Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në Amfiteatrin Antik të Durrësit u vu në skenë premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”, një vepër e autorit francez Jean Pierre Martinez.
Nën regjinë e Andia Xhungës, komedia e bëri publikun të qeshë dhe të futet në mendime, duke marrë duartrokitjet e merituara.
“Vendi më i humbur në Shqipëri” është sjellë në shqip nga përkthyesja Anxhela Çikopano dhe u interpretua nga trupa e aktorëve të Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, emra të njohur të skenës dhe ekranit.
Interesi i publikut ndaj veprës, ka qenë i menjëhershëm. Të gjitha biletat për dy netët e para u shitën në kohë rekord, duke e bërë këtë komedi një prej ngjarjeve më të shumëpritura të verës në qytetin bregdetar.
E vendosur në një fshat të vogël dhe të harruar, që rrezikon të fshihet përfundimisht nga harta, ngjarja nis kur një gazetare e famshme mbërrin papritur, duke sjellë me vete një sërë përplasjesh botëkuptimesh, ngjarjesh të papritura dhe situatash komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo shoqërore me ngjyra absurde, por thellësisht njerëzore.
Me humor të hollë dhe ritëm të gjallë, komedia ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe marrëdhënien mes realitetit dhe absurditetit.
Skenografia dhe kostumografia janë konceptuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale është krijuar nga Endri Sina.
Në kastin e aktorëve spikasin: Gentian Zenelaj, Romir Zalla, Mimoza Marjanaku, Aleksandër Seitaj, Ervin Doko, Amos Zaharia, Alesia Xhemalaj, Adelina Muça, Xhejni Fama dhe Jaho Guma. /j.p/
The post Premiera e “Vendit më të humbur në Shqipëri”, në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.