Presidenti Amerikan Donald Trump dhe homologu i tij Rus Vladimir Putin do të takohen këtë të premte në Alaska, në një bazë ajrore të periudhës së Luftës së Ftohtë në ato që ajnë bisedimet e para ballë për ballë mes dy liderëve që prej rikthimit të Donald Trump në shtëpinë e Bardhë .
Takimi pritet të nisë në orën 11:00 me orën lokale dhe zhvillohet në një moment kritik për luftën në Ukrainë, me pritshmëri të ulëta për një marrëveshje armëpushimi, por me sinjale për një ofertë të minutës së fundit nga Putini për një pakt të ri mbi kontrollin e armëve bërthamore.
Ky samit po shihet me kujdes të madh nga Kievi dhe aleatët evropianë, të cilët frikësohen se Trump mund të bëjë lëshime të dëmshme për Ukrainën, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj presioneve të Moskës për territor dhe kushte të tjera. Frikërat u zbutën disi pas një bisede telefonike të mërkurën, ku sipas Kievit, Trump ra dakord se Ukraina duhet të përfshihet në çdo diskutim për ndryshime territoriale dhe se pas luftës duhen vendosur garanci sigurie për vendin. Megjithatë, Trump nuk e ka konfirmuar publikisht këtë qëndrim.
Trump, i cili më herët ka deklaruar se mund ta përfundonte luftën brenda 24 orëve, pranoi të enjten se konflikti, tashmë në vitin e katërt, është treguar shumë më i vështirë për t’u zgjidhur. Ai tha se nëse bisedimet me Putinin shkojnë mirë, do të synojë të organizojë një samit të trefishtë me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy – i cili nuk është i ftuar në takimin e Alaskës.
Për Trump, një armëpushim do të ishte një fitore e madhe diplomatike që mund ta forcojë imazhin e tij si paqebërës global dhe t’i shtojë shanset për të fituar Çmimin Nobel për Paqe, të cilin ai e ka shprehur hapur se e dëshiron.
Nga ana tjetër, Putini, që përballet me presionin e sanksioneve gjithnjë e më të ashpra dhe me sinjale të ngadalësimit të ekonomisë së luftës, kërkon ndihmën e Trumpit për të shmangur sanksione të reja dhe për të hapur rrugën drejt rifillimit të marrëdhënieve ekonomike, politike dhe tregtare mes dy vendeve. Kremlini, megjithatë, nuk ka dhënë shenja të qarta se është gati të bëjë kompromis të madh mbi Ukrainën.
Një ditë para samitit, Putini hodhi idenë e një marrëveshjeje të re për kontrollin e armëve bërthamore, për të zëvendësuar traktatin e fundit ekzistues, që skadon në shkurt të vitit të ardhshëm. Sipas një burimi pranë Kremlinit, të dyja palët mund të kenë gjetur një pikë të përbashkët përpara takimit, duke shtuar mundësinë që të premten të shpallet ndonjë marrëveshje e pjesshme, ndoshta për një armëpushim të kufizuar në luftën ajrore.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se një marrëveshje e tillë mund t’i lejojë Rusisë të mbajë kontrollin mbi dinamikën e përshkallëzimit dhe të ruajë mundësinë për të rifilluar luftimet kur të dojë.
Putini ka vendosur kushte të rrepta për një ndalim të plotë të luftës: kontrollin e plotë të rajonit industrial të Donbasit qe perbehet nga Donetsku dhe Luhansku, marrjen nën kontroll të plotë të rajoneve të Khersonit dhe Zaporizhzhias, heqjen nga tryeza të anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe kufizimin e forcave të armatosura ukrainase.
Kievi i ka quajtur këto kushte të papranueshme dhe të barasvlershme me kapitullimin, duke theksuar se nuk do të japë asnjë territor. Aktualisht, forcat ruse kontrollojnë gati një të pestën e territorit të Ukrainës, por ende nuk e kanë marrë plotësisht Donetskun, ku rreth 25% e zonës mbetet nën kontrollin ukrainas.
Takimi i Alaskës pritet të tregojë nëse të dy liderët mund të bëjnë përparim drejt paqes, apo nëse kjo do të jetë thjesht një përpjekje diplomatike që do t’u shërbejë më shumë interesave politike të tyre personale sesa përfundimit të luftës. / abcnews.al /