Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

GIZ Kosova: Bashkëpunim për qytete më të gjelbra dhe më të jetueshme

27 August 2025 at 12:17

GIZ Kosova dhe Komuna e Prizrenit, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin e planifikimit urban të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

Në njoftim thuhet se marrëveshjet fokusohen në përmirësimin e hapësirave publike, rritjen e qëndrueshmërisë së qyteteve ndaj rreziqeve klimatike, si dhe zbatimin e projekteve demonstruese përmes zgjidhjeve të bazuara në natyrë për të adresuar sfidat klimatike.

“Njëkohësisht, ato promovojnë procese gjithëpërfshirëse të planifikimit që angazhojnë komunitetin, sigurojnë barazi gjinore dhe mbrojnë biodiversitetin”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjermania dhe Zvicra, përmes GIZKosovo, po mbështesin Kosovën në këtë angazhim të përbashkët për komuna më të gjelbra, dhe më të mira për jetesë. /Telegrafi/

 

 

The post GIZ Kosova: Bashkëpunim për qytete më të gjelbra dhe më të jetueshme appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin se lejuan rrënimin e “Sarajit të vjetër” në Prizren , shkaktuan dëm në vlerë mbi 15 milionë euro

18 August 2025 at 14:02

Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër P.B., dhe E.Th., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sipas aktakuzës, të pandehurit P.B. dhe E.Th., në cilësitë e tyre zyrtare në Komunën e Prizrenit, duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat ligjore, kanë lejuar rrënimin e objektit të mbrojtur kulturor “Saraji i vjetër” dhe ndërtimin e një kompleksi banesor, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm trashëgimisë kulturore në vlerë prej mbi 15 milionë euro.

“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej datës 05.01.2024 deri më 04.04.2024 në Prizren, i pandehuri i parë P.B., në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i drejtorisë për urbanizëm në Komunën e Prizrenit, ndërsa e pandehura e dytë E.Th., në cilësinë e bashkëpunëtores profesionale në DUPH në komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre dhe nuk i përmbushin detyrat me qëllim të shkaktimit të dëmit Ministrisë së Kulturës (MKRS), duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh., në atë mënyrë që i pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi “Saraji i vjetër” në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon  më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i vjetër” në Prizren, krejt kjo në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ashtu që me dashje tejkalojnë dhe nuk i përmbushin detyrat e tyre të cila janë të përcaktuara me ligj në drejtimin të moslejimit të rrënimit të objektit “Saraji i vjetër” dhe ndërtimit mbi gërmadhat e saj të kompleksit banesor, me ç’rast shkaktohet një dëm i pariparueshëm i trashëgimisë kulturore në shumë rreth 15.961.832.70 € (pesëmbëdhjetë milionë, e nëntëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e tridhjetë e dy euro, e shtatë dhjetë cent)”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim me këto veprime, të pandehurit e lartëcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/

 

 

The post Aktakuzë ndaj dy personave nën dyshimin se lejuan rrënimin e “Sarajit të vjetër” në Prizren , shkaktuan dëm në vlerë mbi 15 milionë euro appeared first on Telegrafi.

Vrasja e shtetasit irakian në Vërmicë të Prizrenit, ngrihet aktakuzë ndaj një personi

23 July 2025 at 13:24

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.A., i  cili gjenden nën masën e paraburgimit nga data 15.10.2024 për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “vrasja e rëndë” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se: “Sipas aktakuzës, i pandehuri M.A., më dt. 17-18.06.2022,  në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të grupit të tij dhe grupit të të ndjerit J.H.– shtetas Irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve Sirian në territorin e Kosovës, duke vepruar i armatosur me dashje privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, në drejtim të të ndjerit, ku sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të dr. Naim Halitit, vdekja e të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës, po ashtu, me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve, ku pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi,  video-incizime të vrasjes të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social ‘Whats app’ në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve, Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i njëjti ka poseduar pa leje valide armën – pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H. gjë që shihet nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Vrasja e shtetasit irakian në Vërmicë të Prizrenit, ngrihet aktakuzë ndaj një personi appeared first on Telegrafi.

Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit

19 July 2025 at 21:28

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, sonte në Prizren ka prezantuar publikisht kandidatin e partisë së tij për kryetar komune.

Në një ngjarje të mbajtur në sheshin Kej, përballë Xhamisë së Sinan Pashës në qendër të Prizrenit, u bë e ditur se kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 është Artan Abrashi.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se Abrashi është një figurë me vizion, i ndershëm dhe punëtor, duke theksuar se Vetëvendosje po hyn në këto zgjedhje me një ekip të fortë dhe një program të qartë për ndryshim dhe përparim në qytet.

Zyrtarët e partisë bënë të ditur se gjatë fushatës zgjedhore do të ketë takime të tjera me qytetarët në të gjitha lagjet e Prizrenit. /RTK/

The post Albin Kurti prezanton Artan Abrashin kandidat për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prizrenit hap oborret e shkollave për nevoja të parkimit për bashkatdhetarët

17 July 2025 at 08:22

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj ka njoftuar se oborret e disa shkollave do të jenë hapësira për parkim për mërgimtarët.

Totaj ka shkruar në Facebook se kjo është një dhuratë e vogël por me zemër të madhe, transmeton Telegrafi.

“Mirë se vini në shtëpi! Për të gjithë bashkatdhetarët që po kthehen në Prizren për pushime, kemi një dhuratë të vogël por me zemër të madhe: Oborret e shkollave tona do të jenë hapësira parkimi FALAS për ju dhe familjet tuaja! Shkollat “Lidhja e Prizrenit”, “Gjon Buzuku”, “Dëshmorët e Zhurit”, “Emin Duraku” dhe “Motrat Qiriazi” janë tashmë në shërbimin tuaj”, ka pohuar ai.

Mes tjerash, ai shtoi se Prizreni është për bashkatdhetarët./Telegrafi/

The post Komuna e Prizrenit hap oborret e shkollave për nevoja të parkimit për bashkatdhetarët appeared first on Telegrafi.

Kuvendi i Komunës me seancë solemne shënon 26-vjetorin e çlirimit të Prizrenit

12 June 2025 at 15:44

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 26-vjetorit të çlirimit të Prizrenit, të enjtën është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, familjarë të dëshmorëve, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, studentë si dhe qytetarë të shumtë.

Seanca u hap me homazhe për të rënët dhe me fjalë mirënjohjeje për kontributin e luftëtarëve të lirisë. Përfaqësuesit e subjekteve të ndryshme politike vlerësuan luftën e UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, raporton Telegrafi.

Gjatë këtyre fjalimeve është theksuar se kujtimi i të rënëve dhe sakrifica e brezit të luftës janë frymëzim për të punuar me përkushtim në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për vendin.

Aktivitetet përkujtimore për çlirimin e Prizrenit do të vijojnë edhe në orët në vijim. /Telegrafi/

The post Kuvendi i Komunës me seancë solemne shënon 26-vjetorin e çlirimit të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Prizreni nis shënimin e 26-vjetorit të çlirimit me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë

12 June 2025 at 13:36

Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit, të enjten, ka nisur me homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Landovicë me pjesëmarrjen e udhëheqësve institucionalë, familjarëve të dëshmorëve, përfaqësuesve të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarëve.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me akterët tjerë kanë përkujtuar sakrificën e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

“Dëshmorët e kombit e kanë vendin më të veçantë në historinë e lavdishme të Kosovës, pasi ata dhanë më të shtrenjtën – jetën – për liri. Le të na shërbejë kjo ditë si kujtesë për sakrificën e madhe të popullit dhe për organizimin e jashtëzakonshëm politik e ushtarak të vajzave dhe djemve që u vunë në mbrojtje të atdheut. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!”, është shprehur kryetari Totaj, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Telegrafi.

Shënimi i përvjetorit të 26-të të çlirimit të Prizrenit do të vazhdojë gjatë ditës me aktivitete të ndryshme. /Telegrafi/

The post Prizreni nis shënimin e 26-vjetorit të çlirimit me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë appeared first on Telegrafi.

DokuFest kërkon sqarim publik për zvogëlimin e mbështetjes nga Komuna e Prizrenit

11 June 2025 at 13:37

Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest ka vazhduar shprehjen e mos pajtimit me vendimmarrjen e Komunës së Prizrenit përkatësisht Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ndarjen e subvencioneve.

DokuFest nga zyrtarët komunalë ka kërkuar transparencë lidhur me arsyet për zvogëlimin e përkrahjes për këtë ngjarje kulturore.

“Derisa buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport i Komunës së Prizrenit është duke u rritur nga viti në vit, në këto dy vitet e fundit subvencionet e DKRS për DokuFestin janë duke u zvogëluar! Nëse ky veprim i drejtorisë përkatëse nuk është çështje buxhetore, atëherë ne kërkojmë sqarim publik se cilat janë arsyet e zvogëlimit të përkrahjes për festivalin tonë, i cili gjerësisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në Kosovë”, thuhet në reagimin e publikuar të mërkurën, raporton Telegrafi.

Reagimi i DokuFestit ka ardhur pas njoftimit të DKRS-së, në të cilin thuhej se vlera e mbështetjes për këtë festival gjatë katër viteve (2022-2025) ka qenë rreth 500 mijë euro bashkë edhe me ofrimin e mbështetjes së pakursyer logjistike, organizative dhe hapësirave në shfrytëzim.

Një ditë më parë, DokuFest ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit. Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar. /Telegrafi/

 

The post DokuFest kërkon sqarim publik për zvogëlimin e mbështetjes nga Komuna e Prizrenit appeared first on Telegrafi.

DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet

10 June 2025 at 17:46

Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit i është përgjigjur pretendimeve të DokuFestit, duke theksuar se mbështetja për këtë festival gjatë katër viteve të fundit ka qenë rreth gjysmë milioni euro.

Në komunikatën e DKRS-së thuhet se organet komunale janë krenare për mbështetjen financiare dhe logjistike të ofruar për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

“DokuFest-i është krenaria e Kosovës, jo vetëm e Prizrenit. Një festival që i ka sjellë dhe vazhdon ti jap shumë qytetit tonë të kulturës, artit, trashëgimisë, historisë dhe jo vetëm. Komuna e Prizrenit është krenare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit gjatë katër viteve të këtij mandati duke e mbështetur jo vetëm financiarisht, por edhe në të gjitha kapacitetet e tij. Rreth 500 mijë euro është vlera e mbështetjes për DokuFest-in gjatë katër viteve (2022-2025), dhe mbështetje e pakursyer logjistike, organizative dhe hapësira në shfrytëzim”, thuhet në komunikatë, raporton Telegrafi.

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se DokuFestin e sheh si pjesë të pandashme të identitetit të qytetit të bukur të Prizrenit dhe se mbështetja do të vazhdojë edhe më tej.

“Si vazhdimësi e këtij partneriteti afatgjatë, në edicionin e kaluar, kryetari Shaqir Totaj organizoi një pritje për të gjithë artistët dhe mysafirët e festivalit duke përcjellë mesazhin që i kishte munguar qytetit. E njëjta praktikë do të vazhdojë edhe këtë edicion”, thuhet në komunikatë.

DKRS ka theksuar se në Prizren, po ashtu zhvillohen edhe shumë festivale tjera të njohura dhe aktivitete që e gjallërojnë qytetin gjatë 12 muajve.

“Komuna i mbështetë të gjitha dhe ka qenë e hapur, bashkëpunuese dhe shumë dashamirëse me DokuFestin, për çka e pret të njëjtën edhe nga drejtuesit e Festivalit”, përfundon komunikata.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest të martën ka shprehur shqetësimin sikurse edhe zhgënjimin ndaj vendimit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Komunës së Prizrenit për të ulur përsëri ndjeshëm mbështetjen financiare për edicionin e këtij viti të festivalit.

Sipas këtij festivali, mbështetja për këtë vit është ulur për 30% në krahasim me vitin e shkuar. /Telegrafi/

The post DKRS reagon ndaj kritikave të DokuFestit, rreth 500 mijë euro mbështetje për katër vjet appeared first on Telegrafi.

Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale

9 June 2025 at 10:55

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit dhe ata të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) kanë nënshkruar marrëveshjen për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”. Në ceremoni ka qenë e pranishme edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në projektin e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, do të investohen 478 mijë euro me mbështetje 90% nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes grantit të Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e komunës prej 10%.

Ministrja Rizvanolli ka theksuar se kur është dizajnuar pakoja emergjente e BE-së për energji, “një prej sfidave ka qenë balancimi i dy objektivave të sistemit të energjisë në njërën anë dhe nga ana tjetër të siguruarit që po i prekim shtresat më të ndjeshme”.

“Duke i pas parasysh sfidat e qasjes te kjo kategori, kemi menduar se targetimi i banesave sociale është një mënyrë më e mirë, pasi është numër i madh i familjeve”, ka thënë Rizvanolli, duke shprehur bindjen se këto familje, këtë dimër do ta kalojnë më ngrohtë.

Nga investimet në tri ndërtesa shumë-banesore sociale, sipas njoftimit, do të përfitojnë 250 banorë. Në ndërtesa do të kryhen punime në izolimin e mureve të jashtme, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të hyrjes, termoizolimin e kulmit, do të vendoset sistemi i ngrohjes me kondicioner ajri, renovimi i hyrjeve, vendosja e interfonisë dhe masat për mbrojtje kundër zjarrit/detektorët e tymit.

Projekti në Prizren është pjesë e një programi të gjerë në nivel vendi, ku tashmë kanë filluar punimet në 12 komuna të tjera, ku përfshihet renovimi i 28 ndërtesave sociale, me një vlerë totale prej mbi 6 milionë euro, ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë.

Në ceremoninë e nënshkrimit përveç ministres Rizvanolli kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, drejtor menaxhues i FKEE-së, Driton Hetemi dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. /Telegrafi/

The post Prizreni përfiton nga projekti për efiçiencë të energjisë në banesat sociale appeared first on Telegrafi.

Pavarësisht kritikave, miratohet Rregullorja për menaxhimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit

4 June 2025 at 10:42

Rregullorja për varrimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja të Prizrenit në Landovicë është miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.

Diskutimet dhe mos pajtimet lidhur me përmbajtjen e këtij akti komunal kanë vijuar edhe në vazhdimin e seancës së rregullt. Por në fund, me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm është aprovuar rregullorja në fjalë.

Karanfil Haxhillari nga LVV ka theksuar se vërejtjet e kritikat e shprehura në seancën e javës së shkuar nuk janë përfshirë në Rregullore.

“Substancialisht kjo rregullore mbetet e njëjta me atë që e patëm kundërshtuar javën e shkuar. Nuk jemi kundër hapësirës së re të varrezave, për shkak të kushteve që janë krijuar në varrezat aktuale të qytetit. Ne jemi kundër formës së menaxhimit të varrezave të reja”, ka thënë Haxhillari, raporton Telegrafi.

Nënkryetari Kujtim Gashi ka pohuar se vërejtjet janë marrë parasysh, dhe ka shtuar se kuvendari Haxhillari ose nuk e ka kuptuar këtë ose po kundërshton me qëllim.

“Mbulimin e shpenzimeve e ka përsipër Komuna e Prizrenit, ashtu siç ka qenë deri më sot”, ka thënë Gashi, duke pohuar se praktikat e deritanishme do të vijojnë ndonëse me vendimmarrje pasuese.

Haziz Hodaj i LDK-së ka theksuar se ka ende shumë dilema dhe nuk është e qartë se çka po votohet.

Por nënkryetari Gashi ka theksuar se subvencionimi bëhet me praktikën e deritanishme dhe se për këtë nevojiten vendimet pasuese. Në të njëjtën kohë ka dhënë sqarime për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e varrezave të reja nga operatori ekonomik.

“Për sa kohë që vonohet votimi i Rregullores, vonohet edhe funksionalizimi i varrezave të reja”, është shprehur Gashi, raporton Telegrafi.

Hodaj i LDK-së ka shtuar se ky subjekt nuk do ta bllokojë miratimin e Rregullores, duke e ditur se e njëjta mund të ndryshohet me kalimin e kohës.

Pas diskutimeve nga 23 anëtarët e pranishëm në seancë, 16 sosh kanë votuar për, 2 kundër dhe 1 anëtar ka abstenuar. /Telegrafi/

 

 

 

The post Pavarësisht kritikave, miratohet Rregullorja për menaxhimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Prizreni hap thirrjen për ndihma ushqimore për komunitetet, kuvendari Hoxhaj reagon për kriteret  

30 May 2025 at 16:31

Komuna e Prizrenit ka shpallur thirrjen publike për mbështetjen e nevojtarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë me pako ushqimore dhe higjienike.

Përmes këtij njoftimi ka ftuar të interesuarit që të aplikojnë për këtë subvencion.

“Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, ndan subvencione dhe transfere për persona fizik për furnizim me pako ushqimore dhe higjienike për familjet skamnore nga radhët e komunitetit minoritar në Komunën e Prizrenit. Përmes thirrjes publike fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për përfitim të subvencionit”, thuhet në njoftim.

Dokumentet e nevojshme për aplikim sipas njoftimit janë: Kërkesa e palës (mund të merret në Zyrën për Komunitete dhe Kthim); Dokumenti valid i identifikimit i Republikës së Kosovës (kopje); Certifikata e bashkësisë familjare (Origjinal); Vërtetim nga zyra e punësimit për të rriturit mbi 18 vjeç (Origjinal); Vendimi i pensionit invalidor ose e pensionit me aftësi të kufizuara (kopje); Raport nga mjeku me diagnozë, për të sëmurin në familje (për sëmundje të rënda kronike jo më i vjetër së gjashtë muaj – kopje); Vërtetimi ose kontrata se është i punësuar nga punëdhënësi; Dëshmi që vërteton se është nënë vetushqyese / baba vetushqyes.

“Thirrja publike do të jetë e hapur prej datës 27.05.2025 deri më 27.06.2025”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Lidhur me këtë thirrje ka reaguar kuvendari Petrit Hoxhaj, i cili ka vlerësuar se kriteret e caktuara nga Komuna për këtë thirrje janë të papranueshme.

“Është e papranueshme dhe e patolerueshme që Komuna e Prizrenit, Zyra për Komunitete dhe Kthime për një pako ushqimore të thjeshtë, po vendos kritere dhe kërkesa dokumentacioni që vetëm i largojnë dhe i poshtërojnë ata që më së shumti kanë nevojë”, ka shkruar Hoxhaj.

Sipas tij në këtë rast kërkohet nga qytetarët e komuniteteve jo-shumicë që mjerimin ta dëshmojnë me dosje.

“A ka kuptim që për një thes miell apo një pako vaj, një familje e skamur të detyrohet të sigurojë dokumente, vërtetime. Madje as për vulën apostile nuk kërkojnë kaq shumë.  Në çfarë bote jetojmë, kur për një ndihmë elementare humanitare, qytetarit i kërkohet të vërtetojë mjerimin e vet me dosje në dorë?”, është shprehur Hoxhaj, raporton Telegrafi.

Ai ka shprehur bindjen se nëse një njeri do të kishte mundësi t’i siguronte të gjitha këto dokumente, me siguri nuk do të sillej tek dera e komunës për një ndihmë ushqimore.

“Kjo është një padrejtësi sociale dhe një shkelje e dinjitetit njerëzor. I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit që të rishikojë menjëherë këto kritere dhe të krijojë një qasje më humane dhe më të thjeshtë për dhënien e ndihmave. Ndihmat ushqimore nuk janë projekte burokratike – janë akte emergjente solidariteti, dhe duhet të mbërrijnë te njerëzit që kanë më shumë nevojë, pa i detyruar ata të provojnë varfërinë me letra dhe vula”, ka theksuar Hoxhaj. /Telegrafi/

 

The post Prizreni hap thirrjen për ndihma ushqimore për komunitetet, kuvendari Hoxhaj reagon për kriteret   appeared first on Telegrafi.

Operatori ekonomik dhe zyrtarët e Prizrenit shqyrtojnë progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

23 May 2025 at 15:29

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se të premten është mbajtur takimi konsultativ lidhur me progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).

Sipas njoftimit, në këtë takim është theksuar rëndësia e hartimit të draftit final të PZHK-së dhe përfshirjes së të gjithë akterëve në procesin e planifikimit.

“Takimi shërbeu për t’i përshpejtuar hapat e mëtejshëm dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës për Komunën e Prizrenit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Në këtë takim operatori ekonomik i kontraktuar për hartimin e PZHK-së ka prezantuar procesin e punës dhe aktivitetet e përgatitjes së këtij Plani.

Procesi i prokurimit për hartimin e PZHK-së nga Komuna e Prizrenit është iniciuar në fund të vitit 2023. Ndërkaq operatori përkatës është kontraktuar në mars të vitit 2024. Vlera e kësaj kontrate sipas njoftimit të publikuar në platformën e prokurimit elektronik është 385 mijë euro. /Telegrafi/

The post Operatori ekonomik dhe zyrtarët e Prizrenit shqyrtojnë progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal appeared first on Telegrafi.

EC Ma Ndryshe kërkon shkarkimin apo dorëheqjen e drejtorit komunal në Prizren me aktakuzë për keqpërdorim detyre

22 May 2025 at 11:56

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimit të enjten ka kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj që të respektojë zotimin se askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e qeverisë komunale.

Për këtë arsye është kërkuar shkarkimi ose dorëheqja e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“EC Ma Ndryshe duke marrë parasysh nevojën për funksionimin e institucioneve publike me integritet dhe qeverisjen e tyre me etikë, kërkon shkarkimin e menjëhershëm apo dorëheqjen e drejtorit komunal ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Kjo organizatë joqeveritare ka sjellë në kujtesë premtimet elektorale të dhëna nga Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe subjekti i tij politik se “askush me aktakuzë nuk do të jetë pjesë e kabinetit qeverisës”.

“Prandaj tani, çdo qëndrim ndryshe përbën shkelje të drejtpërdrejtë të besimit qytetar, dëmton transparencën institucionale dhe e bën të pakuptimtë luftën ndaj korrupsionit në nivel lokal. Për këtë arsye, EC kërkon që Kryetari i Komunës të veprojë në përputhje me zotimet publike dhe të shkarkojë zyrtarin në fjalë, duke treguar se etika dhe integriteti janë vlera që zbatohen në praktikë, jo vetëm në fushatë; dhe në këtë mënyrë të mundësohet që proceset pranë organeve të drejtësisë të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe transparente, pa ndikime politike apo institucionale”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.

Prizreni, sipas EC-it, meriton një administratë komunale që është shembull i përgjegjësisë, që në përputhje me deklaratën në Planin e integritetit, zbaton në mënyrë sistematike dhe gjithëpërfshirëse standarde, parime dhe objektiva për parandalimin e korrupsionit dhe sjelljeve tjera të paligjshme dhe joprofesionale.

Ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.D., Y.G., Q.K., S.V., E.Sh., L.S., B.J., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe D.N., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik”.

Një ditë më parë, dega e LDK-së në Prizren ka vlerësuar si të papranueshme heshtjen e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj pas aktakuzës ndaj disa zyrtarëve komunalë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Madje ky subjekt politik ka theksuar se “heshtja e kryetarit Totaj është bashkëfajësi”. /Telegrafi/

The post EC Ma Ndryshe kërkon shkarkimin apo dorëheqjen e drejtorit komunal në Prizren me aktakuzë për keqpërdorim detyre appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prizrenit ndërmerr masa kundër shitjes së pijeve energjike dhe alkoolike për të miturit

22 May 2025 at 11:29

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se inspektorët gjatë muajit maj kanë ndërmarrë veprime drejt parandalimit të shitjes së pijeve energjike dhe alkoolike për personat nën moshën 18 vjeç.

Me këtë rast, sipas njoftimit, janë vendosur shenja paralajmëruese për të siguruar zbatimin e kësaj mase.

“Gjatë këtij muaji, Drejtoria e Inspektorateve ka realizuar aksion për t’i mbrojtur të rinjtë, duke ndaluar shitjen e pijeve energjike dhe alkoolike për personat nën moshën 18 vjeç. Inspektorët kanë kontrolluar tregun dhe kanë vendosur shenja paralajmëruese në lokale dhe dyqane për ta siguruar zbatimin e kësaj mase”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Qëllimi sipas Komunës së Prizrenit është ruajtja e shëndetit të të rinjve dhe ndërgjegjësimi për rreziqet e konsumit të këtyre produkteve në moshë të re. /Telegrafi/

The post Komuna e Prizrenit ndërmerr masa kundër shitjes së pijeve energjike dhe alkoolike për të miturit appeared first on Telegrafi.

Prizreni përmbyll buxhetimin me pjesëmarrje, banorët e Malësisë së Re vendosin për terrenin sportiv

22 May 2025 at 09:25

Komuna e Prizrenit ka përmbyllur ciklin e takimeve të buxhetimit me pjesëmarrje, me procesin e votimit të komunitetit për projektin prioritar në fshatin Malësi e Re.

Banorët e këtij fshati me shumicë votash janë përcaktuar për ndërtimin e një terreni sportiv.

“Në kuadër të takimeve për “Buxhetim me Pjesëmarrje”, banorët e fshatit Malësi e Re votuan për projektin “Terren sportiv në oborrin e shkollës ose në Bokë”. Ky projekt, që u propozua dhe u votua nga vet banorët, do të financohet nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftim.

Buxhetimi me pjesëmarrje sivjet është realizuar në shtatë lokalitete të Komunës së Prizrenit.

Shtatë projektet e përzgjedhura do të financohen nga Komuna e Prizrenit me nga 100 mijë euro me buxhetin e vitit 2026.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka bërë të ditur se ky është viti i tretë që organet komunale e zbatojnë këtë praktikë në kuadër të nismës “Paratë tona, idetë tona, Prizreni ynë”.

Sipas tij, qëllimi i kësaj nisme është përfshirja e qytetarëve të Komunës së Prizrenit në vendimmarrje.

Nisma në fjalë ka lindur si rezultat i bashkëpunimit të mëhershëm me USAID-in.

Ndërkaq në muajin gusht do të vijojnë edhe dëgjimet me publikun për buxhetin e vitit 2026. /Telegrafi/

The post Prizreni përmbyll buxhetimin me pjesëmarrje, banorët e Malësisë së Re vendosin për terrenin sportiv appeared first on Telegrafi.

Prizreni nis ndërtimin e “Shtëpisë për Mbrojtjen e Fëmijëve”, vlera mbi 600 mijë euro

20 May 2025 at 09:30

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë vënë gurin themeltar për ndërtimin e “Shtëpisë për Mbrojtjen e Fëmijëve” në Lagjen e Trimave. Sipas tyre realizimi i këtij projekti do të mundësojë ofrimin e strehimit, mbështetjes psikologjike, kujdesit shëndetësor dhe mundësive edukative për fëmijët në nevojë.

Kryetari Shaqir Totaj ka bërë të ditur se nisja e ndërtimit të kësaj shtëpie është dëshmi e përkushtimit të qeverisë komunale për fëmijët.

“Nuk është vetëm një projekt, një ndërtesë, por është një përkushtim i qeverisë lokale për fëmijët, sepse ata janë e ardhmja, perspektiva jonë. Me iniciativën e faktorëve relevantë që e kanë identifikuar nevojën Komuna e Prizrenit e ka planifikuar në buxhet dhe ka filluar punën për ndërtimin e shtëpisë për përkujdesje ndaj fëmijëve, me vlerë mbi 600 mijë euro”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Foto ilustrim

Drejtoresha për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Shpresa Murati ka theksuar se ky projekt synon t’u sigurojë fëmijëve ambient të sigurt dhe mundësi për një fillim të ri, duke ofruar mbrojtje ligjore dhe sociale, aktivitete kreative e kujdes 24 orë.

“Në këtë objekt do të ofrohen shërbime dhe përkujdesje ndaj fëmijëve në nevojë, viktimave të dhunës së formave të ndryshme, etj.”, ka deklaruar ajo.

Foto ilustrim

Zyrtari nga Qendra për Punë Sociale, Bashkim Rakaj ka theksuar se kjo shtëpi do të jetë një strehë shprese për fëmijët që janë në rrezik dhe në nevojë.

“Projekti është jashtëzakonisht i nevojshëm sepse buron si obligim edhe nga Ligji për mbrojtjen e fëmijëve”, është shprehur ai.

Sipas dispozitave të ligjit përkatës Shtëpia për Mbrojtjen e Fëmijës ofron shërbime emergjente për mbrojtjen e fëmijës, jo më gjatë se tri ditë. /Telegrafi/

 

The post Prizreni nis ndërtimin e “Shtëpisë për Mbrojtjen e Fëmijëve”, vlera mbi 600 mijë euro appeared first on Telegrafi.

Kryetari Totaj nënshkruan marrëveshjen për financimin e rinovimit të Stacionit të Autobusëve në Prizren

19 May 2025 at 11:46

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ndërtesa e Stacionit të Autobusëve në Prizren do të rinovohet bashkë me rregullimin e infrastrukturës përkatëse.

Ky projekt sipas njoftimit të Komunës do të realizohet me mjetet nga Granti i Performancës Komunale, raporton Telegrafi.

“Kryetari Shaqir Totaj nënshkroi sot marrëveshje për mbështetje financiare të projektit “Rregullimi i infrastrukturës dhe renovimi i objektit të Stacionit të Autobusëve në Prizren”, i cili projekt do të mbështetet nga skema e grantit për performancë komunale, nga e cila Komuna e Prizrenit është shpërblyer me 2.047.132,85 euro, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Helvetas Swiss Intercooperation, përfaqësuar nga menaxheri i projektit DEMOS”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit. /Telegrafi/

The post Kryetari Totaj nënshkruan marrëveshjen për financimin e rinovimit të Stacionit të Autobusëve në Prizren appeared first on Telegrafi.

Prizreni nis procedurat e prokurimit për ndërtimin e tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor, vlera 1.3 milion euro

16 May 2025 at 08:55

Komuna e Prizrenit ka iniciuar procedurat e prokurimit për projektin e titulluar “Ndërtimi i tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor”.

Sipas njoftimit të publikuar vlera e parashikuar e kontratës është 1 milion e 290 mijë euro. Projekti është përshkruar si tre vjeçar.

“Do të rregullohet komplet infrastruktura në tregun e gjelbër dhe rregullimi i parkingut nëntokësor”, thuhet në përshkrimin e shkurtër, ku gjithashtu theksohet se do të ketë punë ndërtimore, instalim të ujësjellësit e kanalizimit, si dhe punë të instalimeve elektrike, raporton Telegrafi.

Afati i fundit për operatorët ekonomik për paraqitjen e ofertave është përcaktuar data 16 qershor 2025.

Nisja e këtyre procedurave është autorizuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj me vendimin e datës 29 prill 2025.

“Miratohet kërkesa e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, për lejimin e realizimit të projektit: “Ndërtimi i tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor në Prizren”, kështu që, për këtë qëllim lejohet shpallja e tenderit për mbledhjen e ofertave përkatëse”, thuhet në vendim, raporton Telegrafi.

Aty sqarohet se ky projekt realizohet konform marrëveshjes mes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, DEMOS-it dhe Komunës së Prizrenit, të nënshkruar me datën 18 mars 2025. /Telegrafi/

The post Prizreni nis procedurat e prokurimit për ndërtimin e tregut të gjelbër dhe parkingut nëntokësor, vlera 1.3 milion euro appeared first on Telegrafi.

Rregullohet zona përreth burimit natyral në Poslisht, krijohen kushte më të mira për vizitorët

14 May 2025 at 13:52

Autoritetet komunale të Prizrenit të mërkurën kanë përuruar parkun e rregulluar përreth hapësirave te “Gurra” në fshatin Poslisht. Me këtë rast është theksuar se ky aset natyror ofron potencial për zhvillimit e turizmit në këtë anë, prandaj dhe janë krijuar kushte më të mira për vizitorët.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka vlerësuar se projekti i realizuar nga buxheti komunal i shërben si banorëve të kësaj ane ashtu edhe vizitorëve dhe kontribuon në promovimin e këtij aseti natyror.

“Ky është një aset natyror në territorin e Komunës së Prizrenit me potencial për zhvillimin e turizmit. Prandaj, në bashkëpunim me drejtorinë e Turizmit kemi vendos që ta realizojmë këtë projekt, me vlerë prej afër 130 mijë eurove”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Ndërkaq drejtori i Turizmit në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj ka përkujtuar se burimi natyror shquhet si për aspektin shëndetësor, ashtu edhe për bukurinë e qetësinë që ofron, prandaj dhe ka vizitorë të shumtë.

“Ky projekt është realizuar për të krijuar kushte më të përshtatshme për të vizitorët”, ka deklaruar Tarashaj, raporton Telegrafi.

Gjatë vitit të shkuar, MMPHI ka  marrë në mbrojtje  13 zona të trashëgimisë natyrore në territorin e Komunës së Prizrenit. Njëra prej tyre është burimi i ujit natyral në Poslisht, që është kategorizuar si vlerë e natyrës së kategorisë së III-të.

Në këtë mënyrë është përcaktuar edhe regjimi mbrojtës përkatës, ku ndalohen veprimtaritë që mund ta ndryshojnë gjendjen e tanishme të tij, ndezja e zjarrit, mbjellja e bimëve, ndryshimi i pamjes dhe hedhja e mbeturinave. /Telegrafi/

The post Rregullohet zona përreth burimit natyral në Poslisht, krijohen kushte më të mira për vizitorët appeared first on Telegrafi.

❌
❌