Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Alarm në det! Shpëtohen 6 fëmijë nga mbytja në plazhin britanik, dy përfundojnë në spital

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Aberavon Beach, pranë Neath Port Talbot në Uellsin Jugor, ku gjashtë fëmijë u gjendën në vështirësi serioze në det.

Sipas autoriteteve, Port Talbot Coastguard Rescue u njoftua menjëherë pas raportimeve se disa fëmijë po rrezikoheshin nga dallgët. Tre prej tyre u shpëtuan duke përdorur një litar shpëtimi, ndërsa pjesa tjetër u nxor nga uji nga oficerët e shpëtimit që hynë vetë në det.

Në operacion mori pjesë edhe Porthcawl Coastguard, ndërsa fëmijët e shpëtuar u morën në kujdes nga personeli mjekësor. Fillimisht ata u kontrolluan në vendngjarje dhe më pas u transferuan te paramedikët e Shërbimit të Ambulancës së Uellsit.

Një zëdhënës i këtij shërbimi bëri të ditur se në vendngjarje u dërguan tre autoambulanca dhe një menaxher operativ, ndërsa dy prej fëmijëve u dërguan menjëherë në spital. Katër të tjerët shkuan vetë për të marrë trajtim mjekësor shtesë.

Plazhi i Aberavon mbrohet nga rojat bregdetare të RNLI dhe shërbimi i Coastguard, të cilët ndërhynë në kohë për të shmangur tragjedinë.

10 vatra zjarri në vend, 6 të shuar, 4 ende aktive në Vlorë, Tiranë, Skrapar dhe Kolonjë

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC raporton se prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.
Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.
Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen:
1.      Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës
2.      Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe
3.      Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës.
4.      Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë.
5.      Në Lagjen 18, Rajoni Nr.1, bashkia Korçë.
6.      Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr.1, bashkia Tiranë.

Dështoi të transferonte sulmuesin nigerian, Tare i hedh “sytë” nga zëvendësuesi i Gyokeres

Pas përfundimit të pistës së Victor Boniface, AC Milan ka zhvendosur vëmendjen te talenti danez Conrad Harder, i cili pritet të bëhet sulmuesi më i ri i kuqezinjve.

Sipas mediave italiane, gjithçka u bë e qartë të dielën në mëngjes gjatë takimit në Casa Milan, ku morën pjesë drejtori Giorgio Furlani, Igli Tare dhe trajneri Massimiliano Allegri. Pak para mbërritjes së trajnerit, nga selia doli edhe agjenti i Harder, duke treguar qartë se negociatat kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Një tjetër detaj që shtoi zërat për transferimin ishte prania e agjentit të lojtarit në San Siro për ndeshjen ndaj Cremonese, ndërkohë që dyshimet për gjendjen fizike të Boniface tashmë kishin zbehur interesin e klubit.

Sot është zhvilluar edhe një takim i ri me agjentin e 19-vjeçarit për të mbyllur detajet e kontratës. Marrëveshja do të jetë pesëvjeçare, me një pagë që nis nga 1.5 milionë euro në sezon dhe që pritet të rritet vit pas viti. Sporting Lisbon do të përfitojë 24 milionë euro + 3 milionë euro bonuse, si dhe 10% të një shitjeje të ardhshme.

I lindur në vitin 2005, Harder u rrit te të rinjtë e Nordsjælland, ku shkëlqeu me 27 gola në 24 ndeshje për ekipin U-19. Ai debutoi në Superligën daneze më 4 qershor 2023 dhe shpejt u bë pjesë e ekipit të parë. Sezonin e kaluar, si pasardhës i Viktor Gyökeres (i transferuar te Arsenali), Harder regjistroi 9 gola dhe 4 asiste në 43 ndeshje.

Me këtë lëvizje, Milan synon të sigurojë një talent premtues për sulmin, duke i dhënë ekipit një element të ri në perspektivën afatgjatë.

“Destinacion turistik në rritje”/ Rama ndan artikullin e The New York Times: Plazhe, histori, kulturë dhe çmime të përballueshme

Karyeministri Edi Rama ka ndarë një artikull të medias prestigjoze “The New York Times”, e cila e cilëson Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje.

“Prestigjiozja amerikane “The New York Times”, e cilëson Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje.

Artikulli veçon Parkun Kombëtar të Butrintit, plazhet e Ksamilit dhe qytetet bregdetare si Dhërmiu, Borshi e Saranda si destinacionet me të bukura për pushuesit

Po ashtu, “The New York Times” ndalet edhe në qytete historike si Berati me trashëgiminë e tij mijëravjeçare dhe Gjirokastra si qyteti i gurtë, i mbrojtur nga UNESCO”-shkruan Rama krahas linkut.

Donte të fuste në Shqipëri makinën e vjedhur në Itali, arrestohet italiani në Portin e Durrësit

Një shtetas italian është arrestuar nga policia shqiptare në Portin e Durrësit, pasi tentoi të fuste në vendin tonë një automjet të vjedhur.

Në pranga ka rënë 38-vjeçari G.L. Makina që ai tentoi të trafikonte në Shqipëri rezulton se është e vjedhur para 1 muaji në Itali.

Pas verifikimit të rastit, ai u arrestua për akuzën e trafikimit të mjeteve motorike.

Njoftimi i Policisë Durrës:

Tentoi të trafikonte në Shqipëri, një automjet të vjedhur para 1 muaji, në Itali, vihet në pranga shtetasi italian.

Sekuestrohet automjeti.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve, verifikimeve dhe intervistimeve, në hyrje/dalje të vendit, me objektiva parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit vunë në pranga, në hyrje të Shqipërisë, shtetasin italian G. L., 38 vjeç.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se automjeti që ky shtetas po tentonte të fuste në Shqipëri, ishte vjedhur në Itali, më datë 25.07.2025.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Shkaktoi në gjendje të dehur aksidentin ku humbën jetën dy motrat nga Delvina, shoferi 23-vjeçar ishte punonjës në Ministrinë e Brendshme

Është arrestuar shoferi 23-vjeçar Kevi Norra, i cili një ditë më parë shkaktoi aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë, me pasojë vdekjen e dy motrave të reja dhe plagosjen e një tjetër vajze që ndodhej në makinë me to.

Policia bën me dije se ai ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l.

Norra, banues në Fier, ishte me detyrë specialist pranë Ministrisë së Brendshme.

Nga aksidenti i rëndë mbetën viktima Ela dhe Rezi Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, ndërsa u plagos Antonela Zhupa, 24 vjeçe.

Franca thërret ambasadorin amerikan pas akuzave ndaj Macronit për luftën kundër antisemitizmit

Franca ka thirrur ambasadorin amerikan, Charles Kushner, pas një letre që ai i dërgoi Presidentit Emmanuel Macron, ku akuzonte se Franca nuk kishte bërë mjaftueshëm për të luftuar dhunën antisemitizëm.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze tha se kjo ngjarje ndodhi të dielën.

Kushner, i cili është hebre dhe djali i të cilit, Jared Kushner, është i martuar me vajzën e Presidentit të SHBA, Donald Trump, publikoi letrën e tij të hapur në “Wall Street Journal”, në një kohë kur raportet mes Francës, SHBA-së dhe Izraelit janë tejet të tensionuara.

Në letrën e tij, Kushner kujtoi se dita e hënë do të ishte “81-vjetori i Çlirimit të Aleatëve të Parisit, që përfundoi deportimin e hebrenjve nga territori francez gjatë pushtimit të Nazizmit”, duke theksuar se dhuna antisemitiste është rritur ndjeshëm në Francë.

“Shkruaj me shqetësim të thellë për ngritjen dramatike të antisemitizmit në Francë dhe për mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga qeveria juaj për ta përballuar këtë… Në Francë, nuk kalon asnjë ditë që hebrenjtë të mos sulmohen në rrugë, sinagogat apo shkollat të shkatërrohen, ose dyqanet e bizneseve hebre të vandalizohen”, shkruhet ndër të tjera në letrën e tij.

Kushner i kërkoi Presidentit Macron që të forconte me urgjencë ligjet kundër krimeve të urrejtjes dhe të zbusë kritikat ndaj Izraelit, duke thënë se deklaratat e qeverisë franceze për njohjen e një shteti palestinez kanë nxitur incidente antisemitike në Francë.

Në letrën e tij, Kushner argumentonte se, ndërkohë që “antisemitizmi ka lënë një plagë të thellë në jetën franceze”, urrejtja ndaj hebrenjve ka shpërthyer pas sulmit barbar të Hamasit më 7 tetor 2023, që solli Luftën e vazhdueshme në Gaza.

Reagimi nga Parisi nuk vonoi. Ministria e Jashtme e Francës e hodhi poshtë me forcë këtë akuzë, duke e quajtur të papranueshëm qëndrimin e Kushner.

“Sipas Konventës së Vjenës të vitit 1961, ambasadorët nuk mund të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një vendi”, tha Ministria e Jashtme e Francës.

Kjo letër e Kushner është një tjetër reagim pas një tjetër letre që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dërgoi Macronit disa ditë më parë, ku e akuzonte presidentin francez për nxitjen e antisemitizmit përmes thirrjeve për njohjen e një shteti palestinez.

Macron ka qenë ndër kritikët më të fortë të mënyrës se si Netanyahu po e zhvillon luftën në Gaza, sidomos në lidhje me viktimat civile palestineze, ndërsa Trump ka mbështetur pa rezerva udhëheqësin izraelit.

Përcillet për në banesën e fundit Artur Zheji

Personalitete të jetës publike, politikës, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji ndërsa zhvilluan homazhe në nderim të tij në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.

Artur Zheji u nda papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare të shtunën e 23 gushtit.

Homazhet zhvillohen nga ora 10:00 deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura dhe pas homazheve do të organizohet edhe ceremonia e përcjelljes në varrezat e Tufinës.

Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.

Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.

Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Për vite me radhë, Zheji do të jepte kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

I lindur më 29 gusht 1961, Artur Zheji ishte i biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit.

Zheji u diplomua për regjisor në Institutin e Lartë të Arteve, ku spikati dhe la gjurmën e tij në dramaturgjinë shqiptare. Në skenën e Teatrit Kombëtar, u vendos në skenë drama e tij “Raimonda”, përgjatë kohës së diplomimit.

Pas diplomimit, Zheji u zhvendos në Itali ku qëndroi për rreth 10 vite. Aty, ai punoi në “Radio Radicale” si specialist i çështjeve të Evropës dhe Ballkanit, përgjatë kohës së luftës së Kosovës, duke u bërë kështu dhe një zë i rëndësishëm i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Që prej vitit 2017, ai ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në përgjithësi.

GJKKO refuzoi lirimin e Ilir Metës, presidenti i PL-së apelon vendimin që e la arrest në burg

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paraqitur sot (25 gusht) apelin kundër vendimit të GJKKO-së që e la në arrest me burg.

Presidenti i PL-së kërkon rishikimin e masës së sigurisë duke kërkuar një lehtësim të saj, me 3 forma “ndalimi të daljes jashtë shtetit, paraqitje përpara oficerit të policisë gjyqësore ose  garancia pasurore.”

“Në kushtet e krijuara dhe persa cituam me siper, i kerkojme Gjykatës se Posaçme te Apelit ndryshimin e vendimit nr. 546 date 13.08.2025 te Gjykates Shkalles Pare kunder Korrupsionit dhe Krimit Organizuar, dhe pranimin e kerkesës per zëvendesimin e mases sigurimit personal per te pandehurin Ilir Metaj ne nje mase tjeter që te jete propocionale me rrethanat e krijuara, por edhe me personalitetin e tij. Per ne masat me të  pershtatshme jane: Ndalimit te daljes jashte shtetit, Paraqitaja perpara oficerit policise gjyqesore, dhe Garancia pasurore”, thuhet në dokumentin e apelit të Ilir Metës.

Më 22 gusht Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Ilir Metës, duke argumentuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për një masë më të butë sigurimi.

Në vendimin e saj, gjykata arsyetoi se pozita procedurale e Metës është rënduar, pasi ndaj tij është konsoliduar akuza dhe është marrë në cilësinë e të pandehurit, për vepra penale të rënda si Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, në tre raste (dy prej tyre në bashkëpunim), Pastrimi i produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, Fshehje dhe mosdeklarim i pasurisë, sipas nenit 257/a/2 të Kodit Penal.

Gjykata vlerëson se rreziku për cënimin e provave mbetet aktiv, sidomos për faktin se një pjesë e madhe e dëshmitarëve që do të pyeten gjatë gjykimit janë persona të lidhur me subjektin politik ku Meta ushtron funksione drejtuese.

“Pushteti dhe lidhjet që i pandehuri ka krijuar për shkak të funksioneve që ka aktualisht apo ka pasur më parë, krijojnë mundësi praktike për të ndikuar tek dëshmitarët dhe për të ‘helmuar’ provat,”  thuhet në vendim.

Gjykata thekson se fakti që hetimet paraprake janë përfunduar dhe që Metës i është komunikuar akti për përfundimin e tyre nuk mjafton për të zbutur nevojat e sigurimit, pasi provat e grumbulluara në hetim marrin vlerë vetëm gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Nis sot shpërndarja e librave shkollorë falas, Rama: Mbështetje për 236 mijë nxënës dhe familjet e tyre

Sot nis shpërndarja e librave shkollorë falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi në një postim në rrjetet sociale se, kjo është një mbështetje e përvitshme e qeverisë për fëmijët dhe familjet e tyre në prag të vitit të ri shkollor.

Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.

Netanyahu: Izraeli mund të tërhiqet nga Libani, nëse Hezbollahu çarmatoset

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se e ka mirëpritur “vendimin historik” të kabinetit libanez në fillim të këtij muaji për të punuar drejt çarmatosjes së Hezbollahut deri në fund të vitit 2025, dhe se ky vendim mund të çojë në tërheqjen e trupave izraelite nga vendi.

Ai tha se, nëse Libani i ndërmerr hapat e nevojshëm për ta çarmatosur Hezbollahun, atëherë Izraeli do të përgjigjet me masa të ndërsjella, duke përfshirë zvogëlimin dalëngadalë të pranisë ushtarake të Izraelit në Libanin jugor.

Që nga përfundimi i luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor falë një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e Hezbollahut kanë thënë se grupi nuk do të diskutojë për çarmatimin e tij derisa Izraeli të tërhiqet nga pesë kodra që kontrollon brenda Libanit dhe t’i ndalë sulmet ajrore pothuajse të përditshme që kanë vrarë ose plagosur qindra njerëz, shumica prej tyre anëtarë të Hezbollahut.

Bejruti përballet me trysni nga SHBA-ja për ta çarmatosur grupin që së fundmi luftoi një luftë 14-mujore me Izraelin, pas të cilës mbeti plotësisht i dobësuar, sepse shumë nga udhëheqësit e tij politikë dhe ushtarakë u vranë.

Udhëheqja e Hezbollahut është zotuar se nuk do të çarmatoset, duke thënë se vendimi i Qeverisë kombëtare për t’ia hequr armët grupit të mbështetur nga Irani deri në fund të vitit, i shërben interesave të Izraelit.

Izraeli e ka akuzuar Hezbollahun se po përpiqet t’i rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake, ndërsa ushtria izraelite ka thënë se pesë kodrat në Liban ofrojnë pika vëzhgimi ose ndodhen përballë komuniteteve në veri të Izraelit, ku rreth 60.000 izraelitë u zhvendosën gjatë luftës.

 

Që nga përfundimi i luftës, Hezbollahu ka tërhequr shumicën e luftëtarëve dhe armëve të tij nga zona përgjatë kufirit me Izraelin.

Marrëveshja e armëpushimit është e paqartë se si duhet trajtuar çështja e armëve dhe objekteve ushtarake të Hezbollahut në veri të lumit Litan, duke thënë se autoritetet libaneze duhet të çmontojnë objektet e paautorizuara duke filluar nga zona në jug të lumit.

Hezbollahu këmbëngul se marrëveshja mbulon vetëm zonën në jug të Litanit, ndërsa Izraeli dhe SHBA thonë se ajo kërkon çarmatosjen e grupit në të gjithë Libanin.

Lufta Izrael–Hezbollah filloi një ditë pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi kundër Izraelit nga Gaza më 7 tetor 2023. Ajo la mbi 4.000 njerëz të vdekur dhe shkaktoi dëme me vlerë 11 miliardë dollarë./REL/

U identifikuan dy viktimat e aksidentit pranë Sarandës, e lënduar edhe shoqja që udhëtonte me to

Mësohen identitetet e dy vajzave që humbën jetën mbrëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti tragjik në aksin rrugor Sarandë-Delvinë, si dhe një tjetër vajzë është transportuar në spital në gjendje të rëndë.

Viktima të aksidentit janë dy vajza nga Kopaçeza, fshat në Bashkinë Delvinë. Ato janë Ela Dhimaku, drejtuese e automjetit të aksidentuar dhe Rozina Dhimaku, pasagjere, motra me njëra-tjetrën. Ndërsa shoqja e tyre Antonela Zhupa pasagjere në automjet, ka mbetur e plagosur.

Mësohet se makina ku udhëtonin tre vajzat u përplas me një “Audi” që lëvizte me shpejtësi. Forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes. E plagosura është transportuar drejt spitalit të Sarandës në gjendje të rëndë. Ende nuk ka detaje në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Tragjedi në Sarandë-Delvinë, dy motra humbin jetën në aksident rrugor

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin Sarandë-Delvinë. Si pasojë mbetën dy të vdekur dhe një i plagosur.

Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Pularia”. Viktima të aksidentit janë dy vajza nga Kopaçeza, bashkia Delvinë.

Forca të shumta policie, ambulanca dhe zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes. E plagosura  është transportuar drejt spitalit të Sarandës në gjendje të rëndë. Ende nuk ka detaje në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Shpëtohet turist francez pranë Gjipesë në Himarë

Pasditen e së dielës pranë shkëmbinjve të Gjipesë është shpëtuar një turist francez që rrezikonte të mbytej.

Kanë qenë pushuesit që kanë lajmëruar policinë kufitare e cila e nisur nga Dhërmiu ka arritur të shpëtoji 38 vjeçarin nga Franca .

Turisti i identifikuar si Hassabou Elias, 38 vjeç, me shtetësi franceze, kishte pësuar probleme me shpinën dhe nuk mund të lëvizte pjesën e poshtme të trupit, duke mos qenë në gjendje të notonte.

Ai u shpëtua në kohë, u transportua drejt bregut dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në gjendje të mirë shëndetësore.

Shpërthen në flakë një restorant në Angli, pesë të plagosur, arrestohen autorët

Dy persona janë arrestuar nga autoritetet britanike për zjarrvënie në një restorant në Ilford.

Zjarri shpërtheu në restorantin “Indian Aroma” në zonën Ilford, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe plagosjen e disa personave. Tre persona u dërguan me urgjencë në spital në gjendje kërcënuese për jetën, ndërsa dy prej tyre mbeten në gjendje kritike edhe këtë të diel.

Sipas Policisë Metropolitane, dy persona të tjerë dyshohet se janë larguar nga vendngjarja përpara mbërritjes së forcave të rendit. Hetimet janë ende në zhvillim për të identifikuar këta individë.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga agjencia britanike PA, tregojnë një grup personash me fytyra të mbuluara duke hyrë në restorant dhe duke derdhur një lëng të panjohur në dysheme. Vetëm pak sekonda më pas, brendësia e restorantit përfshihet nga flakët.

“Ndërsa kemi arrestuar dy persona, hetimi ynë vazhdon me ritëm të shpejtë në mënyrë që të kuptojmë plotësisht çfarë ndodhi të premten në mbrëmje”, u shpreh DCI Mark Rogers nga Policia Metropolitane.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë informacion për ngjarjen të kontaktojnë menjëherë policinë.

 

Merr flakë gomisteria në Durrës! Devijohet trafiku, një pjesë e Shkozetit mbetet pa drita

Një zjarr i fuqishëm ra pasditen e sotme në një gomisteri në zonën e Shkozetit, në Durrës.

Shërbimet e zjarrfikësve u njoftuan shpejt dhe mbërritën në vendngjarje me katër automjete zjarrfikëse për të vënë nën kontroll flakët.

Për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarrit, policia ka devijuar trafikun në segmentet e afërta rrugore, duke bllokuar përkohësisht lëvizjen e automjeteve. Një pjesë e Shkozetit u përball me mungesën e energjisë elektrike për të shmangur pasojat dhe më të rënda.

Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, flakët u vunë nën kontroll pa e lejuar zjarrin të përhapej në bizneset dhe banesat përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Po vijon puna për të zbuluar shkakun e këtij zjarri.

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu mesazh për ndarjen nga jeta e gazetarit: “Zheji i Madh”, ti dije të dëgjoje

Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, ka reaguar me një mesazh prekës pas ndarjes nga jeta të gazetarit, analistit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Artur Zheji.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Arvizu shpreh dhimbjen për humbjen e një figure qw, sipas tij, kishte aftësinë e rrallë për të dëgjuar me vëmendje dhe për të kuptuar thellë zhvillimet në shoqëri.

“‘Zheji i Madh’, ti dije të dëgjoje. U prehsh në paqe,” shkruan Arvizu, duke përdorur një nga nofkat që përdorej shpesh në rrethin mediatik për gazetarin.

Artur Zheji u nda papritur nga jeta tw shtunwn, duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm në hapësirën publike dhe mediatike shqiptare. Figura e tij u vlerësua gjerësisht jo vetëm për analizat e thelluara politike, por edhe për kontributin në kulturën e debatit dhe mendimit kritik në Shqipëri.

Mesazhi i plotë:

I dashur Artur,

Së pari, i jam mirënjohës mikut tonë të përbashkët që më dha një zë në këtë moment të ndjeshëm, pasi nuk mund të jem në Shqipëri për t’u ndarë me ty personalisht.

Gjatë këtyre dy ditëve ditëve të fundit kam parë qindra—madje mijëra—lamtumira të përzemërta nga njerëz që të kanë njohur dhe dashur. Atyre me siguri do t’u mungosh. Ka pasur kaq shumë mesazhe prekëse, shpesh të përmbledhura në një fjalë të vetme: Ngushëllime. RIP. Lamtumirë.

Edhe unë ndiej trishtim. Kanë kaluar disa vite që kur u takuam për herë të fundit, bashkë me disa miq të dashur shqiptarë. Të tre ju ishit/jeni gazetarë profesionistë. Njerëz të mirë.

Më mungon Gazeta Mapo. E di që ti arrite shumë gjëra të tjera në jetën dhe karrierën tënde, por ajo ishte një gazetë e mirë—që ia vlen të kujtohet.

Gjatë katër viteve kur isha mysafir në vendin tuaj, takova kaq shumë shqiptarë të jashtëzakonshëm. Me disa prej tyre vazhdoj të jem ende në kontakt, edhe pas më shumë se dhjetë vitesh që u largova. Miqësitë që fitova dhe kujtimet që mora me vete do të zgjasin gjithë jetën.

Gjatë atyre viteve njoha shumë gazetarë dhe politikanë. Disa ishin miq të vërtetë, si ti. Shumë të tjerë ishin “të ashtuquajtur miq”, secili me agjendën e vet. Kjo është diçka që ndodh shpesh.

Në politikë, ashtu si në diplomaci, shpesh është e vështirë të shmangësh cinizmin. Ti gjete kohë për të më ndihmuar të kuptoja disa të vërteta të ftohta e të ashpra mbi jetën dhe politikën shqiptare—se si luhet loja. Sigurisht që bëra disa gabime, por ti u përpoqe të më bëje të kuptoja gjërat që më duheshin për ta kryer punën time më mirë.

Ajo që vlerësova më shumë ishte se ti me të vërtetë dëgjoje. Bëje përpjekje të sinqerta për të kuptuar pse unë po përpiqesha të thosha ose të bëja diçka, dhe e bëje këtë pa gjykim. Për këtë, jam thellësisht mirënjohës.

Nuk do ta harroj kurrë atë takim të fundit, kur të përshëndeta duke të thënë: “Zheji i Madh!” Qeshëm të dy—dhe ti e kuptove menjëherë se çfarë kisha parasysh.

Herën tjetër kur të vizitoj vendin e takimit tonë të fundit, do të mendoj për ty.

Deri atëherë, paqe dhe bekime për të gjithë ne.

Alex Arvizu

Rikonstruksioni i Spitalit të Gjirokastrës, Rama: Do t’i shërbejë mbi 60 mijë banorëve e turistëve

Vijon puna për rikonstruksionin e Spitalit të Gjirokastrës.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga rikonstruktimi i spitalit, ku përmes një posëtimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se ky spital do t’i shërbyer banorëve të zonës, por edhe turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë.

‘Spitali Rajonal i Gjirokastrës po rilind nga themelet, për t’i shërbyer mbi 60 mijë banorëve të zonës dhe qindra mijëra turistëve që vizitojnë qytetin e gurtë’, shkruan Rama.

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare po vijojnë intensivisht monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë

Vijon operacioni “SIGURIA DETARE”

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare po vijojnë intensivisht monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë kësaj jave, janë kontrolluar 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Konkretisht: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

11 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100 000 lekësh secili.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 28 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 9 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese:

Mos shkelni perimetrin e sigurisë;

Lundroni vetëm në zonat e lejuara;

Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

Krimi brenda familjes shqiptare në Greqi! 40-vjeçari që vrau gruan përballet me vajzën në gjykatë: Isha i hutuar, nuk doja të bëja

Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik në Greqi vijon të zhvillohet me detaje të reja tronditëse.

40-vjeçari shqiptar që vrau bashkëshorten e tij 36-vjeçare para syve të fëmijëve të tyre në Volos, u paraqit këtë të diel në gjykatë.

I pyetur nga gazetarët për motivin e krimit dhe nëse shprehte pendesë, ai nuk dha asnjë përgjigje, duke qëndruar i heshtur me kokën ulur. Brenda ambienteve të gjykatës, ai është përballur me vajzën e tij 18-vjeçare, të cilës sipas raportimeve i ka thënë: “Isha i hutuar, nuk doja ta bëja”, raportojnë mediat greke.

Prokuroria greke ka ngritur ndaj tij akuza për vrasje me dashje. Ndërkohë është urdhëruar nisja e një hetimi social për të përcaktuar kujdestarinë e fëmijëve të mitur të çiftit, të cilët aktualisht ndodhen nën kujdesin e të afërmve të nënës.

Në lidhje me autorin, autoritetet do të hetojnë gjithashtu një shtrim të mëparshëm në spital psikiatrik, i ndodhur në qershor, për të kuptuar rrethanat e daljes së tij.

Pas vrasjes, 40-vjeçari u arratis dhe qëndroi i fshehur për më shumë se 24 orë, derisa u kap nga policia i strehuar në një bar të braktisur rreth 200 metra larg banesës së tij. Ai kishte ndërruar rrobat, dyshohet se i kishte gjetur në kazanët e mbeturinave, dhe nuk kishte me vete as telefonin celular e as armën e krimit.

Sipas dëshmive të fqinjëve dhe forcave të rendit, gjatë arrestimit ai u shpreh: “Ajo po më tradhtonte. E bëra mirë. E meritonte. Nuk pendohem për asgjë.”

Megjithëse autoritetet theksojnë se çifti nuk kishte histori të raportuar dhune në familje, 40-vjeçari rezulton të ketë pasur kontakte të mëparshme me policinë.

Ndërkohë që nesër pritet të kryhet autopsia-mjekoligjore e viktimës, nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Selanik, ku është transferuar trupi.

❌