Ish-kampioni i MMA në shtratin e spitalit: Vdiqa katër herë dhe humba 22 kilogramë
Ish-luftëtari i UFC-së, Ben Askren, foli nga shtrati i spitalit mbrëmë (e mërkurë) dhe tha se vdiq katër herë gjatë luftës së tij për jetë, pasi iu nënshtrua një transplanti të dyfishtë të mushkërive.
Konkretisht, Askren përfundoi në spital muajin e kaluar për shkak të pneumonisë së rëndë, e cila supozohet të jetë rezultat i një infeksioni stafilokoksik, kështu që e futën në koma të induktuar përpara se të operohej me sukses dhe të merrte një mushkëri të re.
“Sapo lexova shënimet e ditarit të gruas sime sepse nuk mbaj mend asgjë nga 28 maji deri më 2 korrik. Nuk kam asnjë ide se çfarë ka ndodhur. Lexova ditarin e gruas sime Amy. Ishte sikur të shikoja një film, krejtësisht e pabesueshme”, ka thënë fillimisht ish-luftëtari i MMA.
“Vdiqa katër herë. Zemra ime ndaloi për rreth 20 sekonda. Kjo nuk është gjë e mirë, shpresoj ta dini këtë. Megjithatë, mora mushkëri të reja. Po fitoj forcë dhe po mësoj të përdor përsëri të gjitha funksionet e trupit tim”.
“Dje dola në peshore dhe peshova 66.6 kilogramë. Nuk kam peshuar aq pak që kur isha 15 vjeç. Humba rreth 22 kilogramë në 45 ditë. Ishte një luftë e vërtetë. Nuk e mbaj mend pjesën më të madhe të saj”.
Komuniteti i arteve marciale dhe mundjes është angazhuar fuqimisht për të ndihmuar familjen e Askrenit, dhe operacioni shpëtues i jetës u bë i mundur falë një donacioni anonim prej 425,000 eurosh.
“Ajo që më preku më shumë ishte sasia e dashurisë që ndjeva nga të gjitha anët. Ishte sikur të kisha funeralin tim. Mbaj mend, 30 vjet më parë, kur vdiq Dave Phillips, të moshuarit më tregonin sa shumë e donin, sa shumë domethënës ishte ai për ta. Dhe sigurisht, ai nuk e dëgjoi kurrë”.
“Reagimi nga komuniteti i mundjes ishte i pabesueshëm. Ndihesha kaq i dashur. Jam më i motivuar se kurrë të kthehem, të bëj më të mirën time dhe të ndihmoj sa më shumë që të mundem. Ju dua të gjithëve, jam mirënjohës ndaj të gjithëve”.
“Ka qenë e vështirë, jo vetëm për mua, por për të gjithë familjen dhe komunitetin tim. Faleminderit të gjithëve për gjithçka. Shpresoj që ky postim të ketë pasur diçka domethënëse për ju. Siç thashë, ndoshta një ditë unë dhe Amy do të jemi në gjendje ta tregojmë të gjithë historinë me më shumë detaje”, përfundoi Askren.
Si kujtesë, Askren pati një karrierë mbresëlënëse në botën e MMA-së, pasi ishte kampion në kategorinë ‘welter’ në organizatat Bellator dhe ONE Championship, dhe në UFC ai arriti një fitore dhe dy humbje para se të tërhiqej. /Telegrafi/
The post Ish-kampioni i MMA në shtratin e spitalit: Vdiqa katër herë dhe humba 22 kilogramë appeared first on Telegrafi.