Nga plazhet me ujëra të kristalta të Shqipërisë deri te udhëtimet rrugore mes burimeve termale të Islandës, ja cilat janë 15 destinacionet më të mira për verën 2026, shkruan media italiane “Turisti per Caso”.
Nga vendet më të njohura turistike, te zbulimet e reja dhe destinacione përrallore, Evropa ofron këtë verë 15 vende ideale për çdo lloj turisti.
Në këtë listë përfshihen destinacione për turistët që kërkojnë aventura dhe emocione pranë natyrës, për ata që duan të pushojnë larg zhurmës së përditshme, si dhe për vizitorët që dëshirojnë të shijojnë diellin, detin dhe atmosferën e pushimeve.
Nga plazhet e bukura te qytetet historike dhe peizazhet natyrore mbresëlënëse, këto vende ofrojnë përvoja të ndryshme që mund t’u përshtaten dëshirave të çdo vizitori.
Mbetet vetëm të zgjidhni destinacionin që përputhet më mirë me stilin e pushimeve tuaja.
Deti, temperaturat e larta, natyra, por edhe një klimë më e freskët, eksplorimi i qyteteve apo dëshira për të përjetuar peizazhe malore: lista e 15 destinacioneve kryesore të verës 2026 në Evropë, përfshin si vende tashmë të njohura gjerësisht nga turistët, ashtu edhe destinacione më të veçanta që u përgjigjen kërkesave dhe preferencave specifike të vizitorëve.
Udhëtimi nëpër këto destinacione të preferuara nis nga Shqipëria dhe vijon përmes disa prej pikave më të rëndësishme të Kontinentit të Vjetër, deri në Islandë.
Për shumë njerëz, këto vende përfaqësojnë pushime ëndrrash që duhen përjetuar të paktën një herë në jetë, ndërsa për të tjerë janë zgjedhje të sigurta – kur kërkojnë një kombinim ideal mes qetësisë, bukurisë natyrore dhe aventurës.
Ksamil – Shqipëri
Adhuruesit e detit nuk mund të mos e vendosin Ksamilin në krye të listës së destinacioneve të tyre të preferuara, si një ndër zgjedhjet kryesore për pushime në vitin 2026 në Evropë.
Ujërat e kristalta, plazhet mahnitëse, peizazhet mbresëlënëse dhe ekuilibri perfekt, mes gjallërisë turistike dhe dëshirës për relaks, e bëjnë këtë vend një destinacion gjithnjë e më tërheqës.
Ksamili ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë ndër vite, duke fituar gjithnjë e më shumë popullaritet dhe duke u shpallur një nga destinacionet më të kërkuara për turistët edhe gjatë vitit 2026.
Media italiane “Turisti per Caso” ka renditur 15 destinacionet kryesore të verës 2026 në Evropë:
Në kuadër të programit zyrtar të edicionit të sivjetmë të PrizrenFest, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë sonte performancën artistike “Mall”, një bashkëpunim mes aktorit dhe artistit Arben Bajraktaraj dhe artistes Linda Rukaj, që sjell një reflektim të thellë mbi kujtesën, identitetin dhe raportin e njeriut me hapësirën që e rrethon.
Përmes një gjuhe bashkëkohore skenike, “Mall” ndërthur elemente të teatrit performativ, lëvizjes dhe interpretimit artistik, duke krijuar një përvojë emocionale që eksploron mallin jo vetëm si ndjenjë personale, por edhe si lidhje me vendin, njerëzit, historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Performanca vendos në dialog kujtesën individuale dhe kolektive, duke ftuar publikun të reflektojë mbi mënyrën se si hapësirat ndryshojnë me kalimin e kohës dhe si ato mbartin histori, emocione dhe identitete të brezave.
“MALL” do të mbahet sonte, më 26 korrik 2026, në Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare në Prizren, duke filluar nga ora 20:30.
Kjo shfaqje është pjesë e përpjekjes së vazhdueshme të PrizrenFest për të sjellë forma të reja artistike në ndërthurje me hapësirat historike të qytetit. Përmes aktivizimit të monumenteve dhe vendeve me vlera të veçanta kulturore si skena për artin, festivali krijon një urë mes së kaluarës dhe së tashmes, duke e bërë trashëgiminë kulturore pjesë të gjallë të jetës artistike.
Me “Mall”, PrizrenFest vazhdon misionin e tij për të promovuar projekte që shkojnë përtej performancës skenike, duke krijuar përvoja ku arti, historia dhe identiteti i qytetit takohen në një hapësirë të përbashkët.
Publiku është i ftuar të bëhet pjesë e kësaj ngjarjeje artistike, ku kujtesa dhe trashëgimia e Prizrenit marrin jetë përmes gjuhës së artit bashkëkohor./KultPlus.com
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka kujtuar sot në ditën e lindjes akademikun Dhimitër Shuteriqi, një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe studimeve albanologjike.
Dhimitër Shuteriqi lindi më 12 korrik 1915 në Elbasan, në një familje me tradita intelektuale. Ai ishte i biri i Simon Shuteriqit, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe Kongresin e Elbasanit, si dhe një ndër themeluesit e Normales së Elbasanit.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e ndoqi në Liceun e Korçës, ndërsa studimet e larta i përfundoi në universitetet e Grenoblit dhe Lionit në Francë. Pas kthimit në Shqipëri, ai u angazhua në arsim dhe në jetën kulturore, duke dhënë mësim në Elbasan gjatë viteve 1942-1943.
Shuteriqi u bë i njohur si shkrimtar, studiues dhe historian i letërsisë shqiptare. Ai botoi romane, tregime dhe studime të shumta, përmes të cilave trajtoi jetën shqiptare në periudha të ndryshme historike dhe ndihmoi në dokumentimin e zhvillimit të letërsisë shqipe.
Si studiues, ai pati një rol të rëndësishëm në hulumtimin e traditës letrare shqiptare, duke ndriçuar figura të hershme të shkrimit shqip dhe duke hedhur bazat e historiografisë letrare shqiptare. Puna e tij kontribuoi në krijimin e një panorame më të plotë të rrugëtimit të letërsisë shqipe nga autorët e vjetër deri te krijuesit modernë.
Në cilësinë e akademikut dhe drejtuesit të institucioneve shkencore, Dhimitër Shuteriqi mbrojti gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e studimeve albanologjike.
Ai u nda nga jeta më 22 korrik 2003, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Veprimtaria e tij vazhdon të mbetet një pikë referimi për studiuesit dhe brezat e rinj të interesuar për letërsinë shqipe./KultPlus.com
Platforma kulturore Service95, e themeluar nga Dua Lipa, ka prezantuar kapitullin “Control” të Manifesto Library, një përzgjedhje prej 10 librash që eksplorojnë mënyrat se si censura, mbikëqyrja, propaganda, teknologjia dhe pushteti ndikojnë në mënyrën se si njerëzit mendojnë, kujtojnë dhe e kuptojnë botën.
Duke marrë frymëzim nga romani distopik “Fahrenheit 451” i Ray Bradbury, ku personazhi Kapiteni Beatty thotë se “një libër është një armë e mbushur në shtëpinë ngjitur”, ky kapitull i Manifesto Library fokusohet te veprat që sfidojnë mekanizmat e kontrollit dhe nxisin reflektimin mbi lirinë individuale.
KultPlus ju sjell këtë përzgjedhje letrare, duke sjellë në vëmendje veprat që trajtojnë lirinë e mendimit, kontrollin shoqëror dhe fuqinë e fjalës së shkruar:
“The Memory Police” – Yōko Ogawa (Japoni)
Një roman distopik që tregon një shoqëri ku objektet dhe kujtimet zhduken gradualisht, ndërsa njerëzit detyrohen të harrojnë edhe pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Vepra paraqet në mënyrë të fuqishme mënyrën se si kontrolli mund të ushtrohet përmes fshirjes së kujtesës.
“The Hunger Games” – Suzanne Collins
Vendosur në një të ardhme distopike, romani tregon një shoqëri ku pushteti përdor lojërat vdekjeprurëse televizive për të frikësuar qytetarët dhe për ta bërë rezistencën kolektive të duket e pamundur. Një histori mbi propagandën, manipulimin dhe revoltën.
“Careless People” – Sarah Wynn-Williams (Zelandë e Re)
Një kujtim personal që sjell rrëfime nga periudha e autores në kompaninë Meta (Facebook). Libri trajton fuqinë e teknologjisë, ndikimin e korporatave të mëdha dhe debatet rreth transparencës, kontrollit të informacionit dhe llogaridhënies.
“Fahrenheit 451” – Ray Bradbury (SHBA)
Një nga romanet më të njohura për censurën. Bradbury imagjinon një shoqëri ku librat janë të ndaluar dhe ku njerëzit mbahen të shpërqendruar përmes argëtimit të vazhdueshëm, duke shmangur mendimin kritik dhe debatet.
“The Handmaid’s Tale” – Margaret Atwood
Një roman mbi një regjim totalitar ku gratë humbasin liritë themelore dhe reduktohen në role të përcaktuara nga pushteti. Atwood eksploron kontrollin mbi trupin, identitetin, të drejtat dhe kujtesën historike.
“The Melancholy of Resistance” – László Krasznahorkai
Një vepër që përshkruan frikën kolektive, pasivitetin dhe manipulimin e turmave. Përmes një atmosfere të rëndë, romani tregon se si shoqëritë mund të kontrollohen përmes ankthit dhe pasigurisë.
“Blindness” – José Saramago
Një alegori për një shoqëri që përballet me një epidemi verbërie, duke zbuluar dobësitë e institucioneve dhe moralit njerëzor. Romani tregon se sa shpejt mund të shpërbëhen sistemet e rendit kur mungojnë përgjegjësia dhe solidariteti.
“The Accusation” – Bandi (Koreja e Veriut)
Një përmbledhje tregimesh të shkruara fshehurazi në Korenë e Veriut dhe të nxjerra jashtë vendit në mënyrë të fshehtë. Libri është dëshmi e fuqisë së letërsisë edhe nën censurën më të ashpër.
“On Censorship” – Ai Weiwei (Kinë)
Në këtë vepër, artisti dhe aktivisti Ai Weiwei analizon mënyrat se si censura shfaqet në shoqëritë moderne, përfshirë artin, mediat sociale dhe fuqinë e korporatave. Ai argumenton se forma më e rrezikshme e censurës është ajo që vepron në mënyrë të padukshme.
“One Flew Over the Cuckoo’s Nest” – Ken Kesey
Romani zhvillohet në një spital psikiatrik dhe eksploron marrëdhënien mes pushtetit, kontrollit institucional dhe rezistencës individuale. Vepra ngre pyetje mbi kufirin mes kujdesit dhe shtypjes.
Përmes këtij kapitulli, Manifesto Library, krijuar në bashkëpunim me Service95 Book Club dhe Livraria Lello, synon të sjellë libra që nxisin diskutimin mbi lirinë, pushtetin dhe mënyrën se si shoqëritë formësohen nga informacioni që marrin ose u mohohet./KultPlus.com
KultPlus sjell vazhdimisht përzgjedhje dhe rekomandime kulturore që lidhin lexuesit me libra, autorë dhe ide që kanë lënë gjurmë në kulturën botërore.
“A Scream in the Dark / Britmë në Errësirë”, produksion nga Brazili, dëshmoi se teatri, kur bashkon artin me të vërtetën historike, shndërrohet në një akt të fuqishëm kujtese, ndërgjegjësimi dhe rezistence.
Mbrëmë, në ambientin autentik të Burgut të Qytetit në Prizren, publiku përjetoi një nga ngjarjet më të fuqishme artistike të këtij edicioni të PrizrenFest. Shfaqja teatrore “A Scream in the Dark / Britmë në Errësirë”, produksion nga Brazili, dëshmoi se teatri, kur bashkon artin me të vërtetën historike, shndërrohet në një akt të fuqishëm kujtese, ndërgjegjësimi dhe rezistence.
E vendosur në hapësirën simbolike të një burgu, aty ku muret mbajnë jehonën e dhimbjes dhe privimit të lirisë, shfaqja krijoi një përvojë të rrallë artistike, ku kufiri mes skenës dhe realitetit pothuajse u zhduk. Publiku nuk ishte vetëm spektator, por dëshmitar i një rrëfimi që depërtoi thellë në ndërgjegje dhe që, siç u dëshmua edhe nga reagimet në fund të shfaqjes, askënd nuk e la të largohej i njëjti njeri që kishte hyrë.
Me një interpretim artistik të jashtëzakonshëm, të mbështetur mbi një gjuhë skenike shumëdimensionale, aktoret sollën me ndjeshmëri dhe intensitet historitë e vërteta të grave të burgosura, të torturuara dhe të dhunuara gjatë regjimit ushtarak në Brazil. Çdo lëvizje, çdo heshtje dhe çdo britmë në skenë u shndërruan në dëshmi të dhimbjes njerëzore, duke e ngritur shfaqjen përtej një realizimi teatror, në një manifest universal kundër dhunës dhe harresës.
Forca e kësaj vepre qëndron pikërisht në aftësinë e saj për të tejkaluar kufijtë gjeografikë dhe historikë. Historia e grave braziliane u bë menjëherë edhe historia jonë. Për publikun kosovar ishte e pamundur të mos kujtoheshin rrëfimet e grave shqiptare të burgosura, të torturuara dhe të dhunuara në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të regjimit serb, deri në luftën e fundit në Kosovë. Janë plagë që ende kërkojnë drejtësi të plotë, histori që vazhdojnë të presin dënimin e krimeve dhe njohjen e plotë të vuajtjeve të mijëra grave.
Në këtë kontekst, “Scream in the Dark” nuk ishte vetëm një shfaqje për Brazilin. Ajo u shndërrua në një kujtesë kolektive për të gjitha shoqëritë që kanë përjetuar shtypje, dhunë dhe terror shtetëror. Ajo dëshmoi se arti ka detyrimin moral të ruajë kujtesën, të sfidojë harresën dhe të mbajë të gjalla historitë e atyre që për dekada janë detyruar të heshtin.
PrizrenFest, edhe këtë vit, konfirmoi misionin e tij për të sjellë në Kosovë vepra artistike që nuk ofrojnë vetëm estetikë, por edhe reflektim të thellë shoqëror. Duke trajtuar tema që prekin plagë ende të hapura, festivali vazhdon të krijojë hapësira dialogu për çështje që shpesh kanë mbetur të paadresuara, ndërsa drejtësia për viktimat ende nuk ka mbërritur plotësisht. Pikërisht kjo e bën PrizrenFest-in një platformë të rëndësishme kulturore, ku arti shndërrohet në zë të kujtesës, të së vërtetës dhe të përgjegjësisë kolektive.
Në përfundim të shfaqjes, publiku shpërtheu në duartrokitje të gjata, mes emocionesh të përziera. I tronditur nga rrëfimet autentike të grave braziliane dhe njëkohësisht thellësisht i prekur nga ngjashmëritë me historinë e Kosovës, audienca e përcolli ansamblin artistik me respekt dhe mirënjohje për një vepër që preku ndërgjegjen e secilit.
Në shenjë falënderimi për mbështetjen në realizimin e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, organizatorët e PrizrenFest ndanë një mirënjohje për Presidencën e Republikës së Kosovës. Mirënjohja iu dorëzua znj. Nazlie Bala, në vlerësim të kontributit të Presidencës në mundësimin e sjelljes në Kosovë të këtij produksioni të jashtëzakonshëm teatror nga Brazili./KultPlus.com
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka marrë pjesë në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia” në Shkup, ku muzika klasike dhe ajo operistike u ndërthurën me trashëgiminë kulturore të qytetit.
Në një publikim në rrjetet sociale, Bogujevci ka ndarë momente nga mbrëmja artistike e mbajtur në ambientin historik të Kurshumli Hanit, duke e cilësuar festivalin si një ngjarje që sjell një kombinim të veçantë mes artit dhe trashëgimisë.
Pjesë e programit ishte gala-koncerti “Inva & Friends”, me pjesëmarrjen e sopranos shqiptare me famë botërore Inva Mula dhe artistëve të tjerë të njohur, të cilët sollën interpretime të fuqishme dhe një program të përzgjedhur artistik.
Sipas Bogujevcit, festivale të tilla kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e jetës kulturore, duke krijuar hapësira për bashkëpunim, shkëmbim artistik dhe lidhje të reja mes komuniteteve kulturore në rajon./KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte programin artistik me “Opera Night”, një mbrëmje e veçantë që do të mbledhë adhuruesit e muzikës klasike në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
Me fillim nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë performancën e sopranos kosovare Elbenita Kajtazi dhe tenorit venezuelian Jorge Puerta, i cili i është bashkuar festivalit pas anulimit të pjesëmarrjes së tenorit Charles Castronovo për arsye shëndetësore, shkruan KultPlus.
I njohur për interpretimet e tij në role kryesore të repertorit operistik në teatro prestigjioze të Evropës dhe Amerikës Latine, Jorge Puerta do të performojë për herë të parë në skenën e Rame Lahaj International Opera Festival. Dy artistët do të shoqërohen në piano nga Jess Rucinski, ndërsa programi i mbrëmjes përfshin arie dhe duete nga disa prej kryeveprave më të njohura të operës botërore.
“Opera Night” është një nga ngjarjet e rëndësishme të edicionit të sivjetmë të festivalit, i cili vazhdon të sjellë në Kosovë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe të promovojë artistët vendorë para publikut vendas dhe ndërkombëtar.
Koncerti do të mbahet sonte në ambientin e jashtëm të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe hyrja për publikun është falas.
Edicioni i sivjetmë i Rame Lahaj International Opera Festival zhvillohet nën moton “Play Music, Not War”, ndërsa do të kulmojë më 29 korrik me mbrëmjen gala “Rame Lahaj & Friends”./KultPlus.com
Një koleksion i rrallë letrash të shkruara nga Morrissey gjatë adoleshencës së tij, vite përpara se të themelonte grupin legjendar The Smiths, do të dalë në ankand në Londër, ku pritet të arrijë një vlerë të përgjithshme prej mbi 22 mijë paundësh.
Arkivi përfshin korrespondencën që këngëtari, atëherë i njohur si Steven Morrissey, i dërgonte mikut të tij Simon Pitt mes viteve 1974 dhe 1979, kur ishte nga 14 deri në 20 vjeç. Letrat do të shiten si lote të veçanta në ankandin “Before The Smiths: The Morrissey Letters”, i cili do të mbahet më 26 gusht nga Dawsons Auctioneers në Londër.
Në një nga letrat më të hershme, Morrissey shkruan me vetëbesim:
“Ambicia ime është të jem një yll i rock ‘n’ roll-it, ose një aktor, ose një shkrimtar.”
Vetëm pak javë më vonë, ai shton një deklaratë që sot tingëllon profetike:
“Gjithmonë kam thënë se isha një gjeni, por askush nuk më dëgjonte.”
Korrespondenca ofron një pasqyrë të rrallë të viteve formuese të artistit, shumë kohë përpara se ai të bashkohej me kitaristin Johnny Marr për të krijuar The Smiths në vitin 1982. Në letra ai rrëfen pasionin për muzikën, letërsinë dhe politikën, si edhe ambicien e palëkundur për t’u bërë një figurë e madhe e skenës muzikore.
Morrissey komenton gjithashtu skenën punk britanike të viteve ’70. Ai përshkruan përvojën e tij pasi pa grupin The Sex Pistols në Manchester, duke ndryshuar krejtësisht mendimin për ta:
“Sa për Pistols-at… ishin të mjerë. I tërheq mbrapsht të gjitha ato që kam thënë për ta. Janë thjesht të këqij.”
Në letra përmenden edhe takimet e tij me emra si Patti Smith, Johnny Thunders dhe Jerry Nolan, vizita në klubin legjendar CBGB në Nju Jork, përpjekja për t’iu bashkuar The Clash, si edhe eksperienca e tij e parë si vokalist i grupit punk The Nosebleeds.
Në një tjetër letër, ai shkruan me bindje:
“Jam në botën e spektaklit… Do të hidhem mbi këtë botë që ende nuk dyshon. Jam gati për superyllësi. Por pastaj, gjithmonë kam qenë një yll, apo jo?”
Përveç muzikës, korrespondenca prek edhe zhvillimet politike të Britanisë së fundviteve 1970. Pas zgjedhjes së Margaret Thatcher si kryeministre, Morrissey shpreh hapur shqetësimin e tij për klasën punëtore, duke treguar se interesimi i tij për çështjet shoqërore kishte nisur shumë përpara famës.
Sipas Peter Mason, ankandist dhe vlerësues i lartë në Dawsons Auctioneers, ajo që bie më shumë në sy është humori dhe zëri letrar i Morrissey-t, të cilët shfaqen qartë në çdo letër.
“Before The Smiths: The Morrissey Letters” konsiderohet një nga koleksionet më intime dhe domethënëse që është shfaqur ndonjëherë në treg për vitet e hershme të një prej figurave më me ndikim të rock-ut britanik, duke dokumentuar lindjen e stilit, humorit dhe ambicies që më vonë do ta shndërronin Morrissey-n në një ikonë të muzikës alternative./KultPlus.com
Një rrugë me kalldrëm, e ndërtuar rreth 7,000 vjet më parë, është zbuluar nën ujërat e Detit Adriatik pranë ishullit Korçula në Kroaci, duke sjellë dëshmi të reja mbi nivelin e zhvillimit dhe organizimit të komuniteteve neolitike në rajon.
Zbulimi u bë në sitin arkeologjik nënujor të Solinës, një prej vendbanimeve prehistorike më të rëndësishme të Mesdheut. Sipas arkeologëve, rruga shërbente si lidhje mes vendbanimit dhe pjesës kryesore të ishullit.
E gjerë rreth katër metra, rruga është ndërtuar me pllaka guri të vendosura me kujdes dhe sot ndodhet 4 deri në 5 metra nën sipërfaqen e detit. Për mijëra vjet ajo ka qenë e mbuluar nga balta dhe sedimentet detare, çka ka bërë të mundur ruajtjen e saj në gjendje të shkëlqyer.
Zbulimi është rezultat i bashkëpunimit mes Universitetit të Zadarit, Muzeve të Dubrovnikut, Muzeut të Qytetit të Kaštelës dhe Muzeut Bashkiak të Korçulës, me ndihmën e zhytësve dhe fotografëve nënujorë. Datimet tregojnë se rruga është përdorur rreth vitit 4900 para erës sonë.
Një ishull artificial nga periudha neolitike
Rruga çon drejt vendbanimit të Solinës, i cili, sipas studiuesve, ishte ndërtuar mbi një ishull artificial të krijuar nga ndërhyrja njerëzore dhe i lidhur me Korçulën përmes një rripi të ngushtë toke.
Siti u identifikua në vitin 2021 nga arkeologu Mate Parica i Universitetit të Zadarit, pasi ai vuri re formacione të pazakonta në fundin e detit përmes imazheve satelitore. Zhytjet e mëvonshme zbuluan mure guri dhe mbetje të një vendbanimi të mirëorganizuar.
Ekspertët vlerësojnë se pozicioni i mbrojtur i Solinës në Adriatik ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e strukturave, pasi ishujt përreth kanë zbutur ndikimin e dallgëve ndër shekuj.
Siti ndodhet në një gji mes qytetit të vjetër të Korçulës dhe fshatit Lubardë. Muret e vendbanimit ndodhen rreth katër metra nën ujë dhe janë të dukshme edhe për zhytësit amatorë, ndërsa një pjesë e objekteve të zbuluara ekspozohen në Muzeun Bashkiak të Korçulës.
Datimi me radiokarbon i mbetjeve prej druri të gjetura pranë vendbanimit konfirmon se ai është ndërtuar rreth vitit 4900 para erës sonë, në periudhën neolitike, kur komunitetet filluan të braktisnin jetën nomade dhe të krijonin vendbanime të përhershme.
Arkeologët ia atribuojnë ndërtimin e rrugës dhe të vendbanimit kulturës Hvar, një kulturë e njohur neolitike dhe e epokës së bakrit që u zhvillua përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut. Në zonë janë zbuluar gjithashtu sëpata guri, tehe, enë qeramike të zbukuruara dhe objekte të tjera karakteristike të kësaj kulture.
Zbulohet edhe një vendbanim i dytë nën ujë
Gjatë kërkimeve në Solinë, studiuesit identifikuan edhe një vendbanim tjetër të panjohur më parë në Gjirin e Gradinës, në anën tjetër të ishullit Korçula.
Edhe ky vendbanim ndodhet 4 deri në 5 metra nën ujë dhe paraqet ngjashmëri të mëdha me Solinën, si në arkitekturë ashtu edhe në objektet e gjetura. Zhytësit kanë zbuluar sëpata guri, tehe dhe fragmente qeramike që lidhen gjithashtu me kulturën Hvar.
Sipas arkeologëve, ekzistenca e dy vendbanimeve të ngjashme pranë të njëjtit ishull tregon se Korçula ka pasur një popullsi neolitike shumë më të madhe dhe më të organizuar sesa mendohej deri më sot.
Vendbanimet neolitike të fundosura janë jashtëzakonisht të rralla në Mesdhe, pasi shumica e vendbanimeve bregdetare janë shkatërruar nga erozioni ose kanë mbetur mbi nivelin e detit. Për këtë arsye, zbulimi në Korçulë konsiderohet një burim i rëndësishëm informacioni për mënyrën e jetesës, teknikat e ndërtimit dhe organizimin shoqëror të komuniteteve që jetonin përgjatë brigjeve të Adriatikut rreth shtatë mijë vjet më parë./KultPlus.com
Sot shënohen tetë vjet nga ndarja nga jeta e Adem Demaçit, një prej figurave më të shquara të historisë së Kosovës, shkrimtar, veprimtar i çështjes kombëtare dhe simbol i rezistencës shqiptare. I njohur si “Mandela i Kosovës”, ai mbetet një nga personalitetet më të respektuara për sakrificën dhe përkushtimin e tij në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve.
Adem Demaçi lindi më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, me prejardhje nga fshati Lupç i Podujevës. Për shkak të veprimtarisë së tij politike në ish-Jugosllavi, ai kaloi plot 28 vjet në burgjet jugosllave, duke u bërë simbol i qëndresës pa kompromis ndaj shtypjes dhe padrejtësisë.
Pas lirimit në vitin 1990, Demaçi vazhdoi angazhimin e tij publik dhe politik. Nga viti 1990 deri më 1995 udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ndërsa në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov për Lirinë e Mendimit, si vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shkruan KultPlus.
Gjatë luftës së Kosovës, në periudhën 1998–1999, ai ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke luajtur një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më vonë, në vitet 2005–2007, shërbeu edhe si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Përveç veprimtarisë politike, Demaçi la gjurmë edhe në letërsinë shqipe. Romani i tij “Gjarpinjt e gjakut”, i botuar në vitin 1958, konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare në Kosovë, duke trajtuar fenomenin e gjakmarrjes dhe nevojën për pajtim.
Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018, në moshën 82-vjeçare. Në nderim të tij, institucionet e Kosovës shpallën tri ditë zie shtetërore dhe organizuan homazhe e aktivitete përkujtimore.
Edhe tetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta, Adem Demaçi vazhdon të kujtohet si një figurë që ia kushtoi jetën lirisë, dinjitetit dhe të drejtave të popullit të Kosovës, duke lënë pas një trashëgimi që mbetet frymëzim për brezat e rinj./KultPlus.com
Klubi i Futbollit për Femra Mitrovica ka shënuar një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke siguruar kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Women’s Champions League.
Kampionet e Kosovës triumfuan me rezultat 2:0 ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, në finalen e miniturneut kualifikues të raundit të parë, duke vazhduar me meritë rrugëtimin e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube.
Fitorja vjen si rezultat i punës, disiplinës dhe përkushtimit të futbollisteve mitrovicase, të cilat edhe një herë dëshmuan rritjen e vazhdueshme të futbollit të femrave në Kosovë.
Pas ndeshjes, Federata e Futbollit e Kosovës përgëzoi klubin për këtë arritje, duke vlerësuar kontributin e futbollisteve, trajnerit Shpëtim Idrizi, stafit teknik, drejtuesve të klubit dhe gjithë qytetarëve të Mitrovicës për mbështetjen e vazhdueshme.
Me këtë sukses, KFF Mitrovica vazhdon të përfaqësojë denjësisht futbollin e Kosovës në skenën evropiane, me synimin për të avancuar edhe më tej në UEFA Women’s Champions League./KultPlus.com
Grupi i Shtatë (The Group of Seven) ishte lëvizja e parë artistike kombëtare e Kanadasë që fitoi njohje ndërkombëtare, duke luajtur një rol kyç në formësimin e një identiteti modern dhe të veçantë kanadez gjatë viteve 1920. Ndërsa në Kanada shënohet Dita Zyrtare e Group of Seven, trashëgimia e tyre vazhdon të jetë objekt diskutimi: sa përputhen idealet e këtij grupi me ato të të ashtuquajturit “Indian Group of Seven”, i krijuar pesë dekada më vonë?
Në pikturën “Stormy Weather, Georgian Bay” (1921), artisti F.H. Varley paraqet një pemë të vetmuar që qëndron mes shkëmbinjve dhe ujërave të trazuar të Gjirit Georgian. E goditur nga era dhe stuhia, ajo nuk dorëzohet. Me penelata të ashpra dhe forma të thjeshtuara, vepra nuk paraqet vetëm forcën e natyrës, por edhe qëndrueshmërinë e kolonëve kanadezë dhe lidhjen e tyre me peizazhin e egër të vendit.
Kjo pikturë konsiderohet një nga veprat më ikonike të The Group of Seven, kolektivit artistik që u shkëput nga tradita akademike evropiane për të krijuar një stil autentik kanadez, të frymëzuar nga natyra madhështore dhe e paprekur e vendit.
Sipas Katerina Atanassova, kuratore e lartë e artit kanadez në Galerinë Kombëtare të Kanadasë, veprat e këtij grupi kanë për Kanadanë të njëjtën peshë simbolike që ka Statuja e Lirisë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, 7 korriku festohet çdo vit si Dita e Group of Seven.
Grupi përbëhej nga Franklin Carmichael, Lawren Harris, A.Y. Jackson, Franz Johnston, Arthur Lismer, J.E.H. MacDonald dhe F.H. Varley. Megjithëse nuk ishte pjesë zyrtare e tij, Tom Thomson konsiderohet frymëzimi më i madh i grupit, pasi vdiq në vitin 1917, tre vite përpara themelimit të tij. Veprat si The Jack Pine, The West Wind dhe North Shore, Lake Superior janë shndërruar në simbole të identitetit artistik kanadez.
Një pikë kthese për artin kanadez
Artistët filluan të punonin së bashku gjatë viteve 1910, në një periudhë kur Kanadaja, megjithëse ishte vetëqeverisëse brenda Perandorisë Britanike që nga viti 1867, ende nuk kishte krijuar një identitet të mirëfilltë artistik.
Një moment vendimtar ndodhi në vitin 1913, kur MacDonald dhe Harris vizituan një ekspozitë të rëndësishme të artit bashkëkohor skandinav në Buffalo, SHBA. Artistët nga Norvegjia, Suedia dhe Finlanda po ndërtonin identitetin e tyre kombëtar përmes peizazheve të thjeshtuara, ngjyrave të forta dhe një qasjeje moderne ndaj natyrës. Pikërisht aty artistët kanadezë kuptuan se edhe peizazhi i Kanadasë mund të shndërrohej në simbol të identitetit kombëtar.
Ndikim të madh pati edhe Tom Thomson, një artist autodidakt dhe dizajner grafik, i cili kalonte javë të tëra duke udhëtuar me kanoe nëpër pyjet dhe liqenet e Kanadasë për të pikturuar natyrën.
Sipas Atanassovës, Thomson ishte artisti që krijoi figurën ikonike të pemës së vetmuar, duke i frymëzuar të tjerët ta shihnin natyrën kanadeze jo si një peizazh për t’u kopjuar, por si një përvojë emocionale.
“Qëllimi i tyre nuk ishte të paraqisnin se si dukej natyra, por mënyrën se si ajo i bënte të ndiheshin – emocionet që krijonin qielli me yje, pishat e përkulura nga era apo brigjet e zhveshura të Liqenit Superior,” shpjegon Atanassova.
Vdekja e papritur e Thomsonit në moshën 40-vjeçare e ktheu atë në një figurë legjendare të kulturës kanadeze. Kur grupi u themelua zyrtarisht në vitin 1920, synimi ishte të vazhdonte vizionin e tij artistik.
Megjithatë, ekspozita e parë nuk u prit mirë. Një kritik i kohës shkroi se pikturat e tyre i ngjanin “përmbajtjes së stomakut të një të dehuri”.
Ironikisht, ishte pikërisht vlerësimi ndërkombëtar ai që ndryshoi opinionin publik në Kanada. Në Ekspozitën e Perandorisë Britanike, të mbajtur në Wembley në vitin 1924, veprat e tyre u pritën me entuziazëm dhe shtypi britanik i cilësoi si art me një “karakter të veçantë kanadez”. Pas këtij suksesi, artistët u pranuan dhe u vlerësuan edhe në vendin e tyre.
Kritikat ndaj Group of Seven
Megjithatë, ky “karakter kanadez” është kritikuar për faktin se nuk përfshinte popujt autoktonë.
Sipas Atanassovës, kjo kritikë nuk është plotësisht e drejtë, pasi artistët nuk paraqitën as qytete, as industri dhe as shenja të civilizimit njerëzor.
“Ata kërkonin natyrën e paprekur, sipas traditës së artit modern skandinav. Për këtë arsye nuk paraqitën as zhvillimin industrial.”
Megjithatë, sot dihet se mungesa e popullsisë indigjene në këto peizazhe lidhej edhe me politikat shtetërore të kohës. Që nga fundi i shekullit XIX, komunitetet indigjene ishin zhvendosur me forcë në rezervate ose në shkolla rezidenciale, ku lëvizja dhe praktikat e tyre kulturore ishin kufizuar.
“Indian Group of Seven”
Këto politika ndikuan rëndë edhe në zhvillimin e artit indigjen. Si reagim ndaj përjashtimit institucional, në fillim të viteve 1970 u krijua organizata Professional Native Indian Artists Incorporated (PNIAI).
Grupi përbëhej nga Jackson Beardy, Eddy Cobiness, Alex Janvier, Norval Morrisseau, Daphne Odjig, Carl Ray dhe Joseph Sanchez.
Ata konsiderohen grupi i parë i organizuar nga vetë artistët indigjenë për të mbrojtur të drejtat e tyre artistike dhe për të sfiduar mënyrën se si arti indigjen trajtohej nga institucionet.
Sipas Michelle LaVallee, drejtoreshë e Departamentit për Mënyrat Indigjene dhe Dekolonizimin në Galerinë Kombëtare të Kanadasë, në atë periudhë nuk kishte pothuajse asnjë kurator apo profesionist indigjen në institucionet kulturore.
Arti indigjen ekspozohej kryesisht në muze etnografikë dhe jo në galeritë e artit bashkëkohor, megjithëse përfaqësonte formën më të hershme dhe më autentike të artit kanadez.
“Ne nuk kishim askënd që të ekspozonte veprat tona, ndaj u detyruam ta bënim vetë. E mbështetëm njëri-tjetrin kur bota e artit na refuzonte. Së bashku rrëzuam barriera që do të kishin qenë shumë më të vështira për t’u përballuar vetëm,” kishte deklaruar më vonë Daphne Odjig.
Megjithëse media i quajti “Indian Group of Seven”, LaVallee shpjegon se vetë artistët preferonin emrin zyrtar Professional Native Indian Artists Incorporated, pasi për ta ishte e rëndësishme të theksohej profesionalizmi dhe identiteti i tyre.
Dy këndvështrime të ndryshme mbi tokën
LaVallee vlerëson edhe veprat e Group of Seven, por thekson se mënyra se si të dy grupet e konceptojnë peizazhin është thellësisht e ndryshme.
Artistët e PNIAI nuk e shohin tokën vetëm si peizazh. Në veprat e tyre, toka lidhet me historinë, shpirtin, kafshët, kujtesën dhe identitetin. Alex Janvier shpesh përdorte harta në kompozimet e tij, ndërsa Norval Morrisseau krijonte lidhje mes natyrës, botës shpirtërore dhe qenieve të gjalla.
“Është ndryshimi mes dikujt që i përket kësaj toke dhe dikujt që vjen si kolon dhe e vlerëson atë,” shprehet LaVallee.
Sipas saj, edhe pse artistët e Group of Seven mund të mos kenë pasur qëllim të përjashtonin popujt indigjenë, mënyra se si veprat e tyre u përdorën për të ndërtuar narrativën kombëtare të Kanadasë kontribuoi në krijimin e një historie ku komunitetet indigjene mbetën të padukshme.
Një histori që sot rishkruhet
Sot, Galeria Kombëtare e Kanadasë ekspozon veprat e artistëve indigjenë dhe jo-indigjenë në të njëjtat hapësira, duke synuar të ndërtojë një histori më gjithëpërfshirëse të artit kanadez.
LaVallee thekson se kjo nuk bëhet për të fshirë historinë ekzistuese, por për ta plotësuar atë.
“Kanadaja është një vend shumëkulturor, por arti i parë i kësaj toke ishte arti indigjen dhe njerëzit e parë të kësaj toke ishin popujt indigjenë. Kjo duhet të pranohet, të respektohet dhe të njihet.”
Në vitet 1970, veprat e Group of Seven u interpretuan nga disa si përjashtuese dhe të lidhura me narrativën koloniale. Megjithatë, në shekullin XXI, ato shihen në një këndvështrim krejtësisht tjetër. Për shumë kanadezë të sotëm, të apasionuar pas natyrës dhe jetës në ambient të hapur, arti i këtij grupi përfaqëson një homazh ndaj bukurisë së jashtëzakonshme natyrore të vendit.
Sipas Katerina Atanassovës, pikturat e tyre mishërojnë “atë lidhje të papërpunuar dhe autentike me natyrën, pikërisht me natyrën që shihni në këto piktura. Liqenet janë ende po ato, qielli është po ai. Është një shprehje e përvojës suaj personale, e asaj që shihni, ndieni dhe jetoni./bbc/KultPlus.com
Romani debutues “Yesteryear” i autores Caro Claire Burke është shndërruar në një nga fenomenet më të mëdha letrare të vitit 2026. Që nga publikimi i tij në muajin prill, libri ka pushtuar listat e bestsellerëve në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa është bërë një nga titujt më të diskutuar në rrjetet sociale dhe klubet e leximit.
Në BookTok dhe Bookstagram, Yesteryear ka dominuar bisedat mes lexuesve, duke u renditur ndër librat më të komentuar të muajve të fundit. Përtej suksesit në shitje, romani ka tërhequr vëmendje edhe për debatet që ka nxitur rreth mënyrës se si trajton gruan moderne, rrjetet sociale dhe idealizimin e jetës tradicionale.
Në qendër të historisë është Natalie Heller Mills, një influencuese 32-vjeçare, nënë e pesë fëmijëve dhe në pritje të fëmijës së gjashtë. Ajo ka ndërtuar famën e saj duke ndarë në rrjetet sociale një jetë që duket e përkryer në fermën e familjes në Idaho, ku promovon stilin e jetesës së njohur si “tradwife” – një model që mbështet rolet tradicionale gjinore, ku burri është siguresa ekonomike e familjes, ndërsa gruaja kujdeset për shtëpinë dhe rritjen e fëmijëve.
Natalie shfaqet gjithmonë duke pjekur bukë në shtëpi, duke mbledhur vezë në fermë, duke edukuar vetë fëmijët dhe duke promovuar një jetë larg ritmit modern. Megjithatë, pas imazhit të ndërtuar për ndjekësit, jeta e saj nuk është aq e përsosur sa duket.
Historia merr një kthesë të papritur kur protagonistja zgjohet në vitin 1855, periudhën që prej kohësh e kishte idealizuar. E detyruar të jetojë realisht në shekullin XIX, Natalie përballet me vështirësitë dhe kufizimet që shoqëronin jetën e grave në atë kohë, duke zbuluar se realiteti është shumë larg romantizimit që kishte krijuar për të kaluarën.
Një nga arsyet pse romani ka tërhequr kaq shumë vëmendje është pikërisht kjo ide: çfarë ndodh kur dikush që idealizon një mënyrë jetese të së kaluarës detyrohet ta përjetojë atë në të vërtetë? Kjo premisë ka bërë që libri të diskutohet gjerësisht, ndërsa trajton tema si identiteti, martesa, amësia, ndikimi i rrjeteve sociale dhe presioni për të krijuar një imazh të përsosur në internet.
Interesi për librin është rritur edhe më tej pasi u bë e ditur se Anne Hathaway do të prodhojë adaptimin filmik të romanit dhe pritet të interpretojë edhe rolin kryesor.
Shumë lexues kanë vënë re ngjashmëri mes personazhit të Natalie-t dhe influencueses amerikane Hannah Neeleman, e njohur në rrjetet sociale si Ballerina Farm, e cila dokumenton jetën e saj në një fermë dhe numëron mbi 10 milionë ndjekës në Instagram. Megjithatë, Neeleman ka deklaruar se nuk e konsideron veten pjesë të lëvizjes “tradwife” dhe ka reaguar me qetësi ndaj krahasimeve që janë bërë me romanin.
Autorja Caro Claire Burke, e cila më parë ka punuar si gazetare dhe ka trajtuar fenomenin “tradwife” në raportimet e saj, e përdor historinë për të eksploruar ndikimin e kulturës së influencuesve dhe mënyrën se si rrjetet sociale ndërtojnë versione të idealizuara të realitetit. Përmes rrëfimit, romani prek edhe tema si marrëdhëniet familjare, feja, pritshmëritë ndaj grave dhe përplasjen mes vlerave tradicionale dhe jetës moderne.
Megjithëse është vlerësuar për idenë origjinale dhe mënyrën se si ndërthur satirën me dramën, Yesteryear ka ndarë kritikët dhe lexuesit. Disa e konsiderojnë një kritikë të mprehtë ndaj kulturës së rrjeteve sociale dhe idealizimit të së kaluarës, ndërsa të tjerë mendojnë se romani nuk i zhvillon mjaftueshëm temat që ngre.
Pavarësisht mendimeve të ndryshme, “Yesteryear” është shndërruar në një nga librat më të përfolur të vitit 2026, duke dëshmuar se një histori që prek tema aktuale mund të nxisë diskutime të gjera dhe të mbajë vëmendjen e lexuesve shumë kohë pas publikimit./KultPlus.com
Rita Ora ka ndarë një rrëfim personal për origjinën e saj, duke theksuar se historia e familjes dhe përvoja si emigrante kanë qenë ndër faktorët që e kanë formësuar si artiste dhe si njeri.
Këngëtarja me origjinë nga Kosova, e cila është duke punuar në albumin e saj të katërt dhe së fundmi është rikthyer në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin Descendants, tha se nuk e ka harruar kurrë rrugëtimin e familjes së saj dhe sakrificat që prindërit bënë për t’i ndërtuar një të ardhme më të mirë.
E lindur në Prishtinë, Rita u shpërngul me familjen në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të viteve ’90. Prindërit e saj, Vera dhe Besniku, nisën jetën nga e para në Londër, duke lënë pas profesionet që ushtronin në Kosovë. Nëna vazhdoi rrugën në mjekësi dhe u specializua si psikiatre, ndërsa babai ndërtoi një karrierë të re në biznes.
Në një intervistë për The Times, artistja u shpreh se origjina e saj është një burim krenarie dhe se emigrimi nuk ka qenë kurrë diçka që e ka bërë të ndihet në siklet.
“Gjithçka që di është se do të jem gjithmonë mirënjohëse për arsimimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, tha Rita.
Sipas saj, përvoja e emigrimit shpesh i motivon njerëzit të punojnë më shumë dhe të dëshmojnë vlerat e tyre.
“Mendoj se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë. Ekziston një dëshirë për të provuar veten dhe kjo i shtyn të ecin gjithmonë përpara. Kur shikon historinë e shumë artistëve të suksesshëm, shpesh gjen edhe një histori emigrimi në familjet e tyre”, u shpreh ajo.
Përveç muzikës, Rita foli edhe për planet e saj në industrinë e filmit. Ajo zbuloi se një nga dëshirat e saj është të realizojë një projekt të përbashkët me bashkëshortin, regjisorin Taika Waititi.
“Do të më pëlqente shumë. Çdo gjë varet nga historia dhe skenari, por është diçka që e kemi menduar prej kohësh”, tha artistja.
Çifti, i cili këtë verë feston katër vjet martesë, nuk është shumë i dhënë pas planifikimeve.
“Ne zakonisht vendosim gjithçka në momentin e fundit. Nuk jemi njerëz që planifikojmë shumë përpara”, tregoi ajo me humor.
Në intervistë, Rita preku edhe një temë më personale, duke folur për kujdesin ndaj shëndetit dhe rëndësinë e informimit për menopauzën. Ajo zbuloi se në të njëzetat, me këshillën e mjekëve, vendosi të ngrinte vezët dy herë, një vendim që sot e konsideron ndër më të rëndësishmit që ka marrë.
“Kur mjeku ma sugjeroi, nuk e kuptoja plotësisht rëndësinë e këtij vendimi. Sot e di se ishte një nga këshillat më të vlefshme që kam marrë ndonjëherë”, u shpreh ajo.
Artistja shtoi se përvoja e nënës së saj me kancerin e gjirit dhe menopauzën e hershme e ka bërë edhe më të vetëdijshme për rëndësinë e kujdesit afatgjatë ndaj shëndetit, duke theksuar se dëshiron të jetë e informuar dhe e përgatitur për çdo etapë të jetës./KultPlus.com
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka emëruar Arta Avdiun në pozitën e Drejtoreshës së edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK. Vendimi është marrë përmes votimit elektronik, ku anëtarët e Bordit kanë votuar unanimisht në mbështetje të emërimit të saj.
Sipas njoftimit zyrtar të RTK-së, emërimi i Avdiut vjen pas dorëheqjes së parevokueshme të Rilind Gërvallës nga posti i Drejtorit të Festivalit të Këngës për edicionin e katërt.
Në komunikatë thuhet se, pas dorëheqjes së Gërvallës, Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së i ka propozuar Bordit emërimin e Arta Avdiut, duke vlerësuar përvojën dhe angazhimin e saj në organizimin e festivaleve të mëparshme.
Bordi thekson se vendimi është mbështetur në përvojën profesionale, kontributin dhe përfshirjen e Avdiut në edicionet e kaluara të Festivalit të Këngës në RTK, duke e konsideruar atë personin e duhur për të udhëhequr organizimin e këtij edicioni.
Me marrjen e detyrës së re, Arta Avdiu do të jetë përgjegjëse për përgatitjen dhe realizimin e edicionit të katërt të Festivalit të Këngës në RTK, një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore të transmetuesit publik.
Në fund të njoftimit, Bordi i RTK-së rithekson përkushtimin për organizimin me sukses të festivalit, duke e cilësuar atë si një aktivitet me rëndësi për promovimin e artit muzikor dhe pjesë të rëndësishme të programit kulturor të transmetuesit publik./KultPlus.com
Bebe Rexha ka rikthyer vëmendjen te rrënjët e saj shqiptare, duke publikuar disa fotografi të rralla nga albumi familjar, të realizuara në ditën e martesës së prindërve të saj, Flamur dhe Bukurije Rexha.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane i ndau imazhet me ndjekësit në platformën X, duke i shoqëruar me një përshkrim të thjeshtë: “Dasma e prindërve të mi shqiptarë.” Mjaftuan vetëm këto fjalë që postimi të tërhiqte mijëra reagime dhe komente nga fansa të shumtë në vende të ndryshme të botës.
Megjithatë, ajo që ngjalli më shumë kureshtje nuk ishin vetë fotografitë, por shprehja serioze e nënës së artistes gjatë ceremonisë. Shumë ndjekës, të panjohur me traditat shqiptare të dasmave, pyetën nëse ajo ishte e lumtur në atë ditë.
Komente si “A ishte mamaja jote e lumtur?” u shfaqën vazhdimisht nën postim, duke hapur një diskutim mbi zakonet e dikurshme shqiptare.
Në të vërtetë, në shumë treva shqiptare ka ekzistuar tradita që nusja, në ditën e martesës, të mos buzëqeshte dhe të mbante një qëndrim të rezervuar. Ky gjest konsiderohej shenjë modestie, respekti ndaj familjes dhe solemniteti për rëndësinë e ceremonisë. Edhe pse sot kjo praktikë është pothuajse zhdukur, fotografitë e vjetra vazhdojnë të pasqyrojnë këtë pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Postimi i Bebe Rexhës u kthye kështu jo vetëm në një moment nostalgjik për familjen e saj, por edhe në një mundësi për t’u prezantuar fansave ndërkombëtarë me një traditë që dikur ishte pjesë e pandashme e dasmave shqiptare.
Artistja ka folur shpesh me krenari për origjinën e saj shqiptare. Babai i saj, Flamur Rexha, është me prejardhje nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nëna, Bukurije Rexha, është nga Gostivari. Përmes postimeve të tilla, ajo vazhdon të mbajë gjallë lidhjen me rrënjët dhe kulturën shqiptare./KultPlus.com
Muaji gusht sjell një larmi premiera që përfshijnë thrillerë post-apokaliptikë, komedi romantike, filma horror, drama të fuqishme dhe aventura familjare. Nga rikthimi i regjisorit legjendar Ridley Scott me The Dog Stars, te komedia romantike One Night Only dhe filmi që për vite me radhë dukej se nuk do të publikohej kurrë, Coyote vs. Acme, këto janë 10 prodhimet më interesante që do të mbërrijnë në kinema dhe në platformat e transmetimit gjatë muajit gusht.
1. One Night Only
Regjisori Will Gluck rikthehet në zhanrin e komedisë romantike me One Night Only, ku protagonistë janë Monica Barbaro dhe Callum Turner. Në pamje të parë filmi ndjek formulën klasike të një romance mes dy të rinjve tërheqës në New York, por historia zhvillohet në një realitet alternativ ku marrëdhëniet seksuale për beqarët janë të ndaluara gjatë gjithë vitit, përveç një nate të vetme. Ky koncept i pazakontë ka nxitur debate të shumta në rrjet, duke u krahasuar me idenë e filmit The Purge, por në një version romantik. Sipas aktorit Callum Turner, sekreti për ta shijuar filmin është ta pranosh absurdin e historisë dhe të mos përpiqesh ta analizosh me logjikë.
2. Ice Cream Man
Pas filmave horror si Cabin Fever dhe Hostel, Eli Roth rikthehet me një tjetër histori të errët dhe të përgjakshme. Ice Cream Man rrëfen historinë e një shitësi misterioz akulloresh që endet në një qytet tipik amerikan, duke u shpërndarë fëmijëve akullore që i shndërron ata në vrasës të pamëshirshëm. Regjisori e ka përshkruar filmin si një nga projektet më të çmendura të karrierës së tij, duke e krahasuar me The Birds, por me fëmijë në vend të zogjve.
3. The Dog Stars
Në moshën 88-vjeçare, Ridley Scott vazhdon të mbetet një nga regjisorët më aktivë të Hollywood-it. Pas projekteve si Napoleon dhe Gladiator II, ai sjell The Dog Stars, një thriller post-apokaliptik i bazuar në romanin e Peter Heller. Filmi zhvillohet pas një epidemie gripi që ka shkatërruar botën, ndërsa ndjek tre të mbijetuar: një pilot të interpretuar nga Jacob Elordi, një mjeke të luajtur nga Margaret Qualley dhe një ish-marins, të interpretuar nga Josh Brolin. Jacob Elordi ka treguar se puna me Ridley Scott ishte frymëzuese, duke e cilësuar regjisorin si një njeri që jeton dhe merr frymë me kinemanë.
4. Tony
Jeta e Anthony Bourdain bëhet subjekt i një filmi që fokusohet në vitet e tij të hershme, përpara se të shndërrohej në një ikonë të gastronomisë dhe udhëtimeve. I frymëzuar nga libri autobiografik Kitchen Confidential, filmi ndjek Bourdain në vitet ’70, kur ai punonte në një restorant në Massachusetts.m Dominic Sessa interpreton versionin 19-vjeçar të Bourdain, ndërsa Antonio Banderas luan shefin e kuzhinës që e udhëheq në hapat e parë të karrierës.
5. Teenage Sex and Death at Camp Miasma
Një nga filmat më të vlerësuar në Festivalin e Kanës këtë vit është komedia surrealiste e Jane Schoenbrun. Historia ndjek një regjisore të re, e cila angazhohet për të ringjallur një seri klasike filmash horror, duke tentuar ta përshtasë atë me publikun modern. Gjatë xhirimeve, kufijtë mes realitetit dhe trillimit fillojnë të zhduken, duke krijuar një përzierje të pazakontë humori, misteri dhe satire.
6. The End of Oak Street
Regjisori David Robert Mitchell sjell një qasje krejtësisht ndryshe ndaj filmave me dinosaurë. Në vend të ishujve ekzotikë, historia zhvillohet në një lagje të zakonshme periferike, ku një familje e interpretuar nga Anne Hathaway dhe Ewan McGregor përfundon papritur në një botë parahistorike të mbushur me dinosaurë. Filmi është prodhuar nga J.J. Abrams dhe premton të ndërthurë aventurën me humorin dhe dramën familjare.
7. The Wrong Girls
Kristen Stewart dhe Alia Shawkat interpretojnë dy shoqe që, pas konsumimit të tepërt të kanabisit, përfshihen pa dashje në një rrjet kriminal të rrezikshëm. Ndryshe nga shumica e komedive të këtij zhanri, protagoniste janë gra, ndërsa filmi shton elemente fantastike, përfshirë mace që flasin dhe halucinacione të çuditshme. Skenaristja dhe regjisorja Dylan Meyer e përshkruan filmin si veprën më personale të saj, pavarësisht elementeve krejtësisht fantastikë.
8. Union County
Drama Union County sjell një histori të ndjerë mbi varësinë, shpresën dhe mundësinë për një fillim të ri. Filmi ndjek dy vëllezër, të interpretuar nga Will Poulter dhe Noah Centineo, të cilët jetojnë në Ohio dhe përballen me pasojat e varësisë nga opioidet. Për të shmangur burgun, ata duhet të qëndrojnë larg drogës dhe të ndërtojnë një jetë të re përmes punës dhe rehabilitimit. Përveç interpretimit të vlerësuar të Poulter, filmi shquhet edhe për autenticitetin e tij. Regjisori Adam Meeks është rritur në Ohio dhe ka përfshirë në kastë persona që kanë përjetuar vetë sfidat e rehabilitimit, duke i dhënë historisë një ndjesi të fortë realizmi dhe humanizmi.
9. Coyote vs. Acme
Një nga projektet më të përfolura të viteve të fundit më në fund do të arrijë te publiku. Coyote vs. Acme ndërthur aktorët realë me personazhet e animuar të Looney Tunes, duke sjellë në qendër Wile E. Coyote, i cili vendos të padisë kompaninë Acme për pajisjet e shumta të dështuara që i kanë penguar vazhdimisht përpjekjet për të kapur Road Runner. Edhe pse filmi ishte përfunduar prej vitesh, ai u pezullua nga Warner Bros., që vendosi të mos e publikonte. Pas një pritjeje të gjatë, projekti është shpëtuar nga një kompani e pavarur dhe më në fund do të ketë premierën e shumëpritur. Për shumë fansa, kjo është një nga surprizat më të mëdha të vitit në botën e kinemasë.
10. The Magic Faraway Tree
Muajin e mbyll një aventurë magjike për të gjithë familjen. The Magic Faraway Tree, i bazuar në romanet e njohura të Enid Blyton, sjell historinë e një familjeje që largohet nga qyteti për të jetuar në fshat, me shpresën se fëmijët do të shkëputen nga teknologjia dhe rrjetet sociale. Megjithatë, ata zbulojnë një pemë të magjishme, degët e së cilës hapin porta drejt botëve fantastike të mbushura me krijesa të pazakonta dhe aventura të papritura. Me interpretimet e Clare Foy, Andrew Garfield, Nicola Coughlan dhe Rebecca Ferguson, filmi premton të jetë një kombinim i fantazisë, humorit dhe mesazheve për rëndësinë e imagjinatës dhe lidhjes me natyrën.
Një muaj i mbushur me histori për çdo shije. Nga thrillerët post-apokaliptikë dhe filmat horror, te dramat prekëse, komeditë romantike dhe aventurat familjare, gushti ofron një program të pasur për adhuruesit e kinemasë. Me emra të mëdhenj si Ridley Scott, Anne Hathaway, Andrew Garfield, Jacob Elordi, Kristen Stewart dhe Monica Barbaro, ky muaj pritet të sjellë disa nga premierat më të komentuara të vitit, duke u ofruar shikuesve histori që variojnë nga emocionet e forta deri te argëtimi i pastër./bbc/KultPlus.com
Muzika pushtoi kalanë e Rozafës, ku nata e dytë e “Za Fest” mblodhi qindra artdashës nga Shkodra dhe qytete të tjera të vendit.
Në një prej monumenteve më ikonike të qytetit, performancat artistike u ndërthurën me atmosferën historike, duke krijuar një përjetim unik për publikun.
Sipas ideatorit të festivalit, Vlashent Sata, “Za Fest” është kthyer tashmë në një komunitet artistësh dhe artdashësish, i ndërtuar ndër vite dhe i bashkuar nga dashuria për muzikën dhe kulturën.
Edhe moderatorja Dojna Mema vlerësoi frymën që përcjell festivali, duke theksuar se ai arrin të bashkojë artistët dhe publikun në një përvojë të përbashkët kulturore.
Me natën përmbyllëse, që zhvillohet sërish në kalanë e Rozafës, “Za Fest” rikonfirmon edhe këtë vit statusin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe muzikore të sezonit veror në Shkodër./euronews/Kultplus.com
Kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhageni, është shpallur për të dytin vit radhazi qyteti më i jetueshëm në botë, sipas Indeksit Global të Jetëshmërisë 2026 të Njësisë së Inteligjencës së The Economist.
Renditja vlerësoi 173 qytete në mbarë botën, duke analizuar faktorë si stabiliteti, kujdesi shëndetësor, kultura dhe mjedisi, arsimi dhe infrastruktura, shkruan BBC.
Pas Kopenhagenit, në pesë vendet e para u renditën Vjena, Melburni, Sidnei dhe Zyrihu, duke konfirmuar dominimin e qyteteve evropiane dhe performancën e fortë të Australisë.
10 qytetet më të mira për të jetuar në vitin 2026:
Kopenhagen, Danimarkë
Vjenë, Austri
Melburn, Australi
Sidnei, Australi
Zyrih, Zvicër
Gjenevë, Zvicër
Osaka, Japoni
Adelaide, Australi
Vankuver, Kanada
Tokio, Japoni
Sipas banorëve, ajo që e bën Kopenhagenin të veçantë është kombinimi mes infrastrukturës moderne, jetës së qetë dhe lidhjes së fortë me natyrën. Banorët mund të shkojnë në punë me biçikletë, të notojnë në ujërat urbane dhe të shijojnë hapësirat publike pa u larguar nga qyteti.
Laura Amira Kassem, studente e mjekësisë që jeton prej tetë vitesh në qytet, thotë se ky stil jetese është pjesë e përditshmërisë. Ajo përmend lagjen Norrebro si një nga zonat më karakteristike, ku ndërthuren kultura të ndryshme, restorante, kafene dhe ambiente artistike.
Në vendin e dytë renditet Vjena, e cila vazhdon të vlerësohet për sistemin shëndetësor, arsimin dhe transportin publik efikas. Banorët e saj theksojnë ritmin e qetë të jetës, arkitekturën historike dhe mundësinë për të shijuar qytetin edhe gjatë udhëtimeve të zakonshme me tramvaj.
Melburni, në vendin e tretë, spikat për kulturën, artin, gastronominë dhe lagjet me identitete të ndryshme. Banorët e përshkruajnë si një qytet të madh që ruan ndjesinë e një komuniteti të vogël, ku çdo zonë ka karakterin e saj.
Sidnei renditet i katërti falë kombinimit të kujdesit shëndetësor, arsimit, natyrës dhe stilit të jetesës pranë detit. Banorët vlerësojnë plazhet, portin, komunitetet multikulturore dhe mundësinë për të qenë gjithmonë pranë natyrës.
Në vendin e pestë është Zyrihu, ku banorët veçojnë pastërtinë, efikasitetin dhe afërsinë me liqenin dhe lumenjtë. Qyteti vlerësohet për cilësinë e lartë të shërbimeve dhe mënyrën se si ndërthur jetën urbane me natyrën.
Sipas raportit, qytetet më të suksesshme janë ato që arrijnë të krijojnë një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik, sigurisë, shërbimeve publike dhe një stili jetese që i lejon banorët të shijojnë përditshmërinë./euronews/KultPlus.com
Prokurorja që u largua nga puna, por që nuk hoqi dorë nga zbulimi i një skandali dhe gazetarja që u bë zë i shpresës për drejtësi
Plot 400 gra dhe vajza u abuzuan, por jo vetëm; nuk mund të ishin fatkeqe sepse ishin fajtore të veseve, nuk mund të kishin zë të flisnin, sepse askush nuk i dëgjonte; nuk kishin asnjë të drejtë për të kërkuar drejtësi, sepse drejtësi zgjodhi të ishte palë me krimin; nuk mund të ndiheshin viktima, sepse vetë jeta kishte qenë e tragjike dhe e pamëshirshme për ta si vetë njerëzit e ligjit. Megjithatë, dielli në qiellin e zymtë të shpresës, do të lindtte edhe për ata. Guximi i një prokuroreje dhe përkushtimi i një gazetareje për të kryer detyrën, do të mjaftonte, që ky mal i lartë që po zinte nën vete të tjera e të tjera gra dhe vajza, do të shëmbej dhe nën të do të varrosej jo vetëm një abuzues, por një sistem i tërë i korruptuar që e ushqente këtë zezonë fatesh dhe jetësh të lënduara.
Kur një prokurore filloi të ndiqte një të akuzuar për përdhunim serial, ajo humbi punën, por zbuloi një skandal. Pse policia refuzonte të hetonte Sean Williams?
Kjo pyetje i referohet një investigimi të bujshëm dhe tronditës të gazetares Rachel Aviv, të publikuar në revistën The New Yorker në vitin 2022 me titull “Përdhunuesi në departamentin e policisë”.
Historia zhvillohet në Okmulgee, Oklahoma, dhe trajton një nga rastet më flagrante të mbrojtjes së një krimineli nga radhët e forcave të rendit.
Prokurorja quhet Carol Iski, një prokurore vendore e cila filloi të hetonte ankesat e shumta të femrave kundër Sean Williams.
Ai ishte një zyrtar/polic në zonë. Për më shumë se një dekadë, Williams përdori pozicionin dhe distinktivin e tij të policisë për të shantazhuar, kërcënuar dhe përdhunuar gra të cenueshme, shpesh me historik përdorimi lëndësh narkotike ose me precedentë penalë, duke qenë i sigurt se fjala e tyre nuk do të merrej parasysh kundrejt fjalës dhe autoritet së një polici.
Kur Carol Iski filloi të mblidhte prova dhe vendosi ta ndiqte penalisht Williamsin për përdhunim serial, ajo u përball me një rezistencë të rreptë nga sistemi lokal. Nën presionin politik dhe institucional të departamentit, ajo u pushua nga puna për shkak të këmbënguljes së saj për të nxjerrë të vërtetën.
Në vend që të hiqte dorë, Iski vazhdoi të hetonte dhe zbuloi skandalin e madh korruptiv prapa këtij rasti.
Pse policia refuzonte ta jetonte Sean Williams?
Investigimi i The New Yorker zbuloi disa arsye kryesore se pse departamenti i policisë dhe autoritetet lokale jo vetëm që refuzuan ta hetonin, por e mbrojtën atë për vite me radhë.
Grushtet ngadhënjyese që goditën “murin e heshtjes” u gjakosën por nuk u dorëzuan. Në departamentet e vogla të policisë ekzistonte një mbrojtje e pakushtëzuar mes kolegëve, të të ashtuquajturit “klubi i djemve”. Denoncimet e viktimave injoroheshin ose groposeshin menjëherë brenda departamentit.
Policia shfrytëzonte profilin e viktimave, shumë prej tyre kishin probleme me varësinë apo ligjin. Zyrtarët i cilësonin ato si “jo të besueshme” dhe pretendonin se marrëdhëniet kishin qenë me pëlqim ose se ato po shpifnin për t’i bishtnuar arrestimit nga fajet e vesit.
Hetimi i Williams do të ekspozonte faktin se drejtuesit e policisë kishin pasur dijeni për sjelljet e tij prej vitesh. Mbrojtja e tij u kthye në një mbrojtje të vetë departamentit nga përgjegjësia publike dhe ligjore.
Kolegët e Williams përdornin presion dhe kërcënime ndaj kujtdo që përpiqej të fliste, përfshirë zyrtarë të tjerë të drejtësisë si Carol Iski.
Përpjekja e Iskit dhe investigimi mediatik përfundimisht ndihmuan në ekspozimin e dështimit sistemik të policisë lokale dhe sollën vëmendje ndaj mënyrës se si sistemi mbrojti një grabitqar seksual brenda radhëve të veta.
Pasi investigimi dhe skandali u bënë publikë, zhvillimet ligjore dhe institucionale morën një kthesë intensive.
Kërkimet dhe hetimet e mëvonshme, përfshirë ato nga agjencitë federale, zbuluan se shkalla e krimeve të tij ishte edhe më e madhe nga sa mendohej fillimisht.
Në shkurt të vitit 2025, Sean Williams u dënua nga gjykata federale me 95 vjet burgim. Ai u
dënua për prodhimin e lëndëve me përmbajtje abuzimi seksual ndaj të minorëve, arratisje nga paraburgimi federal, kur u përpoq të ikte nga një furgon transporti, si dhe për posedim të paligjshëm të armëve e lëndëve narkotike.
Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtari federal e cilësoi atë si një “predator seksual të organizuar e metodik të grave dhe fëmijëve”.
Autoritetet vendore u përballën me padi masive nga më shumë se 400 gra e vajza që ishin injoruar ndër vite. Qyteti pranoi të paguante 28 milionë dollarë si marrëveshje jashtëgjyqësore për të dëmshpërblyer viktimat për shkak të dështimit të qëllimshëm të policisë për të hetuar denoncimet e tyre ndaj Williamsit.
Ndonëse Iski u përball me hakmarrje institucionale dhe humbi postin e saj në zyrën e prokurorisë vendore kur nisi të hetonte Williamsin, këmbëngulja e saj u vërtetua katërcipërisht.
Publikimi i shkrimit në The New Yorker dhe hetimet që pasuan treguan se paralajmërimet e saj kishin qenë plotësisht të sakta. Ajo u kthye në një figurë simbolike të integritetit profesional kundër korrupsionit sistemik në sistemin e drejtësisë lokale.
Publikimi i këtij artikulli shërbeu si katalizator që çështja të dilte nga kontrolli i policisë lokale e të kalonte në duart e autoriteteve federale, duke çuar përfundimisht në heqjen e lirisë për Sean Williams për të gjithë jetën e tij./KultPlus.com