Aksionet europiane rriten pas marrëveshjes tregtare BE-SHBA
Marrëveshja tregtare mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagime të ashpra nga disa shtete anëtare të BE-së dhe sektorë industrialë, të cilët pretendojnë se marrëveshja është e pabalancuar dhe se BE-ja duhet të kishte këmbëngulur për kushte më të mira.
Laurent Saint Martin, zëvendësministri francez për tregtinë, deklaroi se marrëveshja “nuk është e balancuar”. Ai tha se BE-ja duhet të vazhdojë të kërkojë kushte më të mira tregtare me SHBA-në, përfshirë sektorin e shërbimeve, si dhe të përdorë instrumentet e saj kundër shantazhit tregtar. “Kjo do të jetë çështja kyçe në ditët në vijim”, shtoi ai.
Organizata më e madhe industriale në Gjermani, Federata e Industrive Gjermane (BDI), gjithashtu paralajmëroi se marrëveshja përfaqëson një “kompromis të pamjaftueshëm” dhe dërgon një “sinjal fatal” për ekonomitë e BE-së dhe SHBA-së.
Megjithë kritikat, aksionet europiane u rritën në nivelin më të lartë të katër muajve të fundit, pasi SHBA dhe BE arritën një marrëveshje tarifore që pritet të shmangë një luftë të plotë tregtare. Indeksi i gjerë Stoxx Europe 600 u rrit me 1 për qind në tregtimin e mëngjesit, ndërsa DAX-i gjerman fitoi 0.9 për qind dhe CAC 40 i Francës u rrit me 1.2 për qind.
Edhe bursat amerikane pritet të hapen me rritje, me kontratat e së ardhmes të lidhura me S&P 500 në rritje me 0.5 për qind. Megjithatë, euro u dobësua, pasi investitorët po përpunonin detajet e para të marrëveshjes tregtare, që i lë në fuqi tarifat e larta mbi shumicën e mallrave të BE-së.
Sipas marrëveshjes së arritur të dielën, pjesa më e madhe e eksporteve të BE-së drejt SHBA-së, përfshirë makinat dhe produktet farmaceutike, do të përballen me një tarifë 15 për qind. BE-ja ka rënë gjithashtu dakord të shpenzojë qindra miliarda dollarë për produkte energjitike dhe armë të prodhuara në SHBA.
Megjithëse marrëveshja rrit tarifat, investitorët thanë se ajo gjithashtu ndihmoi në uljen e pasigurisë mbi tregtinë, e cila ka ndjekur tregjet, që prej deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për “ditën e çlirimit” në fillim të prillit.
Ekonomistët e Commerzbank paralajmëruan se eksportet e BE-së drejt SHBA-së do të bien me rreth një të katërtën gjatë dy viteve të ardhshme për shkak të tarifave të vendosura nga SHBA. Banka gjermane deklaroi se marrëveshja do të rrisë tarifat mesatare të importit me “më shumë se 10 pikë përqindjeje krahasuar me vitin e kaluar”.
“Kjo do ta bëjë ndjeshëm më të vështirë për shumë kompani të kenë akses në tregun e tyre më të rëndësishëm të jashtëm”, thuhet në analizë.
Holger Schmieding, kryeekonomist i Berenberg, vlerësoi se tarifat do të fshijnë rreth 0.3 pikë përqindjeje nga rritja ekonomike e BE-së këtë vit dhe vitin e ardhshëm, por shtoi se stimujt fiskalë gjermanë do të kompensojnë pjesën më të madhe të dëmit. / FT
The post Aksionet europiane rriten pas marrëveshjes tregtare BE-SHBA appeared first on Revista Monitor.