Normal view

Sulme të fuqishme ruse në Ukrainë, një i vdekur dhe 12 të lënduar

26 July 2026 at 13:48

Një person ka humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të kryera nga Rusia gjatë natës në disa pjesë të Ukrainës, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Sipas tij, tre persona janë plagosur nga një sulm me raketë balistike në kryeqytetin Kiev. Ndërkohë, një person është vrarë dhe nëntë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë mbetur të plagosur pasi dronët goditën ndërtesa banimi në rajonin e Kharkivit.

“Ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e tyre”, shkroi Zelenskyy në platformën X.

Ai bëri të ditur se ekipet e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave po vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e një zjarri në një hipermarket të materialeve të ndërtimit në Kryvyi Rih.

Sipas presidentit ukrainas, Rusia lëshoi gjatë natës tetë raketa dhe 136 dronë, një pjesë e madhe e të cilëve u interceptuan dhe u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Sulmet kishin në shënjestër Kievin, si dhe rajonet Kherson, Donetsk, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Sumy, Odesa, Mykolaiv, Zaporizhzhia dhe Chernihiv.

Zelenskyy tha se gjatë javës së fundit Rusia ka përdorur kundër Ukrainës afro 1 mijë e 700 dronë, më shumë se 1 mijë e 630 bomba të drejtuara dhe 95 raketa, mbi gjysma e të cilave ishin balistike.

Në anën tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte goditur objekte të industrisë ushtarake në Kiev dhe infrastrukturën e portit të Chornomorskut në rajonin e Odesës, e cila, sipas Moskës, përdorej për furnizimin e forcave ukrainase.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sulme të fuqishme ruse në Ukrainë, një i vdekur dhe 12 të lënduar appeared first on Sinjali.

Nga aksidenti në aksident: Pse rrugët e Kosovës po kthehen në skena tragjedish?

26 July 2026 at 13:20

Brenda vetëm pak ditësh, rrugët në Kosovë dhe në rajon janë shndërruar në skena tragjedish. Tetë persona kanë humbur jetën në një varg aksidentesh trafiku, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Bilanci i rëndë ka rikthyer në vëmendje gjendjen e sigurisë rrugore dhe ka ngritur pyetjen nëse masat aktuale po tregohen të mjaftueshme për parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale.

Një nga rastet më të rënda është regjistruar pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë të Kosovës janë gjetur pa shenja jete brenda një veture të përmbysur.

Aksidente me fatalitet janë regjistruar gjithashtu në Istog, Komoran, Suharekë dhe në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë, duke e çuar në tetë numrin e viktimave brenda një periudhe të shkurtër.

Rastet e njëpasnjëshme kanë vënë sërish në pikëpyetje sigurinë në rrugët e vendit, respektimin e rregullave të komunikacionit dhe masat që po ndërmerren nga institucionet për parandalimin e tragjedive.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, ndonëse numri i përgjithshëm i aksidenteve ka shënuar një rënie të lehtë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pasojat e tyre kanë qenë më të rënda.

Numri i aksidenteve me fatalitet dhe i viktimave ka shënuar rritje, duke dëshmuar se rënia e numrit të përgjithshëm të aksidenteve nuk është përkthyer edhe në më shumë siguri për pjesëmarrësit në komunikacion.

Bilanci i ditëve të fundit është një tjetër sinjal alarmi për institucionet dhe për të gjithë drejtuesit e automjeteve. Pa veprime konkrete dhe pa rritje të përgjegjësisë në trafik, rrugët e Kosovës rrezikojnë të vazhdojnë të marrin jetë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nga aksidenti në aksident: Pse rrugët e Kosovës po kthehen në skena tragjedish? appeared first on Sinjali.

Tragjike: Vajza 18-muajshe vdes pasi u harrua brenda minibusit të çerdhes në Portugali

26 July 2026 at 13:16

Një vajzë 18-muajshe humbi jetën pasi dyshohet se u la për disa orë brenda një automjeti transporti të një çerdheje në Portugali.

Vogëlushja, e identifikuar vetëm si Sofia, dyshohet se ishte marrë nga shtëpia rreth orës 08:00 për t’u dërguar në çerdhe, por kishte mbetur brenda automjetit për disa orë.

Sipas raportimeve, stafi i çerdhes nuk e kishte kuptuar se fëmija mungonte, derisa nëna e saj shkoi për ta marrë më vonë gjatë pasdites dhe u informua se Sofia nuk kishte shkuar fare në çerdhe atë ditë.

Gjyshja e vajzës tha se Sofia dërgohej çdo ditë në të njëjtën orë dhe se ardhja e saj duhej të ishte regjistruar në sistemin e çerdhes.

“Çdo ditë ajo dërgohet në të njëjtën kohë. Kur nuk dërgohet, gjithmonë ekziston një evidencë për këtë. Duhet të ketë edhe regjistrim të orës së mbërritjes, por nuk ishte e mundur të na tregonin një të tillë”, u shpreh ajo.

Sofia ndiqte një çerdhe në zonën e Pragalit, por automjeti ku dyshohet se ishte lënë ishte parkuar jashtë një objekti tjetër të të njëjtit institucion, në Avenida do Cristo Rei, raporton Mirror.

Gjyshja tregoi se nëna e vajzës mbërriti në çerdhe për ta marrë, por punonjësit nuk dinin se ku ndodhej fëmija.

“Vajza ime shkoi për të marrë vajzën e saj dhe askush nuk e dinte se ku ishte. Vetëm atëherë na treguan se ajo nuk kishte qenë në çerdhe”, tha ajo.

Rasti ka shkaktuar tronditje në Portugali dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në vdekjen tragjike të vogëlushes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Tragjike: Vajza 18-muajshe vdes pasi u harrua brenda minibusit të çerdhes në Portugali appeared first on Sinjali.

Burnham i gatshëm ta kundërshtojë Trumpin: Interesi i Britanisë vjen i pari

26 July 2026 at 13:03

Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, ka deklaruar se është i gatshëm ta kundërshtojë publikisht presidentin amerikan Donald Trump, në rast se një gjë e tillë është e nevojshme për mbrojtjen e interesave të Britanisë së Madhe.

Në intervistën e tij të parë të madhe që nga marrja e detyrës, Burnham tha se biseda e parë me Trumpin kishte qenë pozitive dhe e ngrohtë. Megjithatë, ai shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet nëse i besonte presidentit amerikan.

Burnham theksoi se nuk do të hezitonte të shprehte një qëndrim të ndryshëm nga ai i Trumpit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin drejtpërdrejt Britaninë.

“Çdo udhëheqës duhet ta mbrojë interesin kombëtar para çdo gjëje tjetër. Kjo është ajo që kërkohet për ta kryer siç duhet këtë detyrë”, deklaroi ai.

Kryeministri britanik shprehu gjithashtu shqetësimin e tij lidhur me ofensivën amerikane ndaj Iranit, duke theksuar se Britania nuk do t’i mbështesë veprimet sulmuese dhe se ai do ta thotë hapur atë që e konsideron të drejtë për vendin.

Gjatë intervistës, Burnham foli edhe për shpenzimet e mbrojtjes. Ai konfirmoi se Britania do t’i respektojë zotimet ndaj NATO-s për ta rritur buxhetin e mbrojtjes në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, por nuk dha një afat për arritjen e nivelit prej 3 për qind.

Sipas tij, prioriteti i parë i qeverisë është që plani i investimeve në mbrojtje të financohet plotësisht, ndërsa hollësitë pritet të përpunohen para miratimit të buxhetit të ardhshëm.

Burnham hodhi poshtë edhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare para vitit 2029.

“Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Nuk mendoj se njerëzit i duan ato”, tha ai, duke shtuar se fokusi i qeverisë do të jetë rikthimi i vendit në drejtimin e duhur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Burnham i gatshëm ta kundërshtojë Trumpin: Interesi i Britanisë vjen i pari appeared first on Sinjali.

Prej gati dy javësh i zhdukur, familja kërkon 12-vjeçarin nga Elbasani – doli fshehurazi nga ballkoni

26 July 2026 at 12:58

Nëna e një 12 vjeçari nga Elbasani i është drejtuar policisë dhe redaksive të disa mediave kombëtare dhe portaleve online me një apel prekës për ndihmë, pasi me djalin e saj Arjanito, ka humbur kontaktet  prej gati dy javësh.

Sipas rrëfimit të saj, i mituri është larguar nga banesa në datën 15 korrik. Dy ditë më vonë, më 17 korrik, familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e tij (foto publikohet me qëllim identifikimin dhe gjetjen e tij).

Deri më tani, nëna shprehet se nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e djalit.

Nga hetimet paraprake të kryera nga policia dhe bazuar edhe në deklarimin e vëllait të të miturit, dyshohet se Arjanito është larguar për të lypur, një veprim që sipas familjarëve, e ka bërë edhe herë të tjera. Megjithatë, vendndodhja e tij mbetet ende e panjohur.

Burime bëjnë me dije se Policia ka bërë shpalljen në kërkim të 12-vjeçarit dhe vijon punën intensive për lokalizimin dhe gjetjen e tij, duke verifikuar çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit, shkruajnë mediat në Tiranë.

Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që Arjanito largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Këtë herë, sipas saj, situata është shumë më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt dhe pa asnjë të dhënë konkrete.

Sipas dëshmisë së saj, natën kur u largua, 12-vjeçari ndodhej në banesë dhe përfitoi nga momenti kur familjarët ishin në gjumë për t’u larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni.

Në përpjekje për të gjetur të birin, nëna thotë se ka marrë disa informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në qytetin e Durrësit. Për këtë arsye, ajo është nisur vetë drejt këtij qyteti, me shpresën se do të arrijë ta gjejë.

Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë Arjaniton ose disponojnë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë menjëherë në numrin +355 69 395 4449 ose të njoftojnë strukturat më të afërta të Policisë së Shtetit.

Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për gjetjen e 12-vjeçarit dhe rikthimin e tij pranë familjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Prej gati dy javësh i zhdukur, familja kërkon 12-vjeçarin nga Elbasani – doli fshehurazi nga ballkoni appeared first on Sinjali.

Ferizaj: Katër shoferë dënohen se vozitën të dehur – dy të tjerë se tejkaluan shpejtësinë

26 July 2026 at 12:55

Gjashtë shoferë janë ndëshkuar nga Policia në Ferizaj pas kontrolleve të shtuara në trafik, ku janë evidentuar raste të vozitjes nën ndikim të alkoolit dhe tejkalimit të shpejtësisë së lejuar.

Katër shoferë janë ndaluar në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pasi testimi me alkooltest ka treguar se po drejtonin automjetet në gjendje të dehur. Për ta janë shqiptuar gjoba nga 200 deri në 300 euro, pikë negative dhe masa të përkohshme të heqjes së patentë-shoferit.

Në mesin e të ndëshkuarve ishte një 25-vjeçar, i cili rezultoi me 1.11 promilë alkool në gjak dhe u dënua me 300 euro gjobë, 2 pikë negative dhe heqje të patentë-shoferit për gjashtë muaj.

Tre shoferë të tjerë, të moshave 25 dhe 26 vjeç, rezultuan me nivel alkooli nga 0.86 deri në 1.00 promilë dhe u ndëshkuan me nga 200 euro gjobë, 2 pikë negative dhe pezullim të patentës për tre muaj.

Ndërkohë, në rrugën magjistrale në fshatrat Bibaj dhe Koshare, dy shoferë u kapën duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Një 18-vjeçar, në një zonë ku kufizimi ishte 40 km/h, u evidentua duke vozitur me 102 km/h, për çka u gjobit me 300 euro, 3 pikë negative dhe iu hoq patentë-shoferi për tre muaj.

Rast tjetër ishte një 26-vjeçar, i cili në një zonë me kufizim 50 km/h u kap duke lëvizur me 80 km/h. Edhe ndaj tij u shqiptuan masat e parapara ligjore.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e shtuara me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe parandalimit të shkeljeve të rënda në trafik.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ferizaj: Katër shoferë dënohen se vozitën të dehur – dy të tjerë se tejkaluan shpejtësinë appeared first on Sinjali.

Nderohen heronjtë – Policia viziton familjet e policëve të rënë në detyrë

26 July 2026 at 12:51

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për policët e rënë në kryerje të detyrës, zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë vizituar familjet e tyre, duke nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, kolonel Agron Rukiqi, së bashku me stafin e tij dhe në shoqërim të kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë realizuar vizita tek familjet e policëve të rënë në detyrë.

Gjatë këtyre takimeve është shprehur respekti i thellë për kontributin dhe sakrificën e policëve – Heronjve të Kosovës, të cilët humbën jetën duke mbrojtur rendin, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve.

Në kuadër të vizitave është nderuar edhe kujtimi për policin Lazim Rexhepi, policin e parë të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, si dhe është vizituar familja e policit Jahi Maliqi.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kujtimi dhe vepra e policëve të rënë do të mbeten pjesë e historisë së saj, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin për të qëndruar pranë familjeve të tyre dhe për të ruajtur gjithmonë kujtimin për sakrificën e tyre.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Nderohen heronjtë – Policia viziton familjet e policëve të rënë në detyrë appeared first on Sinjali.

Zjarret në Francë përshkallëzohen, evakuohen edhe 55 mijë persona

26 July 2026 at 12:39

Edhe 55 mijë persona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Francë, ndërsa zjarret masive që kanë përfshirë vendin po vazhdojnë të intensifikohen.

Evakuimet e fundit janë kryer në gjashtë qytete në jug të Bordosë, në rajonin e Gironde-s, ku flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Zjarret kanë goditur disa zona të Evropës gjatë javës së fundit, veçanërisht Francën dhe Spanjën, ku deri tani janë evakuuar më shumë se 330 mijë njerëz.

Franca është ndër vendet më të prekura, me rreth 42 mijë hektarë tokë të djegur, duke u cilësuar si një nga zjarret më të mëdha pyjore që prej Luftës së Dytë Botërore. Në total, rreth 98 mijë hektarë janë djegur në të gjithë vendin që nga fillimi i vitit.

Kapiteni Nicolas Braz, një nga drejtuesit e operacionit për shuarjen e zjarrit, tha se flakët kishin krijuar “erërat e tyre”, përfshirë edhe vorbulla ere, duke e bërë situatën “të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Zjarret në Francë përshkallëzohen, evakuohen edhe 55 mijë persona appeared first on Sinjali.

Përfitimet nga meçi – Prenga trashi kuletën me 1.1 milionë euro, Joshua me 4.6 milionë

26 July 2026 at 12:34

Anthony Joshua i dha fund mungesës shtatëmuajore nga boksi profesionist me një fitore me nokaut në raundin e dytë ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga, në duelin e zhvilluar në Jeddah Superdome të Arabisë Saudite.

Përballja nuk u komentua vetëm për rikthimin e britanikut në ring, por edhe për shumat marramendëse që dy boksierët dyshohet se përfituan.

Edhe pse pagesat zyrtare nuk janë bërë publike, disa raportime bëjnë të ditur se fondi total i kësaj ndeshjeje ishte rreth 5.7 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, Anthony Joshua përfitoi rreth 4.6 milionë euro, ndërsa Kristian Prenga arkëtoi afërsisht 1.1 milion euro, që përbën pagesën më të madhe të karrierës së tij.

Promotori amerikan Lou DiBella deklaroi se Prenga është i vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj mundësie financiare.

“Ai e di se ka goditur xhekpotin. Edhe një e dhjeta e kësaj pagese do të ishte më shumë se gjithçka që ka fituar gjatë gjithë karrierës së tij”, tha DiBella.

Joshua u rikthye në ring pas fitores ndaj Jake Paul në dhjetor të vitit të kaluar dhe pas aksidentit tragjik në Nigeri, ku humbën jetën dy miq të tij të afërt.

Ndërkohë, promotori Eddie Hearn ka konfirmuar se kjo përballje ishte pjesë e rrugëtimit drejt një dueli të shumëpritur me Tyson Furyn, i cili pritet të zhvillohet më vonë këtë vit.

Sipas raportimeve, përballja Joshua–Fury mund të sjellë fitime rekord për britanikun, me pagesa që mund të arrijnë në shifra nëntëshifrore falë investimeve të mëdha nga Arabia Saudite.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Përfitimet nga meçi – Prenga trashi kuletën me 1.1 milionë euro, Joshua me 4.6 milionë appeared first on Sinjali.

Kolona në kufi – hyrja te Dheu i Bardhë zgjat deri në 40 minuta

26 July 2026 at 12:24

Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes Dheut të Bardhë po shkojnë deri në 40 minuta – ndërsa në Muçibabë gjysmë ore, njësoj sikurse për dalje nga aty.

Deri në 30 minuta hyrjet po zgjasin edhe në Vërmicë, ndërsa në Bërnjak 20.

Intervalet e lartëpërmendura vlejnë deri në një përditësim të ri nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kolona në kufi – hyrja te Dheu i Bardhë zgjat deri në 40 minuta appeared first on Sinjali.

Elektricisti humb jetën gjatë punës në Pogradec

26 July 2026 at 11:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku një elektricist ka humbur jetën pasi dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike.

Viktima është identifikuar si Agim Beqiri, rreth 60-vjeç, i cili ishte duke riparuar një linjë elektrike me defekt kur dyshohet se pësoi goditje elektrike, raporton Euronews.al, transmeton Sinjali.

Në vendngjarje kanë dalë grupet hetimore, të cilat po punojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e jetës së elektricistit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Elektricisti humb jetën gjatë punës në Pogradec appeared first on Sinjali.

Cristiano Ronaldo befason artisten që pikturon me këmbë

26 July 2026 at 11:39

Cristiano Ronaldo ka prekur zemrat e miliona tifozëve me një gjest të veçantë human gjatë vizitës së tij në Iran me skuadrën e Al Nassr.

Superylli portugez u takua me artisten iraniane Fatemeh Hamami, e cila, pavarësisht një aftësie të kufizuar të rëndë fizike, krijon portrete mbresëlënëse duke përdorur vetëm këmbët.

Hamami është një adhuruese e kahershme e Ronaldos dhe ka fituar famë ndërkombëtare falë talentit dhe vendosmërisë së saj. Mes veprave të saj artistike janë edhe disa portrete të realizuara për yllin portugez.

Takimi me idhullin e saj u kthye në një moment të paharrueshëm. Ronaldo e përshëndeti ngrohtësisht artisten, e komplimentoi për punën dhe talentin e saj, si dhe pranoi me mirënjohje dy portretet që ajo kishte realizuar për të.

Si shenjë mirënjohjeje, kapiteni i Portugalisë i dhuroi Fatemeh Hamamit një fanellë të Al Nassr me numrin 7, të nënshkruar prej tij. Ai kaloi edhe disa minuta duke biseduar me artisten, duke e bërë takimin edhe më emocionues.

Momenti është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku tifozët kanë vlerësuar gjestin e Ronaldos dhe respektin që ai tregoi ndaj artistes iraniane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Cristiano Ronaldo befason artisten që pikturon me këmbë appeared first on Sinjali.

Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë

26 July 2026 at 11:26

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është më e sigurt se kurrë e se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave ndër vite.

Ai i bëri këto deklarata pas homazheve te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, në përvjetorin e vrasjes së heroit Enver Zymberi.

”Bashkë me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjën Albulena Haxhiu, sot ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë dhe Mandelës evropiane, i cili kaloi 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë dhe të cilit sot ia shënojmë tetëvjetorin e ndarjes nga jeta.

Prej aty erdhëm këtu, te memoriali i policëve të rënë në krye të detyrës, për t’i nderuar ata, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, si dhe kolegë të tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e Kosovës.

Dita e sotme përkon me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymberit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial dhe po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë, pa dallim. Mirëpo, dora kriminale e strukturave të Serbisë qëlloi për vdekje mbi të.

Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë.

Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhetë Afrim Bunjakut, Policia e Kosovëspërjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë tëkomunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit me urdhër të Beogradit.

Megjithatë, qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional, siç synonin ata”, tha Kurti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë appeared first on Sinjali.

Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë për 26 dhe 27 korrik

26 July 2026 at 11:25

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për shitjen e derivateve të naftës në tregun e Kosovës, të vlefshme për datat 26 dhe 27 korrik 2026.

Sipas vendimit të ministrisë, çmimi maksimal i lejuar për një litër naftë (dizel) është 1.72 euro, ndërsa benzina do të shitet me çmim maksimal prej 1.52 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është caktuar në 0.60 euro për litër.

Këto çmime do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme dhe nesër, në përputhje me vendimin e MINT-it për rregullimin e përkohshëm të tregut të derivateve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Publikohen çmimet e reja të derivateve në Kosovë për 26 dhe 27 korrik appeared first on Sinjali.

Sot varroset Andi Spahiu, 32-vjeçari që dyshohet se u ngufat gjatë ngrënies së shalqirit

26 July 2026 at 11:22

Gazeta Sinjali raportoi të shtunën për vdekjen tragjike të 32-vjeçarit Andi Spahiu nga Fushë Kosova, i cili dyshohet se u ngufat gjatë ngrënies së shalqirit.

Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit të të ndjerit Andi (Skender) Spahiu do të mbahet sot, në orën 17:00, në Varrezat e Fushë Kosovës.

Spahiu ishte dërguar me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi një copë ushqimi dyshohet se i kishte ngecur në fyt, duke i shkaktuar vështirësi të rënda në frymëmarrje.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, vdekja e tij ishte konstatuar rreth orës 14:15.

Me urdhër të Prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekje”, ndërsa trupi i pajetë ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Sot varroset Andi Spahiu, 32-vjeçari që dyshohet se u ngufat gjatë ngrënies së shalqirit appeared first on Sinjali.

Brazil: 1-vjeçari humb jetën pasi mbeti i bllokuar pas pasqyrës në çerdhe

26 July 2026 at 11:12

Një fëmijë 1-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në një çerdhe në qytetin São Paulo të Brazilit, pasi koka e tij mbeti e bllokuar mes një pasqyre dhe një shufre metalike sigurie.

Vogëlushi Abdoulaye Dieng dyshohet se pësoi asfiksi, pasi nuk arriti të lirohej nga pozicioni ku kishte ngecur në dhomën e lojërave të çerdhes “Luz do Bras”.

Sipas raportimeve, fëmija ishte përpjekur për rreth gjashtë minuta të çlirohej, derisa punonjësit e çerdhes u kthyen dhe e vunë re situatën. Ai më pas u dërgua me urgjencë në një qendër mjekësore, por mjekët vetëm konstatuan vdekjen e tij.

Babai i tij, Ibrahima Dieng, e kishte lënë djalin në çerdhe vetëm rreth dy orë para ngjarjes. Familja ka deklaruar se fillimisht ishte njoftuar nga stafi se fëmija ishte “sëmurë” dhe se po dërgohej për trajtim.

Prindërit pretendojnë se fëmijët kishin mbetur pa mbikëqyrje, pasi disa punonjës të institucionit dyshohet se ishin larguar për të marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së drejtoreshës së çerdhes.

Rasti është duke u hetuar nga autoritetet braziliane, ndërsa policia ka marrë në pyetje pesë punonjës të institucionit, përfshirë drejtoreshën, një koordinatore, një mësuese, një pedagoge dhe një punëtor tjetër.

Autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave për vdekje nga pakujdesia.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Brazil: 1-vjeçari humb jetën pasi mbeti i bllokuar pas pasqyrës në çerdhe appeared first on Sinjali.

Ngrihen dyshime për “kurdisje” në duelin Joshua–Prenga

26 July 2026 at 11:05

Dueli i së shtunës mbrëma ndërmjet Anthony Joshuas dhe Kristian Prengës ka nxitur reagime dhe akuza për një kurdisje të mundshme, pas ndryshimit të madh të ritmit të boksierit shqiptar nga raundi i parë në të dytin.

Ish-pronari i Crystal Palace dhe komentatori i talkSPORT, Simon Jordan, ka ngritur dyshime për mënyrën se si u zhvillua përballja në peshat e rënda.

Joshua u gjend në vështirësi të mëdha që në sekondat e parë të meçit, pasi Prenga e rrëzoi në tapet me një goditje të fortë të djathtë.

Boksieri shqiptar vazhdoi presionin dhe e rrëzoi britanikun edhe një herë në minutën e fundit të raundit të parë, duke e vënë ish-kampionin e botës shumë pranë humbjes.

Megjithatë, situata ndryshoi plotësisht në raundin e dytë. Prenga nuk vazhdoi me të njëjtin intensitet, ndërsa Joshua shfrytëzoi mundësinë për t’u rikuperuar dhe e nokautoi shqiptarin me një goditje të fuqishme të djathtë.

Pas përfundimit të duelit, Jordan reagoi në rrjetet sociale, duke deklaruar se mënyra se si ndryshoi rrjedha e ndeshjes i dukej e dyshimtë.

“Nuk e besoj atë ndeshje të Anthony Joshuas. U rrëzua dy herë dhe më pas papritur mori kontrollin e ritmit në raundin e dytë. Si është e mundur? Prenga ishte krejtësisht ndryshe në raundin e dytë. Diçka nuk duket në rregull. Gjithçka ishte projektuar për të gjeneruar sa më shumë para”, shkroi Jordan.

Edhe statistikat tregojnë një rënie të ndjeshme të aktivitetit të Prengës. Sipas CompuBox, ai tentoi 46 goditje në raundin e parë dhe realizoi 13 prej tyre, ndërsa në raundin e dytë hodhi vetëm 17 goditje, duke goditur në objektiv tri herë.

Dyshimeve të Jordanit iu bashkuan edhe disa tifozë në rrjetet sociale, të cilët vunë në pikëpyetje ndryshimin e menjëhershëm të paraqitjes së Prengës.

Megjithatë, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë që mbështet pretendimet se dueli ishte i kurdisur.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ngrihen dyshime për “kurdisje” në duelin Joshua–Prenga appeared first on Sinjali.

Aksident tragjik në Shqipëri: Humb jetën 52-vjeçari, katër të tjerë lëndohen

26 July 2026 at 10:47

Një 52-vjeçar ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti të rëndë trafiku në aksin rrugor Vlorë–Llogora, në Shqipëri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:10, në vendin e quajtur “Fushë Dukat”, ku një furgon dyshohet se ka dalë nga rruga pasi drejtuesi ka humbur kontrollin mbi mjetin.

52-vjeçari ishte pasagjer në furgon, dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Drejtuesi i automjetit, 22-vjeçari me inicialet S. R., së bashku me tre pasagjerë të tjerë, janë dërguar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka bërë të ditur se grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit, nën drejtimin e Prokurorisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Aksident tragjik në Shqipëri: Humb jetën 52-vjeçari, katër të tjerë lëndohen appeared first on Sinjali.

Influencerja amerikane vritet nga bashkëshorti vetëm dy javë pasi e akuzoi për pedofili

26 July 2026 at 10:44

Influencuerja amerikane Sara Gilson, 43 vjeçe, është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti, me të cilin ishte në proces divorci, Jeremiah “Shawn” Duffey, vetëm dy javë pasi e kishte akuzuar publikisht në TikTok se ishte pedofil.

Më 11 korrik, Gilson publikoi një video në TikTok, duke ndjekur trendin viral ku përdoruesit imagjinojnë se po intervistohen nga Netflix për një dokumentar mbi jetën e tyre. Në video ajo shkruante:

“Po përgatitem për ditën kur Netflix do të publikojë një dokumentar për bashkëshortin tim, ish-bashkëshortin tim të ardhshëm, për të cilin sapo zbulova se është pedofil”.

Në përshkrimin e videos ajo shtonte: “Do të doja të isha duke bërë shaka”, shkruajnë mediat amerikane.

Vetëm 12 ditë më vonë, në mbrëmjen e 23 korrikut, policia u thirr në banesën e Gilson në Owasso, Oklahoma, pasi një fëmijë që jetonte në shtëpi telefonoi numrin e emergjencës 911. Kur mbërritën në vendngjarje, autoritetet gjetën Sara Gilson dhe Jeremiah Duffey të pajetë, të dy me plagë nga armë zjarri.

Sipas hetimeve paraprake, Duffey qëlloi për vdekje Gilson dhe më pas vrau veten.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Gilson kishte kërkuar disa herë mbrojtje ligjore ndaj bashkëshortit të saj. Dy urdhra mbrojtjeje të paraqitur në vitin 2021 u rrëzuan pasi ajo nuk u paraqit në seancat gjyqësore.

Më 10 qershor të këtij viti, Gilson kërkoi një urdhër emergjent mbrojtjeje, duke pretenduar se Duffey kishte armë, kishte kërcënuar se do të vriste veten dhe ishte larguar nga shtëpia. Gjykata urdhëroi largimin e tij nga banesa dhe ndalimin e afrimit më shumë se 100 metra pranë saj. Më 23 qershor, urdhri u zgjat deri më 24 gusht.

Po atë ditë, një tjetër urdhër mbrojtjeje u kërkua nga nëna e një vajze 15-vjeçare, e cila pretendonte se Duffey kishte kryer veprime të papërshtatshme ndaj së miturës.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Duffey, i cili ishte trajner i ekipit të basketbollit ku luante vajza, dyshohet se e kishte puthur dhe prekur në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa një trajner tjetër e kishte kapur në flagrancë. Nëna e vajzës pretendoi gjithashtu se ai i kishte dërguar mesazhe, e kishte ftuar në dhomën e hotelit gjatë një turneu dhe i kishte ofruar para për ta mbajtur ngjarjen të fshehtë.

Policia vijon hetimet për rastin, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera zyrtare mbi ngjarjen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Influencerja amerikane vritet nga bashkëshorti vetëm dy javë pasi e akuzoi për pedofili appeared first on Sinjali.

23 persona të zhdukur pas fundosjes së anijes vietnameze në Detin e Kinës Jugore

26 July 2026 at 10:38

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po vazhdon në Detin e Kinës Jugore, pas fundosjes së një anijeje vietnameze me 62 persona në bord.

Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, ekipet e emergjencës kanë arritur të shpëtojnë 39 persona, ndërsa 23 të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.

Autoritetet e provincës jugore kineze Hainan njoftuan se anija e mallrave “Khoi Nguyen 18” kishte dërguar një sinjal alarmi pranë zonës detare të Fiery Cross Reef.

Në operacion janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa kërkimet për personat e zhdukur po vazhdojnë.

Anija, e regjistruar në Vietnam, ishte rreth 70 metra e gjatë dhe kishte tonazh bruto prej 999 tonësh.

Incidenti ndodhi pranë Ishujve Spratly, një zonë e kontestuar në Detin e Kinës Jugore, e cila përbëhet nga ishuj të vegjël, shkëmbinj nënujorë dhe atole.

Rajoni konsiderohet me rëndësi të madhe strategjike dhe besohet se është i pasur me burime natyrore.

Kina pretendon sovranitet mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore, përfshirë Ishujt Spratly, ku ka ndërtuar pista ajrore dhe struktura të militarizuara.

Pretendimet e Pekinit kundërshtohen nga disa shtete të rajonit, përfshirë Vietnamin, Filipinet, Tajvanin, Malajzinë dhe Brunein.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post 23 persona të zhdukur pas fundosjes së anijes vietnameze në Detin e Kinës Jugore appeared first on Sinjali.

❌