Gazeta Si – Fillimisht ajo ndaloi në Romë, për t’u lidhur me videokonferencën e “koalicionit të të Vullnetshmëve” dhe për të përcaktuar një linjë të përbashkët që do të paraqitet sot në Shtëpinë e Bardhë, kur liderët kryesorë europianë, presidentja e BE-së, von der Leyen dhe kreu i NATO-s Rutte, do të takojnë Trumpi dhe Zelenskin. Më pas në mbrëmje, Giorgia Meloni – gjithmonë me telefonin në dorë – u drejtua për në Uashington.
Asnjë nuk mund të parashikojë nëse do të bëhet një hap i vërtetë përpara. Sigurisht që synimi është të mos përsëritet skena e para gjashtë muajve, kur Trump i dha disa “shuplaka” Zelenskit para kamerave, në një përplasje epike.
Aq sa, sipas rrëfimeve, problemi kryesor i bisedimeve të djeshme mes liderëve, ishte pikërisht formati i deklaratave për shtyp.
Në Shtëpinë e Bardhë kishin menduar për komunikime të shkurtra të Trump dhe Zelenskit në Zyrën Ovale menjëherë pas takimit kokë më kokë.
Por rreziku – siç shpjegoi Meloni te aleatët – është që gjithçka të shndërrohet në një shfaqje personale të Trump, që do të linte Zelenskin dhe liderët e tjerë pa zë, ose në një mbivendosje të rrezikshme zërash dhe pozicionesh.
Prandaj po ushtrohet presion i fortë mbi Trump që të pranojë një model më institucional, si në Alaskë: deklarata të dy presidentëve pa pyetje, në fund të ditës.
Do të shihet nëse Trump do të bindet. Sigurisht, siç u tha njerëzve të saj Meloni, për momentin nuk mbetet gjë tjetër veçse të shoqërohen përpjekjet me durim dhe këmbëngulje, pa e sulmuar, edhe kur kjo bëhet e vështirë për shkak të toneve shumë miqësore që ka përdorur me Putinin.
Por, siç ua tha edhe liderëve të tjerë dje, rreziku është që Trump, nëse sulmohet, të prishë gjithçka dhe të thotë se Ukraina nuk do paqen, Europa nuk bashkëpunon dhe atëherë amerikanët të bien dakord drejtpërdrejt me rusët. Një katastrofë, që do ta linte Europën jashtë loje, shkruan “Corriere della Sera”.
Me çfarë pozicioni shkon Italia në Uashington? Meloni nuk u jep shumë rëndësi telekonferencave ku marrin pjesë shumë shtete pa arritur në ndonjë përfundim, përveç, siç komentojnë njerëzit e saj, se i bëjnë qejfin Macron që kërkon të tregojë “se është ai lideri i vërtetë i Europës”.
Në një shënim, Meloni shkruan se gjatë diskutimit “u theksua rëndësia e vazhdimit të punës me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një paqe që të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, e cila duhet të përfshihet në çdo vendim”.
Për më tepër, “diskutimi konfirmoi nevojën për të ruajtur presionin kolektiv mbi Rusinë dhe për garanci të forta e të besueshme sigurie”.
Fjalë, sigurisht, më të përgjithshme nga ato që liderët shkëmbyen në bisedimet më të ngushta. Pika kyçe, për kryeministren – që e ka diskutuar edhe me Zelenskin – është t’i sigurohet Ukrainës se nuk do të mbetet vetëm në të ardhmen.
Dhe që, sipas planit “të shpikur prej nesh”, siç përsërit ajo, të zgjerohet zbatimi i nenit 5 të NATO-s, në mënyrë që nëse Ukraina do të sulmohej, të mbrohej nga Aleanca, edhe pse formalisht nuk është anëtare.
Ideja nuk bind Macronin, i cili shtyn për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të vendeve europiane në mbrojtje të Ukrainës, me kontigjente ushtarake.
Por Meloni iu përgjigj: “Rusia ka 1 milion e 300 mijë ushtarë: sa do të duhej të dërgonim ne për të qenë në nivelin e detyrës?”.
Dhe më tej: “Nëse një nga ushtarët tanë do të vdiste, do të bënim sikur s’ka ndodhur gjë, apo do të duhej të reagonim? Sepse, nëse reagojmë, është e qartë që do të duhet ta bëjë edhe NATO. Atëherë më mirë ta aktivizojmë menjëherë klauzolën”.
Ideja duket se po i intereson si Zelenskit, ashtu edhe Trumpit, më pak Macronit, të cilit nuk i pëlqen pozicioni italian – një përplasje që zgjat prej kohësh.
Do të jetë një moment vendimtar, i pari prej problemeve “jashtëzakonisht komplekse”, siç thotë kryeministrja: adoptimi i gjuhës ruse, si gjuhë zyrtare, territoret që kërkon Putini, armëpushimi.
Por paraprake mbetet çështja e sigurisë: çfarë mund të marrë Zelenski në këmbim të pranimit të disa kushteve ruse dhe si mund t’ua shpjegojë bashkëqytetarëve të tij, se “vdekja ka vlejtur për diçka?”. Një mbrojtje automatike, është e bindur Meloni, do të ishte “një rezultat konkret, solid” për të.
Do të shihet që mbrëmjen e kësaj të hëne, nëse do të ketë hapa përpara. Dhe nëse ndoshta mund t’i jepet vazhdim propozimit italian, që Roma të jetë selia e një samiti tripalësh të mundshëm: Putin–Zelenski–Trump.
Të dyve të fundit nuk do t’u dukej e mërzitshme kjo ide, por edhe këtu ka nisur një duel: duket se dje Macron u zemërua përballë kësaj hipoteze, duke propozuar më mirë Gjenevën në Zvicër. Por Meloni, me një batutë, e qetësoi. Nuk është ky momenti për t’u përçarë.
Përshtati: Gazeta “Si”
The post Meloni përplaset me Macron për ushtarët: Rusia ka 1.3 milionë, po ne? appeared first on Gazeta Si.