Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Gazeta Si

Dëmtohet Jashari, 2 muaj jashtë fushës

28 August 2025 at 17:40

Nga Gazeta Si – Lajme të këqija për Milan që humbet Ardon Jasharin për të paktën dy muaj. Gjithçka pas një përplasje me Santiago Gimenez në stërvitjen e sotme nga e cila Jashari theu fibulën e djathtë.

Njoftimin e dha traineri Massimiliano Allegri ndërsa kontrollet e imtësishme do të sqarojnë edhe kohën e saktë të mungesës së futbollistit dardan të Milan.

The post Dëmtohet Jashari, 2 muaj jashtë fushës appeared first on Gazeta Si.

Çfarë duhet të dini për ‘Dutch Grand Prix’ në F1

28 August 2025 at 17:11

Nga Gazeta Si – Tani që pushimet tradicionale të verës përfunduan, Formula 1 kthehet me “Dutch Grand Prix” në startin e gjysmës së dytë të sezonit.

Sesioni i parë dhe i dytë i Provave të Lira do të zhvillohen të Premten. Sesioni i 3 Provave të Lira dhe Provat Zyrtare do zhvillohen të shtunën, ndërsa Gara të dielën.

  • Statistika vitale
    Gara e parë – 1952
    Gjatësia e pistës – 4.259km
    Rekordi i xhiros – 1’11”097, Lewis Hamilton, Mercedes, 2021
    Më shumë “pole positions” – Rene Arnoux/Max Verstappen (3)
    Më shumë  – Jim Clark (4)
    Distanca deri në kthesën e parë – 199 metra
    Parakalime të kompletuara në vitin 2024 – 73
    Probabiliteti për “Safety Car” – 50%*
    Probabiliteti për “Virtual Safety Car” – 50%*
    Koha e humbur në “Pit stop” – 23 sekonda
    *Nga 4 garat e fundit në Holandë
Të dhënat teknike të cirkuitit në Zandvoort

Kuriozitet – Kthesa e fundit në Zandvoort mban emrin e Legjendës holandeze tw motorsportit, Arie Luyendyk. Ka një pjerrësi prej 18 gradësh pothuajse 2 herë më shumë se ajo në “Indianapolis Motor Speedway”

  • “Pole position” në 5 vitet e fundit
    2024 – Lando Norris (McLaren)
    2023 – Max Verstappen (Red Bull)
    2022 – Max Verstappen (Red Bull)
    2021 – Max Verstappen (Red Bull)
    1985 – Nelson Piquet (Brabham)
  • Fitues në 5 vitet e fundit
    2024 – Lando Norris (McLaren)
    2023 – Max Verstappen (Red Bull)
    2022 – Max Verstappen (Red Bull)
    2021 – Max Verstappen (Red Bull)
    1985 – Niki Lauda (McLaren)

The post Çfarë duhet të dini për ‘Dutch Grand Prix’ në F1 appeared first on Gazeta Si.

Aksioni ndaj punonjësve të IMT, policia: U kërkonin para lokaleve që të mos u hiqnin tendat

28 August 2025 at 14:29

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me një operacion të zhvilluar nën drejtimin e SPAK, ku një punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Tiranë u arrestua, dy persona të tjerë u proceduan, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Sipas policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Fuçia., 33 vjeç, punonjës i IMT në Tiranë si dhe nisi procedimi penal për shtetasit Edmond Çela., 48 vjeç, po punonjës i IMT në Tiranë dhe A. E., 26 vjeç, menaxher i një lokali në Tiranë.

Policia njofton gjithashtu se u shpall në kërkim shtetasi Klajdi Zhilla, 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.

“Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve”, tha policia.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.

The post Aksioni ndaj punonjësve të IMT, policia: U kërkonin para lokaleve që të mos u hiqnin tendat appeared first on Gazeta Si.

Pas akuzave të Trump, Berisha i bën thirrje SHBA-së: Hetoni veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri

28 August 2025 at 14:09

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hetojnë veprimtarinë e miliarderit George Soros në Shqipëri, një ditë pasi Presidenti Donald Turmp tha se ai dhe i biri, Alex Soros, duhet të hetohen në bazë të ligjit kundër organizatave kriminale (RICO) për atë që kanë bërë në SHBA.

Në konferencën për mediat, Berisha tha se FBI duhet të shtrijë hetimet dhe të gjejë se si sipas tij Soros dhe djali i tij përdorën çdo lloj influence kundër një force politike në favor të ekstremit të majtë të Ramës.

“Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, George Soros-in dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA. George Soros dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë. Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit.

I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.

Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare. E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata. Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri, në mbështetje të një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama”, tha Berisha në konferencë për mediat.

The post Pas akuzave të Trump, Berisha i bën thirrje SHBA-së: Hetoni veprimtarinë e Sorosit në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Kreditë me probleme qëndrojnë në 4%

28 August 2025 at 14:07

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreditë me probleme u reduktuan lehtë gjatë muajit qershor, raporton Banka e Shqipërisë.

Përqindja e këtij treguesi ndaj totalit të kredive arriti në 4.01%, pas një rritje të lehtë në 4.12% gjatë majit.

E përkthyer në vlerë absolute në bilancet e bankave tregtare në vend janë 357 milionë euro kredi e keqe.

Përgjatë vitit të fundit Banka e Shqipërisë ka lehtësuar gradualisht politikën monetare, duke e bërë më të lirë huamarrjen për qytetarët dhe bizneset.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, ashtu si edhe anketat tregojnë një aftësi paguese të përmirësuar të familjarëve, por dhe një ndikim të zhvlerësimit të euros në statistika.

The post Kreditë me probleme qëndrojnë në 4% appeared first on Gazeta Si.

KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Berisha: Nuk e njohim 11 majin

28 August 2025 at 13:37

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar sërish se PD nuk e njeh rezultatin e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Berisha ripërsëriti se 11 maji sipas tij ishte një farsë elektorale.

“PD nuk i njeh zgjedhjet. Përfaqësuesit tanë mbajtën qëndrim dinjitoz në komision. Këto ishin farsë e vërtetë elektorale”, tha Berisha.

Deklarata e Berishës vjen ndërkohë që vetëm pak më parë Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar sot me tre vota pro dhe dy kundër projektvendimin për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Ky akt shënon mbylljen zyrtare të procesit zgjedhor dhe hap rrugën për konstituimin e Kuvendit të ri.

Pas shpalljes së rezultatit, hapi i radhës do të jetë mbledhja e parë e Kuvendit, ku pritet të zhvillohet seanca e konstituimit.

The post KQZ shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Berisha: Nuk e njohim 11 majin appeared first on Gazeta Si.

Të rinjtë në timon, shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Shqipëri

28 August 2025 at 13:18

Nga Gazeta ‘SI’- Të rinjtë në timon janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve në vend.

Shifrat nga INSTAT për muajin korrik tregojnë se rreth 30% e aksidenteve gjatë këtij muaji ndodhën si pasojë e sjelljes së shoferëve që i përkasin grupmoshës 25-34 vjeç.

Gjithsesi, numri i aksidenteve gjatë korrikut është ulur, krahasuar me një vit më parë, 131 me 146. Por INSTAT raporto se ka më shumë të dëmtuar, lënduar apo vdekur 196 persona nga 191 korrikun e shkuar.

Dita e martë dhe fasha orare 08:00–12:00 rezultojnë periudhat më problematike, kur dhe janë regjistruar më shumë aksidente.

The post Të rinjtë në timon, shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Shqipëri appeared first on Gazeta Si.

Rritet numri i kërkesave për studime brenda vendit, ekspertët: Kushton më pak

28 August 2025 at 13:07

Nga Gazeta Si- Rreth 20 mijë e 200 të rinj zgjodhën të aplikojnë këtë vit në universitetet brenda vendit, në fazën e parë të procesit, ku prej tyre do të shpallen dhe fituesit me më shumë pikë në 10 degët preferenciale të përzgjedhura nga vetë maturantët.

Sipas të dhënave të vitit të kaluar, ku në fazën e parë ishin 19.200, këtë vit, lista është rritur me 500 prurje të reja.

Nga maturantët aplikues në total, 10 mijë të rinj deklaruan njëkohësisht në formularin A1Z se duan të studiojnë jashtë shtetit.

Kjo shifër, ka mbetur e pandryshuar në raport me vitin e kaluar por ajo që vihet re është rritja e numrit të kërkesave për studimet në Shqipëri, që sipas ekspertëve të arsimit lidhet me rritjen e ofertës nga universitetit.

Universitetet vendase, diploma të dyfishta

Prek vitit 2022, disa universitete në vendin tonë, si Universiteti i Tiranës, ai Politeknik, Universiteti Bujqësor dhe ai Mesdhetar kanë firmosur marrëveshje për diplomat e dyfishta.

Marrëveshjet janë në fushën e Biologjisë mjedisore në Bachelor me Universitetin e Tiranës; Pyjeve dhe mjedisit për UBT; Inxhinierisë mekanike me UPT në nivel master dhe Marketingut me UMSH.

Marrëveshjet parashikojnë që studentët në këto programe të bëjnë një vit studime në Shqipëri dhe një vit në Itali. Në përfundim studentët do të marrin diploma të dyfishta.

“Nëse deri para disa vitesh, të rinjtë që shpalleshin fitues edhe në universitetet brenda vendit, zgjidhnin të studionin jashtë, sot konstatohet një realitet ndryshe. Universitetet po ofrojnë diploma duale. Duke shtuar dhe rritjen e kostos së jetesës jashtë, familjeve shqiptare u kushton më pak studimet  e fëmijëve të tyre në Shqipëri”, thonë ekspertët e çështjeve të arsimit.

Ndërkohë që shifra totale e fituesve në universitetet publike e private në vend do të shpallet me mbylljen e procesit të regjistrimit, mendohet që shifra mund të jetë edhe më e lartë, me hapjen e aplikimeve në fazën e dytë përmes formularit A3, ku ata që nuk mundën të regjistrohen gjatë datave të përcaktuara nga ministria, mund të aplikojnë në programin e Maturës Shtetërore për të përzgjedhur universitetin që duan të frekuentojnë dhe degën e preferuar të studimit.

Lista e fituesve, 24 orë për të ankimuar pikët

Nga sot deri më 28 gusht, të gjithë ata të rinj të cilët janë të pakënaqur me renditjen e tyre ë listën e fituesve në universitet kanë të drejtë ta ankimojnë pranë universitetit përkatës.

Kjo fazë është përllogaritur sipas Qendrës së Shërbimeve Arsimore të jetë vetëm 24 orë, për ti lënë kohë regjistrimeve të fazës së parë të fituesve në universitet, që do të çelet nga data 29 gusht deri në 11 shtator.

“Nëse universiteti i jep të drejtë atëherë ringarkohet lista, nëse jo procesi vazhdon përsëri. Maturantët kanë mundësi të ç’regjistriohen dhe të riaplikojnë në raundin e dytë, për një degë tjetër”, thotë drejtori i QSHA, Arian Xhelaj.

Xhelaj tha se kriteret e pranimit janë të njëjta për të gjitha raundet si dhe kriteri i mesatares është i njëjtë. Për shembull, ai me mesataren nën 6.5 mund të aplikojë në një nga programet dy vjeçare.

Programet e reja, risi e vitit akademik

Këtë vit janë shtuar 24 programe të reja, kryesisht nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, që i bashkohen 650 degëve ekzistuese nga viti i kaluar.

Për ata maturantë që nuk arrijnë të kapin mesataren për programet 3-vjeçare, janë të hapura edhe programet 2-vjeçare.

The post Rritet numri i kërkesave për studime brenda vendit, ekspertët: Kushton më pak appeared first on Gazeta Si.

Rama kritika një tjetër gjyqtari: Nuk lejoi çlirimin e pallateve nga ngrehina pa leje

28 August 2025 at 13:05

Nga Gazeta ‘Si‘- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas një vendimi të gjyqtarit Ligoraq, i cili vendosi që të mos hapet kalimi i mbyllur nga një strukturë pa leje një ndërtim me kupolë xhami mes dy pallateve, nën të cilën ndodhet një dyqan.

Ky ndërtim, sipas Ramës, po kryen veprimtari tregtare në kurriz të komunitetit dhe paraqet rrezik serioz për banorët në rast emergjencash, si zjarri.

Rama e akuzoi gjyqtarin për shpërfillje të interesit publik dhe vuri në dukje se vendimi i tij i bashkohet një sërë rastesh të ngjashme që tashmë janë pjesë e një dosjeje të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe që do t’i përcillet organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit.

“Atyre që komentojnë apo bëjnë deklarata publike për gjasme presion nga ana ime mbi gjyqësorin, u them se për të mbrojtur interesin publik, të drejtën e komunitetit dhe të drejtat e liritë e njerëzve nga shpërdoruesit e detyrës në radhët e gjyqësorit, ne as do të heshtim më, as do të ndalemi së adresuari rastet e shpërdorimit në organet përkatëse të cilat Kushtetuta e ligji i ngarkojnë edhe me mbrojtjen e interesave të popullit e të shtetit, nga prokurorë e gjykatës të paaftë, të papërgjegjshëm, të dyja bashkë apo edhe më keq, pa atdhe fare.

Por askush të mos ngatërrojë qëndrimin ndaj këtyre individëve, me qëndrimin tonë të palëkundur në mbështetje të drejtësisë dhe institucioneve të saj, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirive e të drejtave të njerëzve”, shkruan Rama.

The post Rama kritika një tjetër gjyqtari: Nuk lejoi çlirimin e pallateve nga ngrehina pa leje appeared first on Gazeta Si.

Certifikohen zgjedhjet parlamentare të 11 majit

28 August 2025 at 12:44

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Rregullator miratoi në parim me 3 vota pro dhe dy kundër rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

PS me 83 mandate, PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore me 50 mandate, PSD me 3 mandate, Mundësia me 2 mandate, Lëvizja Bashkë me 1 mandat dhe Shqipëria Bëhet me 1 mandat.

Pas miratimit të rezultatit zgjedhor, do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i Kuvendit të vjetër.

Pritet mbledhja e parë të Kuvendit të ri, e cila do të shënojë edhe fillimin zyrtar të legjislaturës së re për katër vitet e ardhshme.

The post Certifikohen zgjedhjet parlamentare të 11 majit appeared first on Gazeta Si.

Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Rashiç nuk merr votat e duhura për nënkryetar

28 August 2025 at 12:41

Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti nga pakica serbe, Nenad Rashiç, ka dështuar të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që ai nuk votohet për këtë post. Rashiqi i mori 56 vota pro, 1 kundër dhe 20 abstenime. Ai ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ndërpreu seancën dhe tha se administrata e Kuvendit do të njoftojë se kur mund të vazhdojë ajo.

Ai i thirri partitë parlamentare për konsultime për zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, që është hapi i fundit për ta konstituuar Kuvendin përfundimisht.

The post Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Rashiç nuk merr votat e duhura për nënkryetar appeared first on Gazeta Si.

‘Kapitulli më sfidues’, Rama: Krijohet Operatori Kombëtar i Trajtimit të mbetjeve

28 August 2025 at 12:25

Nga Gazeta Si- Mbetjet në vend do të menaxhohen nga Operatori Kombëtar i Trajtimit të Mbetjeve, një agjenci që kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të krijohet dhe do të jetë në funksion të të gjithë vendit,

Rama tha se kjo agjenci parashikohet në projektligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Ai e cilësoi kapitullin e BE-së për mbetjet si më sfiduesin.

“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo nëpunës të lidhur me çështjet e mjedisit të vetëdijësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE”, tha Rama, duke shtuar se mbetjet nuk do të jenë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky operator kombëtar në bashkëpunim me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe në raport me te cilin, bashkitë do të jenë klientë.

Gjithsesi, ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro tha se bashkive nuk u lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit, përsa i përket menaxhimit të mbetjeve.

“Bashkitë do të vijojnë të kenë përgjegjësinë dhe detyrën e mbledhjes së mbetjeve në territor, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të administrimit të infrastrukturës.”

The post ‘Kapitulli më sfidues’, Rama: Krijohet Operatori Kombëtar i Trajtimit të mbetjeve appeared first on Gazeta Si.

TXEX, platforma që po mashtron shqiptarët, Autoriteti i Sigurisë Kibernetike: Mos investoni në të!

28 August 2025 at 12:17

Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të kenë kujdes nga platforma TXEX, e cila rezulton të jetë një skemë digjitale mashtrimi.

Platforma nuk është e regjistruar dhe as e licencuar duke operuar në formë ilegale.

AKSK thotë se për të qenë e besueshme, platforma përdor reklama joshëse për fitime të majme, fabrikon raste të fitimeve nga investimet në këtë platformë.

Autoriteti thekson se investimi në TXEX mund të sjellë humbje financiare të parikuperueshme dhe cënim të të dhënave digjitale.

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë; Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura; Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.

Platforma u denoncua një ditë më parë nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili tha se të paktën 1.000 qytetarë shqiptarë janë mashtruar nga ajo që ai e quan një skemë piramidale online.

The post TXEX, platforma që po mashtron shqiptarët, Autoriteti i Sigurisë Kibernetike: Mos investoni në të! appeared first on Gazeta Si.

Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Naun Shundi

28 August 2025 at 12:16

Nga Gazeta “SI”- Aktori dhe regjisori i njohur, Naun Shundi, u nda nga jeta sot pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në teatër, kinematografi dhe në formimin e brezave të rinj të aktorëve.

Naun Shundi lindi më 3 shkurt 1959 në Tiranë. Që herët u dallua për talentin e tij dhe pasionin për artin skenik. Në vitin 1977 u diplomua “regjisor” në Shkollën e Mesme të Kulturës, ndërsa në 1983 përfundoi studimet si “aktor” në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Pas diplomimit, u emërua aktor në Teatrin Kombëtar, ku do të interpretonte një sërë rolesh të spikatura.

Në vitin 1985, Shundi u transferua si regjisor në Pallatin e Kulturës “Dardania” në Bajram Curri, por vetëm një vit më vonë u rikthye në Teatrin Kombëtar, duke forcuar edhe më shumë praninë e tij artistike.

Një nga kulmet e karrierës së tij ishte në 1989, kur fitoi çmimin si aktori më i mirë në Olimpiadën Teatrore, me rolin e paharrueshëm të Jovan Bregut në komedinë e njohur “Pallati 176”.

Kontributi i Naun Shundit nuk u kufizua vetëm në skenë. Nga 1993 deri në vitin 2000, ai ishte pedagog i mjeshtërisë së aktorit, regjisurës dhe fjalës artistike në degën e regjisë, pranë Akademisë së Arteve. Në vitin 1995, ai thelloi formimin e tij me një specializim në regji pranë Teatrit Kombëtar dhe Katedrës së Regjisë në Akademinë e Teatrit dhe të Filmit në Bukuresht. Gjithashtu Shundi themeloi të parin teatër privat në Shqipëri “ Zonja e bujtinës”.

The post Ndahet nga jeta aktori dhe regjisori Naun Shundi appeared first on Gazeta Si.

Ali Podrimja, të parandjesh vdekjen…

28 August 2025 at 12:10

Nga Gazeta “SI”-  “Të jesh shqiptar

e vdekja të mos të gjejë

edhe në skaj të botës

e pamundur është”

Këto vargje janë të poetit Ali Podrimja, të shkruara më herët, ndoshta kur ideja e vdekjes i sillej në kokë dhe e mundonte. Ai ishte i mësuar me vdekjen, me praninë e saj, me hijen dhe pikëllimin që ajo ta jep paradhënie, ende pa arritur por me destinacion të qartë.

Pas vdekjes së të birit, Lumit për të cilin Podrimja shkroi dhe vajtoi gjatë nëpërmjet poezisë, si duket vdekja si proces erdhi dhe u bë më konkrete, duke e rrethuar jo vetëm më mister ikjen e tij, por sigurisht dhe me dhimbjen e madhe për humbjen e një  prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë.

Vdekja e papritur në Francë

Në korrik të vitit 2012, Ali Podrimja ishte i ftuar në festivalin letrar “Zërat e Mesdheut” në qytetin Lodeve të Francës. Pas një mungese të pashpjegueshme, më 21 korrik, autoritetet franceze gjetën trupin e tij të pajetë në një zonë të gjelbëruar, pranë një lumi, rreth 4 kilometra larg qytetit. Policia bëri të ditur se në trupin e tij nuk kishte shenja dhune, ndërsa rrethanat e vdekjes mbetën fillimisht të paqarta. Autopsia pritej të jepte një version zyrtar, por sipas burimeve të para, vdekja e poetit dyshohej të kishte ardhur për shkaqe natyrore. Lajmi i ndarjes nga jeta të Podrimjes hidhëroi mbarë botën letrare shqiptare.

Nga Gjakova në piedestalin e letërsisë shqipe

Ali Podrimja lindi më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet universitare në Fakultetin Filozofik, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Që në moshë të re, ai do të lidhej ngushtë me fjalën e shkruar, duke hedhur hapat e parë drejt krijimtarisë poetike.

Në vitin 1966, Podrimja nisi punën në gazetën e përditshme “Rilindja”, në rubrikën e kulturës, ndërsa më vonë, në vitin 1976, kaloi në edicionin e botimeve të kësaj shtëpie, ku udhëhoqi bibliotekat “Poezia shqipe”, “Letërsia botërore” dhe “Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave”. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN-it shqiptar, ndërsa në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), për t’u bërë anëtar i rregullt në vitin 2000.

Krijimtaria poetike

Poezinë e parë, “Arabja”, Ali Podrimja e botoi në vitin 1957, në revistën “Jeta e Re”. Në të njëjtën revistë, katër vite më pas, u botua edhe libri i tij i parë poetik, “Thirrje”. Pasuan përmbledhje të tjera, si “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971), “Lum, lumi” (1982), “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz”, si dhe vepra në prozë si “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri”. Përveç poezisë, ai la pas edhe ese e tregime, duke bashkëpunuar rregullisht me revista, gazeta dhe platforma letrare në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

Krijimtaria e tij u vlerësua me shumë çmime letrare, në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë kufijve, ndërsa librat e tij janë përkthyer dhe ribotuar në disa gjuhë të huaja. Podrimja mbeti gjithmonë një zë i veçantë i poezisë moderne shqipe, me një individualitet që e dallonte nga bashkëkohësit.

Trashëgimia

Ali Podrimja mbetet një prej poetëve më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX. Vepra e tij është një gur themeli i poezisë bashkëkohore shqipe, duke e shndërruar atë në një figurë që do të kujtohet gjatë, jo vetëm për fjalën e fuqishme poetike, por edhe për kontributin e tij në kulturën dhe identitetin letrar shqiptar.

The post Ali Podrimja, të parandjesh vdekjen… appeared first on Gazeta Si.

Media italiane: Çfarë po ndodh në Umbria, pse ka kaq shumë trafikantë shqiptarë?

28 August 2025 at 11:00

Nga Gazeta Si- “Numri i madh të rinjve shqiptarë që kapen sepse merren me drogë në Umbria ka arritur së fundmi një nivel që nxjerr në pah një fenomen”. Kështu e nis artikullin media ‘Umbria 24’ për arrestimet e të rinjve shqiptarë në Itali.

Sipas medias italiane, ka të ngjarë që kjo të sinjalizojë diçka edhe më alarmante në zhvillim e sipër, duke shfrytëzuar potencialisht një dobësi.

“Ajo që ka dalë nga raportet e fundit të lajmeve të Umbria-s, e kombinuar me faktin se këta të rinj, nga i njëjti qytet, të përqendruar në një zonë të vogël rajonale dhe të angazhuar në aktivitete intensive të trafikimit të drogës, të dokumentuar me kalimin e kohës ose të kapur me sasi të konsiderueshme droge, parash dhe pajisjesh paketimi, përshkruan një fenomen që kërkon vëmendje”, shkruan Umbria24, duke përmendur se rasti i fundit është zbuluar sot, dy të tjerë dje dhe shumë të tjerë në muajin e fundit të gushtit.

Më 28 gusht, forcat e rendit arrestuan një 23-vjeçar shqiptar, i cili u kap në flagrancë ndërsa drejtonte makinën gjatë një kontrolli rrugor në Spoleto. Brenda automjetit u gjetën afërsisht 20 gramë kokainë, të ndara në 37 doza të vulosura, së bashku me 780 euro në para të gatshme, të ardhurat e supozuara nga trafiku i drogës.

Në gjysmën e parë të gushtit, dy persona – një grua vendase dhe një 25-vjeçar shqiptar me precedent penal, u ndaluan pas kontrolleve. Më 13 gusht, një 24-vjeçar shqiptar u ndalua në Perugia pasi u përpoq të shmangte një ndalim trafiku, me 16 gramë kokainë. I riu, tashmë i njohur për forcat e sigurisë, u arrestua dhe iu dha një ndalim qëndrimi.

Më 14 gusht, në Bastia Umbra, një 25-vjeçar shqiptar u gjet me dhjetë pako kokainë dhe afërsisht 100 euro pasi u ndalua. Ai u vu gjithashtu nën një ndalim në Umbria.

Situata të ngjashme ndodhën më 20 gusht: në të njëjtin qytet, një 25-vjeçar shqiptar u arrestua me të njëjtën sasi droge dhe parash, ndërsa në Foligno, një tjetër 25-vjeçar shqiptar u gjet me 51 pako kokainë në një makinë me qira, një zbulim i bërë gjatë një operacioni kundër trafikimit të drogës.

Më 21 gusht në Perugia, një 27-vjeçar shqiptar pa precedent penal u arrestua me 67 gramë kokainë të ndarë në 96 doza dhe gati 4,700 euro në para të gatshme. Vetëm pak ditë më vonë, natën midis 25 dhe 26 gushtit në Perugia, një 21-vjeçar shqiptar, në Itali me vizë turistike dhe pa precedent penal, gati u përplas me një makinë patrullimi ndërsa udhëtonte në drejtim të gabuar. Pas kontrollit, policia gjeti 28 doza kokaine me një total prej 18 gramësh dhe gati 1,000 euro.

Gjithashtu më 26 gusht në Bastia Umbra, u arrestua një 23-vjeçar shqiptar që kishte mbërritur së fundmi në Itali me vizë turistike. I ndaluar në një pikë kontrolli, atij iu gjetën shtatë doza kokaine me një total prej 4.5 gramësh dhe afërsisht 200 euro.

Duke përfunduar këtë seri operacionesh, më 27 gusht në Gualdo Tadino, një 19-vjeçar me origjinë shqiptare që banonte në provincën e Torinos u raportua për posedim me qëllim shitjeje gjatë një patrullimi rutinë. Po atë ditë në Terni, procedura e dëbimit për një 21-vjeçar shqiptar të arrestuar ditët e mëparshme për vepra penale që lidhen me drogën u përfundua me një riatdhesim të shpejtë, operacion i koordinuar nga autoritetet lokale dhe Zyra e Prokurorit.

Media italiane shkruan se rastet mund të jenë edhe më shumë, pasi ka edhe raste të tjera që nuk janë përmendur sepse janë nën hetim.

“Duhet theksuar gjithashtu se rrjeti i shitjes me pakicë të drogës është shpesh më i ekspozuari dhe më i prekshmi dhe gjithashtu ai që bën më shumë zhurmë”.

The post Media italiane: Çfarë po ndodh në Umbria, pse ka kaq shumë trafikantë shqiptarë? appeared first on Gazeta Si.

Paraja jashtë bankave në Shqipëri arrin nivele rekord. Rritet oferta

28 August 2025 at 10:51

Nga Gazeta ‘SI’ – Përballë tentativës së qeverisë për të digjitalizuar tërësisht pagesat në Shqipëri, paraja e thatë vazhdon të jetë opsioni i preferuar i shqiptarëve.

Në korrik 2025, paraja që qarkullon jashtë bankave preku një rekord të ri historik, 451 mld lekë. Kjo vlerë është 2% më e lartë se muaji qershor dhe 12% më shumë se korriku i një viti më parë.

Sezoni turistik dhe rritja e konsumit duket se kanë sjellë një rritje tërësore të ofertës së parasë, sipas shifrave të Bankës së Shqiëprisë.

M3 që njihet si paraja e gjerë u rrit në 1.858 trilionë lekë, nga 1.831 trilionë lekë që ishte në muajin qershor.

Sipas shifrave të BSH-së, në korrik 2025, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është shtuar me rreth 20 mld lekë nga maji dhe raportohet 903 mld lekë.

Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 20 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.117 trilion lekëve.

The post Paraja jashtë bankave në Shqipëri arrin nivele rekord. Rritet oferta appeared first on Gazeta Si.

Durrës/ Arrestimi i ish-kryeinspektorit të IMT, zbardhen detajet: Ndërtoi pa leje 11 kabina

28 August 2025 at 10:38

Nga Gazeta Si- Ish-kryeinspektori I IMT-së në Durrës Ardian Halili është arrestuar ditën e djeshme pasi kishte ndërtuar pa leje në zonën e Ishmit.

Drejtori i Policisë Durrës, Vilson Bala, ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e tij, duke thënë se ndërtimet janë kryer në kohën kur Halili mbante detyrën e kryeinspektorit, gjatë vitit 2018 e në vijim.

 “Ai u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”. Ai e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021”, thotë Bala.

Ai shton se nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.

Bala tha në deklaratën për shtyp se ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.

“Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”, tha Bala.

The post Durrës/ Arrestimi i ish-kryeinspektorit të IMT, zbardhen detajet: Ndërtoi pa leje 11 kabina appeared first on Gazeta Si.

Operacioni me dy të arrestuar në Durrës, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje! (emrat)

28 August 2025 at 10:30

Nga Gazeta ‘Si’- Policia e Durrësit ka dhënë detaje lidhur me aksionin e ditës së djeshme(27 gusht) në Shkozet të Durrësit, ku u vunë në pranga Arbi Haxhiu dhe Aldi Mustafa, për armëmbajtje pa leje.

Policia njoftoi se në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.

39-vjeçari Mustafa konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13 gusht 2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku i është vënë lëndë eksplozive një banese.  Mustafa rezulton i dënuar për drogë në Gjermani, ndërsa në 2021 u kap në Durrës pasi planifikoi një vrasje. Ai gjithashtu mësohet se është pjesë e grupit të “Rrumit të Shijakut”.

Mustafa i shpëtoi një atentati me  tritol në makinë në 2023.

The post Operacioni me dy të arrestuar në Durrës, policia: U kapën me pistoletë gati për qitje! (emrat) appeared first on Gazeta Si.

‘Champions League’ hedh sot shortin e fazës së Ligës

28 August 2025 at 10:21

Nga Gazeta Si – 36 skuadrat pjesëmarrëse në “UEFA Champions League” janë ndarë në 4 vazo sipas koeficentit individual.

Fituesja në fuqi e “Champions League” është kryesuesja në vazon e parë.

Shorti fillon pikërisht me këtë vazo. Zgjidhet fizikisht një skuadër dhe më pas një program kompjuterik përzgjedh 8 kundërshtaret për të.

Procedurë që është ndjekur edhe sezonin e kaluar. Përzgjedhja e kundërshtarëve bëhet duke pasur parasysh:

  • Dy skuadra nga cdo vazo, me një ndeshje në shtëpi dhe një në transfertë, përcaktuar nga programi kompjuterik.
  • Skuadrat nga e njëjta Federatë nuk mund të përballen me njëra-tjetrën në fazën e Ligës.
  • Jo më shumë se dy kundërshtarë nga e njëjta Federatë.

E njëjta procedurë do të përsëritet për të gjitha skuadrat deri në plotësimin e shortit.

Kalendari i “Champions League” duhet plotësuar me datat dhe orën e saktë jo më vonë se 30 Gushti.

The post ‘Champions League’ hedh sot shortin e fazës së Ligës appeared first on Gazeta Si.

❌
❌