Hetimet për krime zgjedhore: SPAK kontrolle në Elbasan, sekuestrohen shuma parash
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ushtruar kontrolle të befasishme në Elbasan, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore gjatë procesit elektoral të 11 majit.
Burime bëjnë me dije se gjatë këtyre veprimeve hetimore janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash dhe dokumentacion që konsiderohet kompromentues në lidhje me zgjedhjet.
Në vijim të këtij operacioni, një delegacion i nivelit të lartë nga SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zhvilloi një takim pune në Prokurorinë e Elbasanit me drejtuesin e saj, Kreshnik Ajazi. Fokusi i takimit ishte analizimi i ecurisë së hetimeve, shkëmbimi i informacionit operacional dhe përmirësimi i metodologjisë hetimore për të adresuar shkeljet zgjedhore.
Grupi hetimor është i përqendruar në disa raste të dyshuara për blerje votash, kërcënime ndaj votuesve, përdorim të burimeve shtetërore në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës, si dhe përfshirje të individëve me precedentë penal në procesin elektoral.
The post Hetimet për krime zgjedhore: SPAK kontrolle në Elbasan, sekuestrohen shuma parash appeared first on Euronews Albania.