Punimet në kantierin e Teatrit të Ri Kombëtar po ecin me ritme të qëndrueshme dhe pritet që godina e re të jetë jo vetëm një hapësirë për artistët, por edhe një pikë e rëndësishme e jetës urbane dhe sociale e kryeqytetit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë sot pamje nga punimet që po zhvillohen në kantierin e Teatrit të Ri Kombëtar, një prej projekteve më ambicioze kulturore të viteve të fundit në vend.
“Kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar, ku punohet çdo ditë për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse Tiranës së shekullit XXI dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, shkroi Gonxhja.
Objekti i ri i Teatrit Kombëtar synon të kthehet jo vetëm në një hapësirë moderne për artin skenik, por edhe në një simbol të identitetit kulturor të kryeqytetit dhe të gjithë vendit. Projekti parashikon salla bashkëkohore për shfaqje teatrore, ambiente multifunksionale për aktivitete kulturore, si dhe infrastrukturë teknologjike të standardeve europiane.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cilëson këtë projekt si një nga prioritetet e saj në zhvillimin e infrastrukturës kulturore në Shqipëri./atsh/KultPlus.com
Robert De Niro konsiderohet si një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, dhe ai ka arritur sukses në pothuajse në çdo zhanër filmi.
Por gjithashtu, ai është regjisor dhe producent filmi.
De Niro vjen prej një familje artistësh: nëna e tij, Virginia Admiral, ka qenë piktore,i ati i tij, Robert, ishte piktor, skulptor dhe poet. Ai u rrit në pjesën e qytetit të New York City në Little Italy në Manhattan. Ka qenë i martuar dy herë.
Ka një vajzë, Drina, dhe një djalë, Raphael, nga martesa me gruan e parë Dianne Abbott; dhe dy djem, Julian Henry dhe Aaron Kendrick, nga marrëdhënia e tij me modelen Toukie Smith.
Djemtë e Smith dhe De Niro-s janë binjakë, dhe janë ngjizur “in vitro”.
Në 2004 ai u rimartua me gruan e tij të dytë, Grace Hightower.
De Niro ka pasur një ndikim domethënës për artin, qoftë në filma, qoftë në fjalimet e tij mbresëlënëse, duke dhënë këshilla të panurmëta edhe si një mentor i mirë për studentët.
Në vijim, do t’ju njohim me 30 thënie të të madhit Roberto de Niro, i cili njihet për fjalët e tij me “peshë”, që i ka fiks mësime nga jeta e tij…
1 – Njeriu mëson dy mësime më të mëdha në jetë: Kurrë mos ua ktheni shpinën miqve tuaj, dhe gjithmonë mbajeni mbyllur gojën.
2 – Një derë e re do të hapet për ty – një derë në refuzimin e përjetshëm. Është e pashmangshme.
3 – Zbulove një talent, zhvillove një ambicie dhe njohe pasionin tënd. Kur e ndien atë, nuk mund ta luftosh – thjesht duhet ta pranosh!
4 – Ju bëj thirrje të provoni sa më shumë, të jeni mendjehapur, të mirëprisni eksperienca dhe ide të reja. Nëse nuk e provon, nuk do e dish kurrë.
5 – Talenti qëndron në zgjedhjet që bëni.
6 – Punoni shumë: Do të keni kohë për të pushuar kur të vdisni.
7 – Nuk futem në ato diskutime të gjata ta bëj apo mos ta bëj një gjë. Në fund të ditës, do pendohesh për atë që nuk bëre.
8 – Jeto momentin. Pikë. Ji aty. Sepse nëse mendoni gjatë kohës se duhet të bëni ndonjë gjë të jashtëzakonshme, nuk do të funksionojë kurrë. Nëse ndodh, ndodh. Nëse jo, jo. Mos u shqetësoni. Thjesht kini besim, ndershmëri, jini të vërtetë. Kaq kërkoni.
9 – Jeta rrallë ndryshon tërësisht, por vazhdimisht ndryshon në detaje.
10 – Ndonjëherë, nëse ke kufizime financiare, ky është përfitim. Të detyron të gjesh ndonjë ide krijuese.
11 – Njëherë dikush më tha: Mos e li veten të shkosh pas diçkaje apo dikujt me të cilin nuk ke dëshirë të rrish as 30 sekonda.
12. E di që është e rëndësishme t’i japësh kujtdo aq liri sa mundesh kështu që ata të mos ndiejnë se ka limite. Me çdo gabim që bëjnë, çdo gjë shkon mirë. Të mos jenë të frikësuar të provojnë gjëra të reja apo mos të besojnë tek vetja.
13 – Nuk ke pse e bllokon dhimbjen kaq shumë. Pa dhimbjen për çfarë do të flisnim?
14 – Sot unë qesh më shpesh sesa kur isha i ri. Kjo sepse unë kam filluar mos t’i gjykoj më njerëzit
15 – Paratë e bëjnë jetën më të lehtë. Nëse je me fat t’i kesh ato, atëherë je me fat.
16 – Kur isha i ri, nuk frikësohesha kur më thonin “Jo”. I them fëmijëve të mi, dhe kujtdo: Nëse nuk e provon, kurrë nuk e di. Nuk e merrja si refuzim “Jo-në”. Disa gjëra shkojnë kundër teje. Ke refuzime plot, por kjo është pjesa e bukur e jetës.
17 – Nëse s’ke kritika, atëherë kush do të të thotë se si e ke bërë punën tënde?
18 – Nëse je ulur në karrigen e duhur, nuk do të të duhet shumë kohë për të kuptuar që je rehat në të.
19 – Koha ecën, kështu që çfarëdo që të bësh, bëje tani. Bëje tani. Mos prit!
20 – Do të ketë kohë, kur edhe më e mira jote nuk mjafton. Mund të ketë shumë arsye pse ndodh kjo, por për aq kohë sa jep më të mirën tënde, çdo gjë shkon mirë. Nëse merr notën më të lartë në shkollë, kjo nuk do të thotë se do të marrësh të njëjtën notë dhe në jetë.
21 – Nuk ka asgjë më ironike dhe kontradiktore se vetë jeta.
22 – Refuzimi mund të të pickojë, por ka shumë pak ndikim tek ty.
23 – Kur vjen puna te arti, pasioni duhet të jetë një gjendje e përhershme. Jo thjesht po ndjek ëndrrat, por po kap dhe fatin tënd.
24 – Nuk je përgjegjës për çdo gjë që ndodh, por je pjesë e saj. Duhet të vendosësh gjithçka nga vetja në gjithçka që bën.
25 – Nuk ke nevojë për fjalë për të shprehur ndjenjat.
26 – Një nga gjërat e aktrimit është se të lejon që të jetosh jetën e njerëzve të tjerë, pa pasur nevojë të paguash çmimin.
27 – Është e rëndësishme të mos tregosh. Njerëzit nuk përpiqen për të treguar ndjenjat e tyre, ata përpiqen për t’i fshehur ato.
28 – Nëse ka një Zot, ai ka shumë përgjigje për të dhënë.
29 – Kur do dikë duhet t’i besosh atij, nuk ka rrugë tjetër. Duhet t’i japësh ‘çelësat’ e gjithçkaje që të përket ty. Ndryshe, ku do të ishte kuptimi i gjithë dashurisë?
30 – Mos ki frikë të bësh atë që të thonë instinktet./konica/KultPlus.com
Zjarri dhe pasioni i një letre që Honore de Balzak i shkruante konteshës polake Ewelina Hanska, qershor 1835.
Jam aq i çmendur për ju e më shumë se kaq nuk mund të jem. Nuk të arrij të mendoj as dy gjëra të vetme, pa ju menduar edhe juve ngatërruar mes tyre.
Nuk arrij të mendoj asgjë tjetër veç jush. Megjithëse përpiqem të qëndroj, imagjinata më çon gjithnjë te ju. Ju përqafoj, ju puth, ju përkëdhel dhe mijëra përkëdhelje dashurie pushtojnë qenjen time.
Mund t’ju them se do jeni gjithnjë e pa diskutim në zemrën time. Brenda saj ju ndjej në një mënyrë kaq të këndshme. Por, Zot, ç’do të ndodhë me mua nëse ju më hiqni dashurinë tuaj, qëllimin e ekzistencës sime? Ky është mendimi më i tmerrshëm i vetmisë që më tmerron këtë mëngjes.
Ngrihem papritur duke i thënë vetes: “Do shkoj te ajo!” Por ulem përsëri i shtrënguar nga detyrimet që kam. Brenda meje kam një konflikt të frikshëm. Kjo nuk është jetë. Nuk jam ndjerë kurrë kështu. Më keni gllabëruar plotësisht.
Sa herë mendoj për ju ndjej një gëzim prej të çmenduri. Shoh e rishoh një ëndërr aq të bukur sikur në një moment të vetëm arrij të jetoj një mijë vjet. Ç’tmerr i vërtetë!
Pushtuar nga dashuria që më ka hyrë në çdo por, e duke jetuar vetëm për dashurinë, e shoh veten të konsumuar nga dhimbja e si të mbështjellë në një rrjetë merimange.
Eva ime e dashur, ju nuk e dinit. E mora letrën tuaj. E kam këtu para dhe po ju flas njësoj si t’ju kisha edhe ju këtu. Ju shoh njëlloj si dje, të bukur, çmendurisht të bukur!
Mbrëmë i përsërisja vetes pa pushim: Ajo është e imja! Ah! Nuk besoj se engjëjt në parajsë janë më të lumtur sesa isha unë dje! / Nga Albert Vataj / KultPlus.com
Gjiri i Gramës, në Gadishullin e Karaburunit, është një ndër destinacionet e preferuara nga turistët vendas dhe të huaj në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Gjiri i Gramës, i cili ofron një peizazh natyror shumë tërheqës për çdo vizitor.
“Me energjinë verore nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama, ndërsa ndan pamje nga plazhet më spektakolare të jugut, me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.
Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga furtuna në det.
Gjithashtu, ai është përdorur gjatë në antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.
Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.
Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty njihet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.
Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave./atsh/KultPlus.com
Honoré de Balzak ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të. Ai lindi më 20 maj 1799 në Tours, dhe konsiderohet një nga mendjet më të ndritura të botës së letrave. Në vitet 1820, kur Honoré de Balzak vendosi të bëhej shkrimtar, në Francë romani ishte ende një zhanër i parëndësishëm letrar.
Ashtu si Volteri, francezët e shkolluar preferuan poezinë dhe tragjeditë e mëdha, ku virtyti, e vërteta, entuziazmi dhe shpresa, marshonin solemnisht nëpër faqe. Si rezultat, romancierët bashkëkohorë francezë thuajse turpëroheshin për prozën e tyre. Shumë botuan me pseudonime: burrat, sepse toni i tyre kishte tendencë të lehtë, shkollor dhe shumë antiklerikal; gratë, sepse e dinin që do pasoheshin nga mosmarrëveshje, do shiheshin shtrembër nëse shkruanin haptas për botim.
Viktor Hygoi e konsideroi Balzakun si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 19-të, çka do ta shprehte me forcë dhe fuqimisht në elozhet e fjalimit të varrimit: “Të gjithë librat e tij formojnë vetëm një libër, një libër të gjallë, me shkëlqim”.
Shokë udhe, dy gjigantët e letërsisë franceze e filluan karrierën në të njëjtën kohë dhe frekuentuan të njëjtat rrethe; secili ndoqi karrierën e tjetrit, Balzaku me zili, Hygoi me simpati. Ata morën drejtime të ndryshme: Hygoi filloi të ishte kundërrevolucionar dhe do të ndiqte një evolucion drejt të majtës, Balzaku, nga një liberal, do të bëhej një konservator solid. Hygoi do kishte të gjitha nderimet (deputet, akademik), kurse Balzak do të rrëzohej tri herë për t’u zgjedhur nën Kupolë. Përgjatë një shekulli në lëvizje, ata janë dy autorë të mëdhenj, edhe pse pozicioni në fushën e letrave nuk është i njëjtë. Hygoi, në fillesat e hershme do mbështetej financiarisht dhe do gëzonte përfitime dhe lehtësira. Nga ana tjetër, Balzaku ishte i dënuar t’ia dilte me forcat e veta. Jeta e tij mishëron, që nga fillimi i viteve 1820, tregun letrar.
Romancier, gazetar, botues, sipërmarrës, kritik, eseist, Balzaku ndoqi një karrierë shembullore, duke pasur parasysh dëshirën për të qenë i suksesshëm. Me “Komedia njerëzore”, si një zot, ai krijoi një botë të tërë, një katedrale libër dhe, për t’ia arritur qëllimit, i vuri vetes detyrën e një minatori fjalësh. Pena e tij e kredh lexuesin në pallatet nën sundimin e Lui-Filipit, në rrugica të zhurmshme e rrugica të qeta. Lexuesi takohet me mashtrues, borgjezë, fisnikë të mëdhenj, grabitës, kontesha dhe vajza.
“Të gjitha personazhet e tij janë të pajisur me zjarrin jetësor, me atë pasion që e karakterizonte atë vetë”, – shkroi me admirim Sharl Bodëleri.
Në ditët e sotme, jeta dhe vepra e Balzakut vazhdon të na magjepsë. Autori pretendon se familja është njësia themelore e shoqërisë, mirëpo shumë nga protagonistët e tij enden si jetimë. Gjithçka që përshkruan, shkon thuajse përkundër parimeve që ai beson se janë themeli i një shoqërie në harmoni. Ai përshkruan rrënoja, përshkruan zhgënjime pasionesh, gjithçka që mund të ushqejnë individualizmin, madje edhe zgjidhjet revolucionare. Përpos gjithçkaje, frymëzimet vizionare, fluturimet mistike dhe poetike përshkojnë gjithë krijimtarinë e tij me një bukuri dhe fuqi që jehojnë endenë 2021. Realizmi dhe mprehtësia me të cilën Balzak vizualizon gjendjen njerëzore, janë karakteristikat kryesore të shkrimeve. Duke qenë vëzhgues shumë i mprehtë, ia ka dalë ta përshkruajë sjelljen individuale dhe shoqërore par excellence.
Si shumë kolosë të mëdhenj në histori, jeta e Balzakut nuk ka qenë e lehtë: ai i mbijetoi një fëmijërie dhe adoleshence të karakterizuar nga abuzimi, përjetoi një histori dashurie të denjë për roman, që zgjati gati gjithë jetën, por, mbi të gjitha, Balzaku zgjoi admirimin e bashkëkohësve të tij. Përmes veprave letrare, Balzaku la gjurmët e tij të mençurisë për eksploruesit më të guximshëm të etur për dije. Vdiq në Paris, më 18 gusht 1850./KultPlus.com
”The Animal Farm” (”Ferma e kafshëve”), e botuar në vitin 1945 nga George Orwell mbush sot 80 vjeç, sipas faqes australiane theconversation.com.
Nëse ka një gjë që çdo student i historisë ose politikës e di është se novela nuk ka të bëjë vërtet me kafshët. Sigurisht, personazhet kryesore janë derrat dhe kuajt. Por, në të vërtetë, siç na thuhet, ka të bëjë me Bashkimin Sovjetik dhe çfarë ndodhi me idealet e komunizmit nën udhëheqjen e korruptuar të Josif Visarionoviç Stalinit.
Vetë Orwell, pjesë e një brezi autorësh britanikë që flisnin hapur, të cilët ende nuk e kishin dëgjuar teorinë e Roland Barthes për vdekjen e autorit (ideja se fjalët flasin vetë dhe qëllimet e autorit janë të parëndësishme), shpalli se kështu duhej lexuar historia.
Por, çfarë ndodh nëse do t’i merrnim kafshët në këtë rrëfim të famshëm më seriozisht?
Orwell e shkroi këtë roman të shkurtër dhe tronditës, në një kohë kur konsiderohej shkencërisht e papranueshme që kafshëve t’u jepeshin mendime ose edhe ndjenja.
Vështrimi i Çarls Darvinit në vitin 1859, se njerëzit janë të lidhur me të gjitha speciet e tjera shtazore, ishte një mundësi e humbur për të menduar se si cilësitë e të parës mund të jenë të pranishme në të dytën.
Në vend të kësaj, psikologët e kafshëve në kohën e Orwell këmbëngulën më fort se kurrë në ekzistencën e një boshllëku njohës midis ”nesh”, njerëzve, dhe “atyre” kafshëve të egra.
Ekspertët e tij bashkëkohorë në shkencat shoqërore dhe humane luajtën me këtë dallim.
Antropologu francez Claude Lévi-Strauss shkroi në vitin 1962 se me kafshët “është mirë të mendosh”, me fjalë të tjera, nëse i hetojmë besimet njerëzore rreth kafshëve, mund të zbulojmë vlerat dhe modelet tona të thella shoqërore.
Sipas standardeve të sotme, dhe në kontekstin e zhdukjes së gjashtë masive, kjo duket si një deklaratë e keqe. Studimet bashkëkohore hedhin poshtë idenë se kafshët nuk janë gjë tjetër veçse një burim për njerëzit, madje edhe një filozofik.
Në të kundërt, shumë kultura dhe shoqëri në mbarë botën kanë tradita të bashkëveprimit me kafshët në një mënyrë që njeh personalitetin e tyre. Njerëzit që jetojnë së bashku me specie të tjera dhe madje gjuajnë shumë shpesh arrijnë ta kuptojnë nga afër sjelljen dhe veprimin e tyre.
Një projekt i madh akademik në Britaninë e Madhe po heton se si këto marrëdhënie pasqyrohen në fabulat e kafshëve. I titulluar “Rimendimi i fabulave në epokën e krizës mjedisore”, ai nxit bashkëpunimin midis studiuesve, artistëve dhe shkrimtarëve në përfytyrimin e botëve unike të specieve të ndryshme, duke përfshirë kuajt, minjtë, sorrat dhe merimangat, në mjediset e tyre që ndryshojnë me shpejtësi dhe janë të pasigurta.
Duke jetuar në një epokë para futjes gjithëpërfshirëse të bujqësisë në shkallë masive, të ndihmuar kimikisht, Orwell nuk ishte shumë larg bujqësisë paraindustriale dhe njohurive të saj të thella për kafshët. Eseja e tij e vitit 1936 për vrasjen e një elefanti në Birmani është e mbushur me ankth për vuajtjet e një kafshe të vërtetë.
Edhe në “Fermën e Kafshëve”, pika e fillimit është vuajtja e kafshëve, mizoritë e fermerit njerëzor janë të padiskutueshme. Siç i paralajmëron Plaku Major, një derr i mençur dhe i moshuar kafshët e tjera: “Ju derra të rinj… secili prej jush do të bërtasë jetën tuaj në bllok brenda një viti”.
Fabula ndryshon nëse i përmbahemi këtij realiteti gjatë gjithë kohës. Kjo përsëritet nga Orwell më vonë në histori, kur mizoritë e fermës ”Pinchfield” u raportohen kafshëve.
Tirania njerëzore është armiku i kafshëve dhe, pavarësisht tradhtisë së shpresave të tyre nën udhëheqjen e derrit Napoleon, drejtësia e kauzës së tyre nuk minohet kurrë.
Ëndrrat e kafshëve
Revolucioni i kafshëve i Orwell, përmbysja e fermerit, është frymëzuar nga ëndrra e një derri.
Plaku Major mbledh bishat e tjera të fermës për t’u treguar atyre vizionin e tij për “Tokën siç do të jetë kur njeriu të jetë zhdukur”, dhe shfrytëzimi njerëzor i kafshëve nuk do të ekzistojë më. Është lloji i përshkrimit që do t’i bënte psikologët e kafshëve të shekullit XX -të rrotulloheshin në varret e tyre. Kafshë me një jetë sentimantale? Qesharake!
Çdo pronar qeni do t’ju tregojë se miku i tij me katër këmbë sheh ëndrra, megjithatë, për dekada, ne i lejuam shkencëtarët të na thoshin se nuk i kishin. Ëndrrat e qenve janë të ndërthurura në përshkrimin e jetës pyjore të krijuar nga antropologu Eduardo Kohn. Në librin e tij ”How forest think” (”Si mendojnë pyjet”), botuar në vitin 2013, Kohn argumenton se të gjitha kafshët mendojnë dhe imagjinojnë të ardhmen e tyre. Mbijetesa e tyre, ajo shtytëse themelore e revolucionit të fermës , bazohet në aftësinë për ta bërë këtë.
Në një pasazh të paharrueshëm, Kohn përshkruan se si një majmun duhet të interpretojë tingujt e pyllit dhe t’i përdorë ato për të parashikuar rezultate të mundshme(përplasje të pafajshme apo grabitqar?) në mënyrë që të jetojë. Kafshët e Kohn jetojnë në një botë plot kuptim. Fuqia njerëzore për të krijuar kuptim përmes gjuhës abstrakte është vetëm një shembull i një tipari universal të jetës.
Ëndrrat përsëriten në të gjithë ”Fermën e kafshëve”, por përfundimisht zhduken nga fjalët. Urdhërimet e kafshëve, të shkruara në murin e hambarit, ndryshohen në mënyrë dinake një nga një për të justifikuar korrupsionin e derrave.
Pasi kuptimi eksternalizohet dhe objektivizohet në fjalën e shkruar, ai është i ndjeshëm ndaj manipulimit. Fjalët mund të rishkruhen dhe bashkë me to, e kaluara. Kafshët bëhen të pasigurta për kujtimet e tyre paraverbale. Ëndrrat zhduken nga narrativa./KultPlus.com
Kalaja historike e Ali Pashës në Porto Palermo, në Himarë u kthye mbrëmjen e 16 gushtit në një skenë të gjallë muzikore, plot ngjyra, kërcim dhe emocione, falë festivalit të njohur Porto Palermo Festival.
Në mbrëmjen e 11-të të këtij festivali, atmosfera u ndez nga “La Noche Cubana”, një udhëtim muzikor drejt Kubës dhe muzikës së saj të pasur.
Këngëtarja kubane me famë ndërkombëtare, Laraine Cañizares Machado, solli në skenë zërin e saj të fuqishëm dhe shpirtin e muzikës latine, duke magjepsur publikun me salsa, bolero dhe ritmet tropikale që janë identike me atmosferën e Havanës. Ajo u shoqërua nga muzikantët virtuozë Michael Rodi në piano, Paolo Cozzolino në kitarë dhe Fabrizio Aiello në bateri, të cilët përkthyen çdo notë në energji të papërmbajtshme dhe emocione të thella.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendo Gonxhja, ndau momente nga kjo natë magjike në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo mbrëmje solli shpirtin dhe energjinë e Kubës në një nga vendet më piktoreske të jugut të Shqipërisë.
Publiku i pranishëm u përfshi plotësisht në ritmet e kërcimit që zgjatën gjatë gjithë natës, duke krijuar një atmosferë festive nën qiellin e hapur dhe yjet e jugut.
Mbrëmja e “La Noche Cubana” ishte pjesë e edicionit të këtij viti të Porto Palermo Festival, i cili do të përmbyllet sot me një finale energjike dhe plot ritëm nën titullin “Pasha Night”, ku do të performojë një DJ i njohur, duke sjellë një përvojë unike për adhuruesit e muzikës elektronike dhe jo vetëm.
Ky festival po kthehet në një nga eventet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke sjellë artistë të profilit të lartë dhe duke promovuar kulturën dhe turizmin në jug të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com
“Mbramë, në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi si e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mëshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau vehten. Këtu popullarizohet se e vramë neve (në dokument nënvizohet me shkrim dore “Mirë”, që nënkupton se e miratojnë). Kemi gjetur disa dokumenta, por ma të randësishmet do t’ua dërgojmë. Zoi Themeli”.
Dokumenti i mësipërm tregon qëndrimin zyrtar që mbajti regjimi komunist për vdekjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës, e para antikomuniste në Europën e Lindjes, që po niste instalimin e perdes së hekurt.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi dosjen e Jup Kazazit, ndër organizatorët e kryengritjes së Postribës.
Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij.
Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, ai thirri “Rrnoftë Shqipëria. Nuk i dorzohem klyshëve tˋStalinit” dhe vrau veten. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16-vjeçar, Ahmet Kopliku.
I biri i Jupit, Hamza Kazazi thotë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet.
Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve.
74 vite më pas, ende nuk ndihen varret e:
Halit Kazazi(vëllai i madh)- lindur me 3 mars 1900, i dënuar më 1945 dhe ekzekutuar më 1945 në Shkodër.
Jup Kazazi(vëllai i dytë)- lindur më 6 tetor 1905, vret veten e nuk dorëzohet, më 17 shtator 1946.
Sait(Seit) Kazazi (vëllai i tretë), lindur më 9 prill 1913. Rrethohet në shtëpinë e Hafiz Adem Kazazit. Nuk dorëzohet e vret veten më 6 tetor 1946.
Abdullah Kazazi(xhaxha i Jupit), arrestohet për kryengritjen e Postribës, pushkatohet diku në Shkodër pas 1946-s, në moshën 64- vjeçare.
Rifat Kopliku, daja i Jup Kazazit. Pas arrestimit më 17 shtator 1946 sepse strehoi nipin, u ekzekutua më 24 shkurt 1947.
Osman Kazazi, kushëri i parë i Jup Kazazit, arrestohet me 17 shtator 1946, dënohet me pushkatim dhe thuhet se vdiq në hetuesi, në moshën 24-vjeçare.
Asim Abdurrahmani (Shpuza), djali i tezes së gruas së Jup Kazazit. Inxhinier, kimist, dënohet me pushkatim si spiun. Arrestuar e pushkatuar në Tiranë, më 8 qershor 1947.
“I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13-vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”. Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).
Dosja në fjalë mund të vihet në dispozicion të të interesuarve, pranë AIDSSH”, shprehet Autoriteti i Dosjeve.
Shfaqja ‘Arka’ me regji dhe interpretim të Mentor Zymberaj u selektua dhe prezantua në edicionin e XXI-të të Festivalit Ndërkombëtar të monodramës ‘Act Alone’ në Srdureryi, Islande, përcjell KultPlus.
Ky sukses i shfaqjes ‘Arka’ vjen pas suksesit në Etno Fest ku aktori Mentor Zymberaj u shpërblye me çmimin ‘Aktori më i mirë’ dhe pas vlerësimit laureat në festivalin ‘Moldfest’ në Kishneu të Moldavisë.
Shfaqja ‘Arka’ po vazhdon sukseset pas shfaqjes ‘Ëndrrat e Hamletit’ e cila u prezantua në shumë festivale ndërkombëtare./KultPlus.com
Sonte hëna ëndërron e lodhur, e mërzitur Si një grua e bukur që mes jastëkësh t’butë Përkëdhel gjijt butësisht e lehtë, e dremitur, Ndërsa ledhatimi ëmbël në ëndrra e fut.
Mbi supin –saten të reshmeve të bardheme, Syri i saj mashtrohet me pamje të rreme Ajo tretet e tëra në prehrin e zalisë, Që lulëzojnë , ngjitjen e drejt kaltërisisë.
N’këtë molisje t’ëmbël, ashtu tinës e kot, Kur ajo ndonjëherë lëshon një pikë lot, Një poet besnik, që tërë natën s’ka fjetur,
Në dorën e vet na e merr lotin e trishtimit, Me një shkëlqim ylberi si t’ish prej rrezatimit, Dhe e shtrëngon në zemër, nga sytë e djellit fshehur./KultPlus.com
Norvegjia ka vendosur pasqyra masive në shpatet e maleve për të reflektuar dritën e diellit drejt qyteteve që për muaj të tërë gjatë dimrit mbeten pa rreze të drejtpërdrejta dielli. Ky zgjidhje inovative u zbatua në Rjukan, një qytet i vogël i vendosur thellë në Luginën Vestfjord në jug të Norvegjisë, transmeton KultPlus.
Për shkak të maleve të thepisura që e rrethojnë, Rjukan nuk merr dritë të drejtpërdrejtë nga dielli nga shtatori deri në mars. Sipas CNET, në vitin 2013 qyteti instaloi tre pasqyra gjigante, secila me sipërfaqe rreth 17 metra katrorë, në një shpat mali aty pranë, për të reflektuar rrezet e diellit drejt sheshit qendror të qytetit.
Këto pasqyra kontrollohen në distancë, furnizohen me energji diellore dhe të erës, dhe janë programuar të ndjekin lëvizjen e diellit në qiell. Ato ndodhen rreth 450 metra mbi qytet dhe rrotullohen në dy akse për të drejtuar dritën poshtë në luginë. Projekti u frymëzua nga një ide e propozuar që në vitin 1913 nga themeluesi i qytetit, Sam Eyde, por u bë i realizueshëm vetëm falë teknologjisë moderne.
Sipas The Hyper Hive, këto pasqyra kanë transformuar jetën në Rjukan, duke u mundësuar banorëve të shijojnë dritën natyrale edhe gjatë muajve më të errët. Ky është një shembull mbresëlënës se si inxhinieria dhe krijimtaria mund të kapërcejnë sfidat gjeografike./KultPlus.com
Në foto: Presidenti i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër S. Shuteriqi në bisedë me pionierët në Kampin Veror “Qemal Stafa” në Durrës, viti 1972
Ndoshta vëmendja që regjimi i kaluar kishte për librin ishte më e theksuar. Ndoshta kjo vëmendje sot nuk ekziston fare. Ndoshta kjo është arsyeja pse lexuesit janë rralluar as shumë saqë shkrimtarët dhe poetët, si ‘kundërpërgjigje”, po reallohen po aq.
Siç tregon edhe fotoja e vitit 1972, ishin të shumtë fëmijët në takimin e organizuar asokohe me Presidentin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër S. Shuteriqi.
“Herë pas here shkrimtarët takoheshin me lexuesit e tyre. Në këto takime sipas ata mësojnë për përshtypjet që librat e tyre kanë lënë te masat lexuese. Lexuesit japin vërejtje dhe sugjerime. Në të njëjtën kohë, shkrimtarët i informojnë lexuesit për atë që po bëjnë” raportohej në kronikat e kohës.
Dhimitër Shuteriqi, i lindur në 26 korrik 1915 në Elbasan ishte shkrimtar dhe studiues i rrallë i historisë së letërsisë sonë.
U nda nga jeta më 22 korrik të vitit 2003./liberale/KultPlus.com
Robert Anthony De Niro (lindi më 17 gusht 1943) është një aktor amerikan.
I njohur për bashkëpunimet me Martin Scorsese, ai konsiderohet si një nga aktorët më me ndikim të brezit të tij. De Niro është marrës i vlerësimeve të ndryshme, duke përfshirë dy Academy Awards, një Golden Globe Award, Cecil B. DeMille Award, dhe një Screen Actors Guild Life Achievement Award.
Në vitin 2009, De Niro mori Kennedy Center Honor dhe fitoi një Medalje Presidenciale të Lirisë nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama në vitin 2016.
De Niro studioi aktrim nëHB Studio,Stella Adler Conservatory, dhe Actors Studio të Lee Strasberg. Bashkëpunimi i tij i parë me Scorsese ishte me filmin e vitit 1973, Mean Streets. De Niro fitoi dy Academy Awards, një për Aktorin më të Mirë Dytësor për rolin e tij si Vito Corleone në The Godfather: Part 2 (1974) të Francis Ford Coppola dhe tjetri për Aktorin më të Mirë duke portretizuar Jake LaMotta në dramën e Scorsese, Raging Bull (1980). Rolet e tjera të tij të nominuara për Oscar ishin për Taxi Driver (1976), The Deer Hunter (1978), Awakenings (1990), Cape Fear (1991), dhe Silver Linings Playbook (2012).
Ai ka luajtur gjithashtu në filmat 1900(1976), The King of Comedy (1982), Once Upon a Time in America (1984), Brazil (1985), The Mission (1986), Goodfellas (1990), This Boy’s Life(1993), Mary Shelley’s Frankenstein (1994), Heat (1995), Casino (1995), Jackie Brown (1997), Joker (2019), The Irishman (2019), dhe Killers of the Flower Moon (2023). Ai drejtoi dhe luajti si në A Bronx Tale (1993) dhe The Good Shepherd (2006). Rolet e tij komike përfshijnë Midnight Run (1988), Wag the Dog (1997), Analyze This (1999), filmat Meet the Parents (2000–2010), dhe The Intern (2015)./ KultPlus.com
Shqipëria po preferohet gjithmonë e më shumë jo vetëm për detin por edhe për historinë e kulturën.Kruja është transformuar në një destinacion të mirfilltë për turistët gjatë kësaj vere .
Vetëm në 4 muaj janë regjistruar rreth 1.3 milionë vizitorë të cilët kanë preferuar të eksplorojnë muzeun Historik Kombëtar dhe atë Etnografik por edhe parkun Kombëtar të Qaf Shtamës, malin e Skënderbeut, si dhe objekte kulti.Turistët e huaj vlerësojnë historinë ,kulturën por edhe mikpritjen që u ofrohet.
Ndikim në tërheqjen e turistëve në këtë zonë ka dhënë shtimi i numrit të bujtinave, cilësia e gatimeve tradicionale dhe çmimet me standarte që i ofrohen turistëve.
Drejtuesit e në Muzeun e Krujës theksojnë se turistët kryesor gjatë kësaj vere janë amerikan por nuk kanë munguar edhe nga shtete europiane./abcnews/KultPlus.com
Ikona e rock-ut, Billy Joel po mbyll dyqanin e tij të dashur të motoçikletave në Long Island, Nju Jork, pas pothuajse 15 viteve duke u ofruar fansave mundësinë të shihnin koleksionin e tij personal me dhjetëra motoçikleta, sipas AP.
Joel do të mbyllë dyqanin ”20th Century Cycles” në Oyster Bay në fund të shtatorit dhe do ta nxjerrë koleksionin në ankand për shkak të një çrregullimi të trurit me të cilin është diagnostikuar kohët e fundit, sipas zëdhënëses, Claire Mercuri.
Në maj, Joel njoftoi se po anulonte koncertet e tij të ardhshme pasi u diagnostikua me hidrocafalit të presionit normal Normal, një grumbullimi ë lëngut në tru që mund të ndikojë në të menduarit, përqendrimin, kujtesën, lëvizjen e të tjera, sipas ”Cleveland Clinic”.
Këngëtari 76-vjeçar tha se kishte vështirësi me ekuilibrin, por ndjehej mirë në përgjithësi.
Joel, i cili u rrit në Hicksville pranë Oyster Bay, hapi ”20th Century Cycles” në fund të vitit 2010 si vend për të mirëmbajtur dhe riparuar motoçikletat e tij, për të restauruar dhe personalizuar ato që blinte dhe për të ekspozuar koleksionin për publikun pa pagesë.
”Më pëlqen stili i vjetër, stili automobilistik nga vitet ’30 deri në ’60. Desha të mbledh shumë nga këto motoçikleta, t’i vendos në një vend dhe t’i lejoj njerëzit të shohin se si duket ajo epokë e motoçikletave, sepse po humbet kjo estetikë”, tha ai në një video të vitit 2013.
Koleksioni i tij përfshin mbi 75 motoçikleta që datojnë që nga vitet 1940, duke përfshirë “Harley-Davidson”, “Triumph”, “Ducati”,” Moto Guzzi” ,“Indian” dhe BMW.
“Një nga më të çmuarat ishte një ”Vincent Rapide” i vitit 1952, që mund të shitet për dhjetëra mijëra dollarë.
Data e ankandit për koleksionin e tij nuk është vendosur ende./ KultPlus.com
Aktori britanik Terence Stamp, një figurë e shquar e kinemasë, i njohur për rolin e tij si superkeqbërësi me emrin gjenerali Zod në filmat “Superman”, ka vdekur në moshën 87 vjeç, sipas “The Independent”.
Aktori i nominuar për çmimin Oscar, i cili luajti në më shumë se 60 filma gjatë karrierës së tij, duke përfshirë “The Limey dhe The Adventures of Priscilla, Queen of the Desert” vdiq sot mëngjes, bëri të ditur familja e tij.
“Ai lë pas një vepër të jashtëzakonshme, si aktor dhe si shkrimtar, që do të vazhdojë të prekë dhe frymëzojë njerëzit për vite me radhë”, tha familja.
“Ne kërkojmë privatësi në këtë kohë të trishtueshme”, shtoi ajo.
Stamp u lind në East End të Londrës në vitin 1938, bir i një punëtori rimorkiatorësh.
Ai i mbijetoi bombardimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, menjëherë pas përfundimit të shkollës, ndoqi një karrierë në reklama, ku punoi për disa vite.
Më vonë fitoi një bursë për të studiuar në “Webber Douglas Academy of Dramatic Art” dhe shpejt mori pjesë në një turne kombëtar të dramës së Willis Hall “The Long and the Short and the Tall”, së bashku me aktorin tjetër Michael Caine./KultPlus.com
Në vitin 1964, pushtuesit serbomëdhenj kishin burgosur shumë patriotë gjithandej Kosove.Atëkohë në burgje mbaheshin dhe torturoheshin pamëshirshëm patriotët tashmë të ndjerë:Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Shaban Shala, Fazli Greicevci e shumë të tjerë.Mirëpo,më së keqi pësuan këta dy të fundit-ushtarë të Demaçit, të vrarë mizorisht.
Mirëpo,UDB-ja rankoviçiane ia kishte frikën e madhe nga mësuesi,poeti e patrioti, Fazli Greiçevci(1935-1964) nga fshati Sankovc I Drenasit.
Dhe,17 gushti i vitit 1964 ishte natë e kobshme. Policët vrasës serbosllav,dorëzezë në orët e vona të natës në burgun famëkeq të Prishtinës e mbysin mizorisht mësuesin,edukatorin,revolucionarin,veprimtarin Fazli i cili u bë i njohur si “simbol i flamurit” të shqiptarëve gjatë viteve ’60-ta.Policët vrasës e mbytën barbarisht,por nuk kishin arritur ta mbysnin idealin e lartë të tij,frymën patriotike shqiptare të tij, pasi nuk arritën ta bëjnë për vete Fazliun të bashkëpunonte me ta në dëm të interesave të popullit shqiptar.Vetëm të guximshmit dhe të pathyeshmit mund ta përballonin dhunën shtazarake të pushtuesit serbomëdhenj,hegjemonist e militarist.
Dhe, për të mbuluar gjurmët e veta të krimit policia ia kishte mësyer ish-Klinikës të sëmundjeve të mushkërive në spitalin e Prishtinës(tani Ministria e Shëndetësisë),ku punonte i ndjeri Primarus,Docent,Profesor Doktor Ali Sokoli.Pasi nuk e takojnë në spital,policët serbojugoslav ia mësyejnë natën shtëpisë dhe e ftojnë që të vij në spital.Asokohe ky ka menduar se është përkeqësuar gjendja shëndetësore e ndonjë pacienti.Por, jo.Ai kur shkon në spital takon policinë sekrete rankoviqiane.Xhelatët kërkonin nga Ali Sokoli të nënshkruante një dokument se kinse Fazli Greiçevci kishte vdekur nga sëmundja e tuberkulozit në Klinikën e spitalit.Mirëpo, mjeku Ali parimor dhe I paluhatshëm para furtunave si gjithmonë, nuk pranon të nënshkruaj aktin falso të vdekjes së Fazliut,duke u thënë:
“Unë nuk nënshkruaj e as që do të nënshktuaj kurrë një akt të tillë për vdekjen e mësuesit dhe poetit Fazli Greiçevci”, kishte deklaruar Ali Sokoli,mjek e patriot I rrallë.Atëkohë policia serbe fillojnë edhe ta kërcënonin mjekun,duke I thënë se edhe ai do të pësojë një ditë apo një natë sikur mësuesi Fazli, Shaban Shala dhe shumë të tjerë para tij.Edhe në rastin e mbytjes së patriotit dhe mësuesit Shaban Shala,(1933-1963),nga fshati Letanc I Podujevës,më 20 janar 1963,policët kishin vepruar në të njejtën mënyrë.Ata kërkonin me këmbëngulje duke e kërcënuar që të nënshkruaj aktin e turpshëm të vrasjes se kinse Shaban Shala kishte vdekur nga sëmundja natyrale.Mirëpo,ish-drejtori i Klinikës,Ali Sokoli pa hamendje udbashëve rankoviqianë iu pat thënë troç:”Jo! Nuk e nënshkruaj vdekjen e Shaban Shalës!”
Pra,Njerëzit nuk harrohen për aq kohë sa lënë gjurmë veprimi në kohë të trishta.Në vitet e ’60-ta,nuk ka pasur mjekë në Kosovë të cilët kanë pasur guximin të refuzojnë kërkesat apo vendimet e regjimit shovinist-terrorist jugosllav (serb).Por, një I tillë ishte dhe mbeti ish-Primarius Doc.Prof.Dr.Ali Sokoli.Ky ishte personi I cili luftoi njëkohësisht dy të këqia të cilat e kishin kapluar Kosovën në vitin 1960:sëmundjen e mushkërive dhe UDB-ën rankoviqiane (Uprava Drzavne Bezbednosti),që në shqip I bie Drejtoria e Sigurimit Shtetëror.
Pra,Njerëzit nuk harrohen për aq kohë sa lënë gjurmë veprimi në kohë të trishta.Në vitet e ’60-ta,nuk ka pasur mjekë në Kosovë të cilët kanë pasur guximin të refuzojnë kërkesat apo vendimet e regjimit shovinist-terrorist jugosllav (serb).Por, një I tillë ishte dhe mbeti ish-Primarius Doc.Prof.Dr.Ali Sokoli.Ky ishte personi I cili luftoi njëkohësisht dy të këqia të cilat e kishin kapluar Kosovën në vitin 1960:sëmundjen e mushkërive dhe UDB-ën rankoviqiane (Uprava Drzavne Bezbednosti),që në shqip I bie Drejtoria e Sigurimit Shtetëror.
Njeriu I cili I luftoi këto dy të këqia deri në frymën e tij të fundit,dy të zeza që donin atëkohë të shkatërronin popullin e Kosovës, ishte mjeku I popullit trim dhe patrioti shqiptar Ali Sokoli (8 maj 1921-23 shtator 1974).Ai hyri në historinë tonë të lavdishme si njeriu trim I pathyeshëm e patriot I patrembur para udbashëve rankoviqianë. Atëkohë e sot u bë simbol I qëndresës, u bë legjendë e gjallë për gjeneratat e tij dhe për gjeneratat e ardhshme në Kosovë.Ali Sokoli me një personalitet të veçantë me origjinë rahoveciane,ishte pishtar I mjekësisë kosovare,tuberkulozin e luftoi me punë të parreshtur,të palodhshme e dinjitoze, kurse politikën okupuese serbe e luftoi me guxim, me trimëri dhe me qëndresë stoike.Që të dy këta armiq të popullit shqiptar në Kosovë Aliu I luftoi njësoj dhe I mundi me punë dhe trimëri të pashoqe.Mija e mija të sëmurë në Kosovë janë shëruar nga dora dhe ndihma e këtij mjeku i cili kurrën e kurrës nuk u gjunjëzua para kërcënimeve të inspektorëve duarpërgjakur të UDB-së rankoviqiane.
Kujtojmë se për merita në punë,angazhim në mjekësinë kosovare Ali Sokoli është dekoruar me shumë mirënjohje në nivelin komunal dhe atë qendror.
Nderim përjetë kryemjekut patriot Ali Sokoli,mësuesit,poetit dhe patriotit Fazli Graiçevci,Shaban Shalës dhe shumë të tjerëve./KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare aktori i njohur shqiptar, Zija Grapshi, i cili njihej nga publiku si “gjyshi i përrallave”.
Ai lindi në Gjirokastër dhe përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1952.
Grapshi nisi karrierën e tij artistike në vitin 1949 në grupin filodramatik pranë Radio Tiranës. Gjatë viteve interpretoi role të ndryshme në komedi, në Teatrin e Estradës së Shtetit dhe në Teatrin Popullor.
Ka qenë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve për disa vite. Në mbi 160 shfaqjet e shumta të teatrit të kukullave ku mori pjesë, ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).
Zëri i tij i veçantë, me një ngjyrim karakteristik, me aftësitë imituese, kujdesi për të qenë sa më i natyrshëm, si dhe ndjesia e vërtetësisë në marrëdhëniet me partnerët, kanë qenë disa nga cilësitë e tij interpretative më të zëshme në krijimin e figurave.
Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.
Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar./atsh/KultPlus.com
Aktorja e njohur shqiptare Tinka Kurti jo pak herë e ka kujtuar një puthje në jetën e saj.
Puthja e saj me Naim Frashërin ishte e para puthje në një film shqiptar, dhe kjo e theu një tabu të asaj kohe për mentalitetin sidomos shumë tradicional.
“Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” tregon aktorja Tinka Kurti.
“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” Për mua është një nga momentet më të bukura të karrierës sime si aktore, jo vetëm se kam partner një aktor të madh, porse isha një aktore e vërtetë që shkela çdo bestytni për të realizuar rolin. Dhe këtë nuk e bënte çdo femër aktore” tregon Kurti.
Filmi “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958.
Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi, ndërsa muzika nga Çesk Zadeja. / KultPlus.com