Artisti që kultivon “Cross over” dhe rrënon getot kulturore

Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 21 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Formenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”?
Afrim DEMIRI
Të rralla janë ngjarjet që një qyteti i japin epitetin e Qytetit të kulturës, pa qenë e shpallur kjo nga ndonjë organizatë si UNESCO, apo BE-ja, që praktikojnë këto nisma për të promovuar diversitetet kulturore si pasuri e përbashkët e qytetërimeve. Mirëpo Prishtina ishte me fat që prej 17 deri më 21 korrik, qëndroi për katër ditë e katër net pianisti me famë botërore Marino Flormenti, në Burgun e Idealit, duke performuar nën moton “WHAT IS LIGHT FOR”? Formenti ishte i ftuar nga Molla e Kuqe NGO, në kuadër të projektit për funksionalizimin e hapësirës së muzeut, të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2025.
Prania e tij fizike dhe artistike e krijoi një përmasë të denj për një epitet të tillë. Kur gjithë kësaj i shtojmë që krejtësisht në një koiçidencë artistike ngjau të ndodhnin, në të njëjtën kohë edhe EtnoFesti në Kukaj si dhe koncerti i Armend Rexhepagit, në sheshin e kryeqytetit, atëherë korriku për Prishtinën ishte më se i begatshëm artistikisht përkundër thatësisë së vapës përvëluese.

Formenti: Unë jam medalion me tri fytyra
U dashtë të kalojnë katër ditë, që të mund ta shikoj qëndrimin katërditor të pianistit Marino Formenti në Burgun e idealit, nga një distancë emocionale dhe të mund të reflektoj për botën e tij krijuese aq të thellë të përcjellur me një filozofi jetësore, me një psikologji të rrallë dhe para se gjithash me një frymëzim artistik përtej klisheve.
E takova në shetitorën e burgut derisa dialogonin me organizatorët Alban Beqirajn dhe Mentor Berishën, për kontekstualizimin artistik të performancës së tij, derisa kishte ardhur nga Vjena, që të identifikohej me fatin e mijra të burgosurëve politikë shqiptarë, që kishin vuajtur me dekada në këtë burg. Dhe ja që një artist italian synonte që hapësirën e burgut të shndërronte, ta transformonte nga burgu sa në një rrëfimtore, në një sallë ushtrimesh të një kryeartisti me amatotë, me studentë apo me kolegë, sa në një medium debatues me gazetarë, sa në një sallë kocentrale!
Ia kujtova se më kishte pëlqyer një thënie të tij se “nëpërmjet notave i shoh portretet e kompozitorëve”. “Po, kam dëshirë që nëpërmjet emocioneve t’i përceptoj vijat e karaktereve”, pohoi ai duke vendosur një bashkëbisedim të çiltër. Në pyetjen se si kanë dëshirë të të shohin ty të tjerët, duke përjetuar artin tënd, Flormenti pa hamendësim tha: “si një medalion me tri fytyra”, duke nxjerr në pah shumëdimensionalitetin e fuqisë së tij krijuese. Gjithçka në botën e tij e kishte hapësirën e vet, nota për të ishte më shumë se medium, kërkonte qasje filozofike, ai dallohej nga të tjerët se notën muzikore apo hapësirën artistike donte që ta shihte përtej kornizës edhe si ndjenjë edhe si përceptim. “Nuk ka qendër, Qendra është aty ku jam, aty ku krijoj, psh., tash Qendra është këtu, ne jemi Qendra”. Unë shikohem me Mentorin dhe me Albanin dhe sikur marrim forcë nga graviteti i Qendrës.

Për gërshetimin e muzikës serioze me atë alternative, avangarde Formenti pohon se duhet gjetur edhe hapësirat aleternative. Prandaj koncepti i tij “Nowhere”, një performancë ku ai jeton për ditë të tëra në një hapësirë publike, duke luajtur muzikë, biseduar me njerëz, dhe reflektuar mbi marrëdhënien mes artistit dhe publikut, tingëllonte mëse i natyrshëm në burgun e Prishtinës. Po ashtu përvoja e tij ishte kalitur edhe nëpërmjet koceptit tjetër “On To One”,dmth. Një shikues para tij është një botë, nuk është një biletë e shitur! Edhe pse pianist me famë botërore në muzikën klasike dhe bashkëkohore, Marino Formenti (“Best of New York Times”, “Best of The New Yorker”), ai kishte ngritur shtratin e gjumit në hapësirat e Burgu të Idealit”. “Kam vizituar shumë burgje nëpër botë, kam qenë edhe në Buhenwlt, ku jam njohur me Holokaustin ndaj hebrenjëve. Kam vizituar edhe të burgosur komunistë, muzikën time e shoh si shpagim për robërinë e të burgosurëve, dhembshuri të cilin dua ta kthej në lumturi”, humbet në rrëfimin e tij, pikërisht ashtu sikur edhe kur ekzekutonte dukej se merrte një trajtë jashtëtokësore. Nuk di pse më erdhi ta pyes se kush e ka vizituar deri më tash? A e kanë vizituar kompozitorët prishtinas? Ai me një nënqeshje sikur nuk ka dëshirë të thotë jo, por vazhdon të flet për aspektet margjinale të jetës, të cilat i bartë në art duke krijuar një humanizëm të rrallë. “Tash do ta takosh Marigona Hamitin, një të verbërt që studion për piano, do të ekzekutojmë së bashku, po kam dëshirë ta barti tek ajo një frymë alterantive të ekzekutimit”, sqaron Formenti, derisa Marigona përgatitet të ulet pranë pianos, e cila kishte zënë vend në ish-shetitoren e burgut. Veprat muzikore nga: J. S.Bach, Philip Glass, Nirvana, Brian Eno, Morton Feldman, Frédéric Chopin, Erik Satie, John Lennon, Franz Schubert, Galina Ustvolskaya, janë ato që e ndjekin Formentin. Fillon ekzekutimi! Marino ulet majtas, Marigona djathtas. Kumbon hapësira e burgut. Aty ku ishte mbytur fjala e lirë ndër dekada, jehonin tingujt nga një ekzekutim i Bach-Benedito! Marigona ndjehej e lumtur. “Të them të drejtën kur jam vet edhe eksperimentoj, por në publik asnjëherë, por ja Marino më mësoi si të kapërcej nga nota në notë duke ruajtur harmoninë, por duke krijuar tone të reja, dhe si t’i kapërcej kufinjtë e partiturës”, shprehej Marigona që ndiqte mësimet në vitin e tretë, në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Në një atmosferë spontane atyre iu bashkangjitej edhe Belina Sadiku studente e arkitekturës, e cila këndoi “back to black” si dhe “when a blind man cries” e përcellur nga dy “Mari-not”. “Kam mbaruar shkollën e mesme të muzikës dhe tash jam duke e shkolluar zërin vullnetarisht, Formenti po na mëson atë që nuk e kemi dëgjuar deri më tash”, pohoi ajo, derisa kujdesej më Marigonën. Aty ishte edhe Aniset Cej, violiniste, studente e Akademisë së Arteve. “Një eksperiencë në vete, violina si instrument jashtë muzikë serioze po ma sjell një hapësirë të re muzikore”, pohoi Cej.

Muzikën shqiptare nuk e njoh, përpos disa këngëve popullore Formenti nuk kishte ra në kontakt me veprat e kompozitorqëve shqiptarë as andej dhe as kendëj kufirit. Për habi as muzika e arbëreshve tanë në Itali, nuk ishte e njohur për të. “Vetëm disa këngë popullore shqipe, kam arritë t’i veçoj”, thotë ai. Kënga shkodrane “Luleborë”, që e kishte interpretuar aktori Afrim Muçaj nën përcjellje e Marinos, kishte tingëlluar shumë bukur.
“Pa asnjë dyshim një përvojë artistike e paharrueshme në Burgun e Idealit. Pata kënaqësin e madhe të marr pjesë si aktor në performancën muziko-poetike “What Is Light For?”, një udhëtim i thellë artistik që ndërthurte fjalën poetike me tingujt magjepsës të pianos”, pohon Muçaj. Muçaj edhe kishte recituar poezi të të burgosurëve edhe në mbrëmjen e fundit e emërtuar simbolikishte si “Hiri i Gramshit”. “Për katër ditë me radhë pata nderin të bashkëpunoj me një nga emrat më të njohur të muzikës bashkëkohore, kompozitorin italian Marino Formenti, i cili me mjeshtërinë dhe ndjeshmërinë e tij krijoi një atmosferë unike, ku muzika dhe poezia u bënë një”, tregon Muçaj. Krahas Muçajt edhe aktorja Rajmonda Ahmetaj kishte recituar vargje të poetëve të burgosur si Visar Zhiti, Martin Çuni, Merxhan Avdyli etj. Ndërkaq mureve të burgut ishin vendosur portrete të artistëve botëror të cilët gjithashtu jeta i kishte përballur me burgjet. Formenti, po mësonte shumë për të kaluarën tonë, gjatë procesit të bashkëbisedimet ai dëgjoi rrëfimin jetësor- dokumentar të ish të burgosurit politik pikërishtë në këtë burg dhe ish- ushtarit të lirisë Martin Çunit. “Një rast interesant, veç një krijues i madh si Marino identifikohet me ne, muzikën e tij po e përjetoj si shërim të plagëve të vjetra”, thoshte Çuni që për vite ia kishin ndalue fjalën e lirë, për ta hapur gjatë luftës së fundit Radion Kosova e lirë dhe dhe për të pasur mundësinë të ipte kushtrimin për liri.
Ndërkaq Qazim Namani, doktor i shkencave të historisë, foli për historikun e Kosovës që nga antika. Ai foli edhe për kompozitorët tanë Niket Dardani dhe Jan Kukuzeli, të cilët kanë krijuar vepra të mëdha në muzikën e krishterë. Formenti kërkonte që t’ia sigurojmë këto kompozime.

Marino dëgjonte dhe ekzekutonte! Mbi qiellin e shetitorës së të burgosurve fluturonin sorrat. Krokamat e tyre ngatërroheshin me notat duke krijuar një pamje surealiste. Marino premtonte se pas një viti do të kthehet në Kosovë me vepër të krijuar mbi rrëfimet e dëgjuara. ”Nuk i duroj getot as getoizimin qofshin politike apo kulturore, dua t’i rrënoj ato, jam multikulturor, i çmoj karakteristikat individuale, por synoj një humanizim kulturor”, pohonte Formenti.
Okarina shqiptare dhe pianoja e italianit Formenti Emin Sallahu, ish i burgosur politik, filloi ekzekutimin me okarinë. Melodia e këngës “Vijnë vaporat, bregut të detit” filloi të formësohej. Pianisti Marino përpiqej të ” hynte” në okarinë me mjeshtrinë e tij në piano. Krijohej një kombinim i çuditshëm. “Jam i lumtur që Okarina e jonë, si më e veçanta nga familjet e okarinave të zbuluara deri më tash u harmonizua me pianon e italianit Formenti”, shprehej Sallahu, Kurse Flormenti sqaronte për të pranishmit se “Cross over është koncepti im i parapëlqyer, pak folk, xhez pak apo pak pop. Unë jam për një koncept, miksimi me qenë përtej zhanreve, jo artificialisht, por shpirtërisht” .

Ai vazhdoi duke thënë se “Ashtu siç unë i besoj një Karte për të drejtën njerëzore, duhet të ekzistoj edhe një Kartë muzikore kulturore”. I lindur më 1965 në Itali, kjo nuk ishte vizita tij e parë në Kosovë. Më 2021 në Teatrin Kombëtar, Alban Beqiraj kishte vuar në skenë dramën e Beketit, “Pa mua”, ndërkaq muzikën e kishte kompozuar pikërisht Marino Formenti. Një ngjarje katërditore që do të mbahet në mend gjatë. Një perfomancë e pianistit Italian Marino Formenti që e nderoi kulturën tonë. Burgu i Idealit prej muajit në muaj po bëhet një vend i krijimit të artit alternativ, po tubon gjenerata të ndryshme dhe po e vendos dialogun soc-kulturor në një rrafsh të komunikimit reciprok, në mes qindra pjesëmarrësve./KultPlus.com

