Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Gazeta Si

Serbia dhe Kina zhvillojnë për herë të parë stërvitje të përbashkët ushtarake

15 July 2025 at 14:55

Serbia dhe Kina bashkojnë forcat e armatosura, për stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, gjatë gjysmës së dytë të korrikut.

Siç njoftoi zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes kombëtare në Pekin, operacioni i quajtur “Paqeruajtësit 2025” do të ndihmojë në fuqizimin e kapaciteteve luftarake të trupave pjesëmarrëse dhe do të thellojë bashkëpunimin mes dy ushtrive.

Pjesë e ushtrimeve të përbashkëta që do të mbahen në rajonin verior të Kinës, Hebei, “do të jenë forcat speciale të Serbisë dhe Kinës”. 

Kjo do të jetë hera e parë që Kina i bashkohet një stërvitje ushtarake me një shtet që aspiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian. Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e “Partneritetit për Paqe”, një program bashkëpunimi dypalësh midis NATO-s dhe vendeve individuale joanëtare.

The post Serbia dhe Kina zhvillojnë për herë të parë stërvitje të përbashkët ushtarake appeared first on Gazeta Si.

Shkodra rikthen kujtesën e pazarit të saj të dikurshëm, në një ekspozitë me artefakte të rralla

15 July 2025 at 14:13

Nga Gazeta “SI”- Në fundjavë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hap dyert për ekspozitën më të re: “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”. Një udhëtim në kohë që rikthen në vëmendje një nga hapësirat më të gjalla të qytetit dikur, pazarin e famshëm të Shkodrës.

Për herë të parë, publiku shqiptar do të mund të shohë nga afër koleksionin e tregtarit Palokë Laca, një figurë e njohur e jetës ekonomike të qytetit. Artefaktet e tij, që prej vitesh ruhen në arkivën e Muzeut të Etnografisë në Budapest, ekspozohen tashmë në vendlindjen e tyre.

“Palok Laca është marrë me tregti, thjesht i ka trashëguar këto. Kishte kontakte me familje të nivelit të lartë. Ka një hollësi të madhe të koleksionimit sepse janë shumë të bukura”, thotë një nga kuratorët, duke hedhur dritë mbi rrënjët e këtij thesari të çmuar që dëshmon për një shije të rafinuar.

Ekspozita synon të rindërtojë përmes imazhit dhe sendit jetën shumëdimensionale të pazarit shkodran, një nyje ku ndërthureshin kultura, zeje, tregti dhe identitet vendor.

Një hapësirë të veçantë zë gjithashtu edhe puna e dizajnerit shkodran Jozef Martini, i cili sjell një interpretim bashkëkohor të motiveve tradicionale përmes tekstileve të punuara në jacquard. Martini, i njohur ndërkombëtarisht për bashkëpunimet me emra të mëdhenj të modës si Fendi dhe Versace, është një prej krijuesve shqiptarë që ka arritur të veshë yje botërorë, një ndër to këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa.

The post Shkodra rikthen kujtesën e pazarit të saj të dikurshëm, në një ekspozitë me artefakte të rralla appeared first on Gazeta Si.

Dorëzohet padia e parë civile kundër ndotjes nga zjarri në landfillin e Elbasanit

15 July 2025 at 14:01

Nga Gazeta Si- Pas zjarrit të madh që ra në landfillin e mbetjeve në Elbasan në fillim të korrikut, një qytetare nga Elbasani, e diagnostikuar me astmë bronkiale në formë të rëndë, ka depozituar një padi civile kundër kompanisë dhe Bashkisë Elbasan, për dëmet e shkaktuara nga ndotja ajrore e shkaktuar pas zjarrit.

E shoqëruar nga aktivisti dhe avokati i Drejtësi Sociale, Gentian Sejrani, qytetarja kërkon dëmshpërblim për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, si pasojë direkte e kësaj ngjarjeje.

Fatmira Sejrani, 63 vjeç, vuan prej shumë vitesh nga një sëmundje e aparatit respirator dhe gjatë atyre ditëve pati një përkeqësim të situatës shëndetësore, ku nëse e përdorte pompën 1-2 herë në ditë, iu desh ta përdorte 5-6 herë në ditë.

Zjarri çliroi re të dendura tymi të zi, me erë të rëndë djegieje plastike dhe materiale organike, që për ditë të tëra u përhapën në zonat e banuara.

Sipas avokatit, gjatë javës së parë të muajit korrik, qytetarët e Elbasanit, përfshirë edhe paditësen, përjetuan simptoma shqetësuese si vështirësi në frymëmarrje, djegie në sy, dhimbje koke dhe ndjesi të përziera.

Sipas matjeve të realizuara nga organizata Co-PLAN Institute for Habitat Development më 2 korrik, cilësia e ajrit ka qenë shumëfish mbi normat e lejuara të BE-së, duke përfshirë nivele alarmante të NO₂, CO₂, metanit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOCs) dhe grimcave PM2.5/PM10 – me pasoja të rënda për shëndetin, veçanërisht për personat me sëmundje kronike respiratore.

“Kjo padi është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane”, thotë avokati.

The post Dorëzohet padia e parë civile kundër ndotjes nga zjarri në landfillin e Elbasanit appeared first on Gazeta Si.

I dënuar në Itali, 53-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen pasuri qindra mijëra euro

15 July 2025 at 13:57

Gazeta Si – Gjykata ka sekuestruar 4 pasuri me vlerë 287 mijë euro në pronësi të Artan Lekës, 53 vjeçarit i cili rezulton i dënuar më parë në Itali me 9 vite burg dhe 60 mijë euro gjobë për prostitucion.

Mësohet se janë sekuestruar 2 apartamente dhe 2 automjete në pronësi të Lekës i cili dyshohet se veprën penale e kishte kryer në kuadër të grupit kriminal. Dyshohet se këto pasuri 53 vjeçari i kishte siguruar falë veprimtarisë kriminale. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post I dënuar në Itali, 53-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen pasuri qindra mijëra euro appeared first on Gazeta Si.

Narta mes 15 lagunave më të bukura të Europës

15 July 2025 at 13:46

Nga Gazeta Si- Kur bëhet fjalë për t’u freskuar gjatë pushimeve verore, zakonisht zgjedhja e parë është një pishinë ose oqeani, por ekziston edhe një mundësi e tretë, shpesh e anashkaluar: lagunat.

Për familjet, lagunat janë një ndryshim rrënjësor: pa dallgë, pa kandil deti, pa vende të fshehura për t’u ulur, vetëm rërë dhe ujë i cekët ku prindërit mund t’i lënë fëmijët të luajnë me qetësi të plotë mendore.

Ato janë gjithashtu më shumë sesa thjesht vende të qeta për not. Këto vende të ndërmjetme, as plotësisht në det dhe as në liqen, shpesh janë miniera ari ekologjike. Flamingot, çafkat dhe zogj të tjerë lulëzojnë në këto zona, dhe ujërat e pasura me lëndë ushqyese mbështesin fermat e gocave të detit dhe midhjeve, ideale për një drekë të freskët, me këmbët në rërë.

The Telegraph ka renditur 15 lagunat më të bukura të Europës, ku mes tyre është edhe laguna e Nartës në Vlorë.

“Narta është një nga sekretet bregdetare më të ruajtura të vendit. Vija e cekët bregdetare e lagunës është e sigurt për kanotazh dhe lojëra në plazh, ndërsa fëmijët më të rritur mund ta eksplorojnë zonën me kajak”, shkruan The Telegraph, duke shtuar se aty mund të shihen edhe flamengot e mëdha, çafkat dhe pelikanët.

“Familjet gjithashtu mund të shëtisin me biçikletë në shtigjet e sheshta përreth lagunës ose të vizitojnë Manastirin e Zvërnecit të shekullit të 13-të, i vendosur në një ishull të vogël që arrihet nga një urë këmbësorësh prej druri. Me pak turma dhe pa resorte të zhurmshme, është një zgjedhje e qetë”, përfundon The Telegraph.

Laguna të tjera që përmenden në shkrim janë laguna blu- Turqi, Mar Menor- Spanjë, Etang de Thau- Francë, Lido di Venezia- Itali, Ria Formosa- Portugali, Sëanpool- Cornwell, Ho Bugt- Danimarkë, Grevelingenmeer- Hollandë, Zaton Bay- Kroaci, Cala Brandinchi- Itali, Praia da Amoreira- Portugali.

The post Narta mes 15 lagunave më të bukura të Europës appeared first on Gazeta Si.

Trump inkurajon Zelenskin të godasë Moskën, presidenti ukrainas: Po, nëse na jepni armë

15 July 2025 at 13:11

Gazeta Si – Donald Trump e ka inkurajuar privatisht Ukrainën të shtojë sulmet më në thellësi të territorit rus.

Presidenti amerikan madje e pyeti Volodimyr Zelenskin, nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do të siguronin armë me rreze të gjatë veprimi.

Në këtë kontekst, vendosmëria e Trump për të rritur presionin mbi Vladimir Putin u shpreh javën e kaluar në një bisedë që pati me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.  

Sipas “Financial Times”, Trump dyshohet se e inkurajoi Zelenskin të shtonte sulmet ukrainase në territorin rus, madje duke e pyetur presidentin ukrainas nëse ai mund të godiste Moskën nëse SHBA-të do t’i siguronin armë me rreze të gjatë veprimi. 

Gazeta britanike, duke cituar dy persona të njohur me bisedën midis Trump dhe Zelenski, raportoi se presidenti amerikan e pyeti homologun e tij ukrainas nëse ai mund të godiste objektiva ushtarake thellë brenda Rusisë nëse ai do t’i siguronte armë të afta për ta bërë këtë.

“Volodymir, a mund ta godasësh Moskën? A mund ta godasësh Shën Petersburgun?”, – pyeti Trump gjatë telefonatës, sipas burimeve. Zelenski u përgjigj: “Absolutisht. Mundemi, nëse na jepni armët”.

Sipas një burimi të njohur me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, vendimi i Trump për të përshkallëzuar tensionet ndaj Rusisë është për shkak të tre arsyeve: nga njëra anë, ai besonte se Putini e përçmonte, duke pretenduar se kërkonte paqe, ndërsa injoronte kërkesën e Uashingtonit për armëpushim; nga ana tjetër, ai vlerësoi se përdorimi i fundit i bombarduesve B-2 dhe raketave Tomahawk kundër Iranit demonstroi efektivitetin e fuqisë amerikane; dhe së fundmi, ai beson se Putini do të ulet në tryezën e negociatave vetëm nën kërcënimin e një presioni më të madh ushtarak.

Ndërkohë, Donald Trump po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave “Tomahawk” në Ukrainë , në një veprim që mund të rrisë ndjeshëm presionin mbi Rusinë , sipas informacionit të cituar nga “Washington Post”.  

Sa i përket “Tomahawk”-ëve  tani, ato janë të njëjtat raketa që u përdorën së fundmi për të sulmuar objektivat bërthamore iraniane dhe, nëse do të lëshoheshin nga territori ukrainas, do të kishin aftësinë të arrinin Moskën dhe Shën Petersburgun .

The post Trump inkurajon Zelenskin të godasë Moskën, presidenti ukrainas: Po, nëse na jepni armë appeared first on Gazeta Si.

Urdhri i kryeministrit, valë dorëheqjesh nga drejtorët dhe administratorët e disa bashkive

15 July 2025 at 13:06

Nga Gazeta Si- Pas urdhrit të Kryeministrit Edi Rama, administratorë dhe drejtorë vijojnë të japin dorëheqjen.

Në Bashkinë e Bulqizës kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorë të njësive përfshirë edhe qytetit.

Ndërkohë dorëheqjen kanë dhënë edhe dy Nënkryetarët si dhe drejtorët e drejtorive që i përkasin bashkisë.

Një ditë pasi u është kërkuar dorëheqja, thuajse të gjithë drejtorët në bashkitë Sarandë dhe Delvinë, i kanë dorëzuar ato tek eprorët.

Në bashkinë Mat kanë dhënë dorëheqjen 8 Administratorët e njësive si dhe një Nënkryetar pasi Nënkryetari tjetër pason detyrën e kryetarit të Bashkisë pas dorëheqjes së ish kryetarit Agron Malaj i cili kandidoi për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Po ashtu, pas dorëheqjes se 9 administratorëve të bashkisë Gramsh dje, sot kane dhënë dorëheqjet të gjithë drejtorët e bashkisë dhe përgjegjësit në varësi të tyre.

Sa i përket nënkryetarëve, njëra është e sapo emëruar, një muaj në detyre, ndërsa nënkryetari tjetër është në prag pensioni.

Valë dorëheqjesh ka edhe në Bashkinë e Vaut të Dejës.

Raportohet se pas mbledhjes me kryebashkiakun Kristin Shkeli kanë paraqitur dorëheqjen 3 zv.kryetarët, administratorët e njësive vendore dhe drejtorët.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në bashkitë e mëdha të vendit si Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër etj.

The post Urdhri i kryeministrit, valë dorëheqjesh nga drejtorët dhe administratorët e disa bashkive appeared first on Gazeta Si.

Të ruash fëmijërinë përmes librit/ Marjeta, gruaja që po ‘ringjall’ traditën e leximit në Rrogozhinë

15 July 2025 at 12:52

Nga Liridon Mulaj – Në një shkrim të fundit të analistit britanik me titull “Lufta moderne kundër fëmijërisë”, ai parashtron të gjitha ritualet dhe zakonet e fëmijërisë, të cilat e bënin brezin e viteve ’90-të që, përmes interaktivitetit fizik dhe personal, të ndërtonte një jetë më të denjë e po ashtu plot me kujtime. Por sa e mundur është kjo sot, në një shoqëri që rend drejt ndryshimeve shpesh të dëmshme?

Marjeta, dikur mësuese, sot specialiste e bibliotekës në Rrogozhinë ka arritur të mbajë gjallë tek të rinjtë dashurinë për të lexuar, një dashuri që po zbehet çdo herë e më shumë.

Teksa kërkoja në rrjete sociale për bibliotekat e rretheve, ajo që më ra në sy ishte faqja në Facebook e Bibliotekës së Rrogozhinës.

Postimet me fotot e fëmijëve, por edhe të rinjve, të cilët e frekuentonin këtë ambient edhe gjatë muajve të nxehtë të korrikut, ishin të shumta. Të jem i sinqertë, gati-gati surreale, duke pasur parasysh kohën e papërshtatshme, e cila fëmijët dhe të rinjtë ose i gjen në fshat, ose në plazh, por rrallë në bibliotekë.

Pas një ore udhëtim nga Tirana, bibliotekën e gjeta lehtësisht. Një godinë njëkatëshe, e lyer dhe e sistemuar mirë, gjendej në anën e majtë të rrugës kryesore që përshkon qytetin.

Biblioteka Rrogozhinë

Marjeta, specialistja e bibliotekës, doli të më priste sapo më pa. “Mirë se erdhët!” – foli ende pa u afruar.

Brenda na prisnin disa të rinj, të cilët, sapo hymë brenda, u ngritën në këmbë.

Deri këtu nuk kishte asgjë për t’u çuditur. Fundja, disa të rinj i gjen kushdo, mendova, për një takim mbasditeje. Por kur Marjeta nisi të rrëfejë, atëherë kuptova se nuk ishte një takim çfarëdo.

Të rinjtë e pranishëm ishin të gjithë studentë që shkolloheshin dhe jetonin në Tiranë. Edhe pse ata praktikisht kishin ikur nga Rrogozhina për të mos u kthyer më aty (na e pohuan vetë), ardhja e tyre në bibliotekë dhe vizita që ata bënin sa herë ktheheshin për pushime ishte mbresëlënëse.

Ajo që unë parashtrova ishte pyetja se, mos ndoshta në Rrogozhinë, të rinjtë dhe të rriturit së bashku po tentojnë, në një farë mënyre, të mos e lënë fëmijërinë e dikurshme , atë tradicionale me libra e lojëra aktive të ikë?

Por përgjigjja më erdhi prej secilit mëvetësisht. Arsyeja pse ata riktheheshin në bibliotekën e qytetit ishte Marjeta, zonja me buzëqeshje, e cila e konsideronte bibliotekën jo si një vend pune ku në fund të muajit do të marrë një rrogë, por si misionin e saj të jetës: t’i ndryshojë faqen një qyteti të tërë, duke nisur nga biblioteka.

Marjeta është specialistja e bibliotekës, e cila, prej një viti e gjysmë, i ka dhënë një tjetër shtysë bibliotekës, por edhe impaktit të librit te lexuesit, kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë.

Gjithçka për të nisi kur ajo pati një problem shëndetësor, i cili nuk e lejoi më të ushtronte profesionin e saj të mësueses.

“Unë pata një problem shëndetësor, prej të cilit u detyrova të heq dorë nga profesioni i mësuesisë. Dhe erdha të kërkoja punë në Rrogozhinë, diku në Bashki. Por fati e deshi që unë të emërohesha specialiste në bibliotekë. Në Rrogozhinë ka shumë njerëz që e duan punën, dhe unë këtu ndihem shumë mirë, pasi kam mbështetje për çdo aktivitet apo nismë që organizoj.” thotë Marjeta për GazetaSi.al.

Marjeta Çurumi

Pyetjes sesi arrin t’i bindë apo t’i tërheqë ende të rinjtë që kanë ikur nga Rrogozhina, por që kthehen sërish këtu njësoj si dikur, Marjeta thotë se në Rrogozhinë ka shumë njerëz që janë të etur për dije, për kulturë, dhe prandaj përpiqet t’i bëjë ata pjesë të përhershme të takimeve dhe mbledhjeve të bibliotekës. Këtë e dëshmon edhe prezenca e të rinjve të cilët janë rikthyer nga kryeqyteti, ku studiojnë, për t’iu dedikuar jetës kulturore edhe gjatë pushimeve.

Mario, student i vitit të tretë për mjekësi në Tiranë, thotë për Gazetasi.al se leximi për të ka nisur si dëshirë e vonë, por që nga libri i parë ai nuk i është ndarë më leximit.

“Nuk kisha ndonjë tendencë të madhe të lexoja i vogël, por nisa të dashurohesha me librat non-fiction, të cilët më ndihmonin për rritje personale. I lexoja dhe librat e detyrueshëm të shkollës në programe, por për mua një nga autorët më të dashur mbetet Robert Greene.”

Ai thotë se sa herë kthehet në Rrogozhinë, e frekuenton bibliotekën për të qëmtuar ndonjë libër të mirë, por edhe për t’u mbledhur me miqtë e fëmijërisë. Madje, shton se vetë ai ka nxitur edhe të ëmën që të bëhet lexuese.

Mario

“Sa herë kthehem në Rrogozhinë, kthehem dhe në bibliotekë. Shkolla që bëj nuk më jep shumë hapësira për të lexuar libra artistikë, por sa herë mundem e shfrytëzoj kohën për ndonjë libër të mirë. Madje, unë kam shtyrë dhe mamin tim që të lexojë, dhe ajo sot është një nga lexueset më të mira të bibliotekës.”

Mario thotë se ikja nga Rrogozhina për të studiuar në Tiranë ishte për arsye rritjeje në karrierë dhe formim. Edhe pse ai pëlqen jetën e qetë të qytetit të tij, kthimi nuk është më opsion për të.

Të njëjtën gjë thotë edhe Amari, një tjetër i ri i lindur dhe rritur në Rrogozhinë, por që studion në Tiranë për inxhinieri informatike. Ai thotë se në fëmijëri lexonte kryesisht libra fetarë.

“Të them të drejtën, që i vogël kam lexuar më shumë libra fetarë sepse jam edhe praktikant i besimit islam. Por ishte zyshë Marjeta që më shtyu drejt leximit të letërsisë, duke më sugjeruar fillimisht Ismail Kadarenë. E mbarova shpejt atë libër dhe, në fakt, më pëlqeu shumë. Libri, sipas meje, është një mësues personal që komunikon vetëm me ty dhe që të ndihmon të bëhesh i zoti i vetes.”

Ai thotë se rikthimi i tij në bibliotekën e qytetit është edhe për arsye se brezi i tij nuk ishte mësuar ende me teknologjinë, por edhe nga shtysa e madhe që i jep zysha, e cila e ka mësuar me librin që në fëmijëri. Kur pyetet për njerëzit e Rrogozhinës, Amari ka një përgjigje sa të sinqertë, po aq edhe origjinale.

Amari

“Njerëzit e Rrogozhinës janë njerëz që nuk e duan ndryshimin. Ndihen rehat në atë komfort zonën e tyre, e gjithashtu nuk i presin mirë ndryshimet, derisa shohin më pas efektet e këtyre ndryshimeve. Vetëm atëherë binden se ndryshimet jo gjithmonë janë për keq,” – përfundon Amari.

Një nga vajzat më aktive në Bibliotekë, Lejla, është edhe një nga lexueset më të mira mes të rinjve në Rrogozhinë. Fakti se Marjeta është mamaja e saj, ka ndikuar thelbësisht në dashurinë e saj për librin.

“E vogël kam qenë vajzë që më pëlqenin aventurat, pra më shumë të luaja sesa të lexoja. Librat e parë që lexoja ishin ato me figura. Sot kam arritur të lexoj libra me një mijë e pesëqind faqe pa figura, sepse kuptova se imazhin e ushqen mendja. Pasionin për leximin ma kanë ushqyer prindërit e mi, të cilët kanë lexuar gjithë kohës.”

Lejla thotë se, si bashkëmoshatarët e saj, edhe ajo do të studiojë në Tiranë. Madje për mjekësi.

“Unë do të studioj për mjekësi dhe ky është viti kur edhe unë do të largohem nga Rrogozhina. Por e ndjej si detyrim që në të ardhmen një pjesë e vetes sime dhe kontributit tim profesional i përket dhe do t’i përkasë Rrogozhinës.”

Lejla

Por, përtej pasionit për letërsinë, duket se edhe qasjet e të rinjve për profesionin e së ardhmes përputhen. Pas Marios dhe Lejlës, të dy mjekë të ardhshëm, edhe Aleksi është një i ri nga Rrogozhina, i cili studion në Tiranë për imazheri dhe po ashtu frekuenton Bibliotekën e qytetit të tij sa herë kthehet.

“Unë nuk kam lexuar kur isha më i vogël. Shtysën më të madhe e kam nga zysha e shkollës së mesme, e cila më ngjizi pasionin për letërsinë. Kur fillova të lexoj, u ndjeva dhe keq pse nuk kisha lexuar më herët. Gjithashtu, unë preferoj edhe poezinë. Rikthehem në bibliotekën e qytetit sepse më pëlqejnë shumë aktivitetet që organizohen këtu.”

Aleksi thotë se, sa herë kthehet në qytetin e tij, i duket tashmë më i vogël dhe me më pak njerëz.

“Sa herë kthehem në Rrogozhinë, qyteti më duket më i vogël dhe me më pak njerëz. Edhe pse e dua qytetin tim, nuk besoj se do të kthehem më këtu,” – thotë ai.

Aleksi

Në shoqërinë e sotme, misioni konsiderohet shpesh si një sipërmarrje utopike. Shtoji këtu fenomenet që e kanë shndërruar shoqërinë tonë në një shoqëri konsumi, por edhe në grupime të cilat rendin pas një jete të vrullshme, shpesh të pakuptimtë, duket sikur Marjeta dhe biblioteka e Rrogozhinës janë një kundërthënie e gjithçkaje që na rrethon.
Ajo e thotë me krenari se, prej një viti e gjysmë, janë shtuar lexuesit të cilët e frekuentojnë bibliotekën dhe gjejnë aty libra të mirë.

Sa mallëngjyese kjo nismë është edhe njëfarë stopimi i jetës së shpejtë dhe teknologjisë, e cila duket sikur i ka shpallur luftë një jete organike dhe një fëmijërie plot me kujtime.

Marjeta beson se, nëpërmjet librit dhe kulturës, një qytet mund të ndryshojë, ose së paku të ruajë me fanatizëm ato rituale dhe tradita të cilat nuk duhet të humbasin, ku një ndër to, padyshim, mbetet leximi.

The post Të ruash fëmijërinë përmes librit/ Marjeta, gruaja që po ‘ringjall’ traditën e leximit në Rrogozhinë appeared first on Gazeta Si.

BE lançon aplikacionin online për verifikimin e moshës për fëmijët

15 July 2025 at 12:51

Nga Gazeta Si- Franca, Spanja, Italia, Danimarka dhe Greqia do të testojnë një plan për një aplikacion verifikimi të moshës për të mbrojtur fëmijët në internet, tha Komisioni Europian, mes shqetësimit global në rritje në lidhje me ndikimin e mediave sociale në shëndetin mendor të fëmijëve.

Konfigurimi për aplikacionin e verifikimit të moshës është ndërtuar mbi të njëjtat specifikime teknike si Portofoli Europian i Identitetit Digjital, i cili do të lançohet vitin e ardhshëm. Pesë vendet mund ta personalizojnë modelin sipas kërkesave të tyre, ta integrojnë në një aplikacion kombëtar ose ta mbajnë atë veçmas.

Verifikimi do të bëjë të mundur kontrollin anonim të moshës së përdoruesve, pa ruajtur të dhëna personale si emrin ose datën e lindjes së tyre.

“Fëmijët meritojnë një fëmijëri digjitale të sigurt. Ky është një nga prioritetet kryesore të Presidencës daneze. Pa verifikimin e duhur të moshës, ne nuk do të mund t’i mbrojmë fëmijët online”, tha Caroline Stage Olsen, ministrja e Danimarkës për Çështjet Digjitale.

The post BE lançon aplikacionin online për verifikimin e moshës për fëmijët appeared first on Gazeta Si.

Lufta moderne kundër fëmijërisë

15 July 2025 at 12:46

Nga Jack Butler – Në romanin Fundi i Fëmijërisë (Childhood’s End) të Arthur C. Clarke, botuar në vitin 1953, alienë dashamirës mbërrijnë në Tokë, ndajnë teknologjinë e tyre me njerëzimin dhe e udhëheqin atë drejt një epoke të artë. Por, siç ndodh shpesh në fantashkencë, qëllimi i tyre i vërtetë i fshehur është ta drejtojnë racën njerëzore drejt bashkimit me “Mbimendjen” (Overmind) një vetëdije kolektive që përfshin gjithë universin. Ky është hapi i ardhshëm në evolucionin tonë dhe, në të njëjtën kohë, fundi i fëmijërisë sonë si specie.

Ky transformim nis me fëmijët që lindin në epokën e re të përuruar nga alienët. Ata shfaqin fuqi psikike të pakuptueshme për prindërit e tyre. Në fakt, këto janë shenja të hershme të Mbimendjes, të cilës ata shërbejnë si enë. Kështu, ata lënë pas prindërit, njerëzimin dhe në fund vetë planetin.

Sigurisht, asgjë e ngjashme nuk po ndodh me fëmijët që rriten sot, të paktën sa dimë ne. Por ndryshimet e jetës amerikane që nga koha e fëmijërisë sime më bëjnë të mendoj se fëmijëria, ashtu siç e kemi njohur dhe përjetuar për dekada, madje edhe për shekuj, po zhduket. Dhe pasojat mund të jenë të rënda  jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne.

Kam qenë me fat që e përjetova një fëmijëri që, përveç disa detajeve të sipërfaqshme, nuk ndryshonte shumë nga ajo e brezave të mëparshëm, madje as nga ajo e prindërve të mi. Verërat kishin njëfarë strukture, sporte, detyra shtëpie, pushime familjare por koha në mes ishte kryesisht në dorën time. Shumicën e saj e kaloja në aventura të lagjes: me biçikleta apo në ndjekje të një qëllimi që vetëm ne e kuptonim; hapnim shtigje në pyll dhe ndërtonim fortesa. Në mbrëmje luanim “kap flamurin” apo pjeknim marshmallow mbi zjarr. Edhe muajt e vitit jashtë verës nuk ishin më pak të gjallë: sa më shumë kohë të lirë kishim, aq më shumë lojë të papërcaktuar jashtë përjetonim.

Ky stil jete ekziston ende në disa pjesë të Amerikës moderne, por është gjithnjë e më i rrallë. Në vitet ’90, kur isha fëmijë, rreth 20 milionë fëmijë të moshës 7 deri në 17 vjeç ngisnin biçikletën të paktën gjashtë herë në vit. Sot, ky numër është përgjysmuar. Fëmijët që luajnë jashtë shpesh shkaktojnë shqetësim, dyshim apo edhe ndërhyrje ligjore. Janë shumë të zhurmshëm. Dhe për më tepër: ku janë prindërit e tyre? Presioni social i ka shtyrë fëmijët gjithnjë e më herët drejt një karriere meritokratike, ku gjithçka e konsideruar “e kotë”  si loja jashtë  shihet me përçmim. Sepse, në fund të fundit, çfarë vlere ka kjo për një CV?

Jeta përpara ekranit dhe telefonit po i largon fëmijët jo vetëm nga natyra dhe nga loja, por edhe nga njëri-tjetri. Teknologjia ishte duke hyrë gradualisht edhe në fëmijërinë time (shpesh kalonim nga loja jashtë te sesionet me PlayStation 2, zakonisht me shokë), por isha me fat që kur doli iPhone-i, unë isha gati për gjimnaz.

Është e lehtë të biesh në nostalgji për fëmijërinë tënde. Dhe gjithashtu është e lehtë të harrosh se ndryshimi është i pandalshëm  dhe jo gjithmonë për keq. Paraardhësit e mi do të habiteshin që fëmijëria ime kishte kaq pak punë ferme.

Por disa nga prirjet e sotme janë vërtet shqetësuese. Po rriten breza të rinj që nuk dinë të mendojnë apo të veprojnë në mënyrë të pavarur. Që kanë nevojë për udhëzim dhe stimul të vazhdueshëm nga jashtë. Që njohin vetëm një botë ku çdo përgjigje mund të gjendet menjëherë përmes një ekrani. Që i shmangen përplasjes së papritur, përvojës së drejtpërdrejtë, realitetit të vërtetë. Që besojnë se marrëdhëniet e bazuara vetëm në aplikacione mund të zëvendësojnë lidhjet e jetës reale. Dëshmitë po shtohen se këta të rinj janë gjithnjë e më të paaftë për detyra bazike, si drejtimi i makinës (që shumë prej tyre as nuk e dëshirojnë) apo edhe leximi. E gjithë kjo po shpie në sëmundje të mosveprimit  atë që Yuval Levin e quajti “patologjitë e pasivitetit.”

Prandaj, kjo luftë moderne kundër fëmijërisë duhet të na frymëzojë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur apo rikthyer thelbin e saj. Të lejojmë  madje, kur duhet, të detyrojmë  fëmijët të luajnë jashtë. Të kufizojmë kohën që kalojnë para pajisjeve. Dhe, më e rëndësishmja, të mos i dorëzohemi vetë versioneve për të rritur të po këtyre sjelljeve që po dëmtojnë fëmijët tanë. Nuk duhet të lejojmë që ekranet të na shkëpusin nga bota reale, apo që marrëdhëniet dixhitale të zëvendësojnë ato të vërtetat  në vend që thjesht t’i plotësojnë.

Fundi i Fëmijërisë, zhdukja e racës njerëzore ndodh me një ndjenjë të trishtë por të pashmangshme, që ndonëse sjell humbje, shihet si përmbushja e fatit të saj. Por ne nuk jemi të destinuar të largohemi nga realiteti dhe nga njëri-tjetri. Megjithatë, gjithnjë e më shumë fëmijë po bëjnë pikërisht këtë. Nëse nuk përballemi me forcat që po i japin fund fëmijërisë, pasojat nuk do i ndjejmë vetëm tek fëmijët. Sepse, edhe pse ndoshta nuk e besojmë, ata fëmijë dikur do të bëhen të rritur.

Burimi: National Review

The post Lufta moderne kundër fëmijërisë appeared first on Gazeta Si.

‘Plumbi i Artë’/ Skerdi Tase zbardh atentatet (e dështuara) në Fier, emrat e porositësve dhe si shpëtuan shënjestrat

15 July 2025 at 12:34

Gazeta Si – Pas disa seancash të dështuara, i penduari i tretë i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tase, ka zbardhur detaje tronditëse për atentate të porositura në Fier, ku sipas tij ishte përfshirë së bashku me emra të njohur të botës së krimit.

Si porositës i dy atentateve në vitin 2018 dhe 2019, akuzohet Albert Pashaj dhe ekzekutimi do të kryhej nga “vartësi” i Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhaj, të cilin e kishte paguar 80 mijë euro.

Në dëshminë e tij, Tase tha se ishte njohur me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, përmes një shoku të përbashkët, të cilin e identifikon si Viron Tavanxhi dhe dyshohet të ketë qenë edhe kontakti i porositësit të njërit prej atentateve.

“Henrikun e takova për herë të parë në vitin 2017. Viron Tavanxhi na njohu për të ekzekutuar një person në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e shënjestrës dhe një makinë ‘Alfa Romeo’, si dhe një armë automatike”, deklaroi Tasi.

Sipas tij, viktima që synonin ishte Agim Boriçi, një emër i njohur në Fier. Tase tregoi se ditën e atentatit, Hoxhaj e kishte njoftuar me urgjencë: “Henriku më tha se porositësi i kishte kërkuar llogari – ‘Shumë po e zgjasni atë punë’.”

Agim Boriçi

Atentati ndaj Agim Boriçit

Tase rrëfeu tentativën për vrasjen e Agim Boriçit në vitin 2018 në një lokal në Fier. Fillimisht, ai bashkë me Henrik Hoxhën kanë shkuar në spital për ta ekzekutuar Gim Boriçin, por nuk e kanë gjetur.

Më pas ata shkuan drejt shtëpisë, për ta vrarë, ndërsa Gim Boriçi ka qenë duke pirë kafe bashkë me të vëllanë.

Të dy i shpëtuan atentatit, ndërsa Tase ka rrëfyer në GJKKO se teksa po qëllonte me breshëri ndaj tyre, i ngeci kallashi.

Më pas, në rol është futur edhe Henrik Hoxhaj, i cili ka qëlluar me pistoletë derisa i mbaruan plumbat, por vëllezërit Boriçi shpëtuan pa i kapur asnjë fishek.

“Gim Boriçin shkuam ta qëllonim tek spitali, por nuk e gjetëm, ishte larguar, në makinën e punës, ‘Reno Clio’ kishim edhe armët, ishim të pajisur dhe me maska si këto që përdor policia, pastaj shkuam tek shtëpia e tij, e pamë duke pire kafe me vëllain, Henriku tha :’Bëhu gati se qenkan të dy’. Ndaluam para lokalit, fillova të qëlloj, më ngeci kallashi. Henriku gjuajti me një pistoletë deri sa i mbaruan fishekët, ata nuk i kapi asnjë fishek”, tha Tase në GJKKO.

Më pas ai ka rrëfyer si dogjën mjetin, duke pësuar edhe vetë djegie në fytyrë e duar. “Dogjëm makinën pas atentatit diku tek shinat e trenit, u dogja dhe vet pak nga zjarri në fytyrë dhe duar, u larguam pastaj në shtëpi”, tregon Tase.

Fajin për atentatin që nuk u realizua, Henrik Hoxhaj ia la Skerdi Tases. “Kisha hedhur dorezat në një kosh plehrash pas atentatit ndaj Boriçit, edhe ato mu dogjën pak. Henriku më bënte mua fajtor që nuk u bë puna siç duhet. Henriku kishte frikë mos kishim lënë prova, por ‘Reno’, Renato Saliaj, i tha që të rrinim pa merak se s’kishin asgjë”, ka thënë Tase.

Atentati ndaj Hajredin Beharit

Në vijim, Skerdi Tase deklaroi se Hoxhaj kishte marrë përsipër edhe një tjetër atentat, ekzekutimin e Hajredin Beharit, i njohur si tregtar nafte. Shënjestra sipas tij, frekuentonte një lokal përballë shtëpisë dhe kishte një dyqan vajrash për makina.

Ai shtoi se Behari ishte lokalizuar në një bar pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. “Mora armën dhe shkova atje. Kur më pa, ai bërtiti dhe u shtri përdhe. Mendova se e qëllova, por pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit dhe hodha pistoletën në lumin Gjanicë”, rrëfeu Tasi.

Ai konfirmoi gjithashtu se atentati ishte porositur nga Viron Tavanxhi dhe se tentativa ishte realizuar në vitin 2018, edhe pse përgatitjet kishin nisur një vit më herët.

Ai ka treguar se si qëlloi me breshëri për ta vrarë Beharin, ndërsa ky i fundit është futur poshtë një tavoline për t’i shpëtuar plumbave.

Më pas është larguar nga vendi i ngjarjes dhe armën tha se e kishin hedhur në lumin Gjanica. Por, ndërsa Behari i shpëtoi atentatit, Tase tregon përplasjen me Henrik Hoxhajn, i cili i ka bërtitur se përse nuk u krye vrasja.

“Qëllova një breshëri për të vrarë Aredin Behari, ai u fut poshtë një tavolinë, mendova se e kapën fishekët, pastaj u largova me priste “Riku” 100 metra më larg, un mendova e kam vrarë, kaluam mbi lumin Gjanica aty ku hodhëm dhe armën ‘scorpion’. Debatuam me Henrikun që nuk u krye vrasja, më tha pse e more përsipër kur se bëje dot, pasi Aredini kishte thënë emrin e porositësit në polici. Henrikun e pyeten në polici, dhe me tha qe kishte dale emri i porositësit (i referohet Albert Pashaj)”, ka dëshmuar Tase.

Akuzat

Henrik Hoxhaj, i akuzuar si “ushtar” i Nuredin Dumanit, u arrestua mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi Dumani kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.

Së bashku me Dumanin, ai është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, duke rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.

The post ‘Plumbi i Artë’/ Skerdi Tase zbardh atentatet (e dështuara) në Fier, emrat e porositësve dhe si shpëtuan shënjestrat appeared first on Gazeta Si.

Dëmtohet duke hapur pusin, humb jetën 55-vjeçari në Koplik

15 July 2025 at 11:12

Një 55-vjeçar ka humbur jetën në Koplik të Malësisë së Madhe, pasi u dëmtua duke hapur një pus.

Aksidenti ka ndodhur në lagjen “Mehaj” rreth orës 10:30. Sipas policisë, viktima është 55-vjeçari A.H., i cili humbi jetën duke punuar me sondë shpimi për hapjen e një pusi uji.

Ngjarja konsiderohet aksidentale.

The post Dëmtohet duke hapur pusin, humb jetën 55-vjeçari në Koplik appeared first on Gazeta Si.

Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve

15 July 2025 at 11:02

Gazeta Si – Për herë të parë në Theth, do të përdoret shpërthimi me tritol. Mëngjesin e sotëm, forcat e IKMT dhe forcat xhenio të Forcave të Armatosura kanë mbërritur ne godinën e fundit për ta shembur.

Mbrëmë u shemb vetëm një shtëpize druri ndërsa sot, do të shembet një godinë 3 katëshe. Për këtë arsye kanë mbërritur edhe forcat xhenio të cilët po studiojnë objektin dhe po marrin masat për vendosjen e lendes plasëse. Në afërsi të ndërtesës është edhe shtëpia tjetër e familjes Çerkaj, me leje.

Ndërkohë, një grup qytetarësh nga Mirdita u nisën drejt Thethit, në solidaritet me banorët e zonës së Dukagjinit.

Nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, kjo iniciativë vjen si shprehje e mbështetjes për vëllezërit e gjakut në Shalë e Shosh, të cilët po përballen me sfida serioze që prekin jetesën, trashëgiminë dhe të ardhmen e tyre në këto treva historike.

Mirditorët u shprehën se ky udhëtim nuk është thjesht simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar dhe veprim konkret.

“Mirdita, ka qenë krah për krah me pjesën tjetër të Veriut në kohë vështirësish, sot rikonfirmon lidhjet e gjakut, të besës dhe të trashëgimisë kulturore me Dukagjinin. Mirdita nuk hesht. Mirdita qëndron krah Dukagjinit, në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe tokës që na rriti”, shprehen ata.

“Mirdita solidarizohet me Dukagjinin” – sepse jemi një, sepse bashkimi është forca jonë më e madhe.

The post Godina e fundit në Theth do të shembet me tritol. Aktivistë nga Mirdita në mbështetje të banorëve appeared first on Gazeta Si.

Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë

15 July 2025 at 10:56

Gazeta Si – Që prej të shtunës së datës 12 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ndodhet i shtruar në spital.

Sipas burimeve paraprake, Beqaj është shtruar me urgjencë në QSUT pasi kishte temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë. Sipas mjekëve, gjendja e tij është ende e pastabilizuar.

Ish-ministri Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit për dosjen SASPAC të abuzimit me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme për dosjen e “Sterilizimit”.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë Euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

SPAK i akuzon për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës.

The post Ish-ministri Ilir Beqaj shtrohet me urgjencë në QSUT për një infeksion të rëndë appeared first on Gazeta Si.

Zbulohet antitrupi kundër alergjive ndaj polenit

15 July 2025 at 10:55

Përafërsisht 40% e popullsisë europiane është alergjike ndaj polenit dhe simptomat e tyre shkaktojnë një humbje prej rreth 100 milionë ditësh shkolle dhe pune çdo vit.

Prevalenca ka qenë në rritje për dekada dhe kjo ka të ngjarë të vazhdojë, një ndryshim aq i shpejtë sa ndryshimet gjenetike dhe shëndetësore nuk mund të jenë përgjegjëse vetëm për këtë.

Higjiena e përmirësuar, përdorimi i gjerë i antibiotikëve, ndryshimet në stilin e jetës, dieta, ndotja dhe kriza klimatike mendohet gjithashtu se luajnë një rol të madh në këtë rritje.

Por tani ka shpresë të re për ata që vuajnë. Studiuesit kanë krijuar një antitrup i cili kur aplikohet në pjesën e brendshme të hundës ndalon zhvillimin e simptomave të astmës dhe alergjive të shkaktuara nga Artemisa, shkaku më i zakonshëm i alergjive ndaj polenit në Azinë qendrore dhe pjesë të Europës, ku midis 10% dhe 15% e njerëzve janë alergjikë ndaj saj.

“Kjo është hera e parë që një antitrup monoklonal i projektuar për të bllokuar një alergjen specifik të polenit është dërguar direkt në hundë dhe është treguar se mbron nga simptomat e alergjisë në rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes”, thotë Kaissar Tabynov autori kryesor i studimit.

“Në të ardhmen, antitrupa të ngjashëm mund të zhvillohen për alergjenë të tjerë kryesorë të polenit, siç është bari. Kjo hap derën për një brez të ri trajtimesh precize për alergjitë që veprojnë shpejt, pa gjilpëra dhe përshtaten me ndjeshmëritë individuale ndaj alergjenëve.”

The post Zbulohet antitrupi kundër alergjive ndaj polenit appeared first on Gazeta Si.

Tragjedia / ‘Pse i fike motorët, pse?’ Ulërimat mes pilotëve të Air India para rrëzimit: Nuk e bëra unë!

15 July 2025 at 10:44

Gazeta Si – Pak para përplasjes së Boeing 787 të Air India, në kabinën e pilotimit ka pasur një “debat të ashpër” mbi arsyen pse motorëve u ishte ndërprerë furnizimi me karburant në një fazë kritike, duke i nxjerrë ata jashtë funksionit dhe duke shkaktuar rrëzimin e avionit. Njëri nga pilotët i ka kërkuar tjetrit — disa herë — “pse i fike?”, me një ton “dramatik dhe gjithnjë e më të dëshpëruar”.

Ky është një nga detajet më të rëndësishme që del nga dëgjimi i skedarëve audio të kutisë së zezë, sipas asaj që rrëfejnë për “Corriere della Sera” dy burime perëndimore në dijeni të përmbajtjes.

Raporti paraprak

Të njëjtat burime theksojnë se raporti paraprak — i hartuar nga autoritetet indiane — e ka anashkaluar plotësisht këtë moment, të konsideruar thelbësor për të kuptuar çfarë ka ndodhur në bord.

Po ashtu, kritikohet vendimi për ta reduktuar në vetëm një rresht e gjysmë — në një dokument prej 15 faqesh — shkëmbimin mes komandantit dhe zëvendëspilotit mbi arsyen e fikjes së motorëve, “kur biseda ka zgjatur disa sekonda dhe një pilot ka pyetur disa herë “pse i fikët?”, zbulojnë burimet.

Aksidenti

Fluturimi AI171 i Air India u rrëzua në periferi të Ahmedabad-it rreth tridhjetë sekonda pas ngritjes. Avioni ishte nisur drejt Londrës, në aeroportin Gatwick, Londër.

Aeroplani — me 242 persona në bord — kishte probleme me motorët që në çastet e para. Në përplasje humbën jetën 260 vetë: 241 mes pasagjerëve (vetëm një person i mbijetuar) dhe anëtarëve të ekuipazhit, si dhe 19 të tjerë që ndodheshin në mensën universitare mbi të cilën u përplas avioni (e jo 29 siç ishte komunikuar më parë).

Fikja e motorëve

Gjithçka në bord ndodhi me shpejtësi, konfirmon raporti paraprak. Tre sekonda pas ngritjes, ndërprerësit që kontrollojnë rrjedhën e karburantit janë zhvendosur njëri pas tjetrit nga “Run” në “Cut off’.

Dokumenti nuk saktëson se si janë zhvendosur. Burimet e konsiderojnë këtë një “veprim të qëllimshëm njerëzor”.

Zyra për hetimin e aksidenteve ajrore të Indisë — përgjegjëse për hetimin — nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e “Corriere”-s.

Pikat e errëta

Raporti nuk sqaron nëse ishte komandanti ai që e pyeti zëvendëspilotin nëse i kishte fikur motorët, apo anasjelltas.

Skedarët audio, sipas burimeve, janë në duart e autoriteteve indiane, të cilat e dinë, bazuar në katër “pista” zanore, se kush ka thënë çfarë. Por pyetja — “e drejtpërdrejtë, jo hezituese” — të lë të kuptosh se njëri prej pilotëve mund të ketë parë diçka. Kutia e zezë regjistron atë që përshkruhet si të bërtitura dhe përsëritjen e pyetjes “pse e bëre?”, e ndjekur nga “nuk kam qenë unë”.

Dhjetë sekonda

Debati dhe habia e përzier me tronditje, mund të shpjegojnë pse janë dashur disa sekonda për të rikthyer rrjedhën e karburantit në të dy motorët.

Dhjetë sekonda më vonë, një nga pilotët në kabinë rindez furnizimin e karburantit për motorin 1 (atë në të majtë), dhe katër sekonda më pas për motorin 2.

Një sekuencë që nuk konfirmon nëse ishte komandanti ai që u përpoq të shpëtonte situatën, pa sukses, apo zëvendësi i tij.

Po ashtu, nuk sqarohet se cili prej të dyve lëshoi alarmin e trefishtë “may-day”, gjashtë sekonda para përplasjes.

Buletini i vitit 2018

Raporti i autoriteteve indiane përmban disa pjesë të kritikuara nga përfaqësuesit perëndimorë, sepse — siç shpjegojnë ata — “fut elementë që krijojnë konfuzion”.

Si për shembull referenca ndaj një buletini informues të vitit 2018 të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) të SHBA-së lidhur me një “çaktivizim të mundshëm të mekanizmit të bllokimit të ndërprerësit të kontrollit të karburantit”, i cili megjithatë nuk përfaqësonte një “gjendje rreziku”, që të justifikonte masa më të rrepta.

Air India e ka zëvendësuar dy herë, pas vitit 2018, të gjithë konsolën qendrore ku ndodhen dy ndërprerësit.

Inspektimet

Hetuesit, në raportin paraprak, shkruajnë se deri tani nuk kanë gjetur prova që kërkojnë ndërhyrje në avionët Boeing ose në motorët GE Aerospace.

Por kjo ka mjaftuar për të krijuar alarme. Dhe për këtë arsye vetë FAA ka njoftuar ditët e fundit homologët ndërkombëtarë se dy levat “nuk përfaqësojnë një problem sigurie”.

Autoriteti rregullator i aviacionit të Indisë ka urdhëruar kompanitë ajrore vendase që të inspektojnë ndërprerësit në avionët 787 (si ai i përfshirë në aksident) dhe 737 “për të verifikuar ndonjë mosfunksionim në mekanizmin e bllokimit”. Air India ka nisur tashmë kontrollet, pa konstatuar deri më tani ndonjë problem.

Pa probleme të konstatuara

Edhe disa kompani ajrore të Lindjes së Mesme kanë filluar të inspektojnë flotat e tyre Boeing. “Oman Air” ka përfunduar kontrollet në ndërprerësit e karburantit të rreth dhjetë avionëve 787 dhe tani po kontrollon 737-at e flotës së saj, pa gjetur ndonjë problem.

“Royal Jordanian” ka përfunduar një kontroll vizual të levave në avionët e saj 787 dhe as aty nuk janë konstatuar ndonjë problematikë.

Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), ka deklaruar se aktualisht nuk ka në plan inspektime të detyrueshme për modelin Boeing 787.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”

The post Tragjedia / ‘Pse i fike motorët, pse?’ Ulërimat mes pilotëve të Air India para rrëzimit: Nuk e bëra unë! appeared first on Gazeta Si.

Rusia ironizon Trumpin dhe kërcënon: Xhaxha Sam fryn flluska sapuni. Armët do flasin vetë!

15 July 2025 at 10:24

Gazeta Si – Fotoja e gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, tregon një Xhaxha Sam me tiparet e Donald Trumpit, i cili me një armë lodër qëllon flluska sapuni drejt kullave të Kremlinit.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë shaka të zakonshme nga kanalet ultranacionaliste të Telegram-it, por për mënyrën se si agjencia “Ria Novosti”, një nga tre agjencitë shtetërore të lajmeve, ka vendosur të ilustrojë komentin e saj mbi njoftimin e bërë nga presidenti amerikan.

Titulli, edhe më thumbues, pasi është një citim i qartë i frazës që Trump i tha Volodymyr Zelenskit gjatë takimit të tyre të parë dhe të famëkeq në Shtëpinë e Bardhë: “Uashingtoni nuk ka kartat për të kërcënuar Moskën“.

Shkrimi vijon, i gjithi në vijën e ironisë: “Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar sërish — për të disatën herë! — politikën e tyre lidhur me furnizimin me armë të Ukrainës. Dje i furnizonin, sot jo, nesër ndoshta sërish. Strategjia jonë për të shtypur armatimet perëndimore dhe për të denazifikuar fizikisht Ukrainën po funksionon mirë dhe nuk ka arsye për ta braktisur atë. (…) Mbeten sanksionet, famëkeqet taksa doganore prej 500% që ligjvënësit amerikanë do të vendosin ndaj çdo vendi që blen hidrokarbure nga Rusia. Jo, nuk është një gabim shtypi apo një zero e tepërt: në planet e tyre janë vërtet taksa prej 500%… Blerësit tanë kryesorë sot janë India dhe Kina. A duan vërtet SHBA-të të shpallin një bllokadë tregtare ndaj këtyre vendeve gjigande? Do të jetë me të vërtetë interesante të shohim këtë spektakël…“.

Nëse ky është reagimi zyrtar nga mediat e kontrolluara nga presidenca dhe qeveria ruse, imagjinoni të tjerat.

“Veshët e Trumpit përkëdhelen nga elozhet e burokratëve amerikanë dhe ai duket i lumtur të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv të nevojshëm, i stolisur me një dozë të mirë lajkash për mënyrën se si po e bën Amerikën sërish të madhe me një të rënë të stilolapsit. “Krenaria është padyshim mëkati im i preferuar”, thoshte personazhi i Al Pacinos në filmin “Avokati i djallit”.

Kështu flet nënkryetarja e Institutit shtetëror për kërkime dhe parashikime strategjike, Viktoria Fedosova, zakonisht e pozicionuar në linja më të moderuara.

Në të njëjtën vijë është edhe kanali Telegram, Rybar, që numëron një milion e gjysmë ndjekës: “Mali polli një mi të pafajshëm“.

Retorika amerikane për ruajtjen e paqes u zëvendësua, siç pritej, me deklarata për furnizimin e afërt me armë të reja për regjimin e Kievit. Nga llomotitja e zakonshme e Trump-it mund të kuptosh se Evropa do të paguajë për ndihmën.

E gjitha kjo forcon bindjen tonë: e rëndësishme për Rusinë është të kuptojë se në këto rrethana janë realitetet në fushën e betejës që përcaktojnë diplomacinë, dhe jo e kundërta“.

Qofshin nga skifterët e “partisë së luftës” apo nga “pëllumbat”, të gjitha reagimet janë në të njëjtën linjë, pasojë e refleksit pavlovian që aktivizohet gjithmonë në këto rrethana.

Me Rusinë, ultimatumet nuk funksionojnë, shkruan Izvestia, e jo më “para-ultimatumet”. Politika ngjitet mbi këtë krenari kombëtare me zellin e zakonshëm.

“Nxitoj të zhgënjej presidentin amerikan: aktualisht nuk tregtojmë pothuajse asgjë me SHBA-të, një qarkullim tregtar qesharak prej tetë miliardë dollarësh”, thotë Aleksej Zhuravlev, nënkryetar i Komisionit të Mbrojtjes në Dumën ruse.

Në këtë kontekst, gati të çuditshme duken fjalët e kujdesshme të Kirill Dimitriev, “amerikani i Kremlinit” me studime në Harvard, figurë kyçe në negociatat me administratën amerikane, i cili kujton “nevojën për një dialog konstruktiv” me SHBA-të, duke theksuar se “retorika e presionit ndaj Rusisë” nuk funksionon më dhe se ka nevojë “të korrigjohen gabimet e bëra nga Biden”.

Dyshime të mëdha mbi sanksionet dytësore ka edhe një vëzhgues neutral, si Alexey Kalmykov, komentator ekonomik për shërbimin rus të BBC-së: “Nëse Trump i referohet Kinës si partneri kryesor tregtar i Rusisë, le të themi se ai e ka humbur tashmë këtë betejë. Trump e ka provuar më parë, por Pekini iu përgjigj ashpër dhe ia hoqi dëshirën. Kjo është një kërcënim pa peshë”.

Ndërkohë, kanali Telegram, “Insider”, që mbledh burime anonime nga Kremlini, pohon se presidenti po përgatit “një përgjigje të ashpër” ndaj Trumpit.

Por ndoshta, edhe kjo është vetëm propagandë. Kur gjërat janë të paqarta, ose e vendosin përballë një udhëkryqi, Vladimir Putin gjithmonë zgjedh të heshtë… dhe të presë.

Burimi: “Corriere della Sera”

The post Rusia ironizon Trumpin dhe kërcënon: Xhaxha Sam fryn flluska sapuni. Armët do flasin vetë! appeared first on Gazeta Si.

Trump paralajmëron Rusinë: Ende s’kam mbaruar me Putinin

15 July 2025 at 10:10

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është i zhgënjyer nga Vladimir Putini, por ende ‘nuk e ka përfunduar marrëdhënien me të’.

Në një intervistë telefonike për BBC, kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi: “Nuk kam besim pothuajse te askush”, kur u pyet nëse i beson liderit rus.

Deklaratat vijnë disa orë pasi Trump shpalli planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi se do të vendosë tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditëve.

Në intervistën nga Zyra Ovale, presidenti amerikan konfirmoi përkushtimin ndaj NATO-s, një aleancë që dikur e kishte quajtur “jashtë loje”. Ai tha se tani aleanca ka ndryshuar sepse vendet anëtare po paguajnë detyrimet e tyre.

Trump foli edhe për marrëdhënien me Putinin, duke pranuar se ka menduar se një marrëveshje me Rusinë ishte e afërt katër herë, por çdo herë, sipas tij, Putini e ka shkatërruar shpresën me veprime të reja, siç është bombardimi i ndërtesave në Kiev.

“Jam i zhgënjyer, por nuk kam përfunduar me të,” tha Trump. “Do të kemi një bisedë të mirë. Mendoj se jemi afër, dhe pastaj ai rrëzon një ndërtesë në Kiev.”

The post Trump paralajmëron Rusinë: Ende s’kam mbaruar me Putinin appeared first on Gazeta Si.

Tentoi të vriste me thikë një person në Korçë, kapet në Greqi pas 5 muajsh 39-vjeçari

15 July 2025 at 10:08

Gazeta Si – Një 39-vjeçar, Denis alias Denis Meçolli, u arrestua në Athinë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për një plagosje me thikë të ndodhur në Korçë.

Ndaj Meçollit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nën dyshimin se plagosi me thikë Ergys Shtyllën. 39 vjeçari akuzohet për veprat penale “vrasja me dashje e mbetur në tentativë”.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Korçës më 4 shkurt kur Meçolli goditi me thikë Shtyllën. Në dëshminë që ky i fundit dha për policinë tha se konflikti kishte nisur për shkak të shitjes së një makine.

Pas arrestimit në Greqi, kanë nisur procedurat për ekstradimin e 39 vjeçarit drejt Shqipërisë.

The post Tentoi të vriste me thikë një person në Korçë, kapet në Greqi pas 5 muajsh 39-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

Gjykata në SHBA ndalon përkohësisht përpjekjet për t’iu hequr mbrojtjen afganëve

15 July 2025 at 10:07

Një gjykatë në Shtetet e Bashkuara ndaloi përkohësisht vendimin e Qeverisë amerikane për t’iu hequr statusin e mbrojtjes së përkohshme afganëve që gjenden në SHBA.

Kjo u jep së paku edhe një javë kohë mijëra afganëve që rrezikojnë të dëbohen dhe të kthehen në Afganistan, vendin që kontrollohet nga talibanët.

Gjykata e Apelit për Qarkun e Katërt në Riçmond, Virxhinia, vendosi një pezullim administrativ mbi vendimin për t’i dhënë fund statusit të mbrojtjes së përkohshme për afganët, duke e shtyrë atë deri më 21 korrik.

Kjo masë erdhi pas një kërkese nga organizata CASA, e cila mbron të drejtat e emigrantëve.

CASA paraqiti një kërkesë urgjente më 14 korrik, pikërisht në ditën kur pritej të përfundonte statusi i mbrojtjes për afganët.

Gjykata nuk dha asnjë arsye për vendimin e saj, ndërsa administrata amerikane ka afat deri më 16 korrik, për të dhënë përgjigje.

Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare njoftoi më 12 maj se statusi i mbrojtjes së përkohshme për afganët do të skadojë më 14 korrik.

Ky vendim do t’i prekte rreth 9.000 deri në 12.000 afganë që aktualisht jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të këtij programi.

The post Gjykata në SHBA ndalon përkohësisht përpjekjet për t’iu hequr mbrojtjen afganëve appeared first on Gazeta Si.

❌
❌