Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni
Subjektet politike kanë nisur tashmë përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2025, duke zyrtarizuar disa prej kandidatëve për kryetarë komunash.
Gara pritet të jetë veçanërisht interesante në komunë e Ferizajt dhe Gjilanit, ku kryetarët aktualë synojnë të sigurojnë një mandat të ri. Ndërkohë, kandidatët e rinj janë të vendosur të sfidojnë pushtetin aktual dhe të arrijnë fitoren në zgjedhjet që do të mbahen në vjeshtë, transmeton Telegrafi.
Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), do të garojë për një mandat të dytë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me Arbër Ismailin si kandidat, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të përfaqësohet nga Riad Rashiti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur që në këtë garë të hyjë me kandidatin Nazim Gagica.
Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Gjilanit?
Komuna e Gjilanit ka qenë nën drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga viti 2014 deri në vitin 2021 me Lutfi Hazirin kryetar. Ndërsa, në vitin 2021, udhëheqjen e komunës e mori LVV, me Alban Hysenin, i cili aktualisht është në fund të mandatit të tij të parë, dhe po ashtu synon mandatin e dytë.
Gara për Ferizaj;
Ndërkohë, në Ferizaj, kryetari aktual Agim Aliu do të kërkojë një tjetër mandat, duke garuar sërish si kandidat i PDK-së. LDK do ta konfirmojë Visar Azemin si kandidatin e saj për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor, ndërsa AAK do të përfaqësohet nga kandidatja Xhemile Murati.
Kush ka udhëhequr deri tani me komunën e Ferizajt?
Në 10 vitet e fundit, Ferizajn e kanë drejtuar dy kryetarë: Muharrem Svarqa (LDK) deri më 2017, dhe Agim Aliu (PDK) prej 2017 e deri më sot (2025), aktualisht në fund të mandatit të dytë dhe në garë për të tretin.
Përgatitjet për zgjedhjet nga KQZ;
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur procesin e aplikimit për certifikimin e subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale 2025.
Subjektet politike mund të aplikojnë deri më 13 gusht.
“Duke filluar nga dita e sotme, 26 qershor dhe deri më 13 gusht 2025, subjektet politike mund të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale”, ka deklaruar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 do të mbahen më 12 tetor dhe do të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendeve Komunale si dhe Kryetarët e rinj të Komunave në të gjithë vendin. /Telegrafi/
The post Zyrtarizimi i kandidatëve për Ferizaj dhe Gjilan – nga kush do të sfidohen kryetarët aktualë Agim Aliu dhe Alban Hyseni appeared first on Telegrafi.