Normal view
Njerëz të idhnuem me atdheun
Nga Frrok Çupi
Do të ishte më e thjeshtë sikur të kisha përdorur fjalën “hidhëruar” sipas versionit normativ të gjuhës, në vend të gegnishtes “idhnuem”. Mirëpo fjala ‘hidhëruar’ nuk do të kishte prodhuar kuptimin real. “ Të hidhëruar’ me atdheun njerëzit mund të jenë edhe kur u vjen ‘ hidhët’, dmth., u vjen keq për gjëra që nuk shkojnë mirë. Kjo është komplet e kundërta me gjendjen e këtyre njerëzve në qasje me vendin e tyre. Këta janë ‘ të idhnuem’.
Fëmijët e përdorin këtë emocion kur humbin lojën me shokun, ose kur shoku u merr topin, ose kur dikush u bën një gjë të keqe.
Në rastin tonë, kur ‘ të idhnuem me atdheun’, janë së pari ish burra shteti si presidentë republike e kryeministra e ministra…, atëherë kemi të bëjmë me akte të tmerrshme krimi, jo thjesht ‘idhnim’. Kemi të bëmë me aktet e përdorimit të çdo mjeti dhune dhe mashtrimi dhe shpifjeje kundër të vërtetës dhe realitetit. Pse? Vetëm pse populli u mori topin, domethënë pushtetin; ata janë gati ta fusin në zjarr. Madje shuma zjarre që po u vihen maleve, fushave, pyjeve, bregut të detit e buzë qyteteve…, jam i sigurt se i vë dora e këtyre ‘udhëheqësve’ kriminalë.
Kur ‘ të idhnuemit’ si akt ka ndodhur në stinën e dimrit, në mes të ngricave e borës, atëherë këta kanë marrë skuadrat e tritolit dhe të pushkatimit e kanë shembur shtyllat e linjave elektrike. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë pa pikën e fuqisë që t’ i çojmë në ‘hapsane’. Edhe kjo fjalë mund të zëvendësohej me fjalën ‘qeli’, por ja që tingëlloka më bukur në të folmen e vjetër… Errësira dhe i ftohti ka mbuluar jetën e viktimave të këtyre.
Ç’të keqe u ka bërë atdheu këtyre njerëzve?
Mirë se të korruptuarve kriminalë u ka prerë duart që të mos vjedhin më pasurinë publike. Kjo tashmë dihet çfarë po ndodh me Drejtësinë e re. Mirë se familjarëve të të korruptuarve u ka treguar vendin dhe sekuestruar pasurinë e grabitur…Këta përbindësha paskan të drejtë të idhnohen dhe t’i venë flakën atdheut, madje mundësisht të djegin edhe ndonjë duzinë njerëz.
Kur nuk kanë mundësinë për urët e zjarrit, atëherë këta përdorin fjalët. Fjalë të ndyra, fjalë të egra, fjalë shpifëse, fjalë të zeza kundër vendit. Ish presidenti i vendit, që po numëron ditët deri në seancën tjetër në Gjykatën Speciale, nxjerr nga sirtarët pamje nga Shqipëria kur ky ishte në krye. “ Ja si është turizmi!, thotë. Ja si është Shqipëria”. Në fakt atë Shqipëri që ndoti ai, nuk mund ta gjejmë as në arkiva; arkivat u dogjën po prej tij. Një gazetë e përditshme, e vetmja e pavarur, u dogj e tëra, me gjithë kompjuterë dhe njerëz, po prej tij.
Gazetarët që kanë mbetur nga djegia, disa i janë bashkuar atij me shpresë se ‘të vrarët dje mund të vrasin dikë sot’, disa i janë bashkuar Irfanit dhe disa kanë marrë një kamera e dalin nëpër Shqipëri: “ Turizmi sivjet ka falimentuar, thonë sa kanë në kokë.- Ky vend nuk mund të ketë turizëm elitar… Nuk ka dyqane ndërkombëtare, nuk vlen ky vend!”
Të tjerë, kur del gënjeshtra me turizmin, kthehen te birra. “ Dy vetë pinë një birrë!’, thanë këto ditë. Turpi më i madh i asaj që është quajtur gazetari prej shekujsh. Po në qoftë se një shishe verë e pinë pesë vetë, kushedi çfarë tragjedie për Shqipërinë e këtyre. Po nëse nën një çadër rrinë tre vetë, a qenka bërë nami në Shqipëri!?. Budallenj që nuk e fshehin dot budallallëkun.
Kur përmendet Europa si aleate e Shqipërisë, këta tërbojnë. Kur Europa thotë se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë ‘ drejt nesh’, këta tërbojnë. Kur Drejtësia ia çon zjarrin te këmbët krimit, këta duan të digjen më parë. Kur bota mahnitet me Shqipërinë që ka ndryshuar dhe është bërë si shoqet perëndimore, këta duan të gjuajnë botën me gurë. Kur populli po është i qetë e në punë, këta i thonë ‘ejani në ferr ku ishim bashkë”.
Çudi e madhe! Ka opozitë kudo, ka media të egra dhe media acide edhe gjetkë, ka shpirtra të këqij dhe psikopatë, ka njerëz që nuk e duan përparimin…, por si këta nuk mendohet. Urtësia hyjnore thotë se “ai që nuk do vendin e tij, familjen e tij, atë që ka afër, ai është i pafe”. Po për vete, këta a mund të mendojnë pakëz?!. Sepse me shpirt të hidhët, me vrer në tru dhe flutura në stomak, këta nuk jetojnë dot të qetë. Këta sëmuren nga ‘të idhnuemit’ ndaj Atdheut dhe ‘vdesin më shpejt’, thotë Frojdi.
Analizat e idealistëve të frustruar vlejnë vetëm për masturbim mendor
Nga Denis Dyrnjaja
Ka një debat për qasjen dhe reagimin brenda ambientit mediatik, në lidhje me marrjen nën kontroll të ambienteve ku ka ushtruar për vite me radhë aktivitetin televizioni News 24. Në morinë e trimave për lirinë e fjalës dhe kundër censurës, pikasa një oponent të frustruar publik, që përdor shpesh fyerjen si argument.
Psh nëpërmjet shqetësimit për cënimin e lirisë së fjalës dhe qëndrimit editorial, që ka mbajtur News 24, polemisti i kalçifikuar në frustrim, vëren me shqetësim, se përse mediat e tjera nuk e raportuan situatën që po ndodh me News 24?
Përgjigjja besoj se është e thjeshtë. Të gjithë këtu e dinë se kush janë të gjithë. Pra lufta ime, nuk është lufta jote dhe anasjellas. Dhe këtu nuk po flitet për luftë që lidhet me lirinë e fjalës, të mendimit apo linjës editoriale. Këtu po flitet për luftë interesash.
Përsa kohë të gjithë e dinë që marrëdhënia e përplasjes mes institucioneve të shtetit me News 24 fsheh një ndërveprim të prishur mes pronarit të kësaj medieje dhe kryeministrit, ministrave etj, atëherë askush nga mediat e tjera nuk do të futet ne këtë mes, pasi kjo nuk është një aferë e tyre dhe këtu nuk bëhet fjalë për liri a censurë, por thjeshtë për teka, llastime, megalomani e delizëm për përfitime.
A janë më të ndershëm ata që mbajnë pronësitë e mediave të tjera në Shqipëri? Kjo është një temë që ha diskutim rast pas rasti Por e sigurt është se nëse do të bëhej fjalë për censurë apo dhunë ndaj News 24 dhe lirisë editoriale apo fjalës se lirë, çdo media do reagonte e do raportonte pa asnjë droje. Në mos media tradicionale, do vlonin mediat e rrjeteve sociale.
Por kur është fjala për raporte interesash okulte të prishura atëherë asnjë media tjetër, e çdo lloji nuk do të merrte përsipër nje rrisk qe si takon, sepse nuk është as betejë morale, as etike kur bëhet fjalë për marrëveshje që kanë funksionuar deri në një farë kohe për te dyja palët dhe pastaj janë kthyer ne raporte toksike.
Po, qeveria ka bërë një autogol të madh me çështjen News 24. Ministria e Ekonomisë në tentativë për të treguar se problemi qëndon te shkelja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Fokus Grup, me pronar z Irfan Hysenbelliu, që nuk ka paguar qiranë për vite me radhë, nxori ne pah mosveprimin dhe tolerancën e saj në shkelje të ligjit në favor klientelist për një subjekt të caktuar sikurse është subjekti ne fjalë, qoftë kjo dhe një media.
Atëherë pyetja logjike që lind është: kush mban përgjegjësi përse është toleruar për vite me radhë kjo shmangie detyrimi? A është bërë ajo për të përfituar mbështetjen e medias në fjalë në mënyra te ndryshme? Nëse është bërë në një rast, kush na siguron se nuk është vepruar edhe në raste të tjera me interesa të marrëdhenieve media-pushtet?
Nëse do ishte çështje censure dhe linje editoriale, qeveria kishte mënyra të tjera represioni. Të gjen në shkelje e të heq licensën, të penalizon me gjoba për shkelje që mund të gjenden pa fund jo vetëm në News 24, por në çdo media. Pra do kishte ndërhyrje gjithfarësh, që direkt apo indirekt do lidheshin me censurën, por përfundimi i kontratës së ambienteve, kur me vendim gjykate është provuar se nuk jam shlyer detyrimet kontaktuale, tregon se kjo është mirëfilli një çështje tërësisht administrative. A mban brenda inate personale mes Edi Ramës dhe Irfan Hysenbelliut? Këtë mund ta mendojmë apo përfytyrojmë, por dot nuk e provojmë.
Ndaj në rastin konkret vetëm për censurë nuk bëhet fjalë dhe pse një grup njerëzish ulin nivelin personal të inteligjencës për ta trajtuar si të tillë. Për stafin e News 24 duhet patur mirëkuptim maksimal, sepse ata janë në një pozitë të tillë ku duhet të mbajnë këtë linjë të imponuar qoftë dhe instinktivisht, në këtë histori të errët mardheniesh e interesash, të punëdhënësit të tyre.
Ndërsa për mungesën e lirisë së fjalës dhe censurën personalisht, mendoj se ajo jo vetëm nuk ekziston, por është me tepri. Është problem tjetër që ne ose e keqpërdorim ose nuk dimë ta përdorim si duhet. Në media ka vend për ata që janë idealistë dhe për ata që janë konformistë, por edhe për shumicën që janë oportunistë. Të gjithëve na sheh, lexon e vlerëson publiku.
Kush do të shitet e të blihet e bën. Dhe ka qëlluar që si për çudi dhe ironi, moralin dhe mbrojtjen e dinjitetit e bëjnë ata/ato që kanë prostituuar më shumë profesionalisht duke u hedhur sa në një preh në një tjetër, pushteti me servilizëm apo pseudoidealizëm, varësisht nga sa u është ofruar buxheti.
Për ta mbyllur nëse vërtetë drejtuesit e News 24 besojnë se marrja e ambienteve të qiramarra është një akt censure, po u sjell ndërmend një zgjidhje që i ndjeri Dritan Hoxha, njeriu që median e krijoi për pasion, jo për përfitime e presion tha dikur kur ishte në përplasje me çdo lloj pushteti qoftë kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe më pas Sali Berisha. Nuk ka shans njeri të mbyllë Top Channel. Edhe po s’më lanë të transmetoj në Shqipëri, do transmetoj me satelit dhe një autobus me regji nga Mali i zi. Dhe asnjë pushtet nuk ia doli ta gjunjëzojë përsa kohë nuk e shtriu kurrë dorën të merrte qoftë edhe një lek nga paratë publike, siç bënë individë te tjerë apo grupe të tjera mediatike.
The post Analizat e idealistëve të frustruar vlejnë vetëm për masturbim mendor first appeared on JavaNews.al.
UÇK e bëri historinë. Quo vadis Hagë…
Nga Prof. Dr. Kristaq Xharo *
Haga ndodhet në hall… Në pamundësi për t’u përballur me ngjarjet e mëdha të kohës me rreth 110 konflikte të ndezura në botë ku 61 janë midis shteteve, me numrin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore dhe pa asnjë mundësi të ketë ndonjë rol në konfliktin në luftën e Rusisë në Ukrainë e aq më pak në luftën në Gaza, ajo përpiqet me intensitet të plotë propagande ‘të japë drejtësi’ për atë që ndodhi në Kosovë 20 vite më parë…
Gjykata e Posaçme e Kosovës, jashtë Kosovës, në Hagë po zhvillon një dramë që do ja kish zili ta shkruante as makineria më e sofistikuar e propagandës, ku për të gjithë është e qartë se skenari i saj nuk është aspak produkt i drejtësisë ndërkombëtare, por fryt i tabulateve të vjetra të shërbimeve sekrete serbe. Paradoks në parodi, një gjykatë e ngritur për të ndëshkuar krimet më të rënda të luftës ka zgjedhur të merret jo me ata që dogjën, masakruan, përdhunuan e dëbuan, por me ata që i ndalën ato krime.
Shfaqja e aktakuzës së prokurorit Smith, pak ditë para takimit Thaçi-Trump-Vuçiç, në Uashington, ishte si një lojë ku arbitri vendos të luajë sulmues. Beogradi, pa dyshim, kishte gati fishekzjarrët. Kur skenari vjen nga bodrumet e shërbimeve sekrete serbe, premiera në Hagë është vetëm formalitet. Ishte qershor 2020 kur Smith publikoi një aktakuzë ende të pakonfirmuar, por të përsosur për efekt politik, duke minuar takimin që mund të sillte një marrëveshje historike. Drejtësia, në vend të paanshme, zgjodhi të bëhej lojtar-një goditje që do hapte shishet e shampanjës në Beograd.
Akuza, në letër, është kundër individëve, por në realitet vinte si një proces kundër gjithë luftës. Arrestimi i gjithë zinxhirit komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte thjesht një akt juridik, por një pozicionim politik: gjykohej drejtimi, fryma dhe kuptimi i një lufte çlirimtare. Avokati i famshëm amerikan Pierre-Richard Prosper, një nga njohësit më të shquar të tribunaleve ndërkombëtare dhe ish-ambasador i SHBA për krimet e luftës, paralajmëroi më qartë: “Në Hagë nuk po gjykohen individë, por po gjykohet historia, narracioni i luftës dhe e ardhmja e Kosovës.” Dhe kur një gjykatë merr përsipër të gjykojë historinë, ajo nuk është më gjykatë – ajo është paradoksi i një redaksie politike.
Dhe paradoksi më i madh është shmangia e plotë e kontekstit. Nga qershori 1999, sigurinë në Kosovë e garantonin UNMIK, EULEX dhe NATO. Por, kjo nuk përmendet, sepse do të rrëzonte fabulën se UÇK-ja kishte kontroll absolut mbi territorin dhe humbiste koncepti i ‘krim lufte’, lufta kish mbaruar… apo autoriteti i kontrollit ishte diku tjetër. Në vend të fakteve, akuza u mbështet në trillimet e Beogradit dhe në dëshmitarë që nuk kanë parë asgjë, por “kanë dëgjuar”, por edhe mund të kenë parë diçka – dëshmi me aromë skenari të lirë filmi, jo procesi serioz gjyqësor.
Kjo nuk është hera e parë që Haga operon me standarde të dyfishta. Carla Del Ponte, ish-kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, pranoi në kujtimet e saj se kishte ngritur akuza për trafik organesh në Kosovë, por më pas e pranoi se “asnjë provë konkrete nuk iu paraqit ndonjëherë gjyqtarëve”. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të Kosovës dhe UÇK-së mbeti i pakrahasueshëm mbështetur edhe nga indiferenca dhe miopia e elitave politike në të dy anët të asaj kohe.
Akuza aktuale përshkruan UÇK-në si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pa asnjë ndryshim me gjuhën që përdorte Millosheviçi. Paradoksi: një ushtri që respektonte rregullat ndërkombëtare të luftës, paraqitej nën uniformë me shenja dalluese, strukturë të qartë dhe refuzonte kategorikisht bashkëpunimin me grupe islamike, në aleancë dhe bashkëveprim me NATO-n dhe me fuqitë e mëdha të perëndimit a mund të etiketohet si një bandë kriminale? Me këtë logjikë, edhe batalioni i dashur e i famshëm “Atlantiku” me vullnetarët shqiptarë që lanë punët e jetën e qetë në Perëndim për të luftuar për lirinë e Kosovës, sipas kësaj gjykate të mbushur me parodi e paradokse i bie të jenë pjesë e një mafie ndërkombëtare… fale këtë gjykatë o zot..
Çdo fjali e aktakuzës mban erën e rëndë të komunikatave të luftës së Beogradit (1998–1999). Edhe zgjerimi absurd i “ndërmarrjes kriminale” në territorin e Shqipërisë verilindore është një kopje e propagandës serbe që justifikonte bombardimet e Kukësit. Kjo nuk është rastësi. Është bashkëpunim i heshtur: Serbia furnizon me “prova” dhe Haga e reciton në sallë. Çfarë bëjnë shtete shqiptare…të zënë në dilemat e mëdha të pushtetit… jo të kombit nuk kanë asnjë strategji e në mungesë të saj, Alvin Toffler thotë: “Në mungesë të strategjisë tënde, shpejt ose pak më vonë bëhesh pjesë e strategjisë së dikujt tjetër” .
Në këtë rrëfim të stisur, mbi 100 masakrat e dokumentuara të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë janë zhdukur. Dhjetëra mijëra viktima janë zëvendësuar në tekst me shifra të përshtatura, aq të përshtatura sa përkojnë çuditërisht me versionin serb të ngjarjeve. A është ky një akt i hapur falsifikimi historik, i ndihmuar nga mungesa e një reagimi mbarëkombëtar strategjik shqiptar.
Rezultati është që viktimat reale – populli shqiptar i Kosovës – zhvendosen në periferi të procesit.
Gjykata, në parodi pretendon se po jep drejtësi për ta, por në fakt po bën shërbimin më të vyer për agresorët. Dosjet prej krimeve serbe pluhurosen në sirtarë, ndërsa në tavolinën e punës merren në shqyrtim vetëm dosjet e përgatitura në Beograd.
Më 7 gusht 2025, rrugët e Prishtinës dhanë përgjigjen që duhet t’i shkundë jo vetëm muret e Hagës, por edhe Prishtinës e Tiranës: qindra mijëra veteranë dhe qytetarë, por më shumë të rinj marshuan duke brohoritur “UÇK është lavdi, jo aktakuzë”. Ishte një kujtesë e gjallë se historia nuk rishkruhet me vendime të porositura. Ishte një mesazh se legjitimiteti i luftës nuk do të mund të zbëhet nga asnjë vendim i stisur, por për këtë heshtja është vetëvrasëse.
Protestat, sado madhështore, nuk mjaftojnë, dhe asnjë betejë nuk fitohet vetëm me retorikë, por një mobilizim i plotë institucional, moral dhe shoqëror. Në Prishtinë e Tiranë duhet të lënë mënjanë ‘hesapet’ e vogla dhe të përqendrohen në çmontimin e akuzave. Parlamentet duhet të flasin me një zë. Juristët të dalin në ballë. Shoqëria civile të dalë nga gjumi dhe të marrë pjesë në këtë proces. Mediat të ekspozojnë absurditetin me fakte.
Akademia të prodhojë argumente dhe studime të pakundërshtueshme.
Sepse në Hagë nuk po gjykohet thjesht një grup individësh. Po gjykohet historia e Kosovës, legjitimiteti i lirisë dhe e ardhmja e saj politike. Siç ka thënë Nelson Mandela: “Të mohosh historinë e dikujt është të mohosh identitetin e tij.” Nëse sot rrimë spektatorë, nesër do të zgjohemi pa historinë tonë dhe pa të drejtën tonë. Dhe atëherë, as paradoksi, as parodia nuk do të jenë më argëtuese – do të jenë epitafi ynë.
*Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET
The post UÇK e bëri historinë. Quo vadis Hagë… first appeared on JavaNews.al.
Mjerimi i krizës
Nga Ben Andoni
Në këto ditë kur njeriu mendon të prehet dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri të mendojë në përparësi të papriturat që e presin në muajt më të zellshëm kalendarik të jetë-punës, jemi bombarduar me lajme të hidhura. Vendi, Kosova, media, Bota… Për komunitetin e gazetarëve më i dhimbshëm ka qenë fati i kolegëve të tyre të Kompanisë “Fokus” dhe mediave të saj, por edhe e vërteta e hidhur që lidhet me ta. Është e vërtetë se ka një mungesë solidariteti për NEËS 24 dhe tashmë po shfaqen lloj-lloj realitetesh të brendshme, veçmas variantit zyrtar të bllokimit të mjediseve që konfirmon zyrtarisht aktin. Shqetësuese mbetet transparenca dhe e dhimbshme është pafuqia e komunitetit tonë për të përballur realitetet më jetike. Ato nisin nga Televizioni Publik me vonesat e pagesave për kontributorët e programeve, por edhe me televizionet e tjera, që autori për shkak të mungesës së tagrit dhe mungesës së lejes së kolegëve nuk mund t’i përmendë. Shqetësuese është se prej vitesh gazetarët ankohen për mosmbajtjen e korrektesës për pagesat, gropat e frikshme në Sigurimet Shoqërore dhe mbi të gjitha autocensurës. Vetë autori i këtyre rreshtave është pasojë e këtyre zhvillimeve dhe njësoj vuajtës, mbase dhe më shumë sesa pjesa më e madhe e kolegëve të Fokus. Mungesa e një Urdhri Gazetarësh është tashmë thjesht e vetëm një element skajor, përderisa dhe gazetarët janë ndarë me kasta: ata që jetojnë në luks të pamatë dhe rivalizojnë deri pronarët dhe të tjerë që mbijetojnë për qiratë dhe ndihmohen nga familjarët. Postulati i Montanelit është “qesharak” sepse kolegëve nuk u bën dritë syri ta përshfaqin pasurinë. Sikur të bëhej ndonjëherë Vetting për komunitetin tonë, atëherë do të trandej e gjithë shoqëria.
Në fakt çështja është më e dhimbshme dhe ka nisur dekada më parë dhe është studiuar nga vendet që ne i kemi si burime reference. Po është e vërtetë: Qeveria dhe media e lajmeve janë të lidhura me 100 fije dhe ndaj sot komuniteti i gazetarëve është i pafuqishëm dhe sot nuk u mbështetën aq shumë kolegët e Fokus, kurse publiku i tradhtuar prej thelbit të parimit të gazetarisë që është informimi i paanshëm. Ndaj, solidariteti për gazetarët është përtej interesave të pronarëve dhe ligjeve të shtetit, pasi është një grup shoqëror që kinse merret me hallet e njerëzve por nuk di të zgjidhë malin e problematikave të saj. “Media e lajmeve dhe qeveria janë të ndërthurura në një rreth vicioz manipulimi të ndërsjellë, krijimi mitesh dhe interesi vetjak. Gazetarët kanë nevojë për kriza për të dramatizuar lajmet dhe, zyrtarët qeveritarë duhet të duken sikur po i përgjigjen krizave. Shumë shpesh, krizat nuk janë në të vërtetë kriza, por trillime të përbashkëta. Të dy institucionet janë përfshirë aq shumë në një rrjet simbiotik gënjeshtrash sa mediat e lajmeve nuk janë në gjendje t’i tregojnë publikut se çfarë është e vërtetë dhe qeveria nuk është në gjendje të qeverisë në mënyrë efektive”, referon Peter Vanderwicken tek “Why the News Is Not the Truth”. Në fakt, kjo është teza e paraqitur nga Paul H. Weaver, një ish-studiues politik (në Universitetin e Harvardit), gazetar (në revistën “Fortune”) dhe drejtues i komunikimit të korporatave (në Ford Motor Company), në analizën e tij provokuese të titulluar “Lajmet dhe Kultura e Gënjeshtrës: Si Funksionon Vërtet Gazetaria”. Kjo është një pasojë që po e përjeton Shqipëria dhe nuk është thjesht e vetëm problemi i “Fokus” por mjerimi i krizës sonë. (Javanews)
The post Mjerimi i krizës first appeared on JavaNews.al.
Nëse gazetarët që protestojnë e kanë vërtet për lirinë e shtypit…
Nga Mero Baze
Protesta simbolike e gazetarëve të News 24, kundër marrjes së zyrave nga qeveria për shkak të problemeve të pronarit të kompanisë, ka kuptim si solidaritet me pronarin. Madje, nga një anë, më duket një besnikëri për t’u admiruar ndaj tij. Nuk është e lehtë që gazetarët e një redaksie të madhe të jenë të gjithë solidarë me pronarin në një moment të tillë të vështirë, për shkak të problemeve që ka me qeverinë, qofshin ato financiare apo politike.
Dhe për këtë, ata janë një shembull i pazakontë besnikërie në raportet mes gazetarëve dhe pronarit në Shqipëri.
Por artikulimi i tyre publik ka një problem kur flasin për goditje ndaj lirisë së shtypit. Kjo është një goditje shumë e rëndë për pronarin e kompanisë dhe për të ardhmen financiare të tyre, çka mendoj se e tejkalon rrezikun për lirinë e shtypit. Kjo goditje mund të shërbejë edhe si një arsye që ata, për disa muaj, të mos marrin rroga apo të kenë pasiguri për të ardhmen.
Por e vetmja gjë që unë mendoj se ata e kanë fituar nga kjo goditje është liria e shtypit. Për atë, ata duhet të gëzoheshin. Në një moment të tillë krize personale mes pronarit dhe qeverisë, të dalësh e t’i bësh thirrje qeverisë si gazetarë të rikthejë raportet normale me pronarin e tyre, nuk është kërkesë për rikthimin e lirisë së shtypit, por kërkesë për t’u kthyer nën kontrollin e qeverisë. Raportet e pronarit me qeverinë kanë qenë një histori e “diskriminimit pozitiv” të tij në raport me shumë media të tjera, përjashto grupin Klan.
Ai, pikërisht për shkak të raporteve me pushtetin, është bërë një ndërtues i madh, ka përfituar prona publike që nga Berisha e deri tek Rama. Ndoshta e keni harruar, por blloku i ndërtesës tek rruga “Panorama” afër Hipotekës ka qenë uzinë shtetërore, dhe Sali Berisha ia ka dhënë në vitin 2008 duke e “këmbyer” me një tokë që kishte në Yzberisht, e cila nuk vlente asnjë lek. Privatizimi i pronave publike tek “Qyteti i nxënësve”, ku ka një bllok të madh apartamentesh, po ashtu. Marrja e konviktit të Gjuhëve të Huaja dhe kthimi në universitet privat, gjithashtu. Kontratat tek Autotraktorët po ashtu kanë qenë shumë favorizuese. Pra, historia e tij si biznesmen është histori favorsh nga pushteti.
Kjo mund të ketë prodhuar miliona, por mos më thoni që ka prodhuar liri shtypi. Kriza e tanishme është qartazi një krizë mes pronarit dhe qeverisë, por nga ana tjetër është një moment fatlum nëse gazetarët e tij duan vërtet liri shtypi. Solidariteti i tyre me pronarin është i lavdërueshëm nga pikëpamja njerëzore, por vajtimi se tani po humbasin lirinë e shtypit është kontradiktor. Ata tani po e fitojnë lirinë e shtypit, pasi tani janë të lirë nga hallet e pronarit me pushtetin.
Ata duhet ta festojnë nga kjo pikëpamje fillimin e një ere të re të lirisë së shtypit në kompaninë e tyre.
Presioni i tyre që qeveria të tërhiqet e të bëhet prapë mike me pronarin është fatal për lirinë e shtypit. Pastaj ata nuk kanë më asnjë shpresë. E kam fjalën nëse qajnë vërtet për lirinë e shtypit.
The post Nëse gazetarët që protestojnë e kanë vërtet për lirinë e shtypit… first appeared on JavaNews.al.
E morët vesh: Saliu që ‘di gjithçka’, nuk di gjë për ishullin e Sazanit
Nga Simon Hadaj
Sali Berisha u pyet në konferencën e radhës për një nga çështjet e diskutuara së fundmi lidhur me projektin e investimit në ishullin e Sazanit nga dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA, Donald Trump. Përgjigjja e tij ishte tipike e një njeriu që ka frikë të përgjigjet, edhe pse e di shumë mirë atë që ka ndodhur.
“Nuk kam asnjë informacion” u shpreh ai që më shumë se sa me informacione në jetën e tij politike ka funksionuar me shpifje dhe aludime.
Në vend që të jepte një përgjigje të qartë, Berisha u përpoq ta arsyetonte “padijen” e tij duke kujtuar se shteti shqiptar ka ligje që lejojnë dhënien e tokave në përdorim për një afat të caktuar. Një shpjegim i justifikues për qeverinë, pa gjuhën e ashpër dhe pa akuzat e zakonshme që e karakterizojnë kur bëhet fjalë për kundërshtarët e tij.
Dhe pikërisht këtu del në pah paradoksi politik i Sali Berishës, i cili, nga një njeri që “di” gjithçka, papritur nuk paska dëgjuar gjë për një investim që ka bërë xhiron e mediave kombëtare e ndërkombëtare. Që nuk paska “rastisur” të informohet për një projekt ku përfshihen emrat e njohur të familjes Trump.
Hipokrizia është aq e dukshme, sa nuk ka nevojë për shumë koment.
Mjafton të imagjinosh për një çast se si do të reagonte Berisha nëse ishulli i Sazanit do t’i jepej një investitori tjetër, pa lidhje me të fortët globalë apo me emra që ai nuk guxon t’i prekë. Sulmet do të ishin të pamëshirshme, akuzat të pakufizuara, linçimi publik i garantuar.
Por kur në lojë janë ata që ai ‘respekton’, frikësohet apo kërkon t’u shërbejë, Berisha i “informuar për gjithçka” papritur bëhet Berisha i paditur. I fortë me të dobëtit, servil dhe lëpirës me të fortët – një manual i qartë për të kuptuar sesi ka funksionuar dhe funksionon ende politika e tij.
The post E morët vesh: Saliu që ‘di gjithçka’, nuk di gjë për ishullin e Sazanit first appeared on JavaNews.al.
Njerëz të idhnuem me atdheun
Nga Frrok Çupi
Do të ishte më e thjeshtë sikur të kisha përdorur fjalën “hidhëruar” sipas versionit normativ të gjuhës, në vend të gegnishtes “idhnuem”. Mirëpo fjala ‘hidhëruar’ nuk do të kishte prodhuar kuptimin real. “ Të hidhëruar’ me atdheun njerëzit mund të jenë edhe kur u vjen ‘ hidhët’, dmth., u vjen keq për gjëra që nuk shkojnë mirë. Kjo është komplet e kundërta me gjendjen e këtyre njerëzve në qasje me vendin e tyre. Këta janë ‘ të idhnuem’. Fëmijët e përdorin këtë emocion kur humbin lojën me shokun, ose kur shoku u merr topin, ose kur dikush u bën një gjë të keqe.
Në rastin tonë, kur ‘ të idhnuem me atdheun’, janë së pari ish burra shteti si presidentë republike e kryeministra e ministra…, atëherë kemi të bëjmë me akte të tmerrshme krimi, jo thjesht ‘idhnim’. Kemi të bëmë me aktet e përdorimit të çdo mjeti dhune dhe mashtrimi dhe shpifjeje kundër të vërtetës dhe realitetit. Pse? Vetëm pse populli u mori topin, domethënë pushtetin; ata janë gati ta fusin në zjarr. Madje shuma zjarre që po u vihen maleve, fushave, pyjeve, bregut të detit e buzë qyteteve…, jam i sigurt se i vë dora e këtyre ‘udhëheqësve’ kriminalë. Kur ‘ të idhnuemit’ si akt ka ndodhur në stinën e dimrit, në mes të ngricave e borës, atëherë këta kanë marrë skuadrat e tritolit dhe të pushkatimit e kanë shembur shtyllat e linjave elektrike. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë pa pikën e fuqisë që t’ i çojmë në ‘hapsane’. Edhe kjo fjalë mund të zëvendësohej me fjalën ‘qeli’, por ja që tingëlloka më bukur në të folmen e vjetër… Errësira dhe i ftohti ka mbuluar jetën e viktimave të këtyre.
Ç’të keqe u ka bërë atdheu këtyre njerëzve?
Mirë se të korruptuarve kriminalë u ka prerë duart që të mos vjedhin më pasurinë publike. Kjo tashmë dihet çfarë po ndodh me Drejtësinë e re. Mirë se familjarëve të të korruptuarve u ka treguar vendin dhe sekuestruar pasurinë e grabitur…Këta përbindësha paskan të drejtë të idhnohen dhe t’i venë flakën atdheut, madje mundësisht të djegin edhe ndonjë duzinë njerëz.
Kur nuk kanë mundësinë për urët e zjarrit, atëherë këta përdorin fjalët. Fjalë të ndyra, fjalë të egra, fjalë shpifëse, fjalë të zeza kundër vendit. Ish presidenti i vendit, që po numëron ditët deri në seancën tjetër në Gjykatën Speciale, nxjerr nga sirtarët pamje nga Shqipëria kur ky ishte në krye. “ Ja si është turizmi!, thotë. Ja si është Shqipëria”. Në fakt atë Shqipëri që ndoti ai, nuk mund ta gjejmë as në arkiva; arkivat u dogjën po prej tij. Një gazetë e përditshme, e vetmja e pavarur, u dogj e tëra, me gjithë kompjuterë dhe njerëz, po prej tij.
Gazetarët që kanë mbetur nga djegia, disa i janë bashkuar atij me shpresë se ‘të vrarët dje mund të vrasin dikë sot’, disa i janë bashkuar Irfanit dhe disa kanë marrë një kamera e dalin nëpër Shqipëri: “ Turizmi sivjet ka falimentuar, thonë sa kanë në kokë.- Ky vend nuk mund të ketë turizëm elitar… Nuk ka dyqane ndërkombëtare, nuk vlen ky vend!”
Të tjerë, kur del gënjeshtra me turizmin, kthehen te birra. “ Dy vetë pinë një birrë!’, thanë këto ditë. Turpi më i madh i asaj që është quajtur gazetari prej shekujsh. Po në qoftë se një shishe verë e pinë pesë vetë, kushedi çfarë tragjedie për Shqipërinë e këtyre. Po nëse nën një çadër rrinë tre vetë, a qenka bërë nami në Shqipëri!?. Budallenj që nuk e fshehin dot budallallëkun.
Kur përmendet Europa si aleate e Shqipërisë, këta tërbojnë. Kur Europa thotë se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë ‘ drejt nesh’, këta tërbojnë. Kur Drejtësia ia çon zjarrin te këmbët krimit, këta duan të digjen më parë. Kur bota mahnitet me Shqipërinë që ka ndryshuar dhe është bërë si shoqet perëndimore, këta duan të gjuajnë botën me gurë. Kur populli po është i qetë e në punë, këta i thonë ‘ejani në ferr ku ishim bashkë”.
Çudi e madhe! Ka opozitë kudo, ka media të egra dhe media acide edhe gjetkë, ka shpirtra të këqij dhe psikopatë, ka njerëz që nuk e duan përparimin…, por si këta nuk mendohet. Urtësia hyjnore thotë se “ai që nuk do vendin e tij, familjen e tij, atë që ka afër, ai është i pafe”. Po për vete, këta a mund të mendojnë pakëz?!. Sepse me shpirt të hidhët, me vrer në tru dhe flutura në stomak, këta nuk jetojnë dot të qetë. Këta sëmuren nga ‘të idhnuemit’ ndaj Atdheut dhe ‘vdesin më shpejt’, thotë Frojdi.
The post Njerëz të idhnuem me atdheun first appeared on JavaNews.al.
T’i besojmë skemës së investimeve në bujqësi?
Nga Fatos Çoçoli
Nga data 30 korrik 2025, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 në bujqësi.
Për herë të parë, skema ka në dispozicion në dy muajt gusht-shtator këtë vit, një fond rekord prej 20 milionë euro nga Buxheti i Shtetit, në mbështetje të fermerëve dhe bizneseve bujqësore.
Skema përfshin kredi të buta dhe grante investimi, të ndara në nëntë masa mbështetëse, që synojnë rritjen e prodhimit bujqesor e blegtoral, përmirësimin e teknologjisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë.
Mundësi të reja për fermerët dhe agropërpunuesit
Janë me mijëra fermerët dhe shoqatat e tyre si shoqëri biznesi me status fizik ose juridik, të cilët mund dhe po aplikojnë për ndihmë financiare per nente masat e Skemes, nëpërmjet agropikave(zyra rajonale për dhënie informacioni) ose agjencive rajonale të ekstensionit(shërbimit) bujqësor në zonën e tyre.
Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi 2025 ka hapur mundësi të reja për fermerët, agropërpunuesit dhe sipërmarrësit e sektorit të agroturizmit. Kjo iniciativë, e cila është e hapur për aplikime deri më 30 shtator 2025, ofron një paketë mbështetjeje financiare të integruar, që përfshin grante deri në 50% të vlerës së investimeve, si dhe kredi të buta me normë të ulët interesi deri 2 përqind në vit, mbuluar me garanci shtetërore deri në 70 përqind të vlerës së kredisë.
Orientimi i ri i politikës sonë bujqësore
Me këto masa të realizuara, politika bujqësore e Shqipërisë është orientuar drejt mbështetjes së investimeve të qëndrueshme në sektorin agro-ushqimor, me synim rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë së produkteve, si dhe fuqizimin e konkurrueshmërisë në tregjet e brendshme dhe të jashtme. Nga ana tjetër, me këto 20 milionë euro mbështetet ndjeshëm edhe agroturizmi, i cili ndihmon në zgjimin e interesit të të rinjve për të qëndruar në fshat, në ruajtjen e traditave dhe promovimin e produkteve autentike shqiptare.
Skema ndihmon edhe promovimin e farës autoktone shqiptare, trashëgiminë në kuzhinën tonë karakteristike dhe mbështet edhe programin “Paketa e Maleve”, një nismë që deri tani ka marrë mbi 2500 aplikime.
Skema gjithashtu i jep mundësinë çdo aplikanti të përfitojë nga më shumë se një masë mbështetjeje, pa kufizime monetare, duke lejuar kombinimin e investimeve në mbjellje të reja, me investime në teknologji dhe mbrojtjen e prodhimeve.
Me këtë skemë, vetëm subvencionet për sektorin e bujqësisë kapin për këtë vit vlerën e 45 milionë eurove, ndërsa në qershor 2025 Ministria e Financave dha garancinë 3 miliardë lekë ose mbi 30 milionë euro për huatë e buta në bujqësi.
Tetë dobitë e Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 në bujqësi
Skema Kombëtare e Investimeve për bujqësinë në vitin 2025 synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme për fermerët dhe agropërpunuesit shqiptarë. Kjo skemë e financuar nga buxheti i shtetit ka disa përfitime të dukshme, që ndikojnë si në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së produkteve bujqësore, ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Mbështetja financiare nga skema u mundëson fermerëve dhe bizneseve rurale të realizojnë shpejt projekte të blerjes së pajisjeve, ndërtimit të infrastrukturës dhe zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, pa pritur procedurat e gjata të fondeve ndërkombëtare.
Skema kombëtare është projektuar të jetë më e aksesueshme, me kritere më të thjeshta për aplikim. Kjo lehtëson pjesëmarrjen e fermerëve të vegjël dhe atyre me kapacitete të kufizuara administrative, të cilët shpesh kanë vështirësi të përfitojnë nga programe të tjera.
Përmes fondeve të skemës, financohen sisteme moderne ujitjeje, sera të mbyllura, magazina ruajtjeje, pika grumbullimi dhe linja përpunimi, duke rritur cilësinë dhe jetëgjatësinë e produkteve.
Skema ofron mbështetje për blerjen e makinerive dhe pajisjeve të reja, çka ul koston e prodhimit, kursen kohë dhe rrit efikasitetin e punës.
Duke financuar investime në përpunim dhe paketim, skema ndihmon prodhuesit të përmbushin standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë ushqimore, duke rritur besimin e konsumatorëve dhe aksesin në tregjet e huaja.
Mbështetja për prodhimin vendas rrit ofertën e produkteve bujqësore dhe përpunuara në tregun e brendshëm, duke zvogëluar nevojën për importe dhe duke ruajtur bilancin tregtar.
Investimet e reja krijojnë vende pune të drejtpërdrejta dhe të tërthorta, duke frenuar emigracionin dhe duke gjallëruar ekonominë lokale.
Prodhuesit e mbështetur nga skema kanë mundësi të përmirësojnë cilësinë, sasinë dhe prezantimin e produkteve, duke fituar pozita më të mira në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
The post T’i besojmë skemës së investimeve në bujqësi? first appeared on JavaNews.al.
-
- Aksidentet rrugore janë ulur 16%, por vdekjet e motoçiklistëve/këmbësorëve/biçiklistëve janë rritur 200%
Aksidentet rrugore janë ulur 16%, por vdekjet e motoçiklistëve/këmbësorëve/biçiklistëve janë rritur 200%
Nga Eduard Zaloshnja
Në-mujorin e parë të këtij viti u regjistruan vetëm 768 aksidente rrugore, nga 913 që u regjistruan vjet në të njëjtën periudhë. Pra aksidentet rrugore u pakësuan plot 16%.
Me pakësimin e aksidenteve rrugore, pritej që edhe vdekjet rrugore të pakësoheshin. Por ndodhi e kundërta, ato u shtuan – ishin 116 në 7-mujorin e parë të këtij viti.
Dhe 2/3 e vdekjeve rrugore ishin ndër motoçiklistët/kalimtarët/biçiklistët. Pa këtë njollë të zezë vdekshmërie, rrugët e Shqipërisë do të ishin më të sigurta se masatarja e BE-së në treguesin e vdekjeve për 100 mijë automjete në qarkullim.
Ky është një problem që duhet adresuar me ndryshime ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë, fushatë sensibilizimi nga Ministria e Brendshme, dhe fushatë ndëshkimi nga Policia e shtetit!
The post Aksidentet rrugore janë ulur 16%, por vdekjet e motoçiklistëve/këmbësorëve/biçiklistëve janë rritur 200% first appeared on JavaNews.al.
Portreti i vërtetë (i errët) i Shqipërisë nën Ramën
Mbyllja e News 24, fundi i një hakmarrjeje personale
Kriza e opozitës e ka një zgjidhje
Nga Fitim Zekthi
Një nga gjërat më të rënda sot, që shfaqet me gjithë fuqinë e vet në Shqipëri dhe sidomos në opozitë, është fakti që njerëzit nuk janë të trajnuar ose të përgatitur që të mendojnë për të mirën e përbashkët, për të mirën e vendit dhe shoqërisë, por janë të aftë të mendojnë vetëm për mënyrën se si preket apo fiton grupi i tyre. Mark Lilla, një mendimtar amerikan, shkruan gjerësisht se kjo është një formë pushteti e injorancës, e padijes dhe madje e dëshirës për të mos ditur dhe për të mos mësuar.
Njerëzit, edhe qëllimisht, për shkak të interesit të tyre dhe grupit të tyre, humbin aftësinë të njohin dhe kuptojnë të vërtetën. Kjo sigurisht që shkatërron jo vetëm interesin e vendit dhe të mirën e shoqërisë, por edhe interesin e tyre dhe të grupit të tyre. Forcat e djathta apo konservatore gjatë gjithë historisë i janë trembur kësaj rruge, i janë frikësuar kësaj sjelljeje dhe kanë folur për maturi, për kujdes, për vetëkufizim, për largim dhe tërheqje nga emocioni dhe epshi.
Bash këtu, tek këto koordinata, është themeluar e djathta. Në Shqipëri, PD-ja, e cila ka pretenduar për vite më radhë se përfaqëson të djathtën, nuk ka qenë kurrë një forcë që u udhëhoq nga kujdesi, maturia, vetëpërmbajtja, vetëkufizimi, largimi nga epshi dhe emocionet e inatit apo zemërimit, dhe për pasojë nuk arriti të mendojë dot përtej mënyrës se si pushteti apo realiteti politik prek atë dhe njerëzit e saj – në një kohë kur duhet të mendonte (si forcë e djathtë) për mënyrën se si preket shoqëria dhe vendi.
Tani gjendja është shumë e vështirë. Duke lejuar që vit pas viti, madje dekadë pas dekade, të thellohet kjo mënyrë të ekzistuari dhe kjo mënyrë të kuptuari i politikës, gjërat kanë shkuar në një pikë shumë të largët, aq sa PD-ja përkufizohet plotësisht, i merr vendimet dhe sillet pikërisht duke bërë vetëm të kundërtën e asaj që do të duhej të bënte një forcë e djathtë.
Edhe i gjithë debati, ose gjithë diskutimet brenda saj sot, bëhen për gjëra të kota: bëhen nëse duhet të ikin disa drejtues apo të ikë kryetari, nëse duhet të bëhen analiza degë pas dege apo të bëhen seksion pas seksioni, nëse duhet hyrë në parlament apo duhet bojkotuar, nëse fajin e kanë disa deputetë, disa drejtues apo kryetari, nëse kanë infiltruar sorosianë, nëse ka pasur tradhti nga brenda, etj.
Sado e vështirë, sado tmerrësisht e vështirë, është e mundur që opozita të transformohet në një forcë të djathtë dhe konservatore që i brendëson realisht parimet e maturisë, vetëkufizimit, kritikës ndaj vetes, mosfajësimit të armikut apo kundërshtarit për gjithçka, decencës, respektit për dinjitetin e kujtdo qenieje njerëzore, besimit te liria politike, liria ekonomike, liria fetare.
Është e mundur që të kuptohet se nuk ka asgjë të mirë për opozitën si diçka e tillë në vetvete. E mirë për opozitën është gjithçka që është e mirë për vendin dhe për shoqërinë.
Këtu nis dhe, në fakt, këtu edhe mbaron roli dhe detyra e të djathtës. Nuk ka zgjidhje tjetër. Është e kotë, po e kotë fare fare gjithcka tjeter.
The post Kriza e opozitës e ka një zgjidhje first appeared on JavaNews.al.
Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten…
Nga Trendafile Visha
Ndonjëherë të shtunat si dua hiç, ndonjëherë i dua shumë…
E djeshmja?!
Ah ç’ditë e madhe për demokracinë!
(Ah ç’kafe e idhët pelin për t’u pirë te lokali i Likut, mu përballë News 24…!)
Dje, shteti ynë i dashur, i fortë, trim dhe me biceps kushtetues, vendosi të tregojë se kush komandon: rrethoi godinën e Televizionit News 24, sepse, mesa duket, ishte dita për të bërë provën generale si në filmat aksion.
Sigurisht, pati reagim masiv të gazetarëve, që si rrallëherë pas dekadash zbuluan fjalën “solidaritet”. Si në një film bardh e zi ata dolën në skenë për të mbrojtur “lirinë e fjalës”, atë fjalë që rastësisht, e kanë përdorur për 35 vite vetëm kur u është djegur çatia e vet.
E çuditshme… ku ishin kolegët e mi, kur Irfan Hysenbelliu, ky shkelës kronik i ligjit në tregun e medias (se mos vetëm ai), i kthente gazetaret në skllevër modernë?
Kur pagat vonoheshin (vonohen) me muaj?
Kur sigurimet shoqërore nuk paguheshin (nuk janë paguar prej 2 vitesh)?
Kur gazetarët paguanin (paguajnë) “nën dorë” për të regjistruar fëmijët në çerdhe a në kopshte?
Kur privoheshin të merrnin kredi (privohen) ? Heshtje. Heshtje e gjatë, e thellë, e turpshme.
Po shteti?
Ai i dha Irfanit një liri të artë; – lirinë për të bërë ç’të donte me punonjësit e mediave dhe të bizneseve të tjera në pronësi të tij. Tatimet (ky një institucion kaq i shigjetuar në media për korrupsion ndër vite), përveç një gjobe sa për sy e faqe, nuk morën asnjë masë. Sepse shteti dhe oligarku ishin (janë) si dy sy të së njëjtës fytyrë: njëri mbyllet, tjetri shikon anash.
Unë e di shumë mirë, sepse e kam përjetuar mbi shpinë këtë “bashkëjetesë” shtet–oligark.
Unë, modestja guxova para një viti të sfidoj padrejtësinë. Vetëm se atëherë padrejtësia quhej “punëdhënësi”. Çfarë ndodhi?
– Më kyçën derën e godinës ku kisha punuar 23 vite. Shkarravitën librezën time të punës me “braktisje detyre”, ndërkohë që detyrën e kishte braktisur pronari prej 6 muajsh pa më dhënë pagën.
Faji im?!
Kërkova të paguhesha për punën time, të më llogaritej vjetërsia, të më paguheshin sigurimet. Ky ishte krimi im…?
Dhe shteti?!
Shteti thjesht pa nga dritarja tjetër; – vendosi të mos më prishte “rehatinë”…
Tani, që shteti i tregoi muskujt Irfanit, ashtu si Irfani ua ka treguar dhjetëra e dhjetëra gazetarëve papritur kthehemi në Spartakë me mikrofon në dorë. Të gjithë dalin në shesh për “të drejtat e tyre”, pa përmendur se për
dekada kanë pranuar t’ua shkelin të drejtat më elementare.
Ndërsa shoh këtë revoltë kolektive, më duket sikur jam në një teatër absurd:
ku në aktin e parë, oligarku shkel gazetarët;
në aktin e dytë, shteti godet oligarkun (pasi e ka lënë atë që të mbush e të derdh kupën duke sfiduar ligjin);
dhe në fund, të gjithë dalin në skenë të përqafuar, duke recituar monologun “Liria e shtypit”.
Ndërsa shoh këtë revoltë, më dhemb, më dhemb shumë hipokrizia e reagimit.
Nuk di ndonjë vend tjetër në Europë ku të luhet një teatër i tillë, ku të drejtat e gazetarëve të shkelen kaq hapur, dhe ku vetë gazetarët ta kenë pranuar këtë shkelje si normalitet.
Kjo është Shqipëria: vendi ku liria e shtypit ngatërrohet me lirinë për të shtypur.
PËRSE HESHTA DJE?
– Respektova veten, kolegët, profesionin, ndonëse Tjetra ime më thoshte me ngulm: reago, reago tani!
Heshta pasi më duhej (t) që në peshore të vë gjithë situatën e krijuar, të cilën e shoh në dy nivele paralele:
1. Veprimi i shtetit – mbyllja pa paralajmërim (duhej bërë një njoftim publik) e sinjalit të transmetimit të një prej televizioneve më të mëdha në vend
(sidomos pa transparencë dhe pa ezauruar procedurat ligjore) është një precedent shumë i rrezikshëm për lirinë e medias. Është një sinjal presioni, jo vetëm për atë televizion, por për të gjithë spektrin mediatik. Nga ana tjetër, prona për të cilën shteti dhe Irfan Hysebelliu i tregojnë muskujt njëri-tjetrit; – ku shteti deklaron se është pronë shtetërore dhe se aty do të ngrihet fabrikë armësh, e ndërsa Irfani luan me kartën e kontratave të qirasë, dihet nga të gjithë gazetarët se është në pronësi të banorëve të Shkozës. A nuk është krim, që pronarët e vërtetë të pronës shohin teatrin që luhet para syve të tyre. Gazetarët e News 24 janë dëshmitarë, se si Lik Kasharit, një nga pronarët e tokës për të cilën grinden balozët, i ndalohej të parkonte makinën jashtë portës së News 24, në tokën e tij. Atë kohë e në gjithë kêtë kohë, të gjithë ne gazetarët bënim sehir, edhe pse pinim kafe çdo ditë te lokali i Likut. Të bësh duel ne ring për tokën që ju është vjedhur pronarëve të ligjshēm është e turpshme në radhë të parē për shtetin e pastaj për oligarkun Irfan Hysenbelliu, cili që nga viti 2022 është njoftuar në vijimësi për lirimin e ambienteve. Kolegët e mi dinë mirë këtë fakt. Por në këtë shfaqje të turpshme të humburit e mëdhenj janë ata, pasi janë flakur nē rrugë të madhe. 230 punonjës jo vetëm rrezikojnë vendin e punës, por rrezikojnë të mos marrin as rrogat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore të pa paguara nga pronari i tyre i papërgjegjshëm.
2. Historia e pronarit Irfan Hysenbelliu është një shembull i modelit të pronarit që i sheh gazetarët si “mjet pune”, jo si profesionistë me të drejta të plota. Mos-pagesa e sigurimeve shoqërore, vonesat e pagave, presioni për të heshtur, këto janë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe etikës.
(Një detaj interesant: prej vitesh, për çdo muaj deri ditën e djeshme është kënduar në kompaninë e Irfanit, është kthyer në hit refreni i këngēs: – ēshtë hedhur rroga?
S’është hedhur rroga?
Po pse…?
Po kur…?
Po kam qira…,
Po kam kredi…,
Po s”kam shtëpi…)
…(nëse do hapje WhatsApp e gazetarëve që kanë punuar dhe punojnë në kompanitë mediatike të Irfanit, refreni i këngës për rrogat e fundmuajit do bëhej virale.
(Ky refren tronditës, thua se shteti ka vdekur, këndohet dhe në televizione të tjera, që nuk harrojnë t’i bëjnë qokën Irfanit.
– Nëse do të reagoja dje, pa dashje ose me dashje reagimi im do “ngatërrohej” në publik si mllef personal.
Do ngjante se “fishekun në pajë” e kisha ruajtur për individin (Irfanin), dhe jo për shtetin tim të dashur që flirton, bashkëpunon me oligarkët në kurriz të qytetarëve.
Shteti im i dashur ishte (është) në dijeni se Irfan Hysenbelliu është një ndër mëkatarët e mëdhenj të tregut, por në vijimësi mbyllte sytë, ose më e shumta e pickonte sa për t’i thënë: “Hej ti”!
Shteti im i dashur kërkonte (kërkon) që “gështenjat nga zjarri” t’i nxirrte (nxjerrin) me duart e të tjerëve.
Ç’hipokrizi!
Ç’tallje trapi!
Në një vend ku presupozohet se ka shtet dhe funksionon ligji, nuk krijohen situata të tilla absurde,
nuk mbijnë nga hiçi oligarkë që tallen me djersën e dinjitetin e gazetarëve.
Dhe gazetarët, të cilët nëpërkëmben nga mëngjesi në mbrëmje e heshtin, ta kursejnë frymën për të bërtitur për “të drejtën kushtetuese”, për “fjalën e lirë”.
Një gazetar që nuk mbron të drejtat bazike të tij, nuk mund tē mbroj të drejtat e qytetarëve të këtij vendi.
Si mundemi, si, të pretendojmë për një qeverisje më të mirë, për një të ardhme më të mirë në Shqipëri?!
Unë solidarizohem me kolegët e mi, por ata duhet të nisin të bëjnë ndryshimin nga vetja. Respekti nuk kërkohet, fitohet. Gazetarët
Duhet ta fshijnë nga memoria e tyre atë thënien prej skuthi: “larg nga b**** ime”!
…ose, ose…shëtttt, shëttt…
Çudia më e madhe në këtë vend tri ditë zgjat.
Tema
The post Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten… first appeared on JavaNews.al.
A do të vendoset mbi fatin e Ukrainës pa Ukrainën?
Shumë gjëra janë të paqarta në kursin politik të Donald Trumpit dhe rreziku është i madh që Vlladimir Putini të shpërblehet për agresionin e tij ndaj Ukrainës. Përballë kësaj situate duken naive (madje rrezikshëm qesharake) deklaratat e disa politikanëve shqiptarë të cilët sillen sikur janë të bindur se bota po bëhet më e sigurt nëse ndërmjetëson Donald Trumpi. Përvoja e deritanishme ka treguar të kundërtën në të shumtën e rasteve.
Enver Robelli
Që nga viti 2007 Vlladimir Putini nuk ka qenë i mirëseardhur në Amerikë. Më 15 gusht kjo do të ndryshojë: ndonëse i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, ai do të mirëpritet në Alaskë nga kryetari amerikan Donald Trump.
Gjërat po ecin mirë për Putinin. Një ultimatum prej “10 deri 12 ditë” që Trump e paralajmëroi kundër Rusisë, kaloi pa asnjë pasojë, as sanksione të reja ekonomike nuk u vendosën. Fillimisht emisari i Trumpit, Steve Witkoff, familja e të cilit është me origjinë nga Rusia cariste, tha se do të ketë një takim trepalësh (Putin, Trump, Zelenski). Kremlini e demantoi, Shtëpia e Bardhë u dorëzua.
Samiti në Alaskë do të zhvillohet pa kryetarin e Ukrainës, për territorin e së cilës po negociojnë Trumpi dhe Putini. Witkoff është si Trumpi biznesmen patundshmërish. Witkoff, i cili nuk ka asnjë përvojë diplomatike, po i zhvillon bisedat me rusët pa diplomatë amerikanë të karrierës, pa ekspertë të Rusisë, pa njohës të historisë ruse. Nuk është befasi që Witkoff ka qenë i shtyrë të demantojë veten pasi ka paralajmëruar se është marrë vesh me Putinin për një çështje të caktuar.
Trump i shqetësoi ukrainasit me këtë deklaratë: “Ne do të rikthejmë disa (territore), dhe do të shkëmbejmë disa të tjera. Do të ketë një shkëmbim të caktuar territoresh, për përmirësimin e pozitës së të dyja palëve.” Nuk dihet se çka nënkupton kjo, por Trump tha se Zelenski duhet të jetë gati për të nënshkruar “diçka”.
Europianët, të cilët po ashtu janë të përjashtuar nga samiti në Alaskë, janë alarmuar. Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri polak Donald Tusk dhe kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen në një deklaratë të përbashkët theksojnë se asnjë vendim mbi Ukrainën nuk mund të merret pa Ukrainën, se nuk duhet të preken kufijtë e Ukrainës dhe se çdo marrëveshje duhet të marrë parasysh interesat europiane të sigurisë.
Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” kështu e komenton samitin e ardhshëm mes shefit të Shtëpisë së Bardhe dhe shefit të Kremlinit: “Trump është një mashtrues. Ndoshta ai kërkon vetëm një paqe të stilit Potemkin – një që nuk duhet të zgjasë më shumë sesa zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit (Midterm) në Amerikë. Një paqe e tillë iluzore mund të ndërpriste vrasjet dhe të mundësonte disa marrëveshje, por do të ishte e brishtë, sepse nuk do të parashikonte mbështetje të qëndrueshme për Ukrainën dhe as garanci në rast të një sulmi të ri nga Rusia. Gjermania dhe Europa do të viheshin në rrezik. Fabrikat e armëve të Putinit po punojnë me kapacitet të plotë. Nëse produktet e tyre nuk digjen menjëherë pas shkarkimit në Ukrainë, nëse nuk vdesin ose plagosen çdo ditë një mijë ushtarë rusë, ai brenda pak vitesh mund të mobilizojë një forcë ushtarake të cilës askush që nuk ka marrë masa nuk mund t’i bëjë ballë.”
Në dëshpërimin e tij mbi rrezikun e humbjes së territoreve ndaj Rusisë, presidenti Zelenski është përpjekur të mobilizojë aleatët europianë. Por a mjafton një deklaratë e europianëve e miratuar në fundjavë? Jo.
Shumë gjëra janë të paqarta në kursin politik të Trumpit dhe rreziku është i madh që Putini të shpërblehet për agresionin e tij ndaj Ukrainës. Përballë kësaj situate duken naive (madje rrezikshëm qesharake) deklaratat e disa politikanëve shqiptarë të cilët sillen sikur janë të bindur se bota po bëhet më e sigurt nëse ndërmjetëson Donald Trumpi. Përvoja e deritanishme ka treguar të kundërtën në të shumtën e rasteve.
The post A do të vendoset mbi fatin e Ukrainës pa Ukrainën? first appeared on JavaNews.al.
A do të ripushtohen hapësirat e çliruara publike?
Nga Eduard Zaloshnja
“A mendoni se hapësirat publike që po çlirohen do të ripushtohen me kalimin e kohës?” — kjo ishte pyetja kryesore e pyetësorit, linkun e të cilit e shpërndava me 2000 sms krejt të rastësishme në gjithë territorin e vendit.
Wshtë një pyetje legjitime të bëhet në prag të Rilindjes Urbane 2.0, ngaqë hapësirat publike u ripushtuan pas Rilindjes Urbane 1.0.
Por duket se besimi tek vendosmëria e Ramës për suksesin e Rilindjes Urbane 2.0 është i lartë, pavarësisht zhbjerrjes se versionit 1.0.
Kështu, plot 70% e të anketuarve mendojnë se nuk do ketë më ripushtim të hapësirave publike të çliruara. Vetëm 26% mendojnë se do ketë një ripushtim (pothuaj krejtësisht votues opozitarë). Kurse 4% janë të dyzuar (përqindjet i kam rrumbullakosur për lehtësi leximi).
Fakti që 70% e shqiptarëve të këtushëm besojnë në vendosmërinë e Ramës për t’i disiplinuar hapësirat publike i var atij mbi shpinë një barrë të rëndë politke. Të paktën deri më 2030, nuk duhet të lindë nevoja për një Rilindje Urbane 3.0…
The post A do të ripushtohen hapësirat e çliruara publike? first appeared on JavaNews.al.