Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

GJERMANI – Gjykata kërcënon qeverinë me gjobë për vizat e afganëve

BERLIN, 21 gusht /ATSH-DPA/  – Qeveria gjermane rrezikon një gjobë prej 10 000 eurosh në mosmarrëveshjen lidhur me dhënien e vizave për afganët që duan të hyjnë në Gjermani.

Gjykata Administrative e Berlinit vendosis ot se gjoba do të paguhet nëse brenda tre javësh nuk merret një vendim për aplikimet e dorëzuara nga dy familje afgane, tha një zëdhënëse e gjykatës.

Në një rast, gjoba e mundshme është 2 500 euro nëse nuk merret vendim deri më 10 shtator për atë familje, ndërsa në tjetrin është 10 000 euro. Gjykata theksoi se duhet merrt një vendim, por ai nuk ka pse të jetë domosdoshmërisht në favor të aplikuesve.

Ministria e Jashtme fillimisht nuk ishte e disponueshme për koment.

Çështja lidhet me programin federal të pranimit për afganët veçanërisht të rrezikuar, të cilin qeveria e re gjermane e pezulloi në fillim të majit. Aktualisht, Gjykata Administrative e Berlinit po trajton një numër rastesh të ngritura nga afganë që luftojnë për të marrë viza.

Më herët këtë javë, qeveria gjermane njoftoi se 211 persona nga programi i pranimit u deportuan së fundmi nga Pakistani drejt vendit të tyre të origjinës. Ministria e Jashtme tha se Pakistani kishte arrestuar rreth 450 persona nga ky program, ndërsa ambasada gjermane në Islamabad dhe Ministria arritën të siguronin lirimin e 245 prej tyre.

Deri tani, gjykatësit kanë urdhëruar qeverinë gjermane të lëshojë viza në 22 raste, ndërsa tre kërkesa për zbatim të vendimeve janë ende pezull.

Në total, mbi 2 000 afganë po presin të largohen drejt Gjermanisë në kuadër të programeve të ndryshme të pranimit. Ata janë ish-punonjës lokalë ose konsiderohen veçanërisht të rrezikuar. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Gjykata kërcënon qeverinë me gjobë për vizat e afganëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina duhet të kalojë në ofensivë për t’i ushtruar presion Rusisë

KIEV, 21 gusht /ATSH – DPA/ – Ukraina duhet të shkojë përtej mbrojtjes ndaj sulmeve ruse dhe të kalojë në ofensivë për të ushtruar “presion kundër Rusisë”, tha sot presidenti Volodymyr Zelensky.

“Kjo luftë duhet të mbarojë, ne duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha ai në fjalimin e tij të  mbrëmjes. Presidenti rus Vladimir Putin nuk kupton “asgjë tjetër përveç pushtetit dhe presionit”, tha ai.

Komentet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar t’i japë fund konfliktit, postoi në platformën e tij Truth Social se “është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar një vend pushtues”.

Forcat ukrainase kanë nisur kundërsulme ditët e fundit, duke përfshirë rajonin verilindor të Sumy dhe pranë qytetit lindor të Pokrovsk.

Qendra e transportit në provincën e Donetskut është bërë përsëri skenë e luftimeve të ashpra midis trupave ruse dhe ukrainase.

Deri  sot në mbrëmje, rreth 24 përleshje të armatosura janë raportuar në shtabin e përgjithshëm në Kiev, sipas një deklarate të postuar në Facebook.

Megjithatë, këtë herë nuk ishin rusët, por ukrainasit ata që kaluan në ofensivë, postoi shefi i ushtrisë Oleksandr Syrskyi në Telegram, duke shtuar se gjashtë vendbanime u rimorën.

“Pavarësisht epërsisë numerike të armikut, njësitë e forcave të armatosura dhe Gardës Kombëtare të Ukrainës po i përmbushin detyrat e tyre me nder”, shkroi ai. “Si rezultat i operacioneve të suksesshme të sulmeve dhe kërkimit, gjashtë qytete janë pastruar dhe qindra pushtues rusë janë asgjësuar”.  /Ad.Ab./

 

The post KIEV – Zelensky: Ukraina duhet të kalojë në ofensivë për t’i ushtruar presion Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTË -Wadenphul: Gjermania duhet të jetë mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj

XHAKARTË, 21 gusht /ATSH – DPA/ – Gjermania duhet të jetë më mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj, duke pasur parasysh mungesën e stafit të kualifikuar, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul gjatë një vizite në Indonezi.

“Ne nuk kemi nevojë vetëm për mënyra teknike për të sjellë njerëz në Gjermani, por gjithashtu duhet të tregojmë një kulturë mikpritëse për punëtorët e huaj të kualifikuar”, tha politikani konservator pas vizitës së tij në një universitet për profesionet shëndetësore në Jakarta.

Ai shtoi se për një shoqëri kaq të re sa ajo e Indonezisë, ku gjysma e popullsisë është nën 30 vjeç, punësimi jashtë vendit paraqet një mundësi të konsiderueshme.

Megjithatë, ai paralajmëroi se Gjermania përballet me konkurrencë nga destinacione të tjera tërheqëse, veçanërisht në fusha shumë të kërkuara.
“Dhe shumë nuk na preferojnë ne  pjesërisht sepse gjuha gjermane nuk është nga më të lehtat”, vuri në dukje ai. “Prandaj, na takon neve të bëjmë kushtet sa më tërheqëse për punëtorët e ardhshëm të kualifikuar.”

“Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe në IT dhe hotelieri”, tha Wadephul.

Ai theksoi rëndësinë e integrimit të mësimit të gjuhës në edukimin profesional, duke lavdëruar bashkëpunimin midis Goethe-Institut dhe ministrisë së Shëndetësisë së Indonezisë si një projekt model.

Wadephul gjithashtu vizitoi një kurs  për gjuhên gjermane dhe diskutoi planet e karrierës me studentët, duke vëzhguar një ushtrim infermierije të kryer në gjermanisht.

Aktualisht, migracioni i punëtorëve të kualifikuar në Gjermani mbetet i ulët, me rreth 1 000 viza të lëshuara çdo vit. Berlini citon nivelet e ulëta të trajnimit, kërkesat për gjuhë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale si sfida./Ad.Ab./

 

 

The post XHAKARTË -Wadenphul: Gjermania duhet të jetë mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË –  Projekte të reja të “The Beatles Anthology” do të publikohen këtë vjeshtë

LONDËR, 21 gusht /ATSH/ – Fansat e “The Beatles” do të kenë arsye për t’u gëzuar; këtë vjeshtë vijnë përmbajtje të reja nga grupi legjendar, në ekran, në muzikë dhe në botime, sipas AP.

Sipas një njoftimi zyrtar, “The Beatles Anthology” do të rikthehet “në formën e tij përfundimtare”.

Dokumentari muzikor i vitit 1995, që tregon udhëtimin e grupit nga ditët në Liverpool deri te fama botërore, është restauruar e remasterizuar dhe do të ketë edhe një episod të nëntë.

Ky do të publikohet në “Disney” më 26 nëntor.

Episodi i ri përfshin pamje prapaskenash të Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr gjatë viteve 1994-1995, ndërsa punonin për serinë dhe reflektonin mbi jetën e tyre si ” The Beatles”.

Giles Martin, djali i producentit legjendar George Martin, ka krijuar përzierje të reja audio për shumicën e këngëve të përfshira.

Më 21 nëntor do të dalë edhe muzika e re, albumi “Anthology 4”,  së bashku me versionet e remasterizuara të tre albumeve të para.

Albumi i katërt do të përfshijë 13 demo të papublikuara më parë, regjistrime sesioni dhe materiale të rralla.

Ai do të ketë gjithashtu  versione të reja të hiteve “Free As A Bird” dhe “Real Love”, ndërsa klipi origjinal i “Free As A Bird” është restauruar.

Më 14 tetor publikohet edhe botimi i 25-vjetorit të librit “The Beatles Anthology”, ku katër anëtarët dhe bashkëpunëtorë të tyre si Neil Aspinall, George Martin dhe Derek Taylor tregojnë historitë e tyre.

Ndërkohë, fansat përgatiten edhe për katër filma artistikë të drejtuar nga Sam Mendes, ku secili do të fokusohet te një anëtar i  “The Beatles”, Paul Mescal si McCartney, Joseph Quinn si Harrison, Barry Keoghan si Starr dhe Harris Dickinson si Lennon. /Ad.Ab./

 

The post MUZIKË –  Projekte të reja të “The Beatles Anthology” do të publikohen këtë vjeshtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zjarret në BE thyejnë rekordin, mbi 1 milion hektarë të djegur në 2025

PARIS, 21 gusht /ATSH – AFP/ – Zjaret kanë djegur deri tani më shumë se një milion hektarë tokë në vendet e Bashkimin Evropiat gjatë vitit 2025, një rekord që prej fillimit të mbajtjes së statistikave në vitin 2006, sipas të dhënave zyrtare.

Duke kapërcyer rekordin vjetor prej 988 524 hektarësh të djegur në vitin 2017, shifra arriti në 1 015 731 hektarë deri sot në mesditë, një sipërfaqe më e madhe se Qiproja.

Kjo përllogaritje bazohet në të dhëna të mbledhura nga vlerësimet e vendeve anëtare të sistemit evropian të informacionit për zjarret pyjore (EFFIS), ndërkohë që Spanja dhe Portugalia vazhdojnë të luftojnë me flakët.

Katër vende të BE-së, Spanja, Qiproja, Gjermania dhe Sllovakia, tashmë kanë përjetuar vitin e tyre më të keq që nga fillimi i statistikave.

Spanja, e goditur më rëndë, me mbi 400 000 hektarë të djegur, përbën gati 40% të totalit të BE-së. Në perëndim të vendit po vazhdojnë disa zjarre që kanë marrë jetën e katër personave.

Portugalia, e cila mban rekordin e BE-së me 563 530 hektarë të djegur në vitin 2017, renditet e dyta më e prekur këtë vit. Deri më 21 gusht 2025, vendi ka humbur gati 274 000 hektarë, sipërfaqe që nuk është regjistruar kurrë kaq herët gjatë vitit.

Rumania ndjek me 126 000 hektarë të djegur, ndërsa në Francë janë reduktuar në hi 35 600 hektarë pyje, kryesisht në rajonin jugor të Aude, i goditur nga një zjarr masiv në fillim të gushtit.

Të dhënat e EFFIS, pjesë e monitoruesit klimatik evropian Copernicus, llogarisin vetëm zjarret që kanë shkrumbuar të paktën 30 hektarë.

Jashtë BE-së, Britania gjithashtu po përjeton një vit rekord, pas zjarreve të prillit gjatë një vale të hershme të të nxehtit, si dhe në veri të Skocisë në fund të qershorit. Në Ballkan, Serbia po regjistron gjithashtu vitin e saj më të keq që kur mbahen të dhëna.

Deri më 19 gusht, zjarret pyjore në 22 nga 27 vendet e BE-së kishin lëshuar 35 megaton CO2 që nga janari , një nivel i paparë në këtë periudhë të vitit, sipas EFFIS , duke treguar se rekordi i vitit 2017 prej 41 megatonësh mund të kalohet.

Gjatë vitit rekord 2017,  zjarret  kishin marrë jetën e mbi 200 personave në BE, veçanërisht në Portugali, Itali, Spanjë dhe Francë.

Në vitin 2025, numri provizor i viktimave në BE për shkak të zjarreve është 1; dy në Qipro, një në Francë dhe shtatë në gadishullin Iberik. /Ad.Ab./

The post FOKUS – Zjarret në BE thyejnë rekordin, mbi 1 milion hektarë të djegur në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAMASK – Sirianët kujtojnë sulmin kimik në Ghouta pas rrëzimit të Assadit

DAMASK, 21 gusht  /ATSH-DPA/  – Të mbijetuarit e një sulmi kimik në vitin 2013 pranë kryeqytetit sirian, Damask, përkujtuan sot përvjetorin e ngjarjes tragjike, më shumë se tetë muaj pas rrëzimit të sundimtarit për një kohe shume të gjatë, Bashar al-Assad.

Qindra njerëz u vranë në një sulm me sarinë në qytetin e Ghoutas, më 21 gusht 2013.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese e luftës, ka vlerësuar se numri i viktimave është mbi 1 400 vetë, sulmi më vdekjeprurës kimik gjatë luftës civile siriane, e cila zgjati më shumë se një dekadë.

“Kjo është hera e parë në 12 vjet që flasim me mediat dhe tregojmë çfarë ndodhi atë mëngjes, kur qyteti u bombardua me armë kimike”, tha Mohammed Arnous, një  banor i Ghoutas.

Ai shtoi se një xhami, e vendosur në një bodrum, u godit gjatë sulmit dhe për pasojë shumica e besimtarëve humbën jetën.

“Gjatë bombardimeve nga forcat e regjimit, ne ishim mësuar të trajtonim të plagosurit. Por kur u sulmuam me armë kimike, nuk e dinim si të vepronim”, kujtoi Munther Natou, i cili punonte në zyrën mediatike në atë kohë.

Duke përkujtuar përvjetorin e sulmit në Ghouta, ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, shkroi në X se ata që janë përgjegjës për regjimin e mëparshëm duhet të dalin përpara drejtësisë, në mënyrë që “paqja të lulëzojë mbi varret” e viktimave. /Ad.Ab./

The post DAMASK – Sirianët kujtojnë sulmin kimik në Ghouta pas rrëzimit të Assadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAMPALA  – Uganda arrin marrëveshje me SHBA-në për të pranuar migrantë

KAMPALA, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Uganda ka rënë dakord të pranojë migrantë që nuk kualifikohen për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot një zyrtar i ministrisë së Jashtme, në përpjekjen më të fundit të Uashingtonit për të përshpejtuar dëbimet.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka negociuar marrëveshje për të dërguar persona në vende të treta, mes tyre El Salvadorin dhe Eswatinin, gjë që është kritikuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Uganda strehon aktualisht rreth 1,7 milionë refugjatë, duke e bërë vendin me popullsinë më të madhe të refugjatëve në Afrikë, dhe tani është shteti më i fundit në Afrikën Lindore që njofton një marrëveshje të tillë me Uashingtonin, duke iu bashkuar Ruandës dhe Sudanit të Jugut.

“Marrëveshja lidhet me shtetas të vendeve të treta të cilëve mund t’u mohohet azili në SHBA, por që janë hezitues ose kanë shqetësime për t’u kthyer në vendet e tyre të origjinës,” tha sekretari i përhershëm i Ministrisë së Jashtme të Ugandës, Vincent Bagiire, në një deklaratë në X.

Ai shtoi se bëhet fjalë për një “marrëveshje të përkohshme”, e cila përcakton se “individët me precedentë penalë dhe të miturit e pashoqëruar nuk do të pranohen”. /Ad.Ab./

 

The post KAMPALA  – Uganda arrin marrëveshje me SHBA-në për të pranuar migrantë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Dhjetëra mijëra trupa evropiane të nevojshme në Ukrainë

BERLIN, 21 gusht /ATSH/ – Liderët evropianë të NATO-s nuk duhet të jenë naive kur diskutojnë për një forcë paqeje në Ukrainë, por duhet të përballen me realitetin se do të nevojitet të dërgojnë dhjetëra mijëra trupa në vend për një periudhë të gjatë, tha kreu i sindikatës së ushtarëve gjermanë, sipas “Reuters”.

Presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë paqen midis Moskës dhe Kievit, por ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë folur në favor të vendosjes së trupave si pjesë e një koalicioni vullnetar pas luftës, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz gjithashtu ka shfaqur gatishmëri për pjesëmarrjen gjermane.

Koloneli Andre Wuestner, kreu i shoqatës së Forcave të Armatosura gjermane, u bëri thirrje sot liderëve evropianë të mos e nënvlerësonin detyrën ushtarake, por të ishin të sinqertë për sfidat, edhe pse një armëpushim i shpejtë duket i pamundur.

“Nuk do të mjaftojë që disa gjeneralë dhe njësitë e vogla ushtarake të drejtojnë një post komandimi në Ukrainë”, tha Wuestner, i cili përfaqëson më shumë se 200 000 ushtarë aktivë dhe të dalë në pension.

“Që nga fillimi, duhet të bëhet e qartë për Putin,  dhe të mbështetur e nga forcat ndërkombëtare, se jemi totalisht seriozë për garantctë e sigurisë”, shtoi ai.

“Seriozë për të mbështetur Ukrainën, seriozë për të garantuar armëpushimin dhe seriozë për reagimin tonë nëse Putin përpiqet të sulmojë përsëri Ukrainën”.

Ai vlerësoi se secili nga vendet kryesore të “koalicionit të të vullnetshmëve”, si Britania, Franca dhe Gjermania, do të duhej të vendoste të paktën 10 000 trupa në Ukrainë për një periudhë të gjatë, duke paraqitur një sfidë të madhe për forcat e tyre tashmë të ngarkuara dhe të pakta.  /Ad.Ab./

 

The post GJERMANI – Dhjetëra mijëra trupa evropiane të nevojshme në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Gjermanët dyshojnë se Merz ndikon ndaj presidentit Trump për Ukrainën

BERLIN, 21 gusht /ATSH DPA/ – Vetëm 13% e gjermanëve besojnë se kancelari i tyre, Friedrich Merz, mund të ushtrojë ndikim të rëndësishëm mbi presidentin amerikan Donald Trump në çështjet që lidhen me luftën në Ukrainë, tregon një sondazh i ri.

Sipas sondazhit të fundit të “Trendbarometer”, të kryer për kanalin televiziv  “RTL/ntv”, 84% e qytetarëve gjermanë nuk mendojnë se opinioni i Merzit ka peshë reale për Trumpin kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Ky qëndrim skeptik ndahet edhe nga 73% e mbështetësve të vetë konservatorëve të Merzit.

Sondazhi, i realizuar nga instituti i kërkimeve të opinionit “Forsa”, zbuloi gjithashtu se 81% e gjermanëve nuk presin një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit në një të ardhme të afërt.

Vetëm 18% e të anketuarve mendojnë se thirrja ndaj Ukrainës për të hequr dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia është veprimi i duhur.

Mbështetje mbi mesataren për një kurs të tillë gjendet në Gjermaninë lindore (38%) dhe mes mbështetësve të partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (48%).

Për sondazhin u pyetën 1 000 persona më 19 dhe 20 gusht. /Ad.Ab./

The post BERLIN – Gjermanët dyshojnë se Merz ndikon ndaj presidentit Trump për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

XHAKARTË – Wadephul i bën thirrje Kinës të shtojë presionin ndaj Putinit

XHAKARTË, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i ka bërë thirrje Kinës të ushtrojë më shumë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për të pranuar një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.

“Kina duhet të kuptojë më në fund se duhet të luajë një rol aktiv në përfundimin e këtij konflikti”, tha sot Wadephul pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të ASEAN-it, grupit prej 10 shtetesh të Azisë Juglindore.

“Për fat të keq, Kina nuk e ka bërë këtë deri tani, edhe pse i është kërkuar në disa raste”, shtoi ministri i Jashtëm  gjerman,

Ai i bëri thirrje Pekinit të “marrë një rol aktiv për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe të ushtrojë presion politik, por edhe ekonomik mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave”.

“Deri tani kemi parë që Rusia shmanget, nëse i hedh një sy deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov”, tha Wadephul. “Por nëse Kina e ndryshon këtë strategji – dhe siç e dimë, kurrë nuk është vonë për këtë – atëherë mund ta imagjinoj një rol konstruktiv të saj në të ardhmen”, theksoi ai.  /Ad.Ab./

 

The post XHAKARTË – Wadephul i bën thirrje Kinës të shtojë presionin ndaj Putinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AFGANISTAN – Mbi 70 të vdekur në aksident rrugor, mes tyre 17 fëmijë

PESHAVAR, 20 gusht  /ATSH/ – Të paktën 75 persona, përfshirë 17 fëmijë,gjeën vdekjen  në një aksident rrugor në Afganistan, ku u përfshi një autobus që transportonte migrantë të deportuar nga Irani, njoftuan  sot zyrtarët, sipas NBC.

Autobusi po udhëtonte drejt kryeqytetit Kabul nga Irani fqinj kur u përplas me një motor dhe një automjet tjetër në provincën perëndimore të Heratit, pranë kufirit iranian, sipas zyrtarit të lartë të qeverisë afgane, Ahmadullah Muttaqi.

“Makina mbante karburant dhe shpërtheu në flakë pas përplasjes me autobusin e mbushur plot me pasagjerë”, tha ai. “Dhe autobusi u përfshi nga zjarri dhe shumica e njerëzve në bord humbën jetën nga djegiet”.

Shtatëdhje e tre migrantë afganë që ndodheshin në autobus, mes tyre 17 fëmijë, humbën jetën, së bashku me dy persona nga automjetet e tjera. Tre të tjere mbetën të plagosur.

“Refugjatët afganë po ktheheshin në shtëpi pas shumë vitesh në Iran, por nuk arritën kurrë në destinacion pasi autobusi i tyre u përfshi në një aksident tragjik” përfundoi Muttaqi. /Ad.Ab./

 

The post AFGANISTAN – Mbi 70 të vdekur në aksident rrugor, mes tyre 17 fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Google Pixel 10” me IA të integruar sfidon rivalin e saj “Apple”

KALIFORNI, 20 gusht  /ATSH- DPA/ – “Google” po sfidon rivalin e saj “Apple “me një ofensivë të inteligjencës artificiale (IA) pak para lançimit të pritur të modeleve të reja “iPhone”.

Seria e re “Pixel 10” përmban veçori të IA-së si përkthimi i thirrjeve dhe një “trajner kamere” që ofron këshilla për kompozimin e fotove, bëri të ditur kompania të mërkurën në një njoftim për shtyp.

Në modelet më të shtrenjta “Pixel 10 Pro”, IA është e integruar drejtpërdrejt në kamera, duke krijuar detaje artificiale në nivele të larta zmadhimi.

“Google” planifikon gjithashtu të ofrojë rekomandime shëndetësore në orën inteligjente”Pixel 4″, nën markën “Fitbit” që ka blerë më parë.

“Apple” është përballur me vështirësi në fushën e IA-së, duke u detyruar të shtyjë për vitin e ardhshëm versionin e ri të asistentit Siri, i cili pritej të bëhej më i dobishëm në jetën e përditshme falë qasjes në të dhënat e përdoruesve.

Ndërkohë, “Google” po integron thellësisht softuerin e vet IA “Gemini” në pajisjet “Pixel” dhe në smartfonët e tjerë me sistemin operativ “Android”, të prodhuar gjithashtu nga vetë kompania.

Në vitet e fundit, “Apple” ka prezantuar veçori individuale të IA-së për fotot dhe përpunimin e tekstit.

Si një tjetër lëvizje kundër konkurrencës, “Google” ka shtuar një “kamerë telefoto” edhe në modelin bazë të “Pixel 10”, diçka që shpesh mungon në këtë kategori çmimi.

Kompania amerikane deri tani i ka parë telefonat “Pixel” si një lloj “prototipi” për të demonstruar aftësitë e sistemit “Android”. Pjesëmarrja e modeleve të mëparshme në treg ka qenë e vogël, pjesërisht sepse “Google” nuk ka dashur të dëmtojë biznesin e partnerëve të saj të “Android”. /Ad.Ab./

 

 

 

 

The post “Google Pixel 10” me IA të integruar sfidon rivalin e saj “Apple” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ndryshimet klimatike në Antarktidë çojnë në pasoja katastrofike globale

PARIS, 20 gusht /ATSH – AFP/ – Ndryshimet e menjëhershme dhe potencialisht të pakthyeshme në Antarktidë të shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të ulin nivelet e ujërave  në oqeane dhe të çojnë në “pasoja katastrofike për brezat”, paralajmëruan sot shkencëtarët.

Ndryshimet klimatike në Antarktidë kërcënojnë ndikime ‘katastrofike’ në nivel global

Në një kuptim më të gjerë, një rishikim i gjendjes së njohurive nga një grup ekspertësh të lartë zbuloi ndryshime përshpejtuese në të gjithë rajonin që shpesh janë shkak dhe pasojë e ngrohjes globale, sipas një studimi të botuar në “Nature”.

“Antarktida po tregon shenja shqetësuese të ndryshimit të shpejtë në akullin, oqeanin dhe ekosistemet e saj”,  tha autorja kryesore dhe profesorja e Universitetit Kombëtar Australian, Nerilie Abram.

“Disa nga këto ndryshime të menjëhershme do të jenë të vështira për t’u ndaluar.”

Ndryshimet në aspekte të ndryshme të sistemit klimatik të Antarktidës amplifikojnë njëra-tjetrën dhe kanë përshpejtuar ritmin e ngrohjes edhe në nivel global, tha ajo.

Studimi shqyrtoi provat e ndryshimeve të menjëhershme  ose “ndryshimeve të regjimit” në akullin detar, rrymat rajonale të oqeanit, shtresën e akullit të kontinentit, raftet e akullit dhe jetën detare.

Nëntëdhjetë përqind e nxehtësisë së gjeneruar nga ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu thithet nga oqeanet.

Kjo do të përshpejtojë ngrohjen në rajon dhe më gjerë, dhe mund të shtyjë disa specie detare drejt zhdukjes.

Gjatë dy viteve të fundit, për shembull, zogjtë e pafuqishëm të pinguinëve u zhdukën në vende të shumta shumimi, duke u mbytur ose duke ngrirë kur akulli i detit u zhduk më herët se zakonisht.

Bota do të duhej të ngrohej me pesë gradë Celsius krahasuar me nivelet para-industriale për të shkrirë të gjithë shtresën e akullit të Antarktidës, gjë që do të ngrinte oqeanet globale pothuajse të paimagjinueshme.

Por ngrohja globale deri më sot, mesatarisht rreth 1.3 gradë Celsius, po i afrohet me shpejtësi një pragu që do të shkaktonte që një pjesë e shtresës së akullit të gjeneronte të paktën tre metra ngritje të nivelit të detit, duke përmbytur zonat bregdetare të banuara sot nga qindra miliona, tha studimi.

E vetmja mënyrë për të ngadalësuar ndryshimet e ndërlidhura në Antarktidë është të ndalohet shtimi i gazrave që ngrohin planetin në atmosferë

Një “ngadalësim i shpejtë dhe i konsiderueshëm” i rrymave ka filluar tashmë, dhe provat nga periudha e mëparshme ndërakullnajore, midis dy epokave të akullnajave, para epokës sonë, 125 000 vjet më parë, tregojnë një ngecje të menjëhershme të sistemit në kushte të ngjashme me ato që shihen sot.

“Kjo do të çonte në ndikime të përhapura në klimë dhe ekosistem”, duke filluar nga një intensifikim i ngrohjes globale deri në një ulje të kapacitetit të oqeanit për të thithur CO2, raportoi studimi. /Ad.Ab./

 

.

The post FOKUS – Ndryshimet klimatike në Antarktidë çojnë në pasoja katastrofike globale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HOLANDË – Amsterdami mirëpret qindra anije historike nga e gjithë bota

AMSTERDAM, 20 gusht /ATSH-DPA/ – Aktiviteti i lundrimit “Sail Amsterdam 2025” është hapur zyrtarisht me një flotilje ku morën pjesë qindra anije të mëdha historike me vela.

Dhjetëra mijëra spektatorë, si nga bregu ashtu edhe mbi varkat shoqëruese, ndoqën anijet e zbukuruara që vinin nga mbarë bota teksa kalonin përpara tyre.

Sipas organizatorëve, ky është aktiviteti më i madh detar në botë dhe zhvillohet çdo pesë vjet.

Parada nisi nga porti i IJmuiden në Detin e Veriut dhe vazhdon  përgjatë kanalit të Detit të Veriut, rreth 20 kilometra i gjatë, deri në Amsterdam.

Këtë vit “Sail Amsterdam” shënon edicionin e 10-të saj. Aktiviteti u organizua për herë të parë 50 vite më parë, për të festuar 700-vjetorin e kryeqytetit holandez.

Në kuadër të 750-vjetorit të qytetit, festimet janë veçanërisht madhështore. Organizatorët presin mbi 2 milionë vizitorë gjatë aktivitetit, i cili zgjat deri të dielën. /Ad.Ab./

The post HOLANDË – Amsterdami mirëpret qindra anije historike nga e gjithë bota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA dërgon tre destrojerë në Venezuelë për të goditur kartelet e drogës

UASHINGTON, 20 gusht /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë tre destrojerë të pajisur me raketa “Aegis” pranë ujërave të Venezuelës – si pjesë e përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të goditur kartelet e drogës në Amerikën Latine, sipas AP.

Destrojerët “USS Gravely”, “USS Jason Dunham” dhe “USS Sampson” pritet të mbërrijnë së shpejti, tha një zyrtar i planifikimit ushtarak amerikan.

Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes konfirmoi se këto mjete ushtarake janë dërguar në rajon për të mbështetur përpjekjet kundër narkotikëve. Ai tha se anijet do të qëndrojnë atje “për disa muaj”.

Vendosja e destrojerëve dhe e personelit amerikan në rajon  vjen ndërsa Trump ka nxitur përdorimin e ushtrisë për të penguar kartelet që ai i fajëson për rrjedhjen e fentanilit dhe drogave të tjera drejt SHBA-së dhe për dhunën në disa qytete amerikane.

Trump gjithashtu ka kërkuar nga presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, të bashkëpunojë më shumë për sigurinë, duke qenë më agresive kundër karteleve sesa paraardhësi i saj. Por Sheinbaum ka vendosur një vijë të qartë kur vjen puna te sovraniteti i Meksikës, duke refuzuar sugjerimet për ndërhyrje nga ushtria amerikane.

Në shkurt, Trump shpalli disa grupe kriminale, përfshirë  “Tren de Aragua” në Venezuelë, “MS-13” në El Salvador dhe gjashtë grupe me qendër në Meksikë si organizata të huaja terroriste.

Në fillim të këtij muaji, qeveria amerikane njoftoi rritjen e shpërblimit për arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro në 50 milionë dollarë, duke e akuzuar atë si një nga trafikanët më të mëdhenj të narkotikëve në botë dhe për bashkëpunim me kartelet për të furnizuar SHBA-në me kokainë të përzier me fentanil. /Ad.Ab./

The post UASHINGTON – SHBA dërgon tre destrojerë në Venezuelë për të goditur kartelet e drogës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Danimarka heq TVSH-në e librave për të nxitur leximin

KOPENHAGË, 20 gusht /ATSH/ – Danimarka do të heqë taksën mbi vlerën e shtuar (TVSH) për librat në një përpjekje për të nxitur më shumë njerëz të lexojnë, sipas “The Guardian”.

Me 25%, norma e taksës mbi librat në vend është më e larta në botë, një politikë që qeveria beson se po kontribuon në një “krizë të leximit” në rritje.

Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, njoftoi sot se qeveria do të propozojë në projektligjin e buxhetit që taksa mbi librat të hiqet.

Ky hap pritet të kushtojë 330 milionë korona (rreth 38 milionë paund) në vit.

“Kjo është diçka për të cilën unë, si ministër i Kulturës, kam punuar, sepse besoj se duhet të vendosim gjithçka nëse duam të përfundojmë krizën e leximit që fatkeqësisht është përhapur në vitet e fundit”, tha Engel-Schmidt.

“Jam jashtëzakonisht krenar. Nuk është çdo ditë që arrin të bindësh kolegët që të shpenzohet një shumë kaq e madhe parash për të investuar në konsumimin dhe kulturën e danezëve”.

Vendet e tjera nordike gjithashtu aplikojnë normën standarde prej 25% TVSH, por kjo nuk vlen për librat. TVSH-ja për librat në Finlandë është 14%, në Suedi 6% dhe në Norvegji zero. Suedia e uli TVSH-në për librat në vitin 2001, duke sjellë një rritje të shitjeve të librave, por analiza tregoi se ato bliheshin kryesisht nga lexuesit ekzistues.

“Tashmë ne kemi lëvruar para për një bashkëpunim të forcuar midis bibliotekave publike të vendit dhe shkollave, në mënyrë që më shumë fëmijë të prezantohen me literaturë të mirë”, tha Engel-Schmidt.

Në total, 8,3 milionë libra u shitën në dyqane dhe online në Danimarkë në vitin 2024, sipas zyrës kombëtare të statistikave. Popullsia e vendit është pak më shumë se 6 milionë banorë.  /Ad.Ab./

The post KOPENHAGË – Danimarka heq TVSH-në e librave për të nxitur leximin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz bën thirrje për taksa të larta ndaj të pasurve

BERLIN, 20 gusht /ATSH/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksave për shtresat më të pasura, si zgjidhje për boshllëqet e vazhdueshme buxhetore të vendit.

Zëdhënësi i qeverisë Steffen Meyer, tha sot në Berlin se prioriteti kryesor është rritja ekonomike.

“Qeveria do të bëjë gjithçka që i shërben këtij objektivi dhe do të shmangë gjithçka që e dëmton”, tha ai, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe lehtësimin e barrës për “klasën e mesme punëtore”.

Deklaratat vijnë pas intervistës së fundjavës nga zëvendëskancelari Lars Klingbeil, i cili tha se nuk përjashtohet mundësia e rritjes së taksave për të pasurit për të mbuluar deficitin prej miliarda eurosh në buxhetet e ardhshme.

Propozimet e Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave dhe bashkëkryetar i SPD- së, janë kundërshtuar nga disa politikanë të bllokut konservator të Merz (CDU/CSU).

Sipas marrëveshjes së koalicionit mes CDU-së, CSU-së dhe SPD-së, qeveria është zotuar të ulë tatimin mbi të ardhurat për shtresat e mesme deri në mesin e mandatit.

Megjithatë, një rritje e mundshme e taksave për të pasurit pritet të kthehet në një tjetër pikë tensioni mes partnerëve të koalicionit, të cilët tashmë kanë pasur përplasje mbi çështje të tjera, si zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Merz bën thirrje për taksa të larta ndaj të pasurve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – AIAC-ja kërkon pezullimin e Izraelit në sport lidhur me luftën në Gaza

FIRENCE, 20 gusht /ATSH/ – Shoqata Italiane e Trajnerëve të Futbollit (AIAC) po kërkon pezullimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare për shkak të luftës në Gaza, sipas “AP”- së.

Para ndeshjeve vendimtare të Italisë për kualifikimet e Kupës së Botës kundër Izraelit gjatë dy muajve të ardhshëm, AIAC -ja thotë se “Izraeli duhet të ndalet. Futbolli gjithashtu duhet të veprojë”.

AIAC –ja ka dërguar një letër zyrtare te federata italiane e futbollit, e cila do t’i përcillet organeve drejtuese të futbollit europian dhe botëror, duke kërkuar pezullimin e Izraelit.

“Bordi Drejtues i AIAC-së beson unanimisht se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, që kanë sjellë edhe qindra viktima midis menaxherëve, trajnerëve dhe sportistëve është legjitime, e nevojshme, madje një detyrë, që të vendoset në qendër të diskutimeve të federatës kërkesa për të paraqitur te UEFA dhe FIFA për përjashtimin e përkohshëm të Izraelit nga garat sportive”, përfundon letra.

Italia do të luajë kundër Izraelit në një fushë neutrale, në Debrecen, Hungari më 8 shtator, para se të presë ndeshjen e kthimit në Udine më 14 tetor.

“Ne mund të përqendrohemi vetëm te loja, duke bërë sikur nuk shohim. Por besojmë se kjo nuk është e drejtë”,  tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Giancarlo Camolese.

“Bota është në flakë. Shumë njerëz si palestinezët po vuajnë”, tha zëvendëspresidenti i AIAC-së, Francesco Perondi. “Indiferenca është e papranueshme”, përfundoi ai./ Ad.Ab./

 

The post ITALI – AIAC-ja kërkon pezullimin e Izraelit në sport lidhur me luftën në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët”

MELBURN, 20 gusht /ATSH/ – Kryeministri australian Anthony Albanese i hodhi sot poshtë akuzat e homologut të tij izraelit Benjamin Netanyahu se ai ishte një “politikan i dobët që e ka tradhtuar Izraelin” duke njohur një shtet palestinez, sipas “AP”-së.

Akuza  publike e Netanyahut erdhi pas një njoftimi të 11 gushtit nga kryeministri Albanese se njohja e qeverisë së tij për një shtet palestinez do të formalizohej në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Njoftimi u pasua nga anulime të vizave australiane dhe izraelite.

“Historia do ta kujtojë Albanese për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha dje Netanyahu në mediet sociale.

“Unë i trajtoj udhëheqësit e vendeve të tjera me respekt. Unë angazhohem me ta në një mënyrë diplomatike”, u përgjigj ashpër kryministri Albanese

“Nuk i marr këto gjëra personalisht”, tha ai. “Gjithnjë e më shumë ka shqetësim global, po shqetësim global, sepse njerëzit duan të shohin fundin e ciklit të dhunës që kemi parë për një kohë shumë të gjatë. Kjo është ajo që australianët duan gjithashtu të shohin”.

Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, e ndezi më tej zemërimin e Izraelit duke anuluar vizën e ligjvënëses së ekstremit të djathtë izraelite, Simcha Rothman, një anëtare e koalicionit të Netanyahut, e cila planifikoi një turne fjalimesh në Australi.

Rothman është anëtar i partisë së Sionizmit Fetar, e cila mbështet vazhdimin e luftës, zhvendosjen masive të palestinezëve përmes asaj që e përshkruan si migrim vullnetar dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike në Gaza.

Burke akuzoi sot Netanyahun për “sulm” kundër Australisë ashtu siç kishte bërë kundër Britanisë, Kanadasë, Francës, Irlandës, Norvegjisë dhe Spanjës për njohjen e një shteti palestinez. Burke mohoi se kryeministri Albanese ishte “i dobët”.

“Forca nuk matet me sa njerëz mund të hedhësh në erë ose sa fëmijë mund të lësh të uritur”, tha Burke për “Australian Broadcasting Corp”.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar u hakmor të hënën për trajtimin  ndaj Rothman duke revokuar vizat e përfaqësuesve australianë në Autoritetin Palestinez. Saar gjithashtu i tha ambasadës izraelite në Australi që të “shqyrtojë me kujdes” çdo aplikim zyrtar për vizë nga Australia në Izrael.

Australia është një vend gjithnjë e më shumëkulturor ku më shumë se gjysma e popullsisë ka lindur jashtë shtetit ose ka të paktën një prind të huaj.

Ekziston një shqetësim i përhapur në komunitet për luftën Izrael-Hamas, i treguar nga dhjetëra mijëra demonstrues pro-palestinezë që marshuan mbi Urën e Portit të Sidneit në fillim të këtij muaji. /Ad.Ab./

The post AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teleskopi “Webb” zbulon një hënë të re rreth Uranit

NJU JORK, 19 gusht /ATSH/ – Teleskopi Hapësinor “James Webb” ka zbuluar një hënë shumë të vogël që rrotullohet rreth Uranit, sipas “AP”- së.

NASA njoftoi se objekti i ri qiellor është vetëm rreth 10 kilometra i gjerë dhe u pa me kamerën infra të teleskopit.

Shkencëtarët besojnë se kjo hënë ka mbetur e fshehur për kaq gjatë për shkak të madhësisë së vogël dhe dritës së zbehtë, madje as sonda “Voyager 2”, gjatë fluturimit të saj pranë Uranit rreth 40 vite më parë, nuk arriti ta dallonte.

Deri tani Uranit i njiheshin “28 hëna”, shumica të vogla dhe pranë planetit.

Me këtë zbulim, numri i tyre shkon në 29.

Hëna e re ende nuk ka marrë emër, por si traditë, hënat e Uranit pagëzohen me personazhe nga Shekspiri dhe Aleksandër Popi.

Sipas ekspertëve, ky zbulim sugjeron se rreth Uranit mund të fshihen edhe shumë hëna të tjera të vogla. /Ad.Ab./

 

 

The post Teleskopi “Webb” zbulon një hënë të re rreth Uranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌