Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gjermania, 42 milionë euro Prishtinës e Fushë Kosovës për trajtimin e ujërave të zeza që ndotnin lumenjtë

20 August 2025 at 21:41

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëfinancimit midis komunave të Prishtinës dhe Fushë-Kosovës me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, një hap i përbashkët drejt lumenjve më të pastër dhe trajtimit të ujërave të zeza në Kosovë.

“Në një kohë shumë të gjatë, ujërat e zeza të patrajtuara kanë ndotur lumenjtë e Kosovës, si Sitnica, duke kërcënuar shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman, Prishtina dhe Fushë-Kosova kanë vendosur ta ndryshojnë këtë”, thuhet në njoftim.

Sipas ambasadës, projekti synon modernizimin e rrjetit të kanalizimeve dhe kolektorëve kryesorë të ujit në Prishtinë, Graçanicë, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. Kontributet financiare janë:

Prishtina: 9 milionë euro

Fushë-Kosova: 2 milionë euro

Qeveria gjermane: 42 milionë euro grant përmes KfW

Në fazat e ardhshme, projekti do të përfshijë një Impiant modern për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Fushë-Kosovë, që do t’i shërbejë rreth 500,000 banorëve të rajonit. Ky impiant mbështetet financiarisht edhe nga BE-ja, Franca, BERZH dhe WBIF, dhe është plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ambasada thekson se ky projekt e çon Kosovën një hap më afër integrimit evropian dhe një mjedisi të pastër për qytetarët.

The post Gjermania, 42 milionë euro Prishtinës e Fushë Kosovës për trajtimin e ujërave të zeza që ndotnin lumenjtë appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prishtinës rikthehen një tjetër mbrëmje magjike të Kinemasë së Hapur për Fëmijë

By: Kult Plus
20 August 2025 at 13:50

Pas suksesit të edicionit të parë, Komuna e Prishtinës rikthehet me një tjetër mbrëmje magjike të Kinemasë së Hapur, dedikuar fëmijëve të vegjël.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka njoftuar se Kinemaja e Hapur për Fëmijë do të shfaq filma të përzgjedhur te parku në mes të lagjeve Ulpiana dhe Dardania.

“Nën qiellin e hapur, do të shfaqim filma të përzgjedhur për fëmijë, sepse filmi nuk është vetëm argëtim, por një udhëtim i heshtur drejt botës së brendshme, ku fëmijët mësojnë të ëndërrojnë, të ndjejnë dhe të kuptojnë më thellë botën që i rrethon”, thuhet në njoftimin e drejtoreshës Halimi.

Kjo mbrëmje magjike mbahet më 28 gusht në ora 19:30./ KultPlus.com

Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë proteston para Komunës

19 August 2025 at 10:36

Qytetarët dhe shoferët e autobusëve nga Podujeva kanë kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e kthimit të autobusëve në zonën pranë Xhamisë së Llapit. Masa u ndërmor nga Komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me arsyetimin se disa operatorë të transportit po tentojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës.

Për këtë arsye, Shoqata Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë sot kanë protestuar para Komunës së Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar dje zbatimin e marrëveshjes për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, që përfshin edhe linjat nga Podujeva, duke ndaluar ndalesat e paautorizuara brenda qytetit.

Por ky vendim ka nxitur reagime nga udhëtarët llapjanë, të cilët e konsiderojnë të padrejtë dhe të rrezikshëm për sigurinë e tyre.

Para Komunës së Prishtinës, qytetarja Antigona Jakupi tha se vendimi për ndalimin e kthimit të autobusëve po rrezikon sigurinë e udhëtarëve.

Jakupi potencoi se Komuna duhet të gjejë një zgjidhje praktike për udhëtarët, pasi situata aktuale po u krijon vështirësi të mëdha.

“Podujeva frekuenton shumë banorë…Qytetarët llapjan kanë biznese në Podujevë, udhëtojnë çdo ditë e frekuentojnë atë rrugë. Është shumë rrezik nuk e di a keni qenë, a e keni parasysh çfarë rruge është ku presim te shkolla ‘Modeli’. Nuk e lënë të parkohet autobusi, duhet me dalë në semafor, rrezikohet jeta e qytetarit, është shkollë publike aty rrezikohet jeta e nxënësve, e mësimdhënësve. Komuna duhet të bëjë një zgjidhje për neve. Duhet marrë parasysh kushtet për qytetarët, asnjë nuk e kanë lehtë, as pronarët e autobusëve. Unë udhëtoj çdo ditë më taksi, e di cfarë neglizhence u bëhet këtyre. Rrezikojnë jetën e qytetarit, rrezikojnë punën e vet. Nuk është faji i tyre, plotësisht janë të pafajshëm këta (shoferër e autobusëve)”, tha Jakupi.

Edhe Nazmije Hajrullahu e cilësoi vendimin e Komunës si të padrejtë dhe të papranueshëm për qytetarët e Podujevës.

Sipas saj, kjo është një poshtërsi e madhe.

“Kjo është poshtërsi e madhe…Na bënë të padrejtë. Nuk lejon as me biletë, thonë të sillemi ne prej Podujevës 1 orë e gjysmë edhe 40 minuta deri në stacion, edhe me ardhë edhe aty bënë një orë, derisa të shkon në punë 5 orë bënë. Kjo është tmerr. Për neve shumë keq na kanë bërë. Nuk po e kuptoj. Kjo ka ekzistuar prej që është Podujeva e Prishtina, kjo s’ka qenë e ndaluar kurrë. Shumë keq”, tha Hajrullahu.

Kryetari i Shoqatës Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë, Beqir Mustafa tha se janë dënuar nga 500 euro nga Inspektorati i Komunës.

Ai potencoi se shoferët nuk do të rikthehen në punë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Ne jemi dalë me iu përmbajtë rendit të udhëtimit që e kemi të vërtetuar nga ministria. Na kanë ndalë inspektorët na kanë dënuar nga 500 euro. Na kanë marr tabelat ne i kemi autobusët aty ku na kanë ndërpre. Nuk punojmë deri në realizim të pikave të tona që i kemi kërkuar prej tyre. Me respektu rendin e udhëtimit që e kemi nga ministria atëherë do të punojmë. Na ka vendosur në atë rrugën e Zagrebit, është hekurudha duhet me karrocat gratë që vijnë me fëmijët. Plus ai Luftaro i ka vendosr mbrojtëset aty thoshte ka me betonu rrugën. I ka vendosë edhe te ura e hekurit atje lartë. Jemi marrë vesh me i largu taksitë, jeni hi andej, këta nuk i kanë larguar taksistët… Ne nuk do të tërhiqemi deri në realizim të kërkesës sonë. Nuk i kanë mbajtë kushtet as një”, tha ai./kp/

The post Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë proteston para Komunës appeared first on Telegrafi.

Ndalohet kthimi i autobusëve nga Podujeva te Xhamia e Llapit, Komuna nis zbatimin e marrëveshjes

18 August 2025 at 10:31

Inspektorët komunal së bashku me policinë kanë ndërmarr veprime për ndalimin e kthimit të autobusëve për Podujevë nga Xhamia e Llapit.

Zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti i ka thënë Telegrafit se vetëm kanë asistuar inspektorët.

“Po asistojmë inspektorët komunal, për detaje kontakto me zyrtarë të Komunës së Prishtinës”, ka thënë shkurt Ahmeti.

Dje Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se do të nisë zbatimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva.

Marrëveshja, siç thuhet është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit, prandaj nuk ka qenë njëanshme.

“Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhej në reagim.

Lidhur me veprimet e operatorëve që po kthehen në ndalesën e vjetër, komuna i konsideron ato “shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, duke shtuar se “veprime të tilla nuk do të lejohen”. /Telegrafi/

The post Ndalohet kthimi i autobusëve nga Podujeva te Xhamia e Llapit, Komuna nis zbatimin e marrëveshjes appeared first on Telegrafi.

“Do të merren masa ligjore” – Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit

17 August 2025 at 13:59

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas raportimeve se disa operatorë nga Podujeva po anashkalojnë ndalesën në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet, duke u kthyer në pikën e ndaljes te Xhamia e Llapit.

Në një njoftim për media, komuna ka theksuar se “mbetet plotësisht e përkushtuar në respektimin e marrëveshjes së arritur për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, përfshirë linjat që vijnë nga Podujeva”.

Marrëveshja, siç thuhet është arritur në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, Ministrinë e Planifikimit të Mjedisit dhe Hapësinor, si dhe Shoqatën e Operatorëve të Transportit, prandaj nuk ka qenë njëanshme.

Lidhur me veprimet e operatorëve që po kthehen në ndalesën e vjetër, komuna i konsideron ato “shkelje të qarta të rregullave komunale dhe marrëveshjes së ndërsjellë”, duke shtuar se “veprime të tilla nuk do të lejohen”.

“Komuna do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative të nevojshme për të siguruar që të gjithë autobusët ndërurbanë, pa përjashtim, të ndalojnë në Stacionin zyrtar të Autobusëve në Prishtinë për marrjen dhe lëshimin e udhëtarëve”, thuhet tutje në reagim.

Sipas komunës, ndalimet e paautorizuara brenda qendrës së qytetit “paraqesin rrezik për sigurinë në trafik, rendin publik dhe planifikimin urban të transportit”.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës i ka kërkuar Ministrisë për Planifikim të Mjedisit dhe Hapësirës që të rishikojë dhe, në raste të shkeljeve, të revokojë të gjitha licencat e operatorëve që nuk respektojnë itinerarin dhe pikën fillestare të nisjes, e cila sipas tyre mbetet Stacioni i Autobusëve i Prishtinës.

Në fund të njoftimit, komuna shpreh gatishmërinë për dialog, por paralajmëron se do të veprojë me “vendosmëri për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin në transportin publik”.

Ndërkohë, theksohet se Komuna e Podujevës ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare ndaj draftit të marrëveshjes së përbashkët. /Telegrafi/

The post “Do të merren masa ligjore” – Prishtina paralajmëron operatorët nga Podujeva për ndalesa te Xhamia e Llapit appeared first on Telegrafi.

Ngjarjet tragjike në vend, Rama: Koha për veprim kundër dhunës dhe fushatë për konfiskimin e armëve të paligjshme

12 August 2025 at 10:12

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj ngjarjeve të fundit tragjike që kanë tronditur vendin, duke ngritur alarmin për mungesën e një qeverie funksionale dhe rrezikun në rritje që i kanoset qytetarëve.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se humbja e jetëve të njerëzve nuk mund të trajtohet sot si një statistikë.

“Ditët e fundit, vendi ynë është tronditur nga një varg incidentesh të dhunshme me humbje tragjike jetësh. Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione si shtet! Ajo që e bën gjendjen edhe më shqetësuese është fakti se qytetarët e Kosovës nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre. Kjo është për keqardhje. Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë”, ka shkruar Rama.

Rama po ashtu ka thënë se si kryetar i kryeqytetit iu ka bërë thirrje Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe udhëheqësve të çdo komune që të nisin menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme.

“Veprimi duhet të jetë i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent. Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim. Është një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/

The post Ngjarjet tragjike në vend, Rama: Koha për veprim kundër dhunës dhe fushatë për konfiskimin e armëve të paligjshme appeared first on Telegrafi.

Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas

6 August 2025 at 14:46

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se për herë të parë brenda kabinetit të tij është krijuar një sektor i posaçëm për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës

Ai tha se në mbështetje të kësaj protestë kanë marrë vendim që më 7 gusht transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët.

“Parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët e protestuesve”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/

The post Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas appeared first on Telegrafi.

Lirohen nga detyra dy drejtorë në Komunën e Prishtinës

5 August 2025 at 11:47

Dy drejtorë të Komunës së Prishtinës janë liruar nga detyra.

Kështu kanë konfirmuar për Telegrafin, zyra për komunikim në Komunën e Prishtinës.

“Ju njoftojmë se Vigan Kastrati, Drejtor i Kadastrit, dhe Donjeta Dragusha, Drejtoreshë e Bujqësisë, janë liruar nga detyra”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu, ata njoftuan se përkohësisht, udhëheqja e drejtorive do të organizohet si më poshtë:

Drejtorinë e Kadastrit do ta udhëheq u.d z. Florent Maliqi dhe ushtrimin e detyrës në Drejtorinë e Bujqësisë do ta kryejë përkohësisht shefi i sektorit, Fexhri Hyseni. /Telegrafi/

The post Lirohen nga detyra dy drejtorë në Komunën e Prishtinës appeared first on Telegrafi.

Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale

29 July 2025 at 21:48

Komuna e Kryeqytetit ka bërë të ditur se rreth orës 18:30, një kamion i peshave të rënda dhe me lartësi mbi kufirin e lejuar, ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtegun e biçikletave dhe automjeteve në tunelin te Kurrizi.

Tuneli ka kufizim të qarkullimit për mjete me lartësi deri në 3.2 metra, ndërsa hyrja e këtij kamioni ka shkaktuar disa pasoja të konsiderueshme:

Shkelje të rregullave të trafikut rrugor;

Rrezikim të sigurisë publike, sidomos për këmbësorët dhe çiklistët që frekuentojnë këtë zonë të dedikuar;

Dëmtim të pronës publike komunale, përfshirë pajisjet e ventilimit dhe ato përcjellëse të instaluara rishtazi gjatë këtij viti.

Kryeqyteti e ka dënuar ashpër këtë veprim të papërgjegjshëm dhe ka njoftuar se rasti i është përcjellë menjëherë autoriteteve përkatëse për hetim dhe trajtim të mëtejmë ligjor.

Në reagimin zyrtar thuhet se: “Tuneli është i destinuar për qarkullim të kontrolluar të automjeteve dhe kamionëve me lartësi deri në 3.2 metra. Çdo tejkalim i këtij kufiri përbën shkelje ligjore dhe rrezik të drejtpërdrejtë për infrastrukturën dhe sigurinë publike.”

Komuna ka publikuar edhe fotografi nga vendi i ngjarjes, duke paralajmëruar se do të ndjekë penalisht çdo rast të ngjashëm në të ardhmen.

The post Kamion i peshave të rënda futet në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi – dëmtohet infrastruktura komunale appeared first on Telegrafi.

Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë

23 July 2025 at 23:18

Uran Ismaili ka mbajtur tubimin e tij të parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku para një numri të madh qytetarësh ka shpalosur vizionin dhe arsyet që e kanë shtyrë të rikandidojë për kryetar të kryeqytetit.

Gjatë fjalimit të tij, Ismaili u kthye te zgjedhjet e kaluara, duke kujtuar porositë që ka marrë nga qytetarët pas humbjes së asaj gare: “Pas fushatës, kudo që më keni pa – edhe ata që më kanë votu, edhe ata që atëherë kanë hezitu, ma keni dhanë një porosi rrugës: ‘Mos u dorëzo’,” tha ai.

Ai theksoi se vendimi për të hyrë sërish në garë nuk ka qenë i lehtë, por është udhëhequr nga besimi i thellë se Prishtina ka nevojë për një mënyrë të re të të bërit politikë – një politikë që vendos qytetarin në qendër.

“Prishtinë, unë nuk jam dorëzu. Ti je një për mu. E unë kam me qenë gjithmonë me ty,” u shpreh Ismaili me tone emocionale.

Duke kritikuar qeverisjen aktuale, ai tha se kryeqyteti është udhëhequr nga një grup i vogël njerëzish, të izoluar në zyra dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve: “Qytetari i Prishtinës nuk ka qenë në qendër as të investimeve, as të shërbimeve, as të vendimeve.”

Ai premtoi një qeverisje të hapur, të përkushtuar dhe në kontakt të përhershëm me qytetarët: “Askush s’ka me hy mes meje dhe qytetarëve. Do t’i shërbej Prishtinës 24/7.”

Ismaili tha se shpresat që ndjen nga qytetarët e tij i japin motiv dhe përgjegjësi të shtuar për të nxjerrë Prishtinën nga, siç e quajti ai, “kaosi që ka kapluar çdo lagje dhe çdo rrugë”.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë rrugëtim të ri: “Bashkë mund ta përfundojmë epokën e zhgënjimit në Prishtinë. Bashkë mund ta ndërtojmë një qytet të pastër, të gjelbër, të sigurt, me mundësi për të gjithë.”

The post Uran Ismaili mban tubimin e parë elektoral në Sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet

23 July 2025 at 17:47

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar sot se ka nënshkruar një vendim të rëndësishëm që garanton siguri afatgjatë për familjet e dëshmorëve të Republikës së Kosovës.

Banesat komunale, të cilat më herët ishin ndarë për këto familje për periudha të shkurtra kohore, tani do të jepen për shfrytëzim për një periudhë prej 99 vjetësh.

“Ne kemi vlerësuar se është koha që këto familje të kenë jo vetëm strehë, por siguri të plotë e afatgjatë”, theksoi Rama, duke shtuar se ky veprim nuk është një akt favori, por një hap institucional drejt drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

Ai vuri në dukje se ky vendim është një vazhdimësi e një politike të nisur vite më parë dhe e miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por tani përforcohet me një afat që garanton stabilitet dhe trajtim të qëndrueshëm për familjet që kanë sakrifikuar më shumë se gjithçka për lirinë e vendit.

“Prishtina u detyrohet familjeve të dëshmorëve jo vetëm nderim moral, por edhe trajtim dinjitoz dhe të qëndrueshëm”, tha ai, duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tyre.

The post Rama nënshkruan vendimin: Banesat komunale për familjet e dëshmorëve, në shfrytëzim për 99 vjet appeared first on Telegrafi.

Simbol i verës në Prishtinë, por pa standarde – qytetarët ankohen për kushtet dhe çmimet në Pishinën e Gërmisë

13 July 2025 at 15:19

Pishina e Gërmisë, një prej destinacioneve më të frekuentuara gjatë verës nga qytetarët e Prishtinës dhe më gjerë, është hapur më 8 korrik për sezonin veror, pas një vonese të shkaktuar nga mungesa e ujit.

Megjithatë, vizitorët po përballen me kushte të papërmirësuara dhe ndotje të dukshme në ambientet e saj.

Qytetarët që sot (e diel) kanë frekuentuar këtë pishinë kanë dërguar pamje në adresë të Telegrafit, ku janë shprehur të pakënaqur me kushtet.

Ata gjithashtu janë ankuar për çmimet e shtrenjta, ky hyrja për person është 5 euro ndërkaq çmimet e çadrave sillen nga 5 më të thjeshtat deri në 15 euro tek ato më të mëdha.

Edhe pse çmimet shihet se janë dukshëm më të larta, infrastruktura e pishinës nuk është përmirësuar në krahasim me vitet e kaluara.

Përveç kësaj, qytetarët kanë ngritur shqetësime për nivelin e papastërtisë në ujë dhe në hapësirat përreth.

Por një anë tjetër të kësaj pishine ka paraqitur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Rama ka shpërndarë një video nga Pishina e Gërmisë duke ftuar qytetarët që ta vizitojnë.

“Pishina e Gërmisë – për krejt ju që jeni n’Prishtinë këto ditë. NPL Sport Marketing”, ka shkruar Rama.

Qytetarët kërkojnë që të bëhen investime serioze në këtë hapësirë rekreative dhe të rritet kontrolli sanitar, në mënyrë që Pishina e Gërmisë të mos mbetet vetëm simbol i verës në kryeqytet, por edhe shembull i standardeve moderne për shërbime publike. /Telegrafi/

The post Simbol i verës në Prishtinë, por pa standarde – qytetarët ankohen për kushtet dhe çmimet në Pishinën e Gërmisë appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prishtinës merr masa ndaj parkingjeve private pa leje

11 July 2025 at 19:56

Komuna e Prishtinës njofton se për shkak të numrit të madh të parkingjeve private pa leje, sidomos ato me qasje direkte në rrugë kryesore, udhëkryqe apo zona të gjelbra, ka ndërmarrë disa masa për vendosje të rregullit.

Sipas njoftimit, çdo parking privat duhet të aplikojë për leje, e cila do të jetë e përkohshme, deri në miratimin e Planit të ri të Mobilitetit, i cili do të përcaktojë standardet dhe lokacionet e lejuara për parking.

Sipas Komunës së Prishtinës, në kuadër të këtyre masave të ndërmarra nuk do të lejohen të operojnë ato parkingje të cilat kanë qasje direkte në rrugë kryesore apo udhëkryqe – që pengon qarkullimin dhe ato parkingje që janë të vendosura në hapësira të gjelbra dhe hapësira publike.

“Qëllimi: më shumë rend, siguri dhe mbrojtje të hapësirave publike e mjedisit.Ftojmë të gjithë operatorët të bashkëpunojnë që të aplikojnë për leje dhe të ndjekin procedurat në fuqi’- thuhet në njoftimin e Komunës të lëshuar më 11.07.2025.

The post Komuna e Prishtinës merr masa ndaj parkingjeve private pa leje appeared first on Telegrafi.

“Kapak për tenxhere”: Për fajin e kujt mund të mbetet Komuna e Prishtinës pa para?

11 July 2025 at 13:56

Në përplasjet tashmë disamujore mes Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë në detyrë të Kosovës, kryesisht për buxhetin e së parës, u inkuadrua – nga ministri në detyrë i Financave – edhe inteligjenca artificiale. Përdorimi i ChatGPT-së nga Hekuran Murati për ta përcaktuar fajtorin u përqesh gjerësisht në rrjetet sociale.

Ku, realisht, qëndron problemi? Kush ia hapi rrugën kaosit?

“Hakmarrje politike”, “rrenë”, “gjej punë tjetër pas tetorit” dhe “zhbllokoje buxhetin” janë vetëm disa prej shprehjeve që i kanë përdorur publikisht kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, në disa episode zënkash mes tyre në muajt e fundit.

Buxheti komunal duket se është kryefjala e mosdurimit mes pushtetit qendror, që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe pushtetit lokal në kryeqytet, që drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Por, për të kuptuar fillin e tij, le të kthehemi mbrapa në kohë.

Ligji për menaxhimin e financave publike në Kosovë përcakton se komunat kanë afat deri më 30 shtator për ta miratuar buxhetin e vet për vitin pasues fiskal. Nëse nuk e respektojnë këtë afat, ato humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm, ndërsa Ministria e Financave e harton një version të buxhetit për to, i cili zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.

Çfarë ka bërë Komuna e Prishtinës? Më 9 dhjetor të vitit 2024 – pra me vonesë – e ka miratuar buxhetin për vitin 2025 në vlerë prej 128 milionë eurosh, rreth 6 milionë euro më i lartë sesa ai i vitit paraprak.

Edhe Gjilani dhe Zubin Potoku janë vonuar njëjtë, dhe bashkë me Prishtinën janë komunat e vetme në këtë situatë. Buxhetet e reja të tyre nuk janë përfshirë në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili është miratuar paraprakisht në nëntor nga Kuvendi i Kosovës.

Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), thotë për Radion Evropa e Lirë se këtu nis “historia e buxhetit”.

Sipas tij, “gabimi ka rrjedhur nga një lloj papjekurie e këtyre komunave, të cilat kanë insistuar të marrin shumën e buxhetit në total, dhe jo të miratojnë buxhetin paraprak. Nëse do ta ndiqnin rrugën e dytë, do ta shmangnin procedurën e Qeverisë dhe Kuvendit”.

Meqë buxheti i Komunës së Prishtinës është miratuar pasi është miratuar Ligji për buxhetin, është kërkuar të ndryshohet ky ligj, i cili ka kaluar në Qeveri, por jo edhe në Kuvend të Kosovës. Por, ai tani as nuk mund të kalojë, sepse Kosova vazhdon të mos e ketë të konstituuar institucionin ligjvënës.

A ka mundur Kuvendi t’i miratojë këto ndryshime në periudhën dhjetor 2024 – shkurt 2025? Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, beson se po, nëse Qeveria në detyrë nuk do ta kishte stil të veprimit “fërkimin me këdo që i del përpara”.

“Qeveria e ka votuar buxhetin, dhe e kuptoj kur thotë nuk mund ta dërgonte në rishikim në shkurt, por rrethanat kanë qenë të jashtëzakonshme. E kemi ditur që ka zgjedhje, dhe rrjedhimisht është dashur të bëhet një rrugëzgjidhje, para se të shpërbëhej Kuvendi”.

Sipas Sejdiut, e gjithë zhurma e krijuar është më tepër për tërheqje të vëmendjes nga mungesa e performancës.

“E vetmja mënyrë për të krijuar temë publike nuk është përmes punëve që janë kryer apo me të cilat janë marrë, por me akuza, arsyetime dhe në fund ankesa. Siç do të thoshte populli, kapak për tenxhere”.

Qeveria “po luan politikisht”

As Salihu nuk mund t’i drejtojë gishtin vetëm njërës palë.

“Këtu është një e vërtetë: që edhe Qeveria po luan. Këtu nuk ka asnjë diskutim. Por, po luan politikisht, duke u mbuluar ligjërisht”.

Si po e bën këtë?

Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, kur buxheti i ri i një komune nuk përfshihet në Ligjin për buxhetin, për shkak të vonesës në miratimin e tij, Ministria e Financave autorizon shpenzime mujore në nivelin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar për çdo muaj, deri në fund të muajit qershor.

Pas kësaj periudhe, nuk mund të autorizohen fonde për kategori të tjera, përveç pagave dhe obligimeve të detyrueshme, dhe ato kërkojnë miratim nga kuvendi komunal çdo muaj.

Kategoritë, si investimet kapitale, mallrat, shërbimet dhe subvencionet, mbesin të bllokuara.

Për Salihun, Qeveria në detyrë po e ndjek logjikën e këtij ligji, duke e harruar që ekziston edhe Ligji për buxhetin, të cilin e ka për detyrim ta zbatojë.

Në këtë ligj, buxheti për Komunën e Prishtinës është i paraparë sikurse ai i vitit 2024, pra bëhet fjalë për vetëm 6 milionë euro më pak, të cilat komuna ka të drejtë t’i shfrytëzojë.

Por, Ministria, sipas tij, po përdor një arsyetim tjetër për mosndryshim të qasjes.

“Ministria po thotë ‘jo, sepse kuvendi komunal ka miratuar buxhet tjetër, e për ta zbatuar Ligjin për buxhetin, duhet të bëhen ndryshime edhe në Kuvend’”.

Për dallim prej fajtorit, viktima identifikohet lehtë.

“Komuna e Prishtinës dhe qytetarët e saj do ta shohin që asnjë investim dhe ndryshim nuk do të mund të bëhet për periudhën tutje, nëse Ministria e Financave nuk e ndryshon kursin. Edhe këto investime që po bëhen në terren do të bllokohen. Do të ketë pasoja zinxhirore, sistemore dhe afatgjata, dhe në fund të ditës do të humbë qytetari”, thotë Salihu.

Për Sejdiun, përveç mospunës, këto ankesa janë edhe sinjale të një fushate të hershme për zgjedhjet lokale.

“Është fatkeqësi që janë bllokuar kështu me njëri-tjetrin, por ndoshta edhe këtu e kemi një lajm të mirë, sepse nuk harxhohen paratë kot në investime kapitale, për t’u dëshmuar që po punohet nga dikush që për tri vjet nuk ka punuar asgjë”.

The post “Kapak për tenxhere”: Për fajin e kujt mund të mbetet Komuna e Prishtinës pa para? appeared first on Telegrafi.

“Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit?

9 July 2025 at 20:39

Përplasjet mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike janë duke vazhduar tash e disa ditë në Prishtinë, tani për çështjen e buxhetit.

Dy palët, akuzojnë njëra tjetrën për propagandë, e nga shoqëria civile thonë se vetëm miratimi i ndryshimeve të Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës, mund ta zhbllokojnë buxhetin.

Për çerdhe pa ushqim për fëmijët, shkruante këtë të hënë kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Këtë mes tjerash e kishte përmendur në një postim ku numëronte ndikimin e asaj që i pari e Prishtinës, e konsideron bllokadë të qëllimshme të nivelit qendror.

Buxheti i miratuar me vonesë për një numër arsyesh, në dhjetor të vitit të kaluar, nuk ka arritur të përfshihet në Ligjin për Buxhetin, pa një kuvend të konstituuar.

Por, kjo nuk ka penguar dy partitë, LDK-në me kryetarin Rama që udhëheq me kryeqytetin e Vetëvendosjen, që synon këtë komunë, të akuzojnë njëra tjetrën për propagandë.

Me fjalën e njëjtë, asambleistë të LDK-së, flasin edhe për deklaratat që vijnë nga Vetëvendosje, për rritje të shpenzimeve për mbi 2 milionë euro.

“Shihet ashiqare se ka qenë e qëllimshme. Qëllimi kryesor është se Prishtina udhëhiqet nga një subjekt tjetër dhe Vetëvendosja ashiqare, ka qëllime që ta marrë udhëheqjen e Prishtinës. Bllokimi i buxhetit rrezikon çdo sferë të komunës, shërbimet, mallrat, shërbimi në çerdhe, urgjenca, si tash që kemi nevojë për automjete për zjarrfikësit, derivatet. Komuna s’ka mjete për ti paguar. Është tërsisht propoagandë e LVV. Ato pagesa janë ekzekutuar siç ka kërkuar raporti i auditorit për qëllime gjyqësore. E dini se konkrata koletkive e obligon komunën të paguajë shujtën dha pagat jubilare për arsim. Këto pagesa janë bërë nga komuna”, ka theksuar Fiknete Bejta, asambliste e LDK-së në Prishtinë.

Por, edhe një herë tjetër, nga dega e Vetëvendosjes në Prishtinë, situatën, nuk e shohin si të ndikuar nga niveli qendror.

“Pyetja logjike në këtë rast është: nëse paska bllokadë nga qeveria, ku po i merr Komuna e Prishtinës gjithë këto miliona euro për t’i shpenzuar? Edhe më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Përgjigjja është e thjeshtë dhe konkrete: nuk ka bllokadë nga niveli qendror. Ka dezinformata dhe të pavërteta nga niveli lokal. E gjithë kjo propagandë e LDK-së dhe Përparim Ramës në Prishtinë është akti i fundit i një qeverisjeje që do të mbahet mend si njëra nga më të dobëtat që ka pasur ndonjëherë kryeqyteti”, ka deklaruar Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së.

Përderisa dy palët vazhdojnë akuzat e kundër-akuzat, në këtë situatë organizatat monitoruese të punës së Komunës, e vlerësojnë si hap thelbësor zhbllokimi e ngërçit në  Kuvendin e Kosovës.

“Vonesa në miratimin e buxhetit komunal nga Asambleja e Prishtinës në dhjetor të vitit 2024 ka krijuar një pengesë serioze, pasi ky buxhet nuk ka mundur të reflektohet përmes amandamenteve në Ligjin e Buxhetit nga Kuvendi i Kosovës. Roli i Kuvendit është kyç, pasi është institucioni përfundimtar që duhet të miratojë dhe harmonizojë ligjin e buxhetit për të mundësuar zbatimin efektiv të projekteve në nivel lokal. Por, për shkak se Kuvendi ende nuk është konstituar, procesi ka mbetur pezull. Për këtë arsye, është jetike që Kuvendi të konstituohet sa më parë dhe të amandamentohet Ligjii për Buxhetin për vitin 2025, në mënyrë që komunat, përfshirë Prishtinën, por edhe disa tjera, të mund të zbatojnë prioritetet e tyre pa pengesa”, ka theksuar Ardit Dragusha, nga organizata “D+”.

Tash e një kohë, kryetari Përparim Rama dhe Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati janë ballafaquar në rrjete sociale me Ramën që pretendon se po sabotohet dhe ministrin, që ngulë këmbë se komuna s’respektoi dispozitat ligjore dhe LDK-në, që po bllokon konstitutimin e Kuvendit, raporton RTVDukagjini.

The post “Propagandë e LDK-së, apo e LVV-së”, cila është e vërteta për buxhetin e kryeqytetit? appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prishtinës: Sot në Dardani fillon largimi i rrethojave të vendosura në hapësirat publike

20 June 2025 at 10:49

Komuna e Prishtinës ka bërë një njoftim të rëndësishëm për banorët e lagjes Dardania.

Komuna ka njoftuar se nga sot do të fillojë largimi i rrethojave të vendosura në hapësirat publike.

Qëllimi i këtij veprimi është: Lirimi i hapësirave publike të uzurpuara; Krijimi i ambienteve më të hapura dhe të qasshme për të gjithë; Përmirësimi i infrastrukturës dhe pamjes urbane.

Komuna ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe bashkëpunim tuaj gjatë këtij procesi./Telegrafi/

 

The post Komuna e Prishtinës: Sot në Dardani fillon largimi i rrethojave të vendosura në hapësirat publike appeared first on Telegrafi.

Hajrulla Çeku: Kandidatura ime për Prishtinën është pjesë e betejës së përgjithshme

19 June 2025 at 17:58

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për herë të parë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Duke e cilësuar këtë kandidaturë si pjesë të një angazhimi të përbashkët politik, Çeku theksoi se politikën nuk e sheh si veprimtari individuale, por si një punë ekipore.

“Unë politikën nuk e shoh as nuk e kam ushtruar më herët si aktivitet individual, për ta huazuar prej terminologjisë sportive. Unë e shoh politikën si punë ekipore. Në atë ekip ka shumë lojtarë dhe ka një staf teknik drejtues ku merren disa vendime. Dhe lojtarët luajnë sipas strategjisë më të mirë për të fituar. Kjo është një punë ekipore. Më është kërkuar dhe jemi dakorduar për të luajtur për një pozicion të caktuar. Kjo është pjesë e kësaj beteje të përgjithshme”, deklaroi Çeku.

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar dje kandidaturën e tij për të udhëhequr garën për kryeqytetin. Zgjedhjet e rregullta komunale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ndërsa gara për Prishtinën pritet të jetë një nga më të fortat.

Çeku aktualisht mban postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është një prej figurave të afërta me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

 

The post Hajrulla Çeku: Kandidatura ime për Prishtinën është pjesë e betejës së përgjithshme appeared first on Telegrafi.

Vetëvendosje zyrtarizon Hajrulla Çekun kandidat për kryetar të Prishtinës

18 June 2025 at 18:41

Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar sot kandidaturën e ministrit aktual të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i degës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, i cili tha se vendimi është marrë unanimisht nga strukturat e partisë në kryeqytet.

“Hajrulla Çeku do të jetë kandidati ynë për Prishtinën. Kjo u vendos unanimisht nga qendra e VV-së në kryeqytet”, deklaroi Vitia.

Kandidatura e Çekut ka marrë mbështetjen edhe nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili e cilësoi atë si “njeri të kulturës dhe patriotizmit”.

Vetëvendosje synon të rikthehet në krye të Prishtinës, pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2021, kur kandidati i saj, Arben Vitia, u mposht në balotazh nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në garën për të parin e Prishtinës pritet të jenë edhe Përparim Rama (LDK), Uran Ismaili (PDK), Bekë Berisha (AAK), si dhe Besa Shahini (PSD).

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 12 tetor./Telegrafi/

The post Vetëvendosje zyrtarizon Hajrulla Çekun kandidat për kryetar të Prishtinës appeared first on Telegrafi.

Asamblisti Retkoceri: Edhe “Kuzhina Qendrore” në Prishtinë është në krizë financiare

13 June 2025 at 10:32

Asamblisti në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri ka thënë se edhe “Kuzhina Qendrore” është në krizë financiare.

Retkoceri thotë se përveç Kuzhinës, gati krejt ndërmarrjet publike në probleme të rënda financiare, transmeton Telegrafi.

“Po, ajo ndërmarrje publike që ushqen me mijëra fëmijë në kopshte. Largon punëtorë nga komuna, sepse Komuna s’ka bërë pagesat. Kështu funksionon reforma e përjetimeve sipas Përparim Ramës: nuk paguan, i çon në faliment, pastaj ankohet që “e sabotojnë”. E keqja është që veç Kuzhinës janë gati krejt ndërmarrjet publike në probleme të rënda financiare”, ka shkruar ai.

Mes tjerash, asamblisti ka pohuar se edhe “Trafiku Urban është në krizë, sepse Komuna s’ia ka dhënë asnjë cent që dy muaj”.

“Autobusët rrezikojnë të ndalen, mendja e tij thotë: Kush ka nevojë për transport publik në kryeqytet? E pishina e Gërmisë? S’e dimë nëse do të hapet këtë verë. Si duket, edhe ujin do na e mbyllin. Prishtina Parkingu fal inicimit të rregulloreve të jashtligjshme të qeverisjes së Perparimit poashtu është në krizë financiare e ligjore”, ka pohuar ai.

Ai ka shkruar “Ky është vizioni i Përparimit për Prishtinën: as ushqim, as transport, as relaks. Vetëm arrogancë, justifikime dhe dorëzim total”.

“E po, fajin e ka “Pastrimi”, “trashëgimia”, “koha”, “hëna e plotë”… veç jo ai vetë. Jo Përparim, ti nuk je zgjidhja, ti ske as ndjeshmërin minimale për Prishtinën. Nuk të sabotoi askush. Ti e sabotove vetveten. E mbi të gjitha – e SABOTOVE PRISHTINËN”./Telegrafi/

The post Asamblisti Retkoceri: Edhe “Kuzhina Qendrore” në Prishtinë është në krizë financiare appeared first on Telegrafi.

Sondazhi i Telegrafit për zgjedhjet lokale, cili kandidat po preferohet deri tani për Prishtinën?

10 June 2025 at 09:42

Presidentja e Kosovës ka shpallur 12 tetorin 2025 si datën zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e vendit. Në këtë datë, qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqësit e rinj komunalë.

Partitë politike tashmë kanë filluar përgatitjet intensive për garën lokale, duke zyrtarizuar kandidatët e tyre nëpër komuna, transmeton Telegrafi.

Në komunën e Prishtinës, janë zyrtarizuar tri kandidatura:

Përparim Rama (LDK) – aktualisht kryetar i Prishtinës, kandidon për një mandat të dytë. Besa Shahini (PSD) ish-minstre e Arsimit në Shqipëri dhe Bekë Berisha (AAK) – deputet dhe figurë e njohur e AAK-së, kanë hyrë në garë për kryeqytetin.

Ndërsa, LVV dhe PDK ende nuk kanë zyrtarizuar kandidaturat, por nga LVV si emra të mundshëm janë përmendur; Glauk Konjufca, Hajrulla Çeku, Mefail Bajçinovci dhe Arben Vitia, ndërsa nga PDK kandidati Uran Ismaili.

Telegrafi ka publikuar një sondazh online, ku mbi 8 mijë qytetarë kanë marrë pjesë, duke shprehur preferencat e tyre për kandidatin që do të mbështesin në zgjedhje, dhe rezultati është si më poshtë:

Përparim Rama (LDK) 29%

Besa Shahini (PSD) 8%

Bekë Berisha (AAK) 7%

Kandidat tjetër 57%   /Telegrafi/

 

 

 

The post Sondazhi i Telegrafit për zgjedhjet lokale, cili kandidat po preferohet deri tani për Prishtinën? appeared first on Telegrafi.

❌
❌