Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shiste i armatosur kanabis në doza/ Velipojë, pranga 22 vjeçarit, kishte masë sigurie ‘arrest në shtëpi’

Policia e Velipojës ka arrestuar në flagrancë mbrëmjen e së hënës një 22 vjeçar gjatë shitjes së një sasie lënde narkotike. Ky i ri, i identifikuar si Flavio Gropaj banues në fshatin Pulaj, kishte të caktuar nga Gjykata e Shkodrës masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë arrestimit dhe kontrolleve në banesën e tij u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.

Ndaj të dyshuarit Gropaj rëndojnë akuzat për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./ abcnews.al /

Kosova ‘në kërkim’ të Kuvendit/ Mbahet seanca për konstituimin

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot, rreth ores 11:00.

Lëvizja Vetëvendosje të dielën propozoi tre emra në tentimin e tretë për konstituim pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Votat për kryetar te Kuvendit nuk i morën ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe as deputeti Dimal Basha.

Nga 106 deputetë të pranishëm për Muratin votuan 55 deputetë, kundër 46 dhe 5 deputetë kanë abstenuar. Derisa, me 55 vota për, 47 kundër, 4 abstenime, Nagavci nuk mori votat për t’u zgjedhur kryekuvendare.

Kurse, për Bashën për votuan 57 deputetë , kundër 25, dhe abstenuan 24 deputetë. / abcnews.al/

Franca në krizë politike/ Bayrou kërkon votëbesim mes revoltës politike dhe kërcënimit ekonomik

François Bayrou ka vendosur ta çojë situatën përpara. Kryeministri francez do të kërkojë një votëbesim për qeverinë që më 8 shtator, përpara debatit mbi Ligjin e Buxhetit që është parashikuar për në vjeshtë.

Kryeministri francez, i cili nuk ka një shumicë parlamentare, ka njoftuar se dëshiron t’i paraqesë Asamblesë Kombëtare një votim “mbi përgjegjësinë e qeverisë” dhe mbi “çështjen thelbësore të kontrollit të financave tona”. Ligji i buxhetit i paraqitur nga ekzekutivi për vitin 2026 parashikon një plan shtrëngimesh të pa shembullta, me objektivin për të shkurtuar 44 miliardë euro nga deficiti.

Prej javësh Bayrou është nën presion për të korrigjuar, rishikuar apo anuluar disa nga masat e parashikuara. Ministrat kishin nisur negociata të vështira me liderët politikë për të përcaktuar kompromiset dhe ndryshimet. Papritur, kryeministri vendosi dje të ndryshojë kalendarin: fillimisht një votëbesim për qeverinë dhe për objektivin e shkurtimit të 44 miliardëve, dhe vetëm më pas diskutimi në detaje i masave individuale.

Një rrezik politik i madh, sidomos pas rrëzimit të Michel Barnier-it në dhjetorin e kaluar pikërisht për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Buxhetit. La France Insoumise, komunistët dhe të Gjelbrit njoftuan menjëherë se do të votojnë kundër ekzekutivit. Kësaj radhe edhe Marine Le Pen e ka tërhequr mbështetjen që muajt e fundit e kishte dhënë, të paktën në formën e abstenimit. Fatin e qeverisë do ta vendosë Partia Socialiste, e cila është kthyer në faktor vendimtar. Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, dha një paralajmërim mbrëmë, duke thënë se në situatën aktuale do të ishte “e paimagjinueshme që socialistët të votonin për votëbesimin” ndaj kryeministrit.

Në konferencën për shtyp të djeshme, Bayrou përshkroi imazhin e një France në rrezik, të detyruar të heqë dorë nga investimet për të frenuar një borxh që është kthyer në një “rrezik të menjëhershëm”.

Nëse Asambleja e rrëzon, paralajmëroi ai, “nuk do të jetë e mundur të ecet përpara”. Një mungesë e votëbesimit do të hapte kështu një krizë të re politike. Emmanuel Macron, megjithëse disa herë ka përjashtuar mundësinë e një shpërndarjeje të re të Asamblesë Kombëtare, pas vendimit të papritur për ta shpërndarë atë më shumë se një vit më parë, do të detyrohej të marrë sërish në konsideratë hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme.

Votimi për votëbesimin ndaj qeverisë Bayrou do të zhvillohet në prag të mobilizimit kundër Ligjit të Buxhetit, organizuar në rrjetet sociale me mbështetjen e së majtës radikale por edhe të grupeve autonome që evokojnë fantazmën e një rikthimi të jelekverdhëve. Sindikatat, të cilat janë kundër “goditjes” së Bayrou-t, kanë njoftuar gjithashtu protesta dhe greva.

Ndërkohë tregjet kanë përpara një skenar negativ. Pas deklaratave të Bayrou-t dhe reagimeve të liderëve të opozitës, interesat e bonove shtetërore franceze u rritën në nivelin më të lartë që nga marsi, me një rritje të diferencës ndaj bonove gjermane me gati 7 pikë bazë. Është rritja më e madhe brenda një dite që nga qershori i vitit 2024, në prag të zgjedhjeve legjislative që prodhuan parlamentin aktual pa shumicë.  / abcnews.al /

Lëvizte i armatosur, arrestohet 38 vjeçari / Tiranë, sekuestrohen armë pa leje dhe municione luftarake

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Armed”, duke goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në pranga ka rënë një 38-vjeçar me precedent penal, i cili u kap duke lëvizur me armë zjarri dhe municion në automjet.

I arrestuari është shtetasi Besmir Bajraktari, banues në Burrel, i dënuar edhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Ai u ndalua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në rrugën e Arbërit, ndërsa drejtonte një automjet tip “BMW”.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike dhe municion luftarak, të cilat u morën si prova materiale së bashku me automjetin. / abcnews.al /

“Diskriminuese ndaj teknologjisë amerikane”/ Trump kërcënon me tarifa shtesë ndaj vendeve me taksa digjitale

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj vendeve që zbatojnë taksa digjitale, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave shtesë për eksportet e tyre drejt SHBA-së nëse nuk e heqin këtë legjislacion.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi:

“Me këtë te vertete, i vë në dijeni të gjitha vendet që kanë taksa, ligje, rregulla apo rregullore digjitale, se nëse këto veprime diskriminuese nuk hiqen, unë, si President i Shteteve të Bashkuara, do të vendos tarifa shtesë të ndjeshme mbi eksportet e atij vendi drejt SHBA-së dhe do të aplikoj kufizime eksporti për teknologjinë dhe çipet tona të mbrojtura.”

Ai akuzoi vendet që kanë miratuar taksa të tilla se po dëmtojnë teknologjinë amerikane dhe favorizojnë konkurrentë të tillë si Kina, duke i cilësuar masat si të padrejta dhe të dizajnuara për të dëmtuar gjigantët teknologjikë amerikanë.

Burime për mediat ndërkombëtare bënë të ditur më herët se administrata Trump po shqyrton gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian ose shteteve anëtare që kanë rol kyç në zbatimin e Aktit për Shërbimet Digjitale – një ligj i rëndësishëm që synon rregullimin e platformave online.

Trump ka shprehur më parë pakënaqësi edhe ndaj vendeve si Franca dhe Kanadaja për taksat e tyre mbi shërbimet digjitale, duke i kërcënuar me masa ekonomike si kundërpërgjigje.

Këto qëndrime sinjalizojnë një përplasje të mundshme ekonomike dhe diplomatike mes SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë në Europë, në një kohë kur debati për rregullimin e gjigantëve teknologjikë dhe taksimin e tyre mbetet i nxehtë në nivel global.

Kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë/ Rama: Laborator krijimtarie dhe qendër unike e rajonit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm pamje nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila po transformohet rrënjësisht në një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë.

Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Rama shkruan:

“MIRËMËNGJES dhe nga kantieri i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, që po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës dhe jashtë në formën e një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin, e cila do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon, ju uroj një ditë të mbarë.”

/ abcnews.al /

Turqi/ Të drejtat e grave ‘në shënjestër’ të autoritetit fetar

Përpara Operës në lagjen Kadıköy të Stambollit në Turqi, një grup grash protestuan së fundmi kundër autoritetit fetar shtetëror, Diyanet. “Para disa ditësh iyaneti mbajti një predikim në 90,000 xhami ku ka sulmuar të drejtat e trashëgimisë së grave”, thotë një nga demonstrueset. “Kjo është arsyeja pse po ndërmarrim këtë veprim, sepse nuk duam të heqim dorë nga të drejtat tona.”

Përmbajtja e predikimeve gjatë namazit të së premtes në xhamitë turke përcaktohet nga autoriteti fetar në Ankara, Diyanet. Dhe kohët e fundit, Kurani është interpretuar jashtëzakonisht rreptësisht aty. Për shembull, ligji i trashëgimisë ishte tema e diskutimit një të premte në gusht. Sipas mësimeve klasike islame, gratë marrin vetëm gjysmën e pjesës që trashëgojnë burrat.

“Me çfarë ligji qeveriset ky vend?”

Diyaneti po shkakton zemërim të madh me predikimet e tij, thonë gratë protestuese. “Diyaneti sulmon të drejtat tona në xhami, të cilat miliona burra i vizitojnë të premteve. Dhe pastaj zyrtarët shtetërorë dalin me lehtësi dhe thonë: Çfarë problemi ka? Është tashmë në Kuran”, u shpreh Selin, një nga gratë e reja që protestuan para teatrit të operës. “Nëse është në Kuran apo jo, kjo nuk ka rëndësi për ne. Me çfarë ligji qeveriset ky vend? Ne kemi ligj civil këtu”, thotë ajo.

Hap tjetër drejt islamizimit?

Kodi Civil dhe Kushtetuta Turke përcaktojnë të drejta të barabarta trashëgimie për gratë. Meqenëse Zyra e Çështjeve Fetare, një agjenci shtetërore, e kundërshton këtë, shumë njerëz kanë frikë se qeveria e AKP-së nën Presidentin Rexhep Tajip Erdogan synon të çojë më tej islamizimin e vendit.

Politikania Aylin Nazliaka, e cila kryeson shoqatën e grave të partisë më të madhe të opozitës, CHP, gjithashtu e kritikoi këtë veprim në televizion. “Sipas Nenit 41 të Kushtetutës sonë, familja është themeli i shoqërisë dhe burrat dhe gratë kanë të drejta të barabarta brenda familjes”, thekson ajo. Por Diyanet tani po i shpërfill të gjitha këto të drejta kushtetuese dhe parimin e sekularizmit dhe po përpiqet të uzurpojë të drejtat që gratë fituan gradualisht gjatë epokës republikane.

Qeveria përpiqet të qetësojë gjakrat. Ish-Ministri i Drejtësisë dhe politikani i AKP-së, Bekir Bozdag, shpjegon se edukimi i njerëzve rreth rregullave islame është i mbrojtur me kushtetutë. Njerëzit janë të lirë të pranojnë këshillat ose jo. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me trashëgiminë.

Por në predikime të tjera, autoriteti fetar kohët e fundit dënoi pushimet në stilin perëndimor si blasfemi. U tha se është “haram”, ose e ndaluar, që gratë të veshin rroba të shkurtra dhe transparente. Ato duhet të mbulohen.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve, 26 gusht 2025

♈ Dashi (21 mars – 20 prill)

Energjia shpërthyese e ditës mund të të vendosë përballë një imprevisti në punë që kërkon fleksibilitet. Mos u lër instinktit të të dominojë: qetësia është arma jote më e mirë. Në dashuri, dëshira për pavarësi përzihet me nevojën për afërsi. Ji i sinqertë me partnerin dhe mos ki frikë të tregosh ndjeshmëri. Një gjest i vogël mirësie mund ta ndryshojë gjithë atmosferën e ditës.

♉ Demi (21 prill – 20 maj)

Sot ndien nevojën për të ngadalësuar ritmin dhe për të shijuar gjërat e vogla. Në punë, angazhimi yt vihet re dhe sjell një vlerësim që të rrit besimin tek vetja. Në dashuri, stabiliteti është fjala kyçe: edhe heshtja e ndarë mund të forcojë lidhjen. Kujdes me shpenzimet, ndërsa një moment i thjeshtë bukurie – muzikë, ushqim i mirë ose art – do të të japë qetësi shpirtërore.

♊ Binjakët (21 maj – 21 qershor)

Idetë të vijnë me shpejtësi, por rrezikon të humbasësh fokusin nëse nuk vendos një drejtim të qartë. Dita favorizon kontaktet dhe bisedat: një takim i papritur mund të të hapë horizonte të reja. Në dashuri kërkon lehtësi, por kujdes të mos anashkalosh ndjenjat e thella. Një gjest spontan do ta bëjë magjik takimin me partnerin. Organizohu mirë për të mos shpërdoruar energjitë.

♋ Gaforrja (22 qershor – 22 korrik)

Sot emocionet do t’i ndjesh më fuqishëm dhe do të jesh i lidhur ngushtë me nevojat e të tjerëve. Është një ditë e mirë për reflektim dhe për të kuptuar çfarë të ushqen vërtet shpirtërisht. Në punë, mund të shfaqet një mundësi e re: beso tek intuita jote. Në dashuri, ëmbëlsia është arma jote më e fortë – një përqafim ose një fjalë e ngrohtë shëron keqkuptime. Shtëpia sot bëhet strehë e përsosur për paqe dhe qetësi.

♌ Luani (23 korrik – 22 gusht)

Forca dhe karizma jote ndriçojnë sot, duke të sjellë vëmendje dhe mbështetje. Është moment i mirë për të paraqitur idetë apo për të fituar admirimin e të tjerëve. Në dashuri, dëshiron të vlerësohesh dhe të marrësh gjeste konkrete nga partneri. Një projekt krijues mund të nisë me sukses nëse i beson vetes. Pasioni është fjala kyçe e ditës, por mos harro rëndësinë e durimit dhe dëgjimit.

♍ Virgjëresha (23 gusht – 22 shtator)

Sot yjet të sjellin qartësi dhe rregull. Çështje të mbetura pezull mund të marrin zgjidhje përfundimtare. Në punë, saktësia jote do të shpërblehet me një vlerësim të rëndësishëm. Në dashuri, kërkon dialog dhe sinqeritet për të rikthyer besimin pas një periudhe tensionesh. Shëndeti kërkon kujdes: merr kohë për lëvizje ose ushqyerje të balancuar, që energjia dhe qetësia të rikthehen natyrshëm.

♎ Peshorja (23 shtator – 22 tetor)

Sot ndien një dëshirë të fortë për harmoni dhe bukuri përreth teje. Ke aftësinë të zbusësh edhe tensionet më të vogla në familje falë diplomacisë dhe butësisë tënde. Në dashuri, dita premton takime të lehta e të këndshme: lejo veten të befasohesh pa kërkuar kontroll mbi gjithçka. Në punë, talenti yt si ndërmjetës do të vlerësohet sidomos në projekte grupore. Një shëtitje, një koncert apo një moment i lidhur me artin do të të rikthejë ekuilibrin dhe do të të mbushë me entuziazëm.

♏ Akrepi (23 tetor – 22 nëntor)

Yjet të ftojnë të shohësh më thellë dhe të mos kënaqesh me sipërfaqen. Një bisedë e ngarkuar emocionalisht mund të zbulojë një të vërtetë që e prisje prej kohësh. Në dashuri, dëshira për lidhje të forta dhe të pasionuara është e madhe, por kujdes të mos bëhesh shumë posesiv. Në punë, një ide e guximshme mund të sjellë përfitime, për sa kohë që e menaxhon me strategji. Dita është ideale për transformime të brendshme: shkruaj, medito ose thjesht lejo mendimet të të udhëheqin drejt qartësisë së re.

♐ Shigjetari (23 nëntor – 21 dhjetor)

Sot dëshira për liri dhe aventura është më e fortë se kurrë. Rrutina të duket e ngushtë dhe kërkon lëvizje, udhëtime apo përvoja të reja. Edhe nëse nuk mund të udhëtosh fizikisht, mund të ushqesh mendjen me lexim apo studim. Në dashuri, nevoja për aventura bashkohet me kërkesën për autenticitet: një ftesë e papritur jashtë skemave mund të të befasojë. Në punë, entuziazmi është arma jote më e fortë, por mos harro detajet: ato do të bëjnë diferencën. Ditë që premton gjallëri dhe hapje.

♑ Bricjapi (22 dhjetor – 20 janar)

Sot reflekton më shumë mbi përgjegjësitë dhe rëndësinë e angazhimeve që ke marrë. Mund të marrësh një sinjal të qartë që të kujton sa e vlefshme është këmbëngulja, por edhe rëndësia e aspektit njerëzor. Në dashuri, dëshira për stabilitet shoqërohet me nevojën për thellësi: një bisedë e ndershme mund të forcojë lidhjen. Në punë, një hap i vogël përpara është më i dobishëm se një kërcim i nxituar. Dediko kohë edhe pushimit: kujto se gjërat e mëdha ndërtohen me durim, jo brenda ditës.

♒ Ujori (21 janar – 19 shkurt)

Mendja jote sot është si një vullkan me ide të reja dhe të guximshme. Ndien nevojën të ndash mendimet e tua dhe të nisësh diçka origjinale. Bashkëpunimet janë të favorizuara, por duhet të ruash konkretësinë për të mos humbur vrullin. Në dashuri, dëshira për liri mund të ndeshet me kërkesën për vëmendje të partnerit: ekuilibri është çelësi. Një takim i papritur mund të të frymëzojë. Shfrytëzo krijimtarinë, por mos harro detajet praktike që sigurojnë stabilitet.

♓ Peshqit (20 shkurt – 20 mars)

Sot ndihesh i mbështjellë nga një ndjeshmëri e fortë që të lejon të kuptosh edhe nuancat më të fshehta tek njerëzit dhe situatat. Në punë, intuita dhe kreativiteti yt do të të ndihmojnë të gjesh zgjidhje origjinale për probleme komplekse. Në dashuri mbizotëron romantizmi: një gjest i ëmbël apo një fjalë poetike do të ngrohë zemrën e partnerit. Ki kujdes të mos ngatërrosh dëshirat e të tjerëve me të tuat. Një moment qetësie, ndoshta në heshtje apo me muzikë, do të të japë qartësi dhe harmoni shpirtërore

Parashikimi i motit, 26 gusht 2025

Ditën e sotme vendi ynë,Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe alternime vranësirash kalimtare të pakta deri mesatare në pjesën e parë të ditës. Në relievet malore në lindje këto vranësira hera-herës do të jenë deri të dendura kalimtare.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet do të arrijë shpejtësi 10 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Presidenti i Koresë së Jugut takohet me Donald Trump: Tregtia dhe siguria kryefjala e bisedimeve

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, mbërriti në Uashington të dielën për t’u takuar për herë të parë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një vizitë me rëndësi strategjike për aleatin më të afërt dhe më të rëndësishëm të vendit të tij. Takimi vjen pas një marrëveshjeje tregtare në korrik, ku Uashingtoni ra dakord të ulë tarifën reciproke për Korenë e Jugut në 15% nga 25% fillimisht e propozuar. Diskutimet pritet të përqendrohen tek detajet e marrëveshjes për blerjen nga Koreja e Jugut të energjisë amerikane dhe investime në ekonominë e SHBA-ve, si dhe tek investimet direkte që kompanitë koreane do të bëjnë në SHBA.

Presidenti Lee do të udhëheqë një delegacion të përbërë nga drejtuesit e konglomerateve më të mëdha koreane, përfshirë Samsung, SK Group, Hyundai dhe LG, të cilat pritet të investojnë miliarda dollarë në industrinë amerikane. Një tjetër pikë kyçe e bisedimeve do të jetë siguria dhe qëndrimi mbrojtës ndaj kërcënimeve nga Koreja e Veriut, duke përfshirë ndarjen e komandës operacionale gjatë kohës së luftës dhe rolin e trupave amerikane në Gadishullin Korean.

Takimi vjen ndërsa Koreja e Jugut dhe SHBA-të zhvillojnë ushtrime ushtarake të përbashkëta, ndërsa Koreja e Veriut ka kritikuar manovrat si një provokim për luftë. Ekspertët paralajmërojnë se marrëdhënia midis Trump dhe liderëve koreanoverior mund të ndikojë në influencën e Seulit, ndërsa bisedimet mund të prekin gjithashtu bashkëpunimin ushtarak dhe marrëdhëniet strategjike me Rusinë dhe Kinën.

Sektoret e anijeve, baterive dhe gjysmëpërçuesve janë gjithashtu në axhendën e diskutimeve, me Trump që synon të rrisë kapacitetet amerikane, duke i kërkuar Koresë së Jugut të kontribuojë më shumë në sigurinë dhe zhvillimin rajonal. Analistët theksojnë se takimi ka potencial të jetë vendimtar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak, si dhe për menaxhimin e kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe sfidat e ndikimit global.

/ abcnews.al /

Romagna goditet nga stuhia e fuqishme, rajoni italian nën alarm të verdhë

Një stuhi e fortë me shi, breshër dhe erëra që tejkalonin 100 km/h, goditi Romagna në Itali gjatë natës duke shkaktuar dëme serioze në të gjitha provincat. Përmbytje, qindra pemë të rrëzuara, dhjetëra automjete të dëmtuara dhe dëme në të gjitha resortet e plazheve dhe të mbjellat, u shkaktuan nga shiu, erërat e forta dhe breshëri.

Nuk raportohen persona të lënduar ose të humbur, por situata mbetet në zhvillim dhe operacionet e shpëtimit vijojnë, shkruan Il Corriere della Sera. Rajoni i Emilia-Romagna po përgatitet që të shpallë gjendjen e emergjencës rajonale, ndërsa dëmi përgjatë bregut pritet të vlerësohet.

Provincat e Rimini, Forlì-Cesena dhe Ravenna ishin ndër më të goditurat. Mbi 70 milimetra shi dhe shkulme ere me shpejtësi deri në 120 km/h ranë në zonat e prekura brenda 30-60 minutave.

Në Rimini, u përmbytën shtatë nënkalime që pritet të rihapen në orët në vijim. Qendra e zjarrfikëses rajonale ka marrë mbi 300 raportime dhe kërkesa për ndërhyrje lidhur me pemët, degët e rëna dhe përmbytjet. Janë dërguar dhjetë ekipe me zjarrfikës dhe gjashtë të Mbrojtjes Civile Provinciale.

23 persona u evakuuan nga një tren i ngecur në linjën Rimini-Ravenna pasi një pemë kishte rënë në hekurudhën pranë Bellaria-Igea Marina.

Në Milano Marittima, disa zona u blllokuan nga përmbytjet dhe pemët e rrëzuara, rreth 265 në total që goditën dhe dëmtuan dhjetëra makina të parkuara.

Në plazhe ka gjithashtu dëme serioze: çadra të thyera, struktura të shkatërruara. Megjithatë, në zonat e tjera plazhi dhe turizmi kanë vijuar pasi shërbimi nuk është ndalur në hapësirat e padëmtuara përgjatë rivierës.

Departamenti i Mbrojtjes Civile ka shpallur alarmin e verdhë për ditën e sotme. Nuk priten reshje të tjera, por situata mbetet në vëzhgim. Pritet që shiu të bjerë në zonën e Apenineve të Emilia-Romagna. / abcnews.al /

IKMT zbarkon në Vlorë, aksion në lagjen ‘1 Maji’/ Shembja e ndërtesave pa leje, ‘në shënjestër’ 27 objekte

Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur sërish aksionin në lagjen “1 Maji” në Vlorë. Pas prishjes së 4 objekteve disa ditë më parë, sot janë planifikuar edhe 10 ndërtime të tjera që do të shemben për t’i hapur rrugë vijimit të projektit të rrugës Transballkanike, e cila do të lidhet me Portin e Jahteve.

Në total, numri i objekteve që do të prishen arrin në 27. Ky aksion vjen si pjesë e fazës së dytë të ndërhyrjeve për realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin bregdetar.

Institucionet theksojnë se puna po vijon sipas planit, me synim transformimin urban të Vlorës dhe lehtësimin e qarkullimit drejt portit turistik.

/ abcnews.al /

Armë pa leje dhe municione/ Kurbin, arrestohet 19-vjeçari

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale,  Komisariati i Policisë Kurbin ka siguruar informacion se një shtetas mbante armë zjarri, pa leje, në banesën e tij, në Laç. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të këtij informacioni është finalizuar operacioni i koduar “Arka”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

Etien Zefi, 19 vjeç, banues në Laç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri automatik, sasi municioni luftarak dhe 3 granata, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.  / abcnews.al /

Punimet në aksin Shirokë-Zogaj/ Rama: Kthesë e re për turizmin. Shkodra, kryeqendra e rajonit

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se puna në kantierin e rrugës Shirokë – Zogaj po vijon me ritme të mira, duke e cilësuar këtë projekt si një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në veri të vendit.

Ai shtoi se kjo rrugë do të ndihmojë në pozicionimin e Shkodrës si kryeqendër turistike dhe kulturore e rajonit, duke sjellë më shumë vizitorë dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve lokale.

“Vijon me ritme të mira puna në kantierin e rrugës Shirokë – Zogaj, një investim i rëndësishëm që jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin, por do të shërbejë si një kthesë e re për turizmin, me lidhjen që do të krijojë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke e pozicionuar Shkodrën në kryeqendër të rajoni.” , shkruan Rama.

/ abcnews.al /

Shiste kokainë në doza/ Fier, pranga 30-vjeçarit, sekuestrohen 13 doza 

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore për një shtetas që shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij. Si rezultat, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:  Ardit Tafa, 30 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, kur është konstatuar nga punonjësit e Policisë, në lagjen “Konferenca e Pezës”, ka hedhur dozat e lëndës narkotike kokainë, në tokë, dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga pas ndjekjes nga punonjësit e Policisë.   / abcnews.al /

❌