Të gjithë po flasin për rezultatin e duelit, Uysk-Dubois: Tyson Fury del me teori konspirative
Ish-kampioni i dyfishtë i botës në peshat e rënda, Tyson Fury, ka reaguar pas humbjes së Daniel Dubois ndaj Oleksandr Usyk, duke hedhur poshtë kritikat që sugjeronin se boksieri britanik “u dorëzua” në raundin e pestë të duelit të zhvilluar në Wembley.
Dubois u rikthye në ring pas tre fitoreve radhazi, përfshirë një nokaut mbresëlënës ndaj Anthony Joshua, dhe synonte të merrte titullin e padiskutueshëm të peshave të rënda. Megjithatë, përgatitjet e tij duket se u ndikuan negativisht nga një festë e organizuar në shtëpinë e tij ditën e ndeshjes, çka sipas disa burimeve ndikoi në paraqitjen e tij.
Në një sfidë që pritej me shumë interes, Dubois nuk mundi të hakmerrej për humbjen e diskutueshme ndaj Usyk në vitin 2023 dhe pësoi një nokaut të ashpër në raundin e pestë, duke humbur edhe titullin e tij në IBF. Kritikat ndaj boksierit 27-vjeçar erdhën shpejt, me disa figura nga bota e boksit që e akuzuan për mungesë lufte dhe vendosmërie.
Por Tyson Fury nuk qëndroi në heshtje. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai e mbrojti fuqishëm Dubois, duke theksuar se ai përballej me një nga kampionët më të mëdhenj të kësaj epoke dhe bëri gjithçka që kishte në dorë. “Faktet janë që Danieli bëri më të mirën kundër një kampioni të madh dhe thjesht nuk ishte mjaftueshëm”, deklaroi Fury.
“Ai u rrëzua dy herë? Çfarë prisni nga ai, të vdesë në ring?” shtoi ai. “Nëse e ndjen që nuk do të fitosh dhe je në telashe, është më mirë të largohesh sesa të pësosh lëndime të parikuperueshme. Djaloshi dha gjithçka që kishte”.
Lexo po ashtu: Shkenca pas grushtit të boksierit të kategorisë së rëndë: Të grushtohesh nga Dubois, është më keq sa që mendoni
Fury gjithashtu kritikoi ata që e akuzojnë Dubois për mungesë guximi, duke i quajtur “xhelozë” dhe “thyes ëndrrash”. Ai përmendi suksesin dhe përkushtimin e Dubois që nga fëmijëria, duke nënvizuar: “Ka punuar që nga mosha 8-vjeçare dhe tani është një multimilioner që ka boksuar para 100 mijë shikuesve në Wembley. Respekti është i merituar”.
Boksieri nga Morecambe i bëri ftesë të hapur Duboisit për t’u stërvitur me të kur të dëshirojë. “Kurdo që të duash, eja në Morecambe. Nuk ka xhelozi këtu”, tha ai. “Ti je kampion dhe duhet të jesh krenar për atë që ke arritur. Mbaje kokën lart, Daniel”.
Pas fitores së tij, Oleksandr Usyk nuk ngurroi të përmendë emra të tjerë të mëdhenj si Joshua, Chisora dhe Joseph Parker si rivalë potencialë. Megjithatë, shefi i boksit në Arabinë Saudite, Turki Alalshikh, raportohet se po shtyn për një duel mes Usyk dhe talentit të pamposhtur 20-vjeçar britanik, Moses Itauma – një përballje që do të sillte një dimension të ri në botën e peshave të rënda. /Telegrafi/
The post Të gjithë po flasin për rezultatin e duelit, Uysk-Dubois: Tyson Fury del me teori konspirative appeared first on Telegrafi.