishme për letërsinë e Evropës Qendrore të përkthyer në gjuhën polake.
Vepra është përkthyer në polonisht me titullin “Drugi wyrok”, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përmes Fondit të Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj, një fond vjetor që synon promovimin e letërsisë shqipe jashtë vendit. Përkthimi është realizuar nga Dorota Horodyska dhe libri është botuar nga shtëpia botuese polake “Pogranicze”, transmeton KultPlus.
“Ridënimi” i përket zhanrit të kujtimeve dhe konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të kujtesës në letërsinë shqipe. Aktualisht, libri është mes 14 veprave që garojnë për çmimin “Angelus” 2025.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), ka bërë të ditur se lista përfundimtare me shtatë titujt e nominuar do të shpallet në muajin shtator./KultPlus.com
Shkrimtarit të njohur Ibarhim Kadriu do ti ndahet titulli Vula Akademike për Merita Letrare nga Akademia e Arteve dhe Shkencave Filozofike në Bari të Italisë, shkruan KultPlus.
Ky titull do ti jepet më 4 tetor, me rastin e edicionit të 9-të të Cmimit Ndërkombëtar Akademik “Lucius Annaeus Seneca” për Letërsi Bashkëkohore, ceremoni që do të mbahet në Kështjellën Normano- Swabiane të Sannicandro të Barit.
Ibrahim Kadriu është një prej shkrimtarëve më të njohur të Kosovës, veprat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Letërsia e Kadriut është e përkthyer edhe në gjuhën italiane, vendin në të cilin do ti ndahet edhe ky cmim./ KultPlus.com
Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës.
Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.
– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.
Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.
Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.
Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.
Së fundmi ka dalë nga shtypi libri më i ri me poezi për fëmijë, “NË SYTË E ARDIT”, i autores Xhevrije Kurteshi-Nimani. Ky është një botim i veçantë, që përmbledh 120 poezi të ndara për dy grupmosha: për fëmijët dhe për të rriturit, me tematikë të gjerë që prek dashurinë për fëmijët, kujtimet nga vendlindja dhe jeta në mërgim.
Libri është titulluar dhe kushtuar syve të birit të saj, Ardianit, duke sjellë emocione të ndjera përmes vargut poetik. Sipas redaktorit të librit, Hysen Ibrahimi, autorja ka shënuar një rritje të dukshme në stilin dhe nivelin artistik të poezisë së saj, krahasuar me botimet e mëparshme.
Poetja përmes fjalës së saj sjell përjetime të thella shpirtërore që lidhen me vendlindjen, familjen, fëmijët dhe simbolet kombëtare. Poezitë për fëmijë, me ndjeshmëri dhe gjuhë të thjeshtë, kanë ngjashmëri me stilin e poetit të njohur Rifat Kukaj.
Ndër poezitë më të veçanta janë “Në sytë e Ardit” dhe “Abetarja jonë”, ku autorja shpreh dashurinë e pastër të nënës për fëmijën dhe krenarinë për gjuhën dhe shkronjat shqipe, sidomos në kontekstin e jetës në mërgim.
Ky libër është një dhuratë e çmuar për lexuesit e vegjël dhe për ata që ruajnë dashurinë për poezinë dhe gjuhën amtare, kudo që ndodhen në botë./KultPlus.com
Nga Naim Frashëri e deri te Mitrush Kuteli e Ismail Kadare, letërsia shqipe ka qenë për një kohë të gjatë një fushë ku dominonin burrat në tekst, në histori dhe në kanon. Megjithatë, zërat e grave nuk munguan. Ato e shkrinë heshtjen përmes poezisë, prozës e dramës, duke krijuar një identitet të veçantë letrar që shpesh u la në hije.
Gratë shqiptare në letërsi kanë shkruar mes dy botësh: një realiteti të fortë patriarkal dhe një bote artistike që kërkon shprehje të lirë. Që nga fillimi i shekullit XX e deri më sot, shumë prej tyre kanë sfiduar jo vetëm normat shoqërore, por edhe modelet e krijimit, duke sjellë rrëfime të reja për dashurinë, jetën, luftën, dhe qenien grua në një shoqëri në ndryshim.
Nga Musine Kokalari te Mimoza Ahmeti: një rrugëtim i gjatë Musine Kokalari, e para shkrimtare shqiptare që botoi një libër në gjuhën shqipe, është një figurë themelore për historinë letrare dhe politike. E përndjekur për bindjet e saj politike, ajo mbeti e izoluar për vite me radhë, por zëri i saj vazhdoi të jetojë përmes teksteve që sot lexohen me respekt dhe admiracion.
Ndërsa dekadat kalonin, emra si Flutura Açka, Helena Kadare, Elvira Dones, Mimoza Ahmeti dhe Lindita Arapi e shtuan gamën e temave dhe stileve. Ato sollën një ndjeshmëri të re ndaj trupit, identitetit, përkatësisë dhe të huajës duke krijuar letërsi që fliste si për brendësinë e shpirtit, ashtu edhe për dhimbjet kolektive të migrimit, represionit, dashurisë dhe humbjes.
Një përpjekje për të rishkruar historinë Historianët e letërsisë shqiptare për vite me radhë kanë pasur tendencën të nënvlerësojnë ose injorojnë zërin femëror. Sot, një brez i ri kritikësh, studiuesish dhe lexuesish po i kthehet kësaj trashëgimie me vëmendje dhe ndjeshmëri më të thellë.
Në tekstet e grave shqiptare gjejmë një gjuhë ndryshe, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në formë: më shpesh poetike, intime, shpërthyese, një jehonë e përvojave që nuk janë rrëfyer në mënyrë tradicionale.
Gratë sot: më shumë zëra, më shumë guxim Sot, letërsia shqipe po përjeton një ringjallje të autorëve gra, të cilat po botojnë jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në përkthime të shumta jashtë vendit. Romane që trajtojnë migrimin, identitetin gjinor, luftën, jetën urbane dhe përvojën e diasporës shqiptare – po hapin rrugë të reja për lexuesit dhe krijuesit e rinj. Kjo është një kohë kur fjala e gruas shqiptare në letërsi është më e pranishme dhe më e fuqishme se kurrë. Një letërsi që nuk kërkon vetëm barazi në numra, por barazi në ndikim, në kujtesë dhe në kanon./KultPlus.com
“Unë gjithmonë ndihem i lumtur. A e dini pse? Për arsyen se unë asnjëherë nuk shpresoj asgjë prej askujt! Shpresimet gjithmonë sjellin dhembje.
Jeta është e shkurtër, prandaj duajeni! Jini të lumtur dhe vazhdoni të buzëqeshni”.
Nëse shkoni në ndonjë librari të mirë sot në kërkim të dramave të Shekspirit, me siguri do ta gjeni të paktën një prej tyre.
Edhe nëse nuk mund ta gjeni atë që kërkoni në raftet e librave, ekziston gjithmonë interneti, ku ofrohet gjithashtu një larmi e madhe veprash dhe botimesh të ndryshme të plota – pothuajse të gjitha pa pagesë.
Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fakt, në kohën e Shekspirit, tekstet ishin mjaft të vështira për t’u gjetur. Qasja e pabesueshme që kemi tani në veprën e Shekspirit është falë një grushti botuesish. Kjo ishte një iniciativë në të cilën e panë potencialin fitues për t’i bërë tekstet e shkrimtarit lehtësisht të disponueshme për t’u lexuar./KultPlus.com
Sot, më 1 gusht, përkujtohet lindja e Herman Melville, një prej figurave më emblematike të letërsisë amerikane. I lindur më 1819 në Nju Jork, Melville mbetet i njohur sidomos për romanin e tij madhor Moby-Dick, një vepër që në kohën e botimit nuk pati sukses të menjëhershëm, por që sot konsiderohet si një prej kryeveprave të letërsisë botërore.
Rruga krijuese e Melville-it ishte e mbushur me sfida. Ai nisi si detar në rini, duke përjetuar udhëtime që më vonë do të përbënin frymëzimin për romanet e tij të para, si Typee dhe Omoo. Por ishte Moby-Dick, i botuar në vitin 1851, që do ta vendoste përfundimisht si një zë të veçantë në letërsinë universale – një histori e fuqishme që përshkruan ndjekjen obsesive të kapitenit Ahab pas balenës së bardhë.
Gjatë jetës, Melville nuk e përjetoi suksesin e kësaj vepre. Ai ndërroi jetë në vitin 1891 në varfëri relative dhe me vepra të harruara. Vetëm në shekullin XX, kritika letrare e rishqyrtoi punën e tij dhe e vendosi në qendër të kanonit amerikan.
Sot, trashëgimia e Melville-it është e gjallë në bibliotekat, universitetet dhe kulturën botërore. Vepra e tij vazhdon të lexohen, analizohen dhe të frymëzojnë breza të rinj me reflektime mbi njeriun, natyrën dhe absurditetin e fatit.
Në një botë gjithnjë në kërkim të kuptimit, Melville na kujton se pyetjet më të mëdha nuk kanë përgjigje të lehta porse kërkimi i tyre është çka e bën jetën lexim të denjë./KultPlus.com
Më 1 gusht të vitit 1937 u nda nga jeta kleriku, teologu, poeti, gjuhëtari, deputeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.
Mjeda ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha, megjithatë, u diplomua doktor në Teologji dhe Filozofi nga Universiteti Pontifik Gregorian, më 20 tetor 1931.
Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866, në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe, Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Ishte viti 1901 kur bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.
Mes të tjerash, Dom Ndre Mjeda ishte anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes në Kongresin e Manastirit, i zgjedhur në 1908-ën, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. Në kujtesën popullore ai mbetet si poeti i “Vajit të Bylbylit”, botuar më 1887./atsh/ KultPlus.com
Një konferencë që nisi me qëllim shkencor për të diskutuar mbi gjuhën shqipe, standardin, gjuhën letrare dhe drejtshkrimin, përfundoi si një kongres partie, i ndikuar fort nga klima ideologjike e kohës. Kështu e përshkruan gjuhëtari Bahri Beci, një nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët e Kongresit të Drejtshkrimit, këtë ngjarje që shënjoi historinë gjuhësore dhe kulturore të Shqipërisë, në librin e tij.
Në librin e tij “Përjetime 1936–2021”, Beci ndan kujtime që nga fëmijëria në Shkodër e deri te reflektimet për tri periudha historike të Shqipërisë: periudha e sistemit kapitalist (1936–1944), ajo e sistemit komunist (1944–1990) dhe tranzicioni postkomunist (1990–2021). Ai vëren se “Shqipëria dhe shqiptarët gjatë këtyre tri epokave janë përpëlitur si një anije pa vela në mes dallgëve të detit”.
Përmes një stili publicistik dhe reflektues, Beci përshkruan ngjarje kyçe kulturore, nga Kongresi i Manastirit deri tek Kongresi i Drejtshkrimit, duke e vendosur veten në rrëfimin e një shkencëtari të gjuhës që operonte nën presionin e doktrinës politike. Ai flet për ndërtimin e figurës së “Homo ideologicus”, si një produkt i drejtpërdrejtë i regjimit:
“Ishte krijuar njeriu ideologjik, që është e keqja më e madhe e këtij vendi në të dyja kohët”, thotë Beci, teksa përshkruan mënyrën se si ndërtohej “elita e re” me bekim politik.
Duke iu rikthyer ngjarjes që do të ngulitej thellë në historinë gjuhësore shqiptare, Kongresit të Drejtshkrimit, Beci tregon se për të “ka qenë e rëndësishme e vërteta”:
“Unë nuk kam bërë ndonjëherë, refuzim apo mohim të gjuhës letrare. Unë jam marrë me argumentet shkencore. Gjuha e vendosur si standard, ka qenë më shumë një gjuhë gazetash, një gjuhë burokratike, më shumë se një gjuhë letrare e mirëfilltë; këtu përjashtoj shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i cili diti ta lëvrojë gjuhën, ta shpëtojë nga ngurtësimi.”
Në kujtimet e tij, Beci ndalet edhe në përjetimet personale brenda Institutit ku punonte. Ai tregon se si, me propozimin e Jorgos, u zgjodh sekretar shkencor i Institutit – një lëvizje që ai e sheh jo si rastësi, por si pjesë e politikës së “kulaçit” pas asaj të “kërbaçit”.
“Tani sikur kërkonin të më merrnin me të mirë. Me sa duket, drejtori donte të jepte prova se ai nuk kishte pasur dhe nuk kishte gjë me mua, se ai më donte e më respektonte, madje edhe më vlerësonte… tani nuk isha më naiv, madje mund të them se isha bërë shumë vigjilent e kërkoja si i thonë, qimen në qull.”
Gjatë viteve 1972–1975, Beci kujton se punoi me përkushtim të veçantë, duke e vlerësuar këtë periudhë si një ndër më të frytshmet në jetën e tij shkencore. Megjithatë, ai thekson se “bashkëjetesa me drejtuesit kërkonte si peng personalitetin”.
Kujtimet e tij rikthejnë atmosferën e tensionuar të kohës, ku “etja për lavdi dhe mania për t’u imponuar me gjëra të mëdha” ishte shndërruar në mënyrë të menduari dhe vepruari.
“Shoqëria shqiptare ishte si një tullumbace tepër e fryrë që vërtitej sa andej-këndej, po pa e ditur se ku po shkonte… Pra, tullumbace shteti, tullumbace shoqëria, tullumbace institucionet.”
Një nga ngjarjet më të rëndësishme që ai përshkruan është konferenca ndërkombëtare e organizuar nga Instituti i Historisë, e cila u bë “bisedë e ditës” në gjithë vendin. Por, shumë shpejt pas saj, Kongresi i Drejtshkrimit do të merrte vëmendjen kombëtare:
“E ky do të ishte Kongresi i Drejtshkrimit që është vlerësuar si ‘një fitore e vijës marksiste të PPSH-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës sonë letrare kombëtare’.”
Këto rrëfime dhe analiza nga Bahri Beci, të ndërtuara mbi përjetime personale dhe njohuri të thella shkencore, edhe pasi ai ka vdekur, ofrojnë një dritare të vyer për të kuptuar se si politika ndikoi formësimin e gjuhës shqipe standarde, jo vetëm si proces gjuhësor, por edhe si instrument ideologjik./KultPlus.com
“Omari i Madh”, një libër i rrallë dhe i jashtëzakonshëm i zbukuruar me gurë të çmuar, u nis nga Londra për në Nju-Jork në prill të vitit 1912, por përfundoi në fund të Oqeanit Atlantik pas fundosjes së Titanikut. Ky libër, një përpunim i veçantë i “Rubairat” të Omar Khajam, mbetet një nga veprat më tragjike dhe misterioze të historisë së botimit.
Në vitin 1911, mjeshtri britanik Francis Sangorski përfundoi një punim që i kishte kushtuar mbi dy vjet përkushtim intensiv. Libri ishte me përmasa 40 cm me 35 cm dhe ishte i zbukuruar me 1050 gurë të çmuar, përfshirë rubinë dhe smeraldë. U përdorën rreth 9 metra katrorë fletë ari dhe rreth 5000 copë lëkure për përfundimin e tij. Punimi përfshinte elemente të tilla si gjethe, shpendë, kafka njerëzore, bimë dhe ornamente persiane që simbolizonin jetën dhe vdekjen, transmeton KultPlus.
Sangorski e perfeksionoi çdo detaj të librit, duke përfshirë përdorimin e kafkës së një njeriu për të realizuar me saktësi një vizatim anatomik. Madje i dha ryshfet një rojtari të kopshtit zoologjik të Londrës që t’i lejonte të shihte një gjarpër duke gëlltitur një mi të gjallë, vetëm për të mundësuar përshkrimin sa më real të skenës që do të pikturonte në libër.
Ideja për këtë projekt filloi në vitin 1907, kur Sangorski takoi John Stonehouse, menaxherin e librarisë Sotheran, e themeluar në vitin 1761 dhe ende aktive sot. Sipas Sangorskit, qëllimi ishte të krijonte një vepër të zbukuruar “me gurë të tillë që nuk ishin parë kurrë më parë” në botën e botimeve. Shtëpia botuese e përshkroi librin si “ekzemplarin më të mirë dhe më të shquar të projektuar ose të prodhuar ndonjëherë, në çdo periudhë ose në çdo vend”.
Vepra u nxor në shitje për një çmim që në vlerat e sotme do të ishte rreth 120,000 paundë. Megjithatë, nuk u shit. Aristokratët dhe koleksionistët britanikë e refuzuan, pjesërisht për shkak të paragjykimeve ndaj veprës së Omar Khajamit, i cili nuk vlerësohej aq shumë asokohe. Sir John Fortescue, menaxher i bibliotekës mbretërore në Kështjellën Windsor, e refuzoi duke e quajtur “një vepër të papërshtatshme, të paefektshme dhe të parëndësishme”.
Një tregtar nga Nju-Jorku, Gabriel Wells, ofroi 800 paundë për librin në verën e vitit 1911, por oferta u refuzua. Më vonë, për shkak të mungesës së interesit në Britani, u vendos që libri të dërgohej në Amerikë, ku tregu i librave ishte më i zhvilluar. Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme, më 29 mars 1912, libri iu shit sërish Gabriel Wells për 405 paundë dhe më 6 prill u nis për në Amerikë me anijen Titanic.
Katastrofa e Titanikut, ku humbën jetën më shumë se 1500 njerëz, shënoi edhe fundosjen e librit të famshëm. “Omari i Madh” u konsiderua si një nga thesaret më të vlefshme të humbura në fundin e oqeanit. Sir John, menaxher i Bibliotekës Kombëtare asokohe, do të deklaronte se “fundi i Atlantikut ishte padyshim vendi më i mirë për të”.
Vetëm dhjetë javë pas fundosjes së Titanikut, tragjedia vazhdoi. Francis Sangorski, mjeshtri i veprës, u mbyt në bregdetin e Sussexit në Angli. Sipas raportimeve, ai u rrëzua aksidentalisht dhe u tërhoq nga rryma e fortë e detit. Në epitafin e varrit të tij shkruhet: “Jeta për të si një mjeshtër sapo ka filluar”.
Në vitin 1924, nipi i George Sutcliffe, botuesit origjinal të librit, gjeti vizatimet origjinale të Sangorskit dhe vendosi të rikrijojë veprën. Stanley Bray, trashëgimtari i kësaj trashëgimie, punoi për vite me radhë për të realizuar botimin e dytë. Kur Lufta e Dytë Botërore shpërtheu, libri u ruajt në një kasafortë të sigurt në Londër. Pas një bombardimi gjerman, ndonëse kasaforta u gjet e paprekur, faqet e librit ishin djegur nga nxehtësia e madhe.
Pas përfundimit të luftës, Bray nisi përpjekjet për ta realizuar një herë të tretë librin. Përdori bizhuteritë e mbijetuara nga versioni i mëparshëm dhe pas 4000 orësh punë, më në fund e përfundoi. Ai nuk e bëri këtë për fitim, por për nderim, sepse “Omari i Madh” ishte shndërruar tashmë në një simbol të qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe pasionit për artin e bukur të librit./KultPlus.com
Një nga lexuesit më të përkushtuar dhe më të vjetër të bibliotekës publike “Qemal Baholli”, është Petrit Hidri, 76 vjeç nga Elbasani. Ai ka një lidhje të fortë me librin, një pasion që e ndjek prej 65 vitesh pa pushim.
Që nga koha kur ishte nxënës në klasën e pestë, Petriti është bërë pjesë e pandarë e kësaj biblioteke, ku lexon çdo mëngjes letërsinë klasike botërore, nga autorët rusë, francezë, italianë e amerikanë. Për të, biblioteka është më shumë se një vend për të marrë libra, është shtëpia e tij e dytë, ndërsa leximi është një nevojë po aq e domosdoshme sa frymëmarrja.
“Kam hyrë në këtë bibliotekë që nga fëmijëria, dhe që atëherë jam bërë mik i saj i përhershëm. Sidomos pas daljes në pension, nuk e shikoj më vetëm si bibliotekë, por si një shtëpi të dytë për mua,” tregon Petrit Hidri.
Libri për të është ushqimi i përditshëm pa të cilin nuk mund të jetojë. Ai shpreh kënaqësinë që pasioni për leximin po trashëgohet edhe nga brezat e rinj. Vajza e tij ka krijuar një bibliotekë personale me libra në shqip dhe në gjuhë të huaja, një trashëgimi që nisi kur ajo ishte fëmijë dhe shikonte librat e babait.
“Ndjej kënaqësi të madhe që çdo ditë shoh se shtohen lexuesit, jo vetëm në sallën e bibliotekës, por edhe në sportel, ku shoh grupmosha të ndryshme që marrin libra për t’i lexuar,” shton ai.
Për Petrit Hidrin, libri nuk është vetëm një burim i dijes, por edhe një mjet për të formuar njerëz më të mirë. Edhe pse koha kalon, ai nuk i mungon asnjë ditë bibliotekës së tij të dashur. Në një kohë kur leximi po bëhet gjithnjë e më i rrallë, Petriti mbetet një figurë frymëzuese për lexuesit e rinj në Elbasan./KultPlus.com
Më 31 korrik 1944, 81 vite më parë, humbi jetën një nga shkrimtarët më të dashur të shekullit XX – Antoine de Saint-Exupéry, autori i romanit të famshëm “Princi i Vogël” (Le Petit Prince), një prej librave më të përkthyer në botë.
Saint-Exupéry, përveçse shkrimtar, ishte edhe aviator francez. Ai u nis për një mision zbulimi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk u kthye më. Aeroplani i tij u rrëzua pranë brigjeve të Mesdheut dhe për dekada me radhë, zhdukja e tij mbeti mister, derisa mbetjet e avionit u gjetën në vitin 1998, transmeton KultPlus.
“Princi i Vogël”, një tregim filozofik i shkruar me thjeshtësi dhe ndjenjë të thellë njerëzore, mbetet vepra më e njohur e tij. Me ilustrime nga vetë autori, libri shpalos përmes një historie për fëmijë, një reflektim për jetën, vetminë, miqësinë dhe kuptimin e dashurisë.
“Njeriu sheh qartë vetëm me zemër. Ajo që është thelbësore, nuk shihet me sy”, është një nga citimet më të famshme nga vepra e tij, që vijon të prekë lexues të të gjitha moshave.
Saint-Exupéry u bë simbol i ëndrrave, guximit dhe ndjeshmërisë që lidhen me artin e të shkruarit dhe jetën vetë. Edhe pas 80 vitesh nga vdekja, vepra dhe mesazhi i tij jetojnë më të freskëta se kurrë./KultPlus.com
Romani “Tundimi i fundit i Krishtit”, i konsideruar si kryevepër nga kritikët në mbarë botën, është një interpretim laik i Ungjillit. I botuar për herë të parë në vitit 1955, në të rrëfehet jeta e Jezu Krishtit nga perspektiva e vetë Jezuit. Kazantzakis, ky gjigand i letërsisë moderne rrëfen dashurinë dhe pasionin e një njeriu çfarëdo: Jezuit të Nazaretit. Teza qendrore e librit është që Jezui, megjithëse i lirë nga mëkati, ishte i prekur nga frika, dyshimi, depresioni, ngurrimi dhe epshi.
KultPlus ua sjell në vijim një fragment të pjesës përmbyllëse të veprës, që në njëfarë forme, e rrënon edhe vetë rrënimin që i bën Kazantzakis figurës hyjnore kristiane:
Pjetri u ngrit:
-Ejani të ikim! – bërtiti. – Dil në ballë, Judë; prina!
Pleqtë u ngritën duke gulçuar; zgjasnin grushtet drejt Jezuit, që, rënë përmbys, me krahët hapur, zinte gjithë oborrin.
-Burrec! Dezertor! Tradhtar! – i bërtisnin një nga një. – Burrec! Dezertor! Tradhtar! – derisa u zhdukën me radhë.
Jezui zgurdullonte sytë me ankth, vështronte; kishte mbetur vetëm; qenë zhdukur oborri dhe shtëpia, pemët, portat e katundit, katundi, vetëm nën këmbë kishte gurë të përgjakur; gurë, kurse tutje, më poshtë, me mijëra krerë njerëzish.
Mblodhi gjithë forcat, për ta parë ku ndodhej, kush ishte, pse ndiente aq dhimbje; donte ta shpinte klithmën deri në fund, të bërtiste Lama sabakthani…, bëri të lëvizte buzët, nuk ia doli dot; iu morën mendtë, po rrëzohej e po humbiste brenda mendjes së vet…
Por, papritmas, tek rrëzohej dhe humbiste, dikujt, poshtë, në tokë, iu dhimbs, siç duket; përpara tij u zgjat një kallam, në majë kishte një copë sfungjer të zhytur në uthull, i preku buzët dhe flegrat. Mbushi mushkëritë me erën e thartë, u përmend; i gufoi kraharori, vështroi qiellin dhe klithi me një britmë të thekshme:
–Lama sabakthani!
dhe, menjëherë, vari kokën i rraskapitur.
Ndiente dhimbje të tmerrshme në duar, në këmbë dhe në zemër; sytë iu qartësuan, pa kurorën më gjemba, gjakun, kryqin; nëpër diellin e errësuar, shndrinë dy vathë të artë dhe dy radhë dhëmbësh të bardhë e të mprehtë; u dëgjua një e qeshur e freskët, qesëndisëse, vathët dhe dhëmbët u tretën; Jezui mbeti varur në ajër, krejt fillikat.
Tundi kokën dhe, në çast, u kujtua ku ndodhej, kush ishte dhe pse kishte dhimbje; e rrëmbeu një ngazëllim i egër e i harbuar; jo, jo, nuk ishte burrec, dezertor, tradhtar; jo, jo, gjendej i gozhduar në kryq, kishte qëndruar ndershmërisht deri në fund, e kishte mbajtur fjalën; në çastin kur bërtiste Eli! Eli!, kishte rënë rrufe dhe ai kishte humbur ndjenjat, pastaj e kishte rrëmbyer Tundimi dhe e kishte mashtruar; gëzimet, martesat, fëmijët, të gjitha këto qenë të gënjeshtërta; të gënjeshtërt edhe plakaruqët e rrënuar që e quanin burrec, dezertor, tradhtar; të gjitha, të gjitha qenë shajni të të Paudhit! Dishepujt e tij janë shëndoshë si molla, morën tokën dhe detet, po shpërndajnë Lajmin e Mirë. Gjithçka ndodhi sikundër duhej të ndodhte, lavdi Zotit!
Lëshoi një britmë ngadhënjimtare:
–U krye!
dhe ishte njëlloj sikur thoshte: Tani fillon gjithçka./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” po zhvillon një projekt të rëndësishëm për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore.
Koleksioni përfshin libra tematikë dhe monografi për artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, katalogje ekspozitash, materiale digjitale si CD dhe DVD, pllaka vinili me regjistrime arkivore, revista dhe botime periodike në gjuhë të ndryshme, përfshirë anglisht, gjermanisht, turqisht, kroatisht, koreanishte, tajvanez, bullgarisht, maqedonisht dhe shqip. Botimet vijnë nga Evropa, Azia, Amerika dhe Ballkani Perëndimor.
Figura kryesore të koleksionit janë artistë të njohur si Salvador Dalí, Pablo Picasso, Jean-Antoine Watteau dhe Mario Sironi, si dhe artistë modernë dhe bashkëkohorë të tjerë.
Procesi i punës po zhvillohet në tri faza: evidentimi dhe regjistrimi i materialeve me detaje të plota, klasifikimi alfabetik për lehtësimin e kërkimit dhe renditja fizike në rafte për akses të lehtë për publikun dhe studiuesit.
Qëllimi i projektit është ruajtja dhe dokumentimi i fondit ekzistues, përmirësimi i qasjes në materiale të specializuara dhe nxitja e kërkimit shkencor në fushën e artit bashkëkohor në Kosovë.
Pas përfundimit, koleksioni do të jetë në dispozicion të studiuesve, artistëve, studentëve dhe publikut të gjerë, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore.
Faleminderit stafit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për përkushtimin dhe angazhimin në këtë projekt të rëndësishëm/KultPlus.com
Balada e djalit të vogël që shëtit me hënën Teodor Keko
Babai pinte ditën dhe natën bënte sherr me nënën, vogëlushi lemerisej, dënesë kishte këngën, kruspullosur në kuvertë dridhej nëpër lot derisa vinte gjumi i madh e shpëtimplot. Një ditë babai s’piu. Qetësi e madhe ra, vogëlushi deri vonë iu përkëdhel në krah, i lumtur s’desh të flinte, “O ba nuk kam gjumë fare!”, po ba-ja e çoi hopa në shtratin nën dritare. Vogëlushi qeshte vetëm në errësirë me zë, kjo mbrëmie ish dhe lodër dhe përrallë për atë dhe ndërsa lumturia në gjumë po e ndillte krejt i habitur ndjeu në xham një trokitje. U ngrit i çuditur mbi doçkat e holla, pa hënën pranë të ndritur edhe i iku goja, iu duk hëna si ftua, iu duk si gji plot qumësht dhe doçkat sakaq zgjati drejt saj fare hutueshëm. “A vjen me mua, hëna i tha lehtas në vesh, të shkojmë bashkë në pyll, të Bukurën të gjesh?” Dhe djali shkoi pas saj zbathur me kanotiere, Ra në një pyll të bukur mbushur me ketra degëve. Atje… Çudi e madhe! E BUKURA E DHEUT ish nëna e tij. Ai syçkat i shqeu. Iu hodh nënës në qafë, me shpirt hënës i tha: “E sheh? Është mami ime! Ej, më të bukur s’ka!” Po dheu zu të tundej dhe mami u tmerrua, Nga ferrat doli xhindi, kuçedër ish, dragua, ku shkelte shtypte lulet, drurët digjte zjarr, vogëlushi njohu babin, e zu një tmerr i madh. Ai pinte raki, kish vrarë zogj dhe drerë, me shishen në kokë i ra mamit ca herë. I vogli u tmerrua, pas hënës u ngjesh, I lutej e i lutej: “Hajde të ikim shpejt!” Në vesh hëna e pyeti: “Babi yt është ky?” Vogëlushi tundi kokën: “Jo!” Veç s’e pa në sy. Një gur në tokë rrëmbeu dhe bamb shishes i ra, u derdh në fushë rakia dhe xhindi u bë plak. Pastaj dhe më i ri, pastaj i mirë u bë… Dhe djali humbi rrugën dhe s’mbajti mend asgjë. U zgjua vogëlushi, në dhomë syçkat derdhi, Ai kërkonte hënën, në xham tani ish dielli. “Ç’po bën i tha i ati, vishu të shkojmë në kopësht!” Ku humbi hëna, tha vogëlushi nëpër lot. Unë mbrëmë dola shëtitje me hënën e verdhë… Dhe gjithë ç’kish parë të atit ia tha menjëherë. Pastaj pa befas nënën që qante e që dridhej dhe thirri: “Ma, mos qaj! Babit ia theva shishen!…”
Shkrimtarja dhe autorja e njohur për fëmijë, Meliza Krasniqi, është nderuar me çmimin prestigjioz “Dega e ullirit” në kuadër të edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit “Ulqini 2025”, për librin e saj më të fundit “Me quajnë Nexhmije Pagarusha”.
Çmimi u nda gjatë ceremonisë solemne të hapjes së panairit, në prani të figurave të rëndësishme të letrave dhe kulturës shqiptare në rajon. Juria e përbërë nga emra të njohur si Liridon Mulaj (kryetar), znj. Irena Toci, drejtoreshë e Institutit të Librit dhe të Promocionit, z. Genci Nimanbegu, kryetar i Komunës së Ulqinit, dhe z. Čazim Hodžič, vlerësuan lart vlerat artistike dhe edukative të veprës.
Në një reagim publik, Krasniqi u shpreh thellësisht e nderuar për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë emocionale që ky çmim ka për të.
“Ky çmim ka domethënie të veçantë për mua — si degë ulliri që më kujton se fjala për fëmijë mbjell paqe, kujtesë dhe shpresë”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
“Me quajnë Nexhmije Pagarusha” është një vepër që i prezanton gjeneratave të reja figurën madhështore të “Bilbilit të Kosovës”, në një mënyrë të ndjeshme, edukative dhe letrare. Libri konsiderohet një ndër përpjekjet më të arrira të autorës për të ndërtuar ura mes historisë kulturore dhe lexuesve të vegjël./KultPlus.com
Më 30 korrik 1818 lindi Emily Brontë, një nga zërat më origjinalë dhe sfidues të letërsisë britanike, e njohur botërisht për romanin e saj të vetëm, por magjepsës, Wuthering Heights. Edhe pse jetoi vetëm 30 vjet, Brontë arriti të shkruajë një nga veprat më të errëta, më komplekse dhe më të studiuara të kanonit letrar anglez. Historia e dashurisë së furishme dhe hakmarrjes mes Heathcliff dhe Catherine Earnshaw, e vendosur në një peizazh të egër dhe të mbushur me atmosferë gotike, tronditi lexuesit e shekullit XIX për intensitetin emocional dhe thellësinë psikologjike që rrallë shfaqej në veprat e kohës.
Në një periudhë kur gratë nuk priteshin të shkruanin letërsi me ton aq të guximshëm e të zymtë, Emily Brontë botoi romanin e saj nën pseudonimin Currer Bell, për të shmangur paragjykimet gjinore. Por pavarësisht kritikave fillestare, Wuthering Heights u kthye me kalimin e kohës në një klasik të pakontestueshëm. Vepra e saj vazhdon të analizojë tema universale si dashuria shkatërruese, natyra e egër njerëzore dhe ndikimi i klasave shoqërore, shkruan KultPlus.
Sot, në përvjetorin e lindjes së saj, Emily Brontë përkujtohet si një nga figurat më të fuqishme të letërsisë femërore dhe një autore që sfidoi kohën e saj me një zë letrar të papërsëritshëm. Wuthering Heights mbetet dëshmi e një talenti të rrallë dhe një pasqyrë e thellë e shpirtit njerëzor, që vazhdon të frymëzojë lexues e studiues në mbarë botën./KultPlus.com