Ka pasur një hipotezë për zhvillimin në Romë të një samiti mes Trump dhe Putin për luftën në Ukrainë, por aktualisht ajo është rrëzuar për shkak të kundërshtimit nga Rusia. Megjithatë, mbetet e hapur mundësia që presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ai i Rusisë të takohen në Vatikan, edhe pse në këtë pikë duket e vështirë.
Të enjten, më 7 (gusht), Trump telefonoi kryeministren Meloni dhe i propozoi të priste të hënën samitin në Romë. Kryeministrja u shpreh menjëherë e gatshme dhe pak orë më vonë Rubio e propozoi zyrtarisht Romën edhe në mbledhjen e Këshilltarëve për Sigurinë Kombëtare (NSA), e zhvilluar mes Italisë, Francës, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Ukrainës dhe Finlandës.
Zelensky shprehu menjëherë miratimin e tij, duke thënë se ishte “shumë pro” kësaj ideje. Por po aq e menjëhershme ishte edhe kundërshtia e Rusisë e cila, sipas burimeve, “e konsideron Italinë një vend tepër të rreshtuar me Ukrainën”. Ky nuk është i vetmi pengesë. Putin është zyrtarisht i shpallur në kërkim nga një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, gjë që duket se ka ndikuar gjithashtu në zgjedhjen e vendit për takimin. Jo rastësisht, Putin deklaroi: “Kemi shumë miq të gatshëm të na ndihmojnë për të organizuar këtë lloj aktiviteti. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, i cili ndodhet për vizitë në Rusi. Mendoj se do të vendosim, por ai do të ishte një nga vendet më të përshtatshme”.
Hipoteza e Vatikanit nuk është mohuar, edhe pse për momentin nuk duket më e mundshmja. “Disponueshmëria ekziston dhe mbetet. Më pas do të shohim…”. Në nivelet e larta të Selisë së Shenjtë po ndiqet me vëmendje mundësia e një takimi mes Trump dhe Putin. Situata është tejet delikate, vështirësitë të panumërta dhe është e natyrshme që të mbizotërojë kujdesi. “Nuk kemi asnjë konfirmim, por…”.
Megjithatë, nuk është sekret që Vatikani është shprehur prej kohësh i gatshëm të ndihmojë për një zgjidhje diplomatike të konflikteve, jo vetëm në Ukrainë. Këtë e kishte thënë edhe Papa Françesku dhe e përsëriti me qartësi Papa Leone XIV, më 14 maj, gjashtë ditë pas zgjedhjes: “Selia e Shenjtë është e gatshme që armiqtë të takohen dhe t’i shohin njëri-tjetrit në sy… Popujt duan paqe dhe unë, me dorën në zemër, u them përgjegjësve të popujve: le të takohemi, të dialogojmë, të negociojmë! Lufta nuk është kurrë e pashmangshme, armët mund dhe duhet të heshtin”.
Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin, vijon punën pa ndërprerje dhe Papa Prevost ka konfirmuar kardinalin Matteo Zuppi si të dërguar paqeje. Sipas burimeve pranë Vatikanit, “kontaktet nuk janë ndërprerë kurrë”. Ndërmjetësimi i Selisë së Shenjtë ka mundësuar kthimin në shtëpi të disa fëmijëve ukrainas dhe shkëmbime të të burgosurve. Papa amerikan ka folur në telefon me Putinin më 4 qershor, duke i kërkuar “një gjest që të favorizojë paqen”, një hap përpara i rëndësishëm, pasi paraardhësi i tij nuk kishte arritur më të fliste me presidentin rus pas pushtimit të Ukrainës. Prevost ka konfirmuar gatishmërinë për të pritur në Vatikan “negociata” paqeje.
Në këto raste, zakonisht nuk zbulohet asgjë paraprakisht: më 17 dhjetor 2014, presidenti amerikan Barack Obama dhe ai kubanez Raúl Castro shpallën fundin e embargos, dhe doli se në vjeshtë delegacionet ishin takuar në Vatikan. Edhe tani është e vështirë, dhe nëse ndodh, nuk do të jetë kurrë Selia e Shenjtë ajo që do ta bëjë njoftimin. Megjithatë, fakt mbetet se dyert janë dhe mbeten të hapura.