Përfundon në kohën shtesë ëndrra evropiane për Egnatian, kampionët e Shqipërisë eliminohen nga Olimpija Lubjanës
Kampionia e Shqipërisë, Egnatia, u eliminua nga raundi i tretë kualifikues i UEFA Conference League, pas një ndeshjeje dramatike ndaj Olimpija Lubjanës që përfundoi 4-2 pas kohës shtesë.
Ndeshja në Rrogozhinë nisi në mënyrën më të mirë për skuadrën shqiptare, me golin e hershëm të Redi Lushkjës në minutën e 6-të, që ndezi shpresat për kualifikim pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në Slloveni.
Megjithatë, Olimpija reagoi shpejt me Jelenkovic që barazoi rezultatin në minutën e 32-të.
Në pjesën e dytë, tensioni u rrit, dhe Olimpija kaloi në epërsi në minutën e 79-të me golin e Marin.
Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua. Edhe pse u penalizua me karton të kuq për Yahaya M. në minutën e 81-të, skuadra e trajnerit Edlir Tetova arriti të barazojë rezultatin në 2-2 me një gol tjetër të Lushkjës në minutën e 86-të, duke çuar sfidën në kohën shtesë.
Në shtesë, lodhja dhe mungesa e një lojtari u ndjen. Olimpija shënoi edhe dy herë të tjera, me Durdov në minutën e 99-të dhe Blanco në minutën e 107-të, duke vendosur fatin e ndeshjes dhe duke i dhënë fund ëndrrës evropiane të Egnatias për këtë sezon. /Telegrafi/
The post Përfundon në kohën shtesë ëndrra evropiane për Egnatian, kampionët e Shqipërisë eliminohen nga Olimpija Lubjanës appeared first on Telegrafi.