Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2025Gazeta Si

SPAK kërkon 157 vite burg ndaj 6 të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos

21 July 2025 at 13:47

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 157 vite burg për të pandehurit lidhur me vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të viti 2019.

Të akuzuar për këtë ngjarje janë anëtarët e “klanit Duka” në Elbasan, të cilët kishin konflikte me të shumëkërkuarin Ervis Martinajn, biznesmenin e zhdukur prej gushtit të vitit 2022.

Ata akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.

Më 25 korrik do të bëhet mbrojtja dhe më pas gjykata e posaçme do të shpallë dënimin për dosjen e 6 të akuzuarve.

Leonard Duka akuzohet si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos në vitin 2019. Ai u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë dhe u ekstradua në vendin tonë në gusht të po atij viti.

Santiago Malko, ish-punonjës i Policisë së Tiranës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar.

Ngjarja ndodhi në zonën e Porcelanit në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së 26-vjeçarit Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Ai ishte një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ndërsa dyshimet e ekzekutimit të tij ishin për hakmarrje, pasi dyshohej se ishte i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit.

Për atentatin u dënua me 25 vite burg Blendi Teta ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe vëllai i Leonardit, Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. 

Pretenca e SPAK për të pandehurit:

25 vite burg për Erlis Dukën

32 vite burg per Fatmir Hysenin

23 vite burg per Oltion Logën

32 vite burg për Leonard Dukën

22 vite burg për Aleksandër Manxhakun

23 vite burg për Dritan Agajn

The post SPAK kërkon 157 vite burg ndaj 6 të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos appeared first on Gazeta Si.

‘NBA World Cup’ në basketboll

21 July 2025 at 13:37

Ish pronari dhe aktualisht një aksioner në minorancë i Dallas Mavericks, Mark Cuban kritikoi pjesëmarrjen e lojtarëve të NBA në Lojërat Olympike, duke bërë thirrje që SHBA të përfaqësohet atje me lojtarë jo më shumë se 21 vjeç. Ai e vuri theksin tek biznesi milioner që bëjnë televizonet, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe FIBA. Ndërsa skuadrat e tyre që investojnë për këta lojtarë mbajnë vetëm rriskun e dëmtimeve pas asnjë kompensim. Për ta ilustruar tezën e tij ai iu referua Olimpiadës së fundit, në Paris një vit më parë. Vërtet SHBA fitoi medaljen e artë, por më vonë, lojtarët e grumbulluar vuajtën dëmtime madhore.

Nowitzki, Cuban dhe Doncic

Jayson Tatum këputi tendinën e Akilit në raundin e dytë playoff. Tyrese Haliburton vuajti të njëjtin dëmtim në ndeshje 7 Finale të NBA. Joel Embiid që u detyrua të bashkëjetonte me dëmtimet në gju, u limitua vetëm në 19 ndeshje. Cuban propozoi modelin e futbollit (jo atij amerikan) në Olimpiadë për lojtarët e NBA. Ide që duhet konsideruar kur kontrata mes FIBA-s dhe NBA të përfundojë. Ai beson se NBA ka potencialin e nevojshëm të rivalizojë në nivelin e “FIFA World Cup” dhe të gjenerojë më shumë të ardhura se sa aktualisht, Lojërat Olimpike të lejojnë. Cuban shiti mazhorancën e aksioneve të Mavericks në vitin 2023 por mbetet një figurë prominente në strategjitë dhe funksionimin e NBA.

The post ‘NBA World Cup’ në basketboll appeared first on Gazeta Si.

Bordi i Akreditimit ‘ngel në klasë’ Universitetet

21 July 2025 at 13:15

Nga Gazeta Si- Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë ‘nxin’ Universitetet shqiptare në raportin e fundit të prezantuar sot.

Sipas raportit, 50% e programeve kanë probleme me cilësinë e kurrikulës dhe 36 për qind kanë probleme me bibliotekën, librat, infrastrukturën dhe laboratorët. Por, këto mbeten problematika të vogla në krahasim me shqetësime më të mëdha që nxjerr raporti.

Një problematikë që përmendet jo pak herë është cilësia e stafit akademik.

Drejtuesja e Bordit të Akreditimit Shqiponja Telhaj thotë se plagjiatura vijon të jetë prezente në masë.

“Në 2016, 46 për qind e stafit është pa doktoraturë, një shifër e lartë. Nuk bëjnë dot kërkime shkencore sepse nuk kanë kualifikimin e duhur.  Në 2023 është 43 për qind, një shifër që vijon të jetë shumë e lartë. 50 për qind e pedagogëve punojnë part-time dhe ka më shumë pedagogë të jashtëm. Kjo ndikon edhe në nxënien e studentëve”, thotë Telhaj, duke shtuar se stafi që janë pa doktoraturë janë dhe përqindja më e lartë që janë part-time, çka sipas saj, problematika dyfishohet.

Në raport theksohet se stafi akademik që jep leksione nuk ka diplomën e duhur ndërkohë që në programe ndodh që fusha e ekspertizës së pedagogut që jep mësim në një program të caktuar nuk është e njëjtë me lëndën që jep ndërsa ka pedagogë me master që japin mësim në programet e masterit.

Gjithashtu, sipas drejtueses, ka mungesë studimesh të mirëfillta të kërkesës së tregut të punës.

“Duhet të gjejmë një mënyrë për të arritur në pikën që programet që nuk kanë një studim të mirëfilltë tregu nuk kanë pse hapen”, thotë ajo.

Problemet kryesore me literaturën dhe bibliotekën:

-Literatura e përdorur nuk është e kohëve të fundit që është edhe përcaktim ligjor.

-Numër i kufizuar librash në shqip për programet në bibliotekën e universitetit.

-Hapësira e bibliotekës është e vogël dhe jo optimale për studentët

-Ka mungesë aksesi në revistat shkencore online.

The post Bordi i Akreditimit ‘ngel në klasë’ Universitetet appeared first on Gazeta Si.

Çështja ‘Epstein’, sekretet e ish-të dashurës (e cila tani kërkon të dëshmojë) dhe lista e klientëve

21 July 2025 at 12:50

Gazeta Si – Pas hekurave, në një burg në Florida, ku është e mbyllur prej tre vitesh, Ghislaine Maxwell, vajza e botuesit Robert Maxwell, i cili vdiq në mënyrë misterioze në vitin 1991 (dyshohet se ra në det nga jahti i tij luksoz, Lady Ghislane) dhe partnerja e Jeffrey Epstein, miliarderit-pedofil që vrau veten në vitin 2019 në burgun metropolit të Nju Jorkut, e mban veten në formë: yoga, Pilates dhe vrap çdo ditë përgjatë perimetrit të burgut.

E bindur se do të dalë

Bashkëpunon (menaxhon bibliotekën dhe u mëson teknikë financiare të burgosurave të tjera), por mban vazhdimisht nën presion stafin me protesta dhe kërkesa.

Mbi të gjitha, tregojnë nga brenda burgut, ajo shkruan furishëm ditarë dhe flet çdo ditë me avokatët e saj, e bindur se nuk do të vuajë edhe 17 vitet e tjera të dënimit për bashkëpunim në rrjetin e prostitucionit të të miturve të ngritur dikur nga ish-i i saj, Epstein.

Lista e klientëve

Ajo ishte e bindur se, nëse Donald Trump kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ndër të tjera do ta falte edhe atë, në emër të miqësisë së gjatë rinore me Epstein, e ndërprerë në vitin 2004 për shkak të një mosmarrëveshjeje për prona në Florida.

Sigurisht, për vite me radhë Trump kishte ushqyer besimin e ndjekësve të tij, MAGA, duke mbështetur teoritë konspirative se Amerika drejtohej nga një “deep state” kriminal dhe pedofil, kryesisht i përbërë nga demokratë, shumë prej të cilëve kishin frekuentuar ishullin e prostitucionit të të miturve të Epstein.

Ishull, ku Trump thotë se nuk ka qenë kurrë (dhe nuk ka prova që provojnë të kundërtën). Për muaj me radhë, pas marrjes së detyrës nga Trump, e djathta priste me padurim publikimin e “listës së klientëve” të Epstein.

Ndër ta, kishte nënkuptuar Trump, mund të ishte edhe ish-presidenti Bill Clinton, gjithashtu për vite me radhë mik i miliarderit pedofil. Në shkurt, ministrja e tij e Drejtësisë, Pam Bondi, kishte thënë se ajo listë ishte mbi tavolinën e saj.

Trump: Rast inekzistent

Më pas, dy javë më parë, Trump vendosi papritur të deklarojë se çështja është e pavlefshme: asnjë listë, gjithçka një trillim i demokratëve kundër tij, një histori e mërzitshme.

Kur shumë nga figurat më të rëndësishme të MAGA-s refuzuan t’i përshtaten këtij qëndrimi të ri deri në atë pikë sa ta akuzonin se po sillej si “deep state”, Trump reagoi me ashpërsi, duke akuzuar republikanët ende të interesuar për çështjen “Epstein” për një budallallëk dhe duke shtuar se nuk dëshiron më mbështetjen e tyre.

Dhe kur “Wall Street Journal”, i Rupert Murdoch, publikoi një letër të pahijshme urimi për 50-vjetorin e Epstein, të shkruar nga Trump në vitin 2003, plot referenca seksuale dhe me një vizatim të një gruaje nudo, presidenti reagoi edhe më brutalisht: fillimisht u përpoq të ndalonte publikimin, pastaj paditi Murdoch dhe gazetën duke pretenduar se letra ishte e falsifikuar dhe se ai nuk kishte bërë kurrë një vizatim në jetën e tij.

Më pas, kërkoi dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh. Është e mundur që letra të jetë e falsifikuar, por ajo gjendet në një libër me mesazhe urimi për Epstein nga figura të njohura, të cilat kanë konfirmuar se i kanë shkruar.

Po ashtu është e mundur që, siç ndodh shpesh, Trump po gënjen. Me siguri nuk është e vërtetë që ai nuk ka bërë kurrë vizatime: vite më parë, kishte dhuruar disa prej tyre për një ankand bamirësie.

Ajo që shqetëson Shtëpinë e Bardhë më shumë sesa vetë letra, është burimi i saj? A e ka nxjerrë Ghislaine? Një paralajmërim? Një rrjedhje që mund të kthehet në përmbysje?

Llogaritje të bazuara

Llogaritja e Maxwell për një mundësi lirimi, kishin një bazë: ajo kishte apeluar në Gjykatën e Lartë duke pretenduar se nuk duhej të ishte gjykuar, sepse ishte e mbrojtur nga marrëveshja me drejtësinë që kishte bërë Epstein në vitin 2008 me Gjykatën e Floridës: ai mund të dënohej me 45 vite për prostitucionin e dhjetëra të miturve, por shpëtoi me vetëm 18 muaj burg. Dhe kreu vetëm 12 prej tyre.

Falja dhe reagimi i MAGA-s

Nëse tani, siç thotë Trump, rasti nuk ekziston, pse Ghislaine duhet të qëndrojë në burg? Javën e kaluar, kur Pam Bondi shkarkoi në mes të natës, pa dhënë shpjegime, Maurene Comey, prokuroren e Gjykatës së Nju Jorkut, e cila kishte hetuar mbi Epstein dhe Maxwell, hipoteza e një faljeje dukej se po merrte formë.

Por reagimi i furishëm i popullit MAGA dhe i viktimave të abuzimeve seksuale të Epstein ndaj përpjekjes së Trump për të minimizuar rastin, e detyroi Shtëpinë e Bardhë të tregojë vendosmëri: Ministria e Drejtësisë konfirmoi çështjen kundër Maxwell në Gjykatën e Lartë, ndërsa një zyrtar anonim i presidencës deklaroi se “nuk është folur kurrë për një falje të Maxwell dhe nuk do të flitet kurrë”.

E gatshme të dëshmojë për listën e klientëve

Ghislaine është e fortë, dhe tashmë është shprehur e gatshme të dëshmojë për listën e klientëve të Epstein (që sipas Trump nuk ekziston) para Kongresit.

Vëllai i saj, Ian, ka frikë për jetën e saj, sidomos duke parë fundin e Jeffrey. Trump, sigurisht, nuk dëshiron që të vazhdohet të gërmohet.

Edhe më parë kishte pasur polemika, sepse Alex Acosta, Gjykatësi i Floridës që e dënoi Epstein me një dënim shumë të lehtë, u emërua nga Trump ministër i Punës në qeverinë e tij të parë (dhe më pas u detyrua të jepte dorëheqjen pas arrestimit të dytë dhe vetëvrasjes së Epstein).

Dhe krimet për të cilat miliarderi-pedofil ishte dënuar, ishin kryer në vitet kur ai ende shoqërohej ngushtë me Trump në Palm Beach dhe Mar-a-Lago.

Marrë nga: “Corriere della Sera”

The post Çështja ‘Epstein’, sekretet e ish-të dashurës (e cila tani kërkon të dëshmojë) dhe lista e klientëve appeared first on Gazeta Si.

Raporti për universitetet përplas akademikët, Rama: Jemi ibret me të dhënat! Shqipëria, atdheu i plagjiaturës!

21 July 2025 at 12:44

Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport i prezantuar sot mbi problematikat e arsimit të lartë në vend ka shkaktuar debat midis akademikëve dhe qeverisë.

Raporti i Bordit Akademik, prezantuar nga kryetarja Shqiponja Telhaj konkludon se në universitetet shqiptare ka profesorë me mungesë arsimi ose arsim në fusha që nuk përputhen me mësimdhënien. Raporti thekson dhe problematika të tjera si mungesa e literaturës.

Gjetjet u kundërshtuan nga rektori i universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ku tha se gjetjet janë të gabuara dhe se raporti është i njëjtë me atë të një viti më parë.

“Unë zoti kryeministër, nëse e mbani mend, ju kam kërkuar në fund në mbledhjen e tetorit 24, më jepni dy minuta. Edhe ju kam thënë se sido të përmirësohet ky raport i bazuar në metodologji të gabuar, konkluzonet do t’i nxjerrë të gabuara dhe ne sot e pamë që nga rekomandimet, s’ka ndryshuar asnjë gjë. E pamë që asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme. Thjesht ka një kozmetikë por konkluzionet janë po të njëjta, të cilat një pjesë e tyre i pranojmë se e dimë ku është arsimi, por që unë nuk e kam, thënë atëherë nuk besoj se Shqipëria mund të pranojë që pas 5 vitesh intensive pune, arsimi i lartë të jetë aty aty apo diku edhe më pak në performancë se ai i viteve 15 apo 16 të këtij shekulli”, u shpreh Hoxha.

Telhaj, iu kundërpërgjigj Hoxhës duke e quajtur fyerje mendimin e tij mbi raportin.

“Është fyerje për bordin sepse kjo punë është voluminoze dhe kemi parë mbi 200 raporte apo vendime. Kur u mblodhëm para 1 viti na u kërkua që të shtojmë dhe vitin 2023 dhe gjetjet e bordit janë pjesë e strategjisë së qeverisë.  Kemi plotësuar sugjerimet që na u dhanë atëhere. Ne duhet të flasim me fakte dhe jo me mendimin tonë, nuk mund të thuash që nuk beson të dhënat që kemi nxjerrë ne. Kritikuat metodologjinë por nuk sollët një shembull se ku është e gabuar”, tha drejtuesja e Bordit Akademik.

Kryeministri Edi Rama ndërhyri me batuta në debat, duke i etiketuar si “zogj” Hoxhën dhe Telhajn, por ra dakord se të dhënat janë jo eficiente. Ai tha se universitetet duhet të luftojnë me plagjiaturën.

“Sherri me shifrat dhe faktet nuk është asnjëherë i arsyeshëm. Thelbi është se rekomandimet qëndrojnë.  41 uninversitete në 1 vend kaq të vogël që në 1 masë të madhe kanë programe gjeneraliste, prodhojnë gjithcfarëlloj doktorësh. Duhet të fokusohemi për të bërë një transformim domethënëse për këtë periudhë. Me të dhënat jeni ibret. Jemi në fazën belbëzuese për kërkimin shkencor. Nuk besoj se është faji i pasqyrës kur pasqyra na thotë disa të vërteta. Janë të gjitha të vërteta dhe piketa se si duhet t’i shikojmë gjërat. Dalim tek programet që kemi një problem të madh. Mbahen për të pasur student e jo për të prodhuar ekonomi apo dije. Jemi larg ndërkombarizimit dhe nëse nuk e pranojmë, nuk ecim dot përpara. Ambicia jonë duhet të jetë më e madhe. Duhet të rishpikemi përditë. Që ky është atdheu i plagjiaturës kjo dihet. I vetmi element që nuk është adresuar është plagjiatura”, tha Rama.

Rama përmendi dhe problemin me stafet duke sugjeruar tërheqjen e pedagogëve nga diaspora.

The post Raporti për universitetet përplas akademikët, Rama: Jemi ibret me të dhënat! Shqipëria, atdheu i plagjiaturës! appeared first on Gazeta Si.

Zjarret / 7 vatra aktive, qindra ushtarë dhe forca zjarrfikëse në terren

21 July 2025 at 12:32

Gazeta Si – Në 24 orët e fundit është zgjeruar harta e zjarreve në disa zona të Shqipërisë, ku janë raportuar 23 vatra, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim të vazhdueshëm.

Vatrat më problematike janë regjistruar në Parkun Kombëtar të Lurës (Dibër), në Zall Gjoçaj (Mat), Dukat (Vlorë), pylli i gështenjës në Shmil (Elbasan), Shkopet (Lezhë), Vernik dhe Dishnicë (Korçë).

Ministria e Mbrojtjes raporton se në ndihmë kanë ndërhyrë 155 trupa të Forcave të Armatosura me 21 mjete, si dhe helikopterë ushtarakë që kryen disa misione ajrore për shuarjen e flakëve.

Ngana a tjetër, Agjencia e Mbrojtjes Civile shprehet se po monitoron edhe shumë vatra të tjera zjarresh që janë nën kontroll apo janë shuar.

Sipas saj, janë angazhuar 45 mjete zjarrfikëse dhe mbi 400 forca operacionale. Vetëm dje pati 157 efektivë të forcave të armatosura dhe helikopterë. Disa qarqe kanë rrezik të lartë për zjarre.

Vatrat nën monitorim janë në Bulqizë dhe Mallakastër, ndërsa sipërfaqet më të prekura janë me shkurre dhe bimësi, me mbi 269 hektarë tokë të djegur dhe rreth 30 rrënjë ullinj të shkatërruara.

Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo vatre të dyshuar pranë strukturave përkatëse, ndërsa kushtet meteorologjike mbeten pa reshje, duke e rritur rrezikun për zjarr në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në terren, të angazhuara pa ndërprerje në përpjekjet për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve në të gjithë territorin.

The post Zjarret / 7 vatra aktive, qindra ushtarë dhe forca zjarrfikëse në terren appeared first on Gazeta Si.

Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Ringrihet dollari, bie Bitcoin

21 July 2025 at 11:23

Nga Gazeta ‘SI’ – Për sa kohë EUR/USD do të tregtohet nën vlerën 1.165 trenda do të jetë negative me target 1.152. Tregtimi mbi vlerën 1.165 hap rrugën për avancim të mëtejshëm drejt rezistencës 1.17.

Për sa kohë GBP/USD do të tregtohet nën vlerën 1.342 trenda do të jetë rënëse me target 1.33. Tregtimi mbi vlerën 1.342 do të ndiqej nga tentativa e testimit të rezistencës 1.346.

Për sa kohë USD/JPY do të tregtohet mbi vlerën 148.6 trenda do të jetë rritëse me target 151. Tregtimi nën vlerën 148.6 do të pasohet me testimin e suportit 147.

Për sa kohë DOW JONES do të tregtohet mbi vlerën 44200 trenda do të jetë pozitive me objektiv 45100. Tregtimi nën vlerën 44200 rikthen tendencën rënëse drejt suportit 44000.

Për sa kohë CRUDE OIL do të tregtohet nën vlerën 66.5 trenda do të jetë bearish me target 63.5. Tregtimi mbi vlerën 66.5 hap rrugën për testimin e rezistencës 67.

Për sa kohë BTC/USD do të tregtohet nën vlerën 119000 trenda do të jetë rënëse me objektiv 115700. Tregtim mbi vlerën 119000 rikthen tendencën rritëse me target 123700.

The post Parashikimi i ‘SI’ për bursat gjatë javës: Ringrihet dollari, bie Bitcoin appeared first on Gazeta Si.

Berisha sulmon Dumanin: Mori 700 mijë euro nga Altin Hajri (flet dhe për sherr brenda SPAK!)

21 July 2025 at 11:15

Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se ka marrë para nga Altin Hajri, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar si i përfshirë në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Pregnës disa vite më parë.

“E garantoj Altin Troplinin se dekonspirimi që ai i ka bërë dhe mbajtja në xhep e mandat arrestit ndërkombëtar për Ndrecën, do të ketë për të pasoja, do ta ndjekë atë gjithë jetën. Sepse me këtë person ai amnistoi apo i dha mundësisë të largohej kreut të kartelit më të rrezikshëm të drogës në Europë që disponon portin e Durrësit dhe që është akoma në funksion njësoj siç ishte, Troplinëve, – u shpreh Berisha. – Përveç kësaj dënoj këtu implikimin e tij të padiskutueshëm në aferën Hajri. Është thënë në atë kohë se Altin Hajri i ka paguar Dumanit 700 mijë euro dhe sot për prerjen copa-copa të trupit të Jan Prengës dënohet një kamerier dhe roja. Kurse Altin Troplini, Altin Hajri merr leje për hotele dhjetëkatëshe nga Edi Rama dhe dërgohet këto ditë në gjykatë nga avokati i tij, Altin Troplini”.

Më tej, foli për një episod që sipas tij ka ndodhur së fundmi në SPAK. “Këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht (Altin Dumani) me një gjyqtare, që nuk ia ka zbatuar urdhrat, ka shkuar ia ka rrëmbyer kompjuterin. Këtu ka skena!”, deklaroi Berisha.

Sa i takon Altin Hajrit të përmendur nga Berisha, ai është një emër i njohur në botën e krimit të organizuar shqiptar, veçanërisht në zonën e Shijakut dhe Durrësit, si “koka” e një grupi kriminal të specializuar në trafikun e drogës, që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë.

Në janar 2020, Altin Hajri akuzohet për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, i rrëmbyer në Kamzë dhe më pas transportuar pranë kompleksit të tij “Golden” në Shijak.

Aktualisht ai është në kërkim nga SPAK dhe Policia e Shtetit, përfshirë akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në krime të rënda si rrëmbimi dhe vrasja e Prengës, si dhe për lidhje të dyshuara me figura politike që ndihmonin fshehjen e tij.

The post Berisha sulmon Dumanin: Mori 700 mijë euro nga Altin Hajri (flet dhe për sherr brenda SPAK!) appeared first on Gazeta Si.

‘Shqipëria- parajsa e turistëve europianë, e ndotur nga puset e naftës’

21 July 2025 at 11:09

Pajisjet e shpimit të naftës kanë pushtuar peizazhin përreth Kuçovës, rreth 20 kilometra nga Berati, një nga qytetet më të vizituara turistike në Shqipëri — një vend që promovon veten si parajsë natyrore me male dhe plazhe të virgjëra. Era e rëndë e naftës është aq e fortë, edhe me dritaret e makinës të mbyllura, sa për ata që nuk janë mësuar, është e padurueshme. Në mes të një are me misër gjendet një pellg i madh me naftë bruto që lëshon një erë edhe më të rëndë. Madje, puse dhe pompa nafte ndodhen edhe në oborret e shtëpive private.

Kuçova është fusha e dytë më e madhe e naftës në Shqipëri dhe është ende pjesërisht funksionale, ndonëse ka zona të tëra me puse të braktisura, depozita magazinimi dhe tuba të ndryshkur që rrjedhin dhe ndotin tokën. Kjo është zona më e vjetër e prodhimit të naftës në vend. Në vitin 1928, një kompani italiane shppoi pusin e parë në Shqipëri pikërisht këtu, dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, fusha u bë burim i rëndësishëm karburanti për Italinë e Musolinit që kishte pushtuar vendin.

Objektet e braktisura të naftës në Kuçovë, Shqipëri.

Pak më vonë, filloi shfrytëzimi i zonave të tjera të pasura me hidrokarbure, si zona e Patos-Marinzës (rreth 30 kilometra larg), që është më e madhja në vend dhe njëkohësisht fusha më e madhe tokësore e naftës në kontinentin europian. Vlerësohet se përmban mbi 5 miliardë fuçi naftë, por projektet e reja të nxjerrjes nuk janë ndërmarrë prej afro gjysmë shekulli. Në vitet 1970, kur Shqipëria drejtohej nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, prodhimi i naftës arriti kulmin dhe u kthye në sektorin më të rëndësishëm ekonomik të vendit. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, industria pësoi rënie, ndërsa mungesa e investimeve çoi në përkeqësimin e infrastrukturës.

Sot, kompania kryesore që merret me nxjerrjen është Bankers Petroleum, në pronësi kineze, ndërsa puset janë në pronësi të kompanisë shtetërore Albpetrol. Në total, Shqipëria ka rreth 6.000 puse të hapura, por vetëm 800 janë funksionale. “Pjesa tjetër, rreth 5.200 puse, nuk janë mbyllur siç duhet,” thekson Adriatik Golemaj, gazetar i lidhur me Shoqatën “Zharrëza”, një OJQ që lufton ndotjen në rajonin Patos-Marinzë. “Një pus është në thelb një vrimë 1.500 metra e thellë, dhe nëse nuk mbyllet sipas standardeve, vazhdon të ‘komunikojë’ me sipërfaqen. Nxjerr ujë të ndotur, gazra, naftë…”, shpjegon ai. “Por askush nuk kujdeset për t’i mbyllur siç duhet, sepse kushton shumë. Mbyllja e një pusi kap shifrën e 50.000 dollarëve.”

Pandëshkueshmëri institucionale

Autoritetet kanë kryer vetëm një inspektim në Kuçovë gjatë dy viteve të fundit, në verën e vitit 2023, pas një alarmi për derdhje nafte në një përrua lokal. Agjencia e mjedisit gjobiti Albpetrolin me 1 milion lekë (rreth 10.000 euro) dhe nisi procedura penale ndaj drejtuesve të kompanisë.

Sipas Balkan Insight, dy raporte të porositura në vitin 2019 nga vetë Albpetrol zbuluan ndotje të lartë në Kuçovë — përfshirë naftë, fenole dhe metale të rënda në tokat bujqësore dhe në ujërat sipërfaqësore. “Analiza e kampionit të ujit tregon se niveli i hidrokarbureve është më i lartë se standardet e direktivës europiane,” thuhej në raport. Edhe Agjencia Rajonale e Mjedisit konfirmoi se inspektimet kanë zbuluar ndotje në disa puse, duke shtuar se pajisjet si tubat, kolektorët dhe tanket janë shumë të vjetra – thuajse 100-vjeçare.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar situatën, veçanërisht për ndikimin që ndotja ka në shëndetin e banorëve, ndonëse mungojnë studime të thelluara për ta vërtetuar shkencërisht. “Kemi ndotje historike që nuk është menaxhuar kurrë, dhe ndotje të re që ka ardhur pas viteve ‘90,” deklaron Qani Rredhi, aktivist i Shoqatës “Zharrëza”, për gazetën ARA. Ai kritikon mungesën e monitorimit, analizave dhe transparencës, si nga kompanitë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi në vitin 2023 një raport për ndotjen nga hidrokarburet në Zharrëz, në zonën e Patos-Marinzës, ku vuri në dukje mungesën e masave mbrojtëse dhe të rehabilitimit në puset e vjetra, disa prej të cilëve ndodhen fare pranë banesave, serrave ose sipërfaqeve të kultivuara. Po ashtu, u kritikua mungesa e informacionit për publikun dhe “klima e mungesës së përgjegjësisë” nga operatorët.

Problemet shëndetësore

OJQ-të kanë biseduar me banorë që kanë konfirmuar se marrin medikamente të rregullta për çrregullime të gjakut, ndërsa disa kanë raportuar rritje të rasteve me kancer. Rredhi pohon se në zonat pranë puseve të naftës incidenca e kancerit është më e lartë se në pjesë të tjera të vendit. Ai tregon se njerëzit përdorin ujin e ndotur për të pirë dhe për gatim, dhe simptomat më të shpeshta janë marramendja, dhimbjet e kokës dhe alergjitë. “Është si të jesh i droguar gjatë gjithë ditës,” thotë ai.

“Banorët janë mësuar të jetojnë kështu sepse ndotja ka vijuar për breza me radhë, por situata është kritike,” thotë Golemaj. “Industria e naftës ishte dikur sektori më i rëndësishëm në vend, prandaj gërmonin kudo që kishte naftë — edhe në mes të lagjeve apo në oborret e shtëpive.”

Rredhi shton se “askush nuk është munduar të masë apo analizojë përmasat reale të ndotjes dhe ndikimin e saj në shëndetin e njerëzve.” Ai thotë se qeveria shqiptare i ka porositur një konsulence holandeze, Royal Haskoning, një studim mbi ndikimin në shëndet, por rezultatet nuk janë bërë publike. Kur u kontaktua nga ARA, kompania holandeze tha se të gjitha raportet janë konfidenciale. As Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe as Albpetroli nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetës.

Ndotja në lumenj dhe det

Sipas Rredhit, rreth 500.000 njerëz jetojnë në zona të prekura nga ndotja me hidrokarbure. Por aktivistët paralajmërojnë se ndotja prek edhe dy lumenj të mëdhenj – Semanin dhe Vjosën. Ky i fundit, lumi i dytë më i madh në vend, është ndër atraksionet kryesore turistike dhe konsiderohet si një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë. Në vitin 2023, u shpall Park Kombëtar nga qeveria shqiptare.

Adriatik Golemaj shpjegon se Shqipëria prodhon rreth 600.000 tonë naftë në vit, por vetëm 10% e lëngut të nxjerrë është naftë, ndërsa 90% është ujë i ndotur — pra mbi 6 milionë tonë ujë të ndotur në vit. Një pjesë e këtij uji përfundon në lumenj ose përdoret për vaditje në bujqësi. “Ky ujë përmban kimikate që përdoren për të nxjerrë naftën,” thotë ai. “Kështu ndotja përfundon në pjatat tona.” Për më tepër, lumenjtë derdhen në detin Adriatik: “Shumë turistë vijnë nga e gjithë bota për të pushuar këtu dhe nuk e dinë se po notojnë në ujëra të ndotura.”/ARA.catalania

The post ‘Shqipëria- parajsa e turistëve europianë, e ndotur nga puset e naftës’ appeared first on Gazeta Si.

Gjyqet, 330 paditë kundër administratës Trump (dhe të gjitha ato të ngritura nga Donald)

21 July 2025 at 11:07

Gazeta Si – Janë gjithsej rreth 330 padi të ngritura kundër administratës së presidentit Donald Trump. Gjykatat e niveleve më të ulëta kanë bllokuar ose kufizuar shumë nga veprimet e tij, ndërsa Gjykata Supreme ka hapur rrugën për disa iniciativa të presidentit, ndërkohë proceset gjyqësore vazhdojnë.

Gjykatësit kanë ndaluar të paktën për momentin përpjekjet e Trump për të ndaluar aplikimin e “ius soli” për disa kategori emigrantësh, për të ndëshkuar studio ligjore dhe Universitetin Harvard, si dhe për të përdorur rregulla të parashikuara në kohë lufte për dëbimin e emigrantëve, duke anashkaluar rrugën normale gjyqësore.

Në fund të qershorit, Gjykata Supreme, në një vendim mbi “ius soli”, edhe pse nuk ka dhënë një vlerësim për kushtetutshmërinë e tij, ka kufizuar fuqinë e gjykatave federale për të ndaluar vendimet e Shtëpisë së Bardhë në nivel kombëtar, shkruan gazeta “Corriere della Sera”.

Gjykata i dha administratës Trump 30 ditë kohë për t’i zbatuar këto vendime, ndërsa procesi vazhdon (duke përfshirë një padi kolektive).

Gjykatësit e Gjykatës Supreme gjithashtu lejuan Trump të kryejë shkarkime masive në agjencitë federale dhe i dhanë Doge, agjencisë për efikasitetin qeveritar, akses në të dhëna sensitive të sigurimeve shoqërore të miliona amerikanëve. Shumica e vendimeve janë të përkohshme, dhe rezultati i këtyre proceseve pritet të ndikojë në suksesin e tij në një mandat të dytë.

Përveç këtyre, Trump ka ngritur edhe padi kundër ligjeve në nivele shtetërore dhe lokale, rreth 11 sipas faqes Lawfare.

Një kapitull veç e veç merret me përplasjet me median. Padia e Trump ndaj Murdoch, kompanive të tij dhe dy gazetarëve të Wall Street Journal lidhur me artikullin për Epstein, i bashkohet të paktën pesë padive të tjera që presidenti ka bërë kundër mediave.

Ai ka paditur gazetën Des Moines Register për një sondazh që e jepte gabimisht të humbur në Iowa para zgjedhjeve të 2024; ABC News për komentet e një moderatori; dhe Paramount për një intervistë me Kamala Harris (ABC dhe Paramount kanë bërë marrëveshje, duke paguar përkatësisht 15 dhe 16 milionë dollarë).

Gjithashtu, Trump ka paditur botuesin Simon & Schuster për përdorimin e intervistave audio me Bob Woodward (padi e arkivuar) dhe CNN për përdorimin e termit “gënjeshtër e madhe” në lidhje me akuzat për vjedhje zgjedhjesh në 2020 (padi e arkivuar).

Nga ana tjetër, agjencia Associated Press ka paditur Trump për mospranimin e aksesit në Zyrën Ovale, ku Trump fitoi në apel, ndërsa mediat NPR dhe PBS janë objekt i përpjekjeve të tij për të ndaluar fondet federale ndaj tyre.

The post Gjyqet, 330 paditë kundër administratës Trump (dhe të gjitha ato të ngritura nga Donald) appeared first on Gazeta Si.

Berisha akuzon gjyqtaren Irena Gjoka nga SPAK: I mori 60 mln lekë borxh gruas që i kishte marrë më parë burrin

21 July 2025 at 10:56

Gazeta Si – Pasi ka zbatuar maën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK për aferën “Partizani”, Sali Berisha lexoi para mediave shënimin që sipas tij i la kreut të institucionit, Altin Dumani.

“Po lexoj deklaratën që unë lashë për kreun e ‘Skap’-it, Altin Troplini. Pasi mbajti në xhep për javë të tëra mandatin e arrestit të kreut të kartelit Troplini, duke u bërë kështu anëtar i organizatës, Altin Troplini, hapi dosje për Irenën me 5 mbiemra, pa emër”, tha Berisha.

Më pas, Berisha vijoi me akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën thotë se ka gënjyer për deklaratën e pasurisë.

“Irena ‘Dumani’, fytyra e vërtetë e sistemin e drejtësisë, ka mashtruar për origjinën e pasurisë. Për 60 milionë lekë paraqet si dokument borxhin ndaj gruas që i ka marrë dhe burrin, – tha Berisha. – Një herë i ka marrë burrin, pastaj borxhin dhe kontrata e vitit 1996 i referohet kodit civile të vitit 2015”

Berisha përsëriti se Gjoka “është e dënuar me burg nga Gjykata e Janinës dhe këtë e ka fshehur dhe ka thirrur Altin “Troplinin” në mbështetje. Pra ai do të thotë nëse kjo e dënuar është Irena apo nuk është Irena. Deklaron se nuk është dënuar kurrë dhe pikërisht mbi këtë bazë Altin ‘Troplini’ hap çështje penale, por jo me emër, Irena Gjoka. Se po të hapej me emër, ajo nuk mund të rrinte as edhe një ditë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka kryer një seri veprash, është dënuar me burg, ka falsifikuar dokumente dhe në rrafshin moral, pasi i mori burrin, shkoi i mori edhe 60 milionë lekë hua”.

The post Berisha akuzon gjyqtaren Irena Gjoka nga SPAK: I mori 60 mln lekë borxh gruas që i kishte marrë më parë burrin appeared first on Gazeta Si.

Propozimi i qeverisë: Do të rishikojmë ligjin për arsimin e lartë

21 July 2025 at 10:51

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të rishikohet ligji i arsimit të lartë. I pranishëm në prezantimin e Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, kreu i qeverisë përmendi progresin, por shtoi se ka edhe një ‘volum jo të vogël gjërash’ që duhet të adresohen.

Kryeministri u shpreh se duhet që të kapin ritmin dhe t’u japin të rinjve një ofertë akademike konkurruese dhe serioze.

“Del qartë volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë se ndërkohë që ne ecim përpara, bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurim ata që janë të domosdoshme për tu adresuar, duke filluar me rishikimin e ligjit të arsimit të lartë që i janë ribërë vitet për t’u riparë , por edhe shumë te rejave në botën akademike”, u shpreh Rama.

The post Propozimi i qeverisë: Do të rishikojmë ligjin për arsimin e lartë appeared first on Gazeta Si.

Sarandë / Goditi ish-policin me tytë pistolete dhe u arratis, identifikohet autori

21 July 2025 at 10:37

Gazeta Si – Identifikohet dhe shpallet në kërkim E.D., autori i cili dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në lagjen nr.4 pas sherrit me ish-policin, Adil Veli.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:10, kur pas një konflikti për motive të dobëta, E.D ka qëlluar me tytë pistolete Velin dhe më pas arma u shkrep në ajër. Ish-polici 56 vjeçar u mjekua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

“Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj”- thuhej në njoftimin e policisë mbrëmjen e djeshme.

The post Sarandë / Goditi ish-policin me tytë pistolete dhe u arratis, identifikohet autori appeared first on Gazeta Si.

Dollia Shqiptare shpallet Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore

21 July 2025 at 10:09

Nga Gazeta Si- Rituali i Dollisë prej sot njihet si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë, pas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.

Dollia është një dukuri zakonore në formën e një rituali familjar që ka të bëjë në radhë të parë me bashkimin e njerëzve në raste familjare ose shoqërore dhe përfaqëson një shkallë të lartë të mikpritjes shqiptare.

Dollia ka si objekt respektimin dhe kushtimin e vëmendjes ndaj mikut, me krijimin e një klime të ngrohtë dhe bujare për të.

Si karakteristikë e mirëfunksionimit dhe rregullave në sofër, ka qenë prania e dollibashit si i pari i tavolinës dhe përballë tij e pritësit të dollisë të cilët janë të ndryshueshëm në rolin e tyre. Marrëdhënia mes tyre ka të bëjë me urimet e ndërsjellta dhe respektin reciprok të palëve, sjellje kjo e cila demonstrohet përballë të gjithë miqve të ftuar në sofër.

Rituali i Dollisë gjatë shekujve ka marrë trajtën e një kodi moral të respektuar dhe zbatuar në të gjithë hapësirën tonë, në të cilën ndërlidhen shumë elemente të tjerë të trashëgimisë sonë shpirtërore.

The post Dollia Shqiptare shpallet Pasuri Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore appeared first on Gazeta Si.

Rama flet për skandalin e Bankers: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi!

21 July 2025 at 10:03

Nga Gazeta ‘SI’ – Në rikthimin e tij përballë publikut në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama përgëzoi punën e Prokurorisë së Fierit për aksionin ndaj Bankers Petroleum.

Rama i kërkoi Prokurorisë “t’i nxjerrë ujin e zi” kësaj çështje.

 “Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën.”, tha Rama.

Rama përmendi tërthorazi edhe arrestimin e Erion Veliajt, teksa tha se “Tiranës i mungon drejtimi…por kjo është një histori tjetër”, duke nënkuptuar se do të flasë në një moment të dytë.

Sa i përket dorëheqjeve të drejtorëve të bashkisë, Rama tha se ishte i nevojshëm. 

“Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili  e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.”, tha Rama.

The post Rama flet për skandalin e Bankers: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi! appeared first on Gazeta Si.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama i përgjigjet komentuesit: Ishte kërkesë e qytetarëve, Tiranës i mungon drejtimi

21 July 2025 at 10:03

Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama i është rikthyer këtë mëngjes rubrikës “Sy m’sy”, duke iu përgjigjur pyetjeve të njerëzve por edhe komenteve të tyre.

Rama tha se Tiranës i mungon prej kohësh drejtimi, por kjo është një histori që do ta diskutojë një ditë tjetër. Rama u ndal më pas tek aksioni për lirimin e hapësirave publike duke thënë se është një vendim që është kërkuar nga komunitetet.

“Kam pasur një seri takimesh dhe praktikisht kam mundur të shoh dhe kaloj në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh pasi nuk më kishte çuar puna. Kam vënë re dy gjëra, nga një anë transformimet e mëdha pozitive dhe negative, pikërisht në aspektin e një ekspansioni, zgjerimi të kufijve, veprimtarisë në hapësirat publike, gjë që e kam dëgjuar edhe nga qytetarët e Tiranës. Kjo ishte baza e shqetësimit”, tha Rama, duke shtuar se kërkesa për lirimin e hapësirave ka qenë nga të katërta anët e kryeqytetit.

“Kërkesa ka qenë e njëjtë, na lironi hapësirat publike”.

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike, Rama i përgjigjet komentuesit: Ishte kërkesë e qytetarëve, Tiranës i mungon drejtimi appeared first on Gazeta Si.

Ekuadori ekstradon në SHBA trafikantin më të madh të drogës

21 July 2025 at 09:56

Qeveria e Ekuadorit e ka ekstraduar të dielën trafikantin më të madh të drogës, Adolfo Macias, të njohur me nofkën “Fito” në Shtetet e Bashkuara, një muaji pasi ka rënë në duart e autoriteteve.

Më 2024, ai pati ikur nga një burg i sigurisë së lartë.

Zyra e Prokurorit në Shtetet e Bashkuara e ka publikuar aktakuzën kundër tij në prill.

I përshkruar si kreu i bandës “Los Choneros”, Macias akuzohet për shpërndarje të kokainës, për komplot dhe dhunë me armë, përfshirë kontrabandë të armëve.

Në një letër të lëshuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë është thënë se Macias do të paraqitet në gjykatën federale të hënën.

Ky shtetas ekuadorian, dikur një shofer taksie, por i shndërruar në bos krimi, është pajtuar në gjykatë një javë më parë që të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat.

Ai është shtetasi i parë i Ekuadorit që ekstradohet nga vendi i tij prej hyrjes në fuqi të ligjit të ri një vit më parë.

Ligji është miratuar pas një referendumi të mbajtur nga presidenti Daniel Noboa me qëllim të sigurimit të mbështetjes për t’i luftuar bandat kriminale./ REL 

The post Ekuadori ekstradon në SHBA trafikantin më të madh të drogës appeared first on Gazeta Si.

Javë përvëluese, temperaturat pritet të shkojnë deri në 41 gradë

21 July 2025 at 09:26

Moti për territorin shqiptar këtë të hënë do të karakterizohet nga temperatura të larta dhe qiell i kthjellët gjatë gjithë ditës.

Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, pritet që temperaturat maksimale të arrijnë deri në 37°C në zonat qendrore dhe jugore të vendit.

Në të gjithë territorin, nuk parashikohen reshje. Kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme, me diell të fortë dhe pa prezencë vranësirash. Kjo valë të nxehti kërkon kujdes të shtuar për qytetarët, sidomos gjatë orëve të pikut, nga ora 11:00 deri në 17:00, kur rrezatimi diellor është më intensiv.

Autoritetet këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje, të vishen lehtë dhe të mbrojnë sidomos të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

Edhe mbrëmja do të mbetet e nxehtë, me temperatura që nuk pritet të zbresin poshtë 24–25°C në qytetet e mëdha. Shqipëria do të mbetet nën ndikimin e këtij moti përvëlues edhe në ditët në vijim ku temperaturat pritet të shkojnë deri 41 gradë.

The post Javë përvëluese, temperaturat pritet të shkojnë deri në 41 gradë appeared first on Gazeta Si.

Shtyhet sërish gjyqi për ‘Partizanin’, avokatët e Berishës kërkojnë përjashtimin e trupës gjykuese

21 July 2025 at 12:13

Gazeta Si – Shtyhet për në 15 shtator në orën 10:30 seanca për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme. Në seancën e dytë gjyqësore të mbajtur këtë të hënë, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha kërkuan përjashtimin e treshes gjykuese me pretendimin se nuk janë të pavarur, pasi kontrollohen nga SPAK.

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykatë të paanshme. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK, ata janë në moritorim të vazhdueshëm, gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces, shkel parimin e një gjykate të pavarur”,- tha avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.

Mbi këtë argument, Gjokutaj deklaroi se kërkon gjykim nga një gjykatë tjetër, jo nga GJKKO.

“Kërkojmë përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nga kjo çështje, pasi nuk përmbushim kriterin e paanshmërisë dhe dërgimin e çështjes për gjykim te gjyqtarët që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. Të gjykohet nga gjyqtarë jashtë kësaj gjykate”, u shpreh Gjokutaj.

Kjo kërkesë u paraqit edhe nga avokati i Malltezit, ndërsa prokurori Arben Kraja pati këtë qëndrim: “Nuk dua të shprehem për kërkesën, por Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi”.

Kështu, seanca u shty më 15 shtator. Berisha nuk ishte i pranishëm, por u paraqit në SPAK për masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ku sulmoi dhe akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe gjyqtaren Irena Gjoka.

Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin përmes vendimeve qeveritare në kohën kur ishte kryeministër. Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme në vlerën e 5.4 milionë eurove. Berisha ndodhet në “detyrim paraqitje”, ashti si dhe dhëndri i tij, Malltezi.

Ndërsan dërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.

Në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”

The post Shtyhet sërish gjyqi për ‘Partizanin’, avokatët e Berishës kërkojnë përjashtimin e trupës gjykuese appeared first on Gazeta Si.

Elbasan, kontrolle në 14 zyra dhe banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin

21 July 2025 at 09:05

Gazeta Si – Me urdhër të gjykatës, Prokuroria dhe Policia e Elbasanit ka zhvilluar kontrolle në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në 14 zyra dhe banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në këtë qytet.

Sipas burimeve paraprake, kontrollet vijnë në kuadër të hetimeve që po kryhen në këtë incenerator për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Në mars 2025 Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim ndaj inceneratorit të Elbasanit teksa ka regjistruar dosje penale, ku fillimisht hetimi u hap për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit”.

Konkretisht bëhet fjalë për zjarrin që përfshiu inceneratorin e Elbasanit në korrik të vitit 2023. Prokuroria po heton për shkaqet e këtij zjarri dhe impaktin e jashtëzakonshëm që ky zjarr pati në mjedis.

Prokuroria ndërkohë ka zgjeruar hetimet ku përveç nenit 151, ka përfshirë edhe nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përfshin veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

The post Elbasan, kontrolle në 14 zyra dhe banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin appeared first on Gazeta Si.

❌
❌