Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

A ka shanse të rinisë dialogu Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale?

22 May 2025 at 19:14

Shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian porositi këtë javë se “tani është koha për riangazhim” nga Kosova dhe Serbia në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Porosia e Kaja Kallasit, me paralajmërimin se dialogu është domosdoshmëri që ato të ecin drejt integrimit evropian, u dha në prag të vizitës së saj në kryeqytetet e dy vendeve, të mërkurën dhe të enjten.

Më vonë, në Beograd, ajo tha se planifikon të ftojë në Bruksel “sa më parë të jetë e mundur” përfaqësues nga të dy vendet “për të diskutuar hapat përpara” – pa përmendur se kush do të marrë ftesë saktësisht.

Por, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë dhe në Beograd janë pesimistë nëse rikthimi në dialogun e nivelit politik ndërmjet dy vendeve është i mundshëm tash për tash.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk ka arritur të përmbyllë konstituimin e Kuvendit, që do t’i hapte rrugë procesit të krijimit të qeverisë së re.

Ndërkaq, Serbia, në muajt e fundit është duke u përballur me protesta të shumta dhe turbullira politike.

Legjitimiteti i palëve biseduese

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë se dialogu nuk ka kuptim, nëse ai nuk udhëhiqet nga liderë që kanë kredenciale dhe legjitimitet në vendet përkatëse.

Problematika kryesore, sipas tij, ndërlidhet me faktin se Kosova drejtohet nga një qeveri në detyrë.

Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dialogu me Serbinë udhëhiqet vetëm nga qeveria e vendit. Ndërkaq, në këtë proces, palën e Serbisë e drejton presidenti i saj.

“Unë nuk besoj që do të kemi rund apo përpjekje për një takim eventual, të paktën jo për aq kohë sa nuk themelohet qeveria e re në Kosovë”, thekson Hoti.

Në anën tjetër, pas një incidenti në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar, që i mori jetën 16 personave, autoritetet në Serbi u ballafaquan me protesta për disa muaj.

Qeveria e atjeshme, e drejtuar nga Millosh Vuçeviq, dha dorëheqje dhe u zëvendësua nga një kabinet qeverisës që aktualisht drejtohet nga Gjuro Macut, i cili, sikurse paraardhësi, është pjesë e Partisë Progresiste Serbe, e themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se zhvillimet e muajve të fundit në Serbi e kanë luhatur seriozisht pushtetin e Vuçiqit.

“Në Serbi nuk ka qeveri legjitime, por vetëm legale”, shprehet Janjiq, duke shtuar se insistimi i përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kallas, për rinisje të dialogut tani, duket si qasje burokratike, me sloganin “duhet të nisë”.

“Mirë që ka ardhur [Kallas, në Beograd dhe në Prishtinë], që të shohë se negociuesit me të cilët bisedon janë ‘rrëfim bosh’, dhe të nisë ta përgatisë aparatin e saj dhe veten për një metodologji të negociatave. Në rast të kundërt, do ta humbë mandatin e lehtësueses [së dialogut]”, vlerëson Janjiq.

Faza e ardhshme e procesit

Të mërkurën, Vuçiq tha se “Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së”.

Por, ai shtoi se ia ka përkujtuar kryediplomates Kallas se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga pala kosovare është “një parakusht për përparim të mëtejmë në dialog”.

Gatishmërinë e Kosovës për të marrë pjesë në procesin e dialogut e ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani, por ajo i ka bërë thirrje BE-së që, paraprakisht, “duhet të flasim për heqjen e masave nga ana e BE-së, sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së”.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. Masat e tilla vazhdojnë të jenë në fuqi.

Në prill, Kallas bëri me dije se BE-ja është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit.
Duke iu referuar kësaj deklarate, Hoti shpreh mendimin se nuk ka shumë tema për të cilat mund të bisedohet, kurdo që të rinisë dialogu në Bruksel.

Sipas tij, problem mbetet zbatimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë atë kryesoren, Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit.

“Fundja, nëse ne kemi në sfond një listë të marrëveshjeve, për të cilat është dhënë pajtimi nga udhëheqjet përkatëse, dhe nuk kemi zbatimin e tyre praktik, vazhdimi i procesit negociues del i panevojshëm, i palogjikshëm, nuk ka racionalitet”, thotë Hoti.

Ai pret që strategjia e re e Kallasit në fazën e ardhshme të dialogut të jetë zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, duke ushtruar presion të balancuar tek të dyja palët.

Edhe Janjiq shpreson që vazhdimi eventual i procesit, kurdo që të ndodhë gjatë mandatit të Kallasit, të mos jetë përsëritje e qasjes së “menaxhimit të konfliktit”, siç ishte, sipas tij, gjatë mandatit të pararendësit të saj, Josep Borrell.

“Shpresoj që ata [BE-ja] do të mendojnë seriozisht dhe do të nisen rrugës që do ta ndjekin amerikanët. Kjo nënkupton: tavolina të rrumbullakëta, procese të shkurtuara të bisedimeve dhe, më e rëndësishmja, të hapin ‘Zyrën për zbatim’”, shprehet Janjiq.

“Zyra për zbatim”, sipas tij, do të mbikëqyrte zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në procesin e dialogut, dhe do t’i raportonte BE-së për rezultatet.

Megjithatë, ai nuk pret që procesi të rinisë deri në fund të këtij viti, pa arritjen e stabilizimit të rrethanave dhe skenave politike në Kosovë dhe në Serbi. /REL/

The post A ka shanse të rinisë dialogu Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale? appeared first on Telegrafi.

Janjiq: Të gjithë po ndërgjegjësohen se Serbia nuk ka asnjë ndikim në Kosovë

19 December 2024 at 22:57

Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se “ka informacione se në ditët në vijim Qeveria e Kosovës do të fajësojë serbët për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc”, duke thënës se kjo nuk është asgjë e re dhe se Qeveria e Kosovës e ka bërë tashmë kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti fillimisht e përkufizoi këtë ngjarje si një akt terrorist.

Duke hapur seancën “tematike” të Qeverisë serbe të martën, Vuçiq fillimisht ka folur për situatën në Kosovë dhe përgjegjësinë për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc që ndodhi më 29 nëntor.

“Në Kosovë populli ynë po lufton fort për mbijetesë dhe për legjitimitet politik. Ajo që mund t’ju them është se regjimi i Kurtit në ditët në vijim do t’i shpallë fajtorë serbët pa asnjë provë materiale për aktin diversant në kanalin Ibër-Lepenc me qëllim të qartë politik. Qëllimi I kësaj është që të përpiqen në çdo mënyrë të ndalojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme”, tha Vuçiq.

Siç shkruan “Danas”, Beogradi nuk ka folur shumë për këtë rast deri më tani. Vuçiq disa ditë pas shpërthimit tha se Serbia nuk kishte asnjë lidhje me të dhe se ai mbështet fillimin e një hetimi ndërkombëtar që do të përcaktojë se çfarë ka ndodhur.

Prandaj është interesant fakti që Vuçiqit kjo temë i vjen në kohën kur bllokadat e studentëve po vazhdojnë në gjithë Serbinë dhe duket se ato nuk do të ndalen së shpejti.

Duke iu përgjigjur pyetjes se a është qëllimi i Vuçiqit që të shfrytëzojë temën e Kosovës dhe shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc për të larguar deri diku vëmendjen nga protestat, bllokadat dhe qytetarët e pakënaqur, Janjiq thotë se prej kohësh ka pasur përpjekje për të rikthyer në plan të parë çështjen e Kosovës, për të larguar vëmendjen dhe për të lehtësuar presionin ndaj qeverisë, që ushtrohet përditë nga problemet e brendshme, transmeton Telegrafi.

Janjiq thekson se njoftimi i Vuçiqit se Kosova do të fajësojë Serbinë për shpërthimin në Zubin Potok nuk është diçka e re.

“Kurti e ka bërë tashmë. Përkufizimi i tij i parë ishte se ishte një akt terrorist”, vazhdon ai.

Janjiq shton se tema e Kosovës u rikthye me sukses në diskursin publik pikërisht përmes zgjedhjeve në Kosovë, të cilat do të mbahen tek më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Serbia nuk mund të bëjë asgjë për zgjedhjet në Kosovë, gjithçka po ua lë autoriteteve të Kosovës”, pohon bashkëbiseduesi ynë.

Megjithatë, ai kujton se është një “lojë e vjetër”.

“Ne kemi Kurtin armik dhe heroin tonë Vuçiq, i cili do të na mbrojë nga Kurti dhe në thelb të gjithë po ndërgjegjësohen se Serbia nuk ka asnjë ndikim në Kosovë”, thotë Janjiq.

Megjithatë, ai beson se tema e Kosovës, pas një muaji përpjekjesh, arriti të rikthehet përmes temës së zgjedhjeve pikërisht për të lehtësuar presionin ndaj pushtetit të shkaktuar nga problemet e brendshme.

“Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, sikurse rasti Banjska, është i shkëlqyeshëm për konflikt menaxhment”, thotë Janjiq dhe shton se është e qartë se autoritetet serbe nuk e konsiderojnë më Kosovën problem të brendshëm, por ndërkombëtar.

Duke komentuar vetë hetimin e ngjarjeve në Zubin Potok, Janjiq thotë se Komuniteti Ndërkombëtar, i mësuar nga përvoja e rastit në Banjskë, nuk ka ndërmend të krijojë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë në hetim.

“Edhe pse Vuçiq e konteston këtë dhe premton një hetim të përbashkët që do të koordinohet nga Komuniteti Ndërkombëtar, qëndrimi i tyre dhe veçanërisht i ambasadorit amerikan në Kosovë është shumë i qartë. Ata do ta mbështesin Kosovën në hetim sepse konsiderohet të jetë objekt hetimi i tyre”, përfundon Janjiq. /Telegrafi/

 

 

The post Janjiq: Të gjithë po ndërgjegjësohen se Serbia nuk ka asnjë ndikim në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Analistët në Serbi: Trump do të insistojë në Marrëveshjen e Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi

9 November 2024 at 21:17

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur pritje pozitive nga mandati i dytë i Donald Trumpit, duke theksuar se kjo mund të krijojë një situatë më të favorshme për Beogradin dhe t’i mundësojë Serbisë të dëgjohet më mirë.

Vuçiq nuk pret ndryshime të mëdha në politikën amerikane ndaj Serbisë. Ne anën tjetër, sipas ekspertëve, pika kryesore është Marrëveshja e Uashingtonit, për të cilën administrata Trump pritet të kërkojë rezultate të prekshme.

“Trump do të vazhdojë politikën e mëparshme, duke forcuar praninë amerikane në Ballkan pa shpenzime të mëdha dhe duke u fokusuar në ekonomi, veçanërisht në energjetikë. Nuk do të lejojë veprimet e problem-bërësit, siç ndodhi me Banjskë, dhe do të insistojë në respektimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Mund të ketë ndryshime në negociata, ku BE-ja do të ishte vetëm fasilitator, ndërsa SHBA-ja do të zgjidhte çështjet kyçe dhe do të mbështeste investimet”, ka thënë Dushan Janjiq, drejtor i Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Nga ana tjetër, ka mendime se rikthimi i Trumpit mund të ndikojë në dinamikën e dialogut, derisa për shkak te sfidave ne rajon, ka pritje për ruajtjen e pranisë ushtarake dhe diplomatike amerikane për të parandaluar destabilizimin.

“Fakti që Trump është rizgjedhur si president mund të sjellë ndryshime turbulente në nivel global, por ato ndoshta nuk do të reflektohen drejtpërdrejt në situatën tonë. Ekzistojnë disa marrëveshje, disa prej të cilave janë zbatuar pjesërisht, ndërsa të tjerat jo. Ndër to është edhe Marrëveshja e Uashingtonit, e cila është negociuar dhe nënshkruar me Trumpin, dhe mund të presim që ai të shtrojë pyetje mbi atë çfarë po ndodh aktualisht me këtë marrëveshje, sa është përparuar, dhe çfarë do të ndërmerret më tej”, ka thënë Nemanja Millosheviq nga organizata politike “Glas”.

Ndërkohë, Trump ka lidhje me Beogradin përmes Jared Kushnerit dhe Richard Grenellit, të cilët kanë inkurajuar investime private në Serbi. Sidoqoftë, ekspertët theksojnë se projektet e mundshme të biznesit nuk garantojnë përkrahje politike, sidomos sa i përket çështjes së Kosovës./rtk

The post Analistët në Serbi: Trump do të insistojë në Marrëveshjen e Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi appeared first on Telegrafi.

Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi?

7 November 2024 at 19:34

Ndër temat më të diskutuara të kësaj jave në Kosovë është qasja që pritet të ketë Donald Trump karshi Kosovës dhe Serbisë, pas fitores së tij në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çfarë e pret dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë?

Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka sjellë paqartësi në Evropë.

Dhe, kjo mjegulli vlen edhe për qasjen që administrata e tij do të ketë ndaj procesit të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë, thonë se nuk presin që çështja e dialogut të Brukselit të jetë lart në agjendën e tij, kur Trump ta marrë mandatin e tij të dytë presidencial më 20 janar 2025.

Sipas tyre, para vetes ai ka tema më me prioritet, sikurse luftërat në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, të cilave ai është zotuar se do t’u japë fund.

Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), thotë  se, pavarësisht paqartësive të krijuara rreth politikave që do të ketë Trump ndaj kontinentit evropian, “ka shumë gjasa që të ketë përfshirje aktive të SHBA-së në procesin” e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ajo, madje, pret që të ketë shtytje nga SHBA-ja dhe BE-ja për arritje të përparimit në dialog, por edhe vazhdim të presionit.

“Çështja do të kthehet sërish tek Asociacioni, çështja do të kthehet prapë te marrëveshjet që Kosova është zotuar t’i zbatojë. Mënyra se si do të navigohet në raport me Serbinë dhe Kosovën është e panjohur, mirëpo nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në raport me presionin që i është bërë deri më tani Kosovës karshi këtyre çështjeve”, thotë Emini.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht u kërkojnë palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, teksa Kosova ka vite që përballet me presion të vazhdueshëm që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se pavarësisht që dialogu s’pritet të jetë prioritet për Trumpin, kjo nuk nënkupton që do të rrezikohet “korniza e përgjithshme” e negociatave për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaron se është i sigurt që Trump do të ndërmarrë nisma “për t’i shkurtuar procedurat [e negociatave]” që kanë nisur më 2011, duke shtuar se për marrëveshjet e arritura, e që s’janë zbatuar, do të gjendet një metodë më efektive për t’i zbatuar “me nënshkrimin e marrëveshjeve individuale”.

Mospajtimet e mëparshme

Rol në shkallën e përfshirjes së administratës së Trumpit për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të luajnë edhe ngjarjet e mëhershme, si dhe personat që ishin të përfshirë në ndërveprimin me Kosovën gjatë mandatit të parë të Trumpit si president i SHBA-së.

“Do të varet nga ajo nëse zyrtarët kryesorë që ishin të përfshirë në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të Trumpit [2017-2020], veçmas Richard Grenell, do të marrin poste në politikën e jashtme apo do të marrin ndonjë post tjetër në administratën e re”, thotë Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Grenell, bashkëpunëtor i ngushtë i Trumpit, atëbotë ishte edhe i dërguar i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur një sërë mosmarrëveshjesh me Grenellin, i cili e kishte cilësuar shefin e ekzekutivit kosovar si “antiamerikan”.

Ndërkaq, Kurti kishte pretenduar se emisari amerikan kishte gisht në rrëzimin e Qeverisë së tij të parë, në marsin e vitit 2020.

“Në vitin 2020 ka pasur tensione të mëdha, sidomos me Grenellin. Kështu që, të gjitha këto tensione, edhe në nivelin individual, mund të reflektojnë në politikat, në qasjen që do të ketë SHBA-ja në Evropë, dhe konkretisht në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Donika Emini.

Sipas saj, telashe mund të shkaktojë edhe pjesëmarrja e Kurtit në Kuvendin e demokratëve amerikanë, gjatë fushatës zgjedhore në SHBA. Por, ajo thotë se Kosovës i duhet një qasje proaktive për të naviguar në një situatë të tillë, duke shtuar se shpreson “që Kosova do të jetë konstruktive dhe që ky konstruktivitet do të reflektojë edhe në anën tjetër”.

Ndërkaq, Serbia, sipas saj, gjatë katër vjetëve të fundit ka punuar dhe ka lobuar në SHBA, dhe ka shpresuar që Trump do të kthehet në pushtet. Por, Emini konsideron se afërsia që Beogradi ka me Kinën – të cilën Trump e kritikon vazhdimisht – mund të jenë problematike.

A do të riaktualizohet shkëmbimi i territoreve?

Një tjetër çështje që mund të riaktualizohet është çështja e shkëmbimit të territoreve. Weber thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mund të “përdorë kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për të lobuar në SHBA për një ‘zgjidhje’ etno-territoriale”.

Kjo temë, që kundërshtohet nga Kurti, ishte shumë e diskutuar gjatë mandatit të parë të Trumpit, dhe ishte përmendur nga zyrtarë në Kosovë dhe në Serbi si mënyrë për të arritur te një marrëveshje përfundimtare.

Edhe Emini nuk e përjashton mundësinë e rikthimit të kësaj teme. Ajo thotë se të gjitha çështjet mund të jenë të hapura për diskutim, për shkak të mosthemelimit të Asociacionit apo të mospërparimit në dialog.

Trump, sipas njohësve, mund të kërkojë edhe që të zbatohet marrëveshja për normalizim ekonomik, e arritur me Kosovën dhe Serbinë në Shtëpinë e Bardhë më 2020.

Weber thotë se pret që Trump të angazhohet në Ballkan me lidhje marrëveshjesh që kanë në fokus tregtinë dhe ekonominë. /REL/

The post Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi? appeared first on Telegrafi.

❌
❌