Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Nezir Çoçaj i bashkohet Nismës Socialdemokrate: Prizreni ka nevojë për njerëz me duar të pastra

11 July 2025 at 23:48

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj, ka zyrtarizuar sot aderimin e tij në Nismën Socialdemokrate, duke shpallur synimin për të qenë pjesë e listës zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet lokale në Prizren.

Në një adresim publik drejtuar qytetarëve, Çoçaj shprehu zhgënjimin e tij ndaj qeverisjes aktuale komunale, duke përmendur padrejtësitë, mungesën e ndershmërisë dhe neglizhencën ndaj mirëqenies së qytetarëve.

“Nga sot, angazhimin tim politik do ta vazhdoj në Nismën Socialdemokrate. Prizreni nuk ka nevojë për fjalë boshe, por për punë e për njerëz me duar të pastra”, theksoi ai.

Çoçaj ka qenë një prej figurave të njohura politike në Prizren, ndërsa mbështetësve të tij iu drejtua me fjalët:
“Edhe këtë herë, me ju. Unë jam gati”.

The post Nezir Çoçaj i bashkohet Nismës Socialdemokrate: Prizreni ka nevojë për njerëz me duar të pastra appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Besnik Krasniqi kandidat i AAK-së për kryetar të Prizrenit

2 July 2025 at 20:23

Besnik Krasniqi është kandidat për kryetar të Prizrenit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet komunale të 12 tetorit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se Besniku është një profesionist i dëshmuar me përvojë të gjerë në sektorin publik dhe atë ndërkombëtar, i cili ka ndërtuar karrierën e tij mbi parimet e përgjegjësisë, transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

“Ai përfaqëson një zgjidhje të denjë për qytetarët e Prizrenit, në kohën kur ky qytet ka nevojë për një udhëheqje vizionare dhe të përgjegjshme. Prizreni meriton një epokë të re zhvillimi, përmes projekteve strategjike në sferën ekonomike, kulturore dhe në fuqizimin e trashëgimisë e ngjarjeve artistike që i japin identitet këtij qyteti. Unë besoj në vizionin e Besnikut dhe në përkushtimin e kandidatëve të AAK-së për asamblenë komunale”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Zgjedhjet lokale në Kosovës mbahen më 12 tetor 2025.

The post Besnik Krasniqi kandidat i AAK-së për kryetar të Prizrenit appeared first on Telegrafi.

Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni

1 July 2025 at 11:31

Subjektet politike kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke zyrtarizuar disa prej kandidatëve për kryetarë komunash.

Gara pritet të jetë veçanërisht interesante në komunë e Ferizajt dhe Gjilanit, ku kryetarët aktualë synojnë të sigurojnë një mandat të ri. Ndërkohë, kandidatët e rinj janë të vendosur të sfidojnë pushtetin aktual dhe të arrijnë fitoren në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtë, transmeton Telegrafi.

Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), do të garojë për një mandat të dytë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me Arbër Ismailin si kandidat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Riad Rashiti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur që në këtë garë të hyjë me kandidatin Nazim Gagica.

Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Gjilanit?

Komuna e Gjilanit ka qenë nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga viti 2014 deri në vitin 2021 me Lutfi Hazirin kryetar. Ndërsa, në vitin 2021, udhëheqjen e komunës e mori LVV, me Alban Hysenin, i cili aktualisht është në fund të mandatit të tij të parë, dhe po ashtu synon mandatin e dytë.

Gara për Ferizaj;

Ndërkohë, në Ferizaj, kryetari aktual Agim Aliu do të kërkojë një tjetër mandat, duke garuar sërish si kandidat i PDK-së. LDK do ta konfirmojë Visar Azemin si kandidatin e saj për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor, ndërsa AAK do të përfaqësohet nga kandidatja Xhemile Murati.

Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Ferizajt?

Në 10 vitet e fundit, Ferizajn e kanë drejtuar dy kryetarë: Muharrem Svarqa (LDK) deri më 2017, dhe Agim Aliu (PDK) prej 2017 e deri më sot (2025), aktualisht në fund të mandatit të dytë dhe në garë për të tretin.

Përgatitjet për zgjedhjet nga KQZ;

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.

Subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.

“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, ka deklaruar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin. /Telegrafi/

 

 

 

The post Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni appeared first on Telegrafi.

Ramiz Lladrovci i bindur për fitore të thellë në Drenas

30 June 2025 at 21:40

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka folur për kandidaturën e tij për një mandat tjetër në zgjedhjet lokale të tetorit, duke shprehur bindje të plotë për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në këtë komunë.

Lladrovci ka përmendur rezultatet e zgjedhjeve të fundit qendrore, ku, sipas tij, PDK-ja në Drenas ka fituar 74% të votave dhe ka shtuar se në zgjedhjet lokale pret një përqindje shumë të lartë.

“Unë i pres 70-72% të votave në zgjedhjet lokale,” ka deklaruar ai në Debat Plus.

I pyetur nëse në këto zgjedhje do të fitojë PDK-ja si subjekt apo Ramiz Lladrovci si figurë politike, ai është përgjigjur: “Partia Demokratike në krye me Ramiz Lladrovcin,” duke theksuar se partia duhet të jetë krenare me punën që ai ka bërë në Drenas.

Ai ka shprehur besim se kontributi dhe projektet e realizuara gjatë mandatit të tij do të vlerësohen nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

The post Ramiz Lladrovci i bindur për fitore të thellë në Drenas appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet lokale, AAK zyrtarizon 11 kandidatë për kryetarë komunash

26 June 2025 at 17:35

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka zyrtarizuar sot një pjesë të kandidaturave për zgjedhjet lokale të tetorit 2025, duke hyrë kështu në fazën përfundimtare të përgatitjeve për garën zgjedhore.

Në mbledhjen e mbajtur nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë, janë miratuar me vota unanime 11 kandidatë për kryetarë komunash, të cilët do të përfaqësojnë Aleancën në garën elektorale të vjeshtës.

Kandidaturat e zyrtarizuara janë:

Nazim Gagica – Gjilan

Besnik Krasniqi – Prizren

Xhemile Murati – Ferizaj

Qazim Nimani – Mitrovicë

Faton Jakupi – Kamenicë

Ukë Blakaj – Istog

Agron Kuçi – Junik

Vildane Latifi – Fushë Kosovë

Baki Feta – Podujevë

Labinot Bislimi – Viti

Ilir Tasholli – Lipjan

Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i AAK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Muharrem Nitaj, informoi anëtarët e Këshillit për ndryshimet e fundit në Rregulloren për Zgjedhjet, përfshirë edhe procedurat e votimit nga jashtë vendit.

Kryesuesi i mbledhjes, Pal Lekaj, dhe nënkryetari Besnik Tahiri, prezantuan një pasqyrë të përgatitjeve organizative për zgjedhjet lokale, ndërkohë që Lulzim Leci raportoi mbi auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2024 dhe mbi përfshirjen e anëtarëve të AAK-së në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).

Diskutimet u shoqëruan edhe me analizë të zhvillimeve të fundit politike në vend, ndërsa drejtuesit e Aleancës theksuan rëndësinë e një organizimi të qëndrueshëm dhe të koordinuar në të gjitha nivelet.

Në njoftimin zyrtar të partisë thuhet se në ditët në vijim do të zyrtarizohen edhe kandidaturat për komunat e tjera, duke përmbyllur kështu hartën zgjedhore të AAK-së për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

“Procesi po zhvillohet me ritëm të mirë në shumicën e komunave dhe reflekton përkushtimin e strukturave tona për të ndërtuar një ofertë serioze dhe konkurruese për qytetarët në zgjedhjet e ardhshme,” thuhet në deklaratën për media të partisë.

The post Zgjedhjet lokale, AAK zyrtarizon 11 kandidatë për kryetarë komunash appeared first on Telegrafi.

Faton Peci i hyn garës për kryetar të Mitrovicës, kandidatura e tij zyrtarizohet sot

26 June 2025 at 13:33

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Pecit pritet t’i hyjë garës për të parin e Komunës së Mitrovicës.

Kështu ka konfirmuar këshilltari i tij në Ministrinë e Bujqësisë, Shkëlzen Haliti, transmeton Telegrafi.

Në postimin e tij, ai ka shkruar se është kënaqësi që Peci do të merr pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Të dashur qytetarë të Mitrovicës, kam kënaqësinë t’ju njoftoj që sot, në ora 18:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, zyrtarizohet kandidatura e Faton Pecit për kryetar të Mitrovicës. Për Mitrovicën, zemrën e Kosovës! Është nder dhe privilegj për Mitrovicën që  Faton Peci, si politikani më i votuar nga pozita e ministrit në historinë e zgjedhjeve të Kosovës, me besim qytetar prej 134 mijë votash në zgjedhjet e fundit parlamentare, të kthehet për Mitrovicën”, ka shkruar ai në Facebook.

Peci aktualisht është ministër i Bujqësisë në Qeverinë Kurti, e cila është në detyrë. Ai po ashtu ka fituar postin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. /Telegrafi/

The post Faton Peci i hyn garës për kryetar të Mitrovicës, kandidatura e tij zyrtarizohet sot appeared first on Telegrafi.

Çka i duhet një kandidati për të fituar në zgjedhjet lokale 2025?

26 June 2025 at 10:00

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 do të jenë më shumë se një garë për poste komunale,  ato do të jenë një test i madh për lidershipin lokal, për besueshmërinë politike dhe për atë që qytetarët realisht presin nga kandidatët, në prag të një epoke të re sfidash ekonomike, urbane, sociale dhe digjitale.

Disa nga kryetarët aktualë të komunave kanë qenë në garën e fundit për zgjedhje parlamentare, dikush ka kaluar mirë e dikush më keq, andaj edhe testimi për ta do të jetë gjithashtu i rëndësishëm.

Përtej sloganeve, qytetarët duan zgjidhje. Për shembull, në Prishtinë njerëzit kërkojnë ajër të pastër, zgjidhje për problemin me mbeturinat, për kaosin urbanistik, tollovinë në trafik dhe më shumë gjelbërim. Në Prizren kërkohet ruajtje e identitetit kulturor përballë ndërtimeve të pakontrolluara, sidomos në zonat me trashëgimi historike dhe kulturore, si dhe shtim të shërbimeve publike në kohën kur shtohen edhe turistët.

Në Podujevë kërkohen veprime konkrete në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera publike dhe më pak fjalë politike. Në këto komuna, por edhe në qytete si Ferizaj, Gjilan, Pejë apo Gjakovë, qytetarët nuk do të mjaftohen më me fjalë të bukura e premtime por me vepra konkrete.

Në këtë aspekt, çfarë i duhet një kandidati për të fituar?

Jo plane të gjata që vetëm duken bukur, por zgjidhje të qarta për problemet kryesore: trafikun, mbeturinat, transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve komunale. Qytetarët nuk harrojnë premtimet e pambajtura dhe mosrealizimin e tyre.  Kryetari i komunës nuk është një “supermen”, por udhëheqës i një ekipi që duhet të ketë përvojë menaxheriale dhe guxim për reforma. Njerëzit duan të shohin edhe përgjegjësit për zhvillimin ekonomik, për arsim, për shëndetësi, pra kush është ekipi që do të udhëheqë komunën.

Nuk mjafton kthimi te qytetarët vetëm një herë në katër vjet. Nevojitet komunikim i vazhdueshëm përmes mediave, takimeve në lagje, fshatra e platformave digjitale. Kandidati duhet të komunikojë shpesh, qartë dhe me përgjegjësi e  jo vetëm për të marrë vota, por edhe për të dëgjuar. Kandidati që nuk e përmend transformimin digjital të shërbimeve publike, transparencën në kohë reale apo pjesëmarrjen të qytetarëve, nuk mund të jetë në hap me kohën. Në vitin 2025, nuk është vetëm çështje “trendi”, por nevojë.

Për fund, këto zgjedhje nuk do t’i fitojnë më ata që flasin më shumë, por ata që dëgjojnë më shumë. Nuk do t’i fitojnë ata që premtojnë shumë, por ata që guxojnë të ofrojnë ndryshime të matshme. Qytetari i vitit 2025 nuk është më ai i vitit 2021, është më i informuar, më kërkues dhe më i paduruar. Gara është e hapur. Por fitorja kërkon më shumë se një fushatë të mirë, kërkon lidership të fortë, ide të qarta dhe një qasje ndryshe ndaj shërbimit publik. Kërkon komunikim të mirë, duke shfrytëzuar mediat, rrjetet sociale dhe kanalet e tjera në mënyrë që të jesh sa më i qasshëm për qytetarin e publikun në përgjithësi/Telegrafi/

The post Çka i duhet një kandidati për të fituar në zgjedhjet lokale 2025? appeared first on Telegrafi.

Përparim Ramusa, kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes

25 June 2025 at 21:18

Përparim Ramusa ka bërë të ditur se do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes.

Ramusa tha se kryesia e Degës së PDK-së, shumë votues dhe qytetarë të Shtimes kanë kërkuar që ai të jetë kandidat për kryetar.

“Si mjek specialist me përvojë dhe si bir i një minatori, ndiej për obligim që dijen, përkushtimin dhe integritetin tim t’i vë në shërbim të qytetarëve tanë. E si çdo herë, edhe kësaj radhe, do t’i dëgjoj me përulësi dhe vendosmëri”, shkroi ai.

Tutje, Ramusa tha se Shtimja meriton një udhëheqje që dëgjon dhe që vepron me mendje të kthjellët e zemër të hapur.

“Unë jam gati, dhe bashkë me ju, DO TË FITOJMË! Për Shtimen që e duam”, shkroi Ramusa.

The post Përparim Ramusa, kandidat i PDK-së për kryetar të Shtimes appeared first on Telegrafi.

Sokol Bashota, kandidat i PDK-së për kryetar të Klinës

24 June 2025 at 23:34

Sokol Bashota është votuar nga Këshilli Drejtues i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës për kandidat për kryetar të Komunës së Klinës.

Bashota ka thënë se përgjegjësi dhe obligim për të punuar për zhvillimin e Komunës së Klinës.

“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë dhe mirënjohjes, dëshiroj të falënderoj Këshillin Drejtues të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë për kandidimin për kryetar të Komunës së Klinës në zgjedhjet e 12 tetorit. Ky vendim është për mua një nder i madh, por mbi të gjitha është një përgjegjësi që e pranoj me përkushtim të plotë ndaj qytetarëve të komunës sonë. Besimi që më është dhënë nga strukturat e partisë është dëshmi e qartë e vlerësimit për angazhimin tim të deritanishëm, por edhe një obligim i fortë për të punuar edhe më shumë për zhvillimin e Klinës”, thuhet mes të tjerash në postimin e tij në Facebook.

Ish-kryetari i kësaj komune është zotuar se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e qytetit.

“Jam i vendosur që, me përkrahjen tuaj dhe të të gjithë qytetarëve të Klinës, do të vazhdojmë bashkë rrugën e ndërtimit të një komune më të zhvilluar, më të drejtë dhe më pranë qytetarit. Do të punoj çdo ditë me përkushtim për të garantuar mirëqenie, zhvillim dhe dinjitet për secilin qytetar.
Faleminderit edhe njëherë për besimin!”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

The post Sokol Bashota, kandidat i PDK-së për kryetar të Klinës appeared first on Telegrafi.

​Zgjedhjet lokale, deri tani pak parti kanë bërë koalicion

23 June 2025 at 17:42

Afati për partitë politike për të njoftuar KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politik se do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje përmes koalicionit në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale apo se nuk do të garojnë në këto zgjedhje, do të përfundojë sot (e hënë, 26 qershor, ora 23:59).

Deri në orën 13:00 të ditës së sotme në KQZ-janë janë deklaruar se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit “Koalicija Vakat”, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV) dhe Koaliconi “SDU-NAŠA (NAŠA SDU)”, i përbërë nga partitë politike Socijaldemokratska Unija dhe Naša Inicijativa, i formuar vetëm për komunën e Prizrenit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në këtë institucion janë deklaruar për mospjesëmarrje në zgjedhje lokale edhe këto parti politike: Organizata Balli Kombëtar Demokrat (OBKD); Partia Demokratike e Diasporës (PDD); Partia e Drejtësisë (PD) dhe Kosovaki Nevi Romani Partia (KNRP).

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor.

The post ​Zgjedhjet lokale, deri tani pak parti kanë bërë koalicion appeared first on Telegrafi.

PDK nis shqyrtimin e kandidaturave për kryetarë të komunave

23 June 2025 at 11:48

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot zyrtarisht procesin e shqyrtimit të kandidaturave për kryetarë komunash, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ky vendim vjen menjëherë pas mbajtjes së Konventës së Përgjithshme të PDK-së më 21 qershor, ku Memli Krasniqi u rizgjodh në krye të partisë.

Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve po zhvillohet në përputhje me statutin e partisë dhe vendimin e Këshillit Drejtues.

“Bazuar në statutin e partisë dhe vendimin e Këshillit Drejtues, degët e PDK-së kanë të drejtë të propozojnë kandidatët e tyre për kryetarë komunash. Këto propozime dorëzohen në qendër, ku vendimin përfundimtar e merr Kryesia e partisë, sipas autorizimeve të përcaktuara,” tha zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Ai bëri të ditur se të gjitha kandidaturat do të përmbyllen deri në mesin e muajit korrik, në mënyrë që kandidatët të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje.

“Partia Demokratike e Kosovës planifikon t’i përmbyllë të gjitha kandidaturat për kryetarë komunash më së largu deri në mesin e muajit korrik. Kjo u mundëson kandidatëve të kenë një periudhë të plotë tre mujore për përgatitje sa më të mirë drejt zgjedhjeve të 12 tetorit,” shtoi Abdullahu.

Ndërkaq, kryetari i rizgjedhur i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se partia synon të rifitojë të gjitha komunat ku aktualisht është në qeverisje, si dhe të fitojë në disa komuna të tjera ku, sipas tij, PDK ka një potencial të jashtëzakonshëm./Telegrafi/

The post PDK nis shqyrtimin e kandidaturave për kryetarë të komunave appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet e lokale, sot mbyllet afati për njoftimin e koalicioneve politike

23 June 2025 at 09:02

Gjatë ditës së sotme përfundon afati për partitë politike që dëshirojnë të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me formimin e koalicioneve për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Deri tani, sipas KQZ-së, vetëm dy parti politike kanë dorëzuar njoftim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes një koalicioni.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për Telegrafin se partitë që janë deklaruar për koalicione janë Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat do të garojnë së bashku nën emrin “Koalicija Vakat”.

Sipas rregullave të KQZ-së, sot është gjithashtu afati i fundit edhe për partitë politike që dëshirojnë të njoftojnë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit.

Procesi zgjedhor pritet të hyjë në fazën tjetër të përgatitjeve pas përmbylljes së këtij afati, ku ndër të tjera do të pasojë certifikimi i subjekteve politike, përfshirë partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur që synojnë të garojnë në zgjedhjet lokale. /Telegrafi/

The post Zgjedhjet e lokale, sot mbyllet afati për njoftimin e koalicioneve politike appeared first on Telegrafi.

Xhafer Tahiri sërish kandidat i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë

20 June 2025 at 20:39

Xhafer Tahiri do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një deklaratë publike të shpërndarë të premten, Tahiri ka konfirmuar rikthimin e tij në garën për zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë vendim si rezultat i një “reflektimi të gjatë” dhe konsultimeve të shumta me qytetarë, familjarë dhe bashkëpunëtorë.

“Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, po i rikthehem garës për kryetar të komunës sonë. E bëj këtë me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, dashurie dhe përkushtimi ndaj qytetit tonë”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se vendimi nuk është i udhëhequr nga ambicia personale, por nga ndjenja se “ka ende shumë punë për të përfunduar” dhe shumë projekte që presin realizimin.

Duke folur për përvojën e tij të mëparshme si kryetar komune, Tahiri ka thënë se nuk ka premtuar mrekulli, por ka punuar me përkushtim për të realizuar premtimet e dhëna qytetarëve.

Në mesazhin e tij, ai u është drejtuar qytetarëve me ftesën për të ndërtuar së bashku një “kapitull të ndritur” për Vushtrrinë, duke ofruar një qasje të ndershme dhe të përkushtuar ndaj qeverisjes lokale.

“Vushtrria nuk ka nevojë për spektakël, ka nevojë për punë”, theksoi ai, duke shtuar se ndjehet më i gatshëm se kurrë për të vazhduar projektet e nisura në mandatin e kaluar./Telegrafi/

The post Xhafer Tahiri sërish kandidat i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë appeared first on Telegrafi.

Gara për Prishtinën, a do të zyrtarizohet sot Hajrulla Çeku si kandidat i LVV-së?

18 June 2025 at 11:01

Lëvizja Vetëvendosje pritet që sot të zyrtarizojë kandidaturën për kryetar të Komunës së Prishtinës për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor.

Telegrafi mëson se deri më tani, kandidatura e vetme që është paraqitur dhe që mund të zyrtarizohet është ajo e ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Zyrtarizimi i kandidaturës pritet të bëhet sot gjatë ditës, pas mbledhjes së kryesisë së degës së LVV-së në Prishtinë.

Nuk dihet ende nëse mund të ketë edhe emra të tjerë që do të synojnë të kandidojnë për kryeqytetin nga kjo parti.

Ndryshe Hajrulla Çeku në 2017-ën ishte caktuar si zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Qeverinë e Shqipërisë, por një vit më vonë, më 31 tetor 2018, dha dorëheqjen për arsye familjare.

Ceku ishte edhe drejtor i OJQ-së “Ec ma Ndryshe” në Prizren.

Deri më tani kandidaturat i kanë zyrtarizuar, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Nga PDK është përmendur si kandidat i mundshëm Uran Ismaili.

Kujtojmë se Përparim Rama në zgjedhjet komunale në vitin 2021 e mundi Arben Vitinë e LVV-së në balotazh./Telegrafi/

The post Gara për Prishtinën, a do të zyrtarizohet sot Hajrulla Çeku si kandidat i LVV-së? appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet lokale, KQZ: Nga 9 deri më 23 qershor partitë politike duhet të deklarohen për koalicionet zgjedhore

12 June 2025 at 13:49

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se janë duke u zhvilluar afatet e aktiviteteve zgjedhore të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

KQZ njofton të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës se deri më 23 qershor 2025 duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike se do të kërkojë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit.

“Gjithashtu, brenda këtij afati, partitë politike duhet ta njoftojnë Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Për informacione shtesë për partitë politike, Zyra ka vënë në dispozicion këtë numër kontakti 038 200 81 010, i qasshëm nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, thuhet në njoftim.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, brenda 15 ditëve nga shpallja e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Kosovës, partia politike e regjistruar e cila nuk dëshiron të certifikohet për zgjedhje duhet të njoftojë Zyrën që nuk garon në zgjedhje, apo që partia politike do të kërkojë certifikim përmes koalicionit në përputhje me këtë ligj. /Telegrafi/

The post Zgjedhjet lokale, KQZ: Nga 9 deri më 23 qershor partitë politike duhet të deklarohen për koalicionet zgjedhore appeared first on Telegrafi.

KDTP-ja në Mamushë vendos të rikandidojë Abdylhadi Krasniqin për kryetar të komunës

11 June 2025 at 09:30

Kuvendi i Degës së Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) në Mamushë ka vendosur që kryetari aktual i kësaj komune, Abdylhadi Krasniq, të rikandidojë për një mandat të ri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të mbajtur të martën në mbrëmje, ku fillimisht u vlerësua puna dhe angazhimi i deritanishëm i kryetarit Krasniq. Pas diskutimeve, me shumicë votash, u miratua kandidatura e tij për garën zgjedhore si përfaqësues i KDTP-së.

“Abdylhadi Krasniq ka marrë përsipër përgjegjësinë për të përfaqësuar vlerat e partisë dhe pritshmëritë e qytetarëve të Mamushës. Ai është konsideruar sërish i denjë për këtë detyrë, falë përvojës dhe vizionit të tij për zhvillimin e komunës,” thuhet në njoftimin e degës së partisë, raporton Telegrafi.

Në një deklaratë pas nominimit, Krasniq ka falënderuar strukturat drejtuese të partisë dhe ekipin që i kanë besuar vizionit të tij.

“Kandidaturën time për Kryetar të Komunës së Mamushës e kam paraqitur me synimin për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të denja për qytetarët tanë,” është shprehur ai.

Zgjedhjet komunale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor. /Telegrafi/

The post KDTP-ja në Mamushë vendos të rikandidojë Abdylhadi Krasniqin për kryetar të komunës appeared first on Telegrafi.

Sondazhi i Telegrafit për zgjedhjet lokale, cili kandidat po preferohet deri tani për Prishtinën?

10 June 2025 at 09:42

Presidentja e Kosovës ka shpallur 12 tetorin 2025 si datën zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e vendit. Në këtë datë, qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj komunalë.

Partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet intensive për garën lokale, duke zyrtarizuar kandidatët e tyre nëpër komuna, transmeton Telegrafi.

Në komunën e Prishtinës, janë zyrtarizuar tri kandidatura:

Përparim Rama (LDK) – aktualisht kryetar i Prishtinës, kandidon për një mandat të dytë. Besa Shahini (PSD) ish-minstre e Arsimit në Shqipëri dhe Bekë Berisha (AAK) – deputet dhe figurë e njohur e AAK-së, kanë hyrë në garë për kryeqytetin.

Ndërsa, LVV dhe PDK ende nuk kanë zyrtarizuar kandidaturat, por nga LVV si emra të mundshëm janë përmendur; Glauk Konjufca, Hajrulla Çeku, Mefail Bajçinovci dhe Arben Vitia, ndërsa nga PDK kandidati Uran Ismaili.

Telegrafi ka publikuar një sondazh online, ku mbi 8 mijë qytetarë kanë marrë pjesë, duke shprehur preferencat e tyre për kandidatin që do të mbështesin në zgjedhje, dhe rezultati është si më poshtë:

Përparim Rama (LDK) 29%

Besa Shahini (PSD) 8%

Bekë Berisha (AAK) 7%

Kandidat tjetër 57%   /Telegrafi/

 

 

 

The post Sondazhi i Telegrafit për zgjedhjet lokale, cili kandidat po preferohet deri tani për Prishtinën? appeared first on Telegrafi.

Zgjedhjet lokale caktohen më 12 tetor

9 June 2025 at 14:23

Presidentja Osmani ka caktuar 12 tetorin e vitit 2025, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta lokale

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.

“Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor. Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor”, thuhet në njoftim

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë  civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.

Ndryshe, edhe pse më 9 shkurt u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ende nuk është konstituuar Kuvendi i Kosovës pas 29-të tentativave. /Telegrafi/

The post Zgjedhjet lokale caktohen më 12 tetor appeared first on Telegrafi.

Zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë – PDK dhe LDK kundër idesë së LVV-së

6 June 2025 at 21:31

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe procesi i votimit të mbahet në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, nuk po u pëlqen partive të tjera. Në Partinë Demokratike të Kosovës, si dhe Lidhjen Demokratike vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit e obligon Vetëvendosjen të formojë institucionet e reja.

Të gjithë folën për datën e zgjedhjeve lokale në takimin e partive me presidenten Vjosa Osmani, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo propozoi edhe diçka tjetër.

”Ishte një ide që të shpallen zgjedhje të dyja, edhe ato të jashtëzakonshme, edhe këto lokale”, ka thënë Albulena Haxhiu.

Por, kërkesa që shkaku i krizës politike të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare në të njëjtën ditë me lokale nuk po u pëlqen aq shumë partive të tjera.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk u frikësohen zgjedhjeve të reja, por aktualisht, sipas tyre, më i rëndësishëm është realizimi i vullnetit të qytetarëve të dhënë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Çdo parti politike është e gatshme për me i hy një procesi zgjedhor, po logjika e një procesi të njëpasnjëshëm të zgjedhjeve nuk është e zakonshme në këtë vend. Pra, inatet politike duhet lënë anash dhe duhet pjekuri politike për marrëveshje politike, edhe kjo i takon të parit”, ka thënë Krenar Xhaferi, deputet i LDK-së.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe në PDK.

“Në parim nuk besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje nacionale tash. E dyta, nuk besoj që as ka kushte e as subjektet tjera opozitare do të pajtohen me këtë koncept të LVV-së. Dhe, nën 3, LVV-ja ka obligim kushtetues krijimin e institucioneve”, ka thënë Ferat Shala, deputet i PDK-së.

Ndërsa analisti politik, Albinot Maloku vlerëson se partitë tjera nuk e kanë për obligim ta pranojnë kërkesën e Vetëvendosjes.

“Subjektet tjera nuk e kanë të domosdoshme që procesi të ndodhë me procesin lokal, për rrjedhojë nuk e kanë obligim që t’i plotësojnë këtë kërkesë dhe pritje të LVV-së”, ka thënë Maloku.

Për ditën e zgjedhjeve lokale janë diskutuar tri data: 5, 12 dhe 19 tetori, derisa presidentja Vjosa Osmani pritet të zgjedhë njërën prej tyre. /Dukagjini/

The post Zgjedhje lokale dhe parlamentare në një ditë – PDK dhe LDK kundër idesë së LVV-së appeared first on Telegrafi.

KDI kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale e parlamentare në të njëjtën ditë

5 June 2025 at 22:41

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ku ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me krizën aktuale politike.

Gjatë takimit, KDI ka theksuar se mbajtja e njëkohshme e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe atyre lokale nuk është e pranueshme për organizatat e shoqërisë civile.

“Për ne si shoqëri civile, organizimi paralel i zgjedhjeve lokale dhe atyre të jashtëzakonshme parlamentare është i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e KDI-së.

Instituti ka riafirmuar përkushtimin e tij për të kontribuar në nxitjen dhe zgjerimin e dialogut ndërmjet partive politike dhe qytetarëve, me synimin për të kapërcyer bllokadën aktuale politike dhe institucionale në vend.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare, ka thënë të enjten se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.

“Presidentja Osmani u shpreh e gatshme që të vazhdojë të mbetet e hapur për dialog me shoqërinë civile, në funksion të ruajtjes së rendit demokratik dhe forcimit të institucioneve përfaqësuese të vendit”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca, pas takimit.

Deklaratat e Osmanit kanë ardhur të njëjtën ditë kur është shënuar dështimi i 27-të për konstituim të Kuvendit. /Telegrafi/

The post KDI kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale e parlamentare në të njëjtën ditë appeared first on Telegrafi.

❌
❌