Egnatia, barazim si fitore/ Skuadra shqiptare reziston 0-0 në transfertën e Olimpija Ljubjane
Egnatia vuan, por në fund merr një barazim të vyer pa gola në transfertën kundër Olimpija Ljubjanë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në fazën e play off të Konferencë Ligës.
Në sfidën e vajtjes të raundit të tretë, kampionët e Shqipërisë bënë një ndeshje sakrifice, ndërsa kishin edhe fatin me vete.
Të besuarit e Edlir Tetovës e nisën mirë ndeshjen, por me kalimin e minutave i dhuruan topin dhe fushën të zotëve të shtëpisë.
Sllovenët ishin më kërkues, por mbrojtja e Egnatias mbajti, ndërsa pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pas pushimit, Olimpija rriti presionin, ndërsa momenti më deçiziv i ndeshjes u regjistrua në minutën e 67-të.
Arbitri u tregua bujar me 11-metërshin e akorduar për vendasit, pas një ndërhyrje të Sotës brenda zonës.
Por nga pika e penalltisë, Tam gaboi, duke lënë rezultatin të padryshuar.
Edhe minutat e fundit të ndeshjes do të ishin dramatike.
Në limitet e kohës së rregullt Fangaj u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa në shtesën e gjatë arbitri sinjalizoi një tjetër 11-metërsh për sllovenët.
Por sistemi VAR korrigjoi vendimin e gabuar, duke anuluar shansin e fundit për gol në këtë sfidë.
Në fund vetëm 0-0, një barazim që i vlen më shumë Egnatias, që të enjten e ardhshme do të luajë në shtëpi sfidën e kthimit për të synuar një kualifikim historik në play off e Konferencë Ligës.