Të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK për goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian, dolën sot para Gjykatës së Posaçme.
Ervis Çela, i cili së bashku me Franc Çopjan ishte kreu i organizatës kriminale që solli 28 ton kokainë nga Amerika latine në Evropë për vetëm 2 ngarkesa, është lënë në burg këtë të diel nga Gjykata e Posaçme në Tiranë.
Pas seancës disa orëshe, GJKKO konfirmoi arrestet me burg edhe për 6 të prangosur të tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi nga 8 të prangosurit për të cilin Gjykata ka zbutur masën e sigurisë është Riza Çela, të cilin e ka çuar në arrest shtëpie.
Togat e zeza kanë konfirmuar edhe masën “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.
Në kërkim kërkim edhe 5 persona, ndërsa Franc Çopja ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Të premten SPAK u nis në disa qytete të vendit, kryesisht në Elbasan, Tiranë, Durrës e Lushnjë për të zbatuar 16 masat e sigurisë sigurie, 14 arreste me burg dhe 2 detyrim paraqitjeje, për organizatën kriminale të Çopjave.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se Franc Çopja dhe Ervis Çela, të evidentuar si krerë të organizatës, operonin në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonoin fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Paratë i sillnin me autobusë por edhe përmes sistemeve informale të transfertave të njohur si “hawala” ose “token”.
SPAK evidenton 2 ngarkesa të mëdha kokaine të shtatorit 2020 dhe të dhjetorit 2020, e para nga Paraguai drejt Belgjikës dhe e dyta nga vendi latin drejt Gjermanisë. Në ngarkesën e parë u organizua trafikimi i 11.6 tonëve kokainë, ndërsa e dyta ishin 16.4 ton kokainë. Vlera vetëm e ngarkesës së dytë shkonte nga 1.5 deri 3.5 miliard euro dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.
Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit prej drejtuesit Ervis Çelaj dhe vëllait të tij Ardian Çelaj. Të dy jetonin në vendin amerikano latin.
GJKKO vendosi sekuestrimin preventiv për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim. Mes pronave të sekuestruara ishte edhe “Ajman PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, Xhafzotaj, Durrës, si dhe një vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut me vlerë afërsisht 1.000.000 Euro. Të dyja këto prona janë në emër Julian alias Hysni Balla, aktualisht presidenti i klubit të Erzenit, ndaj të cilit ka një masë arresti me burg por është ende në kërkim.
Arrest në burg:
1. Ervis Çela
2. Albin Çela alias Defrim Çela
3. Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani
4. Renato Musaku
5. Gert Çerma
6. Marenglen Kamami
7. Elidon Çela
Arrest në shtëpi
1. Riza Çela
Detyrim paraqitje
1. Kujtim Gjyla
2. Ditjon Pepa
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 9 gusht 2025, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe nevojave të sigurimit, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, për personat nën hetim: Ervis Çela, Albin Çela alias Defrim Çela, Riza Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Elidon Çela, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin nr. 84, datë 10 gusht 2025, vendosi të konfirmojë masat e sigurisë të dhëna më parë me vendimin nr. 82, datë 6 gusht 2025.
Kështu, Gjykata vendosi të vazhdojë masën e sigurimit “arrest në burg” për Ervis Ibrahim Çelën, Albin Çelën alias Defrim Çelën, Petrit Lakatosin alias Petrit Sulejmanin, Renato Musakun, Gert Çermën, Marenglen Kamamin dhe Elidon Çelën.
Për personin nën hetim Riza Çela, masa e sigurisë “arrest në burg” u zëvendësua me “arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit të Procedurës Penale. Riza Çela detyrohet të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë me të. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase do të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore përkatës.
Gjykata gjithashtu vendosi të vazhdojë masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, sipas nenit 234 të Kodit të Procedurës Penale, për Kujtim Gjylën dhe Ditjon Pepën.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, është ngarkuar me ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda pesë ditëve, afat që nis nga e nesërmja e marrjes dijeni për vendimin.