Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

AUSTRI – Wadephul: Gjermania në kontakt me talebanët vetëm në nivel teknik

10 July 2025 at 20:30

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu sot  kundërshtimin e tij ndaj rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me liderët talebanë të Afganistanit  edhe pse qeveria e re gjermane ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit me regjimin – për të lehtësuar dëbimet.

Kjo vjen pasi ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se po kërkon të zhvillojë bisedime me talebanët, të cilët morën sërish pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021 – për t’i dhënë Gjermanisë mundësinë të kthejë mbrapsht personat e dënuar për krime.

Por ministri i Jashtëm Wadephul, gjatë një takimi me homologët e tij austriak dhe izraelit në Vjenë, theksoi se kontaktet e Gjermanisë me talebanët ishin vetëm të natyrës teknike dhe se Berlini vazhdonte të refuzonte të njihte liderët talebanë si drejtues zyrtarë të qeverise në Afganistan.

Ai shtoi se kjo vlen edhe për Ministrinë e Brendshme.

Ndërkohë, Wadephul shprehu shqetësim për situatën humanitare në Afganistan nën sundimin e talebanëve, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Gjermania e pezulloi dëbimin e qytetarëve afganë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, por pas një serie sulmesh të përgjakshme të kryera nga migrantë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë nga shtetas afganë, disa kanë kërkuar që dëbimet të rifillojnë. /Ad.Ab./ /a.i/

 

 

 

The post AUSTRI – Wadephul: Gjermania në kontakt me talebanët vetëm në nivel teknik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio

10 July 2025 at 18:26

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se shanset po përmirësohen për një armëpushim në Gazë, pas një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.

Duke folur sot në Vjenë, Wadephul, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe izraelitë, tha se ishte optimist se mund të arrihej një “rezultat i mirë”.

Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi organizatën ekstremiste palestineze Hamas.

“Hamasi nuk duhet të ketë një të ardhme”, tha Wadephul.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili më parë zhvilloi bisedime me Wadephul dhe diplomaten e lartë austriake, Beate Meinl-Reisinger, ra dakord se armëpushimi në Gazë ishte i arritshëm.

Meinl-Reisinger e përshkroi momentin aktual si një “mundësi historike” – për të stabilizuar të gjithë rajonin, duke theksuar se pas 642 ditësh lufte në Gazë, marrëveshja ishte vonuar shumë.

Ministrat gjermanë dhe austriakë i kërkuan sërish Izraelit të mundësonte një përmirësim të shpejtë të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

Wadephul dhe Meinl-Reisinger theksuan se pezullimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gazë, siç po diskutohet aktualisht në nivelin e BE-së, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. //a.i/

 

The post BERLIN – Ministri gjerman optimist për armëpushimin në Gazë pas telefonatës me Rubio appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PRAGË – Wadephul mbështet kontrollet kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke

PRAGË, 7 korrik /ATSH –DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul mbështeti kontrollet kufitare të vendit të tij me Poloninë dhe Republikën Çeke – ndërsa bëri thirrje për veprime të koordinuara për migracionin nga ana e BE-së, gjatë një vizite sot në Pragë.

“Unë besoj se migrimi i parregullt na prek të gjithëve dhe për këtë arsye kemi nevojë për më shumë rend, duke përfshirë brenda dhe me Evropën”, tha Wadephul pas një takimi me homologun e tij çek, Jan Lipavsky.

Polonia filloi sot kontrolle të rastësishme në kufirin me Gjermaninë në përgjigje të kontrolleve të rrepta gjermane në kufijtë e saj.

Të dy vendet janë pjesë e zonës pa viza, Shengen, e cila hoqi kontrollet kufitare midis anëtarëve të saj.

Republika Çeke, gjithashtu një anëtare e Shengenit, nuk ka njoftuar ende masa të ngjashme.

Wadephul foli për një fazë “tranzicioni” derisa vendimet për një sistem të përbashkët evropian të azilit – të zbatoheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian të kishin një mbrojtje më efektive.

Ai tha se ishte e rëndësishme për Gjermaninë që masat e përkohshme të mos preknin udhëtarët ndërkufitarë – ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e pakomplikuar dhe pragmatik me Republikën Çeke në këtë fushë.

Të dy ministrat ranë dakord të vazhdojnë dialogun strategjik çeko-gjerman, të nisur në korrik 2015 – deri në vitin 2027.

Iniciativa synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme dhe të ruajë dialogun mbi çështje afatgjata, duke përfshirë krimin ndërkufitar, kërkimin dhe inovacionin, si dhe politikën e energjisë dhe sigurisë. /Ad.Ab./ /a.i/

The post PRAGË – Wadephul mbështet kontrollet kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul: Evropa ka ndikim në bisedimet SHBA-Iran

BERLIN, 27 qershor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul theksoi se beson që evropianët janë në një pozicion të fortë për negociata të mundshme me Iranin mbi programin e tij bërthamor.

“Ne kemi një kartë shumë të mirë në duart tona”, tha Wadephul në mbrëmje në një talk show në transmetuesin publik gjerman ZDF.

Ai tha se evropianët mund të shkaktojnë sanksione kundër Teheranit duke përdorur të ashtuquajturin mekanizëm rikthimi, i cili sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 nga e cila presidenti i SHBA-së Donald Trump u tërhoq në vitin 2018 mund të aktivizohet në rast të “mosrespektimit të konsiderueshëm” nga Irani.

Britania, Franca dhe Gjermania – të ashtuquajturat shtete E3 – nënshkruan marrëveshjen bërthamore të Iranit 10 vjet më parë, e cila zyrtarisht skadon këtë tetor, megjithëse nuk po zbatohet më në mënyrë efektive.

“Ne kemi një kartë të vërtetë të fortë. Uashingtoni e di këtë dhe ne do ta përdorim atë në një mënyrë të koordinuar”, tha ai.

Deri në tetor, nënshkruesit evropianë ruajnë aftësinë për të rivendosur sanksionet e mëparshme, më të ashpra të OKB-së kundër Iranit përmes mekanizmit të rikthimit pa hasur rezistencë të konsiderueshme.

Kjo u jep qeverive evropiane një levë të rëndësishme për të ushtruar presion, edhe nëse ato nuk janë drejtpërdrejt në tryezën e negociatave me Iranin për programin e tij bërthamor./   /os/

 

The post BERLIN – Wadephul: Evropa ka ndikim në bisedimet SHBA-Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul: Irani të tregojë vullnet serioz për ta hequr dorë nga programi bërthamor

20 June 2025 at 09:28

BERLIN, 20 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i ka kërkuar Iranit të tregojë seriozitet më të madh në lidhje me heqjen dorë nga përdorimi jo-civil i programit të tij bërthamor – përpara negociatave evropiane për këtë çështje.

“Nëse ka një vullnet serioz dhe transparente nga ana e Iranit për të hequr dorë nga programi bërthamor – atëherë ekziston një shans real për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj lufte, dhe për këtë, çdo diskutim ia vlen”, tha Wadephul në një intervistë për transmetuesin publik MDR.

Wadephul, së bashku me ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë së Madhe, do të zhvillojë sot negociata me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në Gjenevë.

Diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas, pritet gjithashtu të marrë pjesë. Bisedimet e mëparshme nuk kanë qenë të suksesshme.

“Në fund të fundit nuk kemi parë seriozitet nga ana e Iranit, por përkundrazi një program pasurimi që shkon përtej një përdorimi të arsyeshëm civil”, tha ministri i Jashtëm gjerman.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës – jo vetëm që janë në dijeni të bisedimeve, por i mbështesin plotësisht ato – dhe për këtë arsye Irani tani duhet ta kuptojë se duhet t’i qaset këtyre diskutimeve me seriozitet dhe besueshmëri të re”, shtoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi dje se do të vendoste brenda dy javëve të ardhshme nëse SHBA-ja do t’i bashkohej Izraelit në luftën kundër Iranit.

Izraeli tha se sulmoi Iranin për ta parandaluar atë të ndërtonte një bombë bërthamore.

Ndaj, ministri i jashtëm u pyet nga revista Der Spiegel nëse Gjermania do ta ndihmonte Izraelin nëse sulmet e Iranit vazhdojnë dhe viktimat rriten.

“E paralajmëroj Teheranin për rrezikun e shkeljes së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përshkallëzimit të konfliktit. Askush nuk mund ta përjashtojë këtë mundësi. Izraeli do të mbështetet gjithmonë te Gjermania”, tha Wadephul – kur u pyet nga revista “Der Spiegel” nëse Gjermania do ta ndihmonte Izraelin nëse sulmet e Iranit vazhdonin dhe numri i viktimave rritej. //a.i

 

The post BERLIN – Wadephul: Irani të tregojë vullnet serioz për ta hequr dorë nga programi bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe BM-së do të takohen me homologun iranian

19 June 2025 at 09:10

BERLIN, 19 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe homologët e tij në Francë dhe Britaninë e Madhe kanë planifikuar të takohen sot me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi në Gjenevë.

Fillimisht, Wadephul kishte planifikuar të udhëtonte në Lindjen e Mesme në Liban, Siri dhe Izrael menjëherë pas fillimit të sulmit të Izraelit ndaj Iranit të premten.

Në vend të kësaj, ai udhëtoi në Arabinë Saudite, Katar dhe Oman për bisedime mbi konfliktin. Qeveria në Oman, në veçanti, ka kontakte shumë të forta me Teheranin.

Me këtë takim, Wadephul synon të koordinojë një iniciativë që përfshin të ashtuquajturin shteti E3 – Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe – të cilët kanë negociuar me Teheranin për programin e tij bërthamor për vite me radhë, si dhe me shtetet fqinje arabe, për të arritur një zgjidhje diplomatike për luftën.

Për gati dy muaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë negociuar nën ndërmjetësimin e emiratit të Gjirit të Omanit – përpara se Izraeli të niste një sulm të madh ndaj Iranit të premten, duke shënjestruar objektet bërthamore, instalimet ushtarake dhe vendet në qytetet e mëdha.

Irani është përgjigjur me sulme intensive raketore kundër Izraelit. //a.i/

The post FOKUS – Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe BM-së do të takohen me homologun iranian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermania kundër ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran

18 June 2025 at 21:24

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul të mërkurën sinjalizoi se është kundër përfshirjes së SHBA në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.

Ai ka paralajmëruar se përshkallëzimi i vazhdueshëm midis dy rivalëve rajonalë rrezikon të shkaktojë një përplasje më të gjerë, përcjell Telegrafi.

“Sulmet ushtarake që po kryhen aktualisht mbartin rrezikun që vëmendja të përqendrohet vetëm në një zgjidhje ushtarake”, ka thënë Wadephul gjatë një takimi me homologun e tij jordanez Ayman Safadi në Berlin.

“Kjo përmban një rrezik të madh, pikërisht që vende të tjera të përfshihen në këtë konflikt”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse është në favor të ndërhyrjes së SHBA në konflikt në mbështetje të Izraelit, ministri gjerman u shpreh se është kundër një hapi të tillë.

Ai theksoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kishte përjashtuar ndërhyrjen ushtarake të SHBA në konflikt javën e kaluar, kur Izraeli nisi sulmet e gjera kundër Iranit për të dëmtuar kapacitetet bërthamore të vendit.

“Duke qenë se e vlerësoj shumë kolegun tim dhe ai e ka përsëritur këtë qëndrim, supozoj se kjo është ende e vlefshme dhe se kjo është pozita e Shteteve të Bashkuara”, tha Wadephul.

Megjithatë, në rast të një sulmi iranian ndaj objekteve amerikane, “do të kishte natyrisht një reagim ushtarak”, shtoi diplomati i lartë gjerman. /Telegrafi/

The post Gjermania kundër ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në konfliktin Izrael-Iran appeared first on Telegrafi.

Programi Bërthamor/ Ministri i Jashtëm gjerman: Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshëm për bisedime…

15 June 2025 at 11:06

Wadephul, i cili ndodhet për një vizitë në Lindjen e Mesme, tha se po përpiqej të kontribuonte drejt një uljeje të tensioneve të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, duke vënë në dukje se Teherani më parë nuk kishte arritur të shfrytëzonte mundësinë e bisedimeve konstruktive.

Gjermania, Franca dhe Britania janë të gatshme të zhvillojnë bisedime të menjëhershme me Iranin mbi programin bërthamor të Teheranit në një përpjekje për të çtensionuar situatën në Lindjen e Mesme , tha Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.

“Shpresoj që kjo është ende e mundur. Gjermania, së bashku me Francën dhe Britaninë, janë gati. Ne po i ofrojmë Iranit negociata të menjëhershme në lidhje me programin bërthamor, shpresoj që (oferta) të pranohet. Ky është gjithashtu një parakusht kyç për arritjen e një paqësimi të këtij konflikti, që Irani të mos paraqesë rrezik për rajonin, për shtetin e Izraelit apo për Evropën”, tha Wadephul për transmetuesin publik gjerman ARD të shtunën vonë.

Wadephul, i cili ndodhet në Oman të dielën, tha se konflikti do të përfundojë vetëm kur të ushtrohet ndikim mbi Iranin dhe Izraelin nga të gjitha anët.

“Ekziston një pritje e përbashkët që brenda javës së ardhshme, të bëhet një përpjekje serioze nga të dyja palët për të ndërprerë spiralen e dhunës”, tha ai.

The post Programi Bërthamor/ Ministri i Jashtëm gjerman: Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshëm për bisedime… appeared first on Sot News | Lajme.

RIAD – Ministri i Jashtëm gjerman takon homologun e tij saudit

14 June 2025 at 17:11

RIAD, 14 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul vazhdoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme, pavarësisht konfliktit të ashpër midis Izraelit dhe Iranit, duke mbërritur sot në kryeqytetin saudit, Riad.

Wadephul, i cili mori detyrën muajin e kaluar nën qeverinë e koalicionit të kancelarit Friedrich Merz, u takua me homologun e tij saudit, Faisal bin Farhan, në Riad.

Stabiliteti në Lindjen e Mesme pas sulmeve izraelite në territorin iranian dhe sulmeve hakmarrëse të Teheranit ka të ngjarë të dominojnë bisedimet, së bashku me luftën në Gaza.

Shtetet e Gjirit, Arabia Saudite dhe Omani, i kanë dënuar ashpër sulmet e Izraelit – ndërsa Riadi i ka quajtur ato një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.

Omani tha se ato përfaqësonin një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të pamatur.

Fillimisht, Wadephul kishte planifikuar të udhëtonte nga Egjipti në Liban dhe të mbërrinte sot në kryeqytetin sirian, Damask.

Ministri pritet të vizitojë Jordaninë dhe Izraelin nesër.

Megjithatë, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme u bënë të paparashikueshme, ministri anuloi vizitat e tij në Bejrut, Damask, Aman dhe Jerusalem.

Në vend të kësaj, Wadephul ka planifikuar të udhëtojë sot pasdite në Katar – për një takim me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm ,Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Katari konsiderohet si një ndërmjetës i rëndësishëm midis Izraelit dhe milicisë islamike Hamas, në luftën e Gazës. //a.i/

The post RIAD – Ministri i Jashtëm gjerman takon homologun e tij saudit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministri i Jashtëm gjerman thotë se njohja e shtetit palestinez tani do të dërgonte “sinjal të gabuar”

5 June 2025 at 16:34

Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se tani nuk është koha për të njohur shtetin palestinez.

“Njohja e Palestinës do të ishte sinjali i gabuar në këtë moment”, theksoi Wadephul në një konferencë shtypi në Berlin së bashku me Ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar.

Franca po shqyrton njohjen e shtetit palestinez këtë muaj, transmeton Telegrafi.

Hamasi “duhet të lirojë pengjet dhe Hamasi duhet të lëshojë armët menjëherë dhe pa asnjë kusht”, tha Wadephul, duke shtuar se lufta në Gaza duhet të përfundojë.

“Izraeli ka të drejtë të mbrohet, siç do të bënte edhe çdo vend tjetër në botë”, theksoi ai.

Wadephul beson se “duhet të ketë një plan për të nesërmen” Hamasi në Gaza.

Duke iu referuar iniciativës së re të Fondit Humanitar të Gazës, Wadephul shpreh shqetësim për banorët e Gazës “të cilët nuk e dinë se ku do të marrin ushqim dhe ilaçe”.

Ai ankohet për distancat e gjata deri te vendet e shpërndarjes dhe faktin se disa civilë u vranë.

“Kjo ndodh shumë shpesh”, shtoi ai.

Wadephul thotë se “askush nuk mund të dyshojë se programi bërthamor iranian përbën një kërcënim jetësor për Izraelin. Ne ndajmë bindjen se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.”

Ai gjithashtu kritikon thirrjet e ministrave izraelitë për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe zgjerimin e vendbanimeve.

Në deklaratën e tij të përgatitur në anglisht, Sa’ar thotë se “Izraeli është serioz në vullnetin dhe qëllimin tonë për të arritur një marrëveshje. Një marrëveshje që do të çojë në një armëpushim”.

Ai u bën thirrje vendeve si Gjermania të ushtrojnë presion mbi Hamasin, në mënyrë që ai të bjerë dakord për një marrëveshje.

Presioni mbi Izraelin dhe kërcënimet me sanksione, argumenton Sa’ar, “do ta bëjnë Hamasin të ngurtësojë qëndrimin e tij”.

Sa’ar thotë se janë duke u zhvilluar dy përpjekje humanitare, kanali i OKB-së dhe “iniciativa” e re amerikane. /Telegrafi/

 

The post Ministri i Jashtëm gjerman thotë se njohja e shtetit palestinez tani do të dërgonte “sinjal të gabuar” appeared first on Telegrafi.

GJERMANI – Ministri i Jashtëm Izraelit mbërrin në Berlin, fokus situata në Gazë

BERLIN, 5 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul do të takohet sot me homologun e tij izraelit, Gideon Saar, në Berlin për të diskutuar situatën në Rripin e Gazës.

Dy ministrat e Jashtëm do të bëjnë një vizitë të përbashkët në Memorialin e Holokaustit në Berlin, pranë Portës së Brandenburgut dhe do të vendosin një kurorë në memorialin për hebrenjtë e vrarë të Evropës.

Memoriali i Holokaustit përkujton afërsisht 6 milionë hebrenj të vrarë gjatë diktaturës naziste.

Wadephul u takua me Saar gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Izrael më 11 maj.

Gjatë bisedimeve politike, ministrat do të diskutojnë operacionet që po kryhen nga ushtria izraelite dhe situata katastrofike me të cilën përballet popullsia civile në Rripin e Gazës.

Wadephul premtoi dërgesa të mëtejshme të armëve gjermane në Izrael gjatë një fjalimi dje në parlament.

“Ndihma është e nevojshme duke pasur parasysh terrorizmin me të cilin përballet Izraeli nga Hamasi, milicia Huthi e mbështetur nga Irani në Jemen dhe milicia Hezbollah në Liban”, tha ai. //a.i/

 

The post GJERMANI – Ministri i Jashtëm Izraelit mbërrin në Berlin, fokus situata në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Ministri i Jashtëm gjerman në vizitën e parë zyrtare në Uashington

UASHINGTON, 28 maj /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio priti sot homologun e tij gjerman, ministrin e Jashtëm Johann Wadephul, në Uashington – në vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga marrja e detyrës.

Udhëtimi i Wadephul në SHBA vjen përpara një vizite të planifikuar të kancelarit Friedrich Merz për bisedime me presidentin Donald Trump, për të cilën ende nuk është caktuar një datë.

Merz dhe Wadephul morën detyrën më 6 maj pas zgjedhjeve në shkurt.

Përpara vizitës, Wadephul tha se do të kërkonte bashkëpunim transatlantik në marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin dhe në përballjen me sulmet e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

“Ne duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion, në mënyrë që Putini të ulet në tryezën e negociatave, dhe Rusia më në fund të hyjë në negociata serioze”, tha ai.

Gjithashtu, Wadephul do të zhvillojë bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), Albert Ramdin.

E themeluar në vitin 1948, OAS me qendër në Uashington punon për paqen dhe stabilitetin në rajon, së bashku me promovimin e demokracisë dhe lirisë së shtypit.//a.i/

The post SHBA – Ministri i Jashtëm gjerman në vizitën e parë zyrtare në Uashington appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul në vizitën e parë në Uashington që nga marrja e detyrës

BERLIN, 26 maj /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul do të udhëtojë nesër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës.

“Wadephul u ftua nga homologu i tij, Marco Rubio për një takim të mërkurën në Uashington”, tha sot Ministria e Jashtme, në Berlin.

Temat që do të diskutohen janë marrëdhëniet SHBA-Gjermani, mbështetja e mëtejshme për Ukrainën, politika transatlantike e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe situata në Lindjen e Mesme.

Marrëdhëniet tregtare midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian janë gjithashtu në axhendë mes një konflikti të ndezur për tarifat e larta të shpallura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme tha se të dyja palët do të diskutonin të gjitha sfidat dhe krizat kryesore ndërkombëtare – në mënyrë që të gjenin një zgjidhje të përbashkëta.

Ministria e quajti SHBA-në partneren më të ngushtë të Gjermanisë jashtë BE-së. //a.i/

The post BERLIN – Wadephul në vizitën e parë në Uashington që nga marrja e detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmet me dhjetëra viktima në Ukrainë, ministri gjerman: Putin nuk dëshiron paqe, agresioni rus s’mund të tolerohet

26 May 2025 at 12:56

Ministri i ri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul ka deklaruar se vendi i tij mbështet sanksionet e reja kundër Rusisë, pas sulmeve të fundit në Ukrainë, ku humbën jetën dhjetëra persona, mes të cilëve edhe fëmijë.

Ai ka theksuar se është e qartë që Presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron paqe. Ndërsa ka bërë thirrje që partnerët evropianë të përgjigjen me vendosmëri kundër agresioni rus.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta tolerojë këtë. Presidenti rus po shkel të drejtat e njeriut. Mund ta shihni që Putini nuk dëshiron paqe, ai dëshiron të vazhdojë luftën dhe ne nuk mund ta lejojmë atë ta bëjë këtë”, ka thënë ai.

/abcnews.al/

BERLIN – Wadephul: Sulmet ruse janë fyerje për Trumpin dhe BE-në

BERLIN, 26 maj /ATSH-DPA/ – Putini po shkel të drejtat e njeriut, kjo është një fyerje, edhe ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe ndaj BE-së, deklaroi ministry i Jashtëm gjerman Wadephul.

Wdephul vuri në dukje se Trump kishte bërë përpjekje të konsiderueshme për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave, por i përmendi sulmet e fundit si reagimin e Putinit ndaj këtyre përpjekjeve.

”Rusia nisi rreth 300 sulme me dronë dhe rreth 70 sulme me raketa kundër Ukrainës të shtunën në mbrëmje”, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Shifrat do të përfaqësonin sulmet më të këqija me dronë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Autoritetet thanë se të paktën 12 persona ishin vrarë në pjesë të ndryshme të vendit, me dhjetëra të plagosur.

Wadephul tha se ”agresioni rus vërteton se Putini nuk është i interesuar për paqen” dhe se ”ai dëshiron ta vazhdojë këtë luftë dhe ne nuk duhet ta lejojmë këtë”.

”Prandaj, të përgatitemi për sanksione bashkë me BE-në. Do të ketë një përgjigje të qartë nga Perëndimi dhe besoj edhe nga Shtetet e Bashkuara. Ne të gjithë duhet të reagojmë me vendosmëri”, tha Wadephul duke shtuar se ”bashkësia ndërkombëtare dhe Perëndimi politik nuk mund të lejojnë që sulme të tilla të mbeten pa përgjigje”./   /os/

The post BERLIN – Wadephul: Sulmet ruse janë fyerje për Trumpin dhe BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Ministri i Jashtëm gjerman i bën thirrje Putinit të negociojë me Ukrainën

BERLIN, 14 maj /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin të merrte pjesë në negociatat e planifikuara – për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ukraina ka treguar çdo gatishmëri për të zhvilluar armëpushim dhe negociata paqeje pa parakushte”, tha ai në parlamentin gjerman.

“Tani presim që Putini të ulet në tryezën e negociatave”, tha ai.

“Të gjithë ata që duan paqe në Evropë duhet të negociojnë tani, dhe i takon Putinit të vendosë”, tha Wadephul.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të udhëtojë nesër në Stamboll – pas një propozimi të Putinit për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta paqeje me palën ukrainase atje.

Megjithatë, deri më tani, Kremlini nuk ka njoftuar ende detaje rreth përfaqësuesve të Moskës që do të udhëtojnë në Turqi. //a.i/

The post BERLIN – Ministri i Jashtëm gjerman i bën thirrje Putinit të negociojë me Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Johann Wadephul, kritik i Putinit, kreu i ri i diplomacisë

BERLIN, 6 maj /ATSH-AFP/ – Ish-ushtaraku Johann Wadephul, një konservator i cili u emërua sot për të drejtuar diplomacinë gjermane në qeverinë e re të Friedrich Merz, është shfaqur vitet e fundit si një nga kritikët më të hapur të Vladimir Putinit.

Ky anëtar i Bashkimit Kristian-demokrat (CDU), i cili zëvendëson ekologen Annalena Baerbock, u emërua zyrtarisht nga kreu i shtetit Frank-Walter Steinmeier së bashku me kolegët e tij në ekzekutivin e ri.

Pak i njohur për publikun e gjerë, ky 62-vjeçar, që nga fillimi i pushtimit rus, tre vjet më parë, e përcaktoi Rusinë si armikun numër një.

“Kërcënimi më akut për ne, për jetën tonë, për sistemin ligjor, por edhe për jetën fizike të të gjithë njerëzve në Evropë, tani është Rusia”, tha ai së fundmi.

Në një intervistë të kohëve të fundit me gazetën “Frankfurter allgemeine Zeitung”, ai tha se Putini ishte “përçarës, agresiv dhe i uritur për pushtime”.

I përshkruar si pragmatik në media, ai mbron qëndrime shumë të qarta në favor të ndihmës ushtarake për Kievin.

Në veçanti, ai argumentoi që Ukrainës t’i lejohej të godiste territorin rus me armë të furnizuara nga aleatët perëndimorë, në një kohë kur këta të fundit po e përjashtonin zyrtarisht atë nga frika e një përshkallëzimi me fuqinë bërthamore ruse.

Ai gjithashtu mbështet furnizimin e Ukrainës me raketa “Taurus” me një rreze veprimi prej 500 kilometrash, diçka që kancelari i ri Friedrich Merz nuk e ka përjashtuar.

Kancelari në largim, Olaf Scholz, gjithmonë e kishte refuzuar ta bënte këtë, duke treguar rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit përballë fuqisë bërthamore ruse./ /os/

The post GJERMANI – Johann Wadephul, kritik i Putinit, kreu i ri i diplomacisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Johan Wadephul pritet të emërohet ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Kontaktet me politikën shqiptare

By: Ela
29 April 2025 at 17:52

Johan Wadephul, një nga figurat më të spikatura të politikës së jashtme gjermane dhe një njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, pritet të marrë drejtimin e Ministrisë së Jashtme në qeverinë e re të drejtuar nga kancelari Friedrich Merz. Ky emërim përfaqëson një kthesë të rëndësishme në diplomacinë europiane, duke rikthyer CDU-në në […]

The post Johan Wadephul pritet të emërohet ministër i Jashtëm i Gjermanisë. Kontaktet me politikën shqiptare appeared first on BoldNews.al.

Një njohës i Ballkanit bëhet shef i diplomaicisë gjermane

29 April 2025 at 13:49

Me Johann Wadephul në krye të ministrisë së Jashtme, Ballkani Perëndimor mund të presë mbështetje të qartë për integrimin evropian – por gjithashtu kërkesa të forta për reforma reale.

Me emërimin e Dr. Johann David Wadephul si ministër i Jashtëm, Gjermania kthehet drejt një diplomacie më pragmatike. Johann David Wadephul, i lindur në vitin 1963 në Husum, në veri të Gjermanisë, është jurist i diplomuar në Universitetin e Kiel-it dhe major në rezervë në Bundeswehr. Anëtar i CDU-së që nga viti 1982, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë politike në landin Schleswig-Holstein dhe që nga viti 2009 është deputet në Bundestag.

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Johann Wadephul u emërua zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet e mbrojtjes, politikës së jashtme dhe sigurisë. Si nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ai është angazhuar për një bashkëpunim më të ngushtë evropian në fushën e sigurisë dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të Ukrainës. Në lidhje me marrëdhëniet transatlantike dhe politikën e ndryshuar të SHBA-së nën presidentin Donald Trump, Wadephul ka thënë: “Ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë, të jemi të gatshëm për negociata, por duhet të sigurojmë se mund të mbrohemi vetë nëse negociatat nuk ecin mirë.”

Diplomaci më e matur dhe pragmatike

“Ndryshe nga Annalena Baerbock, Wadephul do të ndjekë një stil më të përmbajtur, më pragmatik dhe më të fokusuar te rezultatet konkrete”, i tha Deutsche Welle-s Hans-Joachim Falenski, ish-këshilltar për politikën e jashtme në grupin CDU/CSU dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij deri në vitin 2021.

Një shembull i kësaj qasjeje u pa në vitin 2022, kur Wadephul kritikoi hapur kancelarin Olaf Scholz për vizitën e parë zyrtare në Ballkan. Scholz kërkoi publikisht në Beograd që Serbia ta njihte pavarësinë e Kosovës, një deklaratë që Wadephul e quajti “amatoreske”, pasi, sipas tij, kërkesa të tilla duhet të adresohen me kujdes diplomatik për të mos bllokuar dialogun. Wadephul kritikoi gjithashtu faktin që kancelari gjerman shkoi fillimisht në Prishtinë dhe më pas në Beograd.

Një njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i rajonit

Kolë Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hamburg dhe ish-kandidat për Bundestag nga CDU e Schleswig-Holstein-it, ka punuar ngushtë me Wadephul-in në strukturat partiake të këtij landi. Ai thotë për DW: “Wadephul është prej vitesh eksperti më i mirë i politikës së jashtme në CDU/CSU dhe përkrahës i forcimit të rolit të Europës në politikat globale.”  Gjoka, i cili prej vitit 2017 ka qenë në listën e landit si kandidat për Bundestag, beson se Wadephul “do të ketë një ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi dhe do të jetë një mbështetës i jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”

Për vite me radhë, Wadephul ka udhëhequr Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, një platformë ndërsektoriale që bashkonte deputetë të specializuar për të ndjekur zhvillimet në rajon. Në këtë grup merrte pjesë edhe Gunther Krichbaum, i cili tani është emëruar Sekretar Shteti për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme, post ky, që deri tani e ka Anna Lührmann, nga të Gjelbrit. Me këtë strukturë të re, pritet që Ballkani Perëndimor të mbetet një prioritet i diplomacisë gjermane – por gjithmonë i lidhur me përmbushjen e standardeve dhe reformave.

Integrim në BE, por në bazë të meritave

Si Wadephul ashtu edhe Krichbaum janë figura që janë shprehur qartë edhe për politikat e brendshme në Shqipëri pa ngurruar të flasin edhe për konfliktet e brendshme politike të partisë simotër, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kështu, për shembull, vetëm disa muaj më parë, Krichbaum dënoi protestat e dhunshme të PD-së në Tiranë dhe kritikoi liderin e saj Sali Berisha, duke theksuar se “një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë dhe paqësore që përputhet me vlerat evropiane.” Ai sugjeroi gjithashtu që Partia Demokratike të zgjidhte një kryetar të ri për të rikthyer besueshmërinë dhe orientimin pro-evropian të saj.

“Ata janë arkitektët kryesorë të kushteve shtesë që Bundestagu vendosi në vitin 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.  Wadephul i tha DW: Vendosëm disa parakushte që më kushtuan shumë punë dhe energji, dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin.” Pritet që kjo qasje ndaj kushteve të ndiqet edhe në të ardhmen. “Reformat juridike, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve, veçanërisht në Shqipëri, do të mbeten kritere kyçe për procesin e integrimit evropian,” thotë Falenski.

Mijatovic: Të mos u hapet rrugë regjimeve autoritare

Një veçanti shoqëron emërimin e Wadephul si Ministër i Jashtëm: për herë të parë pas gati 60 vitesh, Ministria e Jashtme gjermane ndodhet sërish në duart e CDU-së. Historikisht, ky post u ishte lënë zakonisht partnerëve të koalicionit. Tani, si Kancelaria, ashtu edhe Ministria e Jashtme drejtohen nga e njëjta parti – CDU-ja.

Politikani i opozitës Boris Mijatović, ekspert për Ballkanin në radhët e partisë “Të Gjelbërit” dhe bashkëpartiak i ish-ministres së Jashtme Annalena Baerbock, sheh këtu një problem. Ai paralajmëron se pesha dhe pavarësia e politikës së jashtme gjermane mund të dobësohen, pasi kancelari i ardhshëm Friedrich Merz pritet të marrë një rol shumë aktiv në çështjet ndërkombëtare dhe të përqendrojë më shumë kompetenca në zyrën e tij.

Nga Wadephuli si ministër i Jashtëm, Mijatović pret që të angazhohet për shtetin e së drejtës, për demokracinë dhe për një perspektivë të qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Gjermania duhet të qëndrojë hapur në anën e forcave demokratike në rajon dhe të mos i hapë rrugë regjimeve autoritare drejt Bashkimit Evropian,” tha ai për Deutsche Welle.

 

The post Një njohës i Ballkanit bëhet shef i diplomaicisë gjermane appeared first on Telegrafi.

Johann Wadephul do të jetë ministër i jashtëm në qeverinë e re gjermane/ Miku i Ballkanit në Berlin…

29 April 2025 at 12:24

Një lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor, kështu po shihet deri tani sepse ministri i ri i jashtëm i Gjermanisë do të jetë Johann Wadephul. Por çështje më e rëndësishmja, është njohës i mirë i problematikave të rajonit, të cilin e ka pasur në fokus e konsiderohet se ndryshe nga shefja e deritanishme e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, ai do të ndjekë një stil më të përmbajtur, më pragmatik dhe më të përqendruar tek rezultat konkrete. Anëtar i CDU-së që nga viti 1982, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë politike dhe ka qenë që 2009-ta deputet në Bundestag.

Praktikisht, sipas ekspertëve, pavarësisht se me kërkesa të forta për reforma reale, Ballkani Perëndimor mund të presë mbështetje të qartë për integrimin europian. Shembull i kësaj qasjeje të tij ishte reagimi i Wadephul në 2022-shin kur kritikoi hapur kancelarin Olaf Scholz për vizitën e parë zyrtare në Ballkan, kur shefi në largimin i ekzekutivit gjerman kërkoi publikisht në Beograd që Serbia ta njihte pavarësinë e Kosovës, një deklaratë kjo të cilën Wadephul e quajti “amatoreske”, pasi, sipas tij, kërkesa të tilla duhet të adresohen me kujdes diplomatik për të mos bllokuar dialogun.

Kolë Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hamburg dhe ish-kandidat për Bundestag nga CDU e Schleswig-Holstein-it, ka punuar ngushtë me Wadephul-in në strukturat partiake të këtij landi. Ai tha për DW së “Wadephul është prej vitesh eksperti më i mirë i politikës së jashtme në CDU/CSU dhe përkrahës i forcimit të rolit të Europës në politikat globale.” Gjoka, i cili prej vitit 2017 ka qenë në listën e landit si kandidat për Bundestag, beson se Wadephul “do të ketë një ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi dhe do të jetë një mbështetës i jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”

The post Johann Wadephul do të jetë ministër i jashtëm në qeverinë e re gjermane/ Miku i Ballkanit në Berlin… appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌