Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mulliri i familjes Misini në Zgatar, pjesë e procesit të rivlerësimit të trashëgimisë kulturore nga QRTK Prizren

18 April 2025 at 09:51

Në kuadër të procesit të rivlerësimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për vitin 2025 në Komunën e Dragashit, ekipi profesional i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka vizituar edhe Mullirin e familjes Misini, në fshatin Zgatar.

Sipas njoftimit të QRTK-së, ky aset përmban vlera historike dhe kulturore për rajonin.

“Ky mulli, që përfaqëson një vlerë të rëndësishme historike dhe kulturore për rajonin, u inspektua me qëllim të dokumentimit të gjendjes aktuale dhe kryerjes së matjeve teknike të nevojshme për përgatitjen e planeve arkitektonike. Gjatë vizitës, u analizua si arkitektura e jashtme, e cila dëshmon për harmoninë e objektit me mjedisin natyror, ashtu edhe hapësirat e brendshme funksionale, të pasura me elemente autentike”, thuhet në njoftim.

Në të njëjtën kohë sqarohet se matjet dhe dokumentacioni vizual i realizuar në vendngjarje përbëjnë bazën për fazat e mëtejme të procesit të rivlerësimit, si dhe për hartimin e strategjive për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Komunës.

“Ky angazhim i QRTK-së në Prizren është pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm institucional për të identifikuar, dokumentuar dhe valorizuar asetet e trashëgimisë kulturore në mbarë rajonin”, përfundon njoftimi i QRTK-së në Prizren. /Telegrafi/

 

The post Mulliri i familjes Misini në Zgatar, pjesë e procesit të rivlerësimit të trashëgimisë kulturore nga QRTK Prizren appeared first on Telegrafi.

Autostrada Biennale dhe QRTK Prizren nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për promovimin kreativ të trashëgimisë kulturore

By: Kult Plus
12 March 2025 at 22:58

Autostrada Biennale dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK) kanë formalizuar një bashkëpunim të ri me synimin për të promovuar dhe ri-funksionalizuar në mënyrë inovative objektet me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Ky memorandum përcakton angazhimin e përbashkët për ta shndërruar trashëgiminë kulturore në një hapësirë të gjallë ndërveprimi, ku arti bashkëkohor dhe historia e qytetit ndërthuren për të frymëzuar krijimtari dhe zhvillim social.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë edicionit të pestë të Autostrada Biennale kuruar nga Erzen Shkololli, i cili do të mbahet nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, do të organizohen një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozita, vizita grupore dhe programe edukative, me qëllim të angazhimit të komunitetit lokal dhe profesionistëve të fushës.

“Vazhdimi i bashkëpunimit me Autostrada Biennale është një hap i natyrshëm në përpjekjet tona për të integruar trashëgiminë kulturore të Prizrenit në një nivel më të gjerë dhe ndërkombëtar. Ky bashkëpunim ka treguar se lidhja midis artit bashkëkohor dhe trashëgimisë kulturore mund të krijojë një sinergji të fuqishme, e cila ka pasur një ndikim të thellë në zhvillimin e qytetit dhe në forcimin e lidhjeve tona me komunitetin global”, është shprehur drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha.

Ndërkohë, Leutrim Fishekqiu, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Autostrada Biennale, e cilësoi këtë memorandum si një mundësi për të promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit bashkëkohor dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave kulturore.

“Ky bashkëpunim na jep mundësinë të eksplorojmë mënyra të reja se si arti bashkëkohor mund ta sjellë trashëgiminë kulturore më pranë njerëzve. Përmes projekteve të përbashkëta, do të punojmë që këto hapësira të mos jenë vetëm kujtesë e së kaluarës, por edhe pjesë e përvojës së përditshme kulturore, të hapura dhe të afërta me komunitetin”, u shpreh ai/KultPlus.com

Teqeja e Melamive drejt restaurimit, QRTK në Prizren nis hartimin e projektit

7 March 2025 at 13:28

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të angazhimeve për hartimin dhe zbatimin e projekteve për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ka kryer matjet në Teqen e Melamive në qendër të qytetit.

QRTK Prizren e ka cilësuar këtë Teqe si njëri prej monumenteve të rëndësishme të Prizrenit, që është i përfshirë në Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

 

“Kjo teqe vazhdon të jetë aktive dhe të ruajë vlerat e saj të çmuara. Në bashkëpunim me pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e objektit, QRTK-Prizren ka përfunduar matjet dhe ka filluar hartimin e projektit për restaurimin e saj. Ky projekt do të mundësojë ruajtjen dhe rikthimin e shkëlqimit të kësaj pasurie kulturore, duke garantuar që brezat e ardhshëm të kenë mundësinë ta trashëgojnë këtë monument të rëndësishëm historik”, thuhet në njoftimin e QRTK-së në Prizren, raporton Telegrafi.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore sipas QRTK-së në Prizren është një përgjegjësi e përbashkët, dhe se me përkushtim dhe bashkëpunim, sigurohet që historia dhe identiteti të mbeten të gjalla. /Telegrafi/

The post Teqeja e Melamive drejt restaurimit, QRTK në Prizren nis hartimin e projektit appeared first on Telegrafi.

Shkolla e vjetër e Mushnikovës drejt restaurimit, QRTK në Prizren finalizon projektin

5 March 2025 at 14:41

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka njoftuar se stafi profesional është në fazën përfundimtare të hartimit të projektit restaurues për shkollën e vjetër të fshatit Mushnikovë.

Sipas QRTK-së bëhet fjalë për një ndërtesë me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.

“Ky aset i trashëgimisë së mbrojtur ka shërbyer si vatër e dijes për breza të tërë, duke pasur një rol kyç në arsimimin e komunitetit vendas dhe të fshatrave përreth. Në këtë ndërtesë, nga viti 1972 u zhvillua mësimi në gjuhën shqipe deri në vitin 1992, kur regjimi serb ndaloi veprimtarinë arsimore në gjuhën shqipe dhe dëboi nxënësit dhe mësimdhënësit. Sot, ky projekt synon jo vetëm restaurimin arkitektonik të ndërtesës, por edhe ruajtjen e kujtesës historike që ai mbart”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha ka bërë të ditur se arkitektja Nida Xhejlani-Kabashi, me përkushtim dhe profesionalizëm, po punon në finalizimin e këtij projekti.

“Kjo ndërtesë me rëndësi historike dhe edukative do të restaurohet gjatë këtij viti, duke i dhënë vëmendjen dhe trajtimin e duhur”, është shprehur Hoxha.

Në të njëjtën kohë, QRTK ka theksuar se me përfundimin e procedurave ligjore do të fillojë zbatimi i projektit, “duke siguruar mbrojtjen dhe funksionalizimin e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore”. /Telegrafi/

The post Shkolla e vjetër e Mushnikovës drejt restaurimit, QRTK në Prizren finalizon projektin appeared first on Telegrafi.

QRTK Prizren nis hartimin e projektit për restaurimin e Kullës së Zaptive në Zym

28 February 2025 at 15:52

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të premten, ka njoftuar se ka nisur procesin e hartimit të projektit për ndërhyrjet restauruese në Kullën e Zaptive në fshatin Zym.

Sipas këtij njoftimi, bëhet fjalë për një ndërtesë me rëndësi historike dhe arkitektonike.

“Ky projekt synon të sigurojë ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kësaj ndërtese, e cila ka pasur funksione të ndryshme publike deri në mesin e shekullit XX”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

QRTK Prizren ka bërë të ditur se stafi profesional është i angazhuar që hartimi i projektit të përfundojë brenda afateve optimale, duke respektuar standardet më të larta në fushën e konservimit dhe restaurimit.

“Të gjitha fazat e punës po realizohen me kujdes të veçantë, duke u mbështetur në hulumtime historike dhe analiza teknike të detajuara. Pas përfundimit të procedurave ligjore, do të nisë zbatimi i projektit, duke mundësuar ndërhyrje të nevojshme për mbrojtjen dhe funksionalizimin e ndërtesës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Gjithashtu theksohet se ky është një hap i rëndësishëm drejt valorizimit të trashëgimisë kulturore dhe forcimit të identitetit historik të komunitetit në Zym. /Telegrafi/

The post QRTK Prizren nis hartimin e projektit për restaurimin e Kullës së Zaptive në Zym appeared first on Telegrafi.

“EC Ma Ndryshe” reagon pas shembjes së murit të një ndërtese në Qendrën Historike, thotë se institucionet nuk ndërmorën masa emergjente mbrojtëse

4 February 2025 at 11:56

Monitoruesit e OJQ-së “EC Ma Ndryshe” kanë reaguar lidhur me shembjen e murit të një ndërtese në Qendrën Historike, duke theksuar se institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë masa emergjente mbrojtëse.

Sipas EC-it, muri i ndërtesës me fasadë karakteristike në rrugën “Marin Barleti” në Prizren është shembur, disa muaj pasi që Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët ka adresuar komentin se duhet të merren masa dhe të intervenohet sa më parë nga institucionet përkatëse që të parandalohet ndonjë fatkeqësi.

“Ky komision më 26 shtator 2024 ka qenë në terren, në objektin në ngastrën kadastrale nr.03338-1, ku pas evidentimit në vendin e ngjarjes ka pohuar se pas zhvillimeve të punimeve në ngastrën fqinje për gërmimin e bodrumit ka ardhur deri te dëmtimi i themelit të ndërtesës, e cila ka pësuar zhvendosje dhe për pasojë janë paraqitur plasaritje dhe humbje në stabilitet. Komisioni asokohe ka pohuar se objekti rrezikon të shembet dhe paraqet rrezik permanent për pronarin dhe kalimtarët, të cilët frekuentojnë në perimetër të objektit, dhe ka kërkuar masa e intervenim të menjëhershëm”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Aty shtohet se pas këtij raporti, me 10 tetor 2024 edhe QRTK-ja në Prizren ka kërkuar nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë marrjen e masave lidhur me këtë ndërtesë.

“Sipas verifikimit në terren, gjatë punimeve në ngastrën e lartpërmendur, përmes gërmimit me ekskavator është dëmtuar ndërtesa fqinje dhe se pas shkaktimit të dëmit të konstatuar, nga inspektorati nuk janë ndërmarrë asnjë masë mbrojtëse në sigurimin statik dhe parandalimin e shkatërrimit total të ndërtesës dhe rrezikimin e kalimtarëve të rastit. Andaj, sipas kompetencave dhe përgjegjësive tuaja, kërkojmë që të ndërmerren masat emergjente mbrojtëse për ndërtesën në ngastrën kadastrale P-71813068-03338-1”, thuhet në shkresën e QRTK-Prizren, sipas EC-it.

Kjo organizatë ka pohuar se pas shembjes së një pjese të ndërtesës gjatë javës së shkuar, QRTK-Prizren më 30 janar 2025, sërish ka dërguar një shkresë në adresë të DES-it, ku thuhet se nuk është ndërmarrë asnjë masë, dhe se pas ndodhisë inspektorët komunal e kanë siguruar hapësirën përmes vendosjes së shiritave për pengimin e qarkullimit të njerëzve në këtë hapësirë.

“Sipas QRTK-së, hapësira ku ndodhet kjo ndërtesë është brenda Qendrës Historike të Prizrenit, e cila gëzon status të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Në vijim QRTK ka ofruar udhëzime për ndërmarrjen e masave parandaluese të rrezikut, në mënyrë që të aplikohen standardet për ruajtjen e mbrojtjen efektive të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë EC ka shtuar se Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve që paraqesin rrezikshmëri për qytetarët më 30 janar 2025 ka dalë në terren për të inspektuar këtë ndërtesë dhe ka konstatuar se situata është përkeqësuar më tej, “pasi një mur i ndërtesës është shembur plotësisht, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët dhe kalimtarët”.

Komisioni, sipas EC-it, edhe në këtë rast ka vlerësuar se ndërhyrja emergjente është e domosdoshme për të parandaluar dëme të mëdha materiale dhe njerëzore.

 

Lidhur me këtë rast, EC ka kërkuar informata edhe nga DI, por nuk ka pranuar përgjigje.

“Për EC-in, neglizhenca e institucioneve përkatëse për të ndërmarrë masa emergjente mbrojtëse në raste të tilla është e papranueshme për shkak se në këtë mënyrë mund të rrezikohen jetët e njerëzve. EC përsërit qëndrimin e kahershëm se siguria e qytetarëve është prioritet, dhe në këtë linjë thekson qëndrimin se institucionet përgjegjëse në bashkëpunim me komunitetin duhet të ndërmarrin veprime adekuate me kohë që ndërtesat e vjetra mos të degradojnë deri në masën sa të paraqesin rrezik për sigurinë e pronarëve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Në këtë rast edhe zhvillimi i punimeve nga investitorët e punëkryesit duhet të jetë i kujdesshëm për mos dëmtimin e strukturave të ndërtesave të vjetra në Qendrën Historike”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Me këtë rast EC ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të rrisin vigjilencën për të monitoruar situatën e punimet, dhe për të ndërmarrë veprime të duhura ligjore me kohë ashtu që ndërtesat e vjetra në Qendrën Historike mos të shndërrohen në rrezik për qytetarët, por të jenë vlerë e qytetit dhe ti shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm. /Telegrafi/

The post “EC Ma Ndryshe” reagon pas shembjes së murit të një ndërtese në Qendrën Historike, thotë se institucionet nuk ndërmorën masa emergjente mbrojtëse appeared first on Telegrafi.

❌
❌